ATV

Category: Lajme

  • Sveçla: Kryetarët e rinj s’do të kenë probleme

    Sveçla: Kryetarët e rinj s’do të kenë probleme

    Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, shprehu bindjen se kryetarët e rinj të komunave në veri të Kosovës, nuk do të kenë probleme në punën e tyre, sepse, siç tha, “ligji do të zbatohet në të gjithë vendin”.

    “Në veri vështirësitë janë më specifike, por probleme nuk do të ketë”, tha Sveçla në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

    Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb.

    Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.

    Sipas të dhënave të para të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje fitoi Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviqin, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës mori Zubin Potokun dhe Zveçanin.

    Këto komuna, deri nëntorin e kaluar, udhëhiqeshin nga zyrtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.

  • Draft Statuti i Asociacionit prezantohet në takimin e 2 majit, Lajçak Kurtit e Vuçiqit

    Draft Statuti i Asociacionit prezantohet në takimin e 2 majit, Lajçak Kurtit e Vuçiqit

    Emisari i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë detaje për qëllimin e takimit 2 majit të nivelit të lartë ne mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ai ka thënë se në takimin e 2 majit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq do të prezantohet aneksi i marrëveshjes së Ohrit. Ka kërkuar nga të dyja palët të shkojnë në takim të përgatitur.

    Poo ashtu do të miratohet edhe deklarata për Personat e Zhdukur që ishte arritur si marrëveshje në nivel kryenegociatorësh.

    ”Me takimin e radhës të dialogut të nivelit të lartë që do të mbahet më 2 maj, kjo është një kohë e përgatitjeve intensive. Si takimi i parë i nivelit të lartë pas Ohrit, do të jetë një takim i rëndësishëm për zbatimin e Marrëveshjes dhe Aneksit të saj. Agjenda do të përfshijë miratimin zyrtar të Deklaratës për Personat e Zhdukur, prezantimin e draft Statutit të parë të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë nga ekipi menaxhues dhe çështjet aktuale. Prandaj ne presim që të dyja palët të vijnë në Bruksel të përgatitura mirë dhe plotësisht të përkushtuara në fazën e zbatimit”, ka shkruar Lajçak në Facebook, të dielën.

    Lajçak po ashtu ka treguar për takimet e tij të realizuara që lidhen me çështjen e dialogut Kosovë – Serbi.

    ”Në fillim të kësaj jave në Bruksel, u takova me komandantin e KFOR-it të NATO-s, gjeneralmajor Ristuccia për të përditësuar njëri-tjetrin në fushat tona përkatëse të përgjegjësisë. Unë e vlerësoj bashkëpunimin tonë të ngushtë dhe njohuritë e tij të vlefshme për situatën e sigurisë në Kosovë, në veçanti në veri të Kosovës. Kam pasur një takim edhe me kryetarin e Seksionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Komitetit Evropian Ekonomik dhe Social Dimitriadis. Unë jam mirënjohës për interesimin dhe mbështetjen e tij në Dialog dhe vlerësoj përpjekjet praktike të KESE-së në nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për avancimin e qëllimeve tona të përbashkëta në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ai.

    Kosova dhe Serbia më 18 mars arritën një marrëveshje në Ohër, ndonëse nuk u nënshkrua.

    Në Kosovë, kryeministri Albin Kurti është kritikuar nga dy partitë opozitare PDK dhe LDK se përmes marrëveshjes së Ohrit ka pranuar implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilët e kishte kundërshtuar gjatë kohës sa ishte në opozitë.

  • Dodik paralajmëron shkëputjen e Republika Srpska dhe bashkimin me Serbinë

    Dodik paralajmëron shkëputjen e Republika Srpska dhe bashkimin me Serbinë

    Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, foli më 23 prill në ngjarjen për të shënuar Ditën e Përkujtimit të 700.000 viktimave të krimeve të ustashëve në kampin e përqendrimit të Jasenovacit, ngjarje që u mbajt në Donja Gradina.

    Ai foli për këto krime, i krahasojë ato me krimet e luftës së fundit në territorin e Jugosllavisë së atëhershme dhe foli për shkëputjen e Republikës Sërpska dhe bashkimin me Serbinë.

    “Ne jemi këtu nga Republika Sërpska sepse i takojmë një kombi dhe një ditë ne do të jemi një shtet. Askush nuk do të na ndalojë që ta bëjmë këtë sepse është e drejta jonë dhe historia jonë. Shekulli i kaluar ishte shekulli i vuajtjes serbe dhe ky shekull do të jetë shekull i bashkimit të serbëve”, tha Dodik, raporton Beta.

    “Shteti është fjalë kyçe në lirinë tonë dhe prandaj ne duam që qartazi ta themi se nuk ka iluzione apo kërcënim për këdo kur Republika Sërpska shpreh vullnetin e saj popullor për të formuar shtetin e vet, sepse ne nuk mund të jetojmë në Bosnjë e Hercegovinë, shtet që na shtyp ne dhe kërcënon liritë tona”, tha Dodik para të pranishmëve.

    Ai vlerësoi se serbët “nuk mund të mbijetojnë në këto zona, nëse Republika Sërpska nuk bëhet e pavarur në vitet në vijim”.

    “Ne do ta bëjmë Republikën Sërpska një shtet në paqe, pa konflikte dhe luftëra. Ne nuk mund të jetojmë në Bosnjë e Hercegovinë”, tha Dodik, duke shtuar se nuk ka asgjë kundër boshnjakëve dhe kroatëve.

    Dodik po ashtu tha se serbët ishin viktimat më të mëdha të shekullit të kaluar, fillimisht të Luftës së Parë Botërore, por edhe të luftërave që shpërthyen gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.

    Ai bëri një sërë akuzash ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë në Bosnje, të cilët ai i quajti “fundërrina”, duke theksuar se ata dëshirojnë të marrin pronat nga serbët në Republikën Sërpska.

    Dodik tha se përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe diplomatët nga shtetet perëndimore “barazojnë krimin në Srebrenicë me vuajtjet në Jasenovac, sepse nuk janë të njëjta”.

    “Ju që jeni nga Amerika dhe Evropa kurrë nuk keni thënë se këtu është kryer gjenocid kundër serbëve, por ju jeni të gatshëm të përdorni gjithçka që keni, nga bombat NATO-s, për të justifikuar veprimet që keni kryer në vitet ’90, duke punuar në shpërbërjen e Jugosllavisë”, tha Dodik.

    Lideri i serbëve të Bosnjës përsëriti se në Srebrenicë nuk është kryer gjenocid, por tha se atje ka ndodhur krim për të cilin janë përgjegjës individë.

    Dodik u bëri thirrje përfaqësuesve të shteteve perëndimore që të pranojnë qëndrimin se serbët nga Republika Sërpska “nuk mund të jetojnë në Bosnjë e Hercegovinë”, sepse, siç tha ai, “koncepti i shtetësisë në Bosnje është një projekt anti-serb, që synon të eliminojë popullsinë serbe nga këto zona”.

    Ai shtoi se komuniteti ndërkombëtar mund të dërgojë sa të dojë njësi ushtarake në Bosnje, por kjo, sipas tij, nuk do t’i ndalojë serbët që të luftojnë për shtetin e ashtuquajtur Republika Sërpska./REL

  • Vjen reagimi i Ambasadës së SHBA’së për zgjedhjet në veri

    Vjen reagimi i Ambasadës së SHBA’së për zgjedhjet në veri

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është deklaruar rreth zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës.

    Në komunikatën e ambasadës thuhet se, SHBA’të theksojnë se, zgjedhjet janë në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.

    Po ashtu, në komunikatë thuhet edhe se, SHBA’të mbështesin një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë, ku shprehet keqardhje që jo të gjitha partitë e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme.

    ‘‘Ne mbështesim një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë. Na vjen keq që jo të gjitha partitë e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike’’, thuhet ndër tjerash në komunikatë.

    Komunikata e plotë:

    Deklarata e Ambasadës Amerikane për Zgjedhjet Komunale, 23 Prill 2023

    Shtetet e Bashkuara theksojnë se katër zgjedhje për kryetar komune dhe dy zgjedhje për asamble komunale u mbajtën në komunat e Kosovës Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zveçan/Zveqan dhe Zubin Potok më 23 prill 2023, në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.

    Ne mbështesim një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë. Na vjen keq që jo të gjitha partitë e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike.

    Ne i njohim përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë kosovarë për t’i vënë vendet e votimit në dispozicion të qytetarëve që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke minimizuar pikat e mundshme të tensionit. Gjithashtu shprehim mirënjohjen tonë për profesionalizmin e Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe KFOR-it në sigurimin e një mjedisi të sigurt për zgjedhjet.

    Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha palët relevante për hapat e ardhshëm.

    Ne gjithashtu ritheksojmë rëndësinë dhe përkushtimin tonë për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit.

  • Molliqaj: Zgjedhjet e sotme, argument i ri i Vuçiqit për të ushtruar presion për Asociacionin

    Molliqaj: Zgjedhjet e sotme, argument i ri i Vuçiqit për të ushtruar presion për Asociacionin

    Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka komentuar mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore duke shtuar se nuk zgjidhet problemi i veriut të Kosovës në këtë mënyrë, por vetëm politikisht.

    Molliqaj thotë se në një status në Facebook se për kryeministrin Kurti më e rëndësishme është mbajtja e zgjedhjeve në veri se sa rendi e ligji atje.

    “Sot, Kurti deshi të tregojë që edhe në veri ai mund të mbajë zgjedhje. Për të më e rëndësishme është të arsyetoje pushtetin e vet sesa të trajtojë veriun më shumë sesa çështje sigurie dhe e mungesës së rendit e ligjit. Çështja e veriut është çështje politike. Prandaj duhet të trajtohet politikisht. Deri tani, veprimet e pushtetit kanë qenë të gabuara e shpesh herë të rrezikshme”, tha ai.

    Tutje Molliqaj komentoi edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “Në fund, zgjedhjet e sotme janë argument i ri i Vuçiqit për të ushtruar presion rreth krijimit të Asociacionit”, shtoi ai.

  • KQZ publikon rezultatet preliminare

    KQZ publikon rezultatet preliminare

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet preliminare për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore. Nga rezultatet preliminare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë fituar nga dy komuna.

    VV-ja do të udhëheqë në Mitrovicën e Veriut. Kandidati i saj, Erden Atiq ka fituar 519 vota apo 66.5 për qind.

    Pas tij është renditur kandidati i PDK-së, Taulant Kelmendi, që mori 186 vota apo 23.8 për qind dhe Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica mori 75 vota apo 9.6 për qind.

    Në Leposaviq, Lulzim Hetemi i VV-së mori shumicën e votave. Hetemi numëroi 100 vota apo 73.5 për qind, ndërsa Albulena Behluli-Hetemi e PDK-së pati 34 vota apo 25 për qind. Aleksandar Jabllanoviq, edhe pse u tërhoq nga gara, mori dy vota.

    Ndërkohë, PDK-ja do të udhëheqë me Zubin-Potokun. Kandidati i saj, Izmir Zeqiri, fitoi ngushtë ndaj kandidatit të VV-së, Flatron Hasani. Zeqiri mori 196 vota apo 52.1 për qind, kurse Hasani pati 180 vota apo 47.9 për qind.

    PDK-ja do ta ketë kryetarin e komunës edhe në Zveçan. Ilir Peci mori 114 vota apo 60 për qind, ndërsa Fetah Peci i VV-së mori 71 vota apo 37.4 për qind. Sllagjana Pantoviq mori pesë vota apo 2.6 për qind.

    Vetëm 3.47 për qind e 45 mijë e 95 qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat e veriut të Kosovës kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për votë të dielën në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan e Mitrovicë të Veriut. Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut votuan 837 qytetarë apo 4.62 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Në Leposaviq votuan 141 votues apo 1.06 për qind, në Zubin-Potok 385 votues apo 5.78 për qind dhe në Zveçan 204 qytetarë apo 2.92 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

  • Kandidati i PDK-së në Zubin Potok: Fitorja ime do të jetë fitore e të gjithë qytetarëve

    Kandidati i PDK-së në Zubin Potok: Fitorja ime do të jetë fitore e të gjithë qytetarëve

    Kandidati i PDK-së për Zubin Potokun, Izmir Zeqiri, ka thënë se ka fituar në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore të vendit.

    Ai, në një konferencë për media, i ka falënderuar të gjithë qytetarët për mbështetjen e dhënë.

    “Fitorja ime do të jetë fitore e të gjithë qytetarëve. Unë do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve, do të jem i hapur për të gjithë qytetarët”, ka thënë Zeqiri.

  • Policia deklarohet për zgjedhjet në veri

    Policia deklarohet për zgjedhjet në veri

    Policia e Kosovës, ka vlerësuar si të qeta dhe pa asnjë incident, zgjedhjet e mbajtura sot në katër komunat veriore.

    Kështu është deklaruar nga PK’ja përmes një komunikate për media, ku është shtuar edhe se, PK’ja ka realizuar me sukses planin e saj operativ për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në këto komuna.

    Po ashtu, në komunikatë shtohet se, plani operativ ka paraparë edhe inicimin e çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjen e të gjitha masave procedurale dhe penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit, në bashkëpunim dhe koordinim me KQZ-në dhe Prokurorinë e Shtetit.

    Megjithatë, siç njofton PK’ja, deri më tani nuk ka pasur ndonjë rast të raportuar.

    Komunikata e plotë:

    Zgjedhjet e mbajtura sot në katër komunat veriore, në aspektin e sigurisë vlerësohen të qeta dhe pa asnjë incident

    Prishtinë, 23 prill 2021

    Policia e Kosovës (PK), deri në këtë fazë realizoi me sukses planin operativ për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, proces ky i cili në aspektin e sigurisë vlerësohet se ka kaluar i qetë dhe pa asnjë incident

    Përveç ofrimit të sigurisë gjatë procesit zgjedhor, plani operativ ka paraparë inicimin dhe procedimin e çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjen e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit, në bashkëpunim dhe koordinim me KQZ-në dhe Prokurorinë e Shtetit, por që deri më tani nuk ka pasur ndonjë rast të raportuar.​

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e rendit kushtetues, krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët, përcjelljen e materialit sensitiv e deri në përfundim të gjithë procesit zgjedhor.

  • Prokuroria e Shtetit: Asnjë rast penal gjatë zgjedhjeve në veri

    Prokuroria e Shtetit: Asnjë rast penal gjatë zgjedhjeve në veri

    Prokuroria e Shtetit tha se gjatë votimeve për zgjedhjet lokale në veri të Kosovës nuk është evidentuar ndonjë rast për vepra penale kundër të drejtave të votimit.

    “Prokurori i Shtetit do të vazhdojë të mbikëqyrë procesin e numërimit të votave deri në përfundimin e këtij procesi”, u tha në njoftim.

    Edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se procesi zgjedhor është zhvilluar pa asnjë problem.

    Mbi 1.500 qytetarë votuan për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për zgjedhjen e kryetarëve të rinj në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

    Po ashtu u votua edhe për përbërjet e reja të asambleve komunale në Leposaviq dhe Zveçan.

    Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – nuk garoi në zgjedhje dhe bëri thirrje për bojkotim të tyre.

  • Kandidati i VV-së për Mitrovicën e veriut: I fituam zgjedhjet

    Kandidati i VV-së për Mitrovicën e veriut: I fituam zgjedhjet

    Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka thënë se ai ka fituar zgjedhjet në këtë komunë.

    Zgjedhjet e sotme janë karakterizuar me pjesëmarrje të ulët të qytetarëve.

    Por Atiq thotë se ai do të jetë kryetar i të gjithëve, pa dallim.

    ”Kemi dalë si votues i këtyre zgjedhjeve. Faleminderit të gjithë qytetarët. Do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka thënë ai.

    I pyetur për sfidat që do të përballen me Listën Serbe pasi këta të fundit bojkotuan zgjedhjet, Atiq tha se ”për të gjitha sfidat jemi të vetëdijshëm dhe të përgatitur”.