ATV

Category: Lajme

  • Musliu-Shoshi: Ditë e veçantë për Kosovën në KiE

    Musliu-Shoshi: Ditë e veçantë për Kosovën në KiE

    Në agjendën e sotme të Komitetit të Ministrave sot, pritet të shqyrtohet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu- Shoshi tani aktualisht është në KiE dhe thotë se do të jetë një ditë e veçantë për Kosovën.

    “Ditë e veçantë për Kosovën. Një hap më afër Evropës”, ka shkruar Musliu- Shoshi.

    Ndryshe, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në KiE më 12 maj të vitit 2022.

  • Policia në katër raste konfiskon sasi të madhe të duhanit të kontrabanduar, shumica nga Maqedonia e Veriut

    Policia në katër raste konfiskon sasi të madhe të duhanit të kontrabanduar, shumica nga Maqedonia e Veriut

    Policia e Kosovës, në kuadër të luftës për parandalim dhe luftim të veprave të kundërligjshme, më datën 23.04.2023, bazuar në analizën e riskut dhe informacioneve inteligjente, të bëra nga ana e njësive të Policisë Kufitare, janë identifikuar 4 raste të ndryshme të prodhimit dhe kontrabandimit të cigareve dhe duhanit të papërpunuar.

    Rasti 1 – Nga informacionet e pranuara në një rast është identifikuar një shtëpi banimi në Viti që është dyshuar për mall të kontrabanduar, ku më pas është bërë bastisja e shtëpisë dhe e objekteve përreth, me ç’rast janë gjetur dhe janë konfiskuar një sasi e konsiderueshme e duhanit në total 922.7 kg (577.10 kg duhan i grirë refuz), 88,80 kg duhan i grirë i paketuar në qese, 290 kg ambalazhe najloni për duhan, 497 kg ambalazh kartoni për duhan, 1 makinë për ambalazhimin e duhanit, 259 kg duhan i papërpunuar (fleta).

    Rasti 2 – Gjatë vëzhgimit në një rrugë në fshatin Mjak, është vërejtur një veturë e cila ka hyrë nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës, e cila pasi kishte vërejtur njësitë policore ishte larguar në drejtim të panjohur dhe pas marrjes së veprimeve për lokalizimin e saj, e njëjta është gjetur e braktisur dhe e ngarkuar me 12,750 pako, në total 255.000 (dyqind e pesëdhjetë e pesë mijë copë cigare) sipas vlerës së tregut 22,950 euro.

    Rasti 3 – Po ashtu pas trajtimit të informacioneve inteligjente nga njësia e lartcekur është identifikuar një shtëpi e pabanuar, me ç’rast është gjetur duhan i papërpunuar në sasi prej 21 thasësh pesha 10 kg, (dhjetë kg), në total 210 kg (dyqind e dhjetë kg). Malli dyshohet që është sjellë nga RMV dhe është i kontrabanduar, ku i njëjti është sekuestruar për procedura të mëtejshme policore.

    Rasti 4 – Në vazhdën e marrjes së informacioneve rreth kontrabandimit me mallra, e në këtë rast atë të duhanit, në fshatin Ramnishtë, Viti, është ndaluar një automjet i ngarkuar me duhan të paketuar: Malboro 20 pako në sasi 500 gr. = 10 kg, Sobrani 80 pako, në sasi 500gr = 40kg, Davidoff 141 pako, në sasi 500 gr. = 70,5 kg, Slims Carelia 220 pako, në sasi 500 gr. = 110 kg, në total 230,5 kg, për të cilin nuk kishte dokumentacion përkatës.

  • Kusari-Lila: Zgjedhjet në veri ishin fillimi i fundit të ndikimit të Serbisë në Kosovë

    Kusari-Lila: Zgjedhjet në veri ishin fillimi i fundit të ndikimit të Serbisë në Kosovë

    Shefja e deputetëve të shumicës, Mimoza Kusari-Lila zgjedhjet e mbajtura dje në katër komunat në veri të vendit i ka konsideruar si fillim të fundit të ndikimit të Serbisë.

    “Është ditur kohë më parë që situata në veri është komplekse, ka qenë evidente edhe që vet Serbia ka qenë kundër prezencës në katër komunat e Kosovës. Dje ishte një ditë që shënon fillimin e fundit të ndikimit të Serbisë në Kosovë. Të gjitha përpjekjet nuk do të jenë të lehta; do të jenë të vështira. Sfidë ka qenë siguria e individëve, serbëve që kanë me mendim të kundërt. Është absurde që një komuniteti pakicë kërcënohet e shantazhet nga shteti që do të duhej t’i mbronte interesat e tyre”, ka deklaruar ajo pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

    Ajo shtoi se e konsiderojnë të papranueshme abstenimin e opozitës në seanca e mbledhje të kryesisë.

    “Në vend se të kryejnë punën që janë zgjedhur, kanë vendosur të luajnë rolin e hetuesit. Ne e dimë që kur ngritet një aktakuzë, është prezumimi i pafajësisë. Përzierja në fakte, nuk lejohet as me Ligjin për Hetim Parlamentar. E konsiderojmë tendencioze dhe keqdashëse”, tha ajo.

    Sipas saj, ka edhe defekte që karakterizojnë grupin parlamentar të LVV-së.

  • ​Tahiri: Të mërkurën do të ketë seancë për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut

    ​Tahiri: Të mërkurën do të ketë seancë për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut

    Në mbledhjen e sotme të kryesisë nuk ka pasur kuorum, ka thënë shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

    Ai para gazetarëve ka folur për zgjedhjet e djeshme në katër komunat në veri të Kosovës.

    “Në si PDK e dimë gjendjen në atë pjesë dhe prej çfarë komunitetesh përbehet. Ka qenë obligimi ynë qytetar, që me aq sa do të ketë pjesëmarrje, e shohim një manipulim të madh të qytetarëve serbë. Nuk na gëzon fakti që kemi një situatë siç e kemi, ne dimë ta dallojmë legjitimitetin nga ilegaliteti”, tha Tahiri.

    Tahiri tha se të mërkurën do të ketë seancë të jashtëzakonshme në lidhje me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

    “Do ta thërrasim një seancë të jashtëzakonshme, në lidhje me arrestimet e fundit në KEK dhe një sjellje të pahijshme të mazhorancës. Në këtë rast ju e keni parë një gjuhë të pahijshme, kjo është e paprecent. Ky person të shkarkohet, bordi të shkarkohet”, ka thënë ai.

    Ai tha se bëhet fjalë për keqpërdorime milionëshe.

  • Për herë të parë pas pavarësisë, 4 komunat veriore do të udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë

    Për herë të parë pas pavarësisë, 4 komunat veriore do të udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë

    Për herë të parë që nga pavarësia e vendit, katër komunat veriore të populluara me shumicë serbe, siç janë Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqit, do të udhëhiqen nga kryetarë të nacionalitetit shqiptar. Sipas rezultateve zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Vetëvendosje ka fituar në komunën e Mitrovicës së Veriut me kandidatin Erden Atiq dhe atë të Leposaviqit me Lulzim Hetemin. Ndërkaq, PDK-ja ka fituar Zveçanin me Ilir Pecin dhe Zubin Potokun me Izmir Zeqirin.

    Ky rezultat erdhi si pasojë e bojkotit të zgjedhjeve nga Lista Serbe, e cila në të kaluarën fitonte mbi 90% të votës në pjesën veriore të vendit. Pas bojkotit të tyre, procesi u injorua edhe nga qytetarët e nacionalitetit serb, duke bërë që dalja të jetë tejet e ulët. Sipas KQZ-së, nga mbi 45 mijë qytetarë të cilët kanë të drejtë vote, të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar vetëm 1567 prej tyre.

    Këtij rezultati i ka kontribuuar edhe shteti i Serbisë, të cilët u kanë bërë presion serbëve të Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhje. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se e drejta për të votuar u është ofruar secilit qytetarë me të drejtë vote, dhe se procesi zgjedhor është zhvilluar pa ndonjë incident.

    “Sipas informacioneve të vazhdueshme që kemi pranuar nga këto komuna, procesi zgjedhor është zhvilluar pa ndonjë problem. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ofruar mundësinë dhe kushtet për të gjithë qytetarët me të drejtë vote në këto komuna, për të shfrytëzuar të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre dhe institucionet demokratike”, ka thënë Radoniqi.

    Për këto zgjedhje ka reaguar edhe Ambasada e ShBA-së në Kosovë, të cilët kanë shprehur keqardhje për refuzimin e disa partive për të marrë pjesë në zgjedhje. Po ashtu, ata kanë theksuar se e vlerësojnë përpjekjen e Kosovës për të organizuar zgjedhje të lira dhe demokratike.

    “Na vjen keq që jo të gjitha partitë e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike. Ne i njohim përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë kosovarë për t’i vënë vendet e votimit në dispozicion të qytetarëve që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke minimizuar pikat e mundshme të tensionit”, thuhet në komunikatë.

    Ndërkaq, sipas ambasadorit të Francës në Kosovë, Olivier Guerot, dalja e ulët në zgjedhje nuk i kontribuojnë zgjidhjes politike, teksa i ka lëvduar Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe EULEX-in për profesionalizmin e tyre.

    “Zgjedhjet me një numër kaq të vogël votuesish nuk i kontribuojnë një zgjidhje politike. Është për keqardhje që disa parti nuk morën pjesë. Një pikë pozitive: profesionalizimi i Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it. Tash është koha të implementohet marrëveshja e Ohrit”, ka shkruar ambasadori i Francës, Olivier Guerot, në Twitter.

    Pas publikimit të rezultateve, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se dy kandidatët e tyre që i kanë fituar zgjedhjet, do të qeverisin në mënyrë të drejtë për të gjithë qytetarët pa dallim kombësie apo partie.

    Teksa edhe kreu i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, i ka falënderuar qytetarët që e kanë votuar PDK-në dhe ka potencuar se e rëndësishme ka qenë që procesi ka qenë i rregullt dhe i qetë. Por, sipas tij, mbetet shqetësues fakti i numrit të vogël të qytetarëve që kanë votuar.

    “E rëndësishme është që procesi i sotëm ishte i rregullt dhe i qetë. Megjithatë, mbetet shumë shqetësues fakti që situata në pjesën veriore ka degraduar, gjë që u pa edhe nga pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në zgjedhje. Tani presim nga Qeveria që t’i marrë obligimet dhe detyrat që i takojnë – për të zbatuar vullnetin qytetar dhe për të mundësuar konsolidimin e institucioneve në katër komunat e veriut”, ka thënë Krasniqi.

    Kandidatët e zgjedhur në komunat e veriut do të kenë mandat rreth dy vjet e gjysmë. Gjithsej 19 qendra të votimit i kanë shërbyer procesit zgjedhor, 6 nga to kanë qenë në objekte të zakonshme, ku janë mbajtur zgjedhjet edhe më herët, e 13 të tjera në objekte alternative, apo kontejnerë.

  • Bojkoti i zgjedhjeve nga serbët në veri, vjen reagimi i kryeministrit Kurti

    Bojkoti i zgjedhjeve nga serbët në veri, vjen reagimi i kryeministrit Kurti

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dalja e ulët e qytetarëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore të vendit është si pasojë e atmosferës së frikësimit dhe shantazhit nga Serbia.

    “Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri. I falënderoj qytetarët për kurajon dhe qetësinë”, ka thënë Kurti.

    Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, i ka falënderuar të gjithë menkanizmat që e kanë mundësuar mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve.

    “Zgjedhjet për kryetar në katër komunat veriore të Kosovës dhe për kuvendet komunale në dy sosh, dje u zhvilluan qetë dhe pa incidente. Falënderoj KQZ-në për organizimin, policinë e Kosovës për sigurinë dhe qytetarët për mbështetjen”.

    Ndër tjera, ai shtoi se sistemi institucional dhe shërbimet publike në komunat do të mund të funksionojnë më shumë e më mirë.

    “Uroj kryetarët dhe asamblistët e zgjedhur dje. Ata duhet të punojnë me përkushtim dhe të shërbejnë pa dallim. Qeveria do t’i përkrahë e ndihmojë. Sistemi institucional dhe shërbimet publike do të mund të funksionojnë më shumë e më mirë. Për mirëqenien e qytetarëve dhe të drejtat e tyre”, ka shkruar Kurti.

  • Çka thanë ndërkombëtarët për zgjedhjet në Veri

    Çka thanë ndërkombëtarët për zgjedhjet në Veri

    Dje në katër komunat veriore të Kosovës janë mbajtur zgjedhjet. Në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë, ndërsa në Leposaviq dhe Zveçan qytetarët kanë votuar për të zgjedhur kuvendet komunale. Pas shpalljes së rezultateve preliminare, kanë reaguar ambasadori francez dhe ambasada amerikane.

    Sipas rezultateve të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në Leposaviq dhe Mitrovicë të Veriut kanë fituar kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, derisa në Zveçan dhe Zubin Potok fitues kanë dalë kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës.

    Në këto zgjedhje nuk ka marrë pjesë Lista Serbe, që ka ndikuar që serbët lokalë t’i bojkotojnë ato. Sipas KQZ-së, kutive të votimit i janë drejtuar 3,47 për qind.

    Pas të dhënave të publikuara nga KQZ, kanë reaguar ambasadori i Francës Olivier Guerot dhe ambasada amerikane në Kosovë.

    Ambasadori Guerot në një postim në Tëitter ka thënë se zgjedhjet më kaq pak votues nuk sjellin zgjidhje politike, derisa si pikë pozitive e përmend profesionalizimin e Policisë së Kosovës, KFOR-it e EULEX-it.

    Poashtu, Guerot ka kërkuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

    ”Këto zgjedhje me kaq pak votues nuk sjellin zgjidhje politike. Na vjen keq për mungesën e pjesëmarrjes nga disa parti. Pika pozitive: profesionalizmi i policisë së Kosovës, Kfor / EULEX. Tani duhet të zbatojmë marrëveshjen e Ohrit”, ka shkruar ai.

    Për zgjedhjet në Veri, ambasada amerikane në Kosovë e ka lëshuar një komunikatë, ku thuhet se ky proces u mbajt në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.

    Ambasada ka thënë se “u vjen keq” që jo të gjitha partitë e kanë shfrytëzuar të drejtën për garuar.

    ”Ne mbështesim një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë. Na vjen keq që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike”, thuhet në komunikatë.

    ”Ne i njohim përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë kosovarë për t’i vënë në dispozicion vendet e votimit për qytetarët që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke minimizuar pikat e mundshme të tensionit. Gjithashtu shprehim mirënjohjen tonë për profesionalizmin e Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe KFOR-it në sigurimin e një mjedisi të sigurt për zgjedhjet”.

    Ambasada e SHBA-së thotë se do të angazhohen me palët relevante për hapata e ardhshëm dhe përmend zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit.

    ”Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha palët relevante për hapat e ardhshëm. Ne gjithashtu ritheksojmë rëndësinë dhe përkushtimin tonë për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit”, përmbyllet komunikata.

    Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq, fitoi 66.5 për qind të votave, apo 519 vota gjithsej. Lulzim Hetemi nga radhët e VV-së fitoi garën për kryetar të Leposaviqit me 100 vota, apo 73.5 për qind të atyre që shfrytëzuan të drejtën e votës.

    Ndërkohë ambasadori suedez në Kosovë, Jonas Westerlund, ka vizituar dje disa vendvotime në Leposaviq. Ai ka thënë që shpreh keqardhje për mospjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje.

    ‘’Kjo është hera e parë që Lista Serbe i bojkoton zgjedhjet. Pastaj është e mundshme që zgjedhjet të mbahen kudo, me shumë mundësi në shkolla si më parë. Lista Serbe mori pjesë në zgjedhje tetë herë. Kjo është hera e parë që ata nuk participuan, fatkeqësisht. Por sipas Kushtetutës së Kosovës, zgjedhjet duhet të mbahen dhe ky është vendimi i Presidentes’’, tha Westerlund.

    Në Zubin Potok, Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës mori 52.1 për qind të votave, apo 196 vota. Ndërkaq, në Zveçan, Ilir Peci po nga Partia Demokratike e Kosovës fitoi 60 për qind të votave apo 114 vota. Kandidatja e pavarur në këtë komunë, Sllagjana Pantoviq – që ishte kandidatja e vetme serbe – fitoi pesë vota, apo 2.6 për qind.

    Sipas Policisë së Kosovës, zgjedhjet në Veri u mbajtën pa incidente.

    ”Policia e Kosovës (PK), deri në këtë fazë realizoi me sukses planin operativ për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, proces ky i cili në aspektin e sigurisë vlerësohet se ka kaluar i qetë dhe pa asnjë incident”, thuhej në komunikatë.

  • Gjendet i vdekur një person në Prizren

    Gjendet i vdekur një person në Prizren

    Një person është gjetur i vdekur dje në fshatin Poslisht të Prizrenit.

    Sipas Policisë, mjeku përgjegjës e ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    “Raportohet se në shtëpinë e tij është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Njësitë relevante policore dhe një ekipet mjekësore kanë dal në vendin e ngjarjes, mjeku përgjegjës ka konstatuar vdekjen e viktimës. Dyshohet se viktima ka kryer vetëvrasje me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një armë dhe një gëzhojë plumbi që dyshohet se është përdorur në rast si dhe 13 fishekë. Po ashtu janë sekuestruar edhe dy pushkë me 20 fishekë, dy revole, gjashtë karikator dhe 130 fishekë.”, ka informuar Policia.

    Me vendim të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

    Rasti është cilësuar si “Hetim i vdekjes”.

  • Bie importi i materialeve të ndërtimit dhe metaleve në Shqipëri

    Bie importi i materialeve të ndërtimit dhe metaleve në Shqipëri

    Në Shqipëri, gjatë tremujorit të parë të këtij viti vlera e importeve të materialeve të ndërtimit dhe metaleve shënoi rënie me 1.9 %. Kjo lidhet jo vetëm me rënien e kërkesës, pasi në vitin e shkuar kërkesa ishte e lartë për shkak të rikuperimit pas pandemisë, ku të gjitha grupet u rritën me ritme të shpejta në vlerë, por edhe çmimeve të larta në tregjet ndërkombëtare për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

    Ndërkohë ndikim ka dhënë edhe afrimi drejt fundit i procesit të Rindërtimit pas tërmetit të fortë që goditi vendin tonë më 26 nëntor 2019.

    Sektori i ndërtimit është një prej sektorëve me kontributin më të rëndësishëm në ekonominë kombëtare. Të dhënat tregojnë se ai kontribuon me rreth 10 % në PBB.

    Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT mbi tregtinë e jashtme, gjatë tremujorit të parë të këtij viti, importi i materialeve të ndërtimit dhe metaleve në vlerë, llogaritet gati 22.8 miliardë lekë me një rënie prej rreth 4 miliardë lekësh, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022-shit, kur u importuan 26.5 miliardë lekë material ndërtimi dhe metale, shkruan ATSh.

    Kjo situatë gjithsesi duket se nuk e ka ndikuar ecurinë e kreditimit në ndërtim, pasi sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, sektori bankar disbursoi kredi të reja për sektorin e ndërtimit në vlerën e 37.1 miliardë lekëve, në rritje me 11.8% krahasuar me një vit më parë. Kredia e re për ndërtimin përbënte pothuajse 20% të gjithë kredisë së re për bizneset të dhënë nga sektori bankar vitin e kaluar.

    Ndërtimi ishte sektori i dytë më i kredituar në ekonominë shqiptare, pas tregtisë. Teprica e kredisë për ndërtimin në fund të dhjetorit arriti në 72.7 miliardë lekë, në rritje me 16.7% krahasuar me një vit më parë.

  • Luftimet në Sudan, evakuohen diplomatë dhe shtetas të huaj

    Luftimet në Sudan, evakuohen diplomatë dhe shtetas të huaj

    Disa vende kanë evakuuar diplomatët dhe qytetarët nga kryeqyteti i Sudanit derisa luftimet e ashpra vazhdojnë në Khartoum.

    SHBA dhe Britania e Madhe kanë njoftuar të dielën se kanë larguar diplomatët jashtë vendit.

    Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja gjithashtu kanë evakuuar diplomatë dhe shtetas të tjerë.

    Një luftë e egër për pushtet midis ushtrisë së rregullt dhe një force të fuqishme paraushtarake ka çuar në dhunë në të gjithë Sudanin për më shumë se një javë, shkruan BBC, përcjell KosovaPress

    Autoritetet amerikane kanë thënë se kanë transportuar më pak se 100 persona me tre helikopterë Chinook të dielën në mëngjes në një operacion “të shpejtë dhe të pastër”.

    Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka arritur të largonte diplomatët britanikë dhe familjet e tyre jashtë vendit.

    Presidenti francez, Emmanuel Macron ka konfirmuar se një aeroplan kishte mbërritur në Djibouti me qytetarë francezë dhe të tjerë të dielën, ndërsa një tjetër evakuim është bërë të hënën, duke e çuar numrin e njerëzve të evakuuar deri më tani në 388, tha qeveria e saj.

    Një pjesë e vogël qytetarësh holandezë janë larguar nga Khartoum me aeroplanin francez, ndërsa një tjetër me njerëz nga Holanda në bord është larguar sot herët në mëngjes.

    Ushtria gjermane ka thënë se i pari nga tre avionët ishte nisur nga Sudani, me destinacion Jordaninë, me 101 persona në bord.

    Italia dhe Spanja kanë evakuuar qytetarët – misioni spanjoll ka përfshirë shtetas nga Argjentina, Kolumbia, Irlanda, Portugalia, Polonia, Meksika, Venezuela dhe Sudani.

    Kryeministri kanadez, Justin Trudeau ka thënë se qeveria e tij kishte evakuuar stafin e saj diplomatic.

    Turqia ka filluar përpjekjet e evakuimit me rrugë nga qyteti jugor Wad Medani të dielën, por planet nga një vend në Khartoum janë shtyrë pas një “shpërthimi” aty pranë.

    Vende të tjera kanë evakuuan me sukses njerëz të shtunën. Më shumë se 150 persona, kryesisht qytetarë të vendeve të Gjirit, si dhe Egjiptit, Pakistanit dhe Kanadasë janë evakuuar nga deti në portin e Arabisë Saudite të Jeddah.

    Si pasojë e luftës për pushtet kanë ndodhur bombardime në kryeqytet, ku qindar persona janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur.