ATV

Category: Lajme

  • Nënshkruhet marrëveshja teknike në fushën e Mjekësisë Ushtarake në mes të Kosovës dhe Italisë

    Nënshkruhet marrëveshja teknike në fushën e Mjekësisë Ushtarake në mes të Kosovës dhe Italisë

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja teknike në fushën e Mjekësisë Ushtarake në mes të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Italisë.

    Me autorizim të Ministrit Mehaj, zv. komandanti i FSK-së Gjeneral Brigade Enver Cikaqi ka nënshkruar marrëveshjen teknike në fushën e Mjekësisë Ushtarake, në Romë të Italisë.

    “Gjeneral Cikaqi ne cilësinë e udhëheqësit të delegacionit, Kolonel Dr. Xhevdet Tahiraj Komandant i Regjimentit të Mjekësisë në FSK si dhe Edona Abazi Zylfijaj zyrtare për bashkëpunim bilateral si dhe desk oficer për Itali, janë pritur nga Gjenerallejtënant Vito Ferrara, shef në Inspektoratin Gjeneral të Mjekësisë Ushtarake, Admirali C.A Egidio Fracasso shef i departamentit për Politika Mjekësore, Kolonel Luigi Principe shef i degës për Marrëdhënie Ndërkombëtare në fushën e Mjekësisë, Nënkolonel Giuseppe Barone dega e mjekësisë për marrëdhënie ndërkombëtare”, njofton FSK-ja.

    Nënshkrimi i kësaj marrëveshje ka për qellim zgjerimin e bashkëpunimi bilateral mes dy ushtrive në fushën e shërbimeve ushtarake mjekësore dhe se do të jetë çelsi i hapjes së dyerve në dimensione të ndryshme mjekësore ushtarake.
    Delagacioni nga Kosova në këtë ceremoni ka vizituar edhe Institutin e Mjekësisë Ajrore Ushtarake.

    “Në këtë Institut Gjeneral Cikaqi u mirëprit nga Gjeneral Brigade Fabio Morgagni Drejtor i Institutit për Shërbime Mjekësore të Aviacionit. Përveç takimit, stafi i këtij instituti në krye me Gjeneral Morgagnin kishin përgatit një prezantim të përgjithshëm te të gjitha kapaciteteve që ofrojnë përmes vizitave në laboratorët dhe hapësirat e ndryshme brenda objektit të këtij instituti”, njofton tutje FSK-ja.

  • Normat e interesit në kredi pritet të rriten sërish

    Normat e interesit në kredi pritet të rriten sërish

    Norma mesatare e interesit në kredi në bankat komerciale të Kosovës është 6.5 për qind, por ajo mund të rritet dhe, për më tepër, mund të reflektohet edhe në kreditë aktive.

    Kjo, pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkoi më 28 prill nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) që të vazhdojë t’i rrisë normat e interesit deri në mes të vitit 2024, në përpjekje për të kontrolluar inflacionin në vendet e Bashkimit Evropian.

    Sipas ekspertëve të ekonomisë, rritja eventuale nga BQE-ja do të reflektohet domosdo edhe në sistemin bankar të Kosovës, pasi shumica e institucioneve financiare në vend funksionojnë me kapital të huaj dhe kanë kontrata të lidhura me bankat evropiane.

    Kryeshefi ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, thotë për Radion Evropa e Lirë se normat e interesit në kredi do të jenë të parat që do të ndikohen.

    “Mund t’i prekë vetëm kreditë që janë me norma variabile [të ndryshme] të interesit dhe kreditë e reja, ndërsa te kreditë me norma fikse nuk ndryshojnë kushtet”, thotë ai.

    Se sa mund të rriten normat e interesit në kredi, Balija nuk jep ndonjë përgjigje.

    Inflacioni është rritur gjetiu në botë – fillimisht për shkak të çrregullimeve në tregje që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, e pastaj për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

    Për ta kontrolluar inflacionin, Banka Qendrore Evropiane ka rritur në mënyrë agresive normat e interesit, duke i çuar ato nga zero sa kanë qenë në mesin e vitit 2022, në 3.5 për qind në mars të këtij viti.

    Për pasojë, normat e interesit janë rritur edhe në Kosovë. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ato janë rritur nga 5.8 për qind sa kanë qenë në shkurt të vitit të kaluar, në 6.5 për qind në periudhën e njëjtë të këtij viti.

    Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, thotë se rritja eventuale e normave të interesit nga BQE-ja, do t’i rrisë automatikisht normat e interesit të kredive të reja në Kosovë, por, shton ai, ajo mund t’i prekë edhe kreditë aktive.

    Sipas tij, qytetarët apo bizneset që kanë aktualisht kredi, duhet të shikojnë në kontrata nëse ato i kanë me normë fikse apo me normë variabile – që është e ndërlidhur me lëvizjet e Euriborit.

    Euribori është normë mesatare e interesit, në bazë të së cilës bankat evropiane marrin fonde hua nga njëra-tjetra. Kur BQE-ja rrit normën e interesit në kredi, rritet edhe Euribori.

    “Sipas ligjeve në fuqi, jo vetëm në Kosovë, por edhe në shtetet e Bashkimit Evropian, nëse në kontratën e huazimit është paraparë norma mesatare e Euriborit, çdo tre muaj duhet të bëhet rivlerësimi… dhe në këtë rast, edhe kredi-marrësit duhet ta paguajnë kredinë e mbetur me normë më të lartë të interesit [nëse ajo rritet]”, thotë Bektashi.

    Euribori është rritur me shpejtësi muajve të kaluar, duke arritur në 3.8 për qind më 27 prill, nga 0.4% sa ka qenë në muajin mars të vitit të kaluar.

    Në Kosovë operojnë 12 banka komerciale – nëntë prej të cilave janë në pronësi të huaj.

    Radio Evropa e Lirë ka pyetur Bankën Qendrore të Kosovës dhe disa banka komerciale se cilat kategori të kredive do të mund të preken nga rritja eventuale e normës së interesit nga BQE-ja. Asnjë prej tyre, përfshirë Bankën ProCredit, Bankën Raiffeisen, Bankën TEB, Bankën Kombëtare Tregtare, nuk janë përgjigjur.

    Megjithatë, REL-i ka parë një kontratë, në bazë të së cilës kredi-marrësi është pajtuar që pas një periudhe të specifikuar kohore, t’i rinovohet norma e interesit, duke marrë për bazë indeksin e Euriborit.

    Në këtë kontratë thuhet se “për çdo ndryshim të normës së interesit, banka obligohet që ta ftojë kredi-marrësin që ta nënshkruajë planin e ri të pagesës. Nëse pas ftesës kredi-marrësi nuk paraqitet, konsiderohet se klienti është njoftuar me planin e ri të pagesës”.

    Vlera e kredive në 12 bankat komerciale të Kosovës ka arritur në 4.3 miliardë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 15.1 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

    Në bazë të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, bankat komerciale në Kosovë i përcaktojnë individualisht normat e interesit, bazuar në politikat e tyre afariste, dhe BQK-ja nuk mund të ndërhyjë te to.

    Përveç bankave komerciale, në Kosovë funksionojnë edhe 30 institucione mikrofinanciare, të cilat po ashtu ofrojnë kredi për qytetarët. Ndonëse me më pak kritere, normat e tyre të interesit janë më të larta – afro 20%.

  • Tatimi në pronë: Ministria e Financave ka një njoftim të ri për qytetarët

    Tatimi në pronë: Ministria e Financave ka një njoftim të ri për qytetarët

    Ministria e Financave (MF) i ka njoftuar qytetarët se kanë afat edhe nesër për ta kryer pagesën e këstit të parë të tatimit në pronë.

    Në një njoftim në Facebook, Ministria ka njoftuar se Projektligji i ri për Tatimin në Pronë, përmes së cilit parashihet falja deri në 10 euro e faturave për këtë vit, është dërguar në Kuvend, por ende s’i ka kaluar të dyja leximet.

    Ministria ka sqaruar se falja vlen edhe për qytetarët që tashmë kanë paguar faturën e tatimit në pronë, dhe me rastin e hyrjes së ligjit në fuqi, pagesa që kanë bërë, do t’u llogaritet si parapagim për këstet e tjera.

    “Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton qytetarët se bazuar në Ligjin për Tatimin në Pronë, pagesa e tatimit në pronë mund të bëhet në dy këste. Afati për pagesën e këstit të parë është 30 prilli, ndërsa për këstin e dytë është fundi i muajit shtator. Ne si Qeveri veç se e kemi dërguar në Kuvend Projektligjin e ri për Tatimin në Pronë, i cili përmes një dispozite kalimtare mundëson faljen e deri në 100 euro të faturave për vitin 2023, mirëpo Projektligji ende nuk ka kaluar të dyja leximet në Kuvend”, thuhet në njoftim.

  • Presidenti Begaj takohet me përfaqësues të komunitetit arbanas të Zarës

    Presidenti Begaj takohet me përfaqësues të komunitetit arbanas të Zarës

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, së bashku me homologun kroat, Zoran Milanoviq, ka vizituar komunitetin arbanas të Zarës (Zadar-it).

    Gjatë takimit, Begaj vlerësoi komunitetin arbanas për ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare.

    “Prania juaj këtu në Zadar edhe pas më shumë se tre shekujsh është një trashëgimi e përbashkët historike, e cila ka ndikuar jashtëzakonisht shumë për forcimin e marrëdhënies dypalëshe miqësore midis dy popujve dhe dy vendeve”, tha Begaj, bën të ditur Presidenca shqiptare.

    “Këtë trashëgimi të vyer të kombit tonë që të parët tuaj e sollën këtu në Zadar, kemi detyrimin e përbashkët ta ruajmë e ta promovojmë edhe më shumë”, vijoi Begaj.

    Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi mikpritjen dhe politikat e mira të Kroacisë për minoritetet, duke nënvizuar se shqiptarët si nga komuniteti i arbanasve apo atyre të ardhur në dekadat e fundit, përfaqësohen denjësisht në fushat e artit, sportit e deri në nivele politike në parlamentin e vendit.

  • Arrestohen në Angli tre nga të dyshuarit për vrasjen e Ardian Nikulajt

    Arrestohen në Angli tre nga të dyshuarit për vrasjen e Ardian Nikulajt

    Tre prej 6 personave të kërkuar nga policia shqiptare për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, janë arrestuar në Angli. Sipas Top Channel ata janë Edmond Haxhia, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan.

    Gjykata e ekstradimeve në Londër përmes postës elektronike konfirmoi për gazetarin Muhamed Veliu, se ata do të dalin mesditën e sotme përpara kësaj gjykate për të vlerësuar masën e sigurisë.

    Edmond Haxhia, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan janë arrestuar në Londër përmes një operacioni të gjerë policor, një ditë pas marrjes së kërkesës nga Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë.

    Pasditen e djeshme një gjykatës i gatshëm në Londër i vlerësoi të ligjshme konform legjislacionit anglez urdhër-arrestet e lëshuara disa ditë më parë nga gjykata e Lezhës.

    Operacioni për kapjen e tyre është koordinuar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë Metropolitane angleze dhe agjencinë kundër krimit të organizuar, e njohur si FBI-ja angleze, NCA.

    Në këtë seancë një prokuror anglez, i cili do të përfaqësojë shtetin shqiptar, do t’i lexojë gjykatës kërkesën e Shtetit Shqiptar se përse kërkohen këta persona.

  • 3,086 biznese të reja brenda tre muajve të parë, Murati: S’ka ndodhur ndonjëherë

    3,086 biznese të reja brenda tre muajve të parë, Murati: S’ka ndodhur ndonjëherë

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka ndarë të dhëna sa i përket regjistrimit të bizneseve të reja të regjistruar në tre muajt e parë të vitit 2023.

    “Ekonomia e vendit po vazhdon zgjerimin përkundër krizave globale. Në tremujorin e parë të vitit 2023 janë regjistruar gjithsej 3,086 biznese të reja, që paraqet shifrën më të lartë të regjistruar ndonjëherë”, është shprehur Murati.

    “Lajmi tjetër i mirë është që në sektorin e prodhimit janë hapur 353 biznese të reja, gjë që e bën sektorin e dytë, menjëherë pas tregtisë”.

    Ai ka treguar se sipas komunave, prin Prishtina me 862 biznese të hapura, që lë pas Ferizajn me 267 biznese të hapura, kurse në vendin e tretë është Prizreni me sosh.

  • Mbledhja e mbrëmshme e Qeverisë, këto janë të gjitha vendimet që u morën

    Mbledhja e mbrëmshme e Qeverisë, këto janë të gjitha vendimet që u morën

    Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbrëmë një mbledhje elektronike, ku ka marrë disa vendime.

    Në këtë mbledhje, është miratuar Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2024-2026, raporti tremujor i buxhetit për vitin 2023 dhe programi i borxhit shtetëror për vitet 2024-2024.

    Njoftimi i plotë i ZKM’së:

    – Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2024-2026, e cila paraqet dokumentin kryesor mbi bazën e të cilit do të hartohet Buxheti Vjetor për vitin 2024. Qëllimi kryesor i KASH-it është që të ofrojë analizë të bazuar të mjedisit makroekonomik në vend, për të vendosur kështu bazën për planifikimet buxhetore për vitet që vijnë në përputhje me prioritetet strategjike të Qeverisë.

    – Raportin tremujor të Buxhetit për vitin 2023. Gjatë këtij tremujori gjithsejtë pranimet ishin në shumë prej 675.84 milionë euro dhe paraqesin 20 për qind të pranimeve të përgjithshme të planifikuara vjetore, ndërsa krahasuar me realizimin e tremujorit të vitit paraprak është shënuar rritje prej 22 për qind.

    – Programin e Borxhit Shtetëror për vitet 2024-2026.

    – Ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Nr. 04/73, të datës 30.04.2022, për Themelimin e Komisionit Shtetëror të Pranimit për pozitat e kategorisë së lartë drejtuese, përmes të cilit anëtarja e komisionit, Edi Gusia, drejtoreshe ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, zëvendësohet me z. Agron Llugaliu, Drejtor i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës. Po ashtu, emërohet anëtari zëvendësues i Komisionit Shtetëror të Pranimit për pozitat e kategorisë së lartë drejtuese znj. Fadile Dyla, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në vend të znj. Anita Alaj Kalanderi për procedurën e rekrutimit: Sekretar/e i/e Përgjithshëm i/e Ministrisë së Drejtësisë.

    – Vendimin për emërimin e Komisionit të Pranimit për institucionet e Administratës Shtetërore për Grupin specialist të sistemeve të TIK, Grupi nr.61. në këtë përbërje:

    1.1 Fikrete Zeka, Zyrtarë në DMZP/MPB, kryesuese;

    1.2 Genc Hamzaj, Udhëheqës në ARS/MPB dhe zv. Drejtor i ASHI –së, anëtar;

    1.3 Albert Hajrizaj, Udhëheqës në ATK/MFPT anëtar;

    1.4 Besim Lushta, Udhëheqës, Dogana e Kosovës/MFPT, anëtar;

    1.5 Fisnik Meha, Organizata të specializuara, anëtare.

    Zëvendësues të anëtarëve të komisionit

    1.1 Selami Osmani, Zyrtar i Lartë DMZP/MPB;

    1.2 Sajmie Thaçi, ASHI/MPB;

    1.3 Sadat Shehu, MFPT;

    1.4 Halime Rama, MFPT;

    1.5 Besart Hyseni, Organizata të specializuara.

  • Panairi “Prishtina 2023” mblodhi 65 kompani, Rafuna: Ka pasur interesim më të madh, por Kosova vuan nga mungesa e hapësirës për panaire

    Panairi “Prishtina 2023” mblodhi 65 kompani, Rafuna: Ka pasur interesim më të madh, por Kosova vuan nga mungesa e hapësirës për panaire

    Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2023”, i 22-ti më radhë që u hap para pak dite, është duke vazhduar edhe sot ku po marrin pjesë 65 kompani nga Kosova dhe rajoni.

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në një prononcim për ATV-në, tha se numri i kompanive të interesuara ka qenë shumë më i madh, mirëpo thotë ai, nuk kanë pasur mundësi t’i pranojnë të gjitha për shkak të mungesës së hapësirë.

    “Numri i të interesuarve ka qenë shumë më i madh, por që për shkak të hapësirës që e kishim të kufizuar, sepse ne në Kosovë jemi duke vuajtur për një hapësirë më të madhe me e pasë si çdo shtet tjetër që e ka për panaire, objektit e kam fjalën me infrastrukturë të dedikuar vetëm për panaire, mirëpo brenda mundësive dhe kushteve që i kemi pasur, iu kemi ofruar këtë hapësirë kompanive pjesëmarrëse dhe ato janë të kënaqura”, tha Rafuna.

    Ai thotë se këtë vit, numri i vizitorëve në panair ka qenë mjaft i madh. /atvlive.tv

  • Vetëm edhe nesër afat për pagesën e tatimit në pronë, gjoba e interes për ata që s’paguajnë

    Vetëm edhe nesër afat për pagesën e tatimit në pronë, gjoba e interes për ata që s’paguajnë

    Qytetarët kanë afat vetëm edhe nesër që ta kryejnë pagësën e këstit të parë të tatimit në pronë për vitin 2023. Ata që s’e paguajnë do të përballen me masa ndëshkimore. Për ta do të aplikohet një interes prej 0.65% për secilin muaj që vonohet pagesa, si dhe një gjobë prej 10% të tatimit të papaguar.

    Nesër përfundon afati ligjor për pagesën e këstit të parë të tatimit në pronë. Për këstin e dytë, kanë kohë deri në fund të shtatorit.

    Qyetetarët tashmë janë paralajmëruar që të kryejnë pagesat, që të mos përballen me masa ndëshkimore. Këtë vit, faturat e tatimit në pronë do të jenë më të shtrenjta, meqë është bërë rivlerësimi i pronave nga ana e Ministrisë së Financave.

    “Edhe pak ditë kanë mbetur për të paguar këstin e parë. Të gjithë tatimpaguesit që ende nuk e kanë kryer obligimin e tyre, mund ta kryejnë pagesën deri më 30 Prill 2023. Duke kryer me kohë obligimet tuaja, ju nuk do të paguani gjoba në shumën 10% të këstit të parë dhe interes prej 0.65% në muaj”, është njoftimi që ka lëshuar Departamenti i Tatimit në Pronë.

    Në rast të mospagesës, për ta do të aplikohet një interes prej 0.65% për secilin muaj që vonohet pagesa, si dhe një gjobë prej 10% të tatimit të papaguar.

    E ata që që paguajnë do të mund të përfitojnë nga Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme, që parasheh që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë për vitin tatimor 2023.

    Për qytetarët që tashmë e kanë paguar faturën, shuma e falur do t’ju llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.

    “Në rast se tatimpaguesi ka paguar faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.”

    Aty sqarohet edhe se falja tatimore zbatohet vetëm për këtë vit.

    “Zbatimi i këtij kapitulli mbetet përgjegjësi e çdo komune përgjegjëse për administrimin e procesit të tatimit në pronë për pronat e paluajtshme që ndodhen brenda territorit të komunës”, thuhet në projektligj.

    Ky projektligji është miratuar më 31 mars në Qeverinë e Kosovës dhe është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, por, deri te miratimi i tij final, janë edhe disa faza për t’u kaluar, e që nuk pritet të kryhen brenda këtij muaji.

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se me faljen që do të bëhet, 85 për qind e tatimpaguesve nuk do të paguanin asgjë për këtë vit, 10 për qind të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro dhe vetëm 5 për qind e tatimpaguesve do të paguanin më shumë se 100 euro.

    Ndryshe, nga tatimi në pronë, shteti i Kosovës ka të hyra vjetore deri në 40 milionë euro.

    Të hyrat e mbledhura nga tatimi në pronën e paluajtshme arkëtohen në llogarinë e komunës ku ndodhet prona e paluajtshme dhe shfrytëzohen nga komuna për zhvillimin e infrastrukturës dhe projekte të tjera që përmirësojnë jetën e qytetarëve.

    Me ligjin në Kosovë, vlerësimi i pronës nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve bëhet çdo tre ose pesë vjet.

    Vlerësimin e fundit, kjo ministri e ka bërë vitin e kaluar, kurse zbatimi i tij në tatimin në pronë ka filluar nga janari i këtij viti.

    Vlerësimi paraprak është bërë në vitin 2019.

  • Shumë kosovarë ia mësyjnë Shqipërisë për 1 Maj, kolona në Kalimash

    Shumë kosovarë ia mësyjnë Shqipërisë për 1 Maj, kolona në Kalimash

    Një numër i madh i kosovarëve ia kanë mësyrë Shqipërisë, duket për të kaluar festën e 1 Majit, e cila lidhet me vikendin.

    Derisa në kufi nuk ka pasur fare kontrolle, kolona të automjeteve janë krijuar në Rrugën e Kombit, përkatësisht në pikën afër Kalimashit, ku paguhet tarifa për qarkullimin e automjeteve, sikur shihet në pamjet e Ekonomia Online.

    Kolona janë krijuar gjithashtu në afërsi të Kukësit, ky rruga është vetëm një shiritëshe dhe ura që po ndërtohet ende nuk është funksionalizuar.

    Në Kosovë 1 maji, e cila i bie ditën e hënë, është ditë pushimi (për sektorin publik) dhe duket se shumë kosovarë janë duke e shfrytëzuar këtë festë për të pushuar në Shqipëri.

    1 Maji – Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve në shumicën e vendeve të botës shënohet me marshe dhe protesta të sindikatave. Derisa në Kosovë kjo festë tradicionalisht shënohet me pikniqe në natyrë.