ATV

Category: Lajme

  • Ish-dhëndri nga Kosova i vë zjarrin shtëpisë së vjehrrit në Vlorë

    Ish-dhëndri nga Kosova i vë zjarrin shtëpisë së vjehrrit në Vlorë

    Ish-dhëndri i familjes së Luftie Fanaj, Haki Bajrami nga Kosova, dyshohet se pas konflikteve fizike me ish-nusen e tij dhe familjarët e saj, ka djegur me benzinë shtëpinë e ish-vjehrrit në fshatin Llakatund në Vlorë. Si pasojë e sherreve familjare janë djegur dy banesa.

    Autori i zjarrvënies ka qenë në proces ndarje me vajzën e Lutfi Fanajt, me të cilën kishte një fëmijë, ndërsa kërkonte ribashkimin me të.

    Ai ka shkuar dje në banesën e ish-vjehrrit dhe pasi e ka spërkatur atë me benzinë, i ka vënë flakën. Ndërkohë në banesë në momentin kur i është vënë zjarri ishte gjyshja e shtëpisë dhe nipi i saj, (djali nga martesa e parë e ish-gruas së kosovarit).

    Këta të fundit pasi janë dhunuar nga autori i zjarrvënies, kanë tentuar që të shuajnë zjarrin, por kanë pësuar djegie, ndërsa ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Nga flakët është djegur totalisht dhe banesa ngjitur.

  • ​Për dy vjet 10 takime, Kurti me Dendias flasin për zhvillimet e fundit në Kosovë

    ​Për dy vjet 10 takime, Kurti me Dendias flasin për zhvillimet e fundit në Kosovë

    Në ditën e dytë të pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik në Delphi, kryeministri Albin Kurti, u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.

    Marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Greqisë dhe mënyrat se si ato mund të avancohen më tej, veçanërisht në rrafshin ekonomik, teksa shkëmbimet tregtare dhe investimet e huaja kanë shënuar rritje viteve të fundit, sipas komunikatës qeveritare, ishin pjesë qendrore e takimit.

    Kryeministri Kurti ka falënderuar ministrin Dendias dhe shtetin e Greqisë për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në proceset integruese.

    “Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend, rezultatet dhe rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës të dielën e javës së kaluar, nevojën për zbatim të plotë, pa vonesa dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit me Serbinë dhe për pritjet e takimit të nivelit të lartë politik me 2 maj në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”, thuhet në komunikatë.

    Takimi i sotëm i kryeministrit Kurti me ministrin Dendias ishte i dhjeti në dy vite. Muajin e kaluar, ministri grek Dendias kishte vizituar Kosovën. Ajo ishte vizita e tij e gjashtë zyrtare në Kosovë.

    Pikërisht, afërsia e Greqisë me Kosovën ka bërë që Serbia të zemërohet me shtetin helen dhe kryeministrja serbe Ana Bërnabiq të anulojë vizitën në këtë vend.

    Në pranimin e aplikimit të Kosovës për Këshill të Evropës, Greqia zgjodhi të abstenojë por presidenti serb Aleksandër Vuçiq deklaroi një ditë më pas se “kush abstenoi në të vërtetë ka votuar pro”.

    Po ashtu, së fundmi, gazetat boshnjake raportuan se në Beograd tashmë e kanë kuptuar se Greqia po shkon drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.

  • Redzepi: Kosovën e shoh si shtet multietnik dhe demokratik

    Redzepi: Kosovën e shoh si shtet multietnik dhe demokratik

    Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Redzepi, në një intervistë për emisionin A23 në ATV, tha se Kosovën e sheh si shtet multietnik. Demokratik që ndërton raporte të mira fqinjësore dhe që shkon drejt integrimeve evropiane, transmeton atvlive.tv.

    “Vet fakti që ne si popuj, si shoqëri, si kosovarë ishim të izoluar nga mundësia e lëvizjes së lirë drejt Evropës, madje edhe tani jemi deri më 1 janar 2024, liria e lëvizjes është e kufizuar, liria për arsim dhe punë është e kufizuar, andaj ne faktikisht ndodheshim në geto dhe ishim të izoluar deri më tani dhe për shkak të kësaj, por edhe urrejtjeve të ndryshme, krijohen konflikte etnike që ndodhin ndoshta nga mosdurimi mes popujve dhe të shkuarës së keqe, sepse në Ballkan ndodhi gjithçka. Ishin krime të tmerrshme, kemi shumë viktima, pati edhe gjenocid, kështu që të gjitha këto janë barrë e madhe që ne i bartim si popuj, por fillimisht duhet qenë falënderues se rruga drejt Evropës do të jetë më ndryshe dhe Kosovën e shoh si shtet multietnik, demokratik që ndërton raporte të mira fqinjësore, por i cili mbi të gjitha shkon drejt BE-së”, tha Redzepi.

    Ajo tha se Kosova multietnike nuk do të duhej të ekzistonte vetëm në letër, por sipas saj, tek populli shumicë shqiptare të zhvillohet vetëdija që ata të pranojnë të gjithë popujt që jetojnë në Kosovë pa paragjykime për njeri tjetrin.

    “Këtu bëhet fjalë vetëm çfarë mendon Qeveria, por është me rëndësi që tek populli shumicë shqiptare të zhvillohet vetëdija, tek të rinjtë sidomos, që ata të pranojnë të gjithë popujt që jetojnë në Kosovë pa paragjykime për njeri tjetrin. Ne jemi shtet i vogël dhe Kosova multietnike nuk do të duhej të ekzistonte vetëm në letër. Nuk duhet të ekzistojë vetëm në Kushtetutë. Nëse respekt dhe vlerësim nuk ka çdo ditë në praktikë, në rrugë, në lokale, në shkolla, në fakultete, në vende të punës, atëherë nuk mund të flasim për shoqëri multietnike, por për një mjedis nacional dhe lë për të dëshiruar përparimi i atij mjedisi”, theksoi Redzepi. /atvlive.tv

  • Redzepi: Qeveria Kurti po i trajton të barabartë të gjithë qytetarët

    Redzepi: Qeveria Kurti po i trajton të barabartë të gjithë qytetarët

    Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Redzepi, në një intervistë për emisionin A23 në ATV, mirëpriti vendimin e fundit të Qeverisë për ndarjen e 3 milionë eurove si ndihma për komunitetet jo shumicë për programe për ndihmë dhe punësim.

    Ajo tha se kjo flet hapu që Qeveria është duke i trajtuar të gjithë qytetarët e Kosovës të barabartë.

    “Kjo është diçka e re që ndodhi për herë të parë në shtetin tonë në 20 vitet prej se ekziston shoqëria demokratike e Kosovës dhe diçka që nga ana e komuniteteve jo shumicë është vlerësuar si shumë pozitive. Vet fakti që unë tashmë një vit jam marrë me këtë, e kam përgatitur terrenin për investime kapitale dhe ndihmë direkte ekonomike për komunitete jo shumicë flet për siguri më të madhe dhe afrim të institucioneve qeveritare ndaj të gjithë popujve. Kjo dëshmon se Qeveria jonë në krye me kryeministrin Albin Kurti, trajton njëjtë të gjithë qytetarët pavarësisht përkatësisë fetare, etnike”, tha Redzepi. /atvlive.tv

  • ​Javën e ardhshme pritet të hapet konkursi i ri për specializantë

    ​Javën e ardhshme pritet të hapet konkursi i ri për specializantë

    Ministria e Shëndetësisë pritet që gjatë javës së ardhshme të hap konkursin e ri për rreth 260 pozita, por që prioritet kanë specializantët për lëmin e anesteziologjisë. Ky proces do të bëhet bazuar me Udhëzimin e Ri Administrativ për shkollim specialistik i cili është miratuar para një muaji.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia deklaroi se ky konkurs për specializantë do të hapet bazuar në nevojat dhe kapacitetet infrastrukturore dhe mentoriale. Sipas tij tashmë është emëruar edhe Bordi i Shkollimit Specialistik.

    “Ky Bord tanimë është emëruar dhe po presim ose brenda kësaj jave ose në javën tjetër do të hapet edhe konkursi ku janë diku rreth 250 apo 260 pozita në total…dhe natyrisht po për herë të parë sipas këtij Udhëzimi Administrativ për Shkollim Specialistik do të jenë disa faktorë të cilët do të ndikojnë në hapjen e konkurseve për specializim në lëmi të caktuara”, theksoi ai.

    Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu konsideron se nuk janë zgjedhur problemet ekzistuese për këtë shkollim dhe ky konkurs vetëm sa do të shkaktojë kaos.

    Ndonëse konsideron se ka nevojë për një konkurs të tillë shkollimi, Sejdiu thekson se ekziston rreziku që sektori primar shëndetësor të mbes pa staf.

    “Mund të shkaktojë një luhatje, një zbrazje e sektorit primar por kjo ndodh vetëm nëse MSh gjegjësisht Bordi nuk respekton kriteret që së paku 1 vit duhet të kesh përvojë pune në sektorin primar”, theksoi Sejdiu.

    Kritika për neglizhencë për një konkurs të tillë shprehu anëtari i Komisionit parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Armend Zemaj.

    Sipas tij, nevojat janë shumë të mëdha dhe për këto dy vite ndonëse shpresat ishin të mëdha asgjë nuk është bërë.

    Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj konsideron se qeverisja aktuale ka pasur tendenca ta njollosë konkursin e specializantëve i cili ishte hapur gjatë mandatit të tij.

    “Shpresa ishte që fjalët të shndërrohen në vepra, kaluan dy vite tash edhe 5 muaj të këtij viti me të njëjtën gjendje vetëm fjalë, premtime, analiza diçka që është e parëndësishme për parandalimin e ikjes së mjekëve apo plotësimin e nevojave deficitare që ka në Kosovë”, shprehet Zemaj.

    Në vitin 2020 ishin pranuar rreth 1 mijë e 500 specializantë pas një konkursi që kishte hapur Ministria e Shëndetësisë, nën udhëheqjen e ish-ministrit, Armend Zemaj. Kritikat rreth këtij procesi ishin të mëdha. Madje, edhe vetë specializantët disa herë edhe kanë protestuar. /kp

  • Më 1 maj do të ndalohet qarkullimi i veturave në parkun e Gërmisë

    Më 1 maj do të ndalohet qarkullimi i veturave në parkun e Gërmisë

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se më 1 maj ndalohet qarkullimi i automjeteve në Gërmi dhe pika përfundimtare për lëvizjen e automjeteve.

    Sipas njoftimit, përveç banorëve të lagjeve ”Normale”, ”Sofalia”, ”Tauk- Bahçe” dhe restoranteve— villat Gërmia” ”Freskia”, dhe “Soma” do të jetë: Kryqëzimi rrugëve ”1 Tetori”— “Nazim Gafurri” dhe ”Ymer Lutfi Paqarizi”, Kryqëzimi rrugëve ”Nazim Gafurri”- “Xhavit Ahmeti” dhe ” Dr. Lec Gradica”, Kryqëzimi i rrugëve “Shpëtim Robaj” me atë të Sofalis, në drejtim të pishinës dhe parkut ”Gërmia”.

    “Drejtoria e Inspekcionit – Komuna e Prishtinës do të kujdeset për implementimi e kësaj urdhërese”, thuhet në njoftim.

  • Policia jep detaje për vrasjen në Malishevë, ku nipi dyshohet se vrau axhën për pronë

    Policia jep detaje për vrasjen në Malishevë, ku nipi dyshohet se vrau axhën për pronë

    Një vrasje e rëndë ka ndodhur dje në fshatin Kijevë të Malishevës. Atje dyshohet se nipi ka vrarë axhën për çështje pronësore.

    Përmes raportit 24 orësh, Policia ka dhënë detaje për rastin. Sipas Policisë, i dyshuari është arrestuar dhe nga ai është konfiskuar një pistoletë dhe një pushkë gjuetie.

    “Malishevë 28.04.2023-09:50. Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar pas një mosmarrëveshje ka qëlluar me armë zjarri viktimën mashkull kosovar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ndërsa lidhur me rastin i dyshuari është arrestuar dhe nga ai është konfiskuar një pistoletë dhe një pushkë gjuetie. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion”, thuhet në raport.

    Ndryshe, rastin për media e ka konfirmuar dje zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

    “Sot rreth orës 09:50 është raportuar për një rast vrasje në fshatin Kijevë-Malishevë. Në vendin e ngjarjes, menjëherë kanë dalë njësitet e nevojshme policore ku është gjetur një person mashkull (i moshës madhore dyshohej pa shenja jete). Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar, mashkull i moshës madhore. Rrjedha e mëtejme hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e shtetit në drejtim të veprës penale të vrasjes”, ka thënë Elezaj.

    LEXO EDHE:

    Nipi vret xhaxhain e tij për çështje prone

  • ​Rama për raportet Kosovë-Serbi: Më të mirat se që kanë qenë ndonjëherë

    ​Rama për raportet Kosovë-Serbi: Më të mirat se që kanë qenë ndonjëherë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë më të mirat seç kanë qenë ndonjëherë, por theksoi se mbyllja e dialogut mes dy vendeve do të ishte mbyllja e një kapitulli konfliktesh në rajon.

    Duke folur në Forumin Ekonomik “Delphi 2023, world affairs” që po mbahet në Greqi, Rama tha se i gjithë Ballkani Perëndimor gjendet në një situatë shumë më të mirë për shkak se shtetet i flasin njëra-tjetrës, ndryshe nga vite më parë.

    “Dialogu Kosovë-Serbi do thosha është çështja që mbetet ende çështje e madhe dhe zgjidhja e kësaj çështjeje do të thotë të mbyllësh një kapitull përgjithmonë, një kapitull të shumë kapitujsh gjaku dhe konfliktesh. Kjo është diçka shumë e rëndësishme dhe strategjike. Megjithatë, edhe sa i takon këtij elementi të veçantë, kësaj çështjeje të veçantë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nuk kanë qenë asnjëherë aq të mira sa janë aktualisht. Pra, janë marrëdhënie shumë të mira krahasimisht saç kanë qenë këto marrëdhënie më përpara. Megjithatë, ka ende shumë për të bërë për të ndryshuar këtë marrëdhënie”, deklaroi Rama.

    Duke folur për mungesën e stabilitetit në rajon për shkak të ndikimit rus, Rama tha se Shqipëria dhe Kosova janë të dy vendet e Ballkanit Perëndimor ku nuk ka aspak ndikim rus.

    “Kur flitet për aspektin gjeopolitik dhe politikën ndërkombëtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ne kemi një panoramë shumë komplekse. Kemi 3 shtete anëtare në NATO, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, por Shqipëria nuk ka fare ndikim rus ndërkohë që Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë një influencë ruse shqetësuese. Nga ana tjetër, kemi Serbinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën. Kosova është si Shqipëria, është tërësisht e harmonizuar në të njëjtën linjë me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në, nuk kanë ndikim rus, ndërkohë që Serbia apo Bosnja kanë shumë ndikim rus. Nuk flitet këtu vetëm për qeverisjen, por edhe në popullsi”, vijoi Rama.

    Rama tha se popullariteti i Vladimir Putin në Serbi është nga 65%-80%, ndërsa Aleksandër Vuçiq e ka të vështirë të sanksionojë Rusinë pasi popullariteti i presidentit rus është më i madh se i vetë presidentit serb.

  • Vikend me vranësira dhe shi – Parashikimi i motit me Erza Hotin

    Vikend me vranësira dhe shi – Parashikimi i motit me Erza Hotin

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë me vranësira si dhe intervale të shkurtra me diell, gjatë mbrëmjes pritet të ketë edhe reshje të shiut.

    Temperatura minimale do të jetë në Gjakovë me 13 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prizren me 19 gradë Celsius.

    Ndërsa dita e nesërme në vendin tonë do të jetë me vranësira të shpeshta si dhe kthjellime.

    Temperatura minimale do të jetë në Mitrovicë me 0 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Gjakovë me 21 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit me Erza Hotin në ALARM të ATV-së, mund ta gjeni në videon e më poshtme:

  • Limaj: Politika e Kurtit është me heq dorë nga veriu, do të ndodh ajo që pak kush e ka pritur

    Limaj: Politika e Kurtit është me heq dorë nga veriu, do të ndodh ajo që pak kush e ka pritur

    Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti me politikat e tij, po dëshiron që të heq dorë nga veriu i Kosovës.

    Sipas Limajt, rezultatet 2 vjeçare e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje, të cilën e quan të rëndë. Ai thotë se këtë po e bën në emër të patriotizmit.

    Kreu i Nismës ka folur edhe për mundësinë e marrëveshjes me Serbinë, të cilën e quan të dëmshme.

    Ai konsideron se me politikat e Kurtit do të ndodh ajo që pak kush e ka pritur.

    “Albin Kurti vazhdon me këtë politikë, po, sepse politika e zotëri Kurti me heq dorë nga pjesa veriore, nëse i shihni potezat e tij, ai qëllimshëm i ka shpëtuar procesit. Krejt kjo politike është me heq dorë nga pjesa veriore e Kosovës, dhe kjo kamuflohet në emër të patriotizmit. Mos pritni që dikush nga Prishtina që ne po shkojmë po i bëjmë këto politika sepse po dëshirojmë të heqim dorë nga veriu, ju duhet t’i shihni përmbajtjen dhe rezultatin e atyre politikave. Rezultatet që i ka bërë kjo Qeveri për 2 vjetet e fundit në drejtim të veriut, janë përshpejtim dhe objektiv për të hequr dorë nga veriu, dhe kjo fatkeqësisht me një ritëm të shpejtë po ndodh. Nëse vazhdon kështu me këtë politikë, shumë shpejt do të ndodh ajo që pak kush e ka pritur”, u shpreh Limaj.

    Ndërkaq për mundësinë e marrëveshjes me Serbinë, Limaj thotë se Kosova nuk ka pasur asnjëherë më të dëmshme.

    Ai kritikon ekzekutivin që nuk është në dijeni për ekipin që është duke e hartuar Asociacionin.

    “Kryeministri juaj dhe i vendit tim thotë publikisht se ‘askush nuk më ka pyetur’ për marrëveshje, pra në këtë nivel ka ardhë ky që thoshte se nuk di çka është presioni. Një njëri që mbi 50 për qind ia ka dhënë populli i Kosovës, për të bërë një politikë krejt ndryshe, të dinjitetshme e me integritet. Ai njëri në emër të cilëve ka marrë votën, ai del dhe thotë se ‘as që kam negociuar ma kanë dhënë merre leje’. Tash po thotë, që se di as ekipin që është duke e hartuar statutin”, thotë Limaj.

    Kjo fazë, sipas Limajt nuk ka ndodhur as në kohën kur Kosova ka funksionuar me institucione paralele. Thotë se atë kohë, nuk është vendosur për Kosovën, pa negociata.

    “Nëse ty marrëveshja të vjen pa negociuar, nëse nuk e di se kush po e bën statutin, çfarë kryeministri është. Në temën kryesore të vendit, në çështjen nacionale. Kështu që, asnjëherë nuk ka ndodhur në historinë e Kosovës, edhe atëherë kur nuk na ka njohur askush, kemi pas të drejtë, edhe në institucionet paralele asgjë nuk kanë pasur të drejtë me vendos për Kosovën pa u negociuar. Për herë të parë ndodh në Kosovë që kryeministri i vendit tonë që ka për detyrë me qeveris dhe me mbrojt kushtetutshmërinë”, thotë Limaj. /EO