ATV

Category: Lajme

  • Gërvalla: Kosova kalon etapën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës

    Gërvalla: Kosova kalon etapën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës

    Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla ka njoftuar se Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, i cili përfaqëson 46 shtetet anëtare, në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave sapo mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës.

    Gërvalla tha se ky vendim i sotëm përbën hap historik për Kosovën, ndoshta sipas saj, më i rëndësishmi pas pavarësisë.

    “Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, i cili përfaqëson 46 shtetet anëtare, në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave sapo mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Gërvalla.

    “Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë”.

    “Mbetet edhe shumë punë për të bërë. Procesi i anëtarësimit është i gjatë dhe plot sfida. Por Republika e Kosovës në fund të procesit do ta zërë vendin e saj të merituar si anëtare e Këshillit të Evropës”.

    “Falënderoj nga zemra të gjithë ata që na mbështetën në rrugën tonë deri këtu. Një falënderim i posaçëm iu shkon të gjithë atyre shteteve, të cilat edhe pse nuk e kanë njohur formalisht Republikën e Kosovës, nuk e kanë bllokuar anëtarësimin tonë”.

    “Nuk mund të lë pa falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat përsëri dëshmuan të jenë aleati më i rëndësishëm i Republikës së Kosovës, dhe të cilat na mbështetën fuqishëm në dialogun tonë me një numër të madh të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës”.

    “Kur në maj të vitit të kaluar, pra para më pak se një viti, dorëzuam në Këshillin e Evropës kërkesën për anëtarësim, numri i skeptikëve ishte i madh. Sot e dijmë se sa i rëndësishëm dhe vendimtar ka qenë guximi i atyre ditëve”.

    “Falë vullnetit të palëkundur të qytetarëve të Republikës së Kosovës për sundim të ligjit dhe demokraci, të shprehur në votën masive të 14 shkurtit, Kosova, si shembulli më i mirë i demokracisë në rajon, do të ecë e sigurt në rrugën e saj euroatlantike”.

    “Ka edhe shumë punë për të bërë, shumë sfida për të përballuar, por dita e sotme meriton të festohet denjësisht”.

  • Von Cramon: Zgjedhjet në veri ishin në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës

    Von Cramon: Zgjedhjet në veri ishin në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës

    Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka thënë se zgjedhjet e organizuar në katër komunat veriore ishin në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.

    Megjithatë, Von Cramon tha se i vjen keq që Lista Serbe nuk ka marr pjesë, teksa dënoi ashpër frikësimin e të gjithë gjithë atyre që kanë dashur që të dalin të votojnë.

    “Katër zgjedhjet për kryetar komune dhe dy zgjedhjet për asamble komunale që u mbajtën të dielën, më 23 prill, në komunat e Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut ishin në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Von Cramonit.

    “Megjithatë, më vjen thellësisht keq që forca kryesore politike në veri të Kosovës, Lista Serbe, ka refuzuar të marrë pjesë në këto zgjedhje dhe fuqishëm dënoj frikësimin e të gjithë atyre që kanë dashur të kandidojnë për post apo të votojnë të dielën”.

    Ajo tha se frikësimi i liderëve politikë serbë është i papranueshëm dhe bie ndesh me standardet demokratike.

    “Pas një shtyrjeje të zgjedhjeve, bojkoti i orkestruar nga qeveria serbe në Beograd, si dhe frikësimi i liderëve politikë serbë të opozitës, janë të papranueshme dhe bien ndesh me standardet demokratike. Retorika që vjen nga instancat më të larta të Serbisë ndaj zyrtarëve kosovarë është e mjerueshme dhe duhet të ndalet”.

    “Vakumi aktual institucional dhe i sigurisë duhet të zgjidhet duke u angazhuar me komunitetin lokal në veri të Kosovës. Kthimi i përhershëm i serbëve të Kosovës në institucione duhet të lehtësohet tani dhe qeveria e Kosovës duhet ta mundësojë këtë kthim. Puna për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, përfundoi deklarata e saj.

  • Tahiri: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës po bëhet realitet

    Tahiri: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës po bëhet realitet

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri, është duke qëndruar në Këshillin e Evropës.

    Tahiri tregoi se atje do të jetë përgjatë tri ditëve ku do të zhvillohen takime të delegacionit kosovarë me delegacionet anëtare për të kërkuar mbështetje për anëtarësim në KE.

    “Për tri ditë do të jemi në Këshillin e Evropës, në sesionin pranveror, ku pritet të ketë shumë takime të delegacionit tonë me delegacione anëtare për të kërkuar mbështetje për anëtarësim. Po ashtu, për pak, në ora 14:30, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës pritet të jetë në rend dite të takimit të Këshillit ministror të kësaj organizate. Po duket të jetë një ditë shumë e mirë dhe me rëndësi për Kosovën. Ngadal, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës po bëhet realitet”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

  • Rashiq: Zgjedhjet në veri janë legale, me 2 maj diskutohet draft-statuti i Asociacionit

    Rashiq: Zgjedhjet në veri janë legale, me 2 maj diskutohet draft-statuti i Asociacionit

    Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq tha se mospjesëmarrja e serbëve të veriut në zgjedhje, është tregues i qartë se interesat e komunitetit serb po përdoren si mjet për beteja politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raporton Ekonomia Online.

    Ndonëse është shprehur i kënaqur me mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve të cilat kaluan pa ndonjë incident, duke i quajtur ato legale.

    Por ministri ka adresuar një dreson kritika në drejtim të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, për presion e vazhdueshëm ndaj serbëve.

    “Së pari jam shumë i kënaqur se ka kaluar pa incidente pa kurrfarë konflikti, ka kaluar në ambient të qetë dhe unë jam i kënaqur edhe pse nuk konsideroj me këto rrethana që zgjedhjet kanë qenë një zgjidhje perfektë, por nga ana tjetër duhet të kuptojmë që ligjet përcaktojnë se sa kemi afat për mbajtjen e zgjedhjeve. Unë e respektoj këtë element sepse në duhet të respektojmë ligjet. Për fat të keq e kemi parë edhe një herë që ndikimi i cili është zakonisht i vrazhde i cili në këtë aspekt partia politike e cila përfaqëson presidentin Vuçiq nuk hezitoi të bëjë gjithçka që është e mundur që të mbesin në pushtet”.

    “Kjo është edhe një dëshmi e prolongimit ose vazhdimit te një udhëheqje e cila nuk është për interesat e komunitetit serb qoftë të jugut ose veriut, por i ka interesat ku serbët e Kosovës po përdoren si mjet, si një mjet i përkohshëm në vazhdim të betejës politike e cila do të vazhdojë edhe me 2 maj nëse mbahet ai takim që është planifikuar në Bruksel”, tha ai.

    Rashiq tha se serbët nuk kanë përfaqshim të duhur në dialogun e Brukselit. Sipas tij, në takimin e dy majit do të bisedohet për propozimin e draft-statutit të Asociacionit.

    “Në takimin e radhës më dy maj unë pres që pala kosovare do të jetë të them inovative dhe komstruktive. Edhe vetë Kurti ka treguar në takimin e fundit në Ohër. Konsideroj që është arritur një marrëveshje sipas meje është e mirë sepse ka një logjik të moskonflikti, i cili për serbët e Kosovës është me i vlefshëm”.

    “Detajet nuk janë në këtë moment të sqaruara por e di që me dy maj nga ana e Kosovës ne do të përpiqemi që të bëjmë disa propozime të reja, propozime që janë të pjekura dhe kisha thënë të harmonizuar. Unë nuk do të jem aty, por me siguri do të bisedohet për propozime”.

    Ndërsa të rrezikshme e ka quajtur deklaratën e Milan Rajdoçiqit, i cili ka thënë se nuk do t’i lejojë komunat veriore të udhëhiqen nga shqiptarët.

    Ai tha se në zgjedhjet e djeshme legaliteti është arritur por legjitimiteti do të ketë gjithmonë sfida.

    “Kjo deklaratë është e rrezikshme dhe unë lus nëse mund të dëgjoja ata që bëjnë deklarata të tilla, i lus që të përmbahen nga deklarata që në mënyrë direkte ose indirekte potencojnë që mund të ketë një pengesë të marrjes së pushtetit. Prapë e di që ndoshta kjo është jo e fjalëve, në këtë rast ndoshta mund të thoni që nuk ka legjitimitet por megjithatë aty ka legalitet. Ose më mirë me fjalë të shkurta edhe pesë njerëz të dalin në zgjedhje llogaritet se ai që merr 5 i fiton zgjedhjet”, u shpreh Rashiq, teksa pati kritika edhe për Listën Serbe, raporton EO.

    “Legalitet në këtë rast është arritur, legjitimitet në këtë rast gjithmonë do të jetë sfidë. Sikur unë mund të them që Lista serbe kurrë nuk ka pasur legjitimitet, sepse çdo fushatë çdo proces të zgjedhjeve i ka bërë më dhunë, dhe mos ta harrojmë që dy kandidatë për kryetar të komunës së Mitrovicës së veriut e kanë humbur jetën për shkak të bindjeve të tyre politike. Ata janë më së paku që mund të kërkojnë legjitimitet”, u shpreh Rashiq.

  • Begaj: Shqipëria, kontributore dhe eksportuese e sigurisë

    Begaj: Shqipëria, kontributore dhe eksportuese e sigurisë

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj priti sot në Presidencë anëtarët e Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, me të cilët mbajti një leksion mbi objektivat strategjike të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.

    Me këtë rast, Begaj vlerësoi Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes si një nga kurset më të mira në piramidën e arsimit ushtarak të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

    “Situata gjeopolitike globale është komplekse dhe mendoj që kjo situatë komplekse do të përcaktojë se si do të jetë e ardhmja në dekadat e mëpasshme. Ambienti ndërkombëtar i sigurisë dominohet nga sfidat strategjike që janë të ndërthura me njëra-tjetrën, të cilat kanë sjellë implikime jo vetëm për sigurinë tonë kombëtare, por edhe për atë ndërkombëtare”, tha ai.

    Gjithashtu, Begaj tha se Ballkani Perëndimor përfaqëson oborrin parësor të Bashkimit Evropian. Rajoni i gjithi ka bërë progres në rrugëtimin euroatlantik, por ka shumë hapësira dhe situata potenciale paqëndrueshmërie.

    Vëmendje ai i kushtoi rëndësisë së vendosjes së dialogut të përhershëm dhe normalizimit të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, dialog i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilën tha se duhet të qendërzohet në atë që ne e quajmë njohje formale reciproke, shkruan Atsh

    Kreu i Shtetit shtoi më tej se arritja e marrëveshjes midis dy vendeve ishte një moment kyç, si dhe po ashtu ngjarja në Ohër e anekseve ishte një arritje që tregon se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor do të jetë shumë më e mirë.

    Presidenti Begaj foli dhe për kontributin e Shqipërisë në misione të ndryshme në botë.

    “Shqipëria ka qenë kontributore, le të themi eksportuese e sigurisë. Ka qenë pjesëmarrëse në shumë misione ndërkombëtare. Ka qenë në Afganistan, Irak, është në Bosnjë, Letoni, Bullgari dhe Kosovë. Do të jemi të pranishëm kudo do të na kërkohet dhe është e rëndësishme që të vazhdojmë rrugën tonë për të modernizuar Forcat e Armatosura, jo vetëm me pajisje dhe kapacitete të tjera të nevojshme, por edhe ashtu të mirëtrajtojmë personelin ushtarak”, theksoi Begaj.

  • Vuçiq për zgjedhjet në veri: Ndodhën ndryshime tektonike

    Vuçiq për zgjedhjet në veri: Ndodhën ndryshime tektonike

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar zgjedhjet e djeshme të jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës.

    Gjatë një adresimi, ai tha se me votimet e së dielës në Kosovë kanë ndodhur ndryshime tektonike.

    “Ajo që ndodhi dje është shumë më tepër se kaq, populli serb dje tregoi se po kërkon një qasje krejtësisht të ndryshme, para së gjithash, nga bashkësia ndërkombëtare, e kam fjalën për fuqitë perëndimore – ata kërkojnë respekt më të madh dhe dialog të vërtetë, e jo zgjidhje të imponueshme”, tha ai.

    Në zgjedhjet e 23 prillit në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan dy komuna i fitoi lëvizja Vetëvendosje, kurse dy të tjera Partia Demokratike e Kosovës.

    Lëvizja Vetëvendosje e mori Mitrovicën e veriut, ku fitues doli Erden Atiq me 519 vota apo 66.5%, si dhe Leposaviqin me Lulzim Hetemin me 100 vota apo 73.5 përqind.
    Kurse PDK-ja e mori Zubin Potokun me Izmir Zeqirin i cili i pati 196 vota apo 52.1%, si dhe Zveçanin Ilir Pecin me 114 vota apo 60%.

    Votimet në veri u bojkotuan nga Lista Serbe. Zgjedhjet e jashtëzakonshme u mbajtën pas dorëheqjes së katër kryetarëve në nëntor të vitit të kaluar.

  • Zvicra e konfirmon heqjen e regjimit të vizave për kosovarët

    Zvicra e konfirmon heqjen e regjimit të vizave për kosovarët

    Sekretariati Shtetëror për Migrim ka konfirmuar se nga 1 janari 2024, shtetasit kosovarë me pasaportë të vlefshme do të mund të hyjnë në Zvicër pa vizë për 90 ditë

    Siç është raportuar tashmë gjerësisht, më 18 prill Parlamenti Evropian ka miratuar heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Kështu, nga viti i ardhshëm, mbajtësit e pasaportës kosovare do të mund të hyjnë në Bashkimin Evropian dhe në zonën Shengen, ku përfshihet edhe Zvicra, dy herë në vit për 90 ditë pa vizë, shkruan SRF.ch.

    Prandaj, të njëjtat rregulla hyrjeje do të zbatohen në të ardhmen edhe për Kosovën, sikur për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, transmeton albinfo.ch.

    Sekretariati Shtetëror për Migrim ka konfirmuar për SRF se nga 1 janari 2024, shtetasit kosovarë me pasaportë të vlefshme do të mund të hyjnë në Zvicër pa vizë për 90 ditë.

    Duke qenë se edhe Zvicra është pjesë e Shengenit dhe për më tepër është “shtëpi” e një komuniteti të madh shtetasish të Kosovës, vendimi më i ri preokupon shtetin helvetik në mënyrë plotësuese. Kështu, krahas përkrahjes së këtij vendimi, duke e quajtur madje të vonuar, nga ana e bashkëkryetarit të SP-së, pati edhe reagime negative, si ai i bashkëkryetares (FDP) së Grupit të Miqësisë Zvicër-Kosovë, në Parlamentin e Zvicrës.

    Ndërsa redaktori për çështje ndërkombëtare i SRF-së, Janis Fahrländer thotë: “Ky është një hap i madh dhe mbi të gjitha një lehtësim i madh për popullin e Kosovës. Deri më tani, kosovarëve u është dashur t’i nënshtrohen një procesi kompleks vizash me tarifa të larta për çdo udhëtim në zonën Shengen, qoftë për biznes apo privatisht. Pastaj ata shpesh presin me javë të tëra për një vizë, pa asnjë garanci se do të kenë sukses. Kjo i bën të pamundura vizitat afatshkurtra, urgjente për shembull për raste si varrimi i të afërmve.

    Gjithashtu, me heqjen e regjimit të vizave, që nga viti 2024, pritet të lehtësohet puna edhe për kompanitë me klientë jashtë vendit.

    Megjithatë, udhëtimi pa viza është vetëm kushtimisht një hap më afër BE-së, pavarësisht nëse kryeministri Albin Kurti e feston këtë si suksesin e tij. Vendi nuk është as kandidat për anëtarësim – dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë negociuar për më shumë se dhjetë vjet. Përderisa pesë shtete të BE-së nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, nuk ka perspektivë të BE-së për vendin”.

  • LV-ja dhe PDK-ja qortojnë Serbinë për ndikim te serbët në veri

    LV-ja dhe PDK-ja qortojnë Serbinë për ndikim te serbët në veri

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duke folur për zgjedhjet e së dielës në veri, tha se dje është shënuar fillimi i fundit të ndikimit nga Serbia në Kosovë.

    Sipas saj, përpjekjet për formimin e institucioneve nuk do të jenë të lehta, por konform ushtrimit të mandateve në nivelin lokal.

    Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, e cila ka dështuar si shkak i mungesës së kuorumit, ajo tha se situata në veri është komplekse dhe e karakterizuar me ndikimet e mëdha kriminale.

    “Dje ishte një ditë e cila shënon fillimin e fundit të një procesi apo të një vazhdimësie të keqe të organizimit politik të ndikimit nga Serbia në Kosovë, përmes Listës Serbe. Dhe tashmë gjitha përpjekjet natyrisht që nuk do të jenë të lehta, do të jenë me shumë sfida por do të jenë konform ushtrimit të mandateve në nivelin lokal, ashtu siç është e përcaktuar me kushtetutën dhe ligjet e vendit. Zgjedhjet kanë qenë të organizuara për aq sa ka pasur hapësirë për t’u organizuar në kuptimin e mungesës së normalitetit në veri, tashmë e më shumë se dy dekada. Por, nuk është kontestuar nga ana e shtetit, apo nuk është cenuar e drejta e askujt për të marrë pjesë. Sfidë ka qenë dhe mbetet siguria e individëve dhe përfaqësuesve politik që kanë mendim tjetër të Listës Serbe dhe Vuçiqit”, ka thënë ajo.

    Sipas saj, kjo tendencë e Serbisë është vërejtur edhe dje me prezencën e komisionerëve të Listës Serbe.

    “Prezenca e komisionerëve të Listës Serbe në vendvotime dhe përcjellja e të gjithë atyre që do të votojnë dhe votojnë për të persekutuar pastaj është veprim i cili duhet të dënohet dhe natyrisht edhe pasojat, të cilin duhet t’i bartin edhe politikisht edhe ligjërisht të gjithë ata që vazhdojnë me kërcënime të komunitetit serb”, shtoi Kusari-Lila.

    Edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka komentuar zgjedhjet e djeshme në katër komunat veriore, i cili tha se qytetarët në veri kanë vendosur të shndërrohen në instrument të Beogradit.

    Ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Qeveria e Serbisë ka vendosur të minojë të ardhmen e serbëve të veriut.

    “Në si GP i PDK-së e dimë gjendjen në atë pjesë dhe nga çfarë komuniteti shumicë përbëhet ajo pjesë e territorit të Kosovës. Ka qenë obligimi ynë qytetar, që me aq sa ka votues dhe qytetarë shqiptarë që ka në atë pjesë, tu ofrohet kandidatëve dhe pavarësisht rezultatit që mund të jetë, të jemi në garë dhe të mbajmë të angazhuar politikisht ata qytetarë që jetojnë në atë pjesë të Republikës së Kosovës. Ne fatkeqësisht e shohim një angazhim të madh të shtetit serb në atë pjesë të Kosovës, një manipulim të madh që është duke ua bërë qytetarëve serb. Pra, siç duket, Qeveria e Serbisë ka vendosur që është pak atë të ardhme që kanë pasur ata qytetarë t’ua minojë dhe t’i keqpërdor jashtëzakonisht shumë. Ata nuk shohin nga e ardhmja, sepse normalisht do të duhej të merrnin pjesë në zgjedhje. Mirëpo, ata kanë vendosur të shndërrohen në një instrument të Beogradit. Nuk na gëzon fakti qe kemi një situatë siç e kemi, ne dimë ta dallojmë legjitimitetin nga legaliteti”, tha Tahiri.

    Gjatë ditës së djeshme janë organizuar zgjedhjet lokale në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan. Nga mbi 45 mijë qytetarë sa kanë pasur të drejtë vote, vetëm mbi 1500 e kanë ushtruar vullnetin e tyre.

  • ​Qeveria u ofron mbështetjen e plotë kryetarëve të sapo zgjedhur në veri

    ​Qeveria u ofron mbështetjen e plotë kryetarëve të sapo zgjedhur në veri

    Qeverisë së Republikës së Kosovës ka lëshuar edhe një deklaratë në lidhje me zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore të Kosovës, ku ka theksuar se fushata kërcënuese e orkestruara nga Beogradi zyrtar e ekzekutuar përmes frikësimit, presionit dhe shantazhit nga instrumentet kriminale në terren ndikuan në dalje të ulët të qytetarëve në këto zgjedhje.

    Qeveria në këtë deklaratë vlerëson se zgjedhjet e djeshme ishin të qeta, paqësore dhe pa incidente.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Policia e Kosovës ishin në krye të detyrës në organizimin dhe ofrimin e kushteve të përshtatshme për ushtrimin e të drejtës për votë. Fushata kërcënuese e orkestruara nga Beogradi zyrtar e ekzekutuar përmes frikësimit, presionit dhe shantazhit nga instrumentet kriminale në terren ndikuan në dalje të ulët të qytetarëve në këto zgjedhje. Krahas institucioneve për punën e tyre, falënderojmë qytetarët për kurajën dhe qetësinë. Zgjedhjet janë manifestim i demokracisë, të cilat përveçse e drejtë e qytetarëve, janë obligim e përgjegjësi që burojnë nga kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e vendit. Në të njëjtën kohë, janë domosdoshmëri për garantimin e funksionimit normal të institucioneve shtetërore dhe sigurimin e shërbimeve publike ndaj qytetarëve. Kryetarëve dhe asamblistëve të sapo zgjedhur në këto komuna u urojmë punë të mbarë dhe suksese në detyrat dhe përgjegjësitë e reja. Qeveria e Republikës së Kosovës u ofron mbështetjen e plotë të saj në shërbim të qytetarëve, pa dallim”, thuhet në deklaratë.

  • Hovenier: Mbështesim planin 10-vjeçar të FSK’së për t’u bërë një forcë shumë-etnike

    Hovenier: Mbështesim planin 10-vjeçar të FSK’së për t’u bërë një forcë shumë-etnike

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier, sot ka takuar gjeneralin e brigadës së Iowas, Stephen Osborn.

    Hovenier, ka thënë SHBA’të vlerësojnë partneritetin e qëndrueshëm të Iowas me FSK’në, pasi që ata mbështesin planin 10 vjeçar të FSK’së për tu bërë një forcë shumë etnike, profesionale, e ndërveprueshme nga NATO’ja për mbrojtjen territoriale.

    Po ashtu, ai ka thënë se takimi me Osbon ka qenë kënaqësi.

    “Kënaqësi të mirëpresim gjeneralin e brigade së Iowa-s, Stephen Osborn, në Kosovë. Ne vlerësojmë partneritetin e qëndrueshëm të Iowa-s me FSK-në pasi mbështesim planin 10-vjeçar të FSK-së për t’u bërë një forcë shumë-etnike, profesionale, e ndërveprueshme nga NATO-ja për mbrojtjen territoriale”, ka shkruar Hovenier në llogarinë e tij në Twitter.