ATV

Category: Lajme

  • Parashikimi i motit me Erza Hotin

    Parashikimi i motit me Erza Hotin

    Sot në vendin tonë, moti do të jetë kryesisht i kthjellët dhe me diell. Temperatura minimale do të jetë në Prishtinë me 4 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prizren me 16 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me mot të kthjellët.

    Temperatura minimale do të jetë në Mitrovicë me 5 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prizren me 18 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit me Erza Hotin në ALARM të ATV-së, mund ta gjeni në videon e më poshtme:

  • Itali: Vritet me thikë një 38-vjeçare shqiptare

    Itali: Vritet me thikë një 38-vjeçare shqiptare

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Pavia të Italisë.

    Një 38-vjeçare shqiptare është gjetur e vdekur në shtëpinë e saj në Itali pasditen e së mërkurës rreth orës 17:00.

    Sipas mediave italiane, viktima është identifikuar si Anila Ruçi, ndërsa ka mbetur i plagosur personi që jetonte me të, Osman Bilyhu, 38 vjeç, i cili mori plagë në qafë, krah dhe stomak.

    Shqiptarja u vra me thikë në fyt në shtëpinë ku jetonte në Scaldasole në provincën e Pavias.

    Personin që jetonte me të, shqiptarja e kishte prezantuar si vëllanë e saj.

    Alarmin për vrasjen e ngriti estetistja me të cilën Anila Ruci kishte lënë takim dhe kur kjo e fundit nuk kishte shkuar, ajo kishte njoftuar policinë.

    Dëshmia e të mbijetuarit që po trajtohet në spital do të mund të zbulojë më shumë detaje për ngjarjen e rëndë.

    Hetuesit po hetojnë ende marrëdhënien mes shqiptares dhe personit që aktualisht ndodhet në poliklinikën San Matteo në Pavia.

    Viktima punonte si kujdestare për të moshuarit dhe kishte rreth një vit që jetonte në Scaldasole./Top Channel

  • ​Avokati serb: Në Serbi po arrestohen kundërshtarët e Srpskas, një ish-polic në mesin e tyre

    ​Avokati serb: Në Serbi po arrestohen kundërshtarët e Srpskas, një ish-polic në mesin e tyre

    Avokati nga Beogradi, Ivan Niniq thotë se ata serbë që nuk mbështesin Listën Serbe vazhdojnë të persekutohen nga regjimi i Alekasandar Vuçiqit, shërbimet e sigurisë dhe Milan Radoiçiqi.

    Niniq tregon rastin e ish-zyrtarit të Policisë së Kosovës, Dragan Nikokoliq që është arrestuar nga shërbimi i sigurisë SBPOK.

    “Regjimi në Beograd dhe shërbimet e sigurisë vazhdojnë të persekutojnë serbët që nuk mbështesin të ashtuquajturën Lista Serbe, Radoiçiqin dhe Vuçiqin”, tregon Niniq.

    “Dragan Nikoliq (1975) nga Leposaviqi, baba i tre fëmijëve, deri vonë polic në Policinë e Kosovës, u arrestua nga SBPOK të hënën (10 prill) në vendkalimin Jarinje”, thekson ai.

    “Dragani akuzohet nga Shërbimi Kundër Terrorizmit dhe VJT Beograd se ka kryer veprën penale: shoqërimi për veprimtari anti-kushtetuese (neni 319, paragrafi 2) dhe thirrja për shkelje të rendit kushtetues (neni 309, paragrafët 1 dhe 3)”, shton Niniq.

  • Escobar: ShBA pret propozim konkret nga Kosova për Asociacionin deri më 2 maj

    Escobar: ShBA pret propozim konkret nga Kosova për Asociacionin deri më 2 maj

    I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar thotë se ai pret që të ketë një propozim nga qeveria e Kosovës për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe deri më 2 maj kur udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Bruksel.

    “Shpresoj që deri në 2 maj të ketë një propozim konkret”, tha zoti Escobar në një intervistë për shërbimin shqip të Zërit të Amerikës.

    Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore tha se ka pasur përparim lidhur me këtë çështje dhe një evoluim të jashtëzakonshëm në qëndrimin e qeverisë së Kosovës dhe në veçanti të kryeministrit, për të pranuar këtë detyrim ligjor.

    “Është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme. Por tani po e konsiderojnë si detyrim, janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cila duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit. Dhe ne pajtohemi me këto parametra”, tha zoti Escobar.

    Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara do t’i njohin zgjedhjet e së dielës në Veri të Kosovës edhe nëse Lista Serbe i bojkoton ato, duke thënë se bojkotimi nuk përcakton zgjedhjet.

    “Ne u kemi bërë thirrje dhe unë personalisht u kam kërkuar serbëve, Listës Serbe, që të marrin pjesë dhe të mos heqin dorë nga roli që kanë. Fakti që nuk marrin pjesë, është vendimi i tyre. Por këto parashikohen nga Kushtetuta. Ka vende të paplotësuara. Ka njerëz që nuk po marrin shërbime nga pushteti lokal sepse nuk ka pjesëmarrje. Pra nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme, dhe unë parashikoj që të jenë, rezultati do të jetë legjitim nga këndvështrimi ynë”, tha zoti Escobar.

    Ai tha se shpreson që serbët në Kosovë të gjejnë një mënyrë të rikthehen në institucione. Megjithatë zoti Escobar tha se bojkoti nuk duhet të vonojnë themelimin e Asociacionit.

    “Ai detyrim është i menjëhershëm, është ekzistues. Pra, pavarësisht se kush është në pushtet, Asociacioni duhet të formohet”, tha ai.

    Zoti Escobar e vlerësoi marrëveshjen e Ohrit si “të jashtëzakonshme” dhe tha se nëse ajo zbatohet siç duhet, do të sillte “një epokë të re në marrëdhëniet paqësore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës” dhe do t’i hapte rrugën të ardhmes së tyre euro-atlantike.

  • Kuvendi mban seancë plenare

    Kuvendi mban seancë plenare

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen sot në seancë plenare.

    Mbledhja e Kuvendit është paralajmëruar të nisë nga ora 10:00.

    Në rend dite janë 10 pika, ndër të cilat edhe votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Prokurorin e Shtetit.

    Ndryshe, dje ka dështuar të mbahet seanca për shkak të mungesës së kuorumit të deputetëve.

    Rendi i ditës për seancën e sotme:

    1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
    2. Pyetjet parlamentare,
    3. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L – 123 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive,
    4. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-167 për Prokurorin e Shtetit,
    5. Votimi i rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi për Menaxhimin e Pagave”,
    6. Votimi i rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit: “Funksionimi i sistemit të Grantit të Performancës Komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga Donatorët për vitin 2021”,
    7. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator sistemi, transmisioni dhe tregu sh. A.) dhe Frankfurt am Main (KFË),
    8. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”,
    9. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-184 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje,
    10. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

  • Osmani falënderon eurodeputetët që ndihmuan në liberalizim të vizave

    Osmani falënderon eurodeputetët që ndihmuan në liberalizim të vizave

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë një postim në llogarinë e saj në Twitter, duke falënderuar eurodeputetët që ishin zë i fuqishëm brenda BE-së për heqjen e vizave për Kosovën.

    “Për të gjithë eurodeputetët aktualë dhe ish-deputetë që kanë qenë përkrahësit më të vendosur në arritjen e lirisë së vizave për Kosovën: Faleminderit! Faleminderit që jeni zëri i popullit të Kosovës në Parlamentin e BE-së”, ka shkruar Osmani, duke e përmendur Ulrike Lunacek, Tanja Fajon, Lukas Mandl, Viola VOn Cramon, Thijs Reuten, Ilhan Kyuchyuk.

  • Lidhja që Kina dhe India kanë forcuar me Rusinë

    Lidhja që Kina dhe India kanë forcuar me Rusinë

    Shpesh thuhet se lufta ka pasoja të papritura. Një nga lëvizjet e para të Perëndimit pasi Rusia dha dritën jeshile për pushtimin e Ukrainës ishte vendosja e sanksioneve.

    Por, Rusia jo vetëm që ka mundur të shmangë të gjitha pengesat perëndimore, por i ka përdorur ato për të forcuar tregtinë e saj të naftës në pika të tjera. Eksportet e naftës bruto ruse të transportuara nga deti kanë arritur në 3,5 milionë fuçi në ditë, një shifër që tejkalon 3,35 milionë të regjistruara një vit më parë. Gjëja mbresëlënëse është se nga gjithë kjo naftë, 90% është blerë nga Kina dhe India.

    Sot, vetëm 8% e eksporteve ruse të naftës bruto arrijnë në portet e vendeve evropiane.

    Shumë përpara se Putini të niste sulmin e tij në Ukrainë, Kina ishte tashmë një nga blerësit kryesorë të naftës ruse. Në fakt, në vitin 2021 importet kineze përbënin 25% të naftës së papërpunuar të eksportuar ruse. Kjo shifër është rritur me 36% që atëherë.

    Kemi edhe rastin e Indisë. Para pushtimit, India varej nga Moska për vetëm 1% të naftës së saj. Tani blen 51% të të gjithë naftës së papërpunuar nga Rusia. Për shkak të kësaj lloj “mrekullie tregtare”, digat ruse të naftës, të cilat duhet të ishin në telashe serioze deri më tani, po jetojnë një rini të dytë.

    Ashtu siç thuhet se lufta ka pasoja të padëshiruara, dihet gjithashtu se është momenti ideal për të krijuar miqësi.

  • Von Cramon e quan gabim bojkotin e Listës Serbe për zgjedhjet në veri

    Von Cramon e quan gabim bojkotin e Listës Serbe për zgjedhjet në veri

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e ka vlerësuar gabim të madh bojkotimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe në veri nga ana e Listës Serbe, por ka thënë se nuk pret që e diela të sjellë tensione në veri të vendit.

    Duke folur rreth kësaj çështje, Von Cramon ka shprehur keqardhje për bojkotin e këtyre zgjedhjeve nga ana e Listës Serbe.

    “Bojkoti ka ndodhur tashmë, besoj për shkak të vendimit të Beogradit. Lista Serbe nuk është regjistruar të marrë pjesë në zgjedhje dhe këtë e konsideroj gabim të madh. E kam kritikuar hapur një vendim të tillë dhe jam përpjekur të kontaktoj me njerëz të caktuar në Begorad. Ky do të duhej të kishte qenë sinjal i mirë që të gjitha subjektet politike dhe kandidatët të ishin regjistruar dhe njerëzit në veri ngadalë të ktheheshin në institucione. Këto zgjedhje do të duhej të ishin një test në këtë drejtim. Shpreh keqardhje që Lista Serbe nuk është regjistruar dhe nuk do të marrë pjesë në zgjedhje dhe realisht ky nuk është sinjal premtues”, ka thënë Von Cramon.

    Ajo tutje ka thënë se “nëse njerëzit i bojkotojnë zgjedhjet nuk do të thotë detyrimisht të ketë përshkallëzim”.

    “Shpresoj që njerëzit atje të jenë të kujdesshëm. Nëse nuk dalin në zgjedhje është vendim i tyre, por kjo nuk do të thotë se do të ketë ndonjë synim për ta përshkallëzuar situatën. Do të doja të shihja një shkallë të lartë të daljes në zgjedhje, por siç e thashë pala kryesore ka vendosur që të mos dalë në zgjedhje dhe ky është një problem. Sidoqoftë, secili qytetar jo vetëm që është i mirëpritur të dalë në zgjedhje por edhe i kërkoj që të veproj në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka nënvizuar Von Cramon.

    Von Cramon: Liberalizimi i vizave, hap drejt eurointegrimit të Kosovës

    Von Cramon ka thënë se me nënshkrimin e sotëm të aktit ligjor në Strasburg nga Këshilli i Evropës për liberalizimin e vizave për Kosovën kjo çështje ka përfunduar dhe qytetarët e Kosovës që nga 1 janari i vitit 2024 do të mund të lëvizin lirshëm.

    Ajo ka thënë se nuk pret që të ketë më vonesa në këtë drejtim. “Me nënshkrimin e sotëm të Këshillit të BE-së është fundi i këtij procesi. Nuk mendoj se mund të ketë ndonjë gjë që do ta zhvlerësonte apo vononte lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Von Cramon.

    “Më 1 janar do të jetë data kur qytetarët do të gëzojnë lirinë e lëvizjes. Nuk e di se sa i kondisderueshëm ka qenë kontributi im, do të kisha dashur të bëja këtë punë shumë më parë, por nuk është varur vetëm nga unë. Por, tashmë kjo punë është kryer dhe për 8 ose 9 muaj qytetarët e Kosovës do ta gëzojnë lirinë e re dhe mundësinë për të ecur drejt BE-së”, ka shtuar Van Cramon.

    Ajo ka thënë se procesi i liberalizimit është hap drejt eurointegrimit, derisa ka shprehur shpresën që Kosova së shpejti t’i gëzohet edhe sukseseve tjera drejt integrimit evropian.

    ”Shpresoj që së shpejti të shohim Kosovën edhe si pjesë të Këshillit të Evropës. Pra, aplikimi është pranuar dhe këtë duhet ta vendosim në rend të ditës. Kjo ka qenë një ndër pikat që është përmendur gjatë dialogut. Edhe pse janë çështje të ndara, me fleksibilitetin në dialog kjo do të diuhej të ishte hapi vijues, derisa më pas edhe aplikimi për anëtarësim në BE, që normalisht merr kohën e saj”, ka nënvizuar ajo.

    Sa i përket mundësisë së keqpërdorimit të liberalizimit të vizave nga qytetarët e Kosovës, siç ka ndodhur me qytetarët e disa vendeve të rajonit vite më parë kur është parë një migrim i hovshëm dhe i paligjshëm drejt shteteve të BE-së, Von Cramon ka thënë se nuk pret që një gabim të tillë ta përsërisin qytetarët e Kosovës.

    ”Kjo ka qenë në fakt arsyeja që disa shtete anëtare nuk kanë qenë pro liberalizimit sepse disa vende tjera të rajonit apo thënë më mirë qytetarët e tyre e kishin keqpërdorur liberalizimin, kishin kërkuar azil, pastaj i kanë keqpërdorur sistemet shëndetësor të disa shteteve dhe kjo ka shkaktuar një lloj nervoze dhe disa qeveri të shteteve anëtare të BE-së me të drejtë kanë qenë skeptike. Nuk besoj se Kosova ka nevojë ta përsërisë këtë gabim. Ju e keni një diasporë të madhe në Zvicër, Gjermani, Austri e shtete tjera dhe është absolutisht legjitime që te vizitohen familjarët në ato vende. Nëse ndodh ndonjë gjë atje, sistemi i BE-së do t’iu ofrojë zgjidhje të mundshme. Por është e qartë se nuk mund të punosh atje, pa pasur një vizë pune apo kontratë pune. Pra duhet të kesh vendbanimin e përhershëm atje për të pasur këtë mundësi dhe kjo nuk është pjesë e liberalizimit të vizave”, është shprehur Van Cramon.

  • Kurti: Është e domosdoshme që në Beograd të hapen arkivat

    Kurti: Është e domosdoshme që në Beograd të hapen arkivat

    Kryeministri Albin Kurti e ka kujtuar grupin e intelektualëve të Mitrovicës të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Ai në Facebook shkroi se është e domosdoshme që në Beograd të hapen arkivat, pasi krimet e kryera në Kosovë, ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë.

    “Më 19 prill 1999, grupi me 23 doktorë, profesorë e veprimtarë të çështjes kombëtare, derisa po largoheshin për në Mal të Zi, janë ndaluar nga forcat serbe.

    Adem Ademi, Idriz Rreci, Demir Ahmeti, Fatmir Fazliu, Adem Beqiri, Sahit Berani, Hasan Dervari, Ali Haliti, Shaip Ujkani, Faton Ujkani, Mahit Ujkani, Nazim Ujkani, Shkelzen Ujkani, Tahir Meziu, Sali Meziu, Naser Meziu, Zymer Meziu, Selim Meziu, Shaqir Meziu, Samir Meziu, Bekim Meziu, Xhevdet Meziu, Xhemail Meziu për herë të fundit janë parë në fshatin Dreth, në komunën e Zubin Potokut. Me dyshimin për varrezë masive, më 26 gusht 2021 ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, kanë gërmuar në fshatin Dreth, mirëpo nuk kanë gjetur asgjë. Forcat serbe, pas vrasjes, kanë zhdukur trupat, në përpjekje të zhdukjes të së vërtetës.

    Është e domosdoshme që në Beograd të hapen arkivat, pasi krimet e kryera në Kosovë, ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë.

    Për zbardhjen e së vërtetës, drejtësi për viktimat e denim për kriminelët e luftës”, ka shkruar Kurti.

  • Rritet numri i kompanive të falimentuara në Gjermani

    Rritet numri i kompanive të falimentuara në Gjermani

    Numri i kompanive të falimentuara në Gjermani është rritur sërish.

    Sipas të dhënave paraprake të Zyrës Federale të Statistikave, në mars u regjistruan 13,2% më shumë falimentime krahasuar me muajin shkurt.

    Në të njëjtën periudhë, numri i falimentimeve të kompanive u rrit me 10,8% krahasuar me muajin janar.

    Gjykatat gjermane raportuan 1 271 falimentime të kompanive, rreth një e pesta më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

    Shumica e kompanive të falimentuara në janar operonin në industrinë e ndërtimit me 246 raste të regjistruara, e ndjekur nga sektori i tregtisë me 204 raste.