Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, gjatë një intervistë në emisionin DIREKT në ATV, tha se, edhe pse është përfolur se me liberalizimin e vizave do të mund të ketë një zbrazje të Kosovës, ai beson që një gjë e tillë nuk do të ndodh.
“Është përfolur mjaft shumë për një mundësi të tillë. Unë nuk e besoj shumë këtë gjë. Më tepër do e besoja që ajo kategori e qytetarëve të vendit që nuk kanë pasur rastin të udhëtojnë drejtë shteteve evropiane mund ta bëjnë një gjë të tillë. Mund të bëjnë vizita të ndryshme”, thotë Pula.
Rreth 150 fëmijë të shtrirë në Klinikat e Qendrës Klinike Universitare morën dhurata. Donatorë të shumtë dhe organizata joqeveritare “Replay Peace” u bënë bashkë për t’iu sjellë gëzim fëmijëve në prag të festës së Fitër Bajramit.
“Ma mirë nuk e di qysh, vetëm Allahu i shpërbleftë të gjithë. Edhe dje u kanë sjellë fëmijëve dhurata. Është gëzuar sa u dok që sëmundja iu largu”, tha Fazli Vojvoda, prind.
“Shumë mirë, Allahu i shpërbleftë. Një dhuratë nuk paguhet, por vetëm se është ardhë, zemra i ka kushtuar që ia ka sjellë dhuratën djalit”, tha Avni Hoti, prind.
Iniciativë si kjo, nga organizatorët kërkohet të bëhen më shpesh.
“Jashtëzakonisht ishin të lumtur edhe fëmijët edhe familjet e tyre, sepse ne e kemi këtë praktikë të kamotshme. Ka gati 15 vite të cilën e praktikojmë. Fëmijët të cilët nuk kanë mundësi t’i presin festat në shtëpi të tyre, atëherë ne iu dhurojmë dhurata dhe e ndajmë gëzimin bashkë me ta”, tha Burim Krasniqi, organizator.
Përveç Qendrës Klinike Universitare, organizatat shpërndanë dhurata edhe në “Sos Fshatra” dhe në Qendër të Autizmit. /atvlive.tv
Çështja e tatimit në pronë çoi në përplasje verbale, ministrin e Financave, Hekuran Murati, me disa deputetë opozitarë. Shkak për këtë ishte vendimi për faljen e tatimit në pronë, në vlerë deri 100 euro.
Por, ministri Murati ua kujtoi deputetëve nga opozita se kjo do të rregullohet me ligjin për tatimin në pronë.
“Ideja ka qenë për zbritjen e 100 eurove të para, që të lehtësohet barra e qytetarëve. Për vitin 2024 janë paraparë disa ndryshime, pasi shuma e zbritur nga vlera e tatimit në ligjin aktual është 15 mijë euro, derisa në ndryshimin e ligjit të ri do të jetë 30 mijë euro. Për vitin 2025 këto zbritje vlejnë dhe shkalla tatimore kthehet në progresive, bazuar në vlerën e pronës që ka një pronar”, tha Murati.
Ish-kryeministri tash deputet, Avdullah Hoti, kërkoi sqarime se si do të bëhet kompensimi për rënie të të hyrave të komunave pas këtyre vendimeve, sqarime këto që më pas i dha ministri.
Megjithatë, për opozitën është i papranueshëm vendimi, pa e marrë edhe pëlqimin e tyre. /atvlive.tv
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin CONTEXT në ATV, duke folur për procesin e zgjatur të liberalizimit të vizave, tha se BE-ja nuk i ka mbajtur premtimet e veta ndaj Kosovës dhe si një evropiane që ka punuar në këtë drejtim, ndjehet paksa e turpëruar për këtë gjë.
“Si një evropiane që punon në këtë fushë, ndjehem pak e turpëruar. Nuk besoj se ne i kemi mbajtur premtimet tona. Ky është një proces i bazuar në merita dhe pas plotësimit të kritereve, zotimi ynë ka qenë që të japim edhe liberalizimin e vizave. Kështu që mendoj se është një përpjekje e përbashkët, por nuk ka asnjë person për të akuzuar, sepse ka pasur shumë rezistenca për arsye të brendshme në Këshillin Evropian dhe kanë qenë disa shtete që kanë bërë jetën tuaj më të vështirë”, tha Von Cramon.
Ajo tha se për këtë që është arritur sot, është përpjekje e përbashkët nga ana e Kosovës dhe disa vendeve anëtare të BE-së, prandaj sipas saj, nuk ka ndonjë person ose qeveri të caktuar që mund të marrë merita për finalizimin e liberalizimit të vizave për Kosovën. /atvlive.tv
Dy nxënës të klasës së nëntë, të shkollës fillore “Faik Konica” në kryeqytet, mbetën të lënduar rëndë, pas kontaktit me rrymën. Trafoja ndodhej ngjitur me fushën e futbollit, në oborrin e shkollës, ku po luanin nxënësit.
Ngjarja ndodhi në mesditë, derisa fëmijët u dërguan me urgjencë në QKUK.
“Gjendja e tyre momentale është stabile dhe nga parametrat momentale janë me vetëdije. Mirëpo, lëndimet janë plagë djegëse serioze, të një shkalle më të rëndë”, tha mjeku kujdestar, Ejup Govori.
Si pasojë e lëndimeve të marra nga tensioni i lartë i rrymës, njërit nga nxënësit iu nënshtrua edhe operacionit.
“Njëri i është nënshtruar operacionit kirurgjik plastik dhe pas operacionit do të transferohet në mjekim intensiv qendror. Kurse tjetri ka djegie më të ulët, d.m.th një sipërfaqe më të vogël. Ai pranohet në kirurgji plastike për trajtim të mëtutjeshëm”, tha Govori.
Duke iu referuar fjalëve të nipit, gjyshi i njërit nga të lënduarit tregon se si ndodhi rasti.
“Ermali tregon se ka tentuar ta nxjerrë shokun nga trafoja dhe është lënduar, ka dorën e lënduar dhe është jashtë rrezikut. “Kam tentuar ta nxjerr shokun, e kam dëgjuar krismën, ia kam dëgjuar britmën”, tha Hilmi Duraku, gjyshi i njërit nga nxënësit e lënduar.
ATV-ja tentoi të flasë edhe me drejtoreshën e shkollës “Faik Konica”, e cila ndodhej në emergjencë me dy nxënësit. Mirëpo, ajo nuk pranoi të flasë e arsyen se pse, ia tregoi gjyshit të njërit prej të lënduarve.
“Drejtoresha tha që është e ngarkuar dhe nuk ka kohë”, dëgjohet duke thënë gjyshi i njërit nga të lënduarit.
Sipas Policisë, rasti është duke u trajtuar.
“Rreth orës 10:30 kemi pranuar informatën se në rrugën “George Bush” në Prishtinë, dy persona (të mitur) janë goditur nga rryma elektrike. Personat janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë Policia në koordinim me institucionet përkatëse po trajton rastin”, thuhet në përgjigjen e drejtorisë rajonale të Prishtinës.
Ndërsa, KEDS-i pa treguar shkaqet që çuan deri te lëndimi i dy të miturve, deklaroi se ekipet e tyre tashmë e kanë mbyllur derën e trafos, në mënyrë që të ofrohet siguri për nxënësit tjerë. /atvlive.tv
Hedhjen e këtij gazi lotsjellës për ta penguar votimin e Demarkacionit me Malin e Zi, në vitin 2016, opozita e tanishme e konsideron arsye kryesore për zvarritjen e liberalizimit të vizave.
Fajin për këtë, partitë opozitare po ia lënë Lëvizjes Vetëvendosje.
“Kosova ka humbur një momentum historik në vitin 2015-2016, kur partia sot në pushtet, nuk e ka votuar çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, ku ka pasur protesta të dhunshme, ka pasur hedhje të gazit lotsjellës. Dhe partia në pushtet e ka penguar, sepse Kosova ka qenë në pako me Gjeorgjinë dhe Ukrainën”, tha në një intervistë për ATV-në, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.
Por, duke i hedhur poshtë këto akuza, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje thonë se arsyeja kryesore përse kosovarët mbetën pa viza gjatë këtyre viteve, është korrupsioni.
“Këtu nuk ka të bëjë me faktin që është penguar prej një subjekti politik për veprime të caktuara, të cilat janë bërë për të ndalur një të keqe shumë të madhe, por ka të bëjë, le të themi, me joseriozitetin që e kanë treguar vazhdimisht qeverisjet e kaluara, që kanë hapur shampanja, kanë dhënë tokë në emër të liberalizimit të vizave. Korrupsioni ka qenë njëra prej arsyeve që e ka penguar procesin e liberalizmit të vizave, në veçanti ka pasur skepticizëm tek shtetet anëtare të cilat i kanë pasur dyshime e veta”, tha deputetja e LV-së, Arbëresha Kryeziu.
Vendimi i sotëm i Parlamentit Evropian është hapi i parafundit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kështu nga 1 janari kosovarët do të kenë të drejtë të njëjtë të lëvizjes së lirë, sikur popuj e tjerë evropianë. /atvlive.tv
Katër vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova nisi një proces tjetër të rëndësishëm.
Në janar të 2012-tës, Komisioni Evropian nisi edhe zyrtarisht dialogun me Kosovën për procesin e liberalizimit të vizave. Kjo u konfirmua nga komisionerja për Çështje të Brendshme, Sesilia Malmstrom, pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, në Prishtinë.
“Ajo që sot po bëjmë, është të jemi këtu dhe të konfirmojmë se kushtet për nisjen e dialogut janë përmbushur”, pati thënë Malmström.
Nga Hashim Thaçi, kryeministër në atë kohë, kjo ditë ishte quajtur si ditë e bekuar për Kosovën.
Megjithatë, ky vendim ishte politik, kurse kushtet e tjera u tha se ndërlidhen edhe me çështje teknike dhe ato legjislative.
Gjatë këtyre viteve, politikanët festuan shumë herë. Madje, me bindje qytetarët edhe u uruan për liberalizim.
Kështu ndodhi edhe kur më 4 maj 2016, Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave.
“Urime juve si qytetare se na si zyrtar dhe ministra këna pas viza gjithë… ky është një moment historik… nesër nuk mund të lëvizim por Brenda pak jave do të lëvizim lirshëm”, kishte thënë ish- ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Qollaku.
Ish-ministri i integrimeve evropiane nuk ishte i vetmi që liberalizimin e mori si punë të kryer.
“ Ky është një konfirmim i madh për qytetaret optimist të Kosovës…”, ishte shprehur ish-kryeministri Isa Mustafa.
“ Lajmin për liberalizim mund ta marrim është çështje javësh, çështje nuk besoj që ka me shku në pakufi”, pat thënë ish-kryeministri Ramush Haradinaj.
“ Jemi optimist që qytetaret e republikës do të lëvizin lirshëm brenda vitit 2018”, kishte thënë ish-ministrja, Dhurata Hoxha.
Por, nga njohës të fushës, rasti i vetëm kur Kosova ishte afër liberalizimit përmendet viti 2016.
“Mundësia më e mirë dhe e vetme për liberalizim të vizave ka qenë në vitin 2016, kur u propozua fillimisht liberalizimi i vizave për Kosovën nën dy kushte e para që të ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi edhe të bëhet progres në luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar”, kishte thënë Demush Shasha nga Instituti “EPIK”.
Derisa, liberalizimi nuk po jetësohej, qytetarë prisnin para ambasadave e disa të tjerë, zgjidhnin rrugët ilegale.
Në vitin 2018, kur Komisioni Evropian rekomandoi lëvizjen e lirë, numri i emigrantëve kosovarë për një vit kishte shkuar mbi 28 mijë, e gati 35 mijë kosovarë e kishin braktisur vendin në 2019-n.
Premtimet ndërkombëtare për vizat u kthyen edhe një herë, duke u theksuar se liberalizimi tashmë ishte proces i vonuar.
Kështu, në nëntor të vitit të kaluar, ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës. /atvlive.tv
Saktësisht 31 ditë pas dakordimit në Ohër, Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia themeluan Komitetin e Përbashkët Mbikëqyrës për zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit të saj.
Komiteti u themelua pas takimeve të ndara dhe në distancë, që përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajcak, zhvilloi të martën me kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkovic.
“BE-ja, si lehtësues i Dialogut Beograd-Prishtinë, bashkë me Kosovën dhe Serbinë, si palë në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, sot kanë themeluar Komitetin e Përbashkët Monitorues për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe aneksit të zbatimit”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Ambasadori në Bruksel, Agron Bajrami, do të përfaqësojë Kosovën, ndërsa Petar Pektovic Serbinë, në këtë Komitet që do të udhëhiqet nga Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Miroslav Lajcak.
Dakordim është arritur edhe për datën e takimit të radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic.
“Komiteti do të takohet rregullisht në Bruksel. Termat e referencës pritet të finalizohen dhe të miratohen në takimin e parë të Komitetit, që do të ndodhë pas takimit të radhës të nivelit të lartë në Dialog, që është caktuar për të martën, më 2 Maj, në Bruksel”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Megjithatë, as Bashkimi Evropian e as ekipi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi nuk treguan nëse palët janë dakorduar për draft-dokumentin e sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes, që pritet të prezantohet në takimin e liderëve shtetërorë. /atvlive.tv
Parlamenti evropian të martën miratoi përfundimisht heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Por, edhe për më shumë se 8 muaj, kosovarët nuk do të mundë të udhëtojnë vetëm me pasaportë.
Procedurat e mëtejme, siç janë ceremonia e nënshkrimit, e publikimi në gazetën zyrtare, e tek në fund edhe aplikimi i sistemit Etias, do t’i shtyjnë udhëtimet pa viza të qytetarëve deri në janar të vitit të ardhshëm.
Megjithatë, kjo po vlerësohet si ditë e madhe për Kosovën.
“Të dashur qytetarë, njerëz të dashur të Kosovës, urime! Më në fund kemi votën për liberalizim të #vizave për Kosovën. Ju është dashur të prisni shumë gjatë dhe kjo ishte e padrejtë dhe e paarsyeshme. Jam shumë e lumtur për ju, e ky vendim do t’ju bëjë juve edhe më të lumtur. Urime, ka përfunduar edhe kjo punë!”, thotë në urimin e saj raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cremon.
Edhe deputeti holandez Thjis Reuten, uroi për procesin, siç e quajti ai të vonuar.
“Krenar që më në fund e realizuam këtë premtim të vonuar të BE-së, për qytetarët e Kosovës. Ju jeni pjesë e Evropës! Tani mund ta hapim kapitullin tjetër, duke ndërtuar më tej të ardhmen tonë të përbashkët evropiane”, tha Reuten.
Shampanjë nuk hapën, por liderët shtetërorë, megjithatë uruan qytetarët.
“Vendimi i sotëm final për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është fitore, jo vetëm për vendin tonë, por për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë. Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar gjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Kjo na sjell një hap të rëndësishëm më pranë Bashkimit Evropian dhe duke kontribuar në pasurinë që ofron BE-ja. Faleminderit eurodeputetëve për mbështetjen e tyre!”, tha kryeministri Kurti.
Vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës vjen pas 12 vjet pritjeje, nga hapi i parë për nisjen e negociatave për liberalizim. /atvlive.tv
Përpjekjet për të siguruar vizë pune, Mërgim Sejdija i kishte nisur qysh në vitin 2017. Aq kohë e gjatë kishte kaluar nga caktimi i terminit në Ambasadën gjermane, saqë i riu nga Skenderaj kishte hequr dorë nga dëshira për të punuar në vendet evropiane.
“Mundem me thanë që kam pritë ma shumë se dy vjet për termin, sa që kam harru krejt që kam bë termin”, tregon Sejdiu.
Madje, ai kishte menduar se dikush po tallej me të.
“Në atë kohë kur kam jetuar në Prishtinë, kemi biseduar me shumë njerëz që donin me e leshu Kosovën, dhe kur më ka thirrë agjencia, unë kam mendu që dikush po bon hajgare me mu, se pata harru krejt që kam bë termin”, tha Sejdiu.
Por, Mërgimi nuk është i vetmi.
Gjatë vitit 2022, mbi 100 mijë qytetarë kishin aplikuar për një termin për vizë pune në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë.
Derisa, Parlamenti Evropian miratoi të martën vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, ky liberalizim nuk përfshin leje pune, apo mundësi për të jetuar në njërin prej shteteve, pjesë të zonës Shengen.
Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike ose çështje familjare deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh. /atvlive.tv