ATV

Category: Lajme

  • Mbi 300 vëzhgues të akredituar për zgjedhjet në komunat veriore

    Mbi 300 vëzhgues të akredituar për zgjedhjet në komunat veriore

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar rreth 360 vëzhgues për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen të dielën në veri të vendit.

    Numri i vëzhguesve që përfaqësojnë subjektet politike është 75, në emër të organizatave jo-qeveritare numri është 109, ndërsa dy vëzhgues përfaqësojnë një ambasadë.

    Për këtë proces zgjedhor janë akredituar edhe një numër i mediave vendore dhe ndërkombëtare, me më shumë se 170 përfaqësues.

    Sipas KQZ-së funksionalizimi i kontejnerëve që do të shërbejnë si qendra të votimit do të marrë kohë deri të shtunën.

    Kryeshefi i Sekretariatit, Burim Ahmetaj, ka bërë të ditur se dje ka përfunduar shtypja e fletëvotimeve dhe sot ato do të dërgohen në depo qendrore të KQZ-së.

    Ai ka thënë se për votim përmes postës kanë pranuar vetëm një aplikim nga Gjermania, por që deri sot nuk është dërguar ndonjë zarf me fletëvotim nga ky votues.

    “KQZ do të dërgojë ekipe për monitorimin e zgjedhjeve në katër komuna dhe kjo sigurisht që do të bëhet dhe do të miratohet në mbledhjen e ardhshme do të miratohet përbërja e ekipeve të cilat do t’i monitorojnë zgjedhjet në katër komunat. Në lidhje me shtypjen e vendvotimeve pra SKQZ e ka mbikëqyr procesin e shtypjes dhe printimin e fletëvotimeve që është bërë në Pejë më datën 17 prill, ka filluar procesi i shtypjes së fletëvotimit dhe broshurave dhe ka përfunduar me datën 19 prill pra ditën e djeshme ka përfunduar edhe shtypja e fletëvotimeve. Pas shtypjes ka përfunduar procesi i paketimit dhe pritet të përfundoj gjatë ditës së sotme kur do të bëhet edhe transportimi në depon qendrore të KQZ-së“, u shpreh ai.

    Sipas Ahmetaj përveç një tubimi politik nga Lëvizja Vetëvendosje raportet e KKZ-ve dhe Policisë së Kosovës tregojnë se nuk janë mbajtur tubime tjera.

    Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi është interesuar të dijë se a janë vendosur qendrat alternative për votim në komunat ku do të zhvillohet procesi zgjedhor.

    “Qendrat alternative ku do të vendosen kontejnerët a janë dërguar nëse jo si e keni paraparë dërgimin dhe kush do t’i dërgoj kontejnerët si qendra alternative”, pyeti Gashi.

    Ndërsa, kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së ka deklaruar se aktualisht ndodhen në procesin e rregullimit të hapësirave dhe deri tek funksionalizimi i këtyre qendrave do të marr kohë deri ditën e shtunë.

    Ai ka thënë se nga Ministria e Punëve të Brendshme janë mbështetur jo vetëm për sigurim të kontejnerëve por edhe për rregullimin e lokacionit.

    “Sa i përket funksionalizimit të qendrave të votimit ky proces është në proces të rregullimit të hapësirave se ku do të vendosen qendrat e votimit dhe është në koordinim edhe me Policinë e Kosovës dhe ministrinë e Punëve të Brendshme. Vendosja e kontejnerëve në qendra në nuk mund të bëhet përnjëherësh sepse janë 26 kontejnerë të cilët duhet të vendosen edhe për shkak të rrethanave dhe koordinimit të Policisë e Kosovës kemi shkuar gradualisht t’i vendosim komunë për komunë në mënyrë që të jenë funksional të kenë hapësirë e mjaftueshme dhe statik të vendosur dhe pastaj shkojmë për secilin kontejnerë se është vendosur sipas parametrave dhe kërkesave që KQZ kërkon…është proces që nuk mund të kryhet brenda ditës por do të na merr kohë deri të shtunën qoftë në vendosjen e tyre qoftë në sistemin e tyre dhe me shenjëzimin e tyre dhe informatave të tjera”, tha ai.

    Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike Besnik Buzhala, ka thënë se rreth 360 është numri i vëzhguesve për të vëzhguar zgjedhjet e së dielës.

    “Gjithsej kanë aplikuar 37 organizata vëzhguese duke përfshirë subjektet politike, përfaqësues të vendeve të huaj në Kosovë, shtëpi mediatike dhe OJQ…. Zyra konstaton se 6 OJQ nuk përmbushin kushtet ose kriteret ligjore për tu akredituar si vëzhguese për shkak se nuk janë të specializuara në zgjedhjeve dhe në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut…Në total do të jenë 31 organizata që do të marrin pjesë në procesin e vëzhgimit me gjithsej 357 vëzhgues”, tha ai.

    Në këtë mbledhje të KQZ-së është miratuar edhe dizajni i vulës së fletëvotimit për zgjedhjet për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

    KQZ ka miratuar 49 komisionerë në Leposaviq, 22 në Zubin Potok 22, në Zveçan, 28 komisionerë, ndërsa në Mitrovicë të Veriut 63 komisionerë.

    Më 23 prill, pritet të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të komunave në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potokut dhe Leposaviq si dhe zgjedhje të parakohshme për dy kuvendet komunale, në Zveçan dhe Leposaviq.

    Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb, ndërsa nuk merr pjesë Lista Serbe.

    Qytetarët me të drejtë vote në komunat veriore ku do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mund të votojnë në 19 qendra të votimit, prej tyre 13 do të jenë alternative.

  • Tërnava: Fitër Bajramin e festojmë krenarë e faqebardhë

    Tërnava: Fitër Bajramin e festojmë krenarë e faqebardhë

    Myftiu i Kosovës Naim Tërnava, ka dhënë mesazhin e tij me rastin e festës së Fitër Bajramit, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka thënë se sonte është dita e fundit e agjërimit e se nesër festohet Fitër Bajrami, festë kjo, siç u shpreh ai, tashmë e shtresuar thellë në identitetin tonë.

    “Sonte në vaktin e iftarit, besimtarët myslimanë mbyllin agjërimin e muajit të bekuar, Ramazan, gjatë të cilit me përkushtim, bindje, devotshmëri kryen një ndër kushtet themelore të besimit islam, agjërimin e muajit Ramazan”.

    Tutje, Myftiu i Kosovës tha se muaji i Ramazanit na ka bashkuar “në adhurime, falje e lutje”

    “Gjatë një muaji të tërë ishim si asnjëherë tjetër bashkë në adhurime, falje e lutje. Ishim bashkë në syfyre e në iftare, vizituam familjarë, farefis e miq, treguam solidaritet, mbështetje, respekt e dashuri. Shtëpitë, lagjet e xhamitë tona përjetuan në formën më të mirë gjallërinë, të shoqëruar me ibadete me më të dashurit tanë, me miq e farefis”, tha Tërnava.

    “Ramazanin po e përcjellim të lumtur që krijuesi na e dha mundësinë t’i përjetojmë nimetet e tij, e nesër krenarë e faqebardhë me familjet tona festojmë festën e Fitër Bajramit, festë kjo tashmë e shtresuar thellë në identitetin tonë. Fitër Bajrami është festa më popullore që prek të gjitha moshat dhe të gjitha kategoritë e shoqërisë. Fitër Bajrami na vjen pas një muaji të mëshirës e sakrificës, pas muajit të faljeve e begative të veçanta që i sjell vetëm Ramazani”, u shpreh ai.

    Tërnava uroi festën, duke dëshiruar ngrohtësi, dashuri, harmoni e lumturi.

    “Në këtë natë të madhe në vigjilje të festës së Fitër Bajramit, lusim Zotin për mirësi, begati, paqe, harmoni, larg zënkave e konflikteve, sherreve e egove të dynjasë. Duke iu uruar e përgëzuar, lutem që në familjet tona, festa e Fitër Bajramit të na sjellë ngrohtësi, dashuri, harmoni e lumturi. Me fat festa e Fitër Bajramit”, u shpreh tutje ai.

  • ​Bajrami: Martin Berishaj është “elefanti në dhomë” sa herë flasim për energji

    ​Bajrami: Martin Berishaj është “elefanti në dhomë” sa herë flasim për energji

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka thënë se arrestimi i djeshëm i kryeshefit të KEK-ut është “maja e Ajsbergut” Sipas saj, ambasadori Martin Berishaj është “elefanti në dhomë” sa herë flitet për energji.

    Sipas saj, deputetët e pushtetit kanë frikë sa herë që organet e drejtësisë tentojnë të hetojnë skandalet e korrupsionit.

    “Jemi që dy vite me masa emergjente për furnizim të energjisë elektrike, gjë që shkon në funksion të importit dhe gjë që shkon në funksion të negocimit të drejtpërdrejt të tenderëve. Martin Berishaj është ‘elefanti në dhomë’ sa herë flasim për energji. Profesori që pa verifikim të AKI-së për 24 orë pajisjet me pasaportë dhe emërohet ambasador. Njeriu i cili ka organizuar pritjen dhe ndeja private për udhëheqës të LVV-së dhe deputetë të Listës Guxo. Martin Berishaj po hetohet për një mega-skandal 4 milionë euro transaksione, të gjitha këto të dhëna të njësisë së inteligjencës financiare, të cilat as ai vet nuk i ka kontestuar asnjëherë”, ka thënë ajo, transmeton KP.

    Më tej, ka përmendur edhe tenderin për të cilin akuzohet kryeshefi Nagip Krasniqi, ku shtoi se i njëjti është negociuar për gjashtë ditë.

    “Arrestimi i drejtorit të KEK-ut dje është maja e Ajsbergut, e cila tregon se cilat janë politikat e Qeverisë Kurti në energji. Contour Global nuk do të ndodhë sepse ishte shumë i shtrenjtë, për 83 euro megavati orë energji elektrike, ky është faktikisht drejtori i cili i dha idenë Kurtit që të del kundër Counturit. Mirëpo, çka ka ndodhë në KEK? Dje ne e kishim prangosjen e Nagip Krasniqit i cili sipas raportimeve të mediave po hetohet për një tender 3,4 milionë euro. Të cilin i kishte dhënë kompanisë në fjalë për vetëm gjashtë ditë negociim, tender ky që për nëntë muaj kishte dështuar që të bëhej. Dhe sa është kostoja e mos-funksionimit A5 për nëntë muaj? Për nëntë muaj të mos-funksionimit të bllokut A5, buxhetit të Kosovës i ka kushtuar 1 milion euro në ditë”, ka shtuar Bajrami në seancën plenare.

  • Kusari-Lila për liberalizimin e vizave: Serioziteti i Qeverisë pamundësoi zvarritjen e procesit

    Kusari-Lila për liberalizimin e vizave: Serioziteti i Qeverisë pamundësoi zvarritjen e procesit

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, në seancën e Kuvendit ka folur lidhur me nënshkrimin e aktit ligjor për liberalizimin e vizave për Kosovën.

    Para deputetëve, ajo ka thënë se ky proces është zvarritur shumë, ndërsa ka thënë se në dy vitet e fundit shtyrja e liberalizimit u ndërlidh edhe me dialogun Kosovë-Serbi.

    “Dhe pa arsyetime formale liberalizimi i vizave përdorej si shkop I kushtëzimit të Kosovës sipas dinamikës së dialogut”, është shprehur Kusari-Lila.

    Tutje, ajo ka deklaruar se “serioziteti i Qeverisë Kurti në zbatimin e reformave për rend dhe ligj, për shtet të së drejtës, për liri të fjalës dhe media të lira, përkushtimi në barazi të palëve dhe mbajtja në llogaridhënie e Serbisë në procesin e dialogut, ka pamundësuar shtyrjen e mëtejshme të kësaj të drejte të mohuar gjatë për qytetarët e vendit”.

    “Askush nga spektri politik nuk e mohoi se kriteret teknike tashmë ishin plotësuar, por gjithashtu është e pakontestuar se vullneti politik I munguar të vendet e Bashkimit Evropian është rikthyer me kredibilitetin e qeverisjes në Kosovë”, ka thënë Kusari-Lila.

  • Naim Tërnava flet për sulmin ndaj Valon Sylës dhe për flamurin kombëtar

    Naim Tërnava flet për sulmin ndaj Valon Sylës dhe për flamurin kombëtar

    Myftiu i Kosovës Naim Tërnava, i pyetur rreth sulmit fizik ndaj gazetarit Valon Syla, ka thënë se një gjë e tillë është e ndaluar me fenë islame.

    Tërnava ka thënë se BIK është jetë kundër çfarëdo lloj dhune dhe kujdestare e fjalës e lirë, raporton Ekonomia Online.

    “Një duhet ditur dhe kuptuar që të gjithë Kurani është libër hyjnor i të Madhit Zot. I zbritur tek Muhamedi Alejhi Selam ai Kuran në mënyrë decidive shkruan nuk ka dhunë në fe dhe nga kjo kuptojmë se islami lufton çdo formë të dhunës qoftë ajo dhunë fizike dhunë psikologjike, verbale, materiale çfarëdo natyre qoftë ajo”.

    “Bashkësia Islame e Kosovës është dhe do të jetë kundër çfarëdo lloj dhune, qoftë asaj fizike që është e shprehur, ndaj kujtdo qoftë ajo. Bashkësia Islame e Kosovës në vazhdimësi, do të përkrahë, do të jetë kujdestare e fjalës e lirë. Bashkësia Islame e Kosovës respekton dhe nderon mendimin ndryshe”, tha tutje Tërnava.

    Ndërsa, duke komentuar deklaratat e imamëve për simbolet kombëtare dhe flamurin, Tërnava ka thënë se ato janë simbole identifikimi e kombëtare.

    “Unë jam Myfti i Republikës dhe gjithherë bazohemi edhe në librin tonë të shenjtë Kuranin. Flamuri është një shenjtëri në fenë islame”.

    “Flamuri ka qenë dhe mbetet simbol identifikimi, përkatësisë tonë kombëtare dhe duhet ngulitur thellë në mendjen tonë. Ngase për flamurin tonë se në kontekstin me flamur kuptojmë vendin, kuptojmë ardhmërinë, është një pasqyrë në të cilën ne e shohim veten”, tha Tërnava.

  • Krasniqi: Linja e re elektro-energjetike me mbi 60km në Gjakovë, është në përfundim e sipër

    Krasniqi: Linja e re elektro-energjetike me mbi 60km në Gjakovë, është në përfundim e sipër

    Zëdhënësi e KEDS-it, Lulzim Krasniqi, në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, duke folur për planin investiv të KEDS-it, tha se projekti për për linjën e re 60 kilometra në Gjakovë tashmë është në përfundim e sipër.

    “Projekti për linjën e re 60 kilometra në Gjakovë, është një projekt që ka filluar së realizuari në vitin 2021 dhe tashmë është në mbarim e sipër. Bëhet fjalë për projektin e daljes së Cermjanit, projekt që është i gjatë më shumë se 60 kilometra linjë të rrjetit elektro energjetik. Tre largpërçuesit, ai i Cermjanit, Erenikut dhe i Becit, që derivojnë nga qendra e Gjakovës, degëzohen në drejtim të Deçanit dhe Klinës për t’u bashkuar në daljen e Cermjanit, e cila përgjatë disa fshatrave vazhdon në një linjë deri në fshatin Krelan”, tregoi Krasniqi.

    Ai tha se diku rreth 24 kilometra të linjës me mbi 60km në Ghjakovë, janë rrjet nëntokësor.

    “Është projekt mbi 60kilometra i gjatë, ndërsa diku 24 kilometra të këtij rrjeti janë nëntokësore, ku tashmë janë vendosur edhe pusetat dhe së shpejti pritet që të vendosen edhe elementet e tjera të nevojshme. Në këtë linjë tashmë javë vendosur 817 shtylla elektrike të profileve të ndryshme, duke përfshirë edhe përçuesit elektrikë, ndërkaq së shpejti do të vendosen edhe 6 transformatorë sa është paraparë. Ky është një projekt madhor kapital që është duke u zhvilluar në kuadër të planit investiv të KEDS-it. Bëhet fjalë për më shumë se 2400 konsumatorë, ose rreth 10 mijë qytetarë të asaj ane, duke pasur një rrjet të qëndrueshëm dhe furnizim stabil me energji elektrike”, tha Krasniqi. /atvlive.tv

  • Arrestimi i kryeshefit të KEK-ut, Rizvanolli: Si ministri nuk kemi pasur asnjë informacion zyrtar

    Arrestimi i kryeshefit të KEK-ut, Rizvanolli: Si ministri nuk kemi pasur asnjë informacion zyrtar

    Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Artane Rizvanolli në seancën e sotme të Kuvendit ka folur rreth arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

    Rizvanolli tha se si ministri nuk kanë pasur asnjë informatë zyrtare.

    “Ne si ministri nuk kemi marrë asnjë informatë zyrtare do të presim faktet dhe informacionet nga institucionet e drejtësisë para se të shprehim dhe do të jemi në kontakt me bordin për zhvillimet e atje”, tha Rizvanolli.

    Ministrja tutje foli për menaxhimin e krizës energjetike, derisa lavdëroj punën e KEK-ut.

    “Kriza energjetike në Kosovë është menaxhuar me efekte minimale të konsumatorët kjo falë edhe angazhimit të punonjësve të KEK-ut , bordit me Skender Hazirin në krye dhe kryeshefit ekzekutiv Nagip Krasniqi.

    KEK si ndërmarrje publike ka luajtur rol të rëndësishëm në menaxhimin e krizës. KEK gjatë vitit 2022 ka realizuar planin e prodhimit në masën 97.6% duke prodhuar 5 mijë e 680 gigavat orë. Termocentrali Kosova A ka realizuar 96% të planit, kurse Kosova B ka realizuar 99% të planit” tha ministrja.

    Rizvanolli ka thënë se uron që Prokuroria të veprojnë kështu edhe për rastet e tjera që janë raportuar, që sipas saj janë 17, e për të cilat ka thënë se Prokuroria s’ka marrë ndonjë veprim.

    “Uroj që dyshimet ndaj Kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, uroj që eficienca e Prokurorisë në rastin e dyshimeve ndaj Nagip Krasniqit, të jetë e njëjtë edhe për rastet e tjera të cilat janë raportuar”, ka shtuar Rizvanolli.

  • Zemaj: Paaftësia e Qeverisë, shkak që Escobari po kërkon propozim të shpejtë për Asociacionin

    Zemaj: Paaftësia e Qeverisë, shkak që Escobari po kërkon propozim të shpejtë për Asociacionin

    Deputeti i LDK-së Armend Zemaj, në një prononcim për medie komentoi kërkesën e të dërguarit amerikan për dialogun Gabriel Escobar, se deri më 2 maj duhet të ketë një propozim nga Qeveria e Kosovës për Asociacionin, raporton Ekonomia Online.

    Sipas tij, deri te kjo kërkesë ka ardhur si pasojë e paaftësisë së Qeverisë.

    “Qasja që ka ndodh në procesin e dialogut ose qasja në të cilën ka udhëhequr Kurti na ka pruar në këto situata leje ose merre dhe ky është gabimi kryesor për të cilin ne po i vuajmë këto pasoja. Tash edhe gjykimet edhe kërkesat e partnerëve janë konfrom kësaj qasje e cila për neve, gjithmonë e kemi thënë që në mungesë të pa aftësisë për me qenë koherent me procesin e dialogut të bëjnë dhe të sjellin në këtë situatë”.

    Sipas tij, qe dy vjet ka pasur dyshime se në KEK ka dyshime për afera korruptive.

    “Nuk do ta kishim komentuar po mos ti kishim ngritur këto dyshime që në KEK në këto dy vite ka tenderomani dhe ka dyshime për afera korruptive. Tash fjalën duhet ta thotë drejtësia, ata e kanë edhe gjykimin edhe veprimin kryesor. Ne duhet të presim, por si politikan na takon të shpalosim dhe çka dimë”, tha ai.

    Ai tha se ato informacione që kanë dal në medie, kanë qenë edhe dyshime që janë ngritur në Komisioni Parlamentar Hetimor.

    “Komisioni ka qenë publik, të gjitha procesverbalet janë publike. Ato që i kemi parë nga mediat janë të njëjta dyshime që janë ngritur nga Komisioni Parlamentar Hetimor, sidomos rreth tenderëve që kanë qenë ose për blerjet e energjisë elektrike”, tha ai.

  • ​Fillon dëgjimi i dëshmitarit të tretë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, seanca mbahet e mbyllur

    ​Fillon dëgjimi i dëshmitarit të tretë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, seanca mbahet e mbyllur

    Në seancë të mbyllur për publikun ka filluar të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të tretë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS), në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK). Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë në sallën e gjyqit ndërsa Jakup Krasniqi po e përcjellë këtë proces përmes video-lidhjes nga qendra e paraburgimit në Hagë.

    Para se dëshmitari të arrijë në gjykatore, trupi gjykues ka bërë të ditur se do të lëshojë një urdhër me gojë, për komentet lidhur me pyetjet që dje gjykatësit i kanë bërë dëshmitarit në fund të seancës.

    Përmes këtij urdhri, ai ka theksuar se turpi gjykues e ka autoritetin të mbledh provat që i gjykon të domosdoshme për gjykim të drejtë dhe të plotë të kësaj çështje.

    Por, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, avokat Gregory Kehoe, ka kërkuar leje që të përfundojnë parashtrimin e tyre dhe më pas të kërkohen argumentet e trupi gjykues.

    “Do të kërkonim leje që të përfundonim parashtrimin tonë pastaj të kërkonim argumentet me gojë të gjykatës, para se të merret ndonjë vendim, kjo është një çështje që i përfshinë të gjithë dëshmitarët por sidomos dëshmitarët ‘viva voce, besoj që kemi goxha dëshmitarë ‘viva voqe që do të fillojnë seancën e radhës dhe kjo është një çështje shumë e rëndësishme për të gjitha ekipet e mbrojtjes dhe do të donim të kishim mundësi të dorëzonim një kërkesë të përbashkët për trupin gjykues dhe pastaj të nxirrni urdhrin me gojë lidhur me këtë:, ka thënë Kehoe.

    Megjithatë, kryegjykatësi, Charles L. Smith ka thënë se thënë se trupi gjykues i ka dëgjuar parashtrimet e mbrojtjes së Thaçit dhe Selimit dje, sa i takon pyetjeve të bëra nga trupi gjykues për dëshmitarin e dytë të ZPS-së.

    “Nuk është e përshtatshme për gjykatësit që të shohin deklarata të papranuara të dëshmitarëve për të nxjerrë pista të reja hetimi. Gjykata e Apelit të Kosovës ka konstatuar që një dokument që është diskutuar me dëshmitarin nga trupi gjykues, nuk ishte autentik dhe mbrojtja do të ketë drejtën të rifillojë pyetjet e veta bazuar në pyetjet që janë drejtuar dëshmitarit, deklaratat e mëparshme të dëshmitarit që shërbejnë dhe janë edhe baza e pyetjeve nga trupi gjykues ishin edhe në listën e prezantimeve për këtë dëshmitar”, ka thënë ai.

    Ai ka theksuar se trupi gjykues kur bënë pyetje nuk kufizohet vetëm në materialet që janë renditur në listën e prezantimeve të palës që e ka thirrur dëshmitarin.

    “Trupi gjykues i bëri pyetje dëshmitarit dje lidhur me pjesë të transkriptove të intervistave që dëshmitari i kishte dhënë ZPS-së dhe që ZPS i kishte përfshirë në prezantimet e veta dhe që janë përdorur disa herë nga ekipet e mbrojtjes kur bënë kundërpyetjet veta. Për më tej, i paraqet apo i bënë pyetje dëshmitarit lidhur me një dokument që ishte i përfshirë në listën e prezantime të ZPS-së. Po ashtu, mbrojtja bëri të qartë njoftimin e vet sa i takon relevancës së këtyre dokumenteve apo provave të dëshmitarëve në fjalë dhe e dini se këto dokumente mund të diskutoheshin nga dëshmitari. Asnjë cenim nuk u shkaktua lidhur me këto pyetje. Trupi gjykues nuk kufizohet kur u bën pyetje dëshmitarëve vetëm në materialet që janë renditur në listën e prezantimeve të palës që e ka thirrur dëshmitarin. Fushëveprimi i pyetjeve gjyqësore është i gjerë dhe nuk kufizohet vetëm në një fushë të caktuar, sipas rregullës 127 3, gjykatësi në do fazë mund t’i drejtojë pyetje dëshmitarit”, ka thënë Smith.

    Smith ka thënë se palët nuk duhet të supozojnë se trupi gjykues ka bërë ndonjë paragjykim apo ka cenuar vendime të ardhshme.

    Ai gjithashtu ka bërë të ditur se turpi gjykues do të vlerësojë dhe do të vendosë lidhur me çdo kundërshtim të paraqitur nga mbrojtja për çdo dokument që dorëzohet në bazë të autenticitetit.

    “Trupi gjykues kërkon në përputhje me rregullën 137 (2) të vlerësohen lirisht të gjitha provat që janë dorëzuar paraprakisht për të përcaktuar pranueshmërinë dhe rëndësinë e tyre në përfundim të gjykimit. Palët kujtohen të mos supozojnë se trupi gjykues ka bërë një paragjykim apo ka cenuar vendime të ardhshme në lidhje me këto. Sa i takon autenticitetit, turi gjykues duhet, sipas rregullës 138, të sigurojë që çdo provë e pranuar të jetë autentike. Paragrafi 47 i urdhrit mbi zhvillimin e procesit gjyqësor parashikon që palët mund ta kundërshtojnë një provë materiale, ta bëjnë këtë kundërshtim të qartë në momentin kur kjo provë kërkohet që të pranohet si provë. Trupi gjykues do të vlerësojë dhe do të vendosë lidhur me çdo kundërshtim të paraqitur nga mbrojtja për çdo dokument që dorëzohet në bazë të autenticitetit dhe këtë do ta bëjë në kohën e duhur”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se Dhomat e Specializuara veprojnë në sistemin e drejtësisë së Kosovës dhe se trupi gjykues duhet të funksionojë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

    Sipas tij, Kodi i procedurës penale në Kosovë përcakton që krahas provave të propozuara nga palët dhe palët e dëmtuara, trupi gjykues ka autoritetin të mbledh provat që i gjykon të nevojshme dhe të domosdoshme për gjykim të drejtë dhe të plotë të kësaj çështje.

    “Trupi gjykues rikujton se Dhomat e Specializuara veprojnë në sistemin e drejtësisë së Kosovës. Trupi gjykues duhet të gjykojë dhe funksionojë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe burimeve të tjera që janë përcaktuar në nenin 3 të këtij ligji. Trupi gjykues nuk ka juri, ata janë të mbështetur në fakt dhe në ligj dhe janë gjykatës profesionistë që në mënyrë që të dalin me konstatimet e duhura mund të ndërmarrin të gjitha hapat që gjykohen të nevojshme për të zbuluar të vërtetën, për të bërë këtë turpi gjykues në bazë të nenit 40(9) pika 6 e ligjit, urdhëron nxjerrjen e dëshmive krahas atyre që janë mbledhur paraprakisht apo janë prezantuar para trupit gjykues nga palët”, ka thënë ai.

    Pas përfundimit të këtij urdhri, prokurorja Silvia D’Ascoli ka kërkuar që të merret vendim lidhur me një kërkesë të cilën ka theksuar se e kanë përcjellur përmes postës elektronike, por këtu seanca ka vijuar me redaktime dhe pastaj e mbyllur për publikun.

    Dëshmitari i cili mban kodin W04421 është dëshmitari i tretë i ZPS-së në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve.

    Përveç një pjesë të shkurtë të dëshmitarit të dytë, seancat e tjera në këtë proces gjyqësor janë zhvilluar tërësisht në seancë private.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.

  • ​Kusari-Lila: Serioziteti i Qeverisë pamundësoi shtyrjen e liberalizimit të vizave

    ​Kusari-Lila: Serioziteti i Qeverisë pamundësoi shtyrjen e liberalizimit të vizave

    Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila tha se Kosova është ballafaquar me numrin më të lartë të kritereve teknike për liberalizimin e vizave.

    Ajo theksoi se dje në Strasburg u përmirësua një padrejtësi e cila pengoi për një dekadë udhëtimin pa viza. Sipas saj, serioziteti i Qeverisë Kurti pamundësoi shtyrjen e mëtutjeshme për lëvizje të lirë të qytetarëve.

    Në seancën e sotme plenare, Kusari Lila u shpreh se kjo barazi me popujt tjerë evropianë duhet të shërbejë si motiv dhe reflektim në përmirësimin e jetës.

    “Dje u përmbyll procesi më i gjatë dhe i vështirë i liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj. Pas nënshkrimit të këtij akti, dje në Strasburg u përmirësua një padrejtësi e cila pengoi për dhjetë vite me radhë udhëtimin në zonën Schengen pa viza për kosovarët. Përveç faktit se Kosova u ballafaqua me numrin më të lartë të kritereve teknike, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, ky proces fatkeqësisht ndër vite u lidh edhe me procese politike të cilat në kontekstin e lëvizjes së lirë nuk kisha asnjë ndërlidhje mes veti. Në dy vitet e fundit, shtyrja e procesit u ndërlidh me dialogun Kosovë-Serbi dhe pa arsyetime formale, liberalizimi i vizave përdorej si shkak i kushtëzimit të Kosovës sipas dinamikës së dialogut, në të cilën i suksesi i procesit nuk varet nga njëra palë e aq më pak nga pala e dëmtuar në këtë rast, Kosova”, ka thënë ajo.

    Shefja e deputetëve të shumicës shtoi se përkundër vonesës është lajm motivues, lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës.

    “Serioziteti i qeverisë Kurti në zbatimin e reformave për rend dhe ligj, për shtet të së drejtës, për transparencë dhe llogaridhënie, për liri të fjalës dhe media të lira, progresi i vendit në indikatorët ndërkombëtarë, si Freedom house, indeksi i lirisë së shtypit, përkushtimi në barazi të palëve dhe mbajtje në llogaridhënie Serbinë në procesin e dialogut, pamundësoi shtyrjen dhe kushtëzimit të mëtutjeshëm të kësaj të drejte të mohuar gjatë për qytetarët e vendit”, ka shtuar ajo.

    Kusari Lila u shpreh se Kosovën tashmë e pret një proces tjetër i rëndësisë së lartë që është anëtarësimi në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës.