ATV

Category: Lajme

  • ​Një muaj nga marrëveshja e Ohrit, ende sfidë zbatimi i saj

    ​Një muaj nga marrëveshja e Ohrit, ende sfidë zbatimi i saj

    Ish-zëvendësambasadori i Kosovës në Gjemani, Blerim Canaj, thotë se zvarritja e zbatimit të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi pritet të zgjasë edhe më tutje, derisa Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja të jenë më të vendosura për shtyrjen përpara të saj.

    Megjithëse dje u arrit dakordimi për krijimin e Komitetit të përbashkët monitorues, i cili do të monitorojë dhe mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi, diplomati Canaj, thotë për KosovaPress se ndonjë destabilizim i mundshëm në veri për shkak të zgjedhjeve të 23 prillit do të çrregullonte dinamikën e dialogut.

    “Serbia në njërën anë e ka çështjen e Asociacionit si prioritet të të gjitha prioriteteve. Po e shohim se dy palët po e akuzojnë njëra-tjetrën për mos zbatim dhe shpeshherë edhe për shkelje të marrëveshjes. Kjo do të zgjasë edhe më tutje derisa të fillojë njëra palë apo tjetra të zbatojë marrëveshjen. Kësisoj do të ballafaqohemi me një lojë të pingpongut edhe më tutje. Tash varet sa do të jetë e vendosur edhe bashkësia ndërkombëtare që të shtyjë zbatimin e marrëveshjes”, thotë ai.

    Vonesat në zbatimin e marrëveshjes, Canaj i ndërlidh me mosbesimin e palëve ndaj njëra-tjetrës.

    “Ka një shkallë të mosbesimit prej të dyja palëve. Edhe Kurti ka të drejtë kur kërkon një lloj garancie, pasi tek e fundit është diçka nga e cila ne si Kosovë duket që pak kemi përfituar edhe pse prej fillimit kemi thënë se do të ketë vështirësi në implementim të kësaj”, shton Canaj.

    Krahas kësaj, diplomati Canaj, sugjeron kryeministrin Kurti që të përgatisë draft-statutin për formimin e Asociacionit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

    Sipas tij, zbatimi i marrëveshjes do të shtyjë përpara edhe procese të tjera për konsolidimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    “Është dashur të bëjë shumë më herët, të përgatisë ndonjë draft-statut se si pala kosovare e sheh asociacionin, gjithmonë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ne e kemi marrë si obligim atë dhe jo prej tash. Ajo çka ka ndodhur tek Kurti është se nuk ka mbajtur një premtim që ka thënë se ‘s’ka asociacion’, dhe tash po e shohim se ka një asociacion. Por, përndryshe një status për asociacionin e kemi obligim, pasi është një marrëveshje të cilës duhet t’i qëndrojmë përpara. Por edhe për hir të ecjes përpara të proceseve të tjera, pasi zbatimi i marrëveshjes me siguri do të shtyjë disa procese përpara, sidomos kur është fjala për fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës. Duhet të shkojmë me një projekt ide apo draft se si do të duket statusi, por duhet të jemi të kujdesshëm në detaje”, thekson ai.

    Në anën tjetër, Canaj shpreh brengën se zgjedhjet në veri më 23 prill mund të prodhojnë një destabilizim të situatës atje, e cila mund të ndryshojë dinamikën e dialogut.

    “Nëse e shohim prej anës ligjore, mendoj se duhet të mbahen zgjedhjet. Por duhet të jemi të kujdesshëm që mos të bëjmë politika populiste në emër të asaj sikur që ka ndodhur me çështjen e targave… Destabilizimi do të hapte tema të tjera. Me vet faktin në rast të ndonjë destabilizimi po mendoj se do të hapet tema s’i ta stabilizojmë prapë është ndikim në rrjedhën e marrëveshjes. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe çdo veprim duhet të bëjmë me partnerët tanë strategjikë”, përfundon ai.

    Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, do të takohen me 2 maj në Bruksel për të diskutuar për zbatimin e marrëveshjes bazë, derisa pritet të nënshkruhet edhe dakordimi për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Kosova dhe Serbia janë dakorduar më 27 shkurt në Bruksel për marrëveshjen bazë mes tyre, e cila ka ardhur si derivat i planit franko-gjerman për dialogun. Pastaj më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, palët janë pajtuar sërish për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshje. Mirëpo, një muaj pas arritjes së marrëveshjes ende nuk ka filluar diçka në terren për implementimin e saj./KP

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër në Kosovë me Diellza Dakën

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër në Kosovë me Diellza Dakën

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë kryesisht me vranësira ku pritet të ketë dhe reshje të shiut. Temperaturën minimale do e mbaje Peja me 5 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Ferizaj me 15 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në Kosovë do të jetë me vranësira të lehta dhe intervale me diell. Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 4 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Ferizaj me 17 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit me Diellza Dakën në ALARM të ATV-së, mund ta gjeni në videon e më poshtme:

  • Ashpërsimi i “Luftës së monedhave”, dollari, euro, yan-i, përballë një ndeshje të madhe

    Ashpërsimi i “Luftës së monedhave”, dollari, euro, yan-i, përballë një ndeshje të madhe

    Nga Adrian Civici

    Krizat ekonomiko-financiare globale të dy dekadave të fundit evidentuan dhe problematikën e disa zhvillimeve të rëndësishme monetare. Megjithëse dollari amerikan vazhdon të mbetet monedha kryesore e rezervave valutore nga ana e bankave qëndrore, ai po konkurohet nga monedha e përbashkët europiane, euro, nga yean-i, monedha kineze dhe së fundmi, edhe nga kërcënimet në rritje të vendeve BRIKS për krijimin e një monedhe të re të përbashkët të tyre.. Për “luftë monedhash”, “luftë monetare” apo “luftë valutash” flitet në rastet kur politika të tilla zgjerohen dhe përfshijnë disa monedha të rëndësishme e vende të zhvilluara. Në këto kushte, situate e ekonomisë botërore dhe tregtia ndërkombëtare cënohen rëndë.

    Precedentët e parë të luftës së monedhave datojnë në vitet 1930, në periudhën në vazhdim të Depresionit të Madh të shpërthyer në vitin 1929 në SHBA. Përhapja në nivel global e krizes dhe infektimi i ekonomisë reale të shumë vendeve të tjera në Europë e më gjerë, bëri që qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, fuqisë ekonomike më të madhe të kohës, në vitin 1931 të bllokonte konvertibilitetin në ar të Livre Sterling britanike dhe ta cvleftësonte me 40% atë. Shembulli i Anglisë u ndoq nga të paktën 20 vende të tjera.

    Vendet që preferuan të ruajnë konvertibilitetin në ar të monedhave të tyre u gjendën menjëherë në një situatë të rrezikshme deflacioniste. Në këtë situatë, dhe këto vende aplikuan cvleftësimin kompetitiv të monedhave të tyre në mënyrë që të mbronin ekonomitë e tyre. Periudha mbas krizës globale të vitit 2008, krizës së Covid-19 dhe së fundmi, luftës në Ukrainë, e ka shtuar frikën e një lufte të re të ashpër të monedhave, e cila mund të turbullojë seriozisht sistemin ekonomik e tregëtar ndërkombëtar, ndoshta dhe më shumë se në vitet 1930. “Lufta e monedhave”, e cilësuar si “zhverësimi konkurues i monedhave”, është një konflikt ndërkombëtar, më shumë se njëshekullor.

    Por çfarë është “lufta e monedhave”, cilat janë rreziqet ekonomiko-financiare e sociale, si mund të përdoret ky instrument i politikës monetare, për të krijuar supremaci ekonomike, apo aftësi të larta konkurruese; është “armë’ që e përdorin Fuqitë e Mëdha, apo pasojat e saj mund ti ndjejnë, bile rrezikshëm, edhe vendet e vogla dhe ato në zhvillim? Në një citim të famshëm, M.A.Rothschild thoshte se: “më jepni kontrollin e monedhës së një vendi dhe unë nuk shqetësohem më për ligjet dhe rregullat me të cilat qeveriset ai vend”.

    “Përplasjet e monedhave” kanë qenë historikisht si pjesë e luftës ekonomike duke u bërë bashkëshoqëruese e krizave të mëdha të kapitalizmit, (krizat e fundit të shek.XIX-të, Depresioni i Madh 1929-33, kriza e viteve 1970-të, kriza financiare 2007-2014), duke provokuar lëvizje në hierarkinë e Fuqive të Mëdha.

    Monedhat luajnë një rol të dorës së parë në këtë situatë sepse janë elementi kryesor në marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare, duke u shfaqur si instrument eficient i politikave ekonomike, që ndikon dhe njëkohësisht të lejon të veprosh mbi ekuilibrat e brendshëm makroekonomikë, konsumin, kursimet, investimet, bilancin tregtar. Monedhat i kanë joshur qeveritë dhe shtetet e ndryshme, për ti manipuluar ato në mënyrë që të dalin nga kriza.

    Konceptin “luftë e monedhave” e ka përdorur për herë të parë ministri brazilian i financave G.Mantega në 27.09.2010, në kuadrin e shqetësimit për një vlerësim jo normal të monedhës braziliane real kundrejt dollarit amerikan dhe yuan-it japonez duke nënvizuar se “kemi të bëjmë me politika monetare të vendeve të pasura, që çojnë drejt rivlerësimit të monedhave të ekonomive në zhvillim, çka përkthehet drejtpërdrejt si humbje e konkurrueshmërisë dhe përkeqësim të bilancit tregtar të tyre”. Presidenti i FMN së asaj periudhe, përdori të njëjtin koncept duke shprehur shqetësimin se “duhet marrë me shumë seriozitet kërcënimi i një lufte monedhash edhe pse duket akoma minimal. Unë mendoj se tentativat për zgjidhje të njëanshme nacionale do të bëhen më të forta”.

    Cilat janë vendet që kanë prirje të manipulojnë monedhat e tyre, e t’i përdorin ato si armë efikase në këtë luftë monedhash?

    • Kina, me yuan-in që kontrollohet nga Shteti, vazhdon të mbajë një kurs këmbimi, që vlerësohet se është artificialisht më i vogël në raport me dollarin amerikan;

    • Hong-Kongu dhe Singapori figurojnë në listën e vendeve që e “përdorin” monedhën e tyre në favor të proteksionizmit dhe luftës tregtare;

    • Arabia Saudite, Rusia, etj, si vende prodhuese të naftës dhe gazit e manipulojnë monedhën e tyre;

    • Zvicra që nëpërmjet monedhës së saj të kërkuar në tregjet ndërkombëtare si një më të sigurtat, nuk heziton të “luajë” në fushën monetare për të mbrojtur ekonominë;

    • Japonia, aktore aktive në frontin e luftës së monedhave, e shqetësuar nga një periudhë 20 vjecare stanjacioni dhe deflacioni, ka provuar disa herë të dobësojë yen-in, për ta nxjerrë ekonominë nga “kurthi i likuiditetit”;

    • Britania e Madhe ka qenë shpesh herë e joshur nga zhvlerësimi i paundit, në emër të “mbështetjes për ekonominë e saj të lëkundur”;

    • SHBA e ka traditë manipulimin e dollarit, sa herë është në vështirësi ekonomike e financiare, duke mbajtur një dollar relativisht të dobët, për të mbështetur rritjen
    ekonomike, investimeve, nxitjen e punësimit dhe konsumit. E gjithë kjo i shërben SHBA-së që të jetojë një nivel ekonomik e konsumi më të lartë se mundësitë reale, po të marrim parasysh deficitet publike dhe borxhin sovran kolosal të saj.

    Megjithëse aktualisht dollari po përballet me një prirje rivlerësuese, FED është i kujdesshëm që ky forcim mos të jetë penalizues për ekonominë amerikane, duke ndjekur me kujdes evolucionin e kursit të euros dhe yuan-it.

    Në këtë “luftë monetare” duket se Eurozona ka adoptuar një strategji më modeste, në raport me SHBA. Eurozona nuk duket se ka mundësi të zbatojë zgjidhje radikale, pasi BQE e ka të fokusuar vëmendjen në deficitin publik, borxhin sovran dhe kontrollin e inflacionit, duke mos patur si objektiv rritjen ekonomike dhe punësimin, të cilat mund ta nxisin të jetë më aktive në “lojën me fuqinë e euros”.

    Vendet e BRICS po shqyrtojnë mundësinë e një monedhë të vetme. Nënkryetari i Dumës Ruse, Aleksandër Babakov deklaron se vendet e BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut) po punojnë për zhvillimin e një monedhe të re. Udhëheqësit nga pesë vendet do të diskutojnë projektin në më shumë detaje në samitin e grupit në Afrikën e Jugut. “Mendoj se gjatë samitit të BRICS do të shpallet vullneti për të realizuar këtë projekt, kjo punë është në progres. “.

    Informacionet e para sugjerojnë se kjo monedhë e re do të mbështetet nga lëndët e para. Megjithatë, drejtuesit e lartë të vendeve BRICS theksojnë se hapi i parë më i rëndësishëm do të ishte që kjo monedhë e re të rregullohet dhe të pranohet edhe si monedhë kombëtare të vendeve në fjalë. Hapi tjetër do të jetë mundësimi i qarkullimit të një monedhe dixhitale ose çdo forme tjetër thelbësisht të re parash në të ardhmen e afërt. »

    Ndërkohë, Kina dhe Brazili kanë arritur një marrëveshje tregtare për të shkëmbyer mallra në monedhën e tyre. Thënë kështu, produktet kineze të eksportuara në Brazil do të paguhen në reais dhe do të konvertohen drejtpërdrejt në juan. Agjencia e nxitjes së eksporteve të Brazilit, ApexBrazil shpjegon se objektivi i kësaj marrëveshjeje është të ulë kostot dhe të promovojë më tej tregtinë dypalëshe, duke lehtësuar investimet.

    Shumë kohë përpara kësaj nisme nga dy vende të BRICS, Rusia dhe Irani tashmë po punonin për një monedhë të qëndrueshme të mbështetur nga ari për të promovuar tregtinë midis dy vendeve. Informacioni sugjeron se stablecoin do të përdoret fillimisht në zonën ekonomike të Astrakhanit, ku Rusia ka filluar të pranojë dërgesat nga Irani.

    Së fundmi, ishte kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, i cili është deklaruar pro krijimit të një FMN aziatike duke nënvizuar se “Tani me fuqinë e ekonomive të Kinës, Japonisë dhe të tjerëve, mendoj se duhet të diskutojmë ose të paktën të shqyrtojmë një fond monetar aziatik me monedhat tona përkatëse. »

    Pse dollari mbetet më i fortë se euro dhe juani – e ardhmja e monedhës rezervë botërore (1)

    Siç dëshmohet nga disa ndryshime të fundit politike në Kinë, Rusi, Arabinë Saudite dhe Brazil, statusi i dollarit amerikan si monedhë rezervë botërore është nën sulm të koordinuar. Gjithsesi, rrëzimi i dollarit do të duhet kohë dhe fat në favor të forcave anti-dollar. Megjithatë, tani për tani, dollari amerikan është monedha e preferuar për rezervat valutore dhe për shlyerjen e transaksioneve ndërkombëtare. Fakti që dollari është monedha më popullore sot nuk garanton se do të mbetet i tillë në terma afatmesëm apo afatgjatë. Asnjë monedhë nuk mbetet valutë rezervë përgjithmonë, dhe dollari amerikan ka qenë monedha rezervë botërore që nga vitet 1930. Më parë, ishte paundi britanik. Por luftërat botërore, kostot e një perandorie koloniale dhe një ekonomi gjithnjë e më socialiste çuan në zëvendësimin e monedhës britanike me dollarin.

    Të kuptuarit se çfarë e bën një monedhë të rregullt një monedhë rezervë globale, mund të na ndihmojë të kuptojmë se si dollari mund të bjerë dhe t’i hapë vendin monedhave konkurruese. Është e pashmangshme që kjo të ndodhë në një moment apo në një tjetër, për arsye ekonomike, gjeopolitike dhe politike të brendshme.

    Cila është një monedhë e mirë rezervë globale?

    Mund të identifikojmë disa kushte bazë që e bëjnë një monedhë të dëshiruar nga bankat, investitorët dhe bankat qendrore. Këtu janë më të rëndësishmet : Përdoret shpesh në tregtinë ndërkombëtare; Ka një shkallë të lartë të konvertueshmërisë; Ekonomia kombëtare ka tregje të mëdha dhe të hapura financiare; Ekonomia kombëtare është e rëndësishme; Politikat makroekonomike kombëtare janë përgjithësisht të qëndrueshme dhe lejojnë hapjen ekonomike.

    Valuta të ndryshme i kanë plotësuar këto kushte me kalimin e kohës.Ndonjëherë, siç kanë shkruar Barry Eichengreen dhe Marc Flandreau, këto kushte mund të plotësohen nga më shumë se një monedhë në të njëjtën kohë, duke çuar në një periudhë konkurrence të përhershme midis dy ose më shumë monedhave. Kështu ndodhi para Luftës së Parë Botërore, kur marka gjermane, franga franceze dhe sterlina ishin në konkurrencë. Kjo situatë u zëvendësua më pas nga një dekadë ose më shumë konkurrencë midis paundit dhe dollarit gjatë periudhës së ndërmjetme.

    Dollari përfundimisht mbizotëroi, por jo vetëm sepse ekonomia amerikane u bë më e madhe se ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar. Investitorët dhe bankat qendrore iu drejtuan dollarit sepse shteti britanik ishte në prag të falimentimit pas dy luftërave botërore dhe sepse Britania e braktisi përfundimisht standardin e arit në vitin 1931. Shtetet e Bashkuara gjithashtu e braktisën atë në 1933, por rritja e vazhdueshme e ekonomisë amerikane ka lejuar që dollari të mbetet në garë si valutë rezervë botërore.

    Politikat makroekonomike janë përkeqësuar gjithashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Shteti britanik po shkon gjithnjë e më shumë drejt një ekonomie të bazuar në subvencione, kontrolle të çmimeve dhe rregullime të tjera. Ekonomia e SHBA është gjithashtu më e rregulluar, por mbetet relativisht e lirë. Në vitin 1944, marrëveshjet e Bretton Woods vulosën përfundimisht statusin: dollari zëvendësoi sterlinën.

    Në kuadrin e marrëveshjes së Bretton Woods, dollari mbeti i lidhur me arin për transaksionet ndërkombëtare midis shteteve sovrane, dhe monedhat e tjera lidheshin me arin vetëm nëpërmjet dollarit.

    Megjithatë, Bretton Woods nuk e bëri dollarin monedhën rezervë të botës me dekret. Marrëveshja e re thjesht “formalizoi” atë që tashmë ishte e qartë, përkatësisht statusin e ri të dollarit si monedhë rezervë dominuese. Dekada lufte, paqëndrueshmërie dhe inflacioni monetar dëmtuan rëndë monedhat e Evropës Perëndimore. Kjo, së bashku me statusin e ri të Shteteve të Bashkuara si një fuqi industriale globale, vendosi skenën për dekada të dominimit të dollarit.

    Sa do të zgjasë akoma kjo? Është e vërtetë se asnjë monedhë nuk do të mbetet përgjithmonë monedha rezervë e botës. Por tani për tani, duket se dollari po vazhdon të ecë mirë. Në të vërtetë, kur merren parasysh pesë kriteret kryesore për monedhat rezervë të listuara më sipër, dollari ruan avantazhin. Kjo është e vërtetë edhe kur krahasojmë dollarin me euron dhe juanin kinez.

    Pse euro nuk e ka zëvendësuar dollarin?

    Rritja e dollarit nuk zhduki të gjitha monedhat e tjera. Në vitin 1995, jeni japonez përbënte ende gati 7% të rezervave valutore. Marka gjermane përbënte gati 16%. Për më tepër, kur euro – një monedhë e re e ndërtuar kryesisht në fuqinë e markës gjermane – u prezantua në vitin 1999, u mendua se së shpejti do të konkurronte seriozisht me dollarin për t’u bërë monedha rezervë botërore. Megjithatë, euro ka mbetur prapa, pavarësisht se eurozona përfshin shumë nga ekonomitë më të mëdha në botë dhe krenohet me disa nga qendrat financiare më të sofistikuara.

    Edhe më shumë se njëzet vjet pas krijimit të euros, dollari përdoret në 51% të transaksioneve monetare ndërkombëtare dhe euro në vetëm 36%. Gjithashtu, euro përfaqëson vetëm 20% të të gjitha rezervave valutore, krahasuar me 58% për dollarin. Nëse zgjedhja e një monedhe rezervë do të bazohej vetëm në madhësinë e ekonomisë dhe përdorimin total në tregtinë ndërkombëtare, do të pritej që euro të ishte shumë më konkurruese.

    Sidoqoftë, në një studim të vitit 2009, Thesari i SHBA sugjeroi një arsye pse dollari amerikan vazhdon të jetë më i mirë se euro: Faktori kryesor që mund të shpjegojë peshën më të ulët të euros si monedhë rezervë është madhësia dhe thellësia e tregjeve të obligacioneve qeveritare. Megjithëse stoku total i borxhit sovran në eurozonë rivalizon atë të Shteteve të Bashkuara, nuk ka një treg të përbashkët të borxhit sovran në zonën euro. Kjo zvogëlon lehtësinë me të cilën zotëruesit e letrave me vlerë në euro mund t’i blejnë dhe shesin ato, krahasuar me letrat me vlerë të thesarit të SHBA-së.

    Tregu i obligacioneve të qeverisë amerikane është i madh dhe e bën shumë të lehtë blerjen dhe shitjen e bondeve të thesarit të cilat mbeten jashtëzakonisht likuide dhe konsiderohen nga shumë si zëvendësues të afërt të dollarit. Për më tepër, eurozona nuk paraqet realisht një alternativë ndaj Shteteve të Bashkuara në aspektin e politikave makroekonomike. Deficitet e eurozonës janë të mëdha dhe megjithëse dollari amerikan është vazhdimisht subjekt i inflacionit monetar, euro e rivalizon lehtësisht dollarin edhe në këtë fushë. Së fundi, borxhi sovran evropian nuk duket më i sigurt se borxhi sovran i SHBA.

    Pse juani kinez nuk e ka zëvendësuar dollarin?

    Juan-i kinez është një shembull tjetër që tregon se të kesh një ekonomi të madhe nuk mjafton që monedha e një vendi të marrë statusin e rezervës botërore. Vitet e fundit, Kina ka tejkaluar ekonominë amerikane për nga madhësia. Megjithatë, juani mbetet në vendin e pestë për sa i përket rezervave valutore globale. Në fund të vitit 2021, ajo ishte ende në vendin e katërt për sa i përket peshës së transaksioneve ndërkombëtare. Edhe pse juani po përjeton një rritje të fortë në tregtinë ndërkombëtare, ai ka ende një rrugë të gjatë për të bërë. Marrëveshjet e fundit me Rusinë, Arabinë Saudite, Iranin dhe një numër në rritje shtetesh në botën në zhvillim do ta përforcojnë këtë prirje, por kjo vetëm do ta ndihmojë Kinën të përmbushë disa nga kushtet e kërkuara për t’u bërë një monedhë e rezervës botërore.

    Faktorët e madhësisë dhe fushëveprimit po ndryshojnë në favor të Kinës, por çështjet e hapjes dhe konvertueshmërisë mbeten. Kina ende zbaton kontrollet e kapitalit, që do të thotë se ekonomia e saj është relativisht më pak e hapur se ajo e vendeve perëndimore. Pa dyshim, shtetet perëndimore kanë përdorur prej kohësh një seri të tërë kontrollesh, por kjo është ende një hapje relative. Mjafton që Kina të jetë më pak e hapur se konkurrentët e saj që ajo të dështojë në “testin e monedhës rezervë”.

    Për më tepër, tregjet e borxhit të qeverisë kineze nuk janë aq likuide apo të sofistikuara sa ato në Shtetet e Bashkuara. Në shumë mënyra, bota është e mbushur me bonde të qeverisë amerikane – të blera në dollarë dhe ende konsiderohen jashtëzakonisht “të sigurta” – ndërsa borxhi kinez nuk ështëi tillë. Së fundi, politikat makroekonomike të Kinës paraqesin një shkallë të lartë rreziku të mundshëm gjeopolitik. Politikat e Kinës për mos-shpronësimin e kapitalit të huaj nuk janë as të qarta dhe as të besueshme. Edhe periudhat e gjata të bllokimit të likuiditetit në vitet e fundit në Kinë nuk ngjallin shumë besim.

    Dollari amerikan përfiton nga sjellja e gabuar e monedhave të tjera
    Shkurtimisht, dollari vazhdon të përfitojë nga fakti se, pavarësisht shkallës së inflacionit apo rregullimit në ekonominë amerikane, eurozona dhe Kina – për të mos përmendur Japoninë dhe Britaninë – shfaqin tendenca që shpesh duken po aq të këqija. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëllojnë veten në këmbë. Pavarësisht nga avantazhet e shumta ekonomike të dollarit si monedhë rezervë, sistemi amerikan vazhdon të ofrojë shumë arsye politike që regjimet dhe ekonomitë e tjera të braktisin dollarin. Nëse Shtetet e Bashkuara dyfishojnë sanksionet e saj ekonomike dhe militarizimin e ekonomisë së dollarit, likuiditeti dhe përdorimi i gjerë i dollarit mund të mos e shpëtojë atë.
    (1)Ryan McMaken
    Mises Institute
    Monedha e re BRICS i shpall luftë dollarit(2)

    Nënkryetari i Dumës së Rusisë, Alexander Babakov deklaroi më 30 mars 2023 se blloku BRICS i ekonomive në zhvillim – Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut – po punojnë për zhvillimin e një “monedhe të re” e cila do të prezantohet në samitin e ardhshëm të organizata në Durban.

    “Tranzicioni në monedhat kombëtare është hapi i parë. Tjetra është të sigurohet qarkullimi i një monedhe dixhitale ose çdo formë tjetër të një monedhe thelbësisht të re në të ardhmen e afërt. Unë mendoj se gatishmëria për të zbatuar këtë projekt do të shpallet në takimin e ardhshëm të BRICS, një punë e tillë është duke u zhvilluar”, tha Babakov në punimet e Forumit Strategjik Ruso-Indian për Zhvillim dhe Rritje.

    Babakov tha gjithashtu se një monedhë e vetme mund të shfaqet brenda BRICS dhe kjo do të lidhet jo vetëm me vlerën e arit, por edhe me “grupet e tjera të mallrave, elementët e rrallë, etj.”

    Shtetet anëtare të BRICS përbëjnë më shumë se 40 për qind të popullsisë së botës dhe rreth një të katërtën e PBB-së globale. Në muajt e fundit, grupi është pozicionuar si alternativa ideologjike joperëndimore e vendeve të G7, duke promovuar një alternativë që përfaqëson vendet që konsiderohen të jenë nga “jugu global”. Pikërisht për këtë arsye, vendet në Azinë Perëndimore dhe Afrikën e Veriut kanë shprehur interes për t’u bashkuar me bllokun, duke përfshirë Arabinë Saudite dhe Algjerinë.

    Në vitin 2022, Irani gjithashtu aplikoi zyrtarisht për t’u bashkuar me BRICS, duke demonstruar se blloku po bëhet një pikë referimi politike dhe ekonomike. Politizimi i grupit mund të shihet nga interesi, sipas ministrit të Jashtëm të Afrikës së Jugut, Naledi Pandor, nga vende si Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Argjentina, Meksika dhe Nigeria, të cilat prej vitesh kërkojnë pavarësinë e tyre nga presionet e forta. Politika e shtrëngimit ekonomik të Uashingtonit imponohet përmes përdorimit të dollarit.

    Në fund të marsit2023, grupi i vendeve ASEAN diskutoi gjithashtu heqjen e dollarit amerikan, euros, jenit dhe sterlinës nga transaksionet financiare dhe kalimin në monedhat lokale. Në mënyrë të ngjashme, Brazili – ekonomia më e madhe e Amerikës Latine – ka arritur një marrëveshje me Kinën për të lejuar transaksionet e importit dhe eksportit midis të dy vendeve pa përdorur dollarin amerikan. Ish-kryekonomisti i Goldman Sachs, Jim O’Neill, në mars i bëri thirrje BRICS që të zgjerojë dhe sfidojë dollarin globalisht, duke theksuar se hegjemonia ekonomike e Uashingtonit destabilizon politikat monetare të kombeve të tjera. “Dollari amerikan luan një rol tepër dominues në financat globale”, siç raportohet në një artikull të botuar në revistën Global Policy.

    Por sa reale është hipoteza e braktisjes së dollarit?
    Krijimi i një monedhe të re rezervë ndërkombëtare për të reduktuar varësinë e BRICS nga dollari do të kishte disa sfida për të sfiduar dominimin e monedhës së gjelbër si një monedhë rezervë ndërkombëtare.

    Së pari, dollari është ende monedha rezervë mbizotëruese në botë, me një pjesë tregu prej rreth 60% të rezervave valutore botërore. Kjo do të thotë se monedha e re BRICS do të duhet të kapë një pjesë të madhe të tregut në mënyrë që të përbëjë një kërcënim të rëndësishëm për dollarin.Së dyti, besueshmëria e monedhës së re BRICS do të ishte thelbësore për pranimin e saj nga investitorët globalë. Ajo duhet të mbështetet nga një politikë monetare e shëndoshë dhe një qeverisje ekonomike e qëndrueshme dhe transparente për të fituar besimin e investitorëve.Së fundi, vlera e monedhës së re BRICS do të ndikohej nga kushtet ekonomike të vendeve BRICS, të cilat mund të jenë shumë të luhatshme dhe të paqëndrueshme në krahasim me ekonomitë e përparuara.

    Në përmbledhje, një monedhë e re BRICS mund të përbënte një sfidë për dollarin vetëm nëse do të kapte një pjesë të madhe të tregut, do të mbështetej nga qeverisja e qëndrueshme ekonomike dhe do të fitonte besimin e investitorëve globalë. Kjo do të kërkonte kohë dhe përpjekje të konsiderueshme nga vendet e BRICS për të ndërtuar një sistem monetar të besueshëm dhe të fortë. Por ato nuk janë vetëm sfida, pasi mund të ketë disa arsye të mundshme pse një monedhë e re BRICS mund të jetë e këshillueshme si një alternativë ndaj dollarit. Një nga këto është reduktimi i varësisë nga dollari: shumica e vendeve në botë mbajnë rezerva në dollarë amerikanë, që do të thotë se vlera e rezervave të tyre mund të ndikohet nga luhatjet e kursit të këmbimit të dollarit. Krijimi i një monedhe të re BRICS mund të zvogëlojë varësinë e vendeve BRICS nga dollari amerikan dhe të rrisë autonominë e tyre ekonomike.

    Diversifikoni rezervat tuaja valutore: Diversifikimi i rezervave tuaja valutore mund të jetë një strategji e dobishme për të reduktuar rreziqet që lidhen me mbajtjen e vetëm një monedhe rezervë. Krijimi i një monedhe të re BRICS mund të ofrojë një alternativë investimi për vendet që kërkojnë të diversifikojnë rezervat e tyre. Promovimi i bashkëpunimit ekonomik midis vendeve BRICS: Krijimi i një monedhe të re BRICS mund të nxisë bashkëpunimin ekonomik midis vendeve BRICS, duke favorizuar zhvillimin e tregtisë dhe investimeve midis vendeve.

    Megjithatë, duhet theksuar se krijimi i një monedhe të re BRICS si një alternativë ndaj dollarit do të kërkonte jo vetëm një angazhim afatgjatë dhe bashkëpunim kuptimplotë midis vendeve të BRICS, por edhe mbështetjen e politikës së shëndoshë monetare, qeverisjes së qëndrueshme ekonomike dhe publikut. investitorët globalë të shihen si një alternativë reale ndaj dollarit si valutë rezervë ndërkombëtare.

    (2)Filippo Sardella
    IARI – Istituto Analisi Relazioni Internazionali

  • ​Si po planifikon Rusia sabotazh në Detin e Veriut

    ​Si po planifikon Rusia sabotazh në Detin e Veriut

    Rusia ka një program për të sabotuar fermat e erës dhe kabllot e komunikimit në Detin e Veriut, sipas akuzave të reja. Detajet vijnë nga një hetim i përbashkët nga transmetuesit publik në Danimarkë, Norvegji, Suedi dhe Finlandë.

    Sipas hetimit, Rusia ka një flotë anijesh të maskuara si anije peshkimi dhe anije kërkimore në Detin e Veriut, shkruan BBC.

    Ata mbajnë pajisje mbikëqyrjeje nënujore dhe po hartojnë vendet kryesore për sabotim të mundshëm.

    BBC kupton se zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar janë në dijeni të anijeve ruse që lëvizin nëpër ujërat e Mbretërisë së Bashkuar si pjesë e programit.

    E para nga një seri raportesh do të transmetohet të mërkurën nga DR në Danimarkë, NRK në Norvegji, SVT në Suedi dhe Yle në Finlandë.

  • Kandidatët shqiptarë të gatshëm për marrjen e përgjegjësisë në veri

    Kandidatët shqiptarë të gatshëm për marrjen e përgjegjësisë në veri

    Zgjedhjet lokale në veriun e Kosovës do të mbahen këtë të diel, ndërsa kandidatët shqiptarë shprehen të gatshëm për të marrë pjesë në votime dhe për të marrë përgjegjësi.

    Dy kandidatët Eden Atiqi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare, thonë se janë duke bërë fushatë dhe se situata në veri është relativisht e qetë, transmeton Paparaci.

    Atiqi tha se ekziston një dozë e pasigurisë tek qytetarët, por duke marrë parasysh se në veri gati çdo vjet ka zgjedhje, elektorati atje është i kalitur me situata të tilla.

    “Elektorati është i mësuar me këtë situatë dhe ne kemi shtuar elektoratin atje”, tha Atiqi për RTK, sipas të cilit, situata atje është më e sigurt se sa paraqitet, ndërsa u shpreh i gatshëm edhe për ta drejtuar komunën pas të hënës.

    Ndërsa Betim Osmani ishte më skeptik sa i përket sigurisë, derisa kërkoi që qeveria të jetë sa më aktive në veri. Ai po ashtu tha se si Iniciativë ka muaj që janë duke bërë fushatë, me idenë që të ketë sa më shumë qytetarë në zgjedhje. Madje ai tha se në veri pritet të dalin në zgjedhje edhe qytetarë nga komuniteti serb.

    Dy kandidatët që folën edhe për idetë partiake për zhvillimin e komunave, kthimin e qytetarëve, ndërtimi e shtëpive, zhvillimin e shëndetësisë dhe infrastrukturë. Ata thanë se do të mundohen të krijojnë ura bashkëpunimi në veri.

  • ​G7: Rusia të paguajë për dëmin që i ka shkaktuar Ukrainës

    ​G7: Rusia të paguajë për dëmin që i ka shkaktuar Ukrainës

    Çdo zgjidhje e konfliktit në Ukrainë duhet të sigurojë që Rusia të paguajë për dëmin që ka shkaktuar, sipas një deklarate të përbashkët të vendeve të G7, në Japoni.

    Aty thuhet se G7 mbetet e përkushtuar për të shtuar sanksionet kundër Rusisë, shkruan ANSA.

    “Ne zotohemi të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa është e nevojshme, dhe të ofrojmë mbështetje të vazhdueshme ushtarake, ekonomike dhe institucionale për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet, të sigurojë të ardhmen e saj të lirë dhe demokratike, dhe të pengojë agresionin e ardhshëm rus”, thuhet në deklaratë.

  • ​Arrestohet taksisti në Gjilan, ngacmoi seksualisht pasagjeren

    ​Arrestohet taksisti në Gjilan, ngacmoi seksualisht pasagjeren

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person, i cili dyshohet se kishte sulmuar seksualisht pasagjeren e tij derisa ishte duke kryer punën e tij si taksist.

    Në raportin e Policisë thuhet se viktima ka raportuar se derisa ishte duke u kthyer në shtëpi, kishte hipur në një TAX-i, ku shoferi e kishte dërguar në një vend të panjohur dhe e kishte ngacmuar seksualisht.

    “I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet po aty.

  • Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, sot vazhdon dëshminë dëshmitari i dytë

    Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, sot vazhdon dëshminë dëshmitari i dytë

    Për të tretën ditë radhazi, dëshmitari i dytë i prokurorisë në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, do t’u përgjigjet pyetjeve të prokurorisë dhe mbrojtjes së viktimave para Dhomave të Specializuara në Hagë.

    Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vazhdon dita e tretë e kësaj jave në rastin gjyqësor “Thaçi dhe të tjerët. Në këtë javë do të jenë katër seanca.

    Për dallim nga dita e parë, kur pjesa hyrëse ishte e hapur për publikun, seanca e së martës gjatë tërë kohës ishte e mbyllur dhe me përmbajtje të redaktuar. Ky dëshmitar në ditën e parë të dëshmisë tha se është anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe se ka qenë prezent në daljen publike të UÇK-së.

    Dje ka vazhduar intervistimi i dëshmitarit të dytë të mbrojtur, i cili është duke u marrë në pyetje nga ZPS-ja. Pas hapjes së seancës nga trupi gjykues, është kaluar në seancë të redaktuar për publikun.

    Të hënën, ky dëshmitar ka konfirmuar se ka qenë dhe është anëtarë i Lidhjes Demokratike të Kosovës që nga fillimi i viteve 90’ si dhe ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Ai dje gjatë pjesës së hapur për publikun ka treguar për organizimin e strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, përgjatë viteve 90’, ndërsa pyetjet e prokurorit kanë qenë të fokusuara në organizimin e LDK-së në komunën e Malishevës.

    Dëshmitari gjithashtu është pyetur nga prokurori për daljen e parë publike të UÇK-së, më 28 nëntor 1997, në fshatin Llaushë të Skenderajt. Dëshmitari ka pranuar se ka qenë prezent në këtë ngjarje bashkë me anëtarë të tjerë të LDK-së.

    Ndryshe aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Më 22 korrik 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, përmes dy vendimeve, miratoi pjesërisht mocionet e Mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS-në që të korrigjojë dhe ndryshojë aktakuzën, mes tjerash, duke përjashtuar përgjegjësinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale III për krime me synim konkret (tri apele kundër këtij vendimi, të dorëzuara nga Thaçi, Selimi dhe Krasniqi, u hodhën poshtë nga Gjykata e Apelit më 22 gusht 2022).

  • Shembet dheu në Veternik, nuk mund të kalojnë këmbësorët

    Shembet dheu në Veternik, nuk mund të kalojnë këmbësorët

    Në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, më saktësisht në pjesën e lagjes Veternik, është shembur dheu duke pamundësuar qarkullimin e qytetarëve, raporton Ekonomia Online.

    Këmbësorët detyrohen të kalojnë nga shiriti emergjentë për të arritur në vendin ku duhet të shkojnë.

    Madje është dëmtuar edhe trotuari i muri mbrojtës në këtë rrugë.

    Ekonomia Online ka kontaktuar me Drejtorin e Shërbimeve Publike në komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, por i njëjti ka thënë se kjo rrugë është përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës.

    Nga kjo Minisitri nuk i janë përgjigjur interesimit të EO për të marrë më shumë informacione për gjendjen në këtë rrugë.

    Kjo nuk është hera e parë që në këtë pjesë kanë ndodhur dëmtime, madje edhe trotuari ende pa u lëshuar në qarkullim ishte dëmtuar.

    Punimet në këtë rrugë në Veternik, kanë filluar në vitin 2017 dhe kanë përfunduar një vit më pas.

  • ​Tërmet në Maqedoni të Veriut

    ​Tërmet në Maqedoni të Veriut

    Mëngjesin e sotëm një tërmet është regjistruar në Maqedoni të Veriut, konkretisht në rrethinën e Shtipit.

    Sipas “EMSC”, tërmeti ka ndodhur në orën 04:22, dhe ka qenë me magnitudë 2.3 shkallë Rihter.

    Tërmeti ka qenë me thellësi prej 2 kilometra.

    Në dy javët e fundit kjo është hera e pestë që është ndjerë tërmet në rrethinën e Shtipit.