ATV

Category: Lajme

  • Avokati kërkon të mbahet larg të burgosurve Urim Hyseni: Mundë të jetë i rezikshëm edhe për ta

    Avokati kërkon të mbahet larg të burgosurve Urim Hyseni: Mundë të jetë i rezikshëm edhe për ta

    Kërkesa e Prokurorisë u aprovua. Gjykata Themelore në Pejë vendosi që Urim Hyseni, i cili dyshohet për vrasjet e nënës së tij të mbahet në paraburgim për 30 ditë.

    “Të pandehurit iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, pasi që gjykata konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar, duke pas parasysh se i pandehuri është duke u hetuar për vepër të rëndë penale për të cilën Kodi Penal ka paraparë dënim me burgim jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dhe se i pandehuri posedon leje qëndrimi jashtë shtetit, rrethana këto të cilat gjykata ka vlerësuar se tregojnë rrezikun e lartë se me gjetjen e të njëjtit në liri apo nën çfarëdo mase tjetër alternative, do të arratiset apo në çfarëdo mënyre do t’i shmanget organeve të ndjekjes dhe në këtë mënyrë do të pamundësojë apo vështirësojë në masë të madhe zhvillimin e hetimeve”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Pejë.

    Në një bisedë telefonike me ATV-në, avokati i të pandehurit, Asdren Mekaj potencon se gjendja psikike e klientit të tij është tejet e rënduar.

    Ai ka kërkuar që Urim Hyseni të mbahet larg personave të tjerë.

    “Nga veprimi që klienti im e ka bërë, gjenda e tij mentale është shumë e rënduar. Ne po ashtu kemi kërkuar nga Gjykata që i njëjti të mbahet larg njerëzve pasi mundë të jetë i rezikshëm edhe për ta. Unë nuk e di ku është ai tani, apo a është me dikë apo vet”, tha Mekaj.

    Avokati Mekaj shprehet se duke u bazuar në gjendjen mendore të klientit të tij, vendin e ka në Institutin e Psikiatrisë Forenzike.

    “Ne kemi bërë kërkesë në prokurori, që i njëjti të dërgohet në psikiatri forenzike. Ndërkohë kam lexuar se atje ka mungesë të kapaciteteve por ky është rast më i veçantë dhe besoj se organet e drejtësisë do ia bëjnë zgjidhjen.”, tha Mekaj.

    Ndërkaq në aktvendimin e gjykatës thuhet se nëse ndaj të pandehurit ushtrohet ndonjë masë alternative, atëherë kjo mundë ta rrezikojë procesin e hetimeve.

    “Po ashtu, duke pas parasysh peshën e veprës penale, mënyrën tejet mizore të kryerjes së veprës penale nga ana e të pandehurit, pasojat e rënda të kësaj vepre si dhe faktin se në këtë çështje pritet që të dëgjohen dëshmitarët okular të cilët janë familjarë të pandehurit, gjykata vlerësoj se të gjitha këto janë rrethana të posaçme që tregojnë rrezikun e lartë se me gjetjen e të njëjtit në liri apo nën çfarëdo mase tjetër alternative, do të arratiset apo në çfarëdo mënyre do t’i shmanget organeve të ndjekjes, do të mund të përsërisë veprën e njëjtë apo të ngjashme penale apo do të mund të ndikoj në dëshmitarë dhe në këtë mënyrë do të pamundësojë apo vështirësojë në masë të madhe zhvillimin e hetimeve por edhe procedurës penale në përgjithësi”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Pejë.

    Ndërkaq, Urim Hyseni dyshohet se me datë 14 prill në rrugën “Mbreti Zog” në Pejë, vrau nën e tij duke ia prerë kokën. Gjatë intervistimit në prezencë të psikiatrit është konstatuar se gjendja mendore e tij është e rëndë. /atvlive.tv

  • Kosovës nuk po i lagohet “kriza” ekonomike

    Kosovës nuk po i lagohet “kriza” ekonomike

    Kosova vazhdon të përballet me krizë ekonomike. Krahas kësaj, qytetarët vazhdojnë të blejnë artikuj me çmime mjaftë të larta.

    E Qeveria nuk është se po bënë diçka në këtë aspekt, sipas ekspertëve të fushës.

    Importi shumëfish më i madh se sa eksporti, sipas tyre është tregues i qartë se nuk mund të ketë zhvillim.

    “Të gjitha ato mallra që blihen, që importohen e që ka mbërri në 5 miliard vitin e kaluar, krejt këto mjete dalin jashtë, kështu që ideja është ti shtoje prodhimin e mbaje në pronësi, ajo i ndihmon zhvillimit ekonomik, nuk i ndihmon importimi i mallrave. Por sido të jetë na duhet të punojmë shumë më shumë për me i orientu investimet brenda vendit”, tha kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

    Përveç kësaj, qeveria po kritikohet edhe për mungesë të investimeve kapitale.

    “Kjo Qeveri në aspekt të zhvillimit ekonomik, nuk ka treguar asnjë përkushtim dhe nuk ka marrë asnjë veprim për ta tejkaluar këto dhe me nxit zhvillimin ekonomik. Në anën tjetër i ka marrë disa veprime nga mjetet që i ka marrë nga qytetarët, duke i kthyer në forma të ndihmave dhe me këtë formë po mendojnë se e kanë larë ‘borxhin’ ndaj qytetarëve. Ato janë mjete të qytetarëve që u kanë marrë në formë të TVSh-së dhe taksave të ndryshme”, ish-ministër i Financave, Haki Shatri.

    Kjo më pas thuhet se ndikon edhe në investimet e huaja, gjë që thonë se kanë rënë dukshëm.

    “Mbetjet e rezervave të parave të pashfrytëzuara që janë rreth 760 milionë euro tregon se investimet kapitale kanë ngecur dhe kjo është tepër e dëmshme për zhvillimin ekonomik, për arsye se kur nuk ka investime kapitale, vjen pikërisht edhe rënia ekonomike dhe na është lidhur kjo, nga 2021 në 2022, ku kemi një rënie drastike nga 10. 7 për qind në 3, në mungesë të investimeve kapitale dhe në mungesë të investimeve të huaja”, tha kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini.

    Megjithatë, një investim në fushën e energjisë pritet të nis së shpejti.

    Kjo falë marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar, në vlerë prej 260 milionë euro, të orientuar kryesisht në investime në ndërtim të kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtrishme. /atvlive.tv

  • Krasniqi: Është dëshpëruese, vetëm një i dënuar për dhunim seksual

    Krasniqi: Është dëshpëruese, vetëm një i dënuar për dhunim seksual

    E mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi e konsideron dëshpëruese mosndëshkimin e kriminelëve serbë për dhunime seksuale gjatë luftës së fundit. Ajo deklaron se për krimet e kryera në Kosovë nga serbët, më shumë shqiptarët po ballafaqohen me burgim. 24 vjet pas përfundimit të luftës, ajo përmend faktin se është vetëm një i dënuar për dhunim seksual në Kosovë.

    “Është shumë dëshpëruese se ne vetëm një e kemi në burgim dhe prej 20 mijë viktimave vetëm një e kemi në burgim. Të shikosh sa shqiptarët janë dënuar nëpër burgje prej lufte, ta bësh krahasimin me serbët sa janë nëpër burgje është numër i tmerrshëm”, shton ajo. /atvlive.tv

  • Dëmtohet fusha e sportit në Bregun e Diellit

    Dëmtohet fusha e sportit në Bregun e Diellit

    Ditët e pushimit i kalojnë në këtë fushë sportive, në lagjen “Bregu i Diellit”, në kryeqytet. Por për dallim nga vikendet e tjera, lojën po e zhvillojnë vetëm në një pjesë të saj.

    Nga punimet që po zhvillohen aty për rregullimin e rrjetit të kanalizimit, rrethojat e fushës sportive u dëmtuan.

    Rreziku që fëmijët të lëndohen, sipas prindërve, është i madh.

    Për këtë arsye ata detyrohen të dalin me ta ose t’i mbajnë në banesë.

    “Është dëmtua edhe fusha edhe lojërat e fëmijëve, tash po duhet ose me dal e me I ruajt fëmijët ose me I lanë brena, nuk kemi informata pse është tu ndodh kjo kështu”, tha Ilaz Grajqevci, banor.

    E hallin e njëjtë e ka edhe Edi Mulaj. Ai thotë se për shkak të dëmtimit të fushës ata detyrohen të shkojnë e të luajnë diku tjetër

    “Fusha për mu është bërë e pa shfrytëzueshme, unë me djalë dal e luaj diku tjetër këtu rrethojat janë dëmtua në afërsi s’mundesh me luajt se mundet me u rrezua e me pas fatalitet se aty ka hekura”, tha Edi Mulaj, banor.

    ATV, ka provuar gjatë ditës të kontaktoj me dikë nga kompania e cila është duke i kryer punime aty, por kjo ka qenë e pa mundur.

    Meqenëse se këta të fundit nuk u përgjigjen ATV, përmes telefonit ka biseduar me zyrtar të komunës së Prishtinës. Ata thanë se deri më tani nuk është marr asnjë vendim për rregullimin e saj, mirëpo vendimi për të do të bëhet gjatë javës së ardhshme. /atvlive.tv

  • Mitrovicës ende nuk ju kanë kompensuar dëmet nga vërshimet

    Mitrovicës ende nuk ju kanë kompensuar dëmet nga vërshimet

    Rreth 200 familje të Mitrovicës Jugore të cilat janë prekur nga vërshimet e janarit ende nuk janë kompensuar për dëmet shkaktuara.

    Vlera e dëmit llogaritet të jetw rreth 9 milionë euro, ndërsa në veri mbi gjysmë milion.

    Nënkryetari i komunës së Mitrovicës Jugore, Arianit Tahiri tha se çështja është ende në proces në Ministrinë e Financave.

    “Vlera prej 500 mijë eurosh që është ndarë me propozim të kryetarit të Komunës dhe me votim unanim të Asamblesë të Kuvendit Komunal të Mitrovicës është procesuar në Ministrinë e Financave për alokim dhe në bazë të informacioneve të cilat aktualisht i kemi, janë çështje procedurale të cilat duhet të kalojnë nga zyra e ministrit të Financave… dhe presim përfundimisht që në këtë muaj të bëhet ekzekutimi i këtyre mjeteve tek familjet në nevojë”, tha nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri.

    Sipas Kryesuesit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, Nexhat Uglani arsyeja e vonesës së kompensimit për familjet e prekura nga vërshimet është mosfunksionimi i punës në Komunë.

    “Ende nuk e dimë sepse është mungesa e funksionalitetit këtu në pjesën veriore, kurse Komunat e tjera janë funksionale. Por, ne do të kërkojmë sa më shpejtë sepse njerëzit janë lodhur dhe janë kthyer në kushte jo adekuate, ndërsa ka familje që akoma nuk janë kthyer nëpër shtëpitë e veta… sepse nuk janë krijuar kushtet për një jetë normale”, tha Uglani.

    Sipas tij, qeveria duhet të merr hapa më të shpejtë lidhur me këtë situatë, pasi që ka ende familje që nuk janë rikthyer në shtëpitë e tyre, e ka edhe raste të familjeve që po jetojnë ende në kushte jo adekuate.

    Nga vërshime e janarit dëme kanë pësuar edhe shumë komuna të tjera në vend si Skenderaj, Istogu, Podujeva e Klina. /atvlive.tv

  • Lajcak i brengosur me zhvillimet në Veri, u bën thirrje Kosovës e Serbisë të fokusohen në normalizim

    Lajcak i brengosur me zhvillimet në Veri, u bën thirrje Kosovës e Serbisë të fokusohen në normalizim

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se disa zhvilime në Veri të Kosovës janë shqetësuese.

    Përmes një postimi në Facebook, të dielën, Lajçak ka thënë se BE-ja pret nga Kosova dhe Serbia që të fokusohen në normalizim të marrëdhënieve.

    ‘”Kjo javë në Bruksel ishte relativisht e qetë për mua, gjë që më dha mundësinë të punoj në dokumente të rëndësishme për zbatimin e marrëveshjeve të Dialogut dhe të thellohem më thellë në zhvillimet dhe gjendjet aktuale në rajon. Fatkeqësisht, disa nga këto zhvillime janë shqetësuese dhe presim që palët të jenë plotësisht të fokusuara në normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar Lajçak.

    Në lidhje me këtë, Lajçak ka treguar për takimet e tij dhe një sërë bisedësh të cilat i kishte për të informuar faktorë ndërkombëtarë për dialogun Kosovë-Serbi.

    ”U takova gjithashtu me deputetin e Parlamentit Evropian, Matjaž Nemec, për të diskutuar perspektivat tona për ecurinë e Dialogut dhe çështjet e Ballkanit Perëndimor më gjerë në Parlamentin e BE-së. Është gjithmonë e dobishme të shkëmbeni pikëpamje për të qëndruar të përditësuar mbi zhvillimet më të fundit. Mezi pres t’i drejtohem Komitetit Drejtues Ëilly Brandt të Grupit S&D së shpejti”.

    “Kam pasur edhe biseda telefonike produktive me partnerët tanë në terren, duke kuptuar më mirë gjendjen shpirtërore dhe zhvillimet në veri të Kosovës. Diskutova çështjet e sigurisë me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ristuccia, duke përfshirë incidentet e fundit në postblloqe. Siguria ishte gjithashtu në fokus të takimit tim me shefin e EULEX-it, ambasadorin Ëigemark. Diskutuam zhvillimet e fundit në Dialog dhe situatën rreth targave, si dhe shkëmbyen shënime për zgjedhjet e ardhshme dhe zhvillimet e tjera në veri të Kosovës. Gjithashtu pata mundësinë të informoj Përfaqësuesen Speciale të Sekretarit të Përgjithshëm për Kosovën dhe Shefen e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Caroline Ziadeh, për progresin në Dialog përpara konferencës së saj të rregullt në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, ka shkruar Lajçak.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në Ohër më 18 mars, ndonëse nuk është nënshkruar.

    Por Beogradi zyrtar ka kontestuar disa pika të marrëveshjes, përfshirë edhe mos pengimin e Kosovës që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

  • Tentativa për grusht shteti në Sudan, mbi 50 viktima dhe 595 të plagosur

    Tentativa për grusht shteti në Sudan, mbi 50 viktima dhe 595 të plagosur

    Një luftë për pushtet midis ushtrisë sudane dhe një force famëkeqe paraushtarake ka tronditur vendin, me më shumë se 50 civilë të raportuar të vdekur.

    Banorët iu shmangën të shtënave në kryeqytet, Khartoum, ndërsa forcat rivale luftuan mbi pallatin presidencial, televizionin shtetëror dhe selinë e ushtrisë, raporton BBC.

    25 persona, përfshirë 17 civilë, kanë vdekur në qytet dhe 595 njerëz kanë mbetur të plagosur. Përplasjet shpërthyen pas tensioneve mbi një kalim të propozuar në sundimin civil.

    Si ushtria ashtu edhe kundërshtarët e saj, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), pretenduan se kishin kontrollin e aeroportit dhe vendeve të tjera kyçe në Khartoum, ku luftimet vazhduan gjatë natës.

    Artileri e rëndë u dëgjua në Omdurman, që ngjitet me Khartoum-in, dhe aty pranë Bahri në orët e para të mëngjesit të së dielës. Dëshmitarët okularë raportuan gjithashtu të shtëna me armë zjarri në qytetin Port Sudan të Detit të Kuq.

    Ushtria tha se avionët po goditnin bazat e RSF-së dhe forcat ajrore të vendit u thanë njerëzve të qëndronin në shtëpitë e tyre të shtunën mbrëma, ndërsa kryente një studim të plotë ajror të aktivitetit paraushtarak.

  • ​Opozita skeptike për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    ​Opozita skeptike për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Partitë opozitare në Kosovë janë skeptike për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës (KiE) gjatë këtij viti. Tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK kritikojnë ekzekutivin për mungesë të strategjisë dhe lobimit, kur muajin e ardhshëm bëhen 1 vit prej që Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në KiE. Në anën tjetër, nga Këshilli i Evropës nuk kanë kthyer përgjigje nëse aplikimi i Kosovës do të shqyrtohet në mbledhjen e Komitetit të Ministrave në muajin maj të këtij viti.

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, thotë për KosovaPress se hezitimi për shqyrtim të aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në KiE po qëndron edhe tek vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, krahas vendeve mosnjohëse.

    Deputetja opozitare, e cila është edhe anëtare e delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, thekson se ka vende me fuqi të madhe që nuk po e përkrahin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

    Kritik karshi qeverisë për qasjen pas aplikimit në Këshill të Evropës është edhe anëtari i kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri, i cili thotë se MPJD-ja nuk është treguar aktive për të lobuar për anëtarësim në KiE.

    Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë se Qeveria është dashur të jetë më këmbëngulëse për t’i siguruar votat për anëtarësim në KiE.

    Megjithatë, ajo shton se tani është momentumi i duhur për anëtarësim në Këshill të Evropës.

    Mirëpo, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është optimiste se Kosova do të anëtarësohet në Këshill të Evropës brenda disa muajsh.

    Ajo javën e kaluar para deputetëve deklaroi se votat janë siguruar dhe tani nuk duhet të kalojë shumë kohë për shqyrtim të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në KiE.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës më 12 maj të vitit 2022. Aplikacionin fillimisht e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pastaj, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

  • Kurti: Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet plotësisht dhe menjëherë

    Kurti: Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet plotësisht dhe menjëherë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur sot se marrëveshja e arritur në Ohër duhet të zbatohet plotësisht dhe menjëherë.

    Ai ka shkruar se në dy vjetët e fundit, Kosova ka kaluar duke negociuar një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me Serbinë.

    “Më 18 mars në Ohër/Ohrid, HR/VP i BE-së Josep BorrellF njoftoi zyrtarisht marrëveshjen. Ajo që është rënë dakord tani duhet të zbatohet – plotësisht dhe menjëherë. Asnjë zbatim i pjesshëm; pa vonesa.”, ka shkruar Kurti në Twitter.

    Ndryshe, më 18 mars 2023, Kosova dhe Serbia janë takuar në Ohër, ku janë pajtuar për zbatimin e ankesit të marrëveshjes sipas planit evropian. Por, kjo marrëveshje përveç dakordimit nuk është nënshkruar pas refuzimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

  • Java e ardhshme me shi – Parashikimi i motit me Erza Hotin

    Java e ardhshme me shi – Parashikimi i motit me Erza Hotin

    Dita e sotme do të jetë kryesisht me reshjet të shiut, temperatura minimale do të jetë në Pejë me 8 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prizren me 21 gradë Celsius.

    Në ditën e nesërme në vendin tonë do te jetë kryesisht me reshje të shiut, temperatura minimale do të jetë në Mitrovicë me 0 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prizren me 20 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit me Erza Hotin në ALARM të ATV-së, mund ta gjeni në videon e më poshtme: