ATV

Category: Lajme

  • Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë kryesisht me intervale me diell dhe me vranësira të herë pas hershme në disa zona.

    Temperaturën minimale do e mbajë Peja me 7 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Ferizaj me 19 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në Kosovë do të jetë kryesisht me kushte të njëjta atmosferike.

    Temperaturën minimale do e mbajë Peja me 6 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Ferizaj me 16 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit me Diellza Dakën në ALARM të ATV-së, mund ta gjeni në videon e më poshtme:

  • Sektori privat i shqetësuar – Azemi: Nga viti 2021 mbi 100 mijë persona e kanë lëshuar Kosovën

    Sektori privat i shqetësuar – Azemi: Nga viti 2021 mbi 100 mijë persona e kanë lëshuar Kosovën

    Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi tha se kompanitë private në vend kanë mungesë të theksuar të punëtorëve të kualifikuar.

    Ai i tha Ekonomia Online se ika e të rinjve mbetet shqetësim për ta ngase veç prej viti 2021 mbi 100 mijë persona e kanë lëshuar Kosovë.

    Sipas tij, ndonëse pronarët nuk duan të deklarohen për këtë çështje mungesa ka në çdo sektorë, por edhe ka rast te tilla kur kryejnë punë që nuk janë të kualifikuar.

    “Sipas informacioneve tona që mund të jenë edhe zyrtare në vitin 2021 dhe 2022, mbi 100 mijë punëtorë të sektorit privat të Kosovës e kanë lëshuar Kosovën, çka është më e rënda është ajo që këta punëtorë janë kryesisht punëtorë të kualifikuar të cilët, zbrazëtia e tyre në vendet e tyre të punës shkakton jashtëzakonisht humbje të mëdha, kryesisht për kompanitë private, ne jemi çdo ditë në terren dhe secili pronar i kompanisë i ka shqetësimet e veta sepse po i mungon stafi përkatës”.

    “Mungesë të punëtorëve, e pronarët e kompanive nuk duan të deklarohen përndryshe mungesë të punëtorëve ka në secilin sektorë, megjithatë merreni me mend kur punëtorët e ndërtimtarisë hyn në proces të punës edhe një punëtorë i cili nuk ka asnjë kualifikim, punëtori i gastronomisë hyn në punë i cili nuk ka asnjë ditë pune praktike, andaj megjithatë po mbulohen disi por nuk mund të mbulosh punëtorin e kualifikuar me një punëtorë të pakualifikuar”.

    Ndonëse thotë se ka rritje të vogël të pagave ai thotë se punëtorët teknik që kryejën shërbime edhe në institucionet qendrore paguhen deri në 180 euro.

    “Ka një rritje po themi kështu të ndjeshme, me përjashtim të atyre punëtorëve që kryejnë shërbime për institucionet shtetërore, sepse shumë kompani private kryejnë punë për institucionet shtetërore, lidhen marrëveshje kontraktuale, vetëm te këto kompani nuk ka lëvizje sepse Qeveria e Kosovës, ende po i mban punëtorët e sektorit privat të Kosovës me pagën 170 euro dhe këtu kemi punëtorët teknik të cilët po e përsëris kryejnë shërbime edhe në Zyrën e Kryeministrit edhe ministrit të Financave që janë përgjegjës për rritjen e pagave, këta punëtorë marrin pagë 180 euro, kurse te tjerat shërbime megjithatë kemi një ngritje, por asesi t’i plotësojë kushtet normale te jetesës”.

    Duke folur për Ligjin për Pagën minimale ai tha se Qeveria nuk ka vullnet që ta zë në zbatim këtë ligj. Ai pohon se si Sindikatë jannë kundër pagës prej 264 euro, por që asnjëherë nuk janë pyetur për këtë çështje, raporton EO.

    “Ligji për Pagën minimale unë kam një bindje që vullneti jo i mirë i Qeverisë së Kosovës ka mundur ta përfundojë këtë proces, normal që Ligji i Pagave herën e parë është bërë leximi i parë, në Parlamentin e Kosovës, është kthyer që Qeveria e Kosovës të bëjë disa përmirësime. Megjithatë ne e kemi thënë për pagën që e ka propozuar Qeveria e Kosovës, në një mënyrë të njëanshme më mirë le të mbetet kështu se sa të thotë e kam rritur pagën në 264 euro sepse ai nuk po na hyn në punë më neve”.

  • ​Tërmet në ishujt e Zelandës së Re

    ​Tërmet në ishujt e Zelandës së Re

    Një tërmet me magnitudë 7.1 goditi të hënën Ishujt Kermadec në Zelandën e Re.

    Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Emergjencave të vendit (NEMA) tha se nuk kishte “kërcënim cunami” për Zelandën e Re pas tërmetit.

    “Bazuar në informacionin aktual, vlerësimi fillestar është se tërmeti nuk ka gjasa të ketë shkaktuar një cunami që do të përbëjë një kërcënim për Zelandën e Re”, thuhet në një deklaratë.

    Shërbimi Gjeologjik i SHBA tha se epiqendra e tërmetit kishte një thellësi prej 49 kilometrash (30 milje).

    Ishujt Kermadec ndodhen në verilindje të ishullit verior të Zelandës së Re dhe në jugperëndim të Tongës./AA/

  • Aksident i rëndë në Komoran, Policia jep detaje

    Aksident i rëndë në Komoran, Policia jep detaje

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në Komoran.

    Siç edhe mund të shihet në pamjet e siguruara nga ATV, në këtë aksident janë përfshirë disa vetura dhe një kamion.

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje për aksidentin, ku thonë se sipas informatave fillestare, dyshohet se dy persona kanë pësuar lëndime.

    “Sot rreth orës 08:00 të në rrugën nacionale Prishtinë – Pejë, në Komoran ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime dhe dëme materiale, ku janë përfshirë tri automjete, prej tyre një kamion dhe dy vetura. Bazuar në informacionet fillestare nga njësitet policore në terren, dyshohet se dy persona kanë pësuar lëndime. Në vendngjarje njësitet relevante policore janë duke u marrë me rastin”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

    ATV do t’ju mbajë të informuar për detajet e reja.

  • Sipas ekspertëve, zgjedhjet ishin legale dhe kanë legjitimitet

    Sipas ekspertëve, zgjedhjet ishin legale dhe kanë legjitimitet

    Qytetarët serbë në katër komunat e veriut nuk dolën në zgjedhjet e jashtëzakonshme sepse u frikësuan nga politika radikale serbe, por pavarësisht kësaj, zgjedhjet ishin legale dhe kanë legjitimitet të plotë. Kështu deklaruan profesorët universitarë dhe ata të sigurisë në emisionin “RTK Prime”.

    Vlerësimi i përgjithshëm ishte se zgjedhjet ishin të qeta, ndërsa Serbia që kishte dominim të plotë mbi serbët e veriut, nuk arriti të ketë ndikim edhe mbi procesin institucional në veri.

    Artan Mustafa, ligjërues i Politikave Sociale, tha se Kosova ka bërë zgjedhje të mira, por këto të ditës së sotme kanë pasur natyrë tjetër, kanë qenë të jashtëzakonshme dhe të sfiduara nga komuniteti serb.

    “Zgjedhjet nuk kanë qenë zgjedhje të rëndësishme nga aspekti i qeverisjes, por një kontestim i një gare i shtetit të Kosovës dhe asaj Serbisë për sovranitet. Serbia ka dëshmuar të ketë kontroll real atje”, deklaroi ai.

    Mustafa megjithatë tha se Kosova nuk mund t’i ikë Asociacionit, pasi ky është një proces që ka nis nga vitit 2004.

    Megjithatë ai tha se në këtë zgjedhje, nuk ka dominuar vetëm kërcënimi e frika që nuk kanë dalë në zgjedhje, por ka edhe një rezistencë e serbëve dhe Serbisë, kundër institucioneve të Kosovës. “Shmangies së dhunës i ka ndikuare dhe reagimi i diplomatëve ndërkombëtare”, deklaroi mes tjerash Mustafa.

    Ndërsa profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, Flamur Hyseni tha se procesi i zgjedhjeve ka qenë i rregullt, ndërsa e mira, sipas tij është, se Serbia nuk arriti që të vendosë për rendin dhe ligjin në veri.

    “Qeveria ka qenë e vendosur dhe zgjedhjet janë legale dhe çka është legale është edhe legjitime. Nëse shkojmë në aspektin hipotetik se ata (serbët) janë shumicë, kjo nuk paraqet relevancë. Serbët është dashtë të dëgjojnë Beogradin, por Prishtinën dhe të dalin në zgjedhje”, deklaroi Hyseni.

    Sipas tij, ka një lloj vetëdijesimi pasi që nuk ka pasur asnjë incident në zgjedhje. “Bandat e ashtuquajtura dhe Serbia nuk kanë arritur të ndikojnë në proces”, tha ai.

    Ndërsa analisti dhe eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi tha se presioni mbi serbët në veri ka qenë i madh dhe i vazhdueshëm nga Beogradi. Ai përmendi djegien e veturave, e madje edhe dorëheqjen e Jabllanoviqit.

    “Këto zgjedhje ishin të qeta, ndërsa në aspektin e legjitimitetit është për të dëshiruar, por ky proces është përmbyllur me sukses”, tha Ibishi, i cili tha se fillimisht ka qenë për shtyrjen e zgjedhjeve.

    “…por e mira është se procesi ka ecur mirë dhe organet e shtetit kanë kryer punën e vet, përfshirë këtu policinë e Kosovë”, tha ai.

    Edhe mediet e huaja kanë kushtuar vëmendje për zgjedhjet në veriun e Kosovës, me fokus te bojkoti serb për shkak të presioneve që Serbia ka ushtruar ndaj qytetarëve serbë të Kosovës.

    Zgjedhjet e jashtëzakonshme për 4 kryetarët e komunave në veriun e Kosovës kanë zgjuar interesimin e medieve ndërkombëtare, shumica prej të cilave kanë qenë të fokusuara te numri i vogël i pjesëmarrësve të serbëve në këto zgjedhje, për shkak të presionit që ka ushtruar Serbia.

    Kështu Reuters në tekstin e titulluar “Serbët e Kosovës refuzojnë të marrin pjesë në zgjedhjet lokale”, mes tjerash, ka cekur se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka kërkuar që serbët e Kosovës t’i bojkotojnë zgjedhjet, pasi që në to nuk marrin pjesë përfaqësuesit e “Listës Serbe”.

    Reuters shton më tutje se Lista Serbe është përqendruar në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si çështje kryesore në politikën e Serbisë ndaj Kosovës.

    Ndërkaq mediumi publik i Polonisë (TVP), flet për numrin e vogël të pjesëmarrësve të votuesve serbë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore të Kosovës, të nxitur nga Beogradi.

    “Fakti që Serbia kushtëzoi pjesëmarrjen në zgjedhje me krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është shenjë që marrëveshja e nënshkruar, muaj më parë, mes Kosovës e Serbisë në Ohër, nuk është duke funksionuar.

    Kurse Radio Evropa e Lirë (REL), në raportin e saj flet për bojkotin dhe numrin e vogël të votuesve serbë në zgjedhjet lokale në komuat e veiut të Kosovës.

    Sipas REL-it bojkoti i serbëve në pjesëmarrjen në zgjedhje, u organizua nga Beogradi zyrtar. Sipas REL-it ky është një mesazh për Kosovën e ndërkombëtarët se serbët nuk do t’i pranojnë zyrtarët e zgjedhur nga këto zgjedhje.

    E Zëri i Amerikës (VOA), gjithashtu ka shkruar për zgjedhjet në veriun e Kosovës, ku, mes tjerash, ka cekur se që nga nëntori i vitit të kaluar dhe dorëheqja masive e zyrtarëve serbë, qytetarët serbë në veriun e Kosovës mbrohen nga policët shqiptarë e që, mes tjerash, njofton edhe për bojkotin masiv i nxitur nga Beogradi zyrtar, duke i shantazhuar e frikësuar kandidatët dhe qytetarët serbë për të mos marrë pjesë në zgjedhje, ku prej dhjetë kandidatëve për kryetarë komunash, ka marrë pjesë vetëm një prej tyre.

  • Kryesia e Kuvendit mblidhet sot

    Kryesia e Kuvendit mblidhet sot

    Kryesia e Kuvendit do të mblidhet sot.

    Sipas njoftimit, mbledhja do të mbahet në ora 11:00.

    Në rend dite pikat nga seancat e papërfunduara.

    Rendi i ditës:

    I. Miratimi i procesverbalit nga mbledhja e mëparshme e Kryesisë së Kuvendit,

    II. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 2 shkurt dhe 22 mars 2023:

    20. Votimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021,
    21. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2021,
    22. Shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2021,
    23. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit të performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare,
    24. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb.

    III. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 9 shkurt 2023:

    15. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-199 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-060 për Mjekësinë Ligjore,
    16. Shqyrtimi i rekomandimeve për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.04/L-109 për Komunikimet Elektronike,
    17. Përzgjedhja e një (1) anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

    IV. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 23 shkurt 2023:

    8. Votimi i Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës,
    9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-208 për parqet industriale dhe teknologjike,
    10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-209 për investime të qëndrueshme,
    12. Shqyrtimi i Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”,
    13. Propozimi i GP “Multietnik” për shkarkimin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bekim Arifi.

    V. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 9 mars 2023:

    9. Shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2021,
    10. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe monitorimi i tyre mbi ndikimin në mjedis dhe ujëra”,
    11. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit “Performanca financiare dhe operative NP “Trepça Sh.A”,
    12. Emërimi i drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,
    13. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës në mbështetje të Fondit Kosovaro-Amerikan për Arsim (KAEF).

    VI. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 23 mars 2023:

    6. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
    7. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-214 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-163 për minierat dhe mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-158,
    8. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,
    9. Formimi i Komisionit Ah-hoc për përzgjedhjen e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar,
    10. Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave,
    11. Zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave,
    12. Zgjedhja e një (1) zëvendësi të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë,
    13. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-210 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë,
    14. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-218 për organizimin e tregut për produktet bujqësore,
    15. Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës.

    VII. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 6 dhe 7 prill 2023:

    4. Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës,
    5. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-110 për Agjencinë e Kosovës për Akreditim,
    6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-155 për sanksionet e shёnjestruara kundër shkelësve të huaj të drejtave të njeriut,
    7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-201 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-081 për energjinë,
    8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-160 për pensionet e zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore,
    9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-220 për çmimin e produkteve medicinale,
    10. Shqyrtimi i rekomandimit lidhur me auditimin e procesit të shitjeve me negocim direkt në Agjencinë Kosovare të Privatizimit,
    11. Shqyrtimi i propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të seancës plenare, nr.08-V-321, i datës 23 qershor 2022.

    VIII. Propozimi i rendit të ditës për Seancën plenare të re:

    1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
    2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
    3. Pyetjet parlamentare,
    4. Shqyrtimi i parë i Projektligji nr.08/L-219 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/l-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, personat e dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-172,
    5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-224 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për tatimin në pronën e paluajtshme.

    IX. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave

  • Kosova sot në agjendën e Komitetit të Ministrave për anëtarësim në Këshill të Evropës

    Kosova sot në agjendën e Komitetit të Ministrave për anëtarësim në Këshill të Evropës

    Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është në agjendë për takimin e sotëm të Komitetit të Ministrave.

    Këtë e ka konfirmuar këshilltarja e presidentes Vjosa Osmani, Rejhan Vuniqi, e cila shpreson për zhvillime pozitive në këtë hap drejt integrimit evropian.

    “Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është në agjendë për takimin e të hënës së Komitetit të Ministrave. Le të shpresojmë për zhvillime pozitive në këtë hap të rëndësishëm drejt integrimit evropian”, ka shkruar Vuniqi në Twitter.

    Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, para disa ditësh është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Suedisë, Tobias Billstrom, ku ka theksuar se kanë biseduar për anëtarësim e Kosovës në KiE.

    “Ne biseduam për Këshillin e Evropës. Janë kryer disa procedura. Dhe kërkesa jonë është që të kalojnë sa më shpejt këto procedura. Ne jemi optimistë për anëtarësimin e Kosovës. Kërkojmë anëtarësim meritor”, ka thënë ajo.

  • ​Hashim Thaçi mbush 55 vjet

    ​Hashim Thaçi mbush 55 vjet

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot mbush 53 vjet. Për dallim nga vitet e kaluara kur ai festonte pranë familjes, kjo datëlindje Thaçin e gjen në Hagë ku po akuzohet për krime lufte nga Gjykata Speciale.

    Hashim Thaçi, i lindur më 24 prill 1968, është presidenti i pestë i Republikës së Kosovës. Ai ishte kryeministri i parë i Kosovës së pavarur, ministër i Jashtëm dhe zëvendëskryeministër në kabinetin e kryesuar nga Isa Mustafa, i cili mori detyrën më 12 dhjetor 2014.

    Thaçi ishte gjithashtu kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

    Ai u ngrit në rend të parë si kreu politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Ndërkohë, ai shërbeu gjithashtu si kreu i një qeverie të përkohshme në fund dhe menjëherë pas luftës në vitin 1999.

  • Ambasadori francez: Zgjedhjet me kaq pak votues nuk kontribuojnë në një zgjidhje politike

    Ambasadori francez: Zgjedhjet me kaq pak votues nuk kontribuojnë në një zgjidhje politike

    Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, ka reaguar lidhur me zgjedhjet e mbajtura të dielën e 23 prillit në katër komunat veriore.

    Me anë të një postimi në Twitter, Guerot thotë se zgjedhjet me kaq pak votues nuk kontribuojnë në një zgjidhje politike.

    Ai ka shtuar se tani është koha për të zbatuar ujdinë që është arritur në Ohër.

    “Zgjedhjet me kaq pak votues nuk kontribuojnë në një zgjidhje politike. Na vjen keq që disa parti nuk morën pjesë. Tani është koha për të zbatuar marrëveshjen e Ohrit”, ka shkruar Guerot.

  • Radoiçiq: Nuk lejojmë që veriu të udhëhiqet nga ata që fituan 1-2 për qind të votave

    Radoiçiq: Nuk lejojmë që veriu të udhëhiqet nga ata që fituan 1-2 për qind të votave

    Nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, tha se populli serb në Kosovë “nuk do të lejojë kurrë” që komunat me shumicë serbe në veri të vendit të udhëhiqen nga ata që kanë fituar “1 apo 2 për qind të votave” në zgjedhje.

    Të dielën e 23 prillit, në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – u mbajtën zgjedhjet e parakohshme lokale.

    Pjesëmarrja në proces ishte e ulët – pak më shumë se 3 për qind, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shkruan REL.

    Kjo, pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk mori pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë t’i bojkotojnë ato.

    Në garë ishin dhjetë kandidatë – prej tyre vetëm një e komunitetit serb.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq fituan kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në Zubin Potok dhe Zveçan ata të Partisë Demokratike të Kosovës.

    Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Radoiçiq tha se beson se “të gjithë e kanë kuptuar mesazhin që dha populli serb nga veriu i Kosovës”, i cili e bojkotoi në masë të madhe procesin zgjedhor.

    Radoiçiq tha se i falënderon bashkatdhetarët e tij nga Leposaviqi, Zveçani, Mitrovica e Veriut dhe Zubin Potoku për “patriotizmin, dinjitetin, nderin dhe unitetin e dëshmuar”.

    “Është në dorën tonë që së bashku me vendin tonë, Serbinë, dhe me presidentin Aleksandar Vuçiq ta vazhdojmë luftën për të ruajtur paqen dhe të drejtën e serbëve për të jetuar jetën e tyre”, tha Radoiçiq.

    Beogradi zyrtar, i cili mbështet Listën Serbe, ka bërë po ashtu thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve.

    Serbia dhe serbët në Kosovë kërkojnë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë – për të cilin Prishtina dhe Beogradi kanë rënë dakord dhjetë vjet më parë – përpara se të marrin pjesë në ndonjë votim.

    BE-ja dhe SHBA-ja kanë thënë javën e kaluar se janë të zhgënjyera me faktin që serbët kanë vendosur të mos marrin pjesë në zgjedhje.

    Komunat në veri janë pa kryetarë qysh nga nëntori i vitit të kaluar, kur zyrtarët serbë të kësaj zone kanë dhënë dorëheqje nga të gjitha institucionet, për shkak të një plani të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat jolegale serbe me ato të Kosovës.