ATV

Category: Lajme

  • Të premten Fitër Bajrami

    Të premten Fitër Bajrami

    Muaji më i rëndësishëm i besimtarëve myslimanë, Ramazani do të përfundojë ditën e enjte, më 20 prill 2023.

    Dita e parë e festës së Fitër – Bajramit është të premten, më 21 prill 2023.

    Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës informoi se manifestimi qendror për festën e Fitër Bajramit për Republikën e Kosovës do të mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

    Manifestimi do të fillojë në orën 5:05, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit siç u bë e ditur nga BIK, do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga teologu, Muhamed ef. Stublla.

    “Namazi i Fitër – Bajramit falet në orën 06:23, të cilit do t’i prijë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti. Hytben e Fitër – Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili do t’i drejtohet opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste.”, u bë e ditur nga BIK.

    Me rastin e festës së Fitër – Bajramit, ditën e parë, më 21 prill 2023, Kryesia e BIK-ut, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00.

    Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës uroi festën e Fitër – Bajramit të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë, “duke e lutur Zotin që t’i ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe ibadetet tona”.

  • Haxhiu: Në Qendrat për Punë Sociale ka shumë sfida e boshllëqe ligjore

    Haxhiu: Në Qendrat për Punë Sociale ka shumë sfida e boshllëqe ligjore

    Ministrja e Drejtësisë, Albulen Haxhiu deklaroi sot se në Qendrat për Punë Sociale ka shumë sfida e boshllëqe ligjore. Kështu tha ajo në konferencën për prezantimin e analizës mbi gjendjen aktuale të Qendrave për Punë Sociale, në aspektin ligjore, institucional dhe funksional.

    Ministrja u shpreh se raporti flet për shumë mungesa e boshllëqe ligjore.

    “Me qëllim të krijimit të një pasqyre sa më reale të këtyre shërbineve, si ministre e Drejtësisë në fillim të muajit shkurt kam formuar një grup punues. Ky grup është ufhëhequr nga Ministria e Drejtësisë, sot kemi në dorë një analizë të qartë për nevojat dhe problemet Qendrave Sociale”, tha Haxhiu.

    Ajo tha se kjo gjendje nuk duhet të lejohet të vazhdohet nga niveli qendror e lokal.

    “Kur Qendra për Punë Sociale janë të mjaftueshëm për të kryer punën e tyre, do të kemi më pak raste të fëmijëve në rrugë, të rasteve të keqpërdorimit, të viktimave të dhunës seksuale. Jemi të përkushtuar qe të bëjmë maksimumin. Në këtë drejtim, do të punohet në krijimin e një skeme të qëndrueshme”, shtoi ajo.

    Drejtoresha e koalicionit të OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve (KOMF), Donjeta Kelmendi u shpreh se ka sfida ligjore dhe është emergjente të ndryshohen.

    “Kanë dalur sfidat ligjore dhe është emergjente që këto ligje, ndryshimet qe priten të bëhen, janë emergjente për të proceduar, duke qrnë se vetëm Ligji Për Prokurorim është finalizuar. Pjesa struktorore, për shërbime sociale ëahtë baza e funksiobimit. Ka qendra që nuk kanë fare automjet. Vetëm 28 per qind e qendrave janë përgjigjur se aktualisht kanë kushte të ofrojnë shërbime”, shtoi ajo.

  • Haradinaj: Misioni ynë historik për liri e pavarësi u realizua falë veprës heroike të luftëtarëve çlirimtarë

    Haradinaj: Misioni ynë historik për liri e pavarësi u realizua falë veprës heroike të luftëtarëve çlirimtarë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar luftëtarët që dhanë jetën për liri.

    “Nderojmë veprën e heroit të luftës së lavdishme çlirimtare, Sali Çekaj, në ditën e rënies së tij dhe tërë sakrificën për liri të Brigadës 138 “Agim Ramadani”. Sali Çekaj, luftëtar e atdhetar shumëdimensional, ra heroikisht 24 vjet më parë së bashku me bashkëluftëtarët e tij; Shefqetin, Mejdiun, Luanin, Ilirin, Hysniun, Izetin, Bejtën, Azizin, Afrimin, Fatosin, Fisnikun e Leonardin. Ata ranë për të mbetur gjallë në kujtesën e popullit dhe shtetit të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

    Haradinaj tha se “misioni ynë historik për liri dhe pavarësi u realizua falë veprës heroike të luftëtarëve çlirimtarë dhe sakrificës së martirëve, të cilët gjithmonë do të jenë frymëzim dhe udhërrëfyes në ndërtimin e të sotmes dhe të ardhmes sonë”.

    “Po ashtu, sot kujtojmë të rënët e pranverës së përgjakur në Rugovë e Podgur, të prirë nga Komandanti Selman Lajçi. Kujtojmë sakrificën e Batalionit “Atlantiku” – Yllin, Agronin dhe Mehmetin. Ata janë tregimi më i mirë për luftëtarin shqiptar ndër breza”, ka shtuar Haradinaj.

  • Paralajmërohet rritje e çmimit të biletave të autobusëve

    Paralajmërohet rritje e çmimit të biletave të autobusëve

    Këshilli Drejtues i Shoqatës së Transportit rrugor, ka kërkuar që çmimet e biletave për transportin ndërurban të ngriten për 25%.

    Këtë kërkesë e bëri Naser Januzi, nga kompania “ Barileva” në mbledhjen e Këshillit Drejtues.

    AI tha se janë rritur shpenzimet, duke përmendur edhe çmimet e larta të pjesëve të autobusëve.

    “Unë kisha propozuar që nga sot të kemi 25% të rritën çmimet. Janë rritur çmimet e pjesëve të autobusëve, e ne nuk i kemi rritur”, tha Januzi.

    Kadri Rrahmani, nga kompania “Cali” nga Gjakova, tha se sulmi ndaj tyre se nuk po i zbresin çmimet e biletave pas rënies së çmimit të derivateve të naftës, nuk është në rregull.

    Sipas tij, ata kanë edhe shpenzime të tjera.

    “Po bëhem pak i tepërt po më prek fortë. Sulmi ndaj nesh po e quaj sulm që na është dhënë është për fajin tonë. Për shkak se nëse do t’i ngrisnim çmimet e biletës siç janë rritur çmimet e tjera atëherë në rregull. Ai zotëriu mund të flasë për veten, se nuk është vetëm nafta, është goma, vaji e shumë të tjera”.

    “Cili student vjen të udhëtojë me autobus, e që nuk blen ndonjë lëng, apo ëmbëlsirë, apo që nuk ka telefon të mençurit. Po çfarë varfërie, na shoqatë humaniste nuk jemi”, tha Rrahmani.

    Shkelzen Nikqi, nënkryetar i Unionit të shoqatave të transportit, tha se Shoqata e naftëtarëve është fajtori kryesor për rritjen e çmimeve.

    Ai madje tha se nga kjo shoqatë mund të flasin vetëm për anëtarët e tyre e jo për shpenzimet që kanë transportuesit.

    “Sa i përket çmimit të biletave, unë nuk e di çfarë morali mundet me pasë një shoqatë e tillë. Nuk kam respekt fare për naftëtarët, sepse ata janë kryesorët në këtë çështje. Një naftëtarë mund të flasë vetëm për biznesin e tij jo për të gjithë operatorët e transportit. Unë mund të i’u them me bindje të plotë se çmimi i biletës për trasenë e rrugës Prishtinë-Pejë është i njëjti çmim i biletës. Është turp nga ne që të na kërkojnë ulje të biletës sepse nuk ka pasur”, tha Nikqi.

    Përderisa kryetari Jakup Berisha tha se ka pasur shumë ftesa për takime me OJQ të ndryshme për mosngritjen e çmimeve të biletave, edhe pse nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

    Sipas tij, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve Fadil Berjani ka shkaktuar amulli në opinion kur ka thënë se pas uljes së çmimit të derivateve do të ulene ehde çmimet e tjera.

    Sipas tij, ata realizojnë edhe shpenzime të tjera përveç derivateve, dhe se kjo shoqatë nuk mund të flas në emër të tyre, raporton EO.

    “Ju keni parë që është në opinion, edhe disa OJQ që i mbrojnë studentët, që e mbikëqyrin tregun. Ata kërkojnë nga unë të bisedojnë me mua, për çmimet e transportit ndërurban. Është një deklaratë e zotit Fadil Bernjani, i cili në një konferencë për shtyp tha se nafta do të bie në muajin mars dhe prill, dhe tha se të gjitha çmimet do të bien, e cila ka krijuar amulli. Edhe shumë regjione nuk i kanë ngritur çmimet”.

    “Atëherë kanë filluar gazetarët mua të më bëjnë presion kur po i zbritni. Edhe po të zbresë nafta, unë mendoj se çmimet e karburantit marrin pjesë në të hyrat e kompanisë 39-40%, por kemi faktorë të tjerë që ndikojnë. Kemi një ikje të madhe, dhe prej studentëve deri të pensionistët të gjithë ata që kanë udhëtuar me autobus, kanë ikur shumica”.

    “Shoqatës së naftëtarëve duhet t’i tërhiqte vërejtja sepse ajo mund të flasë për shoqatën e vet, unë flas për shoqatën time. Jemi nën presionin edhe të Qeverisë, edhe të punëtorëve që të rrisim pagat, edhe ne duhet t’i rrisim për shkak se po na ikin punëtorët”, tha Berisha.

  • ​S’ka kuorum, shtyhet seanca

    ​S’ka kuorum, shtyhet seanca

    Seanca e Kuvendit të Kosovës, e planifikuar për orën 10:00 është shtyrë për në orën 12:30, për shkak të mungesës së kuorumit.

    Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i cili ka thënë se nevojiten votat e mazhorancës për votimin e shumë pikave të rendit të ditës, transmeton KP.

    Konjufca ka kritikuar deputetët për mungesë të prezencës.

    Sipas tij, me këto sjellje të papërgjegjshme, kjo legjislaturë nuk meriton të vazhdojë.

    Në rend dite për seancën e sotme janë pika të papërfunduara nga seancat e muajit shkurt dhe mars.

    Në mesin e tyre është edhe votimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2021, votimi i Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, votimi në parim i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

  • India e kalon Kinën si vendi më i populluar në botë

    India e kalon Kinën si vendi më i populluar në botë

    India pritet ta kalojë Kinën si vendi më i populluar në botë deri në mesin e këtij viti, me pothuajse tre milionë banorë më shumë, sipas parashikimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

    Popullsia e Indisë do të numërojë 1.4286 miliard banorë në mesin e vitit 2023, krahasuar me atë të Kinës prej 1.4257 miliard banorësh, ka treguar një raport i Fondit të OKB-së për Popullsinë, i publikuar më 19 prill.

    Numri i banorëve në Kinë është tkurrur për herë të parë që nga viti 1960, kur miliona njerëz vdiqën nga uria, për shkak të politikave katastrofike bujqësore të ish-udhëheqësit Mao Zedong.

    Shumë njerëz kanë vlerësuar se përgjegjës për ngadalësimin janë rritja e kostos së jetesës, si dhe rritja e numrit të grave të punësuara dhe me arsimim të lartë, raporton AFP.

    Si po synon Kina të rrisë shkallën në rënie të lindshmërisë?

    Pekini ka ndërprerë më 2016 politikën e rreptë “një fëmijë”, të vendosur në vitet e 1980-ta, mes frikës nga mbipopullimi, dhe nga viti 2021 ka filluar t’u lejojë çifteve të kenë tre fëmijë.

    India nuk ka të dhëna të reja zyrtare se sa banorë i ka, sepse nuk ka kryer regjistrim të popullsisë që nga viti 2011.

    Regjistrimi, që India e bën një herë në dekadë, ishte paraparë të kryhej më 2021, por është shtyrë, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

    Kritikët thonë se qeveria po e shtyn qëllimisht regjistrimin, për të fshehur të dhënat për çështje të nxehta, si papunësia, para zgjedhjeve kombëtare, që parashihen të mbahen vitin e ardhshëm.

    Sipas qendrës hulumtuese Pew, popullsia e Indisë është rritur për më shumë se një miliard banorë që nga viti 1950, kur OKB-ja filloi të mblidhte të dhëna për popullsinë./rel

  • Pa viza, por “me një krah” dokumente: Çfarë duhet të keni me vete për të hyrë në zonën Schengen?

    Pa viza, por “me një krah” dokumente: Çfarë duhet të keni me vete për të hyrë në zonën Schengen?

    Qytetarët e Kosovës, pas 1 janarit 2024, do të mund të lëvizin pa viza në 27 shtetet e zonës Schengen.

    Mirëpo pavarësisht liberalizimit të vizave të gjitha që vendosin të vizitojnë shtetet e zonës, para se të hyjnë në kufirin e shtetit të parë të kësaj zone duhet të kenë me vete një serë dokumentesh, pa të cilat hyrja e tyre do të refuzohet.

    Qytetarët e Kosovës, gjatë udhëtimit pa viza në zonën Schengen duhet të plotësojnë disa kushte, të cilat përfshijnë:

    a) Të jetë i pajisur me pasaportë biometrike.

    b) Të deklarojë qëllimin e udhëtimit si dhe të paraqesë, para punonjësit të kontrollit kufitar, dokumentet që justifikojnë qëllimin dhe kushtet e qëndrimit.

    Kur deklarohet në kufi se po udhëtohet për turizëm, për pushime, i pavarur nga pritja apo shoqërimi i një personi tjetër, shtetas apo rezident në atë vend etj.

    Po ashtu duhet të paraqitet një rezervim hoteli, bileta e kthimit (nëse udhëtohet me avion ose mjete të transportit ujor) si dhe të ardhurat financiare që ka ai me vete.

    Kur deklarohet se udhëtohet për aktivitete të ndryshme, paraqitet dokumentacioni mbi aktivitetin, për të cilin personi është ftuar.

    Kur deklarohet se udhëtohet për arsye shëndetësore, paraqitet rekomandimi i institucionit shëndetësor shqiptar si dhe konfirmimi i institucionit shëndetësor ku do shkohet.

    Kur deklarohet se udhëtohet për vizitë tek një i afërm, duhet të jepet informacion mbi të dhënat e personit pritës, adresa e tij, nr. telefoni, etj.

    Ka vende ku si dokument bindës për autoritetet e kufirit është edhe një ftesë nga familja pritëse e cila mund të jetë e firmosur nga autoritetet komunale. Kjo kërkohet kryesisht në ato raste kur vizitori paraqet dyshime për qëllimin e udhëtimit.

    Në të gjitha rastet, shtetasi duhet të ketë:

    Sigurimin shëndetësor (për periudhën e qëndrimit)

    Dokumentacionin e nevojshëm të makinës, nëse udhëtohet me makinë (leje ndërkombëtare drejtimi automjeti, patentë ndërkombëtare dhe karton të gjelbërt, sigurimin ndërkombëtar të makinës).

    Shtetasi duhet të ketë mjete të mjaftueshme të jetesës, si për periudhën e qëndrimit të synuar edhe për kthimin në vendin e prejardhjes ose transitin në një shtet të tretë në të cilin ai është i sigurt se do të pranohet, apo është në gjendje të përfitojë mjete të tilla në mënyrë të ligjshme. Po sa është kjo shumë? Vende të ndryshme kanë përcaktuar shuma të ndryshme. Përafërsisht kjo shumë nuk e kalon 50 euro dita, kur shtetasi ka një rezervim hoteli.

    Shtetasi nuk duhet të figurojë në listat e personave që përbëjnë kërcënim për rendin, shëndetin publik apo sigurinë e brendshme.

    Emri i këtij shtetasi nuk duhet të figurojë ndër emrat e personave ndaj të cilëve është dhënë masa ndalim hyrje qoftë edhe në një nga vendet në fjalë.

    Autoritetet kufitare të shteteve anëtare të zonës Schengen kanë të drejtë të refuzojnë hyrjen e personave që nuk plotësojnë këto kërkesa dhe të vendosin përfundimisht nëse do të lejojnë hyrjen në zonën Schengen.

  • Deputeti gjerman: Marrëveshja e Ohrit, e vetmja mundësi për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

    Deputeti gjerman: Marrëveshja e Ohrit, e vetmja mundësi për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

    Deputeti i Bundestagut gjerman, Peter Beyer, tha se rrugën e vetme që Kosova dhe Serbia të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian dhe të normalizojnë marrëdhëniet e sheh në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

    Beyer, ish-koordinator i bashkëpunimit transatlantik, shkroi në llogarinë e tij në Twitter, duke ripërtërirë postimin e fundit të kreut të diplomacisë evropiane, Josep Borell, për Marrëveshjen e Ohrit, “është e vetmja mënyrë e mundshme për të arritur si normalizimin e marrëdhënieve ashtu edhe anëtarësimin në BE-në “.

  • ​Dy policë pësojnë lëndime, arrestohet i dyshuari

    ​Dy policë pësojnë lëndime, arrestohet i dyshuari

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person i cili dyshohet që ka penguar dy policë derisa ishin në kryerje të detyrës zyrtare në Pejë.

    Raportohet se policët kanë pësuar lëndime trupore.

    “Pejë 18.04.2023-20:15. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti i ka penguar zyrtarët policor derisa ishin në kryerje të detyrës zyrtare. Gjatë arrestimit i dyshuar ka rezistuar me ç’ rast dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

  • ​Mbrojtja e Thaçit fillon intervistimin e dëshmitarit të dytë të prokurorisë

    ​Mbrojtja e Thaçit fillon intervistimin e dëshmitarit të dytë të prokurorisë

    Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK). Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka filluar intervistimin e dëshmitarit të dytë të prokurorisë por seanca po zhvillohet private.

    Avokatët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kanë kërkuar deri në 12 orë për intervistimin e tij.

    Kjo është dita e tretë që dëshmitari i dytë i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) paraqitet para trupit gjykues.

    Të hënën dhe të martën ai është përgjigjur në pyetjet e prokurorisë dhe pastaj të mbrojtjes së viktimave.

    Gjatë ditës së djeshme, dëshmia është dëgjuar tërësisht e mbyllur për publikun, ndërsa të hënën një pjesë e intervistimit është bërë në seancë publike.

    Para trupit gjykues në Hagë ai është prezantuar si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK) dhe ka folur për aktivitetin e këtij subjekti në Malishevë, nga viti 1990.

    Dëshmitari i mbrojtur ka thënë se ishte kyçur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës(UÇK) dhe sipas tij, në të njëjtën kohë kishte ushtruar edhe aktivitetin e tij në LDK.

    Sipas tij, UÇK dhe LDK nuk kishin raporte shumë të mira.

    Ai ka pretenduar se shtabi i UÇK-së në Malishevë bënte presion që LDK të pushonte aktivitetin e saj në atë pjesë.

    Megjithatë, tutje dëshmitari ka deklaruar se një pjesë e madhe e UÇK-së i njihte institucionet e atëhershme të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën e LDK-së.

    Para këtij dëshmitari, ditë më parë në gjykatore ka dëshmuar dëshmitarja e parë e ZPS-së por seancat janë mbajtur private.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020./kp