ATV

Category: Lajme

  • Dëshmitarët në seanca private, Specialja tregon pse po ndodh një gjë e tillë

    Dëshmitarët në seanca private, Specialja tregon pse po ndodh një gjë e tillë

    Procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve do të rifillojë më 10 maj ku Prokuroria do të vazhdojë prezantimin e saj. Këtë e ka bërë të ditur në një komunikatë për media, Gjykata Speciale ku edhe kanë sqaruar se pse deri tani dëshmitë e dëshmitarëve kanë qenë të mbyllura për publikun.

    Nga Specialja thonë se të gjitha gjykimet par Dhomave të Specializuara janë publike, megjithatë ndonjëherë gjyqtarët vendosin që të mbajnë seanca të ashtuquajtura private apo të mbyllura, apo të redaktojnë informacione për të mbrojtur identitetin dhe sigurinë e dëshmitarit ose viktimës siç përshkruhet në Rregulla.

    Në këtë konferencë kanë sqaruar se edhe kur dëshmia e dëshmitarit nuk dëgjohet në publik, i akuzuari dhe avokatët e tij mund ta dëgjojnë atë çfarë thotë dëshmitari dhe kanë të drejtën që ta marrin në pyetje atë.

    “Edhe kur është dëshmia e dëshmitarit duke mos u dëgjuar nga publiku, të akuzuarit dhe avokatët e tyre mund të dëgjojnë se çfarë thotë dëshmitari dhe kanë të drejtë të marrin në pyetje dëshmitarin. Paraqitja e provave nga Prokuroria e Specializuar në këtë rast rifillon të mërkurën, 10 maj në orën 9:00”, thuhet në njoftimin e Speciales.

  • ​Ish-ministrja serbe: SNS-ja po bëhet gjithnjë e më radikale

    ​Ish-ministrja serbe: SNS-ja po bëhet gjithnjë e më radikale

    Ish-ministrja dhe ish-nënkryetarja e qeverisë së Serbisë, Zorana Mihajloviq, tha se Partia Progresive Serbe nuk është më e njëjta organizatë, e të cilës iu bashkua 13 vjet më parë. Ajo shton se nuk i pëlqen transformimi që përjetoi partia në të cilën u bashkua në vitin 2010, pasi siç thotë ajo, lëvizjet po bëhen gjithnjë e më radikale.

    Zorana Mihajloviq, e cila u largua nga Partia Progresive Serbe (SNS), shkruan nova.rs.

    Në një letër drejtuar kryesisë së partisë, Mihajloviq, me 13 fjalë, pa shpjegime shtesë, e ka njoftuar kryesinë e partisë se nuk do të jetë më pjesë e SNS-së.

    Një ditë më vonë, në një intervistë, Mihajloviq tregon se cila ishte arsyeja e këtij vendimi.

    Pse vendosët të largoheni nga SNS pikërisht në këtë moment? Cila është arsyeja kryesore e vendimit tuaj? Kolegët tuaj nga ish-partia, përfshirë edhe presidentin, pohojnë se e keni vendosur këtë pasi nuk mbani më post ministror?

    Vjen gjithmonë një moment kur merrni vendime të caktuara dhe ndryshime të caktuara. Ky nuk është ndryshimi i parë dhe as i fundit në jetën time. Gjithçka është normale dhe është pjesë e pandarë e jetës, por ndoshta nuk është keq t’ju kujtoj disa gjëra – Unë iu bashkova SNS-së në vitin 2010, dy vjet para se partia të vinte në pushtet. Pra, historia që jam e lidhur në një kolltuk nuk mban ujë. Unë hyra në atë parti sepse doja shumë të ndryshoja disa gjëra. Pas vrasjes së kryeministrit Zoran Gjingjiq, asgjë nuk dukej ashtu siç duhej. Kishte shumë probleme… Kjo është pjesërisht arsyeja pse vendosa të jem pjesë e SNS. Nga ana tjetër, unë nuk hyra në atë parti sepse kisha nevojë për diplomë, sepse kisha diplomën time, të marrë në Universitetin e Beogradit dhe nuk kisha nevojë as për doktoraturë. Unë tashmë isha doktor shkencash. Nuk kisha nevojë as për një apartament, sepse tashmë jetoja këtu, ku jetoj edhe sot. Nuk më duheshin asnjë privilegj që priten shpesh dhe që disa politikanë i kanë. U bëra vërtet pjesë e asaj feste me besimin se mund të ndryshoj disa gjëra. Kohët kanë ndryshuar, unë kam ndryshuar, partia ka ndryshuar dhe tani është një SNS e re.

    Për çfarë lloj ndryshimi po flisni?

    Tani është diçka ndryshe në krahasim me gjithçka që SNS ishte në fillimet e themelimit të saj. Pra, nga një parti pro-evropiane, kujtoni periudhën midis 2008 dhe 2012, kur partia erdhi në pushtet… Në atë kohë të gjithë donim që vendi të ishte pjesë e Bashkimit Evropian, kishte shumë energji dhe dashuri për atë rrugë. Ju mund të shihni sot se fjalë për fjalë ajo rrugë pothuajse është ndalur. Më duket se ka shumë lëvizje më radikale, sesa ato pro-evropiane. Unë jam dëshmitar i transformimit të SNS dhe nuk më pëlqen. Kjo është arsyeja kryesore pse vendosa ta bëj këtë hap, sepse nuk është më ajo që e kam dashur dhe ëndërroja në fillim, kur u bëra pjesë e saj. Mendoj se në një periudhë përpara nesh, kjo do të duhet të ndryshojë në vetë partinë. Kjo tani po bëhet një gjë e së kaluarës për mua, unë shikoj përpara dhe shoh se çfarë mund të bëj për vendin tim në një mënyrë më të mirë dhe ndryshe.

    Ajo parti nuk ishte e njëjtë, krahasuar me periudhën që përmendni, dhe keni vendosur të largoheni nga SNS vetëm në 2023?

    Para së gjithash, nuk kam dashur të marr vendim menjëherë kur kam vendosur të mos jem më pjesë e qeverisë së Serbisë. Nuk doja të largohesha menjëherë nga partia për shkak të komenteve dhe sulmeve të ndryshme. Prita një kohë të caktuar. Me kokë të qetë shkrova vendimin e dorëheqjes për 13 vitet që kalova në atë parti. Ju keni absolutisht të drejtë, partia ka ndryshuar me kalimin e viteve dhe unë kam qenë në qeverinë e Serbisë me vite. Është absolutisht e vërtetë që unë jam një nga ministrat më jetëgjatë dhe kam punuar shumë. Mendimi im për këtë temë ishte si vijon – Unë kam pësuar sulme serioze që nga viti 2014 nga njerëz të partisë sime. Nuk kam pësuar sulme nga opozita. Isha në faqet e para të gazetave… Mendimi im ishte si vijon: Do të punoj dhe për sa kohë të kem rezultat, do të jem aty, kur të mos mundem më gjatë, do të dal prej andej. Vitet e fundit të mandatit tim ishin vitet kur nuk mund të bëja absolutisht asgjë në Ministrinë e Minierave dhe Energjetikës. Ishin vitet kur isha e izoluar, e strehuar. Meqë isha Zorana Mihajloviq, çdo propozim që bëja nuk mund të kalonte për arsye të panjohura për mua. E dija që atëherë se nuk e doja dhe se nuk doja të isha në një qeveri të tillë. Dhe tani për t’iu përgjigjur atyre që thonë se ajo nuk është në Qeverinë e Serbisë, pra komenton kështu – kur mbaruan zgjedhjet, kudo që isha në media, sa herë që dikush më pyeste nëse do të isha në qeverinë e re, unë u përgjigjja se në këtë mënyrë nuk dua. Nuk ishte më një qeveri ku unë mund të prodhoja rezultate dhe unë jam një njeri që prodhoj rezultate.

  • ​Osmani kërkon investime në komunat shqiptare në RMV: Të garantohet përdorimi i shqipes

    ​Osmani kërkon investime në komunat shqiptare në RMV: Të garantohet përdorimi i shqipes

    Presidentja Vjosa Osmani gjatë vizitës në Maqedoni të Veriut iu është drejtuar deputetëve të këtij vendi me një fjalë rasti. Nga foltorja e institucionit të rëndësishëm në Shkup, Osmani ka kërkuar më shumë investime në komunat me shumicë shqiptare si dhe përdorim më te gjerë të gjuhës shqipe.

    Osmani, në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës, u shpreh se shqiptarët mbajnë disa pozita të rëndësishme udhëheqëse por ka hapësirë që të bëhet më shumë.

    “Populli shqiptar ka qenë gjithnjë dhe mbetet përherë një urë e fortë lidhëse ndërmjet dy shteteve tona. Ata kishin rol kyç në shtetforimin dhe shtetndërtimin e Maqedonisë së Veriut ndërkaq sot janë kontribuues kyç për perspektivën evropiane të saj. Në themelet e shtetit modern maqedonas, shqiptarët krah për krah me etnitë e tjera janë duke ndërtuar të ardhmen e përbashkët mbi parimet e barazisë dhe gjithëpërfshirjes. Ata tashmë janë përfshirë edhe në pozita udhëheqëse duke pasur një përfaqësim më të madh në institucionet shtetërore por gjithnjë ka hapësirë që të bëhet edhe më shumë”, deklaroi Osmani, transmeton KP.

    Osmani shtoi se përkundër sfidave nga e kaluara, sot në Maqedoni të Veriut funksionojnë disa universitete të cilat ofrojnë programe studimi në gjuhë shqipe, e sipas saj, ato garantojnë ruajtjen e identitetit përderisa hidhen themelet e diturisë që më pastaj mundëson integrimin e plotë të shqiptarëve në shoqërinë e Maqedonisë së Veriut.

    Osmani tha se ruajtja dhe kultivimi i gjuhës shqipe është element shumë i rëndësishëm në zhvillimin e bashkëjetesës.

    Ajo kërkoi edhe më shumë investime ne njësitë e banimit me shqiptarë.

    “Të prirë nga vizioni për mirëqenie të shtuar e me qëllim të kapërcimit të sfidave socio-ekonomike me të cilat po ballafaqohet i gjithë rajoni ynë, rritja e investimeve dhe në vendbanime ku jetojnë shqiptarët dhe fuqizimi edhe më i shumë i njësive të vetëqeverisjes lokale me kapacitete dhe financa shpresoj të shihet si prioritet. Në këtë mënyrë krijohen mundësi shtesë që qytetarët t’ju ofrohen shërbime sa më cilësore, si dhe të garantohet përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha institucionet e vendit”, tha Osmani.

    Gjatë fjalës së saj, Osmani tha se raportet mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut janë të forta.

  • ​Parlamenti Evropian kritikon Serbinë për afërsi me Rusinë

    ​Parlamenti Evropian kritikon Serbinë për afërsi me Rusinë

    Parlamenti Evropian, përmes një raporti për Serbinë, të miratuar të mërkurën në Komisionin për Politikë të Jashtme, ka kritikuar edhe një herë Serbinë për afërsi me Rusinë dhe për refuzimin që të përshtatet me qëndrimet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.

    Për më tepër deputetët e Parlamentit Evropian kanë kërkuar edhe kushtëzimin e ndihmës financiare të BE-së për Serbinë me qëndrimet e saj ndaj Rusisë, shkruan REL.

    Në veçanti, shprehet zhgënjim për faktin se Serbia vazhdon të jetë një prej vendeve të vetme të rajonit dhe ndër të paktat në botë, të cilat nuk i kanë vendosur sanksione Rusisë. Në këtë mënyrë, këto vende kanë vazhduar t’i refuzojnë kërkesat që të përshtaten edhe sanksionet, të cilat BE-ja i ka vendosur ndaj Rusisë prej kur ka nisur agresioni i saj ndaj Ukrainës.

    Përmes amendamenteve që janë votuar, Parlamenti Evropian ka shprehur edhe shqetësim për emërimin e ish-ministrit të Brendshëm, Aleksandar Vulin, për shef të Shërbimit të Zbulimit të Serbisë, BIA, pasi që ai konsiderohet të jetë i afërt me Moskën dhe person “i njohur për retorikën kundër Bashkimit Evropian”.

    Në raport përmendet se Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE, se kjo është një zgjedhje strategjike e Serbisë, prandaj ajo edhe duhet të sillet në përputhje me këtë qëndrim dhe t’i mbështesë vlerat evropiane.

    Në raport thuhet se është e papranueshme që Serbia të përshtatet me “regjimin luftënxitës autokrat të Rusisë”.

    Ndonëse përshëndetet fakti se Serbia i ka mbështetur disa rezoluta në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ku dënohet agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, shprehet keqardhje për refuzimin që të mbështeten edhe sanksionet.

    Në këtë dokument shprehet keqardhje për sjelljen e përgjithshme të Serbisë, e cila disa aspekte të politikës së jashtme i ka tërësisht në kundërshtim me qëndrimet e BE-së.

    Në raportin për Serbinë thuhet se përparimi në rrugën e integrimeve evropiane do të varet nga suksesi në reforma, përshtatja me politikën e jashtme dhe nga normalizimi i raporteve me Kosovën.

    Po ashtu, kërkohet që të normalizohen raportet me Kosovën, duke përfshirë edhe njohjen e ndërsjellë.

    Raporti për Serbinë është miratuar në Komisionin përkatës parlamentar me 43 vota në favor, gjashtë kundër dhe pesë abstenime. Raporti tash shkon për debat dhe miratim edhe në seancë plenare. Ndërsa pritet të jetë në rend dite në seancën e 9 majit.

  • ​Haxhiu: Kosovës nuk i duhet një kryeprokuror i paaftë dhe që s’ka integritet moral

    ​Haxhiu: Kosovës nuk i duhet një kryeprokuror i paaftë dhe që s’ka integritet moral

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se Kosovës nuk i duhet një kryeprokuror i paaftë dhe që s’ka integritet moral, por i guximshëm që nuk i shërben grupeve të interesit.

    Ajo ka thënë se Prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ndaj një sërë dosjesh që i ka dorëzuar Qeveria, sipas saj, për keqpërdorimet që i ka gjetur në ekzekutiv, transmeton kp.

    “Neve na duhet një kryeprokuror i guximshëm që nuk e ka bishtin e zënë me derë, që nuk i shërben individëve, nuk i shërben grupeve të interesit, por ligjit, mandatit dhe Kushtetutën. Mandati i kryeprokuror të shtetit është shtatë vite, janë shumë. Nuk mundemi që edhe shtatë vite të tjera me qu me një kryeprokuror që s’ka integritet moral dhe profesional. Pra që është i paaftë dhe që nuk njihet për asnjë lëndë që e ka quar përpara. Për këtë po flasim ne, ne duam një sistem të drejtësisë të çliruar nga grupet e interesit, individët dhe oligarkët”, tha ajo.

    Në anën tjetër, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, tha se nuk është çudi që jo shumë larg, ministren Haxhiu ta shohin prapa grilave.

    “Mënyra si po e mbroni (Nagip Krasniqin) zonja ministre, për besë nuk është çudi se jo larg kemi me të pa prapa grilave edhe ty, siç po e shoh”, tha ai.

  • Latifi: Dalja publike e UÇK-së në Pashtrik ndryshoi ndryshoi historinë

    Latifi: Dalja publike e UÇK-së në Pashtrik ndryshoi ndryshoi historinë

    Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të daljes publike të UÇK-së në zonën Operative të Pashtrikut, Komuna e Rahovecit ka organizuar manifestim në fshatin Drenoc, me ç’rast u tha se ngjarje si kjo ndryshuan historinë dhe hartën e botës.

    I pari i kësaj komune, Smajl Latifi, derisa foli për luftën çlirimtare të UÇK-së, tha se nga gjaku i të rënëve për liri është fituar liria që e gëzon vendi sot.

    “Lufta jonë çlirimtare mori përmasa kombëtare dhe s’kishte si të ishte ndryshe, sepse shqiptarët ndjejnë të njëjtën dashuri për atdheun, pavarësisht se ku jetojnë. Bijat dhe bijtë e këtij vendi u rreshtuan në radhët e UÇK-së dhe në forma të ndryshme kontribuuan për të mirën e përgjithshme. Dhe natyrisht, lufta ka edhe pasojat që lënë gjurmë në jetët e njerëzve, por edhe gjurmë në histori. Dalja e UÇK-së me 26 prill e më pas beteja parë dhe ajo me 14 maj, si dhe ato të tjerat, i dhanë kësaj lufte tjetër dimension. Toka u stolis me varre, por nga ai gjak është liria që po shijojmë sot. Ngjarjet si kjo na bëjnë te ndjehemi krenar që i takuam asaj epoke të lavdishme, epokës që ndryshoi historinë dhe jo vetëm atë shqiptare, por edhe hartën e botës”, tha Latifi, raporton KP.

    Latifi mes tjerash përmendi edhe ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë, për çka tha se akuzat ndja tyre janë të pa baza e vijnë nga Beogradi.

    “Ne sot po e festojmë 25-vjetorin pa Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Nasim Haradinajn, Hysni Gucatin, Pjetër Shalën, Salih Mustafën, pa shokë të cilët po përballen padrejtësisht në akuza të shpifura nga ata që kanë rënë me ose pa vetëdije në kurthin e armiqve tanë e në ato dosje që janë gatuar diku, janë pjekur diku në kuzhinat e Beogradit zyrtar. Pra, ndërtimi i vendit dhe përmirësimi i kushteve të punës e jetës është pjesë e detyrimeve tona ndaj dëshmoreve. Na mbetet që të punojmë me përkushtimin më të madh për rregullimin e kushteve të punës e jetës për njerëzit tanë. Duke punuar ndershëm, ne nderojmë të kaluarën, gjakun e derdhur për liri, nderojmë të tashmen dhe të ardhmen tonë, vetëm në këtë mënyrë, familjarët e dëshmorëve, martirëve mund të ndjehen të nderuar e të respektuar, ndërsa ne shpirtërisht me të qetë”, tha mes tjerash Latifi.

    Publicisti dhe mbledhësi i fakteve të dëshmive historike, Qemajl Krasniqi derisa kujtoi gjithë të rënët për liri tha se falë tyre Drenoci nuk ra por u bë çerdhe prej nga hynin e dilnin luftëtarët e lirisë nga të gjitha trojet shqiptare.

    “Pikërisht këtu zuri fill Zona Operative e Pashtrikut, zonë që u mbijetoi sfidave dhe ballafaqimeve te mëdha e të rrezikshme me forcat armike deri në çlirimin e vendit në qershor te vitit 1999. Aty u organizuan bujq e blegtorë, mjeshtër e profesionistë të ndryshëm, studentë, mësues e intelektualë me grada të larta shkencore… Por, Drenoci nuk ra por u bë çerdhe prej nga hynin e dilnin luftëtarët e lirisë nga të gjitha trojet shqiptare. Mblodhi ata njerëz që në zemër e në mendje e kishin dashurinë dhe respektin për luftën dhe dëshmorë dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kazerma e Drenocit kishte një udhëheqje operative dhe kooperative ushtarake që drejtonte operacionet anembanë Anadrinit dhe sot me shumë merita i takon epiteti ‘Fshati-kazermë’, fshat ku zuri fill Brigada 124 ‘Gani Paçarizi’ e fshat ku zuri fill Zona Operative e Pashtrikut”, tha Krasniqi.

    E përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Xhavit Jashari, duke folur për luftën e UÇK-së, apeloi krerët shtetërorë që për ta të kërkojnë drejtësi nga instancat ndërkombëtare të drejtësisë.

    “Duke e kujtuar e shkruar historinë, qëndrojmë mirë sot dhe ecim bindshëm në realizimin e amanetit të dëshmorëve, pra amanet i cili duhet të jetë jetik për çdo shqiptar përveç lirisë, së kësaj pjese të atdheut, pra të realizojmë rrugën e madhe që ma hapur rruga e lavdishme e UÇK-së… Lirinë nuk na ka falë askush, se për të ardhur deri te liria është dashur si domosdoshmëri lufta e lavdishme dhe e pastër e UÇK-së. Duhet të themi me shumë zë, të gjithë atyre qe i bënë këto padrejtësi qofshin vendorë dhe ndërkombëtarë, se nuk ka forcë që mund ta barazojë luftën e pastër dhe të drejtë të UÇK-së. Duhet të besojmë se pafajësia do të vërtetohet dhe do të dështojnë të gjithë ata. Institucionet tona, sidomos kryeministri dhe kryetarja e shtetit duhet të deklarohen rreth kësaj dhe të kërkojnë nga instancat ndërkombëtare të drejtësisë se ku mbeten këto shpifje dhe si sillen ata që e sajojnë atë”, tha Jashari.

    Ai tha se dëshmorët e lirisë janë figura të ndritshme të vendit.

  • Rizvanolli i drejtohet opozitës: Si është e mundur të dini kaq shumë rreth tenderëve?

    Rizvanolli i drejtohet opozitës: Si është e mundur të dini kaq shumë rreth tenderëve?

    Në Kuvendin e Kosovës është duke u zhvilluar debati parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i ka pyetur deputetët nga opozita se si është e mundur që ata të dinë kaq shumë rreth tenderëve.

    “Ministria e Ekonomisë është duke bashkëpunuar me bordin mbikëqyrës të KEK-ut për t’u siguruar se operimet vazhdojnë me sukses”.

    “Desha të ju pyes se pse përgjatë këtyre dy viteve aq pak keni folur për politikat, por aq shumë dini për tenderët. Nuk do t’ju pyes sepse ju njoh, andaj nuk ka nevojë për përgjigje”.

  • ​Përplasje në Kuvend, ministrja Haxhiu përmend pasurinë e Haradinajt

    ​Përplasje në Kuvend, ministrja Haxhiu përmend pasurinë e Haradinajt

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është përplasur me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në seancën e sotme të Kuvendit ku po debatohet për zhvillimet e fundit në KEK.

    Duke replikuar me Haradinajn për ndërhyrjen në drejtësi, Haxhiu përmendi ish-prokurorin, Elez Blakaj, derisa tha se kur bëhet fjalë për krim dhe korrupsion duhet shikuar pasuria e Haradinajt për të parë se kush është i përfshirë.

    “Në Republikën e Kosovës, një prokuror special është detyruar të lëshojë vendin për shkak teje zotëri Haradinaj. Sa ke qenë kryeministër ti i ke kërkuar raport me shkrim që brenda 30 ditëve me të jep informacione për lëndët që i ka pasur në adresim ish prokurori Elez Blakaj. Kjo është ndërhyrja brutale në sektorin e drejtësisë. Kur flasim për krim dhe korrupsion zotëri Haradinaj, Kosova është vend i vogël, mos thuani diçka në foltore të Kuvendit që nuk e besoni edhe vet. Ne e dina shumë mirë se ku keni qenë dhe ku jeni. Sa pasuri keni pasur dhe sa keni. Prandaj kur flasim për krim dhe korrupsion vetëm me ta pa pasurinë tënde që ke kriju prej momentin kur ke fillu me punu në institucioni është mjaftueshëm me kuptu kush është i përfshirë në krim dhe korrupsion”, tha ajo, përcjell KP.

    Mirëpo, ndryshe reagoi Haradinaj.

    “Kur fol pas shpine, të them të drejtën nuk e di a është krejt e ndershme dhe logjikshme, pasi gjatë fjalimit të parë timin isha i penguar prej ministres. Kjo është zonjë, më vjen keq me përdor ndonjë fjalor, por vazhdimisht pengohem prej zonjës ministre pas shpine. Faleminderit për ato që i the”, tha kreu i AAK-së.

  • Këto janë të gjitha vendimet që i mori Qeveria sot

    Këto janë të gjitha vendimet që i mori Qeveria sot

    Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës.

    Në këtë mbledhje janë marrë një sër vendimesh.

    Këto janë të gjitha vendimet që mori Qeveria në mbledhje:

    Projekt-rregulloren për Zëvendësimin apo Mungesën e Përkohshme nga Puna e Nëpunësit Civil. Kjo Rregullore përcakton rregullat dhe procedurat për plotësimin e pozitës në rast të nevojës të zëvendësimit apo mungesës së përkohshme nga puna, të një nëpunësi civil.

    Udhëzimin Administrativ për Shitjen e të Dhënave Statistikore. Me këtë Udhëzim Administrativ përcaktohet mënyra dhe kushtet e shitjes së të dhënave statistikore, kryerja e shërbimeve të veçanta për shfrytëzues të ndryshëm, llogaritja e shpenzimeve (profesionale dhe operative) për kryerjen e tyre, si dhe mënyra e përdorimit të të hyrave të fituara me shitjen e të dhënave statistikore nga ASK dhe prodhuesit e tjerë të statistikave zyrtare.

    Udhëzimin Administrativ për Mbrojtjen e të Dhënave Statistikore dhe Qasjen në të Dhëna Mikro. Me anë të këtij Udhëzimi Administrativ përcaktohen masat për mbrojtjen e të dhënave statistikore si dhe kushtet dhe të drejtat e përdoruesve për lejimin e shfrytëzimit të të dhënave të fshehta statistikore.

    Vendimin për lehtësimin e qasjes së personave të verbër në aktet nënligjore të Qeverisë dhe ministrive të publikuara në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Një ndryshim i këtillë në kuptimin teknik ndikon drejtpërdrejtë në informim më të saktë dhe punë më cilësore, por mbi të gjitha ndihmon personat me aftësi të kufizuar të gëzojnë të drejta të barabarta, ashtu siç u takon.

    Vendimin për aprovimin e ndarjes së mjeteve buxhetore për zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë sipas Planit të Zbatimit për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm socio-ekonomik të krizës energjetike. Për këtë qëllim janë ndarë mjetet në vlerë prej dhjetë milionë euro. Mjetet e ndara transferohen te Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe do të përdorën për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm socio-ekonomik të krizës energjetike.

    Vendimin për plotësimin e listës së artikujve për përdorim të përbashkët që janë objekt i procedurës qendrore të prokurimit, të aprovuar me Vendimin e Qeverisë Nr. 06/ 27 të datës 30 prill 2020. Vendimit i është bashkangjitur edhe Lista me artikujt dhe shërbimet që janë pjesë e prokurimeve të përbashkëta.

    Vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për zbatimin e pikës 1.1 të Vendimit të Qeverisë Nr.31/99, në kuadër të Masës 3.7 – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike të Pakos së Ringjalljes Ekonomike. Nëntë milionë euro janë ndarë për zbatimin e vendimit për mbështetjen e tejkalimit të krizës energjetike në kuadër të pakos së Ringjalljes ekonomike. Vendimi gjithashtu aprovon bartjen e shpenzimeve aktuale të realizuara deri në fund të muajit shkurt 2023 në vlerën prej tetë milionë e dyqind e shtatëdhjetë e dy mijë eurove.

    Vendimin për shfuqizimin e Vendimit të Qeverisë Nr.05/36 të datës 19 tetor 2020, i ndryshuar dhe plotësuar me Vendimin Nr. 15/19 të datës 14 korrik 2021 dhe Vendimin Nr. 29/116 të datës 28 dhjetor 2022 (MFPT) Shfuqizohet Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr.05/36 i datës 19.10.2020, i plotësuar dhe ndryshuar me Vendimin Nr. 15/19 të datës 14.07.2021 dhe Vendimin Nr. 29/116 të datës 28.12.2022. Qeveria e Republikës së Kosovës me datë 19.10.2020 ka nxjerrë Vendimin Nr. 05/36 me anë të të cilit ka ndaluar procedurat e blerjes së veturave zyrtare nga ministritë dhe agjencitë në vartësi të tyre përmes procedurave të prokurimit publik.

    Qeveria ka aprovuar Nismën për lidhjen e Marrëveshjes plotësuese të Grantit në vlerë 13.2 milionë euro ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KfË Frankfurt am Main dhe Kompanisë së Ujësjellësit “Prishtina” për Projektin “ Programi i Ujërave të Zeza të Kosovës II”. Negocimi i kësaj marrëveshjeje do të bëhet konform dispozitave të kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Marrëveshje Ndërkombëtare.

    Vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes për Financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin për “Forcimin e Qeverisjes Digjitale për Ofrimin e Shërbimeve”. Marrëveshja e Financimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtarë për Zhvillimin e projektit “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve është përmbyllur me sukses dhe kjo marrëveshje do t’i mundësojë Qeverisë që të përmirësojë cilësinë e një numri të shërbimeve administrative publike dhe do të zvogëlojë barrën administrative përmes avancimit dhe sigurimit të ndërveprueshmërisë se sistemeve të përzgjedhura.

    Kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme për ndarjen e mjeteve buxhetore për financimin e Projektit “Sistemi i monitorimit elektronik”, për vitin 2023. 600 mijë euro janë ndarë për këtë qëllim.

    Vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumën prej 15 mijë euro për Forumin Ekonomik të Vjenës me qëllim të Promovimit të Republikës së Kosovës, dhe bazuar në marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Forumit Ekonomik të Vjenës dhe Qeverisë së Kosovës/Zyrës së Kryeministrit të Kosovës të datës 12 janar 2023.

    Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë për Zbatimin e Ndërsjellë të Aktgjykimeve në Çështjet Penale.

    Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë për Ekstradimin.

    Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë për ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështje Penale.

    Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Statusin dhe Funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur. Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për të zbardhur zhdukjet me dhunë gjatë luftës. Në shërbim të kësaj, po iniciojmë aderimin e Republikës së Kosovës në ICMP. Kjo nismë shton mundësitë për rritje të bashkëpunimit rajonal e më gjerë, në procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë. Po ashtu, i shërben rritjes së kapaciteteve të mjekëve ligjorë dhe specialistëve të tjerë të fushës së antropologjisë dhe arkeologjisë forenzike në institucionet tona.

    Vendimin me të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me Kërkesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës me Nr. 689 të datës 20 prill 2023 jep mendim lidhur me Nismën Legjislative “Projektligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës”. Qeveria ka vlerësuar nismën dhe ka rekomanduar miratimin e tij, Ky Ligj ka për qëllim që të përcaktojë rregullat e organizimit të sistemit zgjedhor, duke përfshirë edhe rregullat e përgatitjes, zhvillimit, administrimit, mbikëqyrjes, dhe shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

    Është informuar për zbatimin e Planit të Veprimit për zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane (PV ERA II) gjatë periudhës tetor – dhjetor 2022 (ZKM). Për zbatimin e këtyre prioriteteve, institucionet e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Komisionin Evropian, kanë hartuar Planin e Veprimit (PV ERA II), i cili është miratuar nga Qeveria, më 11 gusht 2021, dhe nga Kuvendi, më 4 tetor 2021. Prioritetet e ERA II, përmes këtij plani të veprimit, do të zbatohen brenda një periudhe dyvjeçare, deri në mesin e vitit 2023.

    Vendimin për ndarjen e mjetet financiare në vlerë prej 157 mijë euro për bashkëfinancim të projektit për përmirësimin e sistemit të qeverisjes digjitale,

    Vendimin për ndarjen e mjeteve për zbatimin e Pakos për Ringjallje Ekonomike, për masat e mbështetjes së punësimit të grave, likuiditetin familjar.

    Plotësim ndryshimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike edhe me masën për mbështetjen e punësimit të punëkërkuesve nga komunitetet jo shumicë në Kosovë.

    Vendimin për zbatimin e masës së re në Pakon e Ringjalljes Ekonomike, mbështetja e punësimit të punëkërkuesve nga radhët e komuniteteve jo shumicë, janë ndarë fillimisht tre (3) milion euro.

    Vendimin për emërimin e Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor, Klinikë, Universitar të Kosovës përbërjen si në vijim:

    Dr.Dren Boshnjaku, si përfaqësues nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës;

    Dr.Tetore Olloni, si përfaqësuese nga Qendra Klinike Universitare Stomatologjike e Kosovës;

    Dr.Rrezarta Bajrami, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik;

    Dr.Besim Demolli, nga Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt në bazë të rotacionit dhe përmbushjes së indikatorëve të kualitetit të shërbimeve shëndetësore;

    Dr.Vjollca Kadolli, nga Shërbimi i Kujdesit Parësor Shëndetësor;

    Dr.Naim Bardiqi, si përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë;

    Në Bord është edhe një ekspert i menaxhimit shëndetësor, që zgjidhet përmes konkursit publik.

  • Qeveria ndan edhe 10 mln euro për zbatim të masave të efiçiencës së energjisë

    Qeveria ndan edhe 10 mln euro për zbatim të masave të efiçiencës së energjisë

    Një shtetas i Shqipërisë u arrestua mbrëmë rreth orës 23:00 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

    I arrestuari ishte në kërkim me urdhërarrest ndërkombëtar.

    Policia informoi se i arrestuari është personi me inicialet M.M, 59 vjeç, shtetas i Republikës së Shqipërisë.

    “Përderisa personi në fjalë është dërguar në qendrën e mbajtjes, zyrtarët policor të stacionit të Lipjanit, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në koordinim me Njësitin për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe institucionet përkatëse, lidhur me procedimin e mëtejmë të tij”, bëri të ditur Policia.