Ekrem Shabani, banor në këtë lagje të fshatit Shkabaj, thotë se nuk është hera e parë që dheu rrëshqet në këtë pjesë.
“E rrezikshme shumë. Unë kam ardhë që dy-tri ditë këtu. Po kalojnë shumë makina, po i rrezikojnë edhe fëmijët edhe krejt. Kjo nuk është hera e parë që shembet, sa herë që vij kështu është”, tha Shabani.
Madje, ai tregon se si para pak ditësh një veturë u pengua të qarkullojë lirshëm pikërisht për shkak të dheut.
“Parmbrëmë një veturë e kom dëgju fishkëllim të madhe që ka frenua. Erdhi vëllai tregoi që hypi mbi dhe. Se shpejtësia e madhe, nuk po e respektojnë limitin që është këtu”, tha ai.
Muaj më parë ata ishin organizuar dhe e kishin larguar dheun në mënyrë vullnetare, sepse, sipas tyre, as komuna e as ministria nuk iu kishte bërë zgjidhje.
ATV-ja ka mësuar se kjo rrugë, e cila është në përgjegjësi të Ministrisë së Infrastrukturës, nuk është e përfshirë në asnjë kontratë për mirëmbajtje.
Megjithatë, askush nga ky institucion nuk është përgjigjur gjatë ditës lidhur me këtë. /atvlive.tv
Të arrestuar mësohet se janë kirurgu Luan Mustafa dhe anesteziologu Halil Basha.
Ndërkohë, familjarja e pacientes, e cila e raportoi rastin në polici, ka treguar në kushte anonimiteti për ATV-në përmes telefonit, se si mjekët ia kërkuan parat.
“Lidhur me kirurgun që na ka shit rrjetën dhe na ka lyp 330 euro me doktorin tjetër kirurgu i njëjta i ka lyp parët për doktorin tjetër domethënë bashkërisht edhe gjatë kohës që motra ishte në operacion vendosa me bashkëpunua me Policinë e Kosovës dhe ata m’tregun hapat se qysh duhet me vepru. Boll na ka kushtu, kërkush s’munet me hangër njersën e babit tem. Babi i ka 63 vjet e punon 12 oër n’kom e kur t’vjen në shpi s’mundet as me pushu prej dhimbjeve që i ka, i kisha ba thirrje qytetarëve që janë në një gjendje tillë lajmëronu se unë kom pas bashkëpunim të jashtëzakonshëm me Policinë e Kosovës. Prej këtij rasti e kam një besim shumë të madh për ata”, tha motra e pacientes.
Sipas saj, kishte edhe pacientë të tjerë që ankoheshin për ta.
Ndërkaq, drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini ka bërë të ditur, se të dy mjekët janë arrestuar gjatë kohës sa ishin kujdestar natën e mbrëmshme.
“Mbrëmë jam njoftuar zyrtarisht nga zyrtari policor i krimeve ekonomike për arrestimin e dy mjekëve, një kirurg dhe një anesteziolog, pasi që dyshohet për mitmarrje. Mjekët e arrestuar kanë qenë kujdestar prandaj dhe me këtë rast jam njoftuar nga zyrtari policor për organzimin e punës në mungesë të mjekëve pasi që ata janë marrë në intervistim”, tha Drejtori i spitalit të Gjilanit, Arsim Emini.
Për dyshuarit sipas policisë janë siguruar prova të mjaftueshme që dëshmojnë se i kanë marrë paratë për ta kryer intervenimin.
Ata janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit të shtetit janë dërguar në mbajtje 48 orë.
ATV merr vesh se kirurgu Luan Mustafa edhe në vitin 2013 ishte dyshuar për marrje ryshfeti. /atvlive.tv
Statuti i asociacionit të komunave me shumicë serbe, pritet të jetë tema kyçe e takimit të 2 majit, mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti e presidentit Serb Aleksandër Vuqiq.
Andaj kreut të qeverisë së Kosovës po i kërkohet që të ketë kujdes e të mos bojë gabime.
Madje sipas opozitës, draft-statuti i asociacionit, fillimisht duhet të marrë vlerësimin e kushtetueses para se të aprovohet nga qeveria.
“Për neve si LDK, marrëveshja e Ohrit, ka gjëra të cilat kanë qenë të papranueshme, sidomos pika e shtatë ku flet për vetëmenaxhimin, ndërkohë në tërë këtë dokument nuk i referohet fare Gjykatës Kushtetuese…Filtri i vetëm është Gjykata Kushtetuese, nuk ka filtër tjetër, prandaj duhet të dihet kjo, nuk ka mundësi që të implementohet asgjë tjetër që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, tha deputet i LDK-së, Driton Selmanaj.
Por nga partia në pushtet, ua heqin dronë opozitës.
“Kryeministri ka deklaruar prej takimit të Ohrit se është i gatshëm të prezantojë një draft-statut në bazë të tri parimeve të cilat nuk janë assesi në kundërshti as me vendet e Bashkimit Evropian…Në këto parime që assesi nuk ka kompetencë ekzekutive dhe ndërhyrje në sistemin kushtetues, por në bazë të rendin kushtetues të Kosovës ndërtohet një draft, i cili diskutohet”, tha deputetja e LV-së, Mimoza Kusari Lila.
Sidoqoftë, për njohësit e procesit të dialogut, asociacioni nuk duhet renditur ndër gjërat e para për të cilat duhet diskutuar, pasi ka shumë tema tjera më me interes.
“Do të diskutohet për Asociacionin, por besoj se do të ketë diskutime më të mëdha për vet implementimin e marrëveshjes sepse ende ka çështje të hapura. Senkuencimi i pikave të marrëveshjes, qëllimi është që të ketë një zbatim të njëkohshëm të saj, në mënyrë që mos të ngutet Kosova në zbatimin e disa pikave dhe të kemi një situatë që Serbia nuk e implementon marrëveshjen, ndërsa Kosova e zbaton atë”, tha njohësi i procesit të dialogut, Seb Bytyqi.
Takimi i 2 majit mes kryeministrit Kurti e presidentit Serb Aleksandër Vuqiq, vjen pas takimit të 18 marsit në Ohër, kur edhe u dakordun për planin e zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel me 27 shkurt. /atvlive.tv
Prokuroria Themelore në Gjilan, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit kundër dy mjekëve – të pandehurve H.B. dhe L.M., për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’, nga neni 421 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se më 29 Prill 2023, rreth orës 19:45 minuta, në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, të pandehurit H.B. dhe L.M., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, si persona zyrtar, kanë përfituar për vete, në atë mënyrë që i pandehuri H.B. – anesteziolog, me rastin e operimit të pacientes, M.S., në repartin e kirurgjisë, ka kërkuar dhe marrë para nga familjarët e saj.
Gjithashtu, edhe i pandehuri L.M. – mjek kirurg, me rastin e operimit të pacientes së lartshënuar ka pranuar para nga familjarët e të njëjtës.
Të pandehurit janë arrestuar nga ana e zyrtarëve policor pas kryerjes së masës së simulimit dhe të njëjtit me urdhër të prokurorit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.
Flamujt kombëtarë dhe ata të Kosovës, të cilët prej vitesh valojnë në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut, janë zëvendësuar me të rinj, raporton KoSSev.
Flamujt e rinj u vendosën vetëm pak ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, ku Erden Atiq, kandidati i Vetëvendosjes, u zgjodh kryetar i Mitrovicës së Veriut.
Vetëm njëqind metra në veri fillon rreshti i flamujve të Serbisë, të cilët përveç në zonat e banuara në veri të Kosovës, shfaqen edhe përgjatë rrugëve kryesore në atë pjesë.
Çështja e flamujve në veri të Kosovës u ngrit edhe njëherë pas zgjedhjeve lokale, në të cilat për shkak të bojkotit të serbëve fituan përfaqësuesit e partive shqiptare PDK dhe Vetëvendosje.
Vetëm një ditë më vonë, kryetarët e sapozgjedhur të komunave të Leposaviqit dhe Zubin Potokut njoftuan se do t’i heqin flamujt serb nga institucionet dhe do t’i zëvendësojnë me flamujt e Kosovës, kur edhe zyrtarisht t’i marrin mandatet e tyre.
Flamujt e Kosovës janë vendosur menjëherë pas zgjedhjeve lokale edhe në stacione të caktuara të Policisë së Kosovës.
Siç raporton mediumi serb në Kosovë, flamuri i Kosovës valon edhe te stacioni i Policisë në veris. U raportua se flamuri i Kosovës është vendosur dje edhe në Leposaviq.
Në 24 vjetorin e rënies heroike të komandantit Ilaz Kodra, kryeministri, Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule tek Kompleksi Memorial i dëshmorëve në Marinë të Skenderajt.
Duke kujtuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, Kurti tha se komandanti Ilaz Kodra ra në betejë të ashpër me forcat serbe.
“Sot kujtojmë 24-vjetorin e rënies heroike të komandantit Ilaz Kodra, i cili ra në betejë të ashpër e të drejtpërdrejtë me forcat serbe, tri ditë pa i mbushur 33 vjet. Lavdi komandantit Ilaz Kodra, lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit shqiptar”, u shpreh kryeministri, sipas komunikatës zyrtare.
Gjatë ditës së sotme kryeministri Kurti mori pjesë edhe në zbulimin e pllakës përkujtimore në fshatin Shtuticë të Komunës së Drenasit si dhe homazhe te varrezat e dëshmorëve në Verbovc të Komunës së Drenasit.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, në 24 vjetorin e rënies së Ilaz Kodrës ka vizituar familjen e komandantit në kullën në Prekaz.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Krasniqi tha se Ilaz Kodra ishte ndër të parët, që bashkë me komandantin Adem Jashari e shokët e tyre të idealit, i dhanë jetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ilaz Kodra, bashkë me mijëra djem e vajza të UÇK-së, që u flijuan për liri, janë themeli mbi të cilin qëndron liria jonë dhe shteti ynë i pavarur dhe sovran. Familja Kodra, Prekazi, Kosova, shqiptarët gjithandej nëpër botë – do të jenë përjetësisht krenarë me komandant Ilaz Kodrën”, tha kreu i PDK-së, transmeton kp.
Me rastin e 24-vjetorit të rënies së heroit të kombit Ilaz Kodra, 42 dëshmorëve dhe mbi 280 martirëve, Komuna e Drenasit dhe ajo e Skenderajt organizuan homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve, në Drenas pranë shtatores së heroit Ilaz Kodrës, si dhe është bërë zbulimi i pllakës përkujtimore në fshatin Gllobar.
Dy persona kanë pësuar lëndime trupore, me ç’rast iu është ofruar edhe trajtim mjekësor, si pasojë e një rrahje mes disa personave që ka ndodhur sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, për Ekonomia Online ka bërë të ditur se lidhur me këtë rast janë shoqëruar për në Stacionin Policor shtatë persona, të cilët dyshohet se janë përfshirë në rrahje.
“Sot kemi pranuar informatën për një rrahje në APN, ku kanë qenë të përfshirë disa persona, prej të cilëve dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtëve u është ofruar trajtim i nevojshëm mjekësor. Lidhur me këtë rast nga njësitet policore të Lipjanit në stacion janë shoqëruar shtatë persona që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në rrahje”, ka thënë Ahmeti.
Ambasadori amerikan Christopher Hill shprehu pritjen se më 2 maj në Bruksel do të ketë diskutime intensive për Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe, por që mendon se fundi i kësaj çështjeje është afër.
Ai tha se edhe pse ka tensione në ajër, edhe ai ndjen se çështja është e rëndësishme dhe se do të shohim diçka të rëndësishme.
I pyetur se me çfarë do të ishte i kënaqur Uashingtoni në bisedime, Hill tha se do të ishin të kënaqur me formimin e Asociacionit, datat që po caktoheshin, se ai e di se nuk do të ndodhë më 2 maj, por se beson se do të ketë mirëkuptim në atë që duhet bërë.
“Sapo çështja e Asociacionit të përfundojë, ne do të shohim përparim në aspekte të tjera të normalizimit”, tha Hill, për Pink TV duke shtuar se të gjithë duhet të jenë të qetë.
I pyetur për faktin se Serbia e sheh si shpërblim liberalizimin e vizave për Kosovën, Hill tha se liberalizimi i vizave është proces i veçantë, sikurse edhe kandidatura për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por e kupton pse serbët ndihen kështu.
Ai tha se Serbia do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian.
“Parakusht për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit është zbatimi i Asociacionit të Komunave (të banuara me shumicë) Serbe”, ka thënë Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, duke folur në televizionin “Pink”. Takimin e Nivelit të Lartë më 2 maj, Daçiq e quajti “takim të rëndësishëm për zbatimin e Marrëveshjes dhe Shtocjës së Zbatimit”.
Daçiq, duke thënë të njëjtën gjë si në Këshill të Sigurimit, tha se pa themelimin e Asociacionit nuk do të ketë nisje të zbatimit nga pala serbe, e cila edhe e shkeli marrëveshjen kur iu kundërvë aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, saktësisht Nenin 4 të Marrëveshjes Bazë.
Në dritën e takimit të ardhshëm ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ministri serb i jashtëm beson se pala kosovare “do të provojnë ta zbehin atë për nga autoriteti dhe pushtetet”.
“Është kohë përgatitjesh të mëdha”, tha ai për takimin e 2 majit, ndërsa për agjendën e takimit tha se do të përmbajë edhe miratimin formal të Deklaratës për Personat e Pagjetur krahas paraqitjes së një draft-Statuti fillestar për Asociacionin nga Ekipi Menaxhues, ekip ky i cili nuk i është i përgjigjur ende (së paku kështu është thënë) askujt në qeverinë kosovare.