ATV

Category: Lajme

  • Puna e gjyqtarëve do të vlerësohet edhe në bazë të poentimit që e përcakton rregullorja e re

    Puna e gjyqtarëve do të vlerësohet edhe në bazë të poentimit që e përcakton rregullorja e re

    100 pikë do të duhet të arrijë një gjyqtar brenda një muaji për të plotësuar normën e punës mujore.

    Kështu e përcakton rregullorja e re e Këshillit Gjyqësor, sipas së cilës norma do të llogaritet duke u bazuar në sistemin e vlerësimit me pikë për secilën lëndë, përfshirë natyrën e lëndëve.

    Vlerësimi me poentim ka nisur nga muaji prill, e për gjyqtarët që nuk e plotësojnë normën do të ndërmerren masa.

    Kjo sipas monitoruesve e juristëve do të mundë të ndikojë në efikasitetin e zgjidhjes së lëndëve, sidomos në ato për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Gjykatat Themelore kanë në punë gjatë këtij viti mbi dyqind mijë lëndë aktive.

    “Megjithatë, vlerësojmë se ndoshta duhet të poentohej më shumë vendosja sipas propozimeve për përsëritjen e procedurës, nga shkalla e dytë dhomës së posaçme dhe supreme, për shkak të vendosjes sipas mjeteve juridike të jashtëzakonshme”, tha Florim Shefqeti, avokat.

    Zbatimin e normës së punës së gjyqtarëve do ta monitorojnë kryetarët e gjykatave, të cilët janë të obliguar sipas rregullores të raportojnë në KGJK çdo tre muaj. /atvlive.tv

  • Rashiq për zgjedhjet në veri thotë se janë një zgjidhje e përkohshme

    Rashiq për zgjedhjet në veri thotë se janë një zgjidhje e përkohshme

    Qeveria ndau 3 milionë euro për mbështetjen e punësimit për komunitetet joshumicë, përmes shtimit të një mase të re në Pakon e Ringjalljes Ekonomike.

    Zëvendëskryeministrja Emilia Rexhep dhe ministri për Komunitete, Nenad Rashiq, thanë se kjo pako përbën ngritje të nivelit të mbështetjes për komunitetet, nga ndihmat elementare dhe strehimi në mundësi për zhvillim.

    “Tani një pako të tërë të masave ekonomike mbështetëse për progres dhe prosperitet të të gjitha komuniteteve pakicë në shoqërinë tonë”, tha zëvendëskryeministrja Emilia Rexhep.

    “Them se kemi shkuar një hap përpara dhe qëllimi ynë është që fondet për stabilizim të jenë më të vogla, por fondet për zhvillim të jenë sa më të mëdha”, tha ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

    Teksa zgjedhjet e së dielës i vlerësoi zgjidhje të përkohshme, ministri Rashiq shprehu vullnet bashkëpunimi me kryetarët e rinj dhe komunitetet në katër komunat me shumicë serbe në veri.

    “Nuk preferohet që dy, tre apo katër për qind që të votojnë në një proces demokratik. E dini edhe ju vetë se nuk ka ndodhur vetëm kështu, por është një planifikim apo vazhdimësi e keqpërdorimit të serbëve në Kosovë, nga ana e një regjimi autokrat, i cili i përdor serbët si mjet për arritjen e qëllimeve të veta”, tha Rashiq.

    Me gjithë vonesat e deritanishme, zëvendëskryeministrja Rexhepi shpreson në përmbyllje të shpejtë të procesit vendimmarrës nga Bosnjë e Hercegovina për tri marrëveshjet për lëvizje të lirë.

    “Pozitive është drejtpërsëdrejti drejtimi i Dodikut, që nuk do të stagnojë procesi i ratifikimit dhe shpresojmë që të përfundojë së shpejti, kjo pasi që jemi të lidhur edhe me afatet kur mund ta bëjmë. Shpresoj që do të bëhet muajin tjetër”, tha Rexhepi.

    Marrëveshja për lëvizjen e lirë ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, njohjen e profesioneve dhe diplomave, ishte nënshkruar më 3 Nëntor në Berlin. /atvlive.tv

  • Bislimi udhëton drejt Suedisë, arsye aplikimi për anëtarësim në BE

    Bislimi udhëton drejt Suedisë, arsye aplikimi për anëtarësim në BE

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar për në Stokholm të Suedisë. Gjatë kësaj vizite, Bislimi do të ketë takime me ministren për Evropë Jessika Rosëall, sekretarin e shtetit për Çështje Evropiane, Christian Danielsson dhe sekretarin e shtetit për Punë të Jashtme, Jan Knutsson.

    Siç bëhet e ditur, Bislimi do të shfrytëzojë këtë vizitë për të diskutuar për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjatë presidencës suedeze të Këshillit të BE-së.

    Nga zyra e Bislimit thonë për KosovaPress se aplikimi i Kosovës për marrjen e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE ka marrë mbështetje të gjerë të shteteve anëtare dhe institucioneve të BE-së, për çka janë të kontakt të vazhdueshëm me shtetet partnere, veçmas me Suedinë, e cila mban presidencën e Këshillit të BE-së deri në qershor.

    Përkitazi me këtë, shprehën optimist se do të ketë zhvillime pozitive brenda këtij viti për pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.

    ”Aplikimi i Kosovës me 15 dhjetor për anëtarësim në BE, ka marrë mbështetje të gjerë në mesin e institucioneve të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar dhe është në kontakt të vazhdueshëm me shtetet partnere e posaçërisht Suedinë, e cila mban dhe Presidencën e Këshillit të BE-së. […] Ne jemi optimist e presim që të ketë zhvillime pozitive brenda këtij viti dhe të vazhdojmë të bëjmë në vijim hapa të rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Bislimi në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

    Më 15 dhjetor të vitit të kaluar, Kosova ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Bashkimin Evropian nën presidencën çeke.

    Prej 1 janarit deri më 30 qershor të këtij viti Presidencën e Këshillit të BE-së e mban Suedia, kurse në gjysmën e dytë të vitit presidencën e BE-së do të ketë Spanja.

  • Gjoba për ata që s’e paguajnë këstin e parë të tatimit në pronë deri në fund të prillit

    Gjoba për ata që s’e paguajnë këstin e parë të tatimit në pronë deri në fund të prillit

    Nëse deri në fund të muajit prill, qytetarët e Kosovës nuk e bëjnë pagesën e këstit të parë të tatimit në pronë për vitin 2023, ata do të gjobiten.

    Për ta do të aplikohet një interes prej 0.65% për secilin muaj që vonohet pagesa, si dhe një gjobë prej 10% të tatimit të papaguar.

    Qytetarët që paguajnë, ndërkaq, do të mund të përfitojnë nga Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme.

    Ky projektligj parasheh që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë për vitin tatimor 2023. Pra, nëse ai e paguan faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.

    Vendimi për faljen e tatimit në pronë, sipas projektligjit në fjalë, merret nga Kuvendi Komunal i çdo komune, më së largu 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

    Projektligji është miratuar më 31 mars në Qeverinë e Kosovës dhe është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës.

    Por, deri te miratimi i tij final, janë edhe disa faza për t’u kaluar, e që nuk pritet të kryhen brenda këtij muaji.

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se me faljen që do të bëhet, 85 për qind e tatimpaguesve nuk do të paguanin asgjë për këtë vit, 10 për qind të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro dhe vetëm 5 për qind e tatimpaguesve do të paguanin më shumë se 100 euro.

    Si bëhet pagesa e tatimit në pronë?

    Pagesa e tatimit në pronë në Kosovë mund të bëhet në dy këste.

    Afati për pagesën e këstit të parë është 30 prilli, ndërsa për këstin e dytë është fundi i muajit shtator.

    Faturat u rritën deri në 100%

    Çështja e tatimit në pronë është bërë temë diskutimi në Kosovë, muajve të fundit, pasi faturat për vitin 2023 janë rritur.

    Tatimi në pronë është taksë vjetore komunale dhe përcaktohet nga shumëzimi i vlerës së pronës me normën tatimore. Kjo normë është 0.15% e vlerës së përgjithshme të pronës.

    Rritja e faturave të tatimit në pronë ka ndodhur pas vlerësimit të përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, që ka bërë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në fund të vitit të kaluar.

    Pas këtij vlerësimi, tatimi në pronë për disa është rritur deri në 100%, e për disa ka mbetur i pandryshuar, pasi vlera e pronës, pas vlerësimit, nuk ka ndryshuar.

    Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës e kanë kundërshtuar rritjen e tatimit në pronë.

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka iniciuar një rezolutë në Kuvendin e Kosovës, në muajin shkurt, duke kërkuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve që të pezullojë rivlerësimin e pronave dhe faturat e tatimit në pronë për vitin 2023 të llogariten sipas vlerësimit paraprak.

    Rezoluta është përkrahur nga partitë tjera opozitare: Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Por, si e tillë, ajo nuk ka kaluar në Kuvend, sepse nuk është votuar nga partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje.

    Pezullimin e vendimit të rivlerësimit të pronave e ka kërkuar edhe Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës. Kërkesa është bërë për shkak të, siç është thënë, “rrethanave të vështira ekonomike për qytetarin, siç janë: rritja e çmimeve të produkteve bazë dhe produkteve të tjera”.

    Cilat janë përfitimet e shtetit?

    Nga tatimi në pronë, shteti i Kosovës ka të hyra vjetore deri në 40 milionë euro.

    Të hyrat e mbledhura nga tatimi në pronën e paluajtshme arkëtohen në llogarinë e komunës ku ndodhet prona e paluajtshme dhe shfrytëzohen nga komuna për zhvillimin e infrastrukturës dhe projekte të tjera që përmirësojnë jetën e qytetarëve.

    Me ligjin në Kosovë, vlerësimi i pronës nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve bëhet çdo tre ose pesë vjet.

    Vlerësimin e fundit, kjo ministri e ka bërë vitin e kaluar, kurse zbatimi i tij në tatimin në pronë ka filluar nga janari i këtij viti.

    Vlerësimi paraprak është bërë në vitin 2019.

  • Ngacmoi seksualisht një nxënëse, arrestohet punëtori teknik i një shkolle në Istog

    Ngacmoi seksualisht një nxënëse, arrestohet punëtori teknik i një shkolle në Istog

    Një punëtor teknik i Shkollës së Mesme të Ulët “Hysni Zajmi” në Vrellë të Istogut është arrestuar sot pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një nxënëse.

    Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili ka bërë të ditur se rasti është raportuar nga stafi i drejtorisë së shkollës.

    “Rreth 13:00 stacioni policor është informuar se nga stafi i drejtorisë se një nxënëse e asaj shkolle është shqetësuar seksualisht nga nga një punëtor i stafit teknik. Policia ka ndal në vendin e ngjarjes dhe është arrrestuar i dyshuari.”, ka thënë ai.

  • ​Muja u reagon deputetëve të PDK-së për “picën në burg”

    ​Muja u reagon deputetëve të PDK-së për “picën në burg”

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja reagoi pas akuzave se atij i ka dërguar një picë në burg, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, në periudhën sa ka qenë arrestuar nga Policia e Kosovës për rastin e akreditimit në arsimin e lartë.

    Ai në Kuvend tha se deputetin Ferat Shala dhe Bekim Haxhiu nuk i ka njohur asnjëherë, veç në Kuvend. Ndërkohë, Muja se sistemi i drejtësisë ka dëshmuar për pafajësinë e tij në lidhje me dyshimet për keqpërdorime në procesin e akreditimit në arsimin e lartë.

    “Që ta kupton popullsia unë nuk e njoh Ferat Shalën dhe as Bekim Haxhiun, përveç këtu në Kuvend. E dyta, po unë jam akuzuar, çështje kjo që nuk mund të kontrollojmë dot, ne kontrollojmë veprimet tona, të dokumentojmë se performanca jonë ka qenë e ndershme. Çfarë mund të bëjmë është t’ia lëmë procesit të drejtësisë, në 12 pika procesi i drejtësisë ka pasur shpallje të pafajshëm”, tha ai, transmeton KP.

    Por, atij i reagoi deputeti Haxhiu, i cili akuzoi deputetin Muja se është bukëpërmbysës.

    “Zotëri Muja as më shumë as më pak, ajo çka ka qenë e kam thënë. Mundeni ju me qenë bukëpërmbysë ajo është çështje jotja”, tha ai.

    Seanca e Kuvendit shkoi në pauzë deri në orën 16:30.

  • ​Policia në Pejë kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për të gjetur një person

    ​Policia në Pejë kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për të gjetur një person

    Policia e Kosovës në Pejë kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për gjetur personin e zhdukur, Samir Puza.

    Qytetarët të cilët kanë informacion lidhur me këtë person, ftohen të lajmërohen në stacionin më të afërt të Policisë, ose të kontaktojnë numrat e vënë në dispozicion.

    “Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të zhdukur në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor. Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës: 192 dhe 080019999 (pa pagesë), 039 432 327-Drejtoria Rajonale Pejë, e-mail adresa: [email protected]”, thuhet në kërkesën e Policisë.

    Policia e Kosovës bën kërkesë për bashkëpunim me qytetarët bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Pejë.

  • ​Osmani pritet nga Xhaferi: Të intensifikohet bashkëpunimi mes parlamenteve

    ​Osmani pritet nga Xhaferi: Të intensifikohet bashkëpunimi mes parlamenteve

    Presidentja Vjosa Osmani në ditën e parë të vizitës zyrtare në Maqedoni të Veriut është pritur në takim nga Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.

    Në takim, Presidentja Osmani ka falënderuar Maqedoninë e Veriut për votën e saj në favor të Kosovës në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës dhe në këtë kontekst kërkoi mbështetjen e njëjtë edhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) dhe në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

    Më tej në takim me kryeparlamentarin Xhaferi, presidentja Osmani foli për rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit ndërparlamentar, duke përfshirë dinamizimin e takimeve dhe ndërveprimeve të komisioneve parlamentare respektive.

    Në këtë drejtim u vlerësua roli dhe kontributi i grupeve të miqësisë në parlamentet e të dyja shteteve, duke inkurajuar qasje gjithnjë e më proaktive.

    Sipas komunikatës së lëshuar nga Presidenca, Osmani ka përmendur kontributin e shqiptarëve për shtetformim dhe shtendërtim të Maqedonisë së Veriut dhe ka thënë se ata janë urë e fuqishme lidhëse ndërmjet të dy shteteve. Ajo tha se ata dëshmojnë më së miri se si respektimi i të drejtave të njeriut rezulton me integrim të suksesshëm të komuniteteve të ndryshme në një shoqëri.

  • ​Abazi akuzon LVV-në: Punën në Kuvend po e udhëheq Dejona Mihali

    ​Abazi akuzon LVV-në: Punën në Kuvend po e udhëheq Dejona Mihali

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka akuzuar Grupin Parlamentar të partisë së tij se nuk po e lejojnë të marrë fjalën në Kuvendin e Kosovës.

    Ai në seancën e sotme të legjislativit tha se lista e deputetëve që duhet të marrin fjalën në Kuvend nuk duhet të përcaktohet nga Dejona Mihali.

    “Duhet të jetë hera e fundit që tentohet të ngulfatet demokracia në Kuvendin e Kosovës. Nuk duhet si deputet i barabartë që të protestoj sa herë që dua të them diçka në këtë vend, pavarësisht prej qëndrimit që kam. Kështu që, këtë parlament e udhëheq Glauk Konjufca dhe jo Dejona Mihali. Nuk përcaktohet lista e deputetëve nga jashtë parlamentit të Kosovës”, tha ai, përcjell kp.

    Në debat u përfshi edhe deputeti tjetër i LVV-së, Sali Zyba, i cili i tha Abazit mos e ka provuar picën e PDK-së, duke iu referuar diskutimeve të mëhershme në Kuvend në lidhje me akuzat që iu bënë deputetit Armend Muja se kur ka qenë në burg i është dërguar pica nga Bekim Haxhiu.

    “Ne kemi mundur t’i ndajmë rrugët, por rrugën nuk mundemi me ia ndalu njëri-tjetrit. Prandaj në këtë moment sa po flet zotëri Abazi, ani pse disa çështje mundet m’i pas të drejtë, këtu një heshtje e plotë e subjekteve opozitare. Referuar deklarimit të Ferat Shalës se Kamishi me pica mundet me dërgu apo liri prej burgu dikë, unë e kam një pyetje mos ke provu me kërku picën e PDK-së”, tha ai.

    Por, Abazi i tha Zybës se kur vjen puna me ngrënë pica të PDK-së iu bie të shihen tjetër kah.

    “Kur të vjen puna me ngrënë pica të PDK-së, shihemi tjetër kund. Por, po e them me shumë qartësi zotëri Zyba, mos luaj me fjalë të kota…fakti që zotëri Muja ka qenë në burg dhe fakti që zonja Kusari ka qenë pjesë e ministrive që kanë privatizu distribucionin e Kosovës janë fakte shumë kokëfortë dhe nuk mundesh me i fshi, as me picë dhe as asgjë”, u shpreh ai.

  • MSH nënshkruan kontratë në vlerë të 780 mijë eurove, përfitojnë 22 komuna

    MSH nënshkruan kontratë në vlerë të 780 mijë eurove, përfitojnë 22 komuna

    Me qëllim të mbështetjes së nivelit të Kujdesit Parësor Shëndetësor (KPSH), përmes fondeve të projektit “Kosovo Emergency Covid-19 Project-AF”, Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar kontratë për furnizim me automjete specifike për nivelin e Kujdesit Parësor Shëndetësor.

    “Vlera e përgjithshme e kontratës është 748,000.00 Euro. Nga ky projekt do të përfitojnë 22 komuna të Republikës së Kosovës, përkatësisht 22 qendra të Kujdesit Parësor Shëndetësor do të kenë në dispozicion automjete me pajisje të integruara për transport të sigurt të vaksinave dhe për vizitë të pacientëve në shtëpi”, thuhet në njoftim.

    Ky projekt është në kuadër të objektivit kryesor të Ministrisë së e Shëndetësisë, e cila mbetet e përkushtuar që në qendër të vëmendjes të jetë pacienti dhe shërbimet të cilat i ofrohen, duke përfshirë edhe furnizimin me pajisje dhe aparaturë moderne.

    Kohë më parë, Ministria e Shëndetësisë ka furnizuar me pajisje për shërbime akute dhe emergjente 34 Qendra Kryesore të Mjekësisë Familjare.