ATV

Category: Lajme

  • ​Kosova inicion aderimin në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur

    ​Kosova inicion aderimin në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur

    Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për statusin dhe funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.

    Kjo marrëveshje mundëson nisjen e procedurave për anëtarësimin e Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), me seli në Hagë.

    Kryeministri, Albin Kurti tha me këtë rast se janë të përkushtuar për zbardhjen e zhdukjeve me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

    “Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për të zbardhur zhdukjet me dhunë gjatë luftës, ku në shërbim të kësaj po iniciojmë aderimin e Kosovës në ISMP. Kjo nismë shton mundësitë për rritje të bashkëpunimit rajonal e më gjerë në procesin e ndriçimit të fatit dhe vend-ndodhjes së personave të zhdukur me dhunë, po ashtu i shërben rritjes së kapaciteteve të mjekëve ligjore dhe specialistëve të tjerë të fushës së antropologjisë dhe arkeologjike forenzike në institucionet tona”, tha ai, transmeton kp.

    Po ashtu, në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka ndarë 243 mijë euro për zbatimin e masave të Pakos së Ringjalljes Ekonomike. Këto masa kanë të bëjnë me mbështetjen për punësimin e grave, për mbështetje të mërgatës dhe likuiditet familjar.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka dhënë informacione mbi zbatimin e Planit të Veprimit për zbatimin e Agjendës për Reformë Evropiane Era ll gjatë periudhës tetor-dhjetor 2022.

  • Emërohet Bordi i ri i ShSKUK-së

    Emërohet Bordi i ri i ShSKUK-së

    Me propozim të Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, Qeveria e Kosovë ka emëruar Bordin e ri të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

    Anëtarët e rinj të këtij Bordi drejtues janë Dren Boshnjaku, përfaqësues nga QKUK, Tetore Olloni nga Qendra Stomatologjike, Rrezarta Bajrami nga IKSHPK, Besim Demolli nga Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt, Vjosa Kadrolli nga Shërbimi i Kujdesit Parësor, Naim Bardiqi si përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe një ekspert i menaxhimit shëndetësor që zgjidhet përmes konkursit publik.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se Bordi drejtues si ShSKUK-së ka për detyrë të sigurojë mbarëvajtjen e gjithmbarshme të punëve të këtij institucioni shëndetësor.

    “ Bordi drejtues është organi më i lartë i ShSKUK-së dhe përbehet nga 7 anëtarë. Bordi drejtues ka për detyrë të siguroj mbarëvajtjen e gjithmbarshme të punëve të ShSKUK-së përfshirë aktivitetet shëndetësore, arsimore, kërkimore-shkencore si dhe aktivitetet e ndërlidhura financiare dhe administrative të njësive të tij organizative dhe funksionale me qëllim të orientimit të përgjithshëm të punëve të ShSKUK-së si dhe reagimit optimal të nevojave shëndetësore të qytetarëve dhe banorëve të Kosovës”, theksoi ai. 

  • KRU-Prishtina fillon shkyçjen nga rrjeti i ujësjellësit të konsumatorëve borxhlinj dhe atyre që kanë bërë kyçje ilegale

    KRU-Prishtina fillon shkyçjen nga rrjeti i ujësjellësit të konsumatorëve borxhlinj dhe atyre që kanë bërë kyçje ilegale

    Ka disa muaj që kompania e ujësjellësit KRU-Prishtina ka bërë thirrje që të kryhen pagesat, në të kundërtën ka paralajmëruar shkyçje për të gjithë konsumatorët borxhlinj dhe ata që kanë bërë kyçje ilegale.

    Me qenë se kjo nuk u mor parasysh, KRU-Prishtina sot ka filluar aksionin në lagjen e Bledit në rrugën “Sami Frasheri” për shkyçjen e konsumatorëve për kyçje ilegale.

    Aksioni i shkyçjes është duke u zhvilluar tani, ku planifikohet të bëhet shkyçja për tërë ndërtesën në këtë lagje, e cila siç mëson ATV, kishte bërë kyçje ilegale pesë vite më parë.

    ATV ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes ku po zhvillohet ky aksion nga KRU-Prishtina i shkyçjes për kyçje ilegale, ndërsa shkyçjet për borxhlinjtë do të vazhdojnë gjatë ditës së sotme. /atvlive.tv

  • Shala: Edhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit në KEK është i dyshuar për vepra penale në KEK

    Shala: Edhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit në KEK është i dyshuar për vepra penale në KEK

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka akuzuar sot Bordin e KEK-ut dhe Qeverinë e Kosovës se kanë bërë shkelje duke caktuar Përparim Kabashin si ushtrues detyre i kryeshefit në KEK.

    Në debatin parlamentar në Kuvend, lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik, Shala ka thënë se derisa Qeveria e Kosovës dhe Bordi i KEK-ut nuk distancohen nga ish kryeshefi i arrestuar Nagip Krasniqi janë po aq përgjegjës sa ai.

    “Konsiderojmë të papranueshëm faktin se Bordi i KEK-ut ka reaguar me vonesë në pezullimin e zotëri Krasniqi, i cili tashmë është i arrestuar. Rrjedhimisht, çfarëdo mosveprimi apo mosdistancimi nga zotëri Krasniqi, bordi dhe qeveria janë po aq përgjegjës për një rast të tillë, ku drejtori i KEK-ut është arrestuar për shkak të dyshimeve se ka kryer veprat keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtarë, ushtrim ndikimin dhe konflikt i interesit. Po ashtu, bordi dje bëri shkeljen e radhës duke vendosur ushtrues detyre të kryeshefit të KEK-ut Përparim Kabashin i cili gjithashtu rezulton të jetë i dyshuar për vepra penale në KEK”, ka thënë ai.

    Javën e kaluar është arrestuar kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi. Ai dyshohet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, po ashtu për ushtrim të ndikimit dhe konflikt të interesit.

    Dje, pas disa ditëve të arrestimit të Krrasniqit, Bordi i KEK-ut e ka pezulluar atë nga puna, derisa ka emëruar Përparim Kabashin ushtrues detyre të kryeshefit të KEK-ut.

  • Gjermania ndal tre avionë luftarakë rusë mbi Baltik

    Gjermania ndal tre avionë luftarakë rusë mbi Baltik

    Forcat ajrore gjermane kanë njoftuar të mërkurën se kanë ndaluar tre avionë ushtarakë të Rusisë mbi detin Baltik, transmeton KosovaPress.

    Kjo pasi sipas tyre, avionët nuk kishin lëshuar pajisjet që tregojnë të dhëna për fluturimin e tyre.

    “Gjermania dhe Britania dërguan avionët e tyre për të identifikuar dy avionët luftarakë të llojit Sukhoi Su-27 dhe një Ilyushin Il-20”, tha ushtria gjermane përmes një postimi në Twitter.

    Autoritetet ushtarake gjermane publikuan fotografi të avionëve rusë.

  • Xhelozia mes çifteve, njëra nga arsyet që po dërgon në vrasjen e vajzave dhe grave

    Xhelozia mes çifteve, njëra nga arsyet që po dërgon në vrasjen e vajzave dhe grave

    Fleura Shkëmbi, hipnoterapistja dhe psikologia e njohur nga Tirana ishe e ftuara speciale në emisionin LIBERO.

    Fleura foli për shumë aspekte jetësore, për të cilat edhe dha këshilla.

    Por, njëra ndër çështjet që diskutohet mjaft dhe është prezente është (edhe) xhelozia mes partnerëve.

    A është xhelozia sëmundje e cila duhet të trajtohet nga psikologu?

    Çështjen e xhelozisë mes çifteve, hipnoterapistja e konsideroi si të rrezikshme, pasi që është arsyeja e shumë dhunimeve dhe vrasjeve të femrave.

    “Nëse ka xhelozi patologjike, personi ka nevojë të trajtohet dhe të marr ilaçe nga psikiatri (patjetër), kjo mund të na dërgoj në degjenerim të situatës sepse kemi raste ku janë dhunuar dhe vrarë shumë femra duke e mbuluar në emër të xhelozisë”, potencoi Flaura.

    Xhelozia jo patologjike mund të zgjidhet përmes komunikimit, e me këtë pajtohet dhe hipnoterapistja duke thënë se problemet më të mëdha mes çifteve janë nga mungesa e komunikimit.

    Mes tjerash, Flaura diskutoi dhe për dashurinë e obsesionin, madhështinë e tyre dhe dallimin të cilin duhemi ta dimë gjithsesi.

    “…Dashuria është nivel më i bukur dhe madhështor, kur e dua personin pa kushte, e dua që të rritet dhe të jetë me mua për gjithë jetën, duke mos pasur frikën që do të largohet”, tha ajo.

    Ndërkaq që obsesioni është fazë kur humbet kontrolli i ndjenjave ndaj objektit apo personit së obsesionuar.

    “Obsesioni është frika se personi do më iki, e nëse ik objekti i dashurisë atëherë unë do të vuaj…Nuk e bënë për ty që u largove e bënë për vetën e vetë”, shtoi Flaura.

    Kujtojmë se, dashuria obsesive mund të jetë shenjë e një gjendjeje të rëndë të shëndetit mendor.

    Për ta shikuar emisionin e plotë, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Ekonomia e edukimit përballë sfidave të politikave arsimore

    Ekonomia e edukimit përballë sfidave të politikave arsimore

    Nga Adrian Civici

    Për publikun e gjerë, ekonomia është një disiplinë e përqendruar kryesisht në analizën e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe sektorëve të prodhimit e shërbimeve, tregun dhe produktivitetin e punës, paranë e tregjet financiare …

    Por, ky është një përkufizim i mangët i fushave që mbulon disiplina, pasi studiuesit në ekonomi tentojnë të analizojnë të gjithë faktorët njerëzorë të lidhur me zhvillimin e shoqërisënë përgjithësi.

    Dhe arsimi është një faktor vendimtar si dhe një mjet kryesor për zhvillimin e një vendi. Studiuesit dhe ekspertët e kësaj fushe kanë tentuar e vazhdojnë të tentojnë “kuptimin e rrënjëve dhe burimet e ciftit ekonomi-arsim, si një aleancë e rëndësishme për zhvillimin ekonomiko-social të cdo vendi e shoqërie”.

    Ekonomia e arsimit është kthyer në një instrument të rëndësishëm në shërbim të politikave arsimore.

    Kjo disiplinë shkencore i ka fillimet e saj në periudhën e viteve 1950-1975, në universitetin e Chicago-s me punimet e tre ekonomistëve, Theodore Schultz (1963), Gary Becker (1964) dhe Jacob Mincer (1958 dhe 1974), të cilët hodhën bazat teorike të kësaj disipline.

    Dy të parët fituan cmimin Nobel në ekonomi. Teoria e tyre njihet me emrin “teoria e kapitalit human”. Në këtë rast, termi kapital përdoret për analogji me kapitalin fizik, pasi nëse një investim në kapital fizik të krijon mundësinë që të prodhosh mallra apo shërbime dhe të krijosh të ardhura që i tejkalojnë këto shpenzime, pra të fitosh, edhe tek njerëzit mund të investosh në mënyrë që puna e tyre të bëhet më produktive dhe rezultatet e saj të tejkalojnë ndjeshëm shumën e investuar.

    Duke u nisur nga ky konstatim, tre ekonomistët e mësipërm arritën në konkluzionin se “edukimi ishte një aktivitet rentabël”, se “edukimi ishte investimi kryesor për shtimin dhe përmirësimin cilësor të kapitalit human”.

    Kompetencat e përfituara në sistemet e edukimit (shkolla, kolegje, universitete,etj.) rrisin produktivitetin e individit si dhe të ardhurat e tij. Ato përbëjnë një formë kapitali specifika e të cilit është “trupëzimi” tek personat që e zotërojnë, prandaj quhet dhe “kapital human” .

    Kjo teori i hapi rrugëm mjaft punimeve empirike që synonin matjen sa më precize të këtij niveli rentabiliteti : sipas tipit të studimeve, sipas kohë-zgjatjes së studimeve, sipas vendeve ku kryen studimet, sipas kohës së kryerjes së tyre, sipas origjinës sociale apo etike, sipas kushteve ekonomike të seicilit individ apo vend, etj.

    Paralelisht me këto punime me natyrë mikroekonomike, pasi ato bazoheshin tek ecuria dhe rezultatet e individëve, ekonomistët u interesuan si në planin teorik ashtu dhe atë empirik për inpaktin e edukimit në performancën makroekonomike të vendeve të ndryshme, vecanërisht për efektet e tij në rritjen ekonomike, në nivelin e pagave dhe punësimit, në pabarazitë sociale,etj.

    Më vonë, në vitet 1980-2000, ekonomistët e edukimit e përqëndruan interesin e tyre në studimin e “funksionimit të sistemeve të edukimit”, duke patur si objektiv kryesor “eficencën e këtij sektori”, përcaktimin e karakteristikave thelbësore të një sistemi edukimi, që brenda një niveli të dhënë shpenzimesh apo “kosto edukimi” të prodhojë rezultatet më të mira ekonomike. Kjo ngjalli një seri debatesh të mëdha publike mbi kriteret që duhen mbajtur parasysh në ndërtimin dhe administrimin e sistemeve të edukimit .

    Në fillim të shek.XXI-të, ekonomia e edukimit po merrr një shtrirje mjaft të gjerë si koncept dhe si praktikë, cka mëshirohet edhe në përfshirjen nga ana e OKB e nivelit të edukimit në “Objektivat e Mijëvjecarit” (1999-2015), si faktor thelbësor për reduktimin e varfërisë në botë.

    Zhvillimi i kësaj shkolle ekonomike synon ti japë përgjigje sa më shkencore pyetjeve të mëposhtëme : cilët janë indikatorët që shprehin më mirë nivelin e edukimit të cdo individi?, si ti organizojmë sistemet arsimore në mënyrë që burimet financiare të investuara të cojnë në një rritje eficente të kapitalit human?, cilët janë efektet e edukimit tek individët dhe shoqëria?

    Përgjigjia e këtyre pyetjeve nënkupton realizimin e kërkimeve dhe analizave në tre drejtime të ndryshme : analiza e vendimeve individuale të cilat përbëjnë “kërkesën për edukim”; analizën e sistemeve të edukimit që përbën “ofertën e edukimit”; matjen e efekteve të edukimit tek individi dhe shoqëria.

    Kërkesa për edukim

    Analiza teorike e investimeve në kapitalin human.

    Teoria ekonomike e kërkesës për edukim i takon ekonomistit Gary Becker, sipas së cilit cdo njeri ka një kapital personal të fituar nga edukimi.

    Ky stok kapitali jo-material mund të akumulohet në vazhdimësi ose të përdoret. Ai shtohet kur njeriu investon në edukim duke prodhuar pastaj një produktivitet dhe hipotetikisht të ardhura më të larta.

    Paga konsiderohet si rendimenti i kapitalit human, si fitimi i investimit në edukim.

    Si cdo investim tjetër, edhe ai në kapital human mund të bëhet objekt i llogaritjeve të “rendimentit marxhinal”, që në këtë rast mund të vlerësohet si raporti ndërmjet “shtimit të të ardhurave nga puna që ky investim krijon mundësinë për ti patur në vazhdimësi të jetës aktive” dhe “tërësisë së kostove direkte e indirekte që kërkon ky investim”.

    Këto kosto përbëhen nga shpenzimet për shkollim, por edhe nga të ardhurat që personi që kryen shkollimin nuk mund ti ketë si pasojë e faktit se ndjek shkollën dhe nuk punon, të cilësuara si “kosto oportuniteti”.

    Në këtë mënyrë, cdo individ bën një lloj arbitrazhi ndërmjet punësimit (të ardhurave në një periudhë të dhënë) dhe ndjekjes së shkollës, në funksion të perceptimit të të ardhurave që ai do sigurojë mbas këtij shkollimi.

    Sipas Becker-it, përfitimet nga investimi për shkollim nuk janë në proporcion të drejtë me vitet e shkollimit, pasi arrin një pikë në të cilën rritja e të ardhurave fillon e zvogëlohet në raport me shtimin e kostove të shkollimit.

    Niveli optimal i edukimit është ai në të cilin fitimet e një viti suplementar studimesh (fitimi marxhinal) është i barabartë me koston e studimeve (kosto marxhinale) : deri këtu individi ka fituar nga ndjekja e studimeve; përtej këtij momenti ai humb nga vazhdimi i studimeve.

    Ky rregull është i pranuar për cdo lloj kapitali e investimi : kontributi i Becker ishte që e zbatoi atë në fushën e edukimit.

    Analiza e Becker-it mbështetet në racionalitetin e agjentëve ekonomikë gjatë investimit të tyre në kapital human. Në fakt, cdo lloj investimi përbën një zgjedhje, pra përfshin llogjikën e kostos së oportunitetit.

    Investimet në kapitalin human rezultojnë si një llogaritje kosto-avantazhe nga ana e agjentëve ekonomikë, duke supozuar se ata i disponojnë të gjithë informacionet e nevojshme, dhe për pasojë bëjnë parashikueshmëri të sakta. Agjentët ekonomikë sillen si “homo economicus” të vërtetë në sferën e edukimit.

    Studime empirike mbi faktorët që kushtëzojnë nivelin e edukimit.

    Becker identifikoi diferencat në interesat që individët kanë për të investuar në edukimin e tyre. Ai nënvizoi “peshën e kufizimeve financiare”, “influencën e kulturës familjare” dhe “talentit” në mënyrën se si bëhen zgjedhjet individuale dhe kohëzgjatja për të investuar në edukim.

    Ky kuadër konceptual krijon mundësi që të shpjegohet në një masë të konsiderueshme “diferencat në nivelin e edukimit që egzistojnë në gjirin e një popullsie të caktuar të një vendi apo rajoni.

    Së pari, disa persona nxjerrin nga edukimi i tyre përfitime më të larta se të tjerët, pasojë kjo e talentit, kushteve favorizuese familjare e sociale, apo kushteve favorizuese të tregut të punës. Ky grup personash janë vazhdimisht të motivuar që ti zgjasin dhe thellojnë vazhdimisht studimet e tyre.

    Personat e këtij grupi kanë mundësi që të zgjedhin apo të avancojnë në dy drejtime kryesore : së pari, në ndjekjen e një shkollimi të plotë e cilësor profesional; apo në ndjekjen deri në nivelet më të larta të të gjithë cikleve të studimit; së dyti, përballimi i kostove të edukimit kërkon që individi të disponojë një të ardhur individuale/familjare apo mundësinë për një kredi të mjaftueshme, për të ndjekur nivele të ndryshme edukimi.

    Studimet e realizuara në vende të ndryshme, si dhe analizat specifike të G.Beckerit tregojnë për një korrelacion të fortë ndërmjet statusit socio-ekonomik të familjeve dhe nivelit shkollor të fëmijëve.

    Gjithashtu edhe aksesi në kredi kushtëzohet ndjeshëm nga niveli ekonomik i familjeve. Përgjithësisht, familjet e varfëra i kanë të kufizuara mundësitë për kredi si dhe madhësinë e kredisë.

    Një element specifik është dhe kultura apo traditat familjare. Vecanërisht në vendet e varfëra apo ato në zhvillim, është tipike “përcaktimi i nivelit apo drejtimit të shkollimit nga prindërit” duke mos marrë në konsideratë dëshirat apo talentet e fëmijëve.

    Kjo është evidente sidomos në shkollimin e femrave, pasi gjykohet se ato do martohen dhe familja nuk pse të shpenzojë shumë për shkollimin e tyre.

    Në këtë grup vendesh rol kufizues në arsim luan dhe “e ardhura që familja siguron nga puna e fëmijëve”, sepse raportet ndërmjet kostos së shkollimit dhe të ardhurave të munguara nga puna e fëmijëve favorizojnë këtë të dytën .

    Në këtë grup vendesh, përqindja dhe cilësia e shkollimit varet shumë nga politikat publike mbështetëse në favor të stimulimit dhe lehtësimit të kërkesës dhe mundësive për shkollim.

    Kostot e edukimit dhe format e përballimit të tyre

    Nga këndvështrimi i ekonomistëve, kostot e edukimit llogariten për dy qëllime kryesore : për të specifikuar origjinën e financimeve; dhe për të evidentuar rentabilitetin ekonomik të investimit në edukim.

    Nga pikëpamja e origjinës së financimit dallohet “financimi publik” që buron nga buxheti i shtetit ose ai i rajoneve e njësive vendore, dhe “financimi privat” që është financim individual familjar apo “financim i ndërrmarjeve private për kualifikim profesional të personelit”.

    Në shkallë ndërkombëtare, tërësia e shpenzimeve apo financimeve private për edukimin është shumë e vogël (vetëm 1-2% të tërësisë së shpenzimeve), me përjashtim të disa rasteve specifike : në SHBA dhe Britaninë e Madhe nga ana e vetë studentëve; në Gjermani nga ana e ndërrmarjeve për formimin profesional; në shumë vende të varfëra nga ndihmat dhe financimet e vendeve të pasura dhe institucionet

    Në shkallë botërore aktualisht numërohen mbi 220 milionë studentë (viti 2019), numri më i madh i imagjinuar ndonjëherë në histori, numër që vetëm gjatë 14-16 viteve të fundit është dyfishuar po ta krahasojmë me vitin 2000.

    Por, ndërkohë që arsimi universitar po konsiderohet cdo ditë e më tepër si një “motor i fuqishëm i zhvillimit ekonomik e social”, shpenzimet apo financimet publike e kanë gjithnjë e më të vështirë që të mbështesin këto ritme të jashtëzakonshme rritjeje të numrit të studentëve.

    Pothujase të gjithë vendet e botës po përballen me vështirësitë që sistemet tradicionale të garantimit falas apo gjerësisht të subvencionuar të studentëve apo universiteteve po ndeshin përballë kësaj mase në rritje të numrit të studentëve dhe mbi të gjitha garantimit të cilësisë.

    Një model i tillë po bëhet problematik nga pikëpamja financiare dhe vendet e zhvilluara, sidomos nën shembullin e vendeve anglo-saksone, kanë hapur një debat substancial për ta rrithemeluar “kontratën sociale” të deritanishme ndërmjet arsimit të lartë universitar dhe shoqërisë.

    Kjo llogjikë po gjen shtrirje edhe në Europën kontinentale e njohur historikisht si bastion i “arsimit universitar publik falas”.

    Konkluzioni i përgjithshëm është se “shkalla e zhvillimit të një vendi dhe pasuria e tij luan një rol thelbësor në përcaktimin e cilësisë së universiteteve”, fakt që penalizon dukshëm dhe rëndë vendet e varfëra dhe ato në zhvillim, që edhe pse mund të bëjnë sakrifica të mëdha me buxhetet e tyre publike, përsëri nuk mund të arrijnë garantimin e cilësisë së kërkuar të edukimit në përgjithësi dhe universiteteve në vecanti.

    Vendet që hyjnë në këtë grup, edhe sikur të adresojnë jo 1 apo 3% të PBB, por 8 apo 10% të PBB për universitetet nuk do arrijnë kurrë ti afrohen nivelit mesatar të shpenzimeve për arsimin universitar dhe kërkimin shkencor të vendeve të zhvilluara.

    Është barrë e rëndë që tja ngarkosh eskluzivisht buxheteve publike një detyrë të tillë.

    Nëse i referohemi strukturës së financimit të universiteteve në ShBA, formulë që po përpiqen ta zbatojnë dhe shumë vende të tjera, 34% e fondeve të universiteteve janë fonde publike, 20% janë të ardhura nga rregjistrimet dhe shërbimet për studentët, 19% janë sponsorizime, 7% janë dhurata apo donacione të ndryshme, 20% janë të ardhura që universitetet i garantojnë si shërbime ndaj të tretëve.

    Financimet vijnë nga tre burime themelore: financimet publike; financimet private dhe biznesi; organizata të ndryshme dhe donacione.

    Universitetet elitë në SHBA, si Harvard, Princeton, Yale,etj., janë universitete jo-publike që financohen 100% nga burimi i dytë dhe i tretë i përmendur më lart.

    Diskutimet dhe politikat në raport me sistemin privat të edukimit filluan të ndryshojnë vecanërisht mbas idesë së Milton Friedman-it .

    Hipoteza bazë e ekonomistëve me frymëzim neoklasik është se “edukimi privat që varet tërësisht nga financimet private do të mbijetojë vetëm nëse është më cilësor dhe më i dobishëm në tregun e punës së edukimi publik”.

    Literatura e shumtë që egziston në këtë fushë konvergon drejt idesë së “krijimit të një tregu të vërtetë të edukimit të orientuar nga konkurrenca ndërmjet sistemit publik dhe atij privat” .

    Eksperienca të tilla u zbatuan në SHBA, Zelandën e Re, Kolumbi, Kili, Indi, Pakistan, etj., që në fillim të viteve 1980, dhe më vonë në vitet 2000 edhe në disa vende të Europës qëndrore e lindore, të Europës Perëndimore, Azisë dhe Afrikës.

    Efektet e cilësisë së edukimit në nivelin e zhvillimit

    Në fillimet e këtij shekulli, debatet për të ardhmen e universiteteve dhe kërkimit shkencor fokusohen rreth impaktit të tyre në katër «forcat e mëdha të ndryshimit » të botës moderne : stimulimin e teknologjive të reja, përballimin dhe përfitimin nga efektet e globalizimit, formimin e «kapitalit social » dhe përmirësimin e «mirëqeverisjes».

    Tashmë, «cilësia e universiteteve dhe e kërkimit shkencor » në raport me zhvillimin ekonomik e social të një vendi konsiderohen të barabarta me efektet që japin teknologjitë moderne dhe format e avancuara të drejtimit e menaxhimit.

    Statusi i Universiteteve dhe i kërkimit shkencor, rekomandimet dhe punimet tyre po vlerësohen si çelësi i kompetivitetit ekonomik në kontekstin e përballimit të globalizimit. Jo vetëm vendet e zhvilluara, por dhe ato në zhvillim, si një nga indikatorët bazë të suksesit kanë performancën e sistemit të tyre universitar dhe kërkimit shkencor, rolin dhe cilësinë e kapitalit human që «prodhojnë ».

    Sipas ekspertëve të kësaj fushe : universitetet duhet të prodhojnë mendje cilësore dhe jo thjesht koka të mbushura me dije e njohuri, duke i dhënë përparësi kreativitetit individual e kolektiv në shërbim të zhvillimit.

    Përpara universiteteve serioze shtrohen të njëjtat pyetje e sfida : Si po i përgjigjet sistemi universitar nevojave të shoqërisë në shek. XXI-të?, Çfarë kontributi duhet të japë sistemi universitar dhe ai i kërkimit shkencor në zhvillimin e asaj që quhet “ekonomia e dijes”?, Si mund të matet më mirë cilësia dhe impakti i universiteteve në zhvillimin ekonomik dhe social të çdo ven

    Megjithëse edukimi është një e drejtë fondamentale e çdo njeriu, ai mund të konsiderohet dhe si një instrument që promovon zhvillimin ekonomik të çdo vendi, si një faktor i rëndësishëm që nxit produktivitetin dhe efikasitetin ekonomik .

    Progresi teknologjik ka qenë për të gjitha vendet “motori i industrializimit të tyre”. Që në kohën e revolucioneve industriale të shekujve XVIII – XIX-të u dëshmua qartë se zhvillimi i çdo vendi është vepër e “njohurive shkencore” më shumë se sa thjesht “bollëkut të burimeve natyrore, njerëzore apo financiare”.

    Sinteza e kësaj eksperience ishte “roli thelbësor i edukimit dhe formimit profesional në promovimin e zhvillimit ekonomik të popujve e shteteve të ndryshme” që kanë ditur të krijojnë një korrelacion të drejtë ndërmjet dy elementeve.

    Modelet teorike të “rritjes endogjene” të zhvilluara në vitet 1980-90 nga ekonomistët Robert Lucas dhe Paul Romer insistojnë në rolin e edukimit si faktor i inovacionit dhe progresit teknik e teknollogjik, pra si faktor thelbësor i rrijes ekonomike.

    Megjithatë, eksperienca ndërkombëtare dëshmon se jo çdo investim në sektorin e arsimit dhe edukimit “përkthehet” automatikisht në zhvillim ekonomik.

    Shembulli i mjaft vendeve evidenton faktin se megjithëse ato kanë investuar shumë në sistemin e tyre arsimor, ato vazhdojnë të mbeten akoma vende të varfra dhe nuk kanë bërë progres të vlerësueshëm në procesin e industrializimit dhe zhvillimit ekonomik të tyre.

    Ekspertët nënvizojnë se “thjesht një zgjerim dhe mbështetje e sektorit të edukimit nuk çon automatikisht në zhvillim ekonomik”.

    Një vend i caktuar mund të arrijë të nxjerrë persona të kualifikuar, por nqs ky vend nuk arrin të krijojë infrastrukturat, sistemet, institucionet, kuadrin ligjor rregullator, sistemin e motivimit dhe konceptin e “karrierës profesionale sidomos në sektorin publik”, atëherë ky vend nuk arrin të krijojë sinergjinë e nevojshme që kjo kategori njerëzish të shkolluar e edukuar të verë në jetë njohuritë e përfituara dhe të ndikojë cilësisht në zhvillimin ekonomik .

    Përveç kësaj, një element thelbësor, sipas UNESCO-s, “plani i zhvillimit perspektiv të çdo sistemi arsimor është koordinimi dhe kombinimi i tij me planin e zhvillimit perspektiv ekonomik të çdo vendi…se vendim-marrja në fushën e arsimit nuk mund të jetë pronë vetëm e ekspertëve të edukimit, por në mënyrë të veçantë dhe e ekspertëve të ekonomisë dhe zhvillimit”.

    Rentabiliteti i edukimit

    Në teorinë e kapitalit human, hipoteza bazë është ajo në të cilën “individët më të shkolluar përfitojnë të ardhura më të mëdha si pasojë e produktivitetit të tyre të lartë”.

    Që në vitin 1958, ekonomisti Jacob Mincer nxorri nga një model teorik i investimeve në kapitalin human një ekuacion empirik të thjeshtë sipas së cilit “të ardhurat nga puna e një individi varen nga numri i viteve të shkollimit dhe atyre të eksperiancës profesionale.

    Në këtë ekuacion të quajtur “funksioni i shpërblimit të kapitalit human”, efekti i edukimit në të ardhurat nga puna interpretohet si rendimenti i kapitalit human i formuar nga sistemi i edukimit. Shumica e autorëve vlerësojnë se ky është një nga faktet empirike më të qëndrueshme të shkencës ekonomike .

    Në vendet e zhvilluara ku arsimi fillor dhe ai i mesëm është i detyrueshëm dhe respekton standartet e cilësisë, ekonomistët janë përqëndruar në “rendimentin e studimeve universitare”.

    Nëse aksesi në universitet është masiv ndërkohë që krijimi vendeve të punës që kërkojnë kualifikim të lartë është më i reduktuar, bollëku relativ i të diplomuarve con në një ulje të rendimentit të studimeve universitare.

    Në rastin e kundërt, kur tregu i punës është më i gjerë se numri i të dipllomuarve, rendimenti i studimeve universitare rritet.

    Ndërsa në vendet në zhvillim dhe ato të varfëra ku arsimi parauniversitar nuk është i detyrueshëm, rendimenti i edukimit ka kuptim që të matet vetëm për këtë nivel shkollimi dhe për pasojë, në këto vende, shtimi i shkollave të këtij sistemi është më rentabl se sa krijimi i universiteteve të reja. Kjo ka bërë që ekonomistët e shkollës së edukimit ti sugjerojnë vendeve të varfëra apo në zhvillim që ti orientojnë politikat e tyre edukuese në favor të arsimit fillor dhe atij të mesëm, vecanërisht atij profesional.

    Por, procesi i zhvillimit të një vendi dhe rentabiliteti i edukimit nuk duhet të kufizohet vetëm me efktin e tij në rrijen ekonomike, por edhe në procesin e zhvillimit njerëzor të qëndrueshëm në përgjithësi.

    Zhvillimi human është shumë dimensional pasi ai integron dhe problemet e shëndetit individual e publik, mirëqënies, respektit për mjedisin, reduktimin e varfërisë, kohezionin social, zbatimin e rregullave demokratike, respektin për minoritetet, ndjeshmërinë ndaj shtresave të marxhinalizuara, menaxhimin e zhvillimeve demografike dhe përdorimin e territorit, etj .

    Për ekonomistët e edukimit, problem i rëndësishëm mbetet përcaktimi i indikatorëve që masin rendimentin dhe cilësinë e sistemeve të edukimit, dmth kapacitetin e këtij sistemi për të arritur objektivat e tij.

    Për këtë përdoren indikatorë sasiorë të tillë si “përqindja e shpenzimeve për edukim/PBB”, “numri i studentëve apo nxënësve/100000 banorë”, “përqindja e shkollimit/totalit të popullsisë”, “nota mesatare në disiplina të ndryshme”, etj.,dhe indikatorë cilësorë si testet e standartizuara si SAT (scholastic achievement test), ISAT (Illinois Standards Achievement Test), PISA (Programme for International Student Assessment),etj.

  • ​Tentoi të fuste substancë narkotike në Dubravë, arrestohet e dyshuara

    ​Tentoi të fuste substancë narkotike në Dubravë, arrestohet e dyshuara

    Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar pasi e njëjta, derisa kishte shkuar për vizitë në Qendrën Korrektuese të Dubravës, posedonte një qese me substancë narkotike.

    Sipas njoftimit të Policisë, e dyshuara është dërguar në mbajtje.

    “Qendra Korrektuese Dubravë 25.04.2023 – 10:30. Nga zyrtarët korrektues është informuar se e dyshuara femër kosovare që ishte ardhur në vizitë te i burgosuri posedonte një qese me substancë të dyshuar narkotike. E dyshuar është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • ​Kurti: Liberalizimi, pranimi i aplikimit në KiE konfirmojnë se jemi në rrugën evropiane

    ​Kurti: Liberalizimi, pranimi i aplikimit në KiE konfirmojnë se jemi në rrugën evropiane

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh sot se vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, por edhe pranimi i aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës konfirmojnë se vendi është në rrugën evropiane dhe se Kosova i përket Evropës.

    Kurti në fjalën hyrëse në mbledhje të qeverisë së Kosovës tha se qytetarët e Kosovës nga 1 janar 2024 do të mund të udhëtojnë në 32 vende të tjera përfshirë edhe Bullgarinë, Rumaninë dhe Qipron.

    “Javën që lamë pas dhe këtë javë çdo qytetar është ndier më evropian dhe më afër Evropës. Liberalizimi i vizave kishte ngecur për 4 vite në agjendën e Këshillit të BE me shumë punë dhe angazhim veçanërisht me vendet hezituese vitin e kaluar arritëm që gjatë presidencës çeke të zhbllokojmë këtë proces…..Nga 1 janari i vitit të ardhshëm qytetarët e Kosovës më në fund do të mund të udhëtojnë pa viza në 32 vende të tjera evropiane përfshirë këtu edhe Bullgarinë, Rumaninë dhe Qipron që nuk janë pjesë e Zonës Schengen. Pasaporta do të jetë mëe fuqishme ashtu siç shteti jonë po bëhet përherë e më i fortë“, tha ai.

    Duke folur për pranimin e aplikimit në Këshillin e Evropës, i cili ndodhi këtë të hënë (24 prill), shefi i ekzekutivit kosovar shprehu besimin që si shtet demokratik Kosova do të jap kontribut të çmuar në të ardhmen si anëtarë me të drejta të plota në KiE.

    “Ne besojmë thellësisht që si shtet i ri demokratik dhe paqedashës do të japim kontributin e çmueshëm në të ardhmen si anëtarë me të drejta të plota në Këshillin e Evropës dhe natyrisht që rezultatet gjithnjë e më të mira sa i përket tri vlerave fundamentale të Këshillit të Evropës sa i përket sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut kanë ndikuar në këtë arritje të madhe. Këto dy vendime të rëndësishme brenda më pak se 1 jave konfirmojnë rrugën tonë evropiane, konfirmojnë që jemi në rrugën e duhur dhe konfirmojnë se Kosova i përket Evropës si union, si vlerë“, theksoi ai.

    Gjatë mbledhjes së sotme, kryeministri Kurti tha se do ta shqyrtojnë edhe projektligjin ratifikimin e marrëveshjes për statusin dhe funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.

    Sipas tij, çështja e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë është një çështje aktuale dhe permanente deri në zgjidhjen e plotë të saj.

    “Sot do të shqyrtojmë edhe projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për statusin dhe funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, kjo iniciativë e aprovuar në parim vite më parë sot po konkretizohet dhe po merr drejtimin e duhur. Çështja e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë është një çështje aktuale dhe permanente deri në zgjidhjen e plotë të saj. Temë prioritare e cila do të vazhdoj të adresohet edhe më tutje si çështje e natyrës urgjente. Miratimi i këtij projektligjit sot është i një simbolike të veçantë dhe gjithashtu i një rëndësie të madhe jo vetëm se jemi në prag të 27 prillit Dita e Personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, por është edhe në vazhdën iniciativave të konkretizuara së fundmi si në procesin e liberalizmit të vizave ashtu edhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, tha ai. /KP

  • ​Organizim i paligjshëm i bixhozit, arrestohet një person

    ​Organizim i paligjshëm i bixhozit, arrestohet një person

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm.

    Raportohet se rasti ka ndodhur të martën në Podujevë dhe personi i arrestuar është dërguar në mbajtje.

    “Podujevë 25.04.2023 – 17:26. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që në lokalin e tij kishte organizuar lojëra të fatit-bixhoz. Si prova lidhur me rastin janë konfiskuar katër shtëpiza, dy printera, 27 tiketa dhe 15.50€. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.