ATV

Category: Lajme

  • Kuvendi i Kosovës shqyrton 36 pika të mbetura nga shkurti, marsi e prilli

    Kuvendi i Kosovës shqyrton 36 pika të mbetura nga shkurti, marsi e prilli

    Kuvendi i Kosovës vazhdon sot seancën plenare.

    Në rend dite janë 36 pika të papërfunduara nga seancat e mbajtura më 2, 9, 23 shkurt, 9, 23 mars dhe 6 e 7 prill 2023.

    Ndër pikat është votimi i Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës; Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës; Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje; përzgjedhja e një anëtari joekzekutiv të BQK-së; propozimi i GP “Multietnik” për shkarkimin e nënkryetarit të Kuvendit, Bekim Arifi etj.

    Seanca nis nga ora 10:00.

    Rendi i plotë i ditës:

    I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 2 shkurt dhe 22 mars 2023:

    20. Votimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021,
    21. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2021,
    22. Shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2021,
    23. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit të performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare,
    24. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb.

    II. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 9 shkurt 2023:

    15. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-199 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-060 për Mjekësinë Ligjore,
    16. Shqyrtimi i rekomandimeve për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.04/L-109 për Komunikimet Elektronike,
    17. Përzgjedhja e një (1) anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

    Shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2021

    III. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 23 shkurt 2023:

    8. Votimi i Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës,
    9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-208 për parqet industriale dhe teknologjike,
    10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-209 për investime të qëndrueshme,
    11. Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë për miratimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “Moxico Luma Kosova Mining L.L.C.”,
    12. Shqyrtimi i Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”,
    13. Propozimi i GP “Multietnik” për shkarkimin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bekim Arifi.

    IV. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 9 mars 2023:

    9. Shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2021,
    10. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe monitorimi i tyre mbi ndikimin në mjedis dhe ujëra”,
    11. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit “Performanca financiare dhe operative NP “Trepça Sh.A”,
    12. Emërimi i drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,
    13. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës në mbështetje të Fondit Kosovaro-Amerikan për Arsim (KAEF).

    V. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 23 mars 2023:

    6.    Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
    7.    Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-214 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-163 për minierat dhe mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-158,
    8.    Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,
    9.    Formimi i Komisionit Ah-hoc për përzgjedhjen e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar,
    10.    Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave,
    11.    Zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave,
    12.    Zgjedhja e një (1) zëvendësi të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë,
    13.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-210 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë,
    14.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-218 për organizimin e tregut për produktet bujqësore,
    15.    Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës.

    VI. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 6 dhe 7 prill 2023:

    4.    Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës,
    5.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-110 për Agjencinë e Kosovës për Akreditim,
    6.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-155 për sanksionet e shёnjestruara kundër shkelësve të huaj të drejtave të njeriut,
    7.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-201 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-081 për energjinë,
    8.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-160 për pensionet e zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës dhe  punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore,
    9.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-220 për çmimin e produkteve medicinale,
    10.    Shqyrtimi i rekomandimit lidhur me auditimin e procesit të shitjeve me negocim direkt në Agjencinë Kosovare të Privatizimit,
    11.    Shqyrtimi i propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të seancës plenare, nr.08-V-321, i datës 23 qershor 2022.

  • ​Dhunoi gruan që shkoi t’ia merrte shtëpinë me qira, arrestohet personi

    ​Dhunoi gruan që shkoi t’ia merrte shtëpinë me qira, arrestohet personi

    Një femër në Prishtinë ka raportuar në Polici se është sulmuar seksualisht nga një burrë, tek shtëpia e të cilit kishte shkuar për ta marrë me qira.

    Policia e ka hapur rastin si “dhunim”.

    Sipas raportit, kjo ka ndodhur dje rreth orës 18:00.

    Aty bëhet e ditur se viktima është dërguar për ekzaminim mjekësor ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Ministrja gjermane uron Kosovën për viza: Ishte hap i vonuar

    Ministrja gjermane uron Kosovën për viza: Ishte hap i vonuar

    Ministrja gjermane për Evropën dhe Klimën pranë Ministrisë së Jashtme Federale të Gjermanisë, Anna Luhrmann, ka uruar Kosovën me rastin e liberalizimit të vizave nga Parlamenti Evropian.

    Ajo tha se vendimi ishte i vonuar prej kohësh, por është hap i rëndësishëm drejt integrimit të Kosovës në BE.

    “ Parlamenti Evropian miratoi përfundimisht liberalizimin e vizave për #Kosovën! Vendim i vonuar prej kohësh! Hap i rëndësishëm drejt #integrimit në BE + përfitim konkret për popullin kosovar”.

    Ndryshe, Parlamenti Evropian të martën ka miratuar vendimin final për liberalizimin e vizave për Kosovën.

    Pas këtij hapi pason nënshkrimi i tekstit që garanton liberalizimin e vizave për Kosovën.

    Liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi në datën e funksionalizimit të sistemit ETIAS por jo më vonë se 1 janari 2024, pra, edhe nëse ky sistem nuk hyn në funksion deri në atë datë.

    Sipas rregullave të Parlamentit Evropian, liberalizimi i vizave nënkupton që qytetarët e Kosovës do të kenë kohë të qëndrojnë 90 ditë në Zonën Shengen, në një periudhë prej 180 ditësh.

  • Sot mbahet ceremonia e nënshkrimit të vendimit për heqjen e vizave

    Sot mbahet ceremonia e nënshkrimit të vendimit për heqjen e vizave

    Parlamenti Evropian të martën i tha po liberalizimit të vizave të Kosovës, duke e përmbyllur kështu këtë proces të stërzgjatur e të padrejtë për qytetarët e Kosovës.

    Miratimi i liberalizimit të vizave për Kosovën nga Parlamenti Evropian u bë pa votim pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

    E sot do të mbahet ceremonia e nënshkrimit zyrtar të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën, ndërkaq pritet të fillojë në ora 14:45.

    Në ceremoni do të marrin pjesë edhe presidentja e Parlamentit Evropian, një përfaqësues i presidencës suedeze të Këshillit të Bashkimit Evropian.

    Ndërkaq, Qeveria e Kosovës në një njoftim për media bën të ditur se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi udhëton për në Strasburg, për të marr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit zyrtar të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

    “Ai do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit zyrtar të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, e organizuar nga Presidentja e Parlamentit Roberta Metsola. Ceremonia do të fillojë në orën 14:45”, thuhet në njoftim.

    Pas ceremonisë së nënshkrimit, zëvendëskryeministri Bislimi do të mbajë një konferencë për media në Parlamentin Evropian së bashku me euro-deputetin dhe Raportuesin për Kosovën për çështjen e vizave Thijs Reuten, me fillim nga ora 15:15.

  • Dy lëkundje tërmeti regjistrohen në Greqi, ja sa ishte magnituda

    Dy lëkundje tërmeti regjistrohen në Greqi, ja sa ishte magnituda

    Greqia është zgjuar mëngjesin e sotëm nga dy lëkundje tërmeti në zonën e Pyrgos Ilias.

    Tërmeti i parë kishte magnitudë 3.9 Rihter ndërsa i dyti 3.5 Rihter.

    Epiqendra është regjistruar në zonën detare, 28 kilometra në jug, në jugperëndim të Pirgos, ndërsa thellësia fokale është vlerësuar rreth 16 kilometra.

  • Ambasadori francez sqaron se si u hoqën vizat për Kosovën

    Ambasadori francez sqaron se si u hoqën vizat për Kosovën

    Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka bërë një reagim pasi Parlamenti Evropian vendosi miratimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

    Ai përmes një cicërime në Twitter përmendi masat që Qeveria e Kosovës i ka marrë për te ardhur deri në këtë proces.

    “Rezultat shumë i bukur për qytetarët e Kosovës falë masave të marra nga qeveria e Kosovës”, shkroi ai.

    “Pikërisht në bazë të kësaj pune presidenti Macron njoftoi marrëveshjen tonë verën e kaluar”, shtoi diplomati francez.

    Nga 1 janari i vitit 2024, qytetarët Kosovës mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

  • Kush do t’i paguajë dëmshpërblimet që i kërkon Specialja?

    Kush do t’i paguajë dëmshpërblimet që i kërkon Specialja?

    Qeveria e Kosovës nuk duket se ka ndonjë plan konkret për kompensimin e mundshëm të viktimave në rastin e Salih Mustafës, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i dënuar për krime lufte në Kosovë nga Gjykata Speciale në Hagë.

    Kjo gjykatë, përmes një vendimi të marrë më 6 prill, e urdhëroi Mustafën që të paguajë 207 mijë euro në emër të kompensimit të dëmeve për tetë viktima nga ky proces.

    Megjithatë, gjatë shpalljes së vendimit u bë e ditur se Mustafa ka deklaruar se nuk posedon mjete për të paguar zhdëmtimin.

    I gjendur në këtë situatë, trupi gjykues në Gjykatën Speciale theksoi nevojën “për përfshirjen e aktorëve të tjerë për zbatimin e Urdhrit për Zhdëmtim, sidomos Kosovën”.

    REL-i pyeti më 18 prill Gjykatën Speciale nëse ka marrë ndonjë përgjigje nga Qeveria e Kosovës, në lidhje me vendimin e saj për zhdëmtimin e viktimave, por zyrtarë të saj mohuan se kanë pranuar ndonjë informacion.

    Si parashihet zhdëmtimi i viktimave brenda Gjykatës Speciale?

    Gjykata Speciale është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

    Atje gjykohen krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

    Në ligjin, përmes të cilit është krijuar kjo gjykatë, parashihet që viktimat e konstatuara të krimeve brenda juridiksionit të kësaj gjykate, ta kenë të drejtën e zhdëmtimit.

    Ligji parasheh që gjykata mund të shpallë urdhër të drejtpërdrejtë për zhdëmtim apo, në disa raste, t’i udhëzojë viktimat që të ngrenë padi civile në gjykatat tjera të Kosovës.

    Në rastin e Salih Mustafës, gjykata dha urdhër të drejtpërdrejtë për zhdëmtimin e viktimave.

    A mund ta paguajë buxheti i Kosovës zhdëmtimin e viktimave të Mustafës?
    Sipas legjislacionit aktual, mundësia e kompensimit të plotë të këtyre viktimave nga buxheti i Kosovës është e vogël.

    Kjo, për shkak se gjatë hartimit të ligjeve, me të cilat është themeluar Gjykata Speciale, nuk është paraparë ndonjë fond i veçantë për t’i kompensuar viktimat e mundshme që dalin nga ky proces.

    Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë në lidhje me atë se si mund të bëhet kompensimi i këtyre viktimave dhe në përgjigjen e marrë me shkrim thuhet se çështjen e kompensimit të viktimave të krimit e mbulon ligji aktual për këtë çështje.

    Ky ligj parasheh që viktimat e krimeve të kryera brenda territorit të Kosovës, të mund të kompensohen nga programi shtetëror, në rastet kur për një arsye ose tjetër nuk mund të kompensohen nga personi që e ka kryer krimin ndaj tyre.

    Megjithatë, brenda këtij ligji parashihen kufizime për shumat maksimale që mund të marrin viktimat individuale të krimeve.

    Varësisht nga lloji i dëmeve që mund të ketë pësuar viktima e një krimi, në këtë ligj parashihen shuma të kompensimit deri në 4 mijë euro dhe në raste shumë të veçanta deri në 10 mijë euro.

    Vendimi i Gjykatës Speciale për zhdëmtimin e viktimave në rastin e Mustafës ka paraparë shuma nga 2 mijë deri në 80 mijë euro për secilën nga tetë viktimat.

    Me gjithë insistimin e Radios Evropa e Lirë, Ministria e Drejtësisë nuk e komentoi faktin se ligji aktual nuk i mbulon shumat e zhdëmtimit që janë urdhëruar tashmë nga Gjykata Speciale.

    As Zyra për Komunikim e Qeverisë së Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për koment në lidhje me këtë çështje.

    Organizatat joqeveritare me mendime të ndryshme lidhur me zhdëmtimin
    Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), që merret me drejtësinë tranzicionale, e mirëpriti vendimin e Gjykatës Speciale për zhdëmtimin e viktimave.

    “FDHK e konsideron këtë urdhër si një avancim në realizimin e së drejtës së kompensimit të viktimave”, thuhet në deklaratën publike të kësaj organizate të datës 7 prill.

    Kjo organizatë, po ashtu, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të krijojë një legjislacion adekuat dhe mekanizma që do të ofronin realizimin e dëmshpërblimit për viktimat e krimeve të luftës në Kosovë.

    Bekim Blakaj, drejtor i FDHK-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se kompensimi i viktimave të krimeve të luftës është shumë i rëndësishëm, por shton se kompensimi do të duhej të bëhej për të gjitha viktimat – edhe përtej juridiksionit të Gjykatës Speciale.

    “Nëse do të duhej të krijohej një fond për kompensimin e viktimave të krimeve të luftës, të cilat janë vërtetuar nga kjo gjykatë [Gjykata Speciale], nuk do të ishte e drejtë që t’i përfshinte vetëm viktimat që vërtetohen nga Dhomat e Specializuara [në Hagë]”, thotë Blakaj.

    Por, sipas Këshillit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Kosovë, Gjykata Speciale “nuk mund ta detyrojë Qeverinë e Kosovës që t’i kompensojë këto viktima”.

    Sipas kësaj organizate joqeveritare, fondi për pagesën e viktimave do të duhej të krijohej nga buxheti i vetë Gjykatës Speciale, e jo të bëhet ngarkesë shtesë në buxhetin e Kosovës.

    Rikujtojmë se Gjykata Speciale financohet nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe disa shtete të tjera kontribuuese.

    Sipas raportit të kësaj gjykate të publikuar në vitin 2021, ky institucion përgjatë viteve 2016-2020 ka pasur një buxhet prej më shumë se 150 milionë eurosh.

    Në vitin 2015, kur Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, deputetët kanë miratuar edhe një ligj tjetër, që u ka garantuar të akuzuarve potencialë mbështetjen financiare.

    Ministria e Drejtësisë nuk i tregoi shifrat e fundit për shpenzimet për të akuzuar, por, sipas disa llogaritjeve të mëhershme, kjo shumë i kalon 13 milionë euro.

    Në proces është edhe gjyqi kundër ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala, i akuzuar për krime lufte.

    Si është bërë zhdëmtimi i viktimave të luftës në rajon?
    Rajoni i Ballkanit Perëndimor është përfshirë nga luftëra të përgjakshme në vitet ’90, të cilat kanë çuar në shpërbërjen e Jugosllavisë së atëhershme.

    Në vitin 1993 është themeluar Tribunali i Hagës, i cili ka trajtuar krimet e luftës, të kryera në këtë rajon në atë kohë.

    Aktakuzat e kësaj gjykate kanë përfshirë periudhën nga viti 1991 deri në vitin 2001 dhe kanë pasur në shënjestër anëtarë të grupeve të ndryshme etnike në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.

    Kjo gjykatë, ndryshe nga Gjykata e tanishme Speciale e Kosovës, nuk ka shqiptuar ndonjë urdhër të drejtpërdrejtë për zhdëmtim të viktimave, mirëpo viktimat janë udhëzuar t’u drejtohen gjykatave vendore përkatëse për të siguruar zhdëmtimin.

    Sipas një raporti të vitit 2021 të publikuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, qindra padi për zhdëmtim janë bërë në gjykatat në Serbi, duke kërkuar kompensim nga shteti serb për krimet e kryera gjatë luftërave të viteve ‘90.

    Ky raport nuk tregon se sa raste kanë fituar dëmshpërblim në total, por kritikon gjykatat se kanë ofruar shuma të vogla për kompensim dhe kanë tejzgjatur procedurat gjyqësore për viktimat.

    Në anën tjetër, sipas të dhënave nga Mali i Zi, miliona euro janë paguar në emër të zhdëmtimit të viktimave të krimeve të luftës në këtë shtet.

    Sa i përket Bosnje dhe Hercegovinës, ky shtet nuk ka një ligj specifik shtetëror për t’i mbështetur viktimat e luftës, përfshirë viktimat e dhunës seksuale.

    Në një rast të paprecedentë, një viktimë e përdhunimit seksual gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë ka arritur që përmes Komitetit të Kombeve të Bashkuara kundër Torturës, ta detyrojë shtetin e Bosnjës që t’i paguajë një dëmshpërblim prej 15 mijë eurosh.

  • Pezullohen gjashtë zyrtarë të MPB-së, dyshohen për keqpërdorim të detyrës

    Pezullohen gjashtë zyrtarë të MPB-së, dyshohen për keqpërdorim të detyrës

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë pezulluar nga detyra gjashtë zyrtarë të kësaj ministrie.

    Ai tha se të njëjtit dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Përveç pezullimit, Sveçla bëri të ditur se është iniciuar rasti për hetime ndaj tyre në Policinë e Kosovës.

    “Referuar rastit të keqpërdorimit të detyrës nga zyrtari i Ministrisë së Punëve të Brendshme Riza Alshiqi, për përfitimet e biznesit të tij “Rent a car” në dëm të aseteve shtetërore, përveç inicimit të rastit për hetime në Policinë e Kosovës, i njejti bashkë me 5 zyrtarë të të njejtit departament sot janë pezulluar nga detyra”, tha ai në Facebook.

    “Do të vazhdojmë me përpjekjet tona që të gjithë keqpërdoruesit t’i ballafaqojmë me drejtësi teksa zyrtarët e përkushtuar për punë me profesionalizëm e përkushtim do të jenë në nivelin më të lartë të detyrës e në shërbim të qytetarëve tanë”, shkroi i pari i MPB-së.

  • Zgjedhjet e 23 prillit: Kurti nis fushatën dhe përkrah kandidatët e LVV-së për kryetarë komunash

    Zgjedhjet e 23 prillit: Kurti nis fushatën dhe përkrah kandidatët e LVV-së për kryetarë komunash

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka takuar kandidatët e subjektit të tij në Mitrovicën e Veriut. Në takim, Kurti ka qenë së bashku me disa ministra dhe deputetë të partisë.

    Më 23 prill do të mbahen zgjedhjet lokale për komunat në veri të cilat mbeten pa kryetar si shkak i dorëheqjes së Listës Serbe nga institucionet. LVV-ja ka prezantuar kandidatët, ndërsa Kurti ka thënë se Komuna e Mitrovicës së Veriut sot është vend më i sigurt sesa që ka qenë dy vite më parë.

    “115 është numri i Fitores! Komuna Veriore e Mitrovicës sot është vend më i sigurt sesa që ka qenë dy vite më parë. Kjo falë vendosmërisë dhe punës serioze që ka bërë qeverisja qendrore në atë pjesë. Luftimi i krimit, korrupsionit, kontrabandës dhe bandave kriminale atje, ka dhënë rezultate të suksesshme. Nuk ka më ferma të drogës e të kriptovalutave, rrugë ilegale për kontrabandë. Ka prani të shtetit, stacione të reja të policisë që garantojnë rendin dhe sigurinë”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

    Tutje thuhet se është treguar edhe se çfarë u mungon qytetarëve në atë pjesë dhe si duhen adresuar këto nevoja.

    “Kësaj po i përgjigjen në komunikim të përditshëm me qytetarët katër kandidatët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që me numrin 115 do të jenë kryetarët e ri në komunën Veriore të Mitrovicës, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq. Erden Atiq si Kryetar i ardhshëm i komunës Veriore të Mitrovicës, Flatron Hasani si kryetar i komunës së Zubin Potokut, Fetah Peci si kryetar i Zveçanit dhe Lulëzim Hetemi i Leposaviqit, kanë mbështetjen e plotë të qytetarëve në katër komuna veriore. Përveç kësaj, ata kanë edhe mbështetjen e Kryeministrit, Albin Kurti, dhe të ministrave në kabinetin e tij, me të cilët edhe po punojnë ngushtë për t’iu përgjigjur secilës çështje të interesit dhe nevojës që kanë qytetarë në ato komuna”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

  • Delegacioni i Kosovës organizon një pritje për ndërkombëtaret: Falënderues pas liberalizimit të vizave

    Delegacioni i Kosovës organizon një pritje për ndërkombëtaret: Falënderues pas liberalizimit të vizave

    Një delegacion i Kosovës i udhëhequr nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla-Schwarz, së bashku me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ambasadorët Agron Bajrami e Lulzim Hiseni dhe zyrtarët tjerë përcjellës, kanë qëndruar dje në Strasburg.

    Kjo pasi Parlamenti Evropian gjatë seancës së rregullt plenare miratoi me konsensus liberalizimin e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës.

    Sipas MPJD-së, me këtë hap përmbyllet procesi i liberalizimit të vizave i cili nënkupton se shtetasit me pasaporta biometrike kosovare mund të udhëtojnë dhe qëndrojnë në shtetet e Zonës Schengen më së largu nga 1 janari 2024.

    “Aty, ministrja shfrytëzoi rastin të takojë një numër eurodeputetësh të cilët i falënderoi shumë për kontributin e tyre në përmbylljen e këtij procesi”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

    “Pas miratimit, ministrja gjithashtu organizoi një pritje rasti për eurodeputetët, ku morën pjesë përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare prezente në Parlamentin Evropian”.