ATV

Category: Lajme

  • I bastisen zyra e banesa, drejtori i KEK-ut bëhet për spital

    I bastisen zyra e banesa, drejtori i KEK-ut bëhet për spital

    Hetuesit e Njësitit për Krime Ekonomike, në mesditë bastisën zyrat e Korporatës Energjetike të Kosovës.

    Për afro një orë qëndruan brenda, e cak i tyre ishin dy kontrata për investime në Bllokun A5, mëson televizioni.

    Edhe pse Policia e Kosovës e ka konfirmuar bastisjes, zyrtarë të KEK-ut nuk kanë informacione rreth kësaj situate.

    “Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se sot ka pasur një kontroll nga Policia e Kosovës dhe se nuk ka ndonjë informacion zyrtar rreth arsyeve të këtij kontrolli. Lidhur me këtë, KEK-u si gjithmonë mbetet i hapur për bashkëpunim me organet e rendit dhe do të ofrojë qasje të plotë në cilëndo kërkesë nga këto organe”, thuhet në reagimin e KEK-ut.

    Pas zyrave, hetuesit bastisën edhe shtëpinë e drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

    Për shkak të këtij kontrolli, Krasniqi pati nevojë edhe për trajtim në Klinikën Emergjente, sipas avokatit, për shkak të shqetësimit, por megjithatë nuk ka qëndruar në spital.

    Pas largimit nga QKU-ja, Prokuroria Speciale njoftoi se ka arrestuar Krasniqin nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
    Krasniqi është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh. /atvlive.tv

  • “Boljerat e filterat e Albin Kurtit”/ A ndërlidhen këto deklarata të Armend Zemajt me aksionin e sotëm në KEK?

    “Boljerat e filterat e Albin Kurtit”/ A ndërlidhen këto deklarata të Armend Zemajt me aksionin e sotëm në KEK?

    Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një aksion të bastisjes në KEK. Në këtë aksion është bastisur edhe zyra e drejtorit të kësaj korporate, Nagip Krasniqi, i cili po dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Policia e Kosovës gjatë ditës e ka konfirmuar se ka kryer sot bastisje në zyrat qendrore të Korporatës Energjetike të Kosovës-KEK në Prishtinë.

    Ndërsa, Korporata Energjetike e Kosovës-KEK ka potencuar se nuk ka ndonjë informacion zyrtar për këtë çështje.

    “Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se sot ka pas një kontrollë nga Policia e Kosovës dhe se nuk ka ndonjë informacion zyrtar rreth arsyeve të kësaj kontrolle.

    Lidhur me dyshimet për keqpërdorime në KEK ka pasur akuza edhe më parë nga opozita.

    Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, për këtë gjë kishte folur në intervistën e tij më datën 30 mars në emisionin DIREKT në ATV, ku e kishte akuzuar kryeministrin Kurti, për siç e quan ai, talljen e cila i kushtoi 4.4 milionë euro më shumë për çdo muaj vetëm për shkak të mos funksionimit të bllokut A5.

    “Te interferimet e njerëzve të Lëvizjes Vetëvendosje, këshilltarëve të pensionuar, të nomenklaturës së kaluar, të cilët janë instaluar në Vetëvendosje dhe nga atje japin këshilla për Korporatën Energjetike të Kosovës për menaxhmentin ku ishte edhe rasti me anulimin e tenderit për riparim, ku edhe ky tender, kushtoi 2 milionë më shumë se në vitin 2020 dhe kjo nuk ka emërtim tjetër përpos aferë korruptive edhe korrupsion masiv mbi kurrizin e qytetarëve të vendit”, kishte deklaruar Zemaj. /atvlive.tv

  • Arrestohet Nagip Krasniqi

    Arrestohet Nagip Krasniqi

    Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës, ka arrestuar një person me inicialet N.K. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale ‘’Konflikti i interesit’’ nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

    Po ashtu, Njësia e Veçantë e Hetimeve sot ka bastisur zyrën e të pandehurit N.K. në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura. Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.

    Me aktvendim të prokurorit të shtetit i pandehuri me inicialet N.K., është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh.​

  • Ambasadori i OSBE-së, Michael Davenport, para studentëve të AAB-së: Tani kemi rol mbështetës në konsolidimin e institucioneve

    Ambasadori i OSBE-së, Michael Davenport, para studentëve të AAB-së: Tani kemi rol mbështetës në konsolidimin e institucioneve

    Shefi i Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë për Kosovë, ambasadori Michael Davenport, vizitoi Kolegjin AAB.

    I shoqëruar nga dekani i Fakultetit Juridik, Veton Vula, ambasadori i OSBE-së, Davenport, zhvilloi një bashkëbisedim me studentë të juridikut, shkencave politike, administratës publike dhe të tjera drejtimesh.

    Ambasadori u shpjegoi studentëve për misionin e OSBE-së dhe rolin mbështetës për institucionet e sigurisë, drejtësisë, komunat, komunitetet dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve në të kaluarën.

    “OSBE-ja gjithmonë ka luajtur rol mbështetës këtu. Puna e vërtetë është bërë nga ata në Kosovë, që ishin të vendosur të ndërtonin këto institucione me mbështetjen e OSBE-së. Cili është roli tani? Policia është tani, gjykatat janë. Përgjigjja është, tani ka të bëjë me konsolidimin e institucioneve”, tha Davenport.

    Ai lavdëroi punën dhe avancimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Avokatit të Popullit, teksa përmendi edhe sfidat dhe rolin në zgjidhjen e tyre – me theks ato në sistemin e drejtësisë.

    “KPK-ja, KGJ-ja dhe Ministria e Drejtësisë bënë një deklaratë të përbashkët për forcimin e drejtësisë, trajnimet, vlerësimin profesional. Vërtetë e mirëpres këtë, sepse kemi pasur një periudhë shumë të vështirë, praktikisht kishim bojkot të Qeverisë nga gjyqësori lidhur me pagat. Ne ishim të përfshirë në diskutimet për këtë deklaratë dhe miratimin e saj”, theksoi Davenport.

    Dekani Veton Vula e vlerësoi lart bashkëpunimin e OSBE-së me kolegjin AAB dhe paralajmëroi projekte tjera të përbashkëta.

    “Vitin e kaluar, kishim disa takime dhe konferenca ndërmjet OSBE-së dhe kolegjit tonë për të drejtat e njeriut dhe religjionin. Këtu ishin të gjithë përfaqësuesit e religjioneve në Kosovë. Ne do të vazhdojmë edhe në nëntor dhe dhjetor, sepse në dhjetor e kemi ditën e të drejtave të njeriut”, tha Vula.

    Diplomati britanik, i cili në të kaluarën ka shërbyer si ambasador i Britanisë së Madhe, por edhe Shef i BE-së në Serbi, u përgjigj në pyetjet e studentëve për sfidat e misionit në Kosovë dhe përvojat nga e kaluara.

    Ambasadori Davenport ishte i interesuar në pikëpamjet e studentëve për ndikimin e liberalizimit të vizave në të ardhmen e tyre.

    Shumica e studentëve thanë se liberalizimi i vizave krijon mundësi më të mira për zhvillimin profesional dhe personal, përmes studimeve jashtë vendit, por theksuan se preferojnë kthimin për të dhënë kontribut në Kosovë.

  • Bislimi pas nënshkrimit të marrëveshjes për heqjen e vizave: Përçohet mesazhi se jemi pjesë e Evropës

    Bislimi pas nënshkrimit të marrëveshjes për heqjen e vizave: Përçohet mesazhi se jemi pjesë e Evropës

    Në Stazburg ka përfunduar ceremonia e nënshkrimit të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se me këtë rast është mbyllur një proces i gjatë që kishte edhe pengesa gjatë rrugës.

    “Ka marrë 11 vjet kohë. Kishte ngecur në Këshill për shumë vjet. Por kemi punuar ngusht me të gjitha shtetet anëtarë që kjo të bëhej e mundur”, është shprehur Bislimi.

    “Dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët për durimin. Do të bëjmë fushata për t’i njoftuar ata se çfarë është dhe çfarë nuk është liberalizimi”.

    Bislimi ka thënë se me heqjen e liberalizimit të vizave, kosovarët do të ndjehen më evropianë.

    “Është mesazh për qytetarët se edhe ne jemi pjesë e Evropës. Ka të bëjë me studentët, sportistët, të cilët mund ta eksplorojnë Evropën”.

    Ai ka theksuar më tej se me këtë vendim, nuk do të ketë më pengesa për sportistët e artistët, të cilët janë penguar të marrin pjesë nëpër ngjarje, shkaku i mosdhënies së vizave.

  • Bastisjen e Policisë në zyrat korporatës e konfirmon edhe KEK-u

    Bastisjen e Policisë në zyrat korporatës e konfirmon edhe KEK-u

    Policia e Kosovës ka kryer sot bastisje në zyrat qendrore të Korporatës Energjetike të Kosovës-KEK në Prishtinë.

    Këtë bastisje e ka konfirmuar edhe KEK-u, ku përmes një komunikate thotë se ende nuk kanë ndonjë informacion zyrtar rreth arsyeve të kësaj kontrolle.

    “Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se sot ka pas një kontrollë nga Policia e Kosovës dhe se nuk ka ndonjë informacion zyrtar rreth arsyeve të kësaj kontrolle. Lidhur me këtë, KEK si gjithmonë mbetet e hapur për bashkëpunim me organet e rendit dhe do të ofrojë qasje të plotë në cilëndo kërkesë nga këto organe. Megjithatë, KEK mbetet në funksion të përmbushjes së interesit të përgjithshëm publik për prodhimin e energjisë dhe ofrimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike të qytetarëve të vendit”, thuhet në komunikatën e KEK-ut. /atvlive.tv

  • Reuten: ETIAS duket se s’do të jetë funksional deri më 1 janar 2024

    Reuten: ETIAS duket se s’do të jetë funksional deri më 1 janar 2024

    Raportuesi i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Thijs Reuten, ka thënë se ishte i befasuar me kushtin që i ishte vënë Kosovës me sistemin ETIAS.

    Reuten tha ETIAS nuk duket të jetë funksional deri më 1 janar, por ai tha se kushti nëse ETIAS-i është funksional apo jo më herët nuk do të përdoret.

    “Dhe, për këtë ka qenë e rëndësishme që të kishim një datë të fundit në marrëveshje dhe duke i parë zhvillimet për rreth implementimit të ETIAS-it, me gjasë do të presim atë datë”, është shprehur Reuten pas nënshkrimit të vendimit të liberalizimit të vizave për Kosovën.

    Ai më tej tha se sistemi ETIAS ishte kusht i shtuar pa nevojë në negociata dhe ishte për të shtyrë kohën.

  • ​Krasniqi: Kërkojmë nga Qeveria angazhim maksimal për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor

    ​Krasniqi: Kërkojmë nga Qeveria angazhim maksimal për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga Qeveria dhe institucionet e sigurisë angazhim maksimal për mbarëvajtjen e rregullt të procesit zgjedhor në veri të vendit.

    Ai ka takuar kandidatet e PDK-së për kryetarë të komunave në veri të vendit, për zgjedhjet e 23 prillit, dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës.

    “Në këtë takim diskutuam për përgatitjet në lidhje me këtë proces që do të mbahet të dielën, më 23 prill, dhe për gatishmërinë e kandidatëve të PDK-së për të marrë përgjegjësi udhëheqëse dhe për të qeverisur për të gjithë qytetarët, pa dallim, përkundër sfidave për shkak të tensioneve në këtë pjesë të vendit. Ata janë të vendosur që ta kryejnë punën e tyre me përkushtim të paepur dhe për këtë e kanë mbështetjen e plotë timen dhe të PDK-së”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

    Për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit, në veri të Mitrovicës PDK garon me Taulant Kelmendin, në Leposaviq me Albulena Behluli-Hetemi, me Izmir Zefirin në Zubin Potok dhe me Ilir Pecin në Zveqan.

    “Ndonëse procesi i votimit do të organizohet kryesisht nëpër qendra alternative të votimit, ne ftojmë të gjithë qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, të dalin dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës për një të ardhme më të mirë për vete dhe familjet e tyre. Po ashtu, kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe institucionet përkatëse të sigurisë, angazhim maksimal për mbarëvajtjen e rregullt të procesit zgjedhor”, ka shkruar ai.

  • Nuk ka liberalizim për serbët e Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Serbia

    Nuk ka liberalizim për serbët e Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Serbia

    Raportuesi i vizave për Kosovën në Parlamentin Europian, Thjis Reuten, është pyetur për ata serbë të Kosovës që kanë pasaporta të lëshuara nga Beogradi nëse me to mund të udhëtojnë lirshëm pas vendimit për liberalizimin e vizave.

    Ai tha se kjo s’mund të ndodhë meqë ligji është i qartë që në zonën Schengen mund të udhëtojnë mbajtësit e pasaportave të Kosovës.

    “Legjislacioni është i qartë – është për pasaportat që lëshohen nga autoritetet kosovare. Dhe për ata që jetojnë në Serbi, ata tashmë janë të liruar nga viza. Vendimi është formuluar goxha me kujdes. Qytetarët e Kosovës me dokumente të Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm”, tha Reuten.

  • Nënshkruhet vendimi për liberalizimin e vizave

    Nënshkruhet vendimi për liberalizimin e vizave

    Në Strasburg është nënshkruar akti ligjor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

    Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten në një konferencë për media pas nënshkrimit të aktit ligjor pë vizat, tha se më në fund qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza drejt Evropës.

    “Më në fund para gjysmë ore nënshkruam aktin ligjor që u mundëson qytetarëve të Kosovës të lëvizin lirshëm drejt BE-së pa viza. Më në fund udhëtimi drejt BE-së për pushime, vizita familjare, udhëtime biznesi do të jetë më e lehtë”, tha Reuten.
    Ai shtoi se lëvizja pa viza drejt BE-së për qytetarët e Kosovës do të bëhet më së largu më 1 janar 2024.

    “Nga 1 janari 2024 të paktën bartësit e pasaportës kosovare do të mund të udhëtojnë drejt BE-së pa viza. Dua të falënderoj ish-raportuesen për Kosovën dhe ministren e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon për punën e suksesshme që ka bërë në muajt e kaluar për këtë proces”, tha eurodeputeti holandez.

    Reuten shtoi se Kosova i kishe përmbushur kriteret për heqjen e vizave shumë vite më parë.

    “Kosova ka punuar shumë për të përmbushur të gjitha kushtet dhe i ka plotësuar ato shumë vite më parë. Nuk është vetëm moment i rëndësisë së madhe për Kosovën, është i rëndësishëm edhe për ne, sepse BE-ja më fund po e përmbush premtimin e saj për Kosovën”, tha Reuten.

    Një ditë më herët, më 18 prill, Parlamenti Evropian e miratoi vendimin për vizat, duke përmbyllur procedurat vendimmarrëse për këtë çështje.

    Miratimi u bë pa votim, pasi nuk pati asnjë kundërshtim, dhe i hapi rrugën qytetarëve të Kosovës që të lëvizin pa viza në vendet e zonës Schengen prej 1 janarit të vitit 2024.
    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, së bashku me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.

    Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në selinë e Parlamentit Evropian, dhe u drejtua nga shefja e këtij institucioni, Roberta Metsola.

    Pjesëmarrës në ceremoni ishte edhe një përfaqësues i Suedisë, meqë ky shtet kryeson Bashkimin Evropian në këtë periudhë.