ATV

Category: Lajme

  • Sot shënohet Dita e të Pagjeturve dhe masakra e Mejës

    Sot shënohet Dita e të Pagjeturve dhe masakra e Mejës

    Sot, më 27 prill, shënohet Dita e të Pagjeturve në Kosovë. Po ashtu, me këtë datë shënohet përvjetori i 24-të i masakrës në Mejë të Gjakovës, ku më 27 prill 1999 u vranë 376 persona.

    Ndërkaq, për nder të kësaj dite, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nesër (të enjten) në orën 10:00, do të bëjë homazhe te përmendorja dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës përballë Kuvendit të Kosovës.

    Pastaj në orën 12:00, kryeministri Kurti do të bëjë homazhe në Kompleksin Memorial në Mejë të Gjakovës.

    Në përvjetorin 24-të të masakrës së Mejës, në përkujtim të martirëve të kësaj masakre, edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj me bashkëpunëtorë, në orën 11:00 bën homazhe në Kompleksin Memorial në Mejë.

    Ndryshe, edhe rreth 1600 persona ende figurojnë të zhdukur në Kosovë nga lufta e fundit.

  • Kur vendosi Putin të pushtojë Ukrainën?

    Kur vendosi Putin të pushtojë Ukrainën?

    Një raport hulumtues i gazetës online, Vyorstka, thotë se presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendimin për të pushtuar Ukrainën në fillim të marsit të vitit 2021.

    Sipas raportit, i cili bazohet në intervista me burime të afërta me udhëheqjen ruse, Putini ka marrë këtë vendim pasi autoritetet ukrainase kanë konfiskuar asetet dhe mediat e kontrolluara nga politikani pro-rus i Ukrainës, Viktor Medvedchuk, në shkurt të vitit 2021.

    Përgatitjet për pushtimin, i cili ka nisur në fund të shkurtit, 2022, kanë zgjatur një vit. Sipas raportit, Putin i ka bërë ato me bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, miliarderin Yury Kovalchuk, mbështetës kryesor i idesë, shkruan REL.

    Kovalchuk e ka bindur Putinin se është koha e duhur për të nisur pushtimin, pasi Bashkimi Evropian po përballej me probleme të brendshme dhe mosmarrëveshje për një sërë çështjesh, shkruan Vyorstka.

    Një burim i ka thënë gazetës se Putin, fillimisht, ka planifikuar ta kërcënojë hapur Ukrainën me agresion, në artikullin e tij të diskutueshëm “Rreth unitetit historik të rusëve dhe ukrainasve”, të botuar në korrik të vitit 2021. Megjithatë, kërcënimi është hequr nga teksti në momentin e fundit.

  • ‘S’po më zë gjumi natën’ – Këngëtari Labinot Rexha jep detaje për herë të parë se çka i ndodhi babit të tij dhe si e gjeti personin që fshihet pas rastit

    ‘S’po më zë gjumi natën’ – Këngëtari Labinot Rexha jep detaje për herë të parë se çka i ndodhi babit të tij dhe si e gjeti personin që fshihet pas rastit

    Këngëtari kosovar, Labinot Rexha, gjatë ditës së djeshme, përmes një postimi në facebook ka thënë ai e ka identifikuar një serb i cili ia kishte torturuar babain e tij para 25 vitesh.

    Në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin STUDIO A në ATV, Labinot Rexha ka treguar se çfarë kishte ndodhur në ditën kritike kur ia morën babain nga duart e tij, ditë kjo të cilët ai thotë se nuk mund ta harrojë asnjëherë.

    “Ka qenë data përafërsisht 22-25 korrik 1998, nuk më kujtohet saktë data, ora ka qenë 10:00 i mëngjesit, në post-bllokun e dytë në hyrje të Rahovecit, kemi qenë me një veturë Golf 1, ka pasur edhe “prekolicë” ku kanë qenë rreth 25 anëtarë të familjes tonë, ka ardhur ky Trajko me kriminelë të tjerë, ata të tjerët nuk i kam njohur, e kanë marrë nga duart e mia babain tim, para mamit tim, gjyshit tim. Kur e kanë liruar babanë tim, nuk e kam njohur sepse aq shumë e kanë rrahur sa që nuk njihej. Pas nja 10-15 ditë e kanë liruar dhe përsëri e kanë marrë në Nish. Në burgun e Nishit e kanë maltretuar shumë, e kanë liru pas një kohë pasi ka paguar për m’u liru, dhe pas një kohe kanë ardhur në Zvicër, por për shkak të maltretimeve, torturave të bëra nga ky personi dhe personat e tjerë për të cilët unë nuk kam informata por vetëm për këtë. Jemi 25 dëshmitar, babi i im mbas tre viteve ka vdekur për shkak të pasojave të burgut”, rrëfen Labinoti.

    Ai thotë se nga ajo ditë, tash e 25 vite vazhdon ta këtë një ankth të vazhdueshëm për shkak të tmerrit që ka përjetuar atë ditë.

    “Kam pasur ankth që një muaj. Me qenë se kam pasur ankth dhe stres dhe një gastrofobi të brendshme që nuk kam mundur ta menaxhoj veten gati 25 vite. Kohën e fundit m’u paraqitke babai i im sikur të ishte në dhomën time të gjumit që ai sikur me thoshte që ‘ende nuk e ke kryer amanetin që duhet me e kry”. Unë nuk dua ta marrë hakun, ta vraj atë, por le ta vret drejtësia. Sot në Evropë, në Kosovë dhe në gjithë botën ekziston drejtësia, ekziston gjykata, ekziston prokuroria. Nëse nuk ekzistojnë këta të tjerët, nëse janë zhdukur, ekziston drejtësia e Zotit”, thotë Labinoti. /atvlive.tv

  • 22 vendime në mbledhjen e 140 të të Qeverisë

    22 vendime në mbledhjen e 140 të të Qeverisë

    Vendimi përfundimtar për liberalizimin e vizave dhe ai fillestar në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sipas kryeministrit Albin Kurti, i ka bërë kosovarët të ndihen më shumë evropianë.

    Në nisje të mbledhjes së Qeverisë, ai tha se krahas pasaportës po forcohet shteti.

    “Këto dy vendime të rëndësishme konfirmojnë se jemi në rrugën evropiane dhe se jemi në rrugën e duhur”, tha Kurti.

    Një ditë para Ditës së Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë luftës në Kosovë, Qeveria miratoi projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për të Zhdukur.

    “Çështja e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë është një çështje aktuale dhe permanente deri në zgjidhjen e plotë të saj. Temë prioritare, e cila do të vazhdojë të adresohet edhe më tutje si çështje e natyrës urgjente”, tha Kurti.

    Dren Boshnjaku, Tetore Olloni, Rrezarta Bajrami, Besim Demolli, Vjollca Kadolli, dhe Naim Bardiqi u emëruan anëtarë në Bordin Drejtues të Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës.

    Qeveria shfuqizoi vendimin e marrë në kohën kur kryeministër ishte Avdullah Hoti, për ndalimin e procedurave për blerjen e veturave nga ministritë dhe agjencitë vartëse.

    “Ministria e Financave propozon shfuqizimin e këtij vendimi, bazuar në disa faktorë, përfshirë kërkesat e shumta të marra nga autoritetet kontraktuese, si dhe kufizimin që këto vendime kanë bërë në zhvillimin e aktiviteteve operative të disa prej autoriteteve kontraktuese”, tha ministri Hekuran Murati.

    Dhjetë milionë euro qeveria i ndau për programin për efiçiencë të Energjisë, ndërsa 9 milionë të tjera të ndara më herët për subvencionimin e kursimit të energjisë i zëvendësoi me mjetet e marra nga BE-ja.

    Ekzekutivi miratoi tri marrëveshje me Slloveninë, për zbatimin e ndërsjellë të aktgjykimeve në çështjet penale, ekstradim dhe ndihmë juridike, të cilat do të dërgohen për ratifikim në Kuvend. /atvlive.tv

  • Afro 8 mijë gra afariste kosovare kanë marrë 643 milionë euro kredi në bankat komerciale

    Afro 8 mijë gra afariste kosovare kanë marrë 643 milionë euro kredi në bankat komerciale

    Afro 8 mijë gra afariste kosovare kanë marrë 643 milionë euro kredi në bankat komerciale.

    Në krahasim me burrat kredimarrës, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, kjo përfshin 25 për qind të totalit të kredive në vend.

    Me qëllim të rritjes së përkrahjes për gratë, në 7-vjetorin e themelimit të Fondin Kosovar për garanci Kreditore u lansuan edhe dy skema të reja garantuese,
    “Gratë në biznes” dhe “Startup”.

    “Një rol të rëndësishëm në plotësimin e kësaj hapësire e ka pikërisht Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, i cili përmes mekanizmit të tij garantues, do të mundësojë rritjen e kreditimit dhe lehtësimin e kushteve të qasjes në kredi. Më lejoni t’i ndaj disa të dhëna nga sektori bankar me juve, numri i llogarive të bizneseve me pronar gra në sektorin bankar është 21 mijë e 247, krahasuar me 104 mijë e 461 me pronar burra, apo 17% e gjithsej llogarive, domethënë të bizneseve”, tha ushtruesi i detyres së guvernatorit të BQK-së, Bashkim Nurboja.

    Skemave të reja kreditore iu është gëzuar edhe Ministrja e Ndërmarrësisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari.

    “Gëzohem për dritaren dedikuar grave në biznes, sepse në Kosovë sikur se edhe në shumë vende të tjera të botës, gratë marrin kredi më pak se burrat. Gratë e kanë dëshmuar që janë po aq të zonjat, po aq menaxhere të mira e po aq vizionare në biznese e zhvillim, sa edhe burrat ose edhe më shumë”, tha Hajdari.

    Ndërsa, Arta Hoxha, ushtruese detyre e kryesueses së bordit në këtë Fond, tha se përmes këtyre skemave u lehtësohet qasja në financa bizneseve.

    “Qeveria e Kosovës përmes MINT-it dhe kredisë nga Banka Botërore, ka shtuar kapitalin prej mbi 24 milionë euro, si dhe Banka Gjermane për Zhvillim ka kontribuar me një kapital prej mbi 24 milionë eurove, brenda këtyre shtatë viteve. Fondi sot operon me një kapital prej afër 55 milionë eurove”, tha Hoxha.

    Sipas të dhënave të BQK-së, vlera e kredive deri në muajin shkurt ka arritur në 4.33 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 15,1 për qind. /atvlive.tv

  • Kisha “Shën Nikolla” në Shtërpcë ishte shënjestër e hajnave

    Kisha “Shën Nikolla” në Shtërpcë ishte shënjestër e hajnave

    Zyra ndihmëse e kishës lokale të Shtërpcës, ditën e djeshme ishte shënjestër e hajnave.

    “Me datë 25.04.2023, në orën 09:45, prifti lokal S.M. nga Shtërpca, ka raportuar në stacionin policor të Shtërpcës për një rast të vjedhjes, ku persona të panjohur kanë hyrë në zyrën e Kishës ”Shën Nikolla”, e cila gjendet në objektin ndihmës të Kishës. Policët hetues kanë mësuar se nga kjo zyrë dyshohet se janë vjedhur para të monedhave dinarë dhe euro, vlera e përgjithshme rreth 800-1000 euro”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Për këtë grabitje, ATV-ja provoi të flasë edhe me priftin e kësaj kishe, mirëpo ai nuk pranoi të prononcohet.

    Sipas Policisë, hajnat nuk e arritën qëllimin e tyre përfundimtar, për shkak se ata nuk arritën ta thyenin kasafortën e metaltë që ndodhej aty.

    “Nga kjo zyrë personat e panjohur kanë tentuar të hapin me forcë një kasafortë metalike, por veç dëmit të shkaktuar nuk kanë arritur ta hapin atë”, thotë Policia.

    Ndërkaq, Policia bën të ditur se janë duke u mbledhur faktet me qëllim të zbardhjes së këtij rasti. /atvlive.tv

  • Kompanitë importuese ankohen për procedura të vështira të importit

    Kompanitë importuese ankohen për procedura të vështira të importit

    Avokati Asdren Bytyqi në emër të disa kompanive importuese, pritet t’i drejtohet me një kërkesë Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë.

    Ai po kërkon ndryshim të menjëhershëm të kodit doganor.

    Krejt kjo pasi disa procedura aktuale të parapara me këtë kod po ua vështirësojnë punën kompanive importuese e eksportuese.

    “Ju shkaktohen dëme më të mëdha. Është periudha e pritjes e mallit për verifikim, e cila është 14 ditë dhe po ju shkakton dëme sidomos kompanive vendore.. dhe pika tjetër kyçe është mungesa e magazinave doganore, e cila në bazë të ligjit për dogana është e obligueshme. Nuk i kanë ndërtuar depot në mënyrë që malli që ndalohet apo dyshohet për mundësi të falsifikimit”, tha Bytyqi.

    Ndryshimi i projekt-kodit doganor dhe akcizave, në bazë të planit legjislativ ishte paraparë të trajtohej në Kuvend në muajin shkurt. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

    Por, për telashet e bizneseve janë në dijeni edhe deputetët.

    “Paralizohen importuesit, qoftë edhe prodhuesit, sepse paguajnë ditë qëndrimi për kamion, edhe në terminal paguajnë 40 euro, sa është dita për një maunë, dhe në këtë drejtim besoj kur të vijë draft i ri, në të do të parashihen edhe këto procedura në mënyrë që u lehtësohet barra importuesve dhe prodhuesve”, tha deputeti i LV-së, Visar Korenica.

    Korenica tregon se janë duke e përgatitur edhe një draft për projekt-kodin doganor. /atvlive.tv

  • Osmani: Aleatët t’i bëjnë presion Serbisë që t’i respektojë obligimet që i ka marrë nga Ohri

    Osmani: Aleatët t’i bëjnë presion Serbisë që t’i respektojë obligimet që i ka marrë nga Ohri

    U prit me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake nga homologu maqedonas, Stevo Pendarovski. Presidentja Vjosa Osmani vizitën në Maqedoni të Veriut e filloi duke falënderuar shtetin fqinj për votën pro për pranimin e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.

    Rrjedhimisht kërkoi që Serbisë t’i bëhet presion t’i respektojë marrëveshjet e Brukselit.

    “Shpresoj shumë që miqtë dhe aleatët tanë do të sigurohen që të bisedojnë gjatë kësaj periudhe, të bëjnë presion mbi Serbinë, në mënyrë që edhe ajo t’i respektojë obligimet që janë marrë nga ky proces, i cili mendoj që ka qenë një hap i rëndësishëm ku Kosova dhe Serbia trajtohen nga aspekti i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, si dy palë të barabarta sa u përket raporteve ndërshtetërore ku të dyja palët e njohin sovranitetin, në këtë rast Serbia e njeh sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.

    Lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Pendarovski nuk e fshehu dëshirën që ky proces të përfundojë sa më shpejt.

    “Zgjidhjet e Marrëveshjes së Ohrit mund të reflektohen në një marrëveshje të ardhshme midis Kosovës dhe Serbisë, pra këtu ka modele të kohabilitimit brenda në shtet, dhe midis shteteve, të cilat mund të shfrytëzohen. Por vendimin final çka do të pranojnë në atë dialog, kuptohet e kanë organet legjitime në Beograd dhe në Prishtinë. Ne këtu jemi vetëm fqinjë të mirë, të cilët duan që sa më parë të shohin fundin e këtij kontesti të gjatë që objektivisht e ngadalëson bashkëpunimin rajonal që është shumë i rëndësishëm, si përgatitje për integrimin e tërësishëm në strukturat euroatlantike”, tha Pendarovski.

    Derisa ky ishte takimi i katërt mes Osmanit dhe Pendarovskit gjatë dy vjetëve, ata diskutuan pak edhe rreth pozitës së komunitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, me ç’rast presidentja kërkoi më shumë investime në komunat shqiptare.

    “Të prirë nga vizioni për mirëqenie të shtuar e me qëllim të kapërcimit të sfidave socio-ekonomike me të cilat po ballafaqohet i gjithë rajoni ynë, rritja e investimeve dhe në vendbanime ku jetojnë shqiptarët dhe fuqizimi edhe më shumë i njësive të vetëqeverisjes lokale me kapacitete dhe financa, shpresoj të shihet si prioritet. Në këtë mënyrë krijohen mundësi shtesë që qytetarëve t’u ofrohen shërbime sa më cilësore, si dhe të garantohet përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha institucionet e vendit”, theksoi Osmani.

    Agjenda e presidentes Osmani në ditën e parë të qëndrimit në Shkup ishte shumë e ngjeshur. Përpos presidentit Pendarkovski, ajo takoi edhe kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, e pastaj iu drejtua me një fjalim deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

    Përpos takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ajo merr pjesë edhe në përurimin e një rruge të emërtuar “Ibrahim Rugova” në komunën e Çairit.
    Të enjte, Osmani do ta vizitojë Tetovën. /atvlive.tv

  • KRU “Prishtina” nis shkyçjet në objektet që kanë borxhe

    KRU “Prishtina” nis shkyçjet në objektet që kanë borxhe

    Për më shumë se pesë vjet banorët në lagjen “Bledi”, në rrugën “Sami Frashëri” në Prishtinë, janë furnizuar me ujë në mënyrë ilegale.

    Sikur kjo të mos mjaftonte, dikush kishte vendosur edhe një çezmë në oborrin e ndërtesës.

    Por nga sot atyre iu ndërpre furnizimi me ujë deri në përmbushjen e obligimeve ndaj Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

    Disa prej banorëve, përmes intervenimeve, u munduan t’i bindnin punonjësit që të mos i shkyçin ata nga rrjeti i ujësjellësit.

    Por nuk ia dolën. Nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit ”Prishtina” ishin të vendosur që ndërtesën ta shkyçin nga rrjeti i ujësjellësit dhe ashtu u bë.

    Arjeta Mjeku, zëdhënëse në KRU “Prishtina”, tha se ky aksion do të shërbejë si mësim për konsumatorët se detyrimet ndaj KRU-së duhet kryer.

    “Me këtë aksion, kemi bërë shkyçjet më të mëdha deri më tani. Kemi bërë shkyçje të dy objekteve banesore që e kanë shfrytëzua ujin e kompanisë në mënyrë ilegale, për më shumë se 5 vjet”, tha Mjeku.

    Njësoj vepruan edhe në një ndërtesë tjetër në rrugën “C”, ku banorët po furnizoheshin me ujë në mënyrë ilegale.

    “Na ju kemi dhënë afate mjaftueshëm. Janë edhe njoftimet ma herët. Deri në momentin që nuk kemi pasë mundësi ma me iu dhënë afate, po këta nuk i kanë plotësuar asnjë kusht të paraparë dhe për këtë duhet të shkyçen”, tha ushtruesi i detyrës për kontrolle dhe shkyçje, Gazmend Behluli.

    Nga kompania rajonale e ujësjellësit thonë se ky aksion do të vazhdojë gjatë tërë vitit. /atvlive.tv

  • Pengesat për ndalimin e parkimit të automjeteve në trotuare, shkaktojnë vështirësi në disa rrugë

    Pengesat për ndalimin e parkimit të automjeteve në trotuare, shkaktojnë vështirësi në disa rrugë

    Kthimin në gjysmërreth po e kanë shumë të vështirë.

    Manovrime të tilla problematike, janë kthyer në përditshmëri të vozitësve, qëkur këto pengesa për ndalim të parkimit janë vendosur në trotuare.

    “Normal që është vështirë se është pak ngushtë, edhe e pengon pjesën e veturave. Me thënë të drejtën, duhet të ketë hapësirë më të madhe apo më të zgjeruar”, thotë Fehmi Haxhiu, qytetar.

    “Shumë vështirë edhe Përparim Rama e ka bërë shumë ‘llugë’ më këtë punë, duhet të largohen dhe të rriten shiritat pakëz më shumë”, thotë Hamdi Rafuna, qytetar.

    Drejtori për Shërbime Publike në komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, thotë se pengesat janë vendosur në mënyrë që t’u lehtësohet lëvizja këmbësorëve.

    “Pjesa e ecjes apo qasjes, lëvizja e lirë për këmbësorët kanë qenë problematike. Këto kanë qenë pra dy pjesë të mobilitetit të cilat janë trajtuar me prioritet”, tha Musliu.

    Mirëpo, sipas tij, do të trajtohen edhe problemet me të cilat përballen qytetarët që lëvizin me mjete motorike.

    “Ndërsa tani jemi në fazën finale ku parasheh riorganizimin e kyçjeve, hyrje-daljeve e gjysmërrathëve në rrugën “Agim Ramadani”, ku ka të bëjë me vetura pra me pjesën motorike dhe me këtë rast mendojmë ta përmbyllim këtë projekt”, tha Musliu.

    Ndërkaq, tenderi për vendosjen e këtyre pengesave i kushtoi komunës së Prishtinës 400 mijë euro. /atvlive.tv