ATV

Category: Lajme

  • 24-vjetori i rënies heroike të Shkëlzen Haradinajt

    24-vjetori i rënies heroike të Shkëlzen Haradinajt

    Sot shënohet 24-vjetori i rënies së luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjeneral Shkëlzen Haradinaj, i cili ishte komandant për Operacione Luftarake i Zonës Operative të Dukagjinit dhe tre eprorët e lartë të Brigadës 131 ”Jusuf Gërvalla”, Hasim Halilaj, Fatmir Nimanaj dhe Luan Nimanaj, të rënë në betejën e Maznikut.

    Shkëlzen Haradinaj u lind më 25 mars 1970 në Gllogjan dhe konsiderohet si njëri ndër figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sinonim i shumë betejave të Dukagjinit.

    Rënia e Shkelzenit, që kishte bërë gjashtë vjet luftë pa kompromis, ishte një humbje e madhe për UÇK-në, familjen dhe mbarë popullin shqiptar.

    Shkëlzen Haradinaj është vëllai i gjeneral Luan Haradinajt, i cili kishte rënë më 6 maj të vitit 1997 në kufirin shqiptaro-shqiptare, deri sa me një grup bashkëluftëtarësh po hynin në Kosovë.

    Shkëlzen Haradinaj ishte dekoruar nga presidentja Atifete Jahjaga me urdhrin “Hero i Kosovës” me motivacionin “për trimërinë e treguar gjatë luftës çlirimtare për liri dhe pavarësi”.

  • Gjykata që thirret në emër të popullit, s’i lejon kosovarët t’i dëgjojnë dëshmitë

    Gjykata që thirret në emër të popullit, s’i lejon kosovarët t’i dëgjojnë dëshmitë

    Dëshmitari i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçit dhe të tjerëve, për tri ditë radhazi dha dëshminë në seancë të mbyllur për publikun.

    Krejt çfraë u publikua ishte fakti se dëshmitari ishte intervistuar dy herë në zyrat e ZPS-së.

    Teksa tha se këtë praktikë me arsyetimin për mbrojtjen e dëshmitarëve Specialja do ta përdorë deri në fund të gjykimit, avokati Florim Shefqeti e cilëson si mungesë të transparencës.

    “Ne besojmë se si në çdo lloj gjykimi që nuk është publik ne kemi parë edhe në aspektin vendor raste kur është bërë mbyllja e seancave ka pas reagime për mungesë transparence, dhe prandaj edhe kjo patjetër ndikon në mungesën e transparencës dhe po flas personalisht nuk do të kemi mundësi të gjykojmë çfarëdo vendimi apo të japim mendim për atë vendim në mungesë të dëgjimit të dëshmitarëve dhe rrethanave që deklarohen…”, tha Florim Shefqeti, avokat.
    Mbylljen e plotë të seancave ku dëgjohen dëshmitarët anonim po kritikohet edhe nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

    “Mbyllja të themi e plotë e seancave ku dëgjohen dëshmitarët anonim nuk është në rregull, jo krejt dëshmia e dëshmitarit duhet të jetë e mbyllur ne edhe në të kaluarën në proceset gjyqësore para misioneve ndërkombëtare kemi pas redaktime të seancave, kemi pas ndryshim të zërit e fotografisë, janë marr masa që të ruhet identiteti, por të themi shumica e dëshmisë ka qenë e hapur për publikun dhe monitoruese për arsye se jo çdo pyetje dhe jo çdo përgjigje ka të bëjë me identitetin”, tha Amer Alija nga FDHK.

    Fakti që dëshmia e dëshmitarit të parë në rastin e Thaçit dhe të tjerëve u dha në seancë private i shqetësoi edhe familjet e dëshmorëve.

    “Nuk di se si është e rregulluar me ligjet e Kosovës të thirret një gjykatë në emër të popullit dhe Republikës së Kosovës dhe dëshmitarët të mos jenë të hapur për publikun, kjo dëshmon edhe më shumë se kjo gjykatë është e njëanshme dhe politike siç e kemi trajtuar dhe kemi thënë në vazhdimësi dhe siç i kemi arsyet tona pse nuk e njohim këtë gjykatë…”, tha Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve.

    Me 11 prilli në Dhomat e Specializuara në Hagë, filloi prezantimi i provave të Prokurorisë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. /atvlive.tv

  • 168 milionë euro i dërguan mërgimtarët në Kosovë vetëm dy muajt e parë të këtij viti

    168 milionë euro i dërguan mërgimtarët në Kosovë vetëm dy muajt e parë të këtij viti

    Mbi 168 milionë euro është shuma e parave që diaspora ka dërguar në Kosovë, vetëm përgjatë dy muajve të parë të këtij viti.

    Në janar vlera e remitencave nga diaspora arriti në 80 milionë euro, kurse në muajin shkurt në 84.3 milionë euro. Diaspora për dy muaj dërgoi mbi 21 milionë euro më shumë se në dy muajt e parë të viti të kaluar.

    Mirëpo ekonomistët vlerësojnë se dërgimi parave në shifra kaq të larta nga mërgimtarët nënkupton që gjendja ekonomike e kosovarëve vazhdon të jetë e rëndë.

    Megjithatë paratë kanë ndikim në ekonomi.

    Vlera e remitencave të dërguara nga diaspora gjatë tërë vitit të kaluar arriti në mbi 1 miliardë e 223 milionë euro. Vetëm gjatë muajit gusht mërgimtarët dërguan mbi 131 milionë euro. /atvlive.tv

  • Pulmologjia në QKUK pa ventilim e klimatizim

    Pulmologjia në QKUK pa ventilim e klimatizim

    Baki Sokoli, që vuan nga një sëmundje kronike, tash e disa ditë është i hospitalizuar në klinikën e Pulmologjisë të QKUK-së.
    Sfidë për atë është mungesa e ajrosjes, pasi në dhomën ku është i shtrirë nuk ka ventilim e as klimë.

    “Është dashur të ketë ventilim, do të ishte shumë më e lehtë për ne të shtrirë që jemi këtu”, tha Baki Sokoli, pacient.

    Të njëjtin shqetësim e ka edhe pacientja Xhevahire Mustafa nga Prishtina.

    “Është shumë shqetësuse, ishalla po përmirësohet e po rregullohet ky problem”, tha Xhevahire Mustafa, paciente.

    Derisa thotë se kanë bërë disa herë kërkesa në institucione për vendosjen e ventilimit dhe klimatizimit, Kreu i kësaj klinike, Musa Hoxha, e pranon se mungesa e tyre ndikon edhe te gjendja shëndetësore e pacientëve.

    “Me ventilim nuk është punuar, në klinikën e Pulmologjisë nuk ka ventilim edhe pse është më se e nevojshme për pacientët. Andaj duhet të ketë në të gjitha repartet”, tha drejtori i Klinikës së Pulmologjisë në QKUK, Musa Hoxha.

    Lidhur me këtë çështje, ShSKUK-ja i ka thënë ATV-së se së shpejti do të investohet në rregullimin e kësaj çështjeje në Pulmologji.

    “Në kuadër të investimeve që do të bëhen këtë vit në infrastrukturë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, do të investohet edhe në Klinikën e Pulmologjisë”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

    Sipas tyre, investime të njëjta do të realizojnë edhe në klinika të tjera të QKUK-së. /atvlive.tv

  • Veç rregullores, deputetët do të përballen edhe me Kod Etik

    Veç rregullores, deputetët do të përballen edhe me Kod Etik

    Për përdorimin e gjuhës së këtillë, sipas rregullores së Kuvendit, deputetit i shqiptohet fillimisht vërejtje e në rast të përsëritjes së kësaj shkeljeje parashihet edhe largimi nga seanca.

    Por, përpos rregullores e cila në këtë aspekt po vlerësohet e përgjithshme, tashmë për gjuhën, qasjen dhe sjelljen e deputetëve do të ketë edhe Kod Etik, dokument që vlerësohet i domosdoshëm.

    “Zhvillimet e fundit kanë krijuar nevojën për kategorizimin e shkeljeve që deputetët bëjnë. Tani nuk kemi vetëm gjuhë jo parlamentare por edhe gjuhë seksiste. Në këto rrethana kodi I etikës do të bëjë dallimin e kategorizoj këto gjuhë…”, tha Arbër Thaçi nga KDI.

    Në një përpjekje të tillë është duke punuar Kuvendi dhe së shpeti pritet që ky dokument të finalizohet.

    “Javën që shkoj ishim edhe në Shqipëri për të parë se si shteti I Shqipërisë e ka rregulluar, se si deputetët kanë obligimet detyrat e sigurisht edhe sanksionet nëse ata nuk veprojnë në raport me kodin e etikës I cili synon të rregullojë disa nga mekanizmat e sjelljes dhe jo vetëm, natyrisht dhe të përgjegjësive që I ka deputeti..”, tha deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.

    Ndërkaq Rregullorja e re Kuvendit u miratua në korrik të vitit të kaluar, pas më shumë se një dekade që nga koha kur ishte miratuar rregullorja paraprake e këtij institucioni. /atvlive.tv

  • Sipas IKD-së, Prokurori i Shtetit ka pësuar regres në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit

    Sipas IKD-së, Prokurori i Shtetit ka pësuar regres në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit

    Lufta kundër korrupsionit vazhdon të mbetet sfidë për sistemin e drejtësisë.

    Prokurori i Shtetit ka pësuar regres në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit, pasi numri i rasteve të pazgjidhura u rrit për 314 lëndë.

    “8 personave që janë akuzuar për korrupsion si persona të profilit të lartë, vetëm një prej tyre është akuzuar gjatë kohës sa ka qenë zyrtarë, ndërsa 7 të tjerë kur të njëjtit e kanë përfunduar funksionin e tyre për çka akuzohen. Kjo lë një shije te publiku se Prokurori i Shtetit po akuzon vetëm personat e profilit të lartë në një kohë kur ata vetëm po e humbin fuqinë e jo gjatë kohës sa të njëjtit janë duke ushtruar pozicionet e tyre zyrtare për të cilat akuzohen”, tha Gzim Shala nga IKD.

    Njëjtë vlerësohet edhe trajtimi i rasteve gjyqësore. Në fillim të vitit 2022 gjykatat e shkallës së parë kishin 275 lëndë të korrupsionit e përkundër që qëllimi ishte zvogëlimi i këtij numri, në fund të vitit 2022, ky numër u rrit për tetë lëndë.

    “KD gjatë monitorimit ka gjetur raste të korrupsionit për të cilat aktakuza është ngritur qysh para 14 vitesh. Pra, ka aktakuza të cilat janë ngritur qysh nga viti 2009. Janë diku rreth 9 raste të korrupsionit aktakuzat e të cilave janë ngritur prej vitit 2009 deri në vitin 2015 që tregon për mos efikasitet por edhe për neglizhencë të trajtimit të rasteve të korrupsionit duke e ditur që tash edhe në vitin 2023 këto lëndë ende nuk kanë marrë një epilog përfundimtar”, tha Lavdim Makshana nga IKD.

    Ndërkohë as Gjykata e Apelit nuk u tregua më efikase. Për dallim nga fillimi i vitit 2022 kur Apeli kishte 8 lëndë të pazgjidhura në fund të vitit numri ishte rritur në 19 lëndë. /atvlive.tv

  • “Jam i dërguar i profetit” – Avokati tregon se çka i tha i dyshuari për vrasjen e nënës së tij

    “Jam i dërguar i profetit” – Avokati tregon se çka i tha i dyshuari për vrasjen e nënës së tij

    “Më ka detyruar shërbimi informativ rus”, “Jam i dërguar i profetit”, “E kam shpëtuar shqiptarinë” dhe “Jam Skënderbeu i ri”, janë fjalët e vetme që i dyshuari për vrasjen e nënës së tij në Pejë ia ka thënë avokatit të tij mbrojtës, Asdren Mekaj.

    Këtë e konfirmoi avokati Mekaj për Telegrafin, teksa shtoi se gjendja mentale dhe shëndetësore e klientit të tij është e rëndë.

    Për këtë arsye ai tha se nga Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar që 30-vjeçarit t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik.

    “Dy herë ka tentuar Prokuroria që ta intervistojë klientin tim, por nuk ka mundur për shkak të gjendjes së tij të rëndë mentale dhe shëndetësore. Për arsye të mungesës së komunikimit të mirëfilltë mes meje dhe të mbrojturit, përveç që më pengon mua të ofroj mbrojtje efektive, në përputhje me Kodin e Etikës dhe në përmbushje të të drejtës fondamentale që e gëzon çdo person i dyshuar për një krim, pavarësisht kësaj unë thellësisht besoj se është shumë e nevojshme që t’i bëhet një ekzaminim psikiatrik”.

    Tutje, avokati bëri të ditur se nga prokurorja e rastit, në seancën gjyqësore të shtunën ka marrë konfirmim se një ndër veprimet e para që do të bëjë do të jetë shqyrtimi i kërkesës për dërgimin e të dyshuarit në Institutin e Psikiatrisë Forenzike.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë njoftoi të shtunën se të dyshuarit ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, pasi konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar.

    Sipas gjykatës, i pandehuri është duke u hetuar për vepër të rëndë penale për të cilën Kodi Penal ka paraparë dënim me burgim jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

    Tutje, thuhet se pandehuri posedon leje qëndrimi jashtë shtetit, rrethana këto të cilat gjykata vlerësoi se tregojnë rrezikun e lartë se me gjetjen e të njëjtit në liri apo nën çfarëdo mase tjetër alternative, do të arratiset apo në çfarëdo mënyre do t’i shmanget organeve të ndjekjes dhe në këtë mënyrë do të pamundësojë apo vështirësojë në masë të madhe zhvillimin e hetimeve.

    “Po ashtu, duke pas parasysh peshën e veprës penale, mënyrën tejet mizore të kryerjes së veprës penale nga ana e të pandehurit, pasojat e rënda të kësaj vepre si dhe faktin se në këtë çështje pritet që të dëgjohen dëshmitarët okular të cilët janë familjarë të pandehurit, gjykata vlerësoj se të gjitha këto janë rrethana të posaçme që tregojnë rrezikun e lartë se me gjetjen e të njëjtit në liri apo nën çfarëdo mase tjetër alternative, do të arratiset apo në çfarëdo mënyre do t’i shmanget organeve të ndjekjes, do të mund të përsërisë veprën e njëjtë apo të ngjashme penale apo do të mund të ndikoj në dëshmitarë dhe në këtë mënyrë do të pamundësojë apo vështirësojë në masë të madhe zhvillimin e hetimeve por edhe procedurës penale në përgjithësi”, thuhet në komunikatën për media.

    Ndërsa, Prokuroria Themelore në Pejë tha se është duke zhvilluar hetime intensive lidhur me këtë vrasje të rëndë që ndodhi të premten mbrëma në rrugën “Mbreti Zog” në Pejë.

    Vrasja e 58-vjeçares ka tronditur vendin dhe ka nxitur reagime të shumta. E nga shoqëria civile kanë kërkuar që të bëhet më shumë për mbrojtjen e grave.

  • Opozita kërkon anulimin e vendimit për faljen e 100 eurove në faturat e tatimit në pronë

    Opozita kërkon anulimin e vendimit për faljen e 100 eurove në faturat e tatimit në pronë

    Edhe një herë opozita nuk po pajtohet me vendime të Qeverisë.

    Pas vendimit për rritjen e çmimit të faturave për tatim në pronë e më pas faljes nga 100 euro për këtë vit për tatimpaguesit, opozita kërkon anulim.

    Deputeti Ferat Shala thotë se pagesa për tatim pronë duhet të vazhdojë pa ndryshme meqë nuk është e qartë si është bërë vlerësimi.

    Kurse nga Lidhja Demokratike e Kosovës thonë se është e paarsyeshme rritja e faturave të tatimit në pronë e më pas falja e 100 eurove.

    Muaji prill është afati i fundit për pagesë për këstin e parë të tatimit në pronë, ndryshe pësojnë gjobat derisa vlerësimi i pronës nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve bëhet në çdo tre ose pesë vjet. /atvlive.tv

  • Policia evidentoi vetëm dy raste, AGK-ja thotë se situata është alarmante

    Policia evidentoi vetëm dy raste, AGK-ja thotë se situata është alarmante

    Sulmi fizik ndaj gazetarit, Valon Syla solli edhe njëherë në pah ambientin armiqësor në të cilin operojnë gazetarët. Madje, ky është vetëm njëri prej disa rasteve kur punëtorët e medias janë sulmuar.

    Bazuar në të dhënat e Policisë, gjatë vitit 2022 janë evidentuar gjithsej 20 raste, kurse në fillim të këtij viti, dy raste.

    Megjithatë, sipas AGK-së, situata është më e rëndë ngase deri më tani këtë vit janë regjistruar 10 raste.

    “Ambienti në të cilin sulmohen gazetarët vazhdimisht online dhe organizohen fushata kundër tyre për shkak të punës që ata bëjnë, kemi alarmuar se mund të kthehen ne sulme fizike në praktikë dhe ja kështu ndodhi me rastin e fundit që absolut është i dënueshëm”, tha Kryetari i AFK-së, Xhemajl Rexha.

    Ndonëse në rrethana të tjera, edhe gazetari Haris Ademi u sulmua muaj më parë derisa po raportonte nga veriu i Kosovës.

    “Rasti i fundit i ka kthy edhe njëherë në kujtesë gjithë ato sulme ndaj gazetarëve edhe i ka kthyer edhe njëherë në vëmendjen vështirësitë e gazetarëve për të raportuar. Unë jam sulmuar duke raportuar nga një grup njerëzish me maska…”, tha Ademi.

    Derisa sulmuesit e Syles u arrestuan, rasti në pjesën veriore nuk është zbardhur ende.

    “Sa i përket zbardhjes së rastit, konsiderojë se në atë pjesë policia ka pasur qasje të kufizuar shto këtu edhe detaje që ata persona kanë qenë të maskuar dhe vështirë të identifikueshëm”, tha Ademi.

    Sulmet e tilla ndaj gazetarëve, për juristen e medias, Flutura Kusari, janë një lloj testi për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

    “Është test për sistemin gjyqësor që t’i dënojë me dënim të merituar dhe të dërgojë mesazh tek kriminelet që të rrinë sa më larg gazetarëve”, tha Flutra Kusari, juriste e medias .

    Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që personit tjetër i shkakton lëndim të lehtë trupor, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri vjet. /atvlive.tv

  • BE e zhgënjyer për bojkotin e zgjedhjeve në veri nga partitë serbe

    BE e zhgënjyer për bojkotin e zgjedhjeve në veri nga partitë serbe

    BE-ja shprehet e zhgënjyer për mospjesëmarrjen e partive politike serbe në zgjedhjet lokale, në katër komunat veriore të Kosovës. Në një përgjigje për Radio Kosovën një zëdhënës i BE-së ka thënë se është detyrë e Kosovës dhe e Serbisë që të kenë prioritet kthimin e serbëve të Kosovës në struktura e nivelit qendror dhe lokal.

    Më 23 prill në katër komunat veriore të Kosovës (Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku), me shumicë serbe, pritet të mbahen zgjedhjet lokale. Lista Serbe, por edhe partitë e tjera që përfaqësojnë serbët në Kosovë kanë deklaruar që nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje.

    Një zëdhënës në Bruksel i ka thënë Radio Kosovës, përmes emailit, se është për keqardhje bojkotimi i zgjedhjeve nga përfaqësuesit politikë të serbëve lokalë.

    “Prandaj është shumë zhgënjyese që Lista Serbe dhe partitë e tjera që përfaqësojnë serbët e Kosovës, kanë vendosur të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale të planifikuara për 23 prill në katër komunat veriore,” thuhet në përgjigjen e BE-së.

    Në nëntor të viti të kaluar përfaqësuesit serbë në Kosovë janë larguar nga të gjitha institucionet kosovare, përfshi këtu pozitat në Qeveri dhe Kuvendin e Kosovës, dhe ato të gjyqësorit e Policisë së Kosovës në veri.

    Largimi kishte ardhur sepse serbët e Kosovës nuk e mbështesnin vendimin e Qeverisë së Kosovës për ri-regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe, në targat RKS (Republika e Kosovës.)

    Nga Brukseli thonë se BE-ja është angazhuar, me partnerët e saj, për të de-përshkallëzuar tensionet dhe që serbët t’i përmbushin detyrimet e tyre të dialogut dhe të kthehen në institucione vendore.

    “Deri më tani është bërë pak përparim. Është e domosdoshme që të kthehemi në një situatë ku serbët e Kosovës marrin pjesë aktive në qeverisjen lokale, polici dhe gjyqësor në veri të Kosovës. Ne kemi nevojë që të dyja palët të luajnë rolin e tyre në këtë,” thuhet në përgjigjen e tyre.

    Me datë 27 shkurt të këtij viti Kosova dhe Serbia nënshkruan një Marrëveshje për Rrugën e Normalizimit ndërmjet dy vendeve. Kjo marrëveshje u përcoll me nënshkrimin e një Aneksi për zbatimin e Marrëveshjes, e nënshkruar në Ohër të Maqedonisë me 18 mars.

    Sipas BE-së “Marrëveshja dhe Aneksi hapin rrugën drejt normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve. Një pjesë themelore e zbatimit të këtyre marrëveshjeve do të jetë kthimi i qëndrueshëm i serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, duke përfshirë edhe pushtetin lokal.”

    Sipas BE-së, ata nuk mund ta detyrojnë as Kosovën e as Serbinë që këto procese demokratike të jenë të suksesshme.

    “Është detyrë e Kosovës dhe Serbisë që të kenë prioritet kthimin e serbëve të Kosovës në pushtetin lokal, policinë dhe gjyqësorin dhe të bien dakord për një rrugë përpara që është gjithëpërfshirëse, e drejtë, demokratike dhe paqësore,” thuhet krejt në fund në përgjigjen e BE-së, për Radio Kosovën.