ATV

Category: Lajme

  • Haradinaj uron Pashkët ortodokse

    Haradinaj uron Pashkët ortodokse

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka uruar gjithë besimtarët ortodoksë me rastin e festës së Pashkëve.

    Haradinaj shkroi në Facebook se kjo festë duhet të shërbejë si motiv shtesë për promovimin e vlerave njerëzore dhe për të rritur unitetin dhe tolerancën ndaj njëri-tjetrit.

    “Vëllezërve dhe motrave shqiptarë ortodoksë, të gjithë bashkëqytetarëve të Kosovës dhe miqve ndërkombëtarë që shërbejnë në vendin tonë, që festojnë sipas kalendarit julian, për shumë mot Pashkët”, ka shkruar ai.

    “Kjo festë le të shërbejë si motiv shtesë për promovimin e vlerave njerëzore dhe për të rritur unitetin dhe tolerancën ndaj njëri-tjetrit”.

  • Shtrenjtohen çmimet në bregdetin e Shqipërisë

    Shtrenjtohen çmimet në bregdetin e Shqipërisë

    Shtrenjtimi i çmimeve të vilave dhe apartamenteve në bregdet po vijon edhe në vitin 2023. Në apartamentet e reja në zonat rezidenciale në Vlorë dhe Sarandë, sipas agjencive të pasurive të patundshme, çmimet e apartamenteve janë rritur 40% më shumë krahasuar me 2022.

    Në bregdetin e Durrësit dhe Qerretit, çmimet e pronave në vijën e parë janë shtrenjtar 15%. Agjencitë e pasurive të patundshme pohuan se arsyet kryesore të rritjes së çmimeve janë kërkesa e lartë nga të huajt dhe shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit.

    Në resortet turistike, që kanë nisur punimet këtë vit, si në Orikum të Vlorës apo Sarandë, çmimet e apartamenteve variojnë nga 2,500 deri në 3,500 euro për metër katror.

    Rritje të lartë ka edhe për çmimet e vilave. Vilat elitare në bregdet po shiten me çmimin e 1,6 mln eurove, 33% më shumë se vjet.

    Shtrenjtohet Durrësi, Golemi dhe Qerreti 15%; Me çmim ekonomik, vetëm ndërtimet e para 15 viteve

    Edhe këtë vit, çmimet e apartamenteve në zonat bregdetare të Durrësit kanë vijuar tendencën e rritjes.

    Shtrenjtimi më i lartë është për pronat në vijën e parë të ndërtimit, që kanë arritur nivelin maksimal prej 1,500 euro/m² nga 1,300 euro që u shitën vjet (rritja 15%).

    Në vitin 2021, maksimumi i çmimit për ndërtimet e vijës së parë p.sh., në zonën e Shkëmbit të Kavajës arrinte deri në 750 euro.

    Arian Gjuzi, broker i agjencisë imobiliare “Century 21 EON” në Durrës nënvizoi për “Monitor” se çmimet në vijën e parë bregdetare të zonave si: Durrës, Plazh, Golem, Shkëmbi i Kavajës dhe Qerret janë rritur 100 deri në 200 euro.

    Z.Gjuzi shton se rritja është ndikuar nga kërkesa e lartë për këto prona dhe oferta e ulët. Sipas tij, pronat po blihen kryesisht nga çekët, polakët apo shqiptarët e diasporës, me qëllim investimi dhënie me qira.

    “Vjet, çmimi maksimal për ndërtimet e reja me pamje nga deti në vijën bregdetare të Durrësit dhe Qerretit arrinte deri në 1,300 euro/m², këtë vit është 1,500 euro/m².

    Shumica e blerësve, kryesisht të huajt dhe nga diaspora, kërkojnë gjithmonë prona në vijë të parë. Ndërtimet e reja në vijë të parë janë të pakta. Për këtë arsye, çmimet janë rritur”.

    Përfaqësuesi i agjencisë së pasurive të patundshme, “Century 21 EON”, shton se në Durrës ka ende prona me çmime ekonomike, të cilat preferohen më shumë nga vendasit.

    “Apartamentet e ndërtimeve të 10 apo 15 viteve më parë në Golem po shiten me çmime ekonomike 600-650 euro/m², që parapëlqehen nga vendasit. Ndërsa ndërtimet e reja në Golem këtë vit, që shtrihen në vijën e fundit, janë me çmim 800 – 850 euro/m²”.

    Po kush po blen në bregdetin e Durrësit? Arian Gjuzi pohon se krahasuar me vjet, kërkesa për prenotim blerjesh nga çekët dhe polakët që dominuan tregun është në rënie mbi 50%.

    Sipas tij, kjo ka ndodhur prej pasigurisë së shpenzimeve për shkak të luftës Rusi-Ukrainë. Kërkesa për apartamente kryesohet më pas nga shtetasit nga diaspora, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Ndërsa nga vendasit, kërkesa është e përqendruar vetëm te banorët e kryeqytetit, blerësit nga rrethet janë të papërfillshëm.

    “Të huajt po blejnë apartamente me qëllim investimi, për dhënie me qira nëpërmjet platformave ndërkombëtare. Kjo po ndodh edhe me investimet e emigrantëve të Zvicrës, diasporës apo të rajonit.

    Ndërsa kërkesa nga vendasit është shumë e ulët, për shkak të çmimit të lartë. Niveli 1,500 euro për metër katror në vijën e parë të ndërtimit është një çmim i papërballueshëm për shqiptarët”, thekson z. Gjuzi.

    Agjencitë e pasurive të patundshme pohojnë se çmimet në bregdetin e Durrësit kanë arritur pikun dy vitet e fundit dhe nuk parashikohet më rritje.

    Ekspertë të tregut shtuan se kërkesa nga të huajt ka rritur çmimin në Durrës. Edhe shumë apartamente sipas konstatimeve të agjencive real state në vitet 2019-2021 u blenë nga agjencitë polake dhe çeke me çmim 500 euro/m² dhe u rishitën te shtetasit e huaj me çmim 750 euro/m².

    Agjencitë imobilare e konsiderojnë këtë një faktor që ka nxitur rritjen e çmimeve të pronarët e tjerë që rishisnin apartamentet.

    Kush po blen në Durrës

    Të huajt po blejnë apartamente me qëllim investimi, për dhënie me qira nëpërmjet platformave ndërkombëtare. Kjo po ndodh edhe me investimet e emigrantëve të Zvicrës, diasporës apo të rajonit. Ndërsa kërkesa nga vendasit është shumë e ulët, për shkak të çmimit të lartë. Niveli 1,500 euro për metër katror në vijën e parë të ndërtimit është një çmim i papërballueshëm për shqiptarët

     

    Rriten çmimet e apartamenteve në Durrës Yacht & Marina

    Edhe pse pronat në projektin e ri “Durrës Yacht & Marina”, që pritet të zhvillohet po shiten në ajër, kjo nuk i ka penguar investitorët të rrisin çmimet e apartamenteve.

    Sipas zyrës së shitjes të kontaktuar nga “Monitor”, çmimet e apartamenteve për ndërtimin e tretë 9-katësh nisin nga 1,650 deri në 2,800 euro/m².

    Sipas planit të biznesit të projektit, të publikuar më herët, çmimet e shitjes varionin midis 1,500-2,000 euro/m² (10 deri 40% rritje).

    Agjentët e shitjes së Durrës Yacht & Marina thanë se tashmë kanë përfunduar prenotimet e shitjes për dy godinat e para të apartamenteve, ndërsa projekti për godinën e re parashikohet të prezantohet në fund të muajit mars.

    Shitjet e apartamenteve nga kompania “Eagle Hills Real Estate Development” nisën më 8 dhjetor, nëpërmjet kontratave “Marrëveshja për prenotimin e interesit” që u dhanë blerësve.

    Marrëveshja parashikonte kryerjen e pagesave me këste për blerjen e apartamentit.

    Konkretisht, 40% e vlerës së apartamentit e ndarë në 3 këste do të paguhet para marrjes së lejes së ndërtimit, si: 20% e çmimit të blerjes të paguhet brenda 5 ditëve nga nënshkrimi i Marrëveshjes Paraprake të Shitjes; 10% e çmimit të blerjes të paguhet jo më vonë se 3 (tre) muaj nga data e lejes së ndërtimit dhe 10% e çmimit të blerjes të paguhet jo më vonë se 6 muaj nga data e lejes së ndërtimit.

    Pjesa tjetër e vlerës së apartamentit do të paguhet, sipas skemës: 15% e vlerës para ose pas përfundimit të strukturës, 20% të çmimit do të paguhet para ose pas vendosjes së xhamave dhe 5% e çmimit të blerjes të paguhet brenda 5 ditëve nga data e nënshkrimit të kontratës së shitjes për transferimin e titullit të pronësisë së pronës.

    “Durrës Yachts & Marina” është një shoqëri e përbashkët mes qeverisë shqiptare (33% përmes Albanian Seaports Development Company) dhe dy shoqërive nga Emiratet e Bashkuara (Eagle Hills Real Estate Development, sh.a., dhe Nshmi Development L.L.C”, me 67% së bashku) dhe po zbaton projektin me status strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”.

    Projekti “Durrës Yacht & Marina” ka marrë statusin strategjik, pas të cilit shteti shqiptar u bë bashkaksioner, pasi në dispozicion të projektit u vunë 80 hektarë tokë shtetërore. Kompania ka përfituar lehtësi të shumta si investitore, si përjashtimi nga taksa e infrastrukturës në ndërtim (4% e vlerës së shitjes dhe taksa e strehimit prej 3%).

    Gjithsej, parashikohet ndërtimi i gati 13 mijë apartamenteve (4 mijë në fazën e parë dhe rreth 8,600 në fazën e dytë), ndërsa do të ketë vetëm pak hotele me më shumë se 850 dhoma.

    Parashikohen vetëm 280 vende për jahte. 93% e sipërfaqes së ndërtimit të parashikuar do të jetë rezidenciale dhe 3.5% përkatësisht do të jenë hotele dhe sipërfaqe tregtare.

    Investimi i parashikuar në fazën e parë është 595 milionë euro. Por, kompanive investitore u kërkohet që të mbajnë në llogaritë e tyre një shumë që korrespondon me tridhjetë për qind (30%) të financimit të nevojshëm për zhvillimin e sheshit të fazës 1, pra rreth 180 milionë euro, ndërsa mund të grumbullojnë të ardhura nga shitjet, apo të përfshijnë bashkëfinancues të tjerë.

    Në Lungomare, kërkesa e lartë shtrenjton apartamentet deri 60%

    Këtë vit, rritje të lartë të çmimeve të apartamenteve ka edhe për ndërtimet e reja në Vlorë.

    Në zonën e Lungomares, në vijën e parë të ndërtimit, çmimet maksimale të apartamenteve kanë arritur 2,700-2,800 euro/m² sipas të dhënave të agjencisë imobiliare “Albania Property Group”.

    Bëhet fjalë për ndërtime që janë në fazën e parë të zhvillimit. Këtë vit, në vijën e parë të ndërtimit në Lungomare, por për apartamente jo me pamje nga deti, çmimet variojnë nga 1,200 deri 1,300 euro/m².

    Ndërsa vitin e kaluar, apartamentet në vijën e parë të kësaj zone varionin nga 1,700 deri 1,800 euro/m² (çmimet e vitit të kaluar janë dhënë nga tjetër agjenci imobiliare. Rritja 55 deri në 58%).

    Agjencitë e pasurive të patundshme pohojnë se arsyeja kryesore e rritjes së lartë të çmimeve në Lungomare është kërkesa e fortë dhe oferta shumë e ulët.

    Tendenca e lartë e çmimeve për prona në vijën e parë të ndërtimeve në Lungomare është parashikuar edhe vjet nga agjentët e shitjeve, për shkak të kërkesë-ofertës.

    Edhe këtë vit, kërkesa për prona në këtë zonë kryesohet nga të huajt për shtëpi pushimi, kurse vendasit kanë rritur kërkesën e blerjes me qëllim dhënien me qira.

    Mungesa prej vitesh e ndërtimeve në zonën e Radhimës në Vlorë, këtë vit ka sjellë fluks së kërkesës për ndërtimet e reja. Në zonat e reja rezidenciale të Radhimës, ndërtuesit po i shesin apartamentet me çmime që nisin nga 1,400 – 1,500 euro/m².

    Fluturon Vlora!
    Në zonën e Lungomares, në vijën e parë të ndërtimit, çmimet maksimale të apartamenteve kanë arritur 2,700-2,800 euro/m². Bëhet fjalë për ndërtime që janë në fazën e parë të zhvillimit. Këtë vit, në vijën e parë të ndërtimit në Lungomare, por për apartamente jo me pamje nga deti, çmimet variojnë nga 1,200 deri 1,300 euro/m².

    Të huajt që punojnë blejnë shtëpi në Sarandë, çmimet rriten 40%

    Në Sarandë vazhdon rritja e çmimeve të pronave. Vitin e shkuar, çmimi minimal për apartamentet e reja sipas agjencive mobiliare varionte nga 1,200 deri 1,300 euro/m², ndërsa çmimi maksimal arrinte deri në 1,800 euro.

    Në vitin 2023, apartamentet e banimit në zonat e reja rezidenciale po shiten me çmim mbi 1,500 deri 2,500 euro/m². Ndërsa çmimet e pronave buzë detit, specifike për verandën me sipërfaqe të madhe apo suita rezidenciale vijojnë të shiten 3,000 – 3,500 euro/m².

    Eron Çumani, administratori i agjencisë “Investment Property Sarandë”, thekson se krahasuar me vjet, çmimet e apartamenteve në Sarandë janë shtrenjtuar me 40%. Arsye e rritjes të çmimeve është kërkesa e shtuar nga të huajt, por edhe shtrenjtimi i kostove të ndërtuesve nga lëndët të para.

    “Në Sarandë, çmimet e apartamenteve në ndërtimet e reja variojnë mbi 1,500 euro, nga 1,200 – 1,300 euro/m² që u shitën vjet.

    Çmimet maksimale janë nga 1,500-2500 euro/m². Ndërsa për disa prona me pozicion të favorshëm pranë detit, me verandë, pra suita, çmimet variojnë 3,000 – 3,500 euro/m².

    Mesatarisht, rritja e çmimeve këtë vit është 35 – 40%. Për një pronë bashkëkohore me sipërfaqe 65 m², çmimi i shitjes arrin deri në 100,000 euro, nga 70,000 – 80,000 që ishte më parë.

    Shtrenjtimi nisi menjëherë pas luftës Rusi-Ukrainë, për shkak të rritjes së lëndëve të para të ndërtimit. Ndërtimet e reja janë luksoze dhe përfshijnë në rezidencën e banimit edhe ambiente palestre, SPA apo pishina. Te rritja e çmimeve ndikoi edhe shtimi i kërkesës.

    Pas fillimit të luftës në Ukrainë, pati bum kërkesash për blerje pronash nga ukrainasit që ndikuan te çmimi.

    Ata kërkonin apartamente 1+1 apo 2+1 kur ishin familje me shumë anëtarë. Përveç konfliktit në vendin tyre, arsye e rritjes së kërkesës ishte edhe ofrimi i qëndrimit pa viza apo lehtësitë në kryerjen e transaksioneve të blerjes që u dhanë për këta shtetas”.

    Z. Çumani nënvizon se kërkesa për prona në Sarandë dominohet nga të huajt, si: gjermanët, suedezët, holandezët, danezët, anglezët, italianët.

    “Qëllimet e blerjes së pronës janë gjithëpërfshirëse, si nga dhënia e tyre për qira, pasi çmimet e qirave mujore dhe ditore janë rritur 20 deri 40%, por edhe si shtëpi e dytë për pushime”.

    Blerësit potencialë, sipas tij, janë ata të moshës mbi 40 vjeç deri në 70 vjeç që zgjedhin prona luksoze, ndërsa grupmosha e blerësve 35 deri 40 vjeç dominohet nga nomadët dixhitalë, kryesisht të profesioneve IT.

    “Të huajt që investojnë shuma mbi 100,000 euro për prona janë nga vendet perëndimore dhe e kanë për qëllim banimi. Këta shtetas aplikojnë edhe për leje qëndrimi njëvjeçare.

    Kërkesa është rritur edhe nga nomadët dixhitalë, që kanë elasticitetin e të punuarit online”.

    Sipas llogaritjeve të agjencisë, kthimi i investimit për pronë në Sarandë, nëpërmjet qiradhënies, është 10 deri në 15 vjet.

    Z. Çumani thekson se me përfundimin e projekteve strategjike brenda 5 viteve, çmimet e apartamenteve në Sarandë do të arrijnë sa në Montekarlo, gjithmonë nëse tendenca e blerjeve do të orientohet nga të huajt.

    Saranda

    Kërkesa për prona në Sarandë dominohet nga të huajt, si: gjermanët, suedezët, holandezët, danezët, anglezët, italianët. Qëllimet e blerjes së pronës janë gjithëpërfshirëse, si nga dhënia e tyre për qira, pasi çmimet e qirave mujore dhe ditore janë rritur 20 deri 40%, por edhe si shtëpi e dytë për pushime.

    Kush kryeson për kthimin e investimit nga qiraja

    Në indeksin e disa qyteteve bregdetare në rajon, Europë dhe botë të listuara nga “Monitor”, qyteti i Dubait renditet i pari për kohën më të ulët të kthimit të investimit nëpërmjet qiradhënies për blerjen e pronave në zonën e qendrës.

    Rendimenti bruto i qirasë, që është totali i qirasë bruto vjetore, pjesëtuar me çmimin e shtëpisë për këtë qytet është 11%. (Sa më e lartë të jetë vlera, më mirë është).

    Pas Dubait, referuar të dhënave nga Numbeo, më i leverdishëm për kthimin e qirasë me afat të shkurtër është edhe qyteti i Majamit në SHBA me 9,4% për një pronë që blihet në qendër.

    Më pas renditen qytetet si Saranda dhe Budva, me rendiment bruto 6%; Dhërmiu 5,7%; Tivari, 5,1%; Vlora, 5%; Durrësi 4,7%; Sanremo, 4,6%; Barcelona, 4,3%; Selaniku, 4,2%, Montekarlo 3%, Nisë, 3%; Rimini 3,5% dhe Dubrovniku, 2,7%.

    Në Dubai, indeksi i rendimentit të qirasë mbetet i favorshëm për shkak të çmimit të shitjes dhe qirasë së lartë.

    Agjencia e pasurive të patundshme “Falcon”, që ofronte portofol të gjerë pronash në Dubai, tha se çmimet e apartamenteve luksoze nisin nga 3,000-3,500 euro/m², ndërsa qiratë fillojnë minimumi nga 6,000 euro.

    Drejtuesi Sokol Çili pohoi se koha optimale e kthimit të investimit nga qiraja është 5 deri në 10 vjet dhe kjo është një ndër arsyet pse shumë individë, kryesisht sipërmarrës, po investojnë në Dubai.

    Ndërsa në Montekarlo, indeksi i rendimentit të qirasë bruto është i ulët 3%, për shkak të çmimeve të larta të shitjes. Sipas një vëzhgimi të “Monitor”, çmimet për apartamentet e reja në qendër nisnin nga 26,000 euro/m², ndërsa qiraja mujore, nga 4,700 euro./Monitor

  • ​Joseph: Deklaratat e Vuçiqit janë të papranueshme, kujdes me “23 prillin”

    ​Joseph: Deklaratat e Vuçiqit janë të papranueshme, kujdes me “23 prillin”

    Profesori amerikan, Edward Joseph, i konsideron të papranueshme deklarimet e presidentit të Serbisë se nuk do të zbatojë të plotë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e saj që u arrit në Ohër. Eksperti i politikës së jashtme dhe njohësi shumë i mirë i Ballkanit, konsideron se Kosova e Serbia nuk janë afër marrëveshjes finale.

    Në një intervistë për KosovaPress, Joseph deklaron se liderët e Kosovës duhet të mendojnë edhe për pasojat e mbajtjes së zgjedhjeve në veri të parapara të mbahen të dielën e ardhshme.

    Ai thekson se Serbisë do t’i leverdiste nëse në veri do të ketë incidente dhe mospjesëmarrje në zgjedhjet e 23 prillit.

    “Çfarë do ta dëmtonte Kosovën, një lloj loje që dëshiron Serbia, të ketë një lloj konfrontimi, mendoni për atë se çfarë do të përfitonte më shumë Aleksandër Vuçiq. Ai do të përfitonte më së shumti nëse mbahen zgjedhjet dhe ka incidente”, thekson ai.

    Profesori amerikan nga universiteti “Johns Hopkins”, Edward Joseph thotë për KosovaPress se marrëveshje e Ohrit është e rëndësishme, mirëpo ka shumë pengesa.

    Eksperti për politikë të jashtme nuk beson se Kosova e Serbia janë afër marrëveshjes finale.

    Ai thotë se gjërat do të ishin shumë ndryshe në kuptim pozitiv nëse të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian dhe ata të NATO-s do ta njihnin pavarësinë e Kosovës.

    Për më tepër, Joseph thekson se Kosova nuk do të arrijë të anëtarësohet NATO dhe Bashkimin Evropian pa integrimin e plotë të serbëve.

    Komente të parpanueshme i konsideron deklarimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që thotë se nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

    “Këto lloj komente janë krejtësisht të papranueshme, sepse sipas BE-së dhe SHBA-së, është ligjërisht e obligueshme”, deklaron profesori amerikan.

    Kosova dhe Serbia u pajtuan me 18 mars në Ohër për aneksin e zbatimit të marrëveshjes që u arrit në Bruksel, ani pse nuk pati nënshkrim të saj. Në kuadër të saj, palët u pajtuan për të miratuar deklaratën për personat e zhdukur. E po ashtu për të zbatuar nenin 7 që Kosova të nisë menjëherë negociatat në kuadër të dialogut për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.

  • Ukraina në pritje të sistemit raketor nga Amerika

    Ukraina në pritje të sistemit raketor nga Amerika

    Një grup prej 65 ushtarëve ukrainas ka përfunduar trajnimin në Frot Sill, bazë amerikane në Oklahoma dhe është kthyer në Evropë për të mësuar më shumë rreth përdorimit të sistemit mbrojtës për rrëzimin e aeroplanëve të armikut.

    Numri i të vdekurve nga sulmet me raketa në lindje të Ukrainas është ngritur në 11 të shtunën, teksa ekipet e shpëtimit kanë bërë përpjekje për t’i nxjerrë të mbijetuarit nga rrënojat.

    Forcat ajrore të Ukrainës kanë thënë se shteti shumë shpejt do t’i ketë armët me të cilat do t’i parandalojë sulmet si ato të së premtes. Pritej që pas Pashkëve, Ukraina të merrte sistemin ajror të mbrojtjes “Patriot”, që iu premtua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Ukraina ortodokse është përgatitur për pashkët të dielën. Forcat ukrainase kanë refuzuar të tregojnë për ditën e saktë të arritjes së sistemit raketor nga SHBA-ja, por kanë thënë se do të merret vesh sapo të rrëzohet aeroplani i parë i Rusisë.

    Një grup prej 65 ushtarëve ukrainas ka përfunduar trajnimin në Frot Sill, bazë amerikane në Oklahoma dhe është kthyer në Evropë për të mësuar më shumë rreth përdorimit të sistemit mbrojtës për rrëzimin e aeroplanëve të armikut.

    Zyrtarët një muaj më parë kanë thënë se ukrainasit do të ktheheshin në vendlindje me sistemin “Patriot” që zakonisht përfshin gjashtë lansues raketash, radarin mobil, gjeneratorin dhe qendrën e kontrollit.

    Gjermania dhe Holanda kanë premtuar se do ta dhurojnë sistemin “Patriot” për Ukrainën. Ndërkaq, Franca dhe Italia kanë premtuar sistemin antiraketor SAMP/T.

    Ushtria ukrainase po kërkon të forcohet për t’i rrëzuar raketat ruse teksa po përgatitet për kundërofensivën e pritshme pranverore për t’i rimarrë zonat e pushtuara nga Rusia. Edhe pse më shumë se një viti luftimesh kanë varfëruar furnizimet me armë nga të dyja palët, forcat ruse kanë intensifikuar fushatën e tyre 8 muaj e gjysmë për ta pushtuar qytetin e Bakhmutit, fokusi i betejës më të gjatë të luftës deri më tani.

    Bakhmut dhe Sloviansk ndodhen rreth 45 kilometra larg njëra-tjetrës në provincën Donetsk në lindje të Ukrainës.

    Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave, ekipet e shpëtimit në Sloviansk gjetën trupat e dy personave nën rrënojat e një shtëpie të goditur në sulmet me raketa të së premtes. Ata kërkuan gjithashtu të shtunën për pesë persona që mbetën në rrënojat e ndërtesës së banesës, si dhe banorët e tre njësive që u raportuan të zhdukur, tha Vadym Liakh, kreu i Qeverisë lokale.

    Një ligj i ri i nënshkruar nga presidenti rus, Vladimir Putin, të premten që lejon zyrat ushtarake të dërgojnë ftesat për ushtri në mënyrë elektronike në vend që t’i dorëzojnë ato personalisht është pjesë e përgatitjes së Rusisë për luftë të zgjatur në Ukrainë, ka njoftuar Ministria britanike e Mbrojtjes në përditësimin e së shtunës.

    Sipas Inteligjencës britanike, një “regjistër i unifikuar i individëve të kualifikuar për shërbimin ushtarak” do të lidhet në mënyrë digjitale me shërbime të tjera qeveritare, duke i lejuar autoritetet ruse të “ndëshkojnë ata që shmangin ftesat duke kufizuar automatikisht të drejtat e punësimit dhe duke kufizuar udhëtimet jashtë vendit”.

  • Tetë ditë nga zgjedhjet në veri, KQZ publikon fletëvotimet

    Tetë ditë nga zgjedhjet në veri, KQZ publikon fletëvotimet

    Të dielën e 23 prillit, do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veritu, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

    Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është bërë tashmë gati për këto zgjedhje.

    Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e këtyre zgjedhjeve, dje KQZ-ja miratoi listen e qendrave të votimit për zgjedhjet e 23 prillit.

    Sipas vendimit të KQZ-së, numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative me gjithsej 28 vendvotime.

    Lista e qendrave të votimit është përgatitur në bashkëpunim dhe koordinim me organet e sigurisë.

    Ndërkaq pak më herët, KQZ publikou edhe fletëvotimet për këto zgjedhje.

    Në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok do të mbahen zgjedhjet për kryetar komune.

    Teksa në Zveçan dhe Leposaviq do të zgjedhen edhe kuvendet komunale.

  • 49 raste aktive me COVID-19 në Kosovë

    49 raste aktive me COVID-19 në Kosovë

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës bën të ditur se në vend aktive me COVID-19 janë 49 raste.

    Në njoftimin e lëshuar në rrjetin social Facebook, thuhet se në 24 orët e kaluara janë shënuar shtate raste të reja, duke e dërguar numrin e përgjithshëm të të prekurve në 273,824.

    Nga COVID-19 në vend deri tani kanë vdekur 3,215 persona, si dhe janë shëruar 270,560 qytetarë.

  • Ekonomistët drejtojnë gishtin kah qeveria: S’e ka prioritet zhvillimin ekonomik

    Ekonomistët drejtojnë gishtin kah qeveria: S’e ka prioritet zhvillimin ekonomik

    Ekonomia vendëse ka marrë një goditje të madhe për shkak të ndaljes së investimeve kapitale. Sipas një raporti të Institutit GAP, thuhet se Qeveria e Kosovës performon dobët sa i përket realizimit të investimeve kapitale.

    E në lidhje me këtë, kanë folur kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahinin dhe ish-ministri i Financave, Haki Shatri.

    Shatri e Shahini thonë se Qeveria e Kosovës nuk e ka prioritet zhvillimin ekonomik.

    Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, thotë se Qeveria Kurti nuk ka treguar përkushtim në tejkalimin e krizës ekonomike. Sipas tij, Qeveria nuk po e respekton Ligjin për Buxhetin, pasi thotë se investimet kanë rënë shumë.

    “Kjo Qeveri në aspekt të zhvillimit ekonomik, nuk ka treguar asnjë përkushtim dhe nuk ka marrë asnjë veprim për ta tejkaluar këto dhe me nxit zhvillimin ekonomik. Në anën tjetër i ka marrë disa veprime nga mjetet që i ka marrë nga qytetarët, duke i kthyer në forma të ndihmave dhe me këtë formë po mendojnë se e kanë larë ‘borxhin’ ndaj qytetarëve. Ato janë mjete të qytetarëve që u kanë marrë në formë të TVSh-së dhe taksave të ndryshme”, u shpreh Shatri, teksa thotë se ekzekutivi e ka lënë anash zhvillimin ekonomik, duke u marrë me fusha tjera.

    “Ligji për buxhetin nuk po respektohet nga Qeveria. Vetë e aprovon, e propozon dhe e përgatit dhe nuk i realizon vetë. Për të qenë më konkret dhe për të treguar përse jam i shqetësuar me veprimet e kësaj qeverie që e ka lënë anash zhvillimin ekonomik. Për sferën e ekonomisë në vitin 2020, janë shpenzuar 20 për qind të buxhetit në të gjitha fushat, pra mjetet që kanë shkuar në zhvillim ekonomik. Menjëherë në vitin 2021, kjo shumë ka rënë në 15 për qind dhe ka vazhduar në vitin 2022 në 15 për qind. Pra të gjitha sferat tjera janë mbështetur e zhvillimi ekonomik është lënë anash”, u shpreh tutje Shatri.

    Kritika në ulje të investimeve kapitale ka edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini.

    Ai thotë se mbajtja e këtyre mjeteve të dedikuara për investime kapitale, e dëmton zhvillimin ekonomik.

    Investimet kapitale, Shahini i ndërlidh me gjendjen ekonomike, pasi thotë se me këtë kompanitë do të përformonin më mirë.

    “Realisht mbetjet e rezervave të parave të pashfrytëzuara që janë rreth 760 milionë euro tregon se investimet kapitale kanë ngecur dhe kjo është tepër e dëmshme për zhvillimin ekonomik, për arsye se kur nuk ka investime kapitale, vjen pikërisht edhe rënia ekonomike dhe na është lidhur kjo, nga 2021 në 2022, ku kemi një rënie drastike nga 10. 7 për qind në 3, në mungesë të investimeve kapitale dhe në mungesë të investimeve të huaja. Sepse rritja që ka ndodhur i dedikohet konsumit dhe eksporteve. Sikur ne të kishim investime më shumë, me siguri që gjendja ekonomike e qytetarëve dhe bizneseve do të ishte shumë më mirë”.

    E si pasojë e mosfutjes në qarkullim të mbi 700 milionë euro, Shahini thotë se Kosova i ka humbur rreth 1 miliard euro.

    “Është ndalë investimi, e në anën tjetër është rrit zhvleftësimi i parasë dhe një para që mbetet e pashfrytëzuar, ajo është e dëmshme dhe i sjellë gjithmonë shtetit rrezik. Duke u nisur edhe nga një fakt që në vitin e kaluar ne i kemi humbur 118 milionë euro të Trustit Pensional, në mungesë të Bordit, po ashtu sot kemi Bankën Botërore pa guvernator që aty duhet të merren vendime të shpejta. Mjetet që buxheti i Kosovës i ka, duhet që sa më shpejt t’i fusë në funksion, sepse me hyrjen e këtyre mjeteve në funksion, Kosova mund që nga 700 milionë euro që janë rezervë, Kosova mund të përfitojë 1 miliard në qarkullim. Rreth 1 mijë kompani do të mund të merrnin punë publike, të cilat janë ndalë të gjitha punimet në rrugët nacionale”, thotë Shahini.

  • 24 vjet nga eksodi i shqiptarëve nga Kosova

    24 vjet nga eksodi i shqiptarëve nga Kosova

    24 vite më parë rreth një milion shqiptarë të Kosovës po gjenin strehimin në tokat e vëllezërve shqiptarë si shkak i dëbimit kur përgjatë luftës 1998-1999, rreth një milion shqiptarë ishin detyruar të shpërnguleshin nga shtëpitë e tyre me dhunë drejt vendeve fqinjë si Shqipëria e Maqedonia nga forcat paramilitare serbe.

    Në mesin e tyre kishte fëmijë, gra dhe të moshuar, të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar. Në çdo përvjetor të eksodit të vitit 1999, që mori përmasa biblike, në Kukës përkujtohet kjo dramë vuajtjesh nga më të tmerrshmet që kanë përjetuar njerëzit e kësaj toke.

    Me datë 27 mars, në Vërmicë/Morinë kalojnë 187 refugjatët e parë nga Kosova të cilët ishin në gjendje të mjerueshme fizike dhe mendore dhe të plagosur me mjete të forta.Menjëherë u bë transportimin e tyre me mjete të transportit civil dhe ushtrisë nga Drejtuesit e Prefekturës së Kukësit. Ata ishin kryesisht banorë të fshatrave të Prizrenit, Krushë e Madhe dhe Zym. Si fillim këto refugjatë u strehuan në pallatin e kulturës “Hasan Prishtina”. Për të vazhduar kështu me mijëra të tjerë që arritën në tokën e shpëtimit, për të cilët u sigurua vendbanimi, ushqimi e kujdesi shëndetësor.

    Por përpos Shqipërisë e Maqedonisë, mijëra shqiptarë të tjerë u nisën edhe drejt kufirit me Malin e Zi, e ndërsa qindra të tjera kishin lënë shtëpitë e tyre për të gjetur strehim maleve të Kosovës.

    Pikërisht në Kukës data 16 prill shënohet Dita e Eksodit, shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapen dyert për të pritur vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova.

    Në nder të kësaj çdo vit organizohet aktivitete të ndryshme e madje edhe ndër vite janë ngritur edhe simbolika të tjera si Obelisku e cila po ashtu simbolizon falënderimin ndaj popullit shqiptarë po ashtu në Qendrën Përkujtimore “Bllaca ‘99” në Han të Elezit qëndron monumenti “Muri i Kujtesës” si dhe parku “Hasan Prishtina” dhe Monumenti “Muri i Kujtesës” është një mozaik që simbolizon sakrificën e nënës shqiptare.

    Në Kukës përgjatë asaj kohe u strehuan, rreth një milion refugjatë kosovarë, kurse për nder të këtij kontributi në vitin 2000, Kukësi ishte vend kandidat për çmimin “Nobël për Paqe”. /atvlive.tv

  • Abazoviq: Marrëveshja ime me Kishën Ortodokse Serbe, model për Kosovën

    Abazoviq: Marrëveshja ime me Kishën Ortodokse Serbe, model për Kosovën

    Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka mohuar se marrëveshjen e arritur mes tij dhe Kishës Ortodokse Serbe e rrëzoi atë nga posti i kryeministrit.

    Abazoviq tha se absolutisht i qëndron papa marrëveshjes më Kishën Ortodokse Serbe.

    “Ka shkuar Gjukanoviqi e jo unë”, tha ai.

    “Nuk mund të lëvizini gjërat pa dashur të lëvizni nga zona e rehatisë”, tha Abazoviq në intervistën për RTK.

    Ai tha se ka ardhur në postin e kryeministrit për të marr vendime të vështira dhe se është krenar për aq sa ka bërë.

    “Edhe ju do ta keni më të lehtë të ecët përpara sepse të drejtën që e kërkoni për vete, duhet dhënë edhe të tjerëve”, tha ai. “Kështu e shoh politikën”.

    Abazoviq u shpreh se kjo marrëveshje e tij me Kishën Ortodokse Serbe, është model të cilin edhe Kosova mund ta zbatojë pa asnjë telashe.

    “Kur të relaksohet populli, vetëm përfitohet”.

    Abazoviq tha se me atë marrëveshje i është hequr problemi pasardhësit të tij në këtë post.

    “Nuk them në mënyrë të njëjtë, por si model mund ta ketë edhe Kosova atë marrëveshje me Kishën Ortodokse”.

    Sa i përket zgjedhjeve të ardhshme në Mal të Zi ai tha se nuk duhet tepruar me ambicie politike.

    “Ajo që ishte në platformën tonë është realizuar. Partia ime nuk ka marrë shumë vende në parlament, por tani mbi 90% të partive në Mal të Zi e kanë marrë agjendën e partisë së URA-s”.

    Abazoviq foli për projektet për ndërtimin e rrugëve Kosovë-Mal i Zi, si ajo Plavë-Deçan.

    Sa për turizëm, tha se Ulqini është i gatshëm të presë kosovarët dhe se tanimë shumë gjëra janë rregulluar, ndonëse e pranoi se tashmë qyteti bregdetar nuk është më destinacion i lirë pushimesh.

    Ai tha se ndërtimi i urës që do të lidhë Ulqinin me Velipojën në Shqipëri, do të ndihmojë e lehtësojë edhe më shumë qarkullimin.

  • Hajdari lavdërohet për investimet e huaja: Ndikoi sistemi i favorshëm tatimor

    Hajdari lavdërohet për investimet e huaja: Ndikoi sistemi i favorshëm tatimor

    Mbi 1800 biznese të huaja janë regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve nga viti 2021 deri në fund të vitit të kaluar. Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

    Hajdari ka thënë se investimet e huaja kanë investuar në sektorë të ndryshëm, me theks të veçantë në prodhimtari dhe në përpunim.

    Në një intervistë për EO, Hajdari ka thënë se bizneset e huaja janë të interesuar ta shfrytëzojnë potencialin gjeografik të Kosovës dhe sistemin e favorshëm tatimor.

    “Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), kemi të regjistruar nga viti 2021 deri në fund të vitit 2022, janë afër 1873 biznese të huaja, pra me origjinë të vendeve të huaja të regjistruara në Kosovë, në sektorë të ndryshëm, ku përfshihet edhe numri i 150 bizneseve konkretisht në sektorin industrial prodhim, dhe sektorë të tjerë që e përfshijnë fushat e veprimtarive të ndryshme”, ka thënë Hajdari.

    “Është e rëndësishme të përmendet rritja e investimeve në sektorë industrial të ndryshëm, në prodhimtari dhe në përpunim, ku Kosova kuptohet si një vend me potencial me afër bregut ku shumë biznese kanë probleme me tregti në vendet e largëta dhe tani për bizneset sidomos nga Evropa është e rëndësisë së lartë për ta shfrytëzuar potencialin gjeografik, potencialin e resurseve njëri, sistemin tatimor të favorshëm, ligjet që janë në harmoni me Bashkimin Evropian, por edhe infrastrukturën e Kosovës”, ka thënë tutje ajo.

    Investime tjera, Hajdari thotë se pret pas miratimit të Ligjit për Investime Strategjike, i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës.

    “Këtë rast unë pres edhe më shumë investime tash me Ligjin e ri për Investime, pra me politikën industriale, Ligjin për Parqe Industriale e ku do të ketë një trajtim më të barabartë, më thjeshtësim të procedurave dhe me lehtësira për të bërë biznes në Kosovë”, u shpreh ajo.

    Lehtësirë tjetër sipas Hajdarit, është edhe miratimi i Ligjit për Parqet Industriale, e cila sipas saj e trajton investitorin e huaj si të barabartë me atë të Kosovës.

    “Ne veçse kemi kontakte me bizneset nga Evropa që po na kontaktojnë, por që janë të sfiduar me marrjen e tokës, sepse duhet që procedurat të kryhen nga komunat. Pra tash Ligji për Parqet Industriale do ta lehtësojë investitorin që të ketë edhe negocimin direkt me Qeverinë kur është partner strategjik por do të ketë mundësinë tjetër që Ligji për Parqet Industriale që biznesi që vendoset në Kosovë të trajtohet barabartë qoftë partnerë i huaj apo vendor, dhe ta deklarojë si hipotekë fabrikën në të cilën e ndërton në zonën industriale, pra jo të mbetet si koleteral i pashfrytëzuar sa i përket marrjes së fondeve shtesë”, ka thënë ajo.

    Krahas sektorit në prodhimtari e në përpunim, Hajdari thotë se bizneset e huaja janë të interesuara të investojnë edhe në fushën e energjisë së ripërtrishme dhe të shërbimeve.

    “Kryesisht që vijnë në Ministrinë tonë, janë në fushën e energjisë së ripërtrishme, janë në fushën e prodhimit dhe përpunimit, por edhe në fushën e shërbimeve. Vlen të përmendet prodhimi i përpunimit të industrisë së metaleve, që është në interes të lartë nga bizneset evropiane që të vendosën në Kosovë”, u shpreh Hajdari, teksa përmendi edhe investimin potencial të Kompanisë “Munda”, e cila merret me zhvillimin dhe prodhimin e tapicerive dhe tekstileve për industrinë e automobileve. Tha se kjo e fundit është regjistruar tashmë edhe në ARBK.

    “Prodhimet mekanike, inxhinierike, pastaj janë prodhimet e automobilave që po vijnë në Kosovë. E kemi kompaninë e fundit të regjistruar në ARBK ‘Munda’, e cila do të fillojë me tekstilin e sistemit LED për automobilat që prodhohen në Japoni apo në Kinë”, thotë Hajdari.