ATV

Category: Lajme

  • Bolton: Kina është një kërcënim global

    Bolton: Kina është një kërcënim global

    Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare, John Bolton, tha të shtunën në kryeqytetin e Tajvanit, Taipei, se Kina paraqet një kërcënim global.

    Bolton ndodhet në Tajvan me ftesë të grupeve pro pavarësisë së Tajvanit, duke përfshirë Aleancën e Kombit të Tajvanit dhe Shoqatën Formosan për Çështjet Publike.

    “Ne nuk kemi nevojë të hamendësojmë për këtë kërcënim. Pekini pothuajse çdo ditë lëshon kërcënime për Tajvanin, duke bërë përpjekje të vazhdueshme dhe të pandërprera për t’i hequr legjitimitetin Tajvanit përmes ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike dypalëshe”, tha ai.

    “Kërcënimi kinez është global, mendoj se është e rëndësishme ta përsërisim këtë”, tha ish-këshilltari i sigurisë kombëtare.

    Ai foli gjithashtu për “operacionin e shtypjes që Pekini ka ndërmarrë në Hong Kong, duke shkelur marrëveshjen për kontrollin e ishullit, të arritur me Britaninë e Madhe mbi 30 vjet më parë”.

    Ai dha shembuj të tjerë si nisma Një Brez Një Rrugë që shtrihet deri në Amerikën Latine dhe Afrikë.”

    “Ne duhet t’i tregojmë Kinës dhe Rusisë se cilat janë pasojat nëse ato ndërmarrin veprime kundër Tajvanit”, tha Bolton.

    Bolton pritet të takohet me presidenten e Tajvanit, Tsai Ing-wen të hënën.

  • Analistët: Takimi i 2 majit mes Kurtit dhe Vuçiqit – i vështirë

    Analistët: Takimi i 2 majit mes Kurtit dhe Vuçiqit – i vështirë

    Pas Ohrit, Brukseli do ta mbledhë në takim, më 2 maj, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve.

    Për këtë takim, Bashkimi Evropian ka publikuar agjendën, sipas së cilës, palët pritet ta miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi dhe diskutimi mbi draft-statutin e parë të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë.

    Këtë takim e shohin të vështirë njohësit e çështjeve politike, sipas të cilëve, tanimë Kosova e Serbia po hyjnë në fazën e fundit të dialogut disavjeçar.

    “Ajo që është e qartë muajt në vijim do të jenë muajt vendimtar për përfundimin e shtetndërtimit ndërkombëtar të Kosovës, i cili pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 po përfundon tash me vendosjen e autonomisë asimetrike me elemente të autonomisë territoriale për komunitetin serb të Kosovës”, ka thënë Mustafa për RTK-në.

    Ndërkohë, Artan Muhaxhiri thotë se zhvillimet e fundit në vend do të kenë ndikim në takimin e 2 majit.

    “Takimi i 2 majit do të jetë shumë i vështirë, shumë i rëndë sepse pozicionet janë diametrisht të kundërta dhe ndërkohë kanë ndodh shumë ngjarje të rëndësishme që me siguri do të kenë ndikimin e vet edhe në atmosferën e atij takimi, por ajo që është më me rëndësi, me siguri do të kemi hapa konstruktiv përpara sepse nuk mendoj që as bashkësia ndërkombëtare po as Kosova e Serbia nuk do të lejojnë të humbet aq lehtë progresi i arritur në Ohër”, ka thënë Muhaxhiri.

    Më 18 shkurt, Kurti e Vuçiq u takuan në Ohër me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku nënshkruan aneksin e zbatimit të marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

  • Akademiku serb: Vuçiqi e di fort mirë që Kosova është e humbur

    Akademiku serb: Vuçiqi e di fort mirë që Kosova është e humbur

    Dushan Teodoroviq, profesor universitar dhe akademik serb, ka thënë se Kosova është e humbur dhe se për këtë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është i vetëdijshëm.

    Në një intervistë për gazetën serbe “Danas”, ai thotë se Vuçiqi megjithatë nuk e pranon këtë fakt sepse i duhet për vota.

    “Ai sigurisht që nuk guxon për shkak të rejtingut të tij politik, sikurse edhe një numër i madh i politikanëve opozitarë, të dalë para popullit dhe të thotë – e humbëm Kosovën në luftën e vitit 1999 dhe çfarë të bëjmë tani? Vuçiqi e kupton mirë që Kosova ka kohë që ka humbur, por për hir të poenëve politike vazhdon të luajë rolin e ‘As-it të serbëve’, duke kryer në të njëjtën kohë fshehurazi dhe gjysmëfshehurazi pjesërisht atë që dakordohet me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare”.

    “Politika e Vuçiqit për Kosovën është një politikë e humbjes së kohës, mortifikimit dhe gënjeshtrës për të qëndruar sa më gjatë në pushtet”, tha akademiku serb.

    Sipas tij, Serbia në vitin 1912 e përfshiu Kosovën si pjesë të saj, ndërsa në vitin 1999 e humbi vendin ushtarakisht.

    Ndërkaq, “që nga nënshkrimi i Marrëveshjes në Kumanovë, popullata është gënjyer sistematikisht dhe janë përhapur histori për dofarë marrëdhëniesh të ndryshme ndërmjet fuqive të mëdha në të ardhmen, që do të çojë në faktin se Kosova do të jetë edhe një herë pjesë e Serbisë. Vuçiqi do të kujdesej siç duhet për serbët e Kosovës nëse do t’u thoshte të vërtetën! Dhe e vërteta është pikërisht aty përballë nesh, thjesht kemi frikë ta shprehim. E vërteta është se sot, në vitin 2023, Kosova është një vend i njohur nga numri më i madh i anëtarëve të BE-së, Amerika, Kanadaja, Japonia, Australia dhe detyra jonë është që, në marrëveshje me komunitetin ndërkombëtar, të negociojmë kushtet më të mira të mundshme për mbijetesën e serbëve në Kosovë”, potencoi ai.

    Duke komentuar mundësinë e zgjidhjes së çështjes me Kosovën, akademiku serb tha se Vuçiqi ka gënjyer vazhdimisht si qytetarët në Serbi, ashtu edhe serbët në Kosovë.

    “Një varg i tërë veprimesh dhe deklaratash të tij gjatë dhjetë viteve tregojnë se ai gjithmonë përpiqej të tregohej si evropian jashtë Serbisë, ndërkohë që në të njëjtën kohë kishte një serbizëm të madh në Serbi dhe Republika Sërpska”, tha Teodoroviq.

    Ai thotë se Vuçiqi gjatë gjithë kohës sa është në krye të shtetit të Serbisë, nuk mbahet mend për ndonjë gjë pozitive. Sipas tij, ai nuk arriti as të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

    “Është e qartë se nga ana e tij nuk ka vullnet politik që problemet në marrëdhëniet Beograd-Prishtinë të zgjidhen në mënyrën e duhur. Prishtina gjatë sundimit të tij autokratik mori prokurorinë, gjykatat, policinë, pasaportat, postën, telekomunikacionin, doganat, industrinë e energjisë elektrike dhe regjistrimin e automjeteve, por ai ende arrin të paraqitet para një pjese të madhe të votuesve të tij pamjaftueshëm të arsimuar, pamjaftueshëm të informuar dhe të trajnuar në mënyrë nacionaliste si njëfarë mbrojtësi i Kosovës me dofarë vijash të kuqe”, u shpreh akademiku serb.

    Dushan Teodoroviq, profesor universitar dhe akademik serb, tha se BE-ja aktualisht po sillet butësisht me Vuçiqin. Por shton se mund të vijë koha kur gjërat do të ndryshojnë, sikurse në rastin e Sllobodan Millosheviqit.

    “BE-ja sillet më shumë se në mënyrë të favorshme ndaj Vuçiqit. Shpjegimi i vetëm që mund të gjej në interesin e BE-së është për ta zgjidhur sa më shpejt problemin e Kosovës, në atë mënyrë që i përshtatet. Nuk e përjashtoj mundësinë që në një moment bashkësia ndërkombëtare të bëhet më pak tolerante dhe të fillojë të sillet ndryshe ndaj Vuçiqit. Sanksionet kundër Vuçiqit dhe rrethit të tij dhe aktakuzat e mundshme janë një alternativë e mundshme që ende nuk është provuar. Të mos harrojmë se si ka kaluar Millosheviqi në lojëra të ngjashme me komunitetin ndërkombëtar. Rrugëtimi i Millosheviqit nga ‘paqebërësi në Ballkan’ në ‘kasapi ballkanik’ nuk ishte i gjatë”, potencoi Dushan Teodoroviq, profesor universitar dhe akademik serb.

  • Qeveria për urën mbi Ibër: Heqja e pengesave të lëvizjes, vendim i drejtë

    Qeveria për urën mbi Ibër: Heqja e pengesave të lëvizjes, vendim i drejtë

    Qeveria e Kosovës e ka quajtur vendim të drejtë nismën e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut për hapjen e plotë për qarkullim të urës mbi lumin Ibër.

    Pas luftës së fundit në Kosovë, ura mbi lumin Ibër e ndau Mitrovicën në dy pjesë, në atë jugore me shumicë shqiptare, dhe në pjesë veriore, të banuar me shumicë serbe.

    Sot, ato janë dy komuna të veçanta.

    “… Vendimi për heqjen e pengesave të tilla është veprim i drejtë dhe i duhur. Kosova është e gjithë qytetarëve të saj dhe ata gëzojnë të drejtën të lëvizin lirshëm në gjithë territorin e saj”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.

    Asamblistët e Komunës së Mitrovicës së Veriut miratuan kërkesën për hapjen e urës më 28 prill.

    Gjashtëmbëdhjetë asamblistët e kësaj komune u zëvendësuan dhjetorin e vitit të kaluar, pasi asamblistët paraprakë dhanë dorëheqje, si pjesë e largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në veri, në shenjë proteste me vendimin e Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato të Kosovës.

    Deri më tani nuk është bërë e ditur se si dhe kur mund të zbatohet ky vendim.

    Reagimet nga pala serbe dhe Bashkimi Evropian

    Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës theksoi se ky vendim “shkel marrëveshjet e Brukselit dhe kërcënon drejtpërdrejt paqen”.

    “Duam të paralajmërojmë se hapja eventuale e urës padyshim që do të rezultojë me incidente në këtë zonë, gjë që duket se është edhe qëllimi i Prishtinës. Ura, ku kanë ndodhur më shumë se 1.000 sulme me motive etnike nga jugu në veri, është simbol i vuajtjes së popullit serb dhe synimi i Prishtinës është që dëbojë serbët e mbetur nga i vetmi mjedis urban ku ata kanë mbijetuar në një numër më të madh”, thuhet në reagimin e kësaj partie që ka mbështetjen e Beogradit.

    Lista Serbe kërkoi nga KFOR-i (misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë), EULEX-i (misioni i BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë) dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare që “me urgjencë të pengojnë zbatimin e këtij vendimi”.

    Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, reagoi duke thënë se se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron “të largojë serbët” nga Kosova, duke shtuar se udhëheqësi kosovar “dëshiron konflikte me çdo kusht”.

    Vuçiq nuk dha asnjë provë për këto pretendime.

    Në anën tjetër, Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi theksoi se tani “nuk është momenti i duhur” për hapjen e urës mbi Ibër.

    “Përderisa ne po flasim, në Mitrovicë ka një kërkesë për hapjen e urës dhe është e qartë se nuk është atmosfera për këtë”, tha ai duke kërkuar që palët të respektojnë marrëveshjen e Ohrit dhe “vijat e kuqe”.

    Ura mbi lumin Ibër apo “rivitalizimi i urës” ka qenë temë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Palët kishin rënë dakord që ura të ishte e hapur për qarkullim. Por, në praktikë kjo nuk ndodhi kurrë dhe vetëm njëra anë u hap për këmbësorët.

  • Përkujtohen sot heroi Ilaz Kodra, 42 dëshmorë dhe mbi 280 martirë

    Përkujtohen sot heroi Ilaz Kodra, 42 dëshmorë dhe mbi 280 martirë

    Me rastin e 24 vjetorit të rënies së heroit të kombit Ilaz Kodra, 42 dëshmorëve dhe mbi 280 martirëve, Komuna e Drenasit dhe ajo e Skenderajt, sot do të bëjnë homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve, si dhe do të bëhet zbulimi i pllakave përkujtimore në fshatin Shtuticë dhe Gllobar.

    Më datën 30 Prill të vitit 1999, u vranë 42 dëshmorë në krye me heroin Ilaz Kodra, dhe mbi 280 martirë të fshatrave, Vërboc, Shtuticë, Tërstenik, Dashec, Baks, Gllobar dhe fshatra përreth.

    Ilaz Ismajl Kodra u lind më 3 maj 1966 në lagjen Kodra të Prekazit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme, Gjimnazin, i ka kryer në Skenderaj. Pas kryerjes së shkollës së mesme, regjistrohet në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë. Shërbimin e detyrueshëm ushtarak e ka kryer në Slloveni.

    Ndikimi atdhetar, që kishte ushtruar te rinia përparimtare dhe revolucionare e Prekazit e më gjerë, akti heroik dhe qëndresa e Tahir dhe Nebih Mehës, më 13 maj të vitit 1981, kundër policisë jugosllave, i kishte dhënë impulse idesë së vazhdimit pa kthim të rezistencës së armatosur kundër pushtuesit.

    Edhe Ilazi, ashtu si më parë Adem dhe Hamëz Jashari kishin mendime identike lidhur me nevojën e fillimit të luftës së armatosur, në kohën kur po shihej mirëfilli se Jugosllavia do të shpërbëhej dhe kur tashmë kishte filluar shkatërrimi i saj me ndarjen e Sllovenisë dhe me fillimin e luftës në Kroaci e më vonë edhe në Bosnje e Hercegovinë.

    Ilaz Kodra mbante kontakte ilegaliteti me komandantin Adem Jashari dhe me pjesëtarët e bërthamës së parë çlirimtare të Drenicës. Ata, në vitin 1991 kishin kaluar kufirin edhe ishin futur ilegalisht në Shqipëri, me qëllim për t’u stërvitur dhe për t’ u armatosur.

    Në periudhën para fillimit të luftës së hapur kundër forcave pushtuese serbe, Ilaz Kodra mori pjesë aktive në forcimin e njësiteve luftarake të UÇK-së, në mobilizimin e vullnetarëve. Po ashtu, ai mori pjesë edhe betejën e njohur të Rezallës së Re, betejë kjo që u zhvillua më 26 nëntor të vitit 1997.

    Pas betejës së Adem Jashari dhe të Jasharëve të tjerë në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, bashkëluftëtarët e komandantit vazhdojnë veprimet luftarake duke e zgjeruar UÇK-në po thuajse në çdo fshat të kësaj ane.

    Ilaz Kodra, Fehmi Lladrovci, Abedin Rexha e të tjerë ishin kthyer në Drenicë së bashku me familjet e tyre. Po ashtu, frontet e luftës ishin zgjeruar edhe në Dukagjin, Anadrin, Neredime, në Shalë e në Llap.

    Ilaz Kodra ishte pjesëtar i kreut të luftës në Drenicë. Së bashku me Sami Lushtakun, Hashim Thaçin, Sylejman Selimin, Mujë Krasniqin, Rexhep Selimin, Nuredin Lushtakun, Fehmi Lladrovcin, Xhevë Krasniqin-Lladrovci, Abedin Rexhën, Musë Jasharin, Sahit Jasharin, Shaban Shalën, Fadil Kodrën, Zenun Kodrën, Ilaz Dërgutin, Asllan Fazliun, Besim Malën, Sabit Llardovcin e shumë të tjerë, komandant Ilaz Kodra ka marrë pjesë si në organizimin dhe strukturimin e luftës çlirimtare, ashtu edhe në zhvillimin e saj në terren, në malet e Qyqavicës dhe gjithandej në Drenicën Qendrore.

    Pas rënies së Fehmi Lladrovcit dhe Xheva Krasniqit-Lladrovci më 22 shtator 1998, Ilaz Kodra u caktua komandant i kësaj brigade, e cila mori emrin e komandantit të saj të parë, Fehmi Lladrovci.

    Rrezja e veprimit luftarak e Brigadës 114, “Fehmi Lladrovci” e Zonës Operative të Drenicës shtrihej në një pjesë të Qyqavicës, prej Kronit të Mbretit, në Vasilevë në Drenas, Verboc Shtuticë, Baks, Qirez, Morinë, Dashevc, Prekaz, Polac, Prelloc, Skenderaj e deri në Tërnac.

    Në prill të vitit 1999, forcat okupatore serbe të goditura ashpër nga aeroplanët e NATO-s mllefin dhe zemërimin po e derdhnin kundër popullatës civile duke pushkatuar e masakruar kudo ku ata bënin përpjekje të mbijetonin, në kushte dhe rrethana të një rrethimi të hekurt.

    Me të marrë lajmin se forcat serbe po bënin përpjekje të mësynin popullatën civile në fshatin Verboc e Shtuticë, Ilaz Kodra niset për t i shkuar në ndihmë popullatës.

    Herët në mëngjes fillon sulmi i forcave armike, të cilat kishin rrethuar vendi në formë patkoi. Ilaz Kodra ka luftuar fyt për fyt kundër forcave serbe. Ai ra në altarin e lirisë më 30 prill 1999, në fshatin Shtuticë”.

    Në vitin 2012 është zbuluar busti i heroit dhe është inauguruar kulla-muze e tij.

  • 34 raste aktive me koronavirus në Kosovë

    34 raste aktive me koronavirus në Kosovë

    34 raste aktive me koronavirus janë aktualisht në Kosovë.

    Në njoftimin e fundit, IKSHPK ka bërë të ditur se janë regjistruar 4 raste të reja, derisa janë shëruar 4 persona.

  • Komandanti i Gardës Kombëtare të IOWA-s në FSK premton bashkëpunim

    Komandanti i Gardës Kombëtare të IOWA-s në FSK premton bashkëpunim

    Në kuadër të vizitës që është duke e realizuar në Kosovë, komandanti i Gardës Kombëtare të IOWA-s, Gjeneral Stephen Osborn ka vizituar Gardën Kombëtare (GK) të FSK-së, për t`u njoftuar me kapacitetet ekzistuese që Garda ka në strukturën e saj.

    Sipas njofitmit, gjenerali Osborn është pritur nga zëvendëskomandanti i GK-së, Kolonel Skënder Hoxha së bashku me stafin dhe e kanë njoftuar me misionin, detyrat dhe operacionet e njësive të Gardës Kombëtare.

    “Gjatë vizitës Gjeneral Osborn ka ndjekur prezantimin e pajisjeve nga njësitë e deminimit, mbrojtjes kimike atomike biologjike dhe ato të kërkim-shpëtimit duke u informuar mbi detyrat, operacionet dhe sukseset e njësive në fjalë. Gjeneral Osborn ka vizituar po ashtu edhe Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim Shpëtim ku është ndarë po ashtu i kënaqur me sukseset e arritura nga këto njësi Gjeneral Osborn ka shprehur kënaqësinë e tij me sukseset e FSK-së, duke premtuar bashkëpunim të mëtutjeshëm drejt rritjes së kapaciteteve të FSK-së në fushën e reagimit në emergjenca”, thuhet në njoftim.

  • ​Kosova e Turqia afër marrëveshjes në fushën ushtarake të trajnimeve dhe teknikës

    Ministri i Mbrojtjës, Armend Mehaj gjatë vizitës në Republikën e Turqisë, sot ka takuar ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Hulusi Akar.

    Mehaj ka shkruar në Facebook se gjatë këtij takimi kanë diskutuar për bashkëpunimin e shkëlqyer në mes dy vendeve, bashkëpunim ky që do të thellohet edhe më tej.

    “Jemi duke punuar në nënshkrimin e marrëveshjes SOFA, marrëveshjes për shkëmbim të personelit dhe marrëveshjen në fushën ushtarake të trajnimeve, teknikës dhe shkencës. Ministri Akar shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për ndihmën që Republika e Kosovës i ka ofruar Republikës së Turqisë me rastin e tërmetit. Reagimi ka qenë në një kohë shumë të shkurtër dhe trupat e FSK-së kanë dhënë maksimumin e tyre për të shpëtuar të mbijetuarit. Turqia mbetet partner i yni në zhvillimin dhe forcimin e ushtrisë tonë. Gjithashtu, kemi zhvilluar takim të përbashkët me Ministrin e Industrive Strategjike të Ukrainës, Oleksandr Kamyshin, Ajzerbejxhanit, Zekir Hasanov si dhe Ministrin e Mbrojtjes të Burkina Faso, Aimé Berthelemy Simporé”, ka shkruar ai.

  • Kurti takohet me ish-kryeministrin grek, flitet për bashkëpunim bilateral

    Kurti takohet me ish-kryeministrin grek, flitet për bashkëpunim bilateral

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot gjithashtu takoi ish-kryeministrin grek, njëherësh presidentin e nderit të Internacionales Socialiste dhe aktualisht kryetarin e Lëvizjes së Socialistëve Demokrat, George Papandreou.

    Me Papandreou, kryeministri Kurti pati një mëngjes pune gjatë të cilit u diskutua rreth bashkëpunimit bilateral në rritje ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, zhvillimeve të fundit në Kosovë, rajon dhe kontinentin e Evropës.

    Kryeministri Kurti po qëndron në Delphi të Greqisë ku po merr pjesë në forumin vjetor ekonomik.

  • ​Qeveria miraton kornizën afatmesme të shpenzimeve, 675.84 milionë euro pranime për 3 muaj

    ​Qeveria miraton kornizën afatmesme të shpenzimeve, 675.84 milionë euro pranime për 3 muaj

    Qeveria e Republikës së Kosovës, ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2024-2026, e cila paraqet dokumentin kryesor mbi bazën e të cilit do të hartohet Buxheti Vjetor për vitin 2024.

    Sipas njoftimit të Qeverisë, qëllimi kryesor i KASH-it, është që të ofrojë analizë të bazuar të mjedisit makroekonomik në vend, për të vendosur kështu bazën për planifikimet buxhetore për vitet që vijnë në përputhje me prioritetet strategjike të Qeverisë.

    Qeveria po ashtu ka miratuar raportin tremujor të Buxhetit për vitin 2023.

    “Gjatë këtij tremujori gjithsejtë pranimet ishin në shumë prej 675.84 milionë euro dhe paraqesin 20 për qind të pranimeve të përgjithshme të planifikuara vjetore, ndërsa krahasuar me realizimin e tremujorit të vitit paraprak është shënuar rritje prej 22 për qind”, thuhet në njoftim.

    Gjithashtu, kabineti qeveritar ka miratuar edhe programin e Borxhit Shtetëror për vitet 2024-2026, për të cilin nuk ka dhënë detaje.

    “Është miratuar edhe ndryshimi dhe plotësimi i vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Nr. 04/73, të datës 30.04.2022, për Themelimin e Komisionit Shtetëror të Pranimit për pozitat e kategorisë së lartë drejtuese, përmes të cilit anëtarja e komisionit, Edi Gusia, drejtoreshe ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, zëvendësohet me Agron Llugaliu, Drejtor i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës. Po ashtu, emërohet anëtari zëvendësues i Komisionit Shtetëror të Pranimit për pozitat e kategorisë së lartë drejtuese znj. Fadile Dyla, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në vend të znj. Anita Alaj Kalanderi për procedurën e rekrutimit: Sekretar/e i/e Përgjithshëm i/e Ministrisë së Drejtësisë. Vendimin për emërimin e Komisionit të Pranimit për institucionet e Administratës Shtetërore për Grupin specialist të sistemeve të TIK, Grupi nr.61. në këtë përbërje:1.1 Fikrete Zeka, Zyrtarë në DMZP/MPB, kryesuese;1.2 Genc Hamzaj, Udhëheqës në ARS/MPB dhe zv. Drejtor i ASHI –së, anëtar;1.3 Albert Hajrizaj, Udhëheqës në ATK/MFPT anëtar;1.4 Besim Lushta, Udhëheqës, Dogana e Kosovës/MFPT, anëtar;1.5 Fisnik Meha, Organizata të specializuara, anëtare. Zëvendësues të anëtarëve të komisionit 1.1 Selami Osmani, Zyrtar i Lartë DMZP/MPB;1.2 Sajmie Thaçi, ASHI/MPB;1.3 Sadat Shehu, MFPT;1.4 Halime Rama, MFPT;1.5 Besart Hyseni, Organizata të specializuara”, thuhet në njofitm.