ATV

Category: Lajme

  • ​Osmani: Aleatët t’i bëjnë presion Serbisë për respektimin e obligimeve të Ohrit

    ​Osmani: Aleatët t’i bëjnë presion Serbisë për respektimin e obligimeve të Ohrit

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani shpreson që aleatët e Kosovës t’i bëjnë presion Serbisë që kjo e fundit të respektojë obligimet që i ka nga aneksi i dakorduar një muaj më parë në Ohër. Osmani ka thënë se Kosova është përgatitur për raundin e ri të bisedimeve në Bruksel dhe ka theksuar se do të jetë konstruktive me zgjidhje që i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit afatgjatë.

    Për procesin e dialogut, Osmani ka folur në Shkup, pas takimit që ka zhvilluar me homologun e saj, Stevo Pendarovski.

    “Se cilat do të jenë veprimet e Serbisë pak a shumë mund të nuhasim nga deklaratat e te të fundit por mbi të gjitha nga veprimet e tyre të cilat kanë qenë shkelje të marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe aneksit në Ohër, siç e dini neni 4 i kësaj marrëveshje parasheh që Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Sjellja e tyre të hënën në Këshillin e Evropës por edhe lobimi i tyre kundër votimit pro Kosovës e ka dëshmuar këtë shkelje flagrante, dhe natyrisht edhe ndërhyrja e tyre e paligjshme në zgjedhjet në Republikën e Kosovës është shkelje e nenit 2 të kësaj marrëveshje, dhe njëkohësisht e akteve dhe normave juridike ndërkombëtare të cilat janë të aplikueshëm për të gjitha shtetet tona”, ka thënë Osmani.

    Ajo ka thënë se pret që aleatët ndërkombëtar të bëjnë presion mbi Serbinë në mënyrë që kjo e fundit të respektojë obligimet që i ka marrë.

    “Shpresoj shumë që miqtë dhe aleatët tanë do të sigurohen që të bisedojnë gjatë kësaj periudhe, të bëjnë presion mbi Serbinë në mënyrë që edhe ajo të respektojë obligimet që janë marrë nga ky proces i cili mendoj që ka qen një hap i rëndësishëm ku Kosova dhe Serbia trajtohen nga aspekti i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare si dy palë të barabarta sa I përket raporteve ndërshtetërore ku të dyja palët e njohin sovranitetin, në këtë rast Serbia e njeh sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës që e ka kontestuar por nëpërmjet neneve të kësaj marrëveshje është një njohje defacto e cila assesi nuk mund të mohohet nga cilido njeri që e lexon tekstin e marrëveshjes”, ka thënë ajo.

    Sipas presidentes Osmani, Kosova është e përgatitur për takimin që pitet të zhvillohet në mes të palëve më 2 maj.

    “Çka mund të garantoj unë si president e Republikës së Kosovës, që Kosova do të marrë pjesë edhe në këtë raund të bisedimeve në mirëbesim, do të jetë jashtëzakonisht konstruktive dhe e hapur gjithnjë duke mbrojtur sovranitetin e Kosovës, funksionalitetin e brendshëm të shtetit por edhe duke kontribuar me zgjidhje që i kontribuojnë pastaj paqes dhe stabilitetit afatgjatë…Më 2 maj siç e dini do të ketë diskutime për pika të ndryshme të kësaj marrëveshje, ju siguroj që Kosova është e përgatitur për gjithsecilën, jemi duke bërë përgatitje intensive, takime të shumë me kryeministrin, me ministrat e qeverisë, me ekipet tona të cilat po punojnë në dokumente të të cilat do të prezantohen. Por një gjë është e qatë, Kosova vazhdimisht do të respektojë sovranitetin e saj, integritetin territorial funksionalitetin e brendshëm,, kushtetutën e saj”, ka thënë Osmani.

    Ndërsa presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka thënë se janë të interesuar që sa më parë të shohin fundin e këtij procesi.

    “Nëse dikush dëshiron të shikojë në përvojën tonë dhe të mësojë diçka prej përvojës sonë si shtet që e kemi, para se gjithash mendoj për Marrëveshjen e Ohrit në vitin 2001, nuk do të gabojë sepse specifikat e çdo shteti diktojnë edhe zgjidhje specifike për atë shtet, nuk them se situata është identike, dhe se zgjidhjet e Marrëveshjes së Ohrit mund të reflektohen në një marrëveshje të ardhmen midis Kosovës dhe Serbisë, pro këtu ka modele të kohabilitimit brenda në shtet, dhe midis shteteve ,të cilat mund të shfrytëzohen. Por vendimin final çka do të pranojnë në atë dialog, kuptohet e kanë organet legjitime në Beograd dhe në Prishtinë. Ne këtu jemi vetëm fqinjë të mirë të cilët duan që sa më parë të shohin fundin e këtij kontesti të gjatë që objektivisht e ngadalëson bashkëpunimin rajonal që është shumë i rëndësishëm, si përgatitje për integrimin e tërësishëm n strukturat euroatlantike”, ka thënë ai.

    Pendarovski e ka pritur presidenten e Kosovës me nderime të larta shtetërore e ushtarake.

    Osmani e ka falënderuar atë për votën pro për pranimin e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. /kp

  • ​Krasniqi: Qeveria Kurti abuzimet më të mëdha i ka bërë në sektorin e energjisë

    ​Krasniqi: Qeveria Kurti abuzimet më të mëdha i ka bërë në sektorin e energjisë

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi deklaroi se Qeveria Kurti abuzimet më të mëdha i ka bërë në sektorin e energjisë.

    Lideri opozitar, në seancën e sotme të Kuvendit, ku po diskutohet për zhvillimet e fundit në KEK tha se këto abuzime janë bërë përmes skemave korruptive dhe keqpërdorimit të pushtetit absolut të instaluar në këtë sektor.

    “Qeveria Kurti abuzimet më të mëdha i ka bërë në sektorin e energjisë, përmes skemave korruptive dhe keqpërdorimit të pushtetit absolut që ka instaluar në këtë sektor. E dyta, qytetarët e Kosovës sot e kanë jetën më të vështirë dhe jetojnë më keq si pasojë e këtyre abuzimeve. Me këto para që janë abuzuar në KEK dhe tërë sektorin e energjisë ka pasur mundësi të bëhen përmirësime të jashtëzakonshme në shumë sektor”, tha ai, transmeton kp.

    Kryetarit të PDK-së i reagoi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila tha se është tragjikomike të dëgjohet PDK-së kur flet për keqpërdorime dhe brengosjen për qytetarët.

    “Është tragjikomike me dëgju PDK-në se si brengoset për pacientët, nxënësit, përfituesit e ndihmës sociale dhe për qytetarët. Mos t’iu kishim njohur dhe mos të kishim ditur sa keni bërë ju, edhe ju kishim besu ndoshta. Për rrymën në veri pse nuk e ndalët ju dhe pse paguat atë 20 vjet”, theksoi ajo.

  • Kryeministri falenderon Bislimin, Gërvallën e Sveçlën që me “punën e palodhshme” arritën ta zhbllokojnë liberalizimin e vizave

    Kryeministri falenderon Bislimin, Gërvallën e Sveçlën që me “punën e palodhshme” arritën ta zhbllokojnë liberalizimin e vizave

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka falendereuar zëvendësat e tij, Besnik Bislimi e Donika Gërvalla, si dhe ministrin Xhelal, të cilët sipas tij, “me punën e palodhshme dhe të suksesshme” arritën që ta zhbllokojnë liberalizimin e vizave për Kosovë, “pas 4 vjetësh ngecjeje”.

    Sipas Kurti, tani çdo qytetar i Republikës po ndihet më evropian dhe më afër Evropës.

    “Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, qytetarët tanë më në fund, do të mund të udhëtojnë pa viza, në 32 vende të tjera e reja evropiane përfshirë këtu edhe Bullgarinë, Rumaninë dhe Qipron që nuk janë pjesë e zonës Schengen. Pasaporta jonë do të jetë më e fuqishme, ashtu siç shteti ynë po bëhet përherë e më i fortë”, ka deklaruar Kurti.

    Adresimi i plotë i kryeministrit Kurti në mbledhjen e 140-të të Qeverisë:

    Të nderuar zëvendëskryeministra,

    Ministra e zëvendësministra,

    Të dashur qytetarë,

    Javën që lamë pas edhe këtë javë, çdo qytetar i Republikës është ndjerë më evropian dhe më afër Evropës.

    Liberalizimi i vizave kishte ngecur për katër vjet në agjendën e Këshillit të BE-së. Me shumë punë dhe angazhim, veçanërisht në raport me vendet hezituese, vitin e kaluar arritëm që gjatë Presidencës Çeke të zhbllokojmë këtë proces.

    Javën e kaluar me 18 prill, Parlamenti Evropian kaloi vendimin e liberalizimit të vizave, për të nënshkruar pastaj të nesërmen me 19 prill. Dua të falënderoj edhe një herë zëvendëskryeministrat Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla, sikurse edhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe stafet e tyre për punën e palodhshme dhe të suksesshme.

    Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, qytetarët tanë më në fund, do të mund të udhëtojnë pa viza, në 32 vende të tjera e reja evropiane përfshirë këtu edhe Bullgarinë, Rumaninë dhe Qipron që nuk janë pjesë e zonës Schengen. Pasaporta jonë do të jetë më e fuqishme, ashtu siç shteti ynë po bëhet përherë e më i fortë.

    Ndërkaq, këtë javë u mor një vendim tjetër i rëndësishëm në po të njëjtin qytet, në Strasburg. Të hënën pra pardje me 24 prill, Komiteti i Ministrave me mbi 2/3 e votave të nevojshme votoi për pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim. Ne besojmë thellësisht që si shtet i ri, demokratik dhe paqedashës, do të japim kontributin e çmueshëm në të ardhmen si anëtar me të drejta të plota në Këshillin e Evropës. Dhe natyrisht që rezultatet gjithnjë e më të mira sa i përket tri vlerave fundamentale të Evropës, sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut kanë ndikuar shumë në këtë arritje të madhe.

    Këto dy vendime të rëndësishme, brenda më pak se një jave, konfirmojnë rrugën tonë evropiane. Konfirmojnë që jemi në rrugën e duhur dhe konfirmojnë që Kosova i përket Evropës – si Union, si vlerë.

    Sot do të shqyrtojmë edhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Statusin dhe Funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur. Kjo iniciativë e aprovuar në parim vite më parë, sot po konkretizohet dhe po merr drejtimin e duhur.

    Çështja e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë është një çështje aktuale dhe permanente deri në zgjidhjen e plotë të saj. Temë prioritare, e cila do të vazhdojë të adresohet edhe më tutje si çështje e natyrës urgjente. Miratimi i këtij Projektligji sot, është i një simbolike të veçantë dhe gjithashtu i një rëndësie të madhe. Jo vetëm për faktin që jemi në prag të shënimit të 27 Prillit- Dita e Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë Luftës në Kosovës, por është edhe në vazhdën e iniciativave të konkretizuara së fundmi si në procesin e liberalizimit të vizave ashtu dhe në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, e po ashtu në kohën kur çështja e personave të zhdukur me forcë ka marrë një dinamikë të re edhe në kuadër të dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

    Shteti ynë, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në Zyrën e Kryeministrit, tanimë ka një histori të gjatë të bashkëpunimit me ICMP. Ky aderim, pas mandatit dhe statusit të ri që ICMP ka marrë viteve të fundit, do të jetë një rritje e këtij bashkëpunimi në këtë fazë të rëndësishme të procesit , njëkohësisht do të jetë edhe një mundësi që e kam prezantuar edhe kohë më parë gjatë takimit me ekspertët tanë mjekoligjorë mbi gatishmërinë për angazhim dhe dhënie të kontributit në ndriçimin e të vërtetës si në rastet e luftërave të tjera jashtë vendit tonë, siç ishte ajo në Ukrainë së fundmi por edhe vatrat e tjera anë e mbanë botës. Kapacitetet tona institucionale e profesionale, përmes edhe angazhimit si anëtarë në ICMP, do të jenë në shërbim te të gjitha vendeve e shteteve që kanë kaluar nëpër tragjedi të ngjashme të luftës, e kësisoj do të jemi në shërbim të paqes dhe në shërbim të adresimit të proceseve të ballafaqimit me të kaluarën kudo.

  • ​Rashiq për zgjedhjet në veri: Është një zgjidhje e përkohshme

    ​Rashiq për zgjedhjet në veri: Është një zgjidhje e përkohshme

    Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq komentoi rezultatet e zgjedhjeve të së dielës në katër komunat veriore. Sipas tij, ajo çka ka ndodhur me këtë proces zgjedhor është zgjidhje e përkohshme.

    Rashiq këto komente i bëri në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ku e pranishme ishte edhe zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi.

    “Kjo çka ndodhi në fundjavë, sipas meje, është një zgjidhje e përkohshme se normale është që në secilindo sistem nuk preferohet që dy, tre apo katër, pesë për qind që të votojnë në një proces demokratik. E dini edhe ju vetë se nuk ka ndodhur vetëm kështu, është sipas meje një planifikim apo vazhdimësi të keqpërdorimit të serbëve në Kosovë nga ana e një regjimi autokrat, i cili i përdor serbët si një mjet për arritjen e qëllimeve të veta dhe nga aspekti njerëz vërtetë nuk mund ta kuptoj çka po përpiqet të bëjnë“, tha Rashiq.

    Ministri Rashiq ofroi bashkëpunimin me strukturën e re zgjedhor në pjesën veriore të Kosovës.

    Ai shtoi se qytetarët në atë pjesë të Kosovës ballafaqohen me një presion maksimal.

    “Shumë një rrugë e gjatë kemi kaluar që të arrijmë në këtë moment dhe tash kushdo që të jetë ai ose ajo që ta prishë një mundësi të arritjes së një marrëveshjes, ajo e Ohrit, të cilën e shoh si bazë të mirë për të vazhduar procesin e pajtimit. Kur e them këtë, flas në emër të qytetarëve serbë të Kosovës, të cilët më së shumti mund ta humbin nëse nuk arritët një marrëveshje e tillë dhe në veçanti nëse nuk respektohet. Prandaj, sikurse ne nga ana e ministrisë bashkëpunimi do të jetë jo vetëm për strukturat atje, por për të gjithë qytetarët. Personalisht të them të vërtetën se në një komunikim individual shumë shpesh po bisedoj me disa përfaqësues të grupacioneve të ndryshme në veri ende i mungon një guxim personal që të vazhdojnë hapat përpara për një zhvillim por duhet të kupton se në atë pjesë është një presion është absolutisht maksimal dhe nga ana e ministrisë dhe unë personal do të pres të gjithë ata që janë të gatshëm për bashkëpunim qoftë në nivelin siç keni thënë ju struktura e re e komunave”, u shpreh ai.

    Sa i takon marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës për lëvizjen e lirë të qytetarëve vetëm me letërnjoftime, zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi u shpreh se kjo marrëveshje ende nuk është miratuar në Kuvendin e Bosnjës.

    Por, ajo u shpreh optimiste që kjo mund të ndodhë brenda muajit të ardhshëm.

    “Institucionet e Bosnjës e Hercegovinës ende nuk e kanë bërë ratifikimin në Këshillin e fundit të ministrave nga ana e ministrave serb. Ajo pikë e rendit të ditës është tërhequr dhe nuk është votuar ashtu që propozimi nuk ka kaluar në Këshillin e ministrave që të vijë në Kuvend të Federatës së Bosnjës e Hercegovinës që të votohet por ajo të themi pozitive është drejtpërsëdrejti drejtimi i Dodikut që nuk do të stagnojë procesi i ratifikimit dhe shpresojmë që së shpejti do të përfundoj kjo pasi që jemi të lidhur edhe me afatet kur mund ta bëjmë, dhe shpresoj që do të bëhet muajin tjetër”, tha ajo.

    Zëvendëskryeministrja Rexhepi foli edhe për mbështetjen financiare që ndau qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme për punësimin e pjesëtarëve nga komunitetet jo shumicë në vend.

    “E kemi tani një paketë të tërë të masave ekonomike ndihmëse rreth progresit dhe prosperitetit të të gjitha komuniteteve pakicë në shoqërinë tonë. Projekti do të jetë i adresuar në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim përmes së cilës do të shkoj i tërë administrimin dhe logjistika. Me këtë hap pozitivë krijohet shoqëri e njëjtë për të gjithë qytetarët e Kosovës pa marr parasysh përkatësinë fetare apo ndonjë karakteristik tjetër”, u shpreh ajo./kp

  • ​Haradinaj: Kurti është shef i të korruptuarve, krijoi model të veçantë të korrupsionit

    ​Haradinaj: Kurti është shef i të korruptuarve, krijoi model të veçantë të korrupsionit

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e quajti shef të të korruptuarve kryeministrin Albin Kurti.

    Në seancën e sotme plenare, ku po diskutohet për zhvillimet e fundit në KEK, Haradinaj tha se Kurti ka krijuar një model të veçantë të korrupsionit, siç e quajti ai “lidhje e shkurt korruptive duke emëruar dosta në pozita publike”.

    “Po flasim për një model të veçantë, modeli i korrupsionit të Lëvizjes Vetëvendosje njihet dhe quhet lidhje e shkurt korruptive. Si ndodh kjo, kur një bord ku ka shumë interesa financiare vendosën dostat e vendimmarrësve, kryeministrit që personalisht i ka intervistuar këtë. Ju lutem kuptoni pak pse kryeministri del në foltore e mbron dostin dhe jo prokurorin. Kuptoni pak, vendimmarrësit e tyre e kanë përcaktim lidhjen e shkurt si model të korrupsionit. Albin Kurti personalisht ka intervistuar deri të anëtarët e bordit të ujësjellësve…Ju mundeni me thënë që Albin Kurti nuk është i korruptuar, ai është shefi i të korruptuarve, krijuesi i modelit të korrupsionit, lidhja e shkurt-dostat”, tha ai.

    Haradinaj, duke kritikuar ekzekutivin përmendi edhe rastin e tij sa ka qenë kryeministër me ish-prokurorin Elez Blakaj.

    “Për njërin prokuror njëherë, kryeministri i tashëm e ka ngritur në këmbë një vend vetëm për faktin se atij i është kërkuar një raport për një material që e ka marrë në kryeministri. Pra për dosjen e veteranëve, këta ministra dhe deputetë që janë këtu kanë dal në anën e prokurorët. Kurse tani nuk munden me dal kundër dostat, pro dalin kundër prokurorit”, shtoi ai.

    Ndërkohë, ai pati një polemikë në distancë edhe me ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

    “E nderuar ministre nëse keni diçka për të thënë e keni foltoren kur të keni radhën ven këtu. Respektoni pak pozitën e juaj”, tha ai. /KP

  • Vitia: Shërbimet cilësore dhe të avancuara për pacientët janë objektiv i ynë

    Vitia: Shërbimet cilësore dhe të avancuara për pacientët janë objektiv i ynë

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia bashkë me u.d drejtoreshën e SHSKUK-së, Narqize Arenliu – Hoxhaj mori pjesë sot në punëtorinë e organizuar nga Shoqata e Urologëve të Kosovës dhe Klinikës së Urologjisë ku për herë të parë në Kosovë u realizuan intervenimet laparoskopike, (nefrektominë radikale dhe cistën parapielike të veshkës).

    Me këtë rast, ai tha se do të jetë përkrahë profesionistëve shëndetësorë në secilën iniciativë, që do të mundësojë shërbime cilësore për pacientët, bazuar në standardet e njohura ndërkombëtare dhe praktikat më të mira mjekësore.

    “Tashmë në QKUK, në Klinikën e Urologjisë, falë angazhimit të profesionistëve shëndetësor janë funksionalizuar shërbimet laparoskopike, duke realizuar ndërhyrje e para, gjë që dëshmon se me hapa të vegjël, por të sigurt, bëhen ndryshimet e mëdha të cilat do të vulosen me punën e juaj, – brezave të rinj, që do të jeni specialistë në të ardhmen. Si Ministri e Shëndetësisë, mbesim të përkushtuar që në qendër të vëmendjes të jetë pacienti dhe shërbimet të cilat do t’i ofrohen. Trajnimi i stafit shëndetësor, furnizimi me pajisje dhe aparaturë moderne, mbeten një prej objektivave kryesore të Ministrisë së Shëndetësisë”, tha ai.

    Vitia, siç u bë e ditur në komunikatë, theksoi se sistemi i shëndetësisë është një prej prioriteteve të Qeverisë së Kosovës, “gjë që dëshmohet edhe me rritjen e buxhetit që është më i larti deri më tani si dhe planifikimi për investime në vlerë të mbi 41 milionë euro në kuadër të Planit Strategjik për ngritjen e infrastrukturës dhe pajisjeve për kujdesin dytësor dhe tretësor”.

    “Këto intervenime u transmetuan në kohë reale në Qendrën e Telemjekësisë në ShSKUK, nga Salla e Operacioneve në Klinikën e Urologjisë – ShSKUK, ndërsa nga kjo përvojë patën mundësi të përfitojnë të gjithë profesionistët shëndetësorë nga spitalet e përgjithshme në qytete të ndryshme të Kosovës.”, u bë e ditur në komunikatë.

    Pjesëmarrës në këtë punëtori ishin edhe profesorë nga “FIRAT University”, nga Turqia.

  • ​Osmani në Shkup: E ardhmja e vendeve tona është në familjen euroatlantike

    ​Osmani në Shkup: E ardhmja e vendeve tona është në familjen euroatlantike

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, po qëndron në vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut ku u takua me homologun e saj, Stevo Pendarovski. Ata biseduan për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve si dhe për temat rajonale, përfshirë dialogun Kosovë-Serbi.

    Osmani tha se ardhmja e dy shteteve është në familjen euro-atlantike. Sipas saj, kjo është garancia më e madhe për paqe afatgjatë në rajon.

    “E ardhmja e vendeve tona, e rajonit tonë është në familjen e shteteve euro-atlantike, e kjo është garancia më e madhe për paqe dhe prosperitet afatgjatë në rajon. Që të dy vendet tona e kanë dëshmuar që pavarësisht sa e vështirë është kjo rrugë, asnjëherë nuk do të ndahemi dhe nuk do të largohemi nga ajo”, tha presidentja Osmani.

    Ajo gjithashtu theksoi edhe rëndësinë e ndërtimit të autostradës Bllacë-Shkup, e cila sipas saj do të ndikojë në komunikimin mes qytetarëve, si dhe në këmbim tregtar, shkruan Alsat.

    Ndërsa presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se mbështesin aspiratat euroatlantike të Kosovës, si dhe anëtarësimin e saj në NATO.

    “U pajtuam se shtetet tona kanë rol kyç në përpjekjet për arritjen e një stabiliteti të përhershëm. E ardhmja evropiane e dy vendeve tona është në BE dhe NATO. Ne mbështesim aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në NATO”, deklaroi Pendarovski.

  • ​Selmanaj kritikon qeverinë: Qasja e tyre ka qenë e papranueshme në KEK

    ​Selmanaj kritikon qeverinë: Qasja e tyre ka qenë e papranueshme në KEK

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj kritikoi Qeverinë e Kosovës se ka përdorur qasje të gabuar në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

    Selmanaj, në debatin e sotëm parlamentar për zhvillimet në KEK, pas arrestimit të ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, tha se janë të bindur se ky i fundit nuk ka qenë i vetëm në aktivitetet milionëshe dhe të paligjshme të Korporatës Energjetike të Kosovës.

    “Qasja e qeverisë Kurti ka qenë e papranueshme që nga kapja e kësaj ndërmarrje nga aktivistët dhe funksionarët e Lëvizjse Vetëvendosje, fillimisht me vendosjen e Nagip Krasniqit në pozitën e kryeshefit të KEK-ut, pastaj me zgjedhjen e bordit të kësaj ndërmarrje. Rolin e tyre në LVV e kanë dëshmuar edhe disa deputetë të LVV, ku kjo fatkeqësisht po konsiderohet edhe si mburrje. LDK vazhdimisht ka ngritur shqetësimet e saj për zhvillimet në këtë korporatë që nga mënyrat se si kjo qeveri dhe KEK-u kanë menaxhuar krizën energjetike në periudhën 2021-2022, shtrenjtimin e faturave të energjisë, mënyrën e subvencionimit dhe punësimet familjare”, tha ai.

    Selmanaj nënvizoi se hetimi penal ndaj ish-kryeshefit Krasniqi për keqpërdorim të detyrës në KEK nuk duhet të ndalet, madje ai tha se duhet të zbardhet e vërteta edhe për rolin e ambasadorit Martin Berishaj, ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe kryeministrit Kurti.

    “Presin që ky hetim penal mos të ndalet deri sa të zbardhet e vërteta, deri në detajet e fundit, përfshirë edhe rolin e ambasadorit Martin Berishaj, ministres së Ekonomisë dhe kryeministrit Kurti në gjithë këtë proces. Jemi të bindur se zotëri Krasniqi nuk ka qenë i vetëm në këto aktivitete shumë milionëshe dhe të paligjshme”, përfundoi ai./kp/

  • ​Tahiri: 30 kontratat njëburimore në KEK dëshmojnë abuzimin e ish-drejtorit të KEK -ut

    ​Tahiri: 30 kontratat njëburimore në KEK dëshmojnë abuzimin e ish-drejtorit të KEK -ut

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se nënshkrimi i 30 kontratave njëburimore në vlerë prej 72 milionë euro në KEK, dëshmojnë abuzimin që ka bërë ish-drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi.

    Në seancën e sotme të Kuvendit, Tahiri tha se arrestimi i tij është i duhur, derisa shtoi se legjislativi po bën mirë që po diskuton në lidhje me zhvillimet në KEK dhe arrestimin e tij.

    “Për pesë muaj KEK ka nënshkruar në vlerë prej 72 milionë euro 30 kontrata njëburimore të Nagip Krasniqit, i cili sot besoj se është me plot të drejtë në paraburgim. Mimoza e ka shqetësim të madh pasi e njëjta ka mundur me qenë në të kaluarën pasi është ndjekur politikisht nga drejtori i Bordit, që në atë kohë ka qenë si ekspert i Prokurorisë Speciale”, tha ai.

    Duke arsyetuar thirrjen e kësaj seance, Tahiri tha se Kuvendi ka të drejtë të diskutojë kur arrestohet një zyrtar i lartë i partisë në pushtet.

    “Kuvendi i Kosovës e ka të drejtën me thirr seancë të jashtëzakonshme kur arrestohet një zyrtar i lartë politik i një partie politike. Ne nuk po flasim për një njeri të rëndomtë që ka qenë më herët në KEK dhe është emëruar drejtor, por ne po flasim për arrestim të personit kyç në LVV që drejtonte komitetin e politikave që lidheshin me energji”, shtoi Tahiri./kp

  • U miratua raporti për Kosovën në Komisionin e Parlamentit Evropian

    U miratua raporti për Kosovën në Komisionin e Parlamentit Evropian

    Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar sot raportin për Kosovën dhe amendamentet e paraqitura nga deputetët për këtë raport.

    Drafti i raportit është prezantuar nga Viola Von Cramon-Taubadel, që është raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian(PE), ndërsa në këtë raport janë paraqitur mbi 300 amendamente nga deputetë të ndryshëm.

    Raporti për Kosovën është miratuar me 44 vota për, 8 kundër dhe 3 abstenime.

    Raporti përmban pikat e përgjithshme ngjashëm me raportet e viteve të shkuara, por merr parasysh edhe zhvillimet që kanë ndodhur ndërkohë. Me këtë raport mirëpritet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që reflekton orientimin pro-evropian të qytetarëve të saj dhe përcaktimin e qartë gjeopolitik. Ndërkaq, përshëndetet edhe vendimi i shumëpritur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, i cili proces është përmbyllur të martën më 25 prill kur vendimi edhe është botuar në Gazetën Zyrtare të BE-së, pasi më herët është nënshkruar nga Parlamenti dhe Këshilli i BE-së.

    Parlamenti Evropian ka insistuar për shumë vjet që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më shpejt. Së fundmi, është arritur pajtimi edhe mes PE-së dhe Këshillit të BE-së për këtë çështje.

    Një thirrje që Parlamenti Evropian e ka përsëritur secilin vit në raportet për Kosovën, është përfshirë në tekst edhe kësaj radhe. Kjo është thirrja për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

    “Fton vendet anëtare që nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet sovran, që ta bëjnë një gjë të tillë”.

    Pikërisht për këtë pikë janë paraqitur shumë amendamente, sidomos nga deputetët nga Spanja dhe vendet tjera që nuk e njohin Kosovën, duke tentuar që referencat për shtetësi të Kosovës të hiqen nga raporti.

    Sa i përket situatës në Kosovë, në tekst thuhet se Kosova pa pasur një periudhë të stabilitetit politik pas zgjedhjeve të vitit 2021 dhe u bën ftesë autoriteteve të Kosovës që të ndërmarrë më shumë veprime për t’u përballur me sfidat gjatë rrugëtimit evropian.

    Edhe këtu përsëritet se “dinamika e procesit të integrimit do të varet nga progresi që do të arrijë për sundimin e ligjit, të drejtave themelore dhe normalizimin e raporteve me Serbinë.

    Parlamenti Evropian përshëndet përshtatjen e Kosovës me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, sidomos dënimin e ashpër të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.

    Gjithashtu, PE-ja mbështet edhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin e vendit për t’u përfshirë në programin e Partneritetit për paqe të NATO-s.

    Në këtë tekst, po ashtu, përshëndetet përkushtimi për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por shprehet shqetësim për gjendjen e Gjyqësorit në Kosovë që, sipas tekstit, “vazhdon të jetë joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndërhyrjes së panevojshme politike”.

    Keqardhje shprehet për ndikimin negativ që ka pasur atmosfera e polarizimit politik në punën e Kuvendit dhe u bëhet ftesë deputetëve të opozitës që t’i japin fund praktikës së abstenimit.

    Sa i përket lirisë së shprehjes në Kosovë në tekst përshëndetet fakti se në Kosovë “ka një mjedis të gjallë pluralist medial”, por shprehet shqetësim për fushata të sulmeve ndaj gazetarëve hulumtues. Në veçanti shqetësim ngrihet për mungesën e lirisë së shprehjes në veri të Kosovës dhe dënohen ashpër sulmet ndaj gazetarëve në komunat veriore.

    Në tekst bëhet thirrje edhe për një angazhim të sinqertë të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës për një dialog, i cili do të forconte besimin e ndërsjellë.

    Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që zhvillohet në Bruksel me lehtësimin e BE-së, përsëritet thirrja që të dyja shtetet të angazhohen në frymën e kompromisit për të arritur “një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve, të bazuar në njohjen e ndërsjellë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, shkruan Rel.

    Po ashtu, bëhet thirrje edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash në dialog, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Nga BE kërkohet që ta bëjë më dinamik procesin e zgjerimit duke e quajtur këtë si politikën më të suksesshme të BE-së për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në Evropë.

    Deputetët e Parlamentit Evropian përmes propozimeve për amendamente kanë kërkuar që të forcohet roli i BE-së në rajon.