ATV

Category: Lajme

  • Përkujtohen 42 dëshmorë dhe 280 martirë në Drenas

    Përkujtohen 42 dëshmorë dhe 280 martirë në Drenas

    Me rastin e 24 vjetorit të rënies së heroit të kombit Ilaz Kodra, 42 dëshmorëve dhe mbi 280 martirëve, Komuna e Drenasit dhe ajo e Skenderajt, sot kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve, në Drenas pranë shtatores së heroit Ilaz Kodra, si dhe është bërë zbulimi i pllakës përkujtimore në fshatin Gllobar.

    E pranishme në këtë përurim ishte edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

    Çitaku në një fjalë rasti tha se në Drenas e Drenicë flasin veprat e atyre që sakrifikuan jetën për liri.

    “Në Gllobar, Drenas e Drenicë flasin përmendoret, flasin emrat e rrugëve, flasin emrat e shkollave, e shesheve, flasin rrudhat në ballin e bacës Murat. Këtu nuk ka vend për fjalë, vetëm për respekt, falënderim e mirënjohje. Këta kanë rënë për të mos vdekur kurrë”, tha Çitaku.

    Nënkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala i ka quajtur figura historike gjithë dëshmorët e martirët që dhanë çdogjë nga vetja për lirinë që sot e gëzon vendi.

    Shala tha se kjo pllakë përkujtimore shërben si dëshmi edhe për brezat e ardhshëm që të dinë se lufta për liri ishte e drejtë.

    Përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta, Enver Hajdari tha se kjo përmendore shërben për ta kujtuar luftën e drejtë që bëri Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

    Hajdari ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë. Sipas tij, kjo është një padrejtësi tjetër që i është bërë vendit.

    Drejtori i Agjencionit për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj tha se kontributi që kanë dhënë për ndërtimin e këtij monumenti është një shenjë shumë e vogël dhe simbolike për ata që kanë dhënë jetën e tyre për liri.

    Administratori në këtë fshat, Murat Elshani derisa falënderoi të gjithë për kontributin e dhënë për këtë monument, u shpreh se UÇK ishte dhe mbeti gjithmonë e lavdishme.

    Driton Krasniqi, familjar i të rënëve ka falënderuar të gjithë për kontributin e kësaj pllake dhe për pjesëmarrjen.

    Kujtojmë se më datën 30 prill të vitit 1999, u vranë 42 dëshmorë në krye me heroin Ilaz Kodra, dhe mbi 280 martirë të fshatrave, Vërboc, Shtuticë, Tërstenik, Dashec, Baks, Gllobar dhe fshatra përreth. /kp

  • Agjencia e OKB-së paralajmëron se konflikti në Sudan mund të shkaktojë krizë rajonale

    Agjencia e OKB-së paralajmëron se konflikti në Sudan mund të shkaktojë krizë rajonale

    Dhuna e vazhdueshme në Sudan mund të zhysë të gjithë rajonin e Afrikës Lindore në një krizë humanitare, ka paralajmëruar Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (WFP).

    “Një e treta e popullsisë së vendit ishte e uritur edhe para se të shpërthejnë luftimet. Tani ka mungesë të gjithçkaje dhe çmimet e ushqimeve po rriten në qiell”, tha për dpa Martin Frick, drejtor i WFP-së në Gjermani.

    Rritje të ngjashme çmimesh po ndodhin edhe në shtetet fqinje si Sudani i Jugut.

    “Në Sudanin e Jugut, i cili po përballet me përmbytje në disa zona dhe thatësira në të tjera për shkak të krizës klimatike, çmimet e ushqimeve janë rritur me 28 për qind në një kohë shumë të shkurtër,” tha Frick.

    Presidenti de fakto i Sudanit, Abdel Fattah al-Burhan ka luftuar zëvendësin e tij Mohammed Hamdan Daglo me ndihmën e ushtrisë që nga 15 prilli.

    Daglo është lider i grupit paraushtarak, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF).

    Dy gjeneralët morën udhëheqjen e vendit prej rreth 46 milionë banorësh përmes dy grushteteve më 2019 dhe 2021.

    Qindra njerëz janë vrarë që nga fillimi i luftimeve dhe mijëra janë duke ikur nga vendi.

    Qeveritë nga e gjithë bota kanë nisur misione evakuimi për t’i transportuar qytetarët e tyre.

    WFP-së i është dashur të pezullojë mbështetjen e saj për 7.6 milionë njerëz në vend si rezultat i luftimeve.

    Sipas Frick, refugjatët që kanë gjetur strehim në Sudan, gratë shtatzëna ose fëmijët e kequshqyer nuk do të mbeten pa mbështetjen e WFP.

    “Sapo të lejojë situata e sigurisë, ndihma duhet të rifillojë”, tha ai.

  • Deklarohet KFOR-i për Urën e Ibrit: Kjo çështje të zgjidhet me dialog

    Deklarohet KFOR-i për Urën e Ibrit: Kjo çështje të zgjidhet me dialog

    KFOR-i është deklaruar në lidhje me hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim, duke thënë se kjo çështje duhet zgjidhur përmes dialogut politik.

    Kështu ka thënë KFOR-i në një përgjigje për Klankosova.tv.

    “Rihapja e urës së Austerlitz-it është një çështje që duhet zgjidhur përmes dialogut politik”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

    Tutje, KFOR-i tregoi se po vazhdojnë të monitorojnë të gjitha zhvillimet lokale dhe mbetet i fokusuar në zbatimin e Rezolutës 1244.

    “Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO vazhdon të monitorojë zhvillimet lokale dhe mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të parrezikshëm dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”.

    KFOR-i gjithashtu vazhdon të ofrojë mbështetjen e nevojshme të sigurisë në mënyrë që përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga BE të mund të ecin përpara.

  • Heqja e vizave rrezik për ikje më të madhe të profesionistëve shëndetësor

    Heqja e vizave rrezik për ikje më të madhe të profesionistëve shëndetësor

    Heqja e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës po konsiderohet si lehtësim për mjekët e infermierët që kanë synim që ta vazhdojnë ushtrimin e profesionit jashtë vendit.

    Madje, nga përfaqësuesit e këtij komuniteti, thonë se tani çfarëdo mase që do të ndërmarrë qeveria për përmirësimin e kushteve të profesionistëve shëndetësor, do të jetë vonë.

    Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu thotë se liberalizimi i vizave për kosovarët në zonën Schengen, do të ndikojnë të rritet numri i mjekëve nga Kosova.

    Ai thekson se efektet e kësaj ikje të mjekëve, do të ndihen brenda një periudhe pesë vjeçare.

    Kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Përparim Berisha po ashtu u shpreh se heqja e vizave, do të krijojë lehtësira të mëdha që edhe stafi infermieror të vazhdojë punën jashtë vendit.

    Ai tha se aktualisht ka mungesë të infermierëve, por kjo do të jetë edhe më e theksuar në të ardhmen.

    Berisha shtoi se pavarësisht masave që do të ndërmarrin institucionet përgjegjëse, nuk do të prodhojnë rezultate në ndaljen e eksodit të infermierëve.

    E ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u shpreh se dukuria e ikjes së profesionistëve shëndetësor edhe pa liberalizim të vizave po ndodh, por theksoi se kanë ndërmarrë masat që të parandalohet ky fenomen.

    E sistemi shëndetësor në Kosovë viteve të fundit është përballur me ikje të madhe të mjekëve dhe në veçanti të infermierëve. Vetëm në vitin 2022, ishin 205 mjekë të rinj që ikën jashtë Kosovës, derisa rreth 60 specialistë shëndetësor e lanë Shërbimi Spitalor Klinik Universitar të Kosovës për të vazhduar të punojnë në spitalet privat në vend, ku u ofruan paga shumë më të mira.

    Ndërsa, rreth 630 infermierë shkuan në vendet evropiane për të punuar.

    Më 18 prill, Parlamenti Evropian e miratoi vendimin për vizat për Kosovën, që i hapi rrugën qytetarëve të vendit që të lëvizin pa viza në vendet e zonës Schengen nga 1 janarit të vitit 2024. Ndërsa, një ditë më vonë në Strasburg është nënshkruar akti ligjor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën. /kp

  • Aktori që jeton me sëmundjen e parkinsonit që 30 vite

    Aktori që jeton me sëmundjen e parkinsonit që 30 vite

    I ftuar në CBS Sunday Morning, Michael J. Fox foli për diagnozën e parkinsonit, e cila iu shfaq që nga viti 1991.

    Sipas tij, të jetosh me Parkinson shkon e vështirësohet cdo ditë e më shumë.

    “Ju nuk vdisni nga Parkinson. Ti vdes me Parkinson. Nuk do të bëhem 80 vjeç”, tha ai, përcjell atvlive.tv.

    Michael J. Fox është një aktor, producent, dhe aktivist kanadez-amerikan.

    Ai u bë i njohur në vitet 1980 si një nga yjet kryesorë të filmit dhe televizionit, duke luajtur rolet kryesore në filma si “Back to the Future” dhe seriale televizive si “Family Ties”.

    Ai ka fituar 5 çmime Emmy dhe 4 Golden Globe gjatë karrierës së tij dhe është një aktivist i njohur për kërkimet shkencore mbi parkinsonin, një sëmundje që ai ka diagnozuar prej vitesh.

    Fox është themeluesi i Fondacionit Michael J. Fox, i cili synon të ndihmojë në financimin e kërkimeve për të gjithë ata që vuajnë nga Parkinsoni. /atvlive.tv

  • Japonia aprovon për herë të parë pilulë për abort

    Japonia aprovon për herë të parë pilulë për abort

    Pilula e abortit do të bëhet e disponueshme në Japoni për herë të parë, pasi Ministria e Shëndetësisë atje miratoi një ilaç që përdoret për të ndërprerë shtatzënitë në fazat e hershme.

    Aborti është i ligjshëm në Japoni deri në 22 javë, por zakonisht kërkohet pëlqimi nga bashkëshorti ose partneri, dhe deri më tani një procedurë kirurgjikale ka qenë opsioni i vetëm.

    Ministria tha në një njoftim për zyrtarët e kujdesit shëndetësor të premten se kishte miratuar një ilaç të prodhuar nga Linepharma.

    Kompania farmaceutike britanike paraqiti produktin e saj, një trajtim me dy hapa të mifepristonit dhe misoprostolit, për miratim në Japoni në dhjetor 2021.

    Ilaçe të ngjashme janë të disponueshme në shumë vende, duke përfshirë Francën, e cila miratoi për herë të parë pilulën e abortit në vitin 1988, dhe SHBA, ku ajo ka qenë e disponueshme që nga viti 2000.

    Miratimi i pilulës për t’i dhënë fund shtatzënive deri në nëntë javë pason një miratim të panelit të ministrisë, i cili u shty për një muaj pasi u bënë mijëra parashtresa publike, shkruan Guardian.

    Kostoja totale e pilulës së abortit dhe një konsultë mjekësore do të kushtojë rreth 700 euro. Abortet në Japoni nuk mbulohen nga sigurimi shëndetësor publik.

  • Ambasadorja gjermane në Beograd: Për keqardhje që Lista Serbe bojkotoi zgjedhjet

    Ambasadorja gjermane në Beograd: Për keqardhje që Lista Serbe bojkotoi zgjedhjet

    Ambasadorja gjermane në Serbi, Anke Konrad, ka përcjellë qëndrimin e vendit të saj se është për keqardhje që Lista Serbe bojkotoi zgjedhjet e fundit në veri të Kosovës.

    “Serbët e Kosovës, të cilët u larguan nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, duhet të kthehen në to sa më shpejt të jetë e mundur. Ky, meqë ra fjala, është edhe një nga obligimet nga Marrëveshja e Brukselit, si dhe obligimi për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Dhe po, Asociacioni tani duhet të zbatohet shpejt, ne jemi të vendosur për këtë”, tha diplomatja gjermane për Kuririn serb.

    Ajo shtoi se Asociacioni është “obligim kyç i Kosovës në këtë dialog” dhe se duhet të krijohen parakushte për të pa vonesë, por edhe që Serbia të zbatojë të gjitha obligimet e saj.

    Ambasadorja gjermane atje mes tjerash tha se marrëveshja evropiane për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e ashtuquajtura marrëveshja franko-gjermane, është pranuar nga të dyja palët dhe se tani e kanë obligim ta zbatojnë atë pa asnjë diskutim dhe pa kushte të reja, përcjell Danas.

    “Të dyja palët do të kenë përfitime konkrete nga zbatimi i marrëveshjes, sepse tensionet aktuale janë helm për të ardhmen e njerëzve, për investimet ekonomike dhe vendet e punës dhe pa normalizimin e marrëdhënieve nuk do të ketë anëtarësim në BE”, shtoi ajo.

  • Parashikimi i motit me Erza Hotin

    Parashikimi i motit me Erza Hotin

    Dita e sotme në vendin tonë do të mbajë me mot të kthjellët, ndërsa gjatë pas ditës pritet të ketë vranësira ku mund të ketë edhe reshje të shiut në disa zona.

    Temperatura minimale do të jetë në Gjakovë me 6 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prizren me 19 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë kryesisht e kthjellët, ndërsa gjatë pasdites pritet të ketë vranësira.

    Temperatura minimale do të jetë në Gjakovë me 9 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prishtinë me 20 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit me Erza Hotin në ALARM të ATV-së, mund ta gjeni në videon e më poshtme:

  • Draft-statuti i Asociacionit, kërkohet që fillimisht të vlerësohet nga Kushtetuesja

    Draft-statuti i Asociacionit, kërkohet që fillimisht të vlerësohet nga Kushtetuesja

    Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po i kërkohet që mos të ngutet për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Dy ditë para takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, ku do të diskutohet për draft-statutin e Asociacionit, Kurti porositet që mos të bëjë gabime në hapa për Asociacionit, derisa Serbia po e shkel vazhdimisht marrëveshjen e Ohrit. Megjithatë, opozita në Kosovë apelon ndaj kreut qeveritar që çfarëdo draft-statuti për Asociacionin fillimisht të dërgohet për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese. Mirëpo, në partinë në pushtet shprehen të vendosur se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe që nuk do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

    Njohësi i procesit të dialogut Kosovë-Serbi, Seb Bytyçi thotë se është ende herët për miratimin e statutit të Asociacionit, andaj Kosova nuk duhet të ngutet për zbatimin e disa pikave të marrëveshjes së Ohrit, derisa Serbia nuk po e zbaton të njëjtën.

    Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, deklaron se statuti i Asociacionit, fillimisht si draft duhet të shkojë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, para se të jepet ndonjë aprovim prej Qeverisë së Kosovës.

    Megjithatë, ai shpreh shqetësim se në bazë të aneksit për zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, pika shtatë ku flet për vetëmeneaxhim të komunitetit serb, nuk i referohet fare Gjykatës Kushtetuese.

    Mirëpo, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se në bazë të tri parimeve të prezantuara nga kryeministri Albin Kurti, asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe as nuk do të ndërhyjë në sistemin kushtetues të Kosovës.

    Ajo thekson se pajtueshmëria për Asociacionin vetëm në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në vitin 2015, garancia e ish-përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe qëndrimi i përfaqësuesve amerikan, Chollet dhe Escobar se çka është dhe çka nuk është Asociacioni, janë bazë e mirë për hartim të një statuti për Asociacionin.

    Kryeministri Albin Kurti do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq më 2 maj në Bruksel. Bashkimi Evropian ka publikuar agjendën, ku fillimisht do të bëhet nënshkrimi i deklaratës për personat e zhdukur si pikë e parë, e cila do të pasohet me diskutimet për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje bazë në Bruksel më 27 shkurt, ndërkaq janë pajtuar edhe për aneksin e zbatimit të saj më 18 mars në Ohër./kp/

  • Kosova e rrezikuar nga përhapja e sëmundjes së fruthit – IKShPK bën thirrje për vaksinimin e fëmijëve

    Kosova e rrezikuar nga përhapja e sëmundjes së fruthit – IKShPK bën thirrje për vaksinimin e fëmijëve

    Shefja e njësisë se vaksinimit në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Fetije Fetaj ka thënë se arrë parasysh që në Evropë javëve të fundit është përhapur sëmundja e fruthit, edhe Kosova është e rrezikuar nga kjo sëmundje.

    Por sipas saj vendi është i përgatitur për t’u përballur me çdo situatë. Ajo tha se shqetësuese është mos vaksinimi i fëmijëve të komunitete rom, ashkali dhe egjiptas, e sidomos mosvaksinimi kundër sëmundjes së fruthit.

    Doktoresha Fetaj tha se Kosova është në rrugë të mbarë sa i përket imunizimit dhe se vaksinimi në vend është mbi 92% në kalendarin e rregullt.

    “Atëherë vaksinimi në Kosovë ka një traditë të mirë me dekada, ne kemi një përqindje shumë të mirë të vaksinave edhe pse tre vitet e fundit pandemi s’kishim një rënie të mbulueshmërisë, por këtë vit është vërejt që prapë jemi në rrugë të mbarë dhe vaksinimi diku është mbi 92% në kalendarin e rregullt në Kosovë”, tha ajo.

    “Faktikisht sëmundja e fruthit është një sëmundje shumë ngjitëse dhe po jemi të rrezikuar sepse është shfaqur në të gjithë Evropën, edhe në shtetet e rajonit edhe lëvizjet e mëdha të popullatës normalisht që unë pres që kemi me pasë raste të fruthit. Domethënë për të qenë rehat Kosova dhe ne Institut Kombëtar i Shëndetësisë Publike, përqindja duhet të jetë mbi 95%, pikërisht për sëmundjen, për fruthin. Komunitetet rom, ashkali, egjiptas e kemi një përqindje më të ulët të përfshirjes, plus nuk e dimë edhe sa fëmijë faktikisht saktësisht i kemi nga këto komunitete për shkak se një pjesë e tyre nuk janë edhe të regjistruar, ose asnjëherë s’kanë qenë në qendrat e vaksinimit dhe një pjesë tjetër, plus kanë marrë disa vaksina por jo të përfunduar komplet kalendarin sipas orareve që janë të shpërndara”.

    Ajo tha se vetëm vitin e kaluar me ekipe mobile së bashku me UNICEF-in janë vaksinuar mbi 2500 fëmije të këtyre komuniteteve.

    Ajo theksoi se janë duke punuar që t’i identifikojnë fëmijët që nuk janë të vaksinuar kundër fruthit, pasi sipas saj, sëmundja është tepër ngjitës.

    “Ne jemi bashkërisht me UNICEF-in në terren me ekipet mobile që vetëm vitin e kaluar me sesione të vaksinimit derë me derë , faktikisht janë vaksinuar diku mbi 2500 fëmijë të këtyre komuniteteve, edhe që për mua është një e arritur edhe një qetësi faktikisht sepse janë vaksinuar fëmijët, por prapë unë këtë javë e pashë se kemi dalë në terren, kemi fëmijë të pa vaksinuar nga këto komunitete edhe të moshave të ndryshme, ka fëmijë që janë 13 ose 14 vjeç se ka marrë, ndoshta vetëm një vaksinë në lindje dhe nuk ka marrë më”.

    “Kjo po rrezikohemi po shpresojmë edhe kemi punuar shumë, jo vetëm gjatë kësaj jave ne kemi vazhduar edhe prej janarit faktikisht, në shfaqjen e parë të rasteve, ne veç kemi filluar me ekipet mobile me i identifikuar fëmijët e pa vaksinuar dhe t’i vaksinojmë sa më shpejtë, që të paktën të mundohemi që edhe nëse vjen fruthi, sepse po them është sëmundje që është tepër ngjitëse, të paktën ta kemi në përmasa më të ulëta”, tha ajo.

    Fetaj sqaroi se vendi ka mjaftueshëm vaksina si për kalendarin e rregullt si dhe vaksinat me indikacione dhe për këtë arsye ajo bënë thirrje që familjarët t’i vaksinojnë fëmijët e tyre.

    “Vaksinat janë të mjaftueshme, ne me vite e vite nuk kemi problem këtë, Ministria e Shëndetësisë siguron një stabilitet financiar edhe për vaksinat e kalendarit të rregullt, plus edhe vaksinat me indikacione, kështu që asnjë moment asnjë problem nuk është për vaksina. Pastaj është shpërndarja, unë për atë po iu bëj thirrje, sepse ne për atë kemi shpërndarë vaksinat në çdo qendër të mjekësisë familjare, QKMF, QMF, AMF që të jetë qasja sa më e lehtë edhe prindi ta ketë sa më të lehtë që t’i sjellë fëmijët e tyre për t’u vaksinuar”.

    “Iu bëj thirrje prindërve që të shikojnë kartelën e vaksinimit, ne e dimë që janë disa vaksina që merren gjatë fëmijërisë e sidomos pa i bërë fëmija 2 vjet, të sigurohet që a i kanë të plotësuar, komplet kalendarin se mund të iu shpëtojë ndonjë vaksinë, nëse nuk janë të sigurt të ofrohen nëpër qendrat e tyre të afërme të shikojnë edhe punëtorët shëndetësorë, profesionistët tanë i tregojnë se cila vaksinë e ka radhën ose i ka kryer vaksinat”, tha ajo për EO.