ATV

Category: Lajme

  • Arrestohet 23-vjeçari, dyshohet për dy raste të vjedhjeve

    Arrestohet 23-vjeçari, dyshohet për dy raste të vjedhjeve

    Policia njoftoi se mbrëmë është arrestuar një person i dyshuar për dy raste vjedhjeve.

    Rastet kanë ndodhë në fillim të muajit mars 2023, në dy markete të ndryshme.

    “Puna e hetuesve policor është finalizuar mbrëmë, ku pas marrjes së disa veprimeve operative kanë arrit që të identifikojnë dhe arrestojnë personin e dyshuar:
    – A,R, mashkull, 23 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”, njoftoi Policia.

    Tutje, bëhet e ditur se personi i dyshuar me vendim prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje, dhe ndaj tij është iniciuar procedurë për së paku 2 raste të vjedhjeve.

  • Shtetasja amerikane sulmohet nga një femër në Prishtinë, e dyshuara dërgohet në Spitalin e Psikiatrisë për trajtim

    Shtetasja amerikane sulmohet nga një femër në Prishtinë, e dyshuara dërgohet në Spitalin e Psikiatrisë për trajtim

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një grua, shtetase amerikane ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga e dyshuar femër kosovare.

    Rasti ka ndodhur të mërkurën, në ora 17:00 në rrugën “Tringë Smajli”, në Prishtinë .

    Në raportin policor bëhet e ditur se e dyshuara është shoqëruar në stacionin policor dhe e njëjta ishte me të meta mentale.

    Viktimë është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa e dyshuara është dërguar në Spitalin e Psikiatrisë për trajtim.

    Pas intervistimit me vendim të prokurorit rasti në procedurë të rregullt.

  • Parashikimi i motit me Erza Hotin

    Parashikimi i motit me Erza Hotin

    Dita e sotme do të jetë kryesisht me diell.

    Temperatura minimale do të jetë në Pejë me 2 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Prishtinë me 13 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në vendin tonë do të mbajë me diell.

    Temperatura minimale do të jetë në Gjakovë me 6 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale me 17 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit me Erza Hotin në ALARM të ATV-së, mund ta gjeni në videon e më poshtme:

  • PE: Rusia shfrytëzon Serbinë për ndërhyrje në Ballkanin Perëndimor

    PE: Rusia shfrytëzon Serbinë për ndërhyrje në Ballkanin Perëndimor

    Komiteti i Posaçëm për Ndërhyrjet e Huaja i Parlamentit Evropian, tha të mërkurën se Rusia shfrytëzon ndikimin e saj në Serbi në përpjekje për të ndërhyrë në shtetet fqinje dhe të ndikojë negativisht në orientimin euroatlantik të rajonit.

    Kjo ndërhyrjes sipas raportit ushtrohet “në Bosnje nëpërmjet Republikës Serbe, në Mal të Zi duke shfrytëzuar ndjenjat pro serbe si dhe Kishën Ortodokse serbe dhe në Kosovë duke shfrytëzuar dhe nxitur mosmarrëveshjet ekzistuese në veriun e Kosovës”.

    Rusia, thuhet më tej, ka ende ndikim të dukshëm në Ballkanin Perëndimor, me fuqinë për të ndërhyrë në përpjekjet rajonale për pajtim, integrim dhe reforma drejt demokratizimit.

    Në raportin që u mbështet nga 27 përfaqësues në Komisionin për Ndërhyrjet e Huaja, ndërsa pati një votë kundër dhe një abstenim, thuhet mes tjerash se përpjekjet ruse për të ushtruar ndikim mbi Ballkanin Perëndimor, duhet parë si pjesë e një strategjie më të gjerë për të promovuar autoritarizmin në Evropë.

    Në raport thuhet se mesazhi pro-rus përhapet përmes mediave në pronësi serbe dhe hungareze në Ballkanin Perëndimor, ndërsa shprehet shqetësimi me “gjetjet e fundit se Serbia është vendi më i cenueshëm ndaj ndikimit të huaj negativ në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht nga Rusia dhe Kina, dhe se Serbia ende nuk ka zbatuar sanksionet kundër Rusisë dhe nuk është harmonizuar me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian”.

    Në kundërshtim të qartë me sanksionet perëndimore, Serbia, një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është bërë një strehë e sigurt për disa kompani ruse që kërkojnë të shmangin sanksionet e vendosura nga BE-ja, thuhet në raport në cilin theksohet se që nga korriku i vitit 2022 zyrat e RT (ish Russia Today) janë hapur në Beograd dhe ka nisur shërbimin e lajmeve në internet edhe në serbisht.

    Komiteti “dënon veçanërisht ashpër hapjen e një zyre të RT-së në Beograd dhe hapjen e shërbimit të saj të lajmeve në internet në serbisht, duke lejuar kështu këtë aktor malinj të përhapë dezinformatat e tij në të gjithë rajonin”, ndërsa kërkon, që “autoritetet serbe që të harmonizohen me vendimin e Këshillit Evropian për pezullimin e veprimtarive të transmetimit” të mediave ruse Sputnik dhe RT.

    Raporti vë re se Ballkani Perëndimor është një zonë e konkurrencës strategjike dhe gjeopolitike dhe disa nga vendet e tij janë të prira drejt destabilizimit, duke kërcënuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë e kontinentit. Vendet e treta thuhet më tej “po i shfrytëzojnë këto dobësi, duke përfshirë investimet strategjike dhe fushatat dezinformuese, duke pasur parasysh se siguria dhe qëndrueshmëria demokratike e vendeve që synojnë anëtarësimin në BE janë të lidhura ngushtë me sigurinë, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë demokratike të vetë Bashkimit Evropian”.

    Serbia është vendi i vetëm evropian që nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë. Ndonëse synon integrimin në BE, ajo ruan lidhje të ngushta me Rusinë, në radhë të parë për shkak mbështetjes së Kremlinit për refuzimin e Beogradit që të njohë pavarësinë e Kosovës.

  • Zyrtari i KiE-së: Anëtarësimi i Kosovës mund të zgjasë deri në dy vjet

    Zyrtari i KiE-së: Anëtarësimi i Kosovës mund të zgjasë deri në dy vjet

    Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës “përcolli për opinion” të hënën kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit, e cila përbëhet nga 46 shtete anëtare.

    Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, theksoi sot për agjencinë portugeze të lajmeve “Lusa” se pas vendimit të së hënës “duhet të ketë një opinion të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, në një proces që “mund të marrë deri në dy vjet”.

    I pyetur për vullnetin e Këshillit të Evropës për të shtuar një anëtar të ri, Berge theksoi se organizata është “në parim, e hapur për të gjitha vendet evropiane”.

    “Sigurisht që sot na mungojnë dy vende, Rusia dhe Bjellorusia, të cilat, për arsye që dihen, nuk janë anëtare”, shtoi ai.

    Tani i takon Asamblesë Parlamentare të nxjerrë opinionin e saj në një datë të pacaktuar, me mbledhjen e ardhshme të byrosë së asamblesë të planifikuar për të premten, raportoi AFP të hënën, duke cituar burime të Këshillit të Evropës.

    Ndërkaq, Gilberto Jeronimo, ambasador i Portugalisë në misionin e përhershëm në Këshillin e Evropës, konsideron se zhvillimi i këtij procesi është i natyrshëm, ndonëse e pranon se do të dëshironte që hyrja e Kosovës “të ishte element i unitetit më të madh”, përballë sfidës së Serbisë ndaj procesit.

    “Ne jemi të sigurt se në të ardhmen, në afat të mesëm dhe afatgjatë, sigurisht që do të jetë kështu”, tha ai, raporton mediumi portugez “noticiasaominuto”.

    Jeronimo, i cili po fliste në Strasburg para gazetarëve portugezë, kujtoi se Portugalia është një shtet që njeh Kosovën që mbron anëtarësimin në një organizatë “që synon të bashkojë të gjitha vendet që i përkasin Evropës”.

    Ndër arsyet e mbështetjes portugeze, Gilberto Jeronimo theksoi se nëse procesi i anëtarësimit është i suksesshëm, do t’i jepet “mundësia që edhe qytetarët e Kosovës të përfitojnë nga ato garanci që mund t’u japë vetë Këshilli i Evropës, përkatësisht akses në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”.

  • Osmani vazhdon me agjendën e vizitave në Maqedoni të Veriut

    Osmani vazhdon me agjendën e vizitave në Maqedoni të Veriut

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, edhe sot po qëndron në Maqedoni të Veriut.

    Sipas agjendës, nga ora 10:20 ajo do të mbajë fjalë rasti para stafit akademik dhe studentëve në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

    Presidentja Osmani sot pritet që ta vizitojë edhe Tetovën.

  • Kosova dhe Maqedonia e Veriut bashkohen kundër ndikimit rus në rajon

    Kosova dhe Maqedonia e Veriut bashkohen kundër ndikimit rus në rajon

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut është pritur në takim nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, si dhe zhvillimet e fundit.

    Presidentja Osmani ka falënderuar kryeministrin Kovaçevski për mbështetjen e Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

    Në këtë kontekst ka përmendur votimin pro të këtij shteti në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës dhe ka kërkuar vazhdimin e kësaj mbështetje edhe në përpjekjet në vijim të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

    Presidentja Osmani foli për potencialin e madh për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ajo po ashtu foli edhe për bashkëpunimin e mirë në fushën e sigurisë, duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe sfidave të tjera të sigurisë.

    “Në raport me zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe rajon, është diskutuar për rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit për të kundërshtuar ndikimin e Rusisë në rajon, i cili përbën një kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë rajonale. Ndërsa, në lidhje me Marrëveshjen e Brukselit, Presidentja Osmani vlerësoi se me këtë marrëveshje Kosova dhe Serbia janë palë të barabarta në kontekstin e raporteve ndërshtetërore, teksa në raport me njëra tjetrën ta njohin parimin e barazisë, sovranitetit shtetëror e integritetit territorial”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës në Prishtinë.

    Presidentja Osmani ka bërë të ditur se në këtë proces, Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive dhe se në koordinim me partnerët ndërkombëtarë është e përkushtuar për paqe e stabilitet.

    Po ashtu në komunikatë thuhet se në këtë takim, ndër të tjera u shtrua nevoja e intensfikimit të mobilitetit të qytetarëve, me finalizimin e pikave të përbashkëta kufitare, sikurse edhe lehtësimi i të bërit biznes. U diskutua edhe ideja e organizimit të një forumi të përbashkët të biznesit, sikurse edhe finalizimi i pjesës së mbetur të autostradës Bllacë-Shkup.

    Në kuadër kësaj vizite, Osmani në Shkup është takuar edhe me homologun e saj, Stevo Pendarovski dhe mbajti një fjalim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

  • Për zgjedhjet në Kosovë, Serbia fajëson Perëndimin

    Për zgjedhjet në Kosovë, Serbia fajëson Perëndimin

    Gënjeshtra e mashtrime – presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, fajësoi vendet perëndimore për zgjedhjet lokale në veri të Kosovës.

    Në kritika iu bashkuan edhe kryeministrja Ana Bërnabiq dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

    Ata akuzuan Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se, pavarësisht kundërshtimeve të komunitetit serb, i mbështetën zgjedhjet, sipas tyre, antidemokratike dhe jolegjitime.

    Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale u mbajtën më 23 prill në katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

    Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, nuk mori pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje serbëve që ta bojkotojnë procesin.

    Arsyetimi ishte se nuk janë plotësuar kushtet e saj për kthimin në institucionet e Kosovës, nga të cilat u tërhoq në vjeshtën e vitit 2022: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqja e njësive speciale të Kosovës nga komunat në veri.

    Si rezultat i këtij bojkoti, pjesëmarrja në zgjedhje ishte nën 4%.

    Perëndimi tha se zgjedhjet u mbajtën në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës dhe shprehu keqardhje që në to nuk morën pjesë të gjitha partitë dhe komunitetet.

    Ndaj mesazheve të dërguara nga Beogradi, komuniteti ndërkombëtar kryesisht heshti.

    Nga BE-ja thanë për REL-in se ata “nuk i komentojnë të gjitha vërejtjet e bëra nga zyrtarë të ndryshëm të vendeve të treta”.

    “Të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, diskutohen në platformën e duhur, që është dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me ndërmjetësimin e BE-së”, thuhet në deklaratë.

    Ambasada e SHBA-së në Beograd nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për t’i komentuar kritikat e zyrtarëve serbë.

    OSBE: Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës edhe një anëtar i Listës Serbe
    Bërnabiq dhe Petkoviq kritikuan Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për “lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve në kontejnerët e siguruar nga Policia e Kosovës”.

    Në një deklaratë dhënë REL-it, OSBE-ja tha se “nuk i ka vëzhguar zgjedhjet në Kosovë dhe nuk ka asnjë rol në lehtësimin e zgjedhjeve në Kosovë që nga viti 2020”.

    “Që nga nëntori i vitit 2020, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvillon zgjedhje pa mbështetjen operative të Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe ka treguar se ka aftësi teknike për ta bërë këtë”, tha OSBE-ja.

    Edhe pse bëri thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve, sipas informacioneve të OSBE-së, Lista Serbe mori pjesë në organizimin e tyre.

    “Vendimet e KQZ-së lidhur me këto zgjedhje janë marrë me pjesëmarrjen e të gjithë përfaqësuesve të partive politike, përfshirë edhe anëtarin e propozuar nga Lista Serbe”, tha organizata.

    Ajo, po ashtu, kujtoi se shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, iu drejtua disa herë ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, si dhe drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

    “Në ato takime, as në asnjë më herët, Misionit nuk iu kërkua të merrte ndonjë rol në këto zgjedhje… Daçiq dhe Petkoviq shprehën mbështetje për aktivitetet e Misionit në ofrimin e ndihmës për komunitetin serb të Kosovës”, tha OSBE-ja për REL-in.

    Pse BE-ja dhe SHBA-ja nuk iu përgjigjën kritikave?
    Politologu nga organizata joqeveritare “Rruga e re e tretë” në Beograd, Dimitrije Milliq, thotë për REL-in se zyrtarët perëndimorë “dinë sesi ta bëjnë dallimin midis asaj që është retorikë për elektoratin vendas dhe lëvizjeve konkrete që ndodhin në realitet”.

    “Unë besoj se ato mesazhe që u dëgjuan nga Beogradi, kanë për qëllim – në radhë të parë – elektoratin vendas, i cili, sipas sondazheve, është gjithnjë e më shumë anti-perëndimor dhe i cili – nëse i shikoni rezultatet e hulumtimeve – i konsideron vendet perëndimore si hipokrite”, thotë Milliq.

    Nën patronazhin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje gojore për normalizimin e marrëdhënieve në muajin mars në Ohër.

    Negociatat, të cilat duhet të rezultojnë me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për të dyja palët, vazhdojnë që nga viti 2011.

    Milliq beson se prioritet për vendet perëndimore është normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe se “disa hapa konkretë janë më të vlerësuar se disa mesazhe politike drejtuar elektoratit”.

    “Në njërën anë, Serbia e zbaton politikën e saj të jashtme përmes asaj që është reale, e që është një lloj normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, që po vazhdon gradualisht, ndërsa, në anën tjetër, retorika disi i kanalizon ata hapa përmes formave që janë më afër qytetarëve të rëndomtë”, thotë Milliq.

    Ai konsideron se vendet perëndimore janë “të vetëdijshme se për të arritur përparim në marrëdhëniet me Kosovën, në Serbi duhet të ketë një qeveri që ka kapital të mjaftueshëm politik për ta shpenzuar në çështje jo shumë popullore”.

    Çfarë ndjenjash kanë votuesit e Vuçiqit ndaj Perëndimit?
    Milliq thotë se zgjidhja e mosmarrëveshjeve me Kosovën, me ndërmjetësimin e fuqive perëndimore, është e papëlqyeshme te shumica e publikut serb.

    “Në thelb, retorika, duke përfshirë atë të presidentit, është kryesisht e lidhur me ndjenjat e elektoratit”, thotë ai.

    Milliq thotë, po ashtu, se fraza dominuese në opinionin publik të shumicës në Serbi, është se Perëndimi është “hipokrit”.

    “Përkufizimi i Perëndimit si hipokrit – edhe pa shembuj konkretë – është diçka që ka peshë tek elektorati vendas si diçka e vërtetë”, thotë Milliq.

    Deri ku arritën negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
    Rundi i ardhshëm i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të mbahet më 2 maj në Bruksel.

    Temë e atij takimi, siç u paralajmërua, do të jetë formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Një nga pikat e marrëveshjes së arritur në Ohër është obligimi i Kosovës që të fillojë të sigurojë nivelin e duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme nga dialogu.

    Edhe pse nuk përmendet në mënyrë eksplicite, kjo pjesë i referohet Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin u ra dakord dhjetë vjet më herët.

    Beogradi këmbëngul në një Asociacion me kompetenca të gjera; Prishtina beson se një i tillë do të ishte i dëmshëm për funksionalitetin e shtetit.

    Zyrtarët serbë e vendosën themelimin e Asociacionit si parakusht për përparimin e mëtutjeshëm të dialogut me Kosovën.

    Marrëveshja e Ohrit nuk parashikon njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, por garanton të drejta të barabarta për të dyja vendet, respektim të integritetit territorial dhe paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

    Marrëveshja e obligon, po ashtu, Serbinë që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

    Në dokument nuk përmendet mundësia e njohjes reciproke apo e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara – për të cilat gjëra politikanët kosovarë këmbëngulin publikisht./REL

  • Gërvalla flet nga New Yorku, një ditë para seancës për Kosovën në OKB

    Gërvalla flet nga New Yorku, një ditë para seancës për Kosovën në OKB

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla-Schwarz, është takuar me përfaqësuesen e Emirateve të Bashkuara në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Lana Zaki Nusseibeh.

    Sipas njoftimit nga ministria e Jashtme, Gërvalla ka folur me Lana Zaki Nusseibeh për raportet ndërmjet Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, transmeton Paparaci.

    Paraqitja e shefes së diplomacisë kosovare vjen pasi të enjten do të mbahet seanca e Këshillit të Sigurimit për Kosovën. Rusia thuhet se është përpjekur për ta penguar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë seancë.

    ”E informoi atë për përditësime të rëndësishme, shkëmbyen vërejtje të shkëlqyera për progresin e Kosovës, diskutuan për forcimin e lidhjeve Kosovë-Emirate të Bashkuara, edhe më shumë dhe e falënderuan për mbështetjen e vendosur”, thuhet në njoftimin e MPJD-s.

  • Biden: Një sulm bërthamor nga Koreja e Veriut do të ishte vetëvrasje e atij regjimi

    Biden: Një sulm bërthamor nga Koreja e Veriut do të ishte vetëvrasje e atij regjimi

    Një sulm bërthamor nga Koreja e Veriut do të ishte vetëvrasje e atij regjimi, tha presidenti amerikan Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë së bashku me presidentin e Koresë së Jugut, të cilit i premtoi mbështetje të fortë dhe një përgjigje ndaj çdo sulmi bërthamor nga Pyongyang.

    Shtetet e Bashkuara do t’i përgjigjen çdo sulmi bërthamor nga Koreja e Veriut, tha presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol në konferencën për shtyp në Shtëpinë e Bardhë me nikoqirin e tij, transmeton Telegraph.

    Biden dhe Yoon përdorën vizitën e parë zyrtare të udhëheqësit të Koresë së Jugut në Shtëpinë e Bardhë në më shumë se një dekadë, për t’i dërguar një paralajmërim Pyongyang.

    “Dy vendet tona kanë rënë dakord për konsultime të menjëhershme presidenciale dypalëshe në rast të një sulmi bërthamor të Koresë së Veriut, dhe janë zotuar të përgjigjen me shpejtësi, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe me vendosmëri duke përdorur armët e aleancës, përfshirë armët bërthamore të SHBA”, tha Yoon.

    Biden përsëriti ofertën amerikane për Korenë e Veriut për të zhvilluar bisedime diplomatike mbi programin bërthamor, një ofertë që lideri i Koresë së Veriut Kim Jong-un po e injoron.

    Zhvillimi i përshpejtuar i armëve të Koresë së Veriut – i cili përfshin raketa balistike të afta për të arritur qytetet amerikane – ngre pyetje nëse SHBA do të përdorte vërtet armë bërthamore në mbrojtje të Koresë së Jugut për qëllime “parandaluese”.

    Sondazhet në Korenë e Jugut zbulojnë dëshirën e shumicës së banorëve që Seuli të ketë bombën bërthamore, por Uashingtoni e kundërshton këtë.

    Temat e samitit ishin siguria kibernetike, automjetet elektrike, bateritë, teknologjia kuantike, ndihma e huaj dhe investimet ekonomike.

    Sipas “deklaratës së re të Uashingtonit”, SHBA-të do t’i japin Koresë së Jugut një pasqyrë më të detajuar në planifikimin e një programi për të penguar dhe për t’iu përgjigjur çdo incidenti bërthamor përmes një grupi të quajtur Grupi Këshillues Bërthamor SHBA-ROK, thanë zyrtarët amerikanë.