ATV

Category: Lajme

  • Deputetja e majtë gjermane ia mban anën Serbisë, thotë se Berlini po i kontribuon konfliktit në Kosovë

    Deputetja e majtë gjermane ia mban anën Serbisë, thotë se Berlini po i kontribuon konfliktit në Kosovë

    Deputetja e majtë gjermane ia mban anën Serbisë, thotë se Berlini po i kontribuon konfliktit në Kosovë

    Zhaklin Nastiq, një deputete e majtë në Gjermani ia ka mbajtur anën Serbisë, duke pretenduar se “Berlini po i kontribuon konfliktit në Kosovë”.

    Ajo është marrë edhe me Qeverinë e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, duke përmendur ish-policët serbë të arrestuar, që sipas saj “kanë qenë arrestime arbitrare”.

    Pos tjerash deputetja majtiste kërkon nga shteti i saj ”të mos mbajë anë”.

    “I bëj thirrje qeverisë gjermane të bëjë një ndryshim rrënjësor në politikën e saj dhe të marrë parasysh interesat e të dyja palëve dhe të punojë për lëshime reciproke”, ka thënë deputetja gjerman, deklaratën e së cilës e ka transmetuar portali propagandistik në gjuhën serbe kosovo-online.

    Ajo po ashtu ka kërkuar që perëndimi t’i bëjë presion Kurtit, duke e akuzuar kreun e ekzekutivin kosovar për veprime të njëanshme. Kjo deputete ka eskaluar më tej duke e quajtur Kosovën si ”shtet artificial“.

    “Nëse të ashtuquajturat vlera perëndimore, që krijuan këtë shtet artificial, nuk i bëjnë presion të mjaftueshëm Kurtit, ai do të vazhdojë të luajë lojën e tij të politikës nacionaliste”, ka vazhduar deputetja me retorikë ekstremiste.

    Nastiq edhe më parë kishte dhënë deklarata kundër shtetit të Kosovës, diçka në kundërshtim me qëndrimin zyrtar të Berlini të cilët e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, menjëherë pas shpalljes.

  • Analisti i Evropës Juglindore: NATO, duhet të miratojë kërkesën ‘për hapjen e Urës së Ibrit’

    Analisti i Evropës Juglindore: NATO, duhet të miratojë kërkesën ‘për hapjen e Urës së Ibrit’

    Analist i Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor nga Instituti i Evropës së Re, Jakub Bielamowicz ka thënë se për Serbinë, dhe ndërmjetësuesit si i Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian, për dialogun ndërmjet Kosovën dhe Serbinë Miroslav Lajçak kurrë nuk ka kohë ideal për ta hapur rrugën mbi lumin Iber.

    “NATO, duhet të miratojë kërkesën [për hapjen e Urës së Ibrit] dhe ta zbatojë atë [që ta mundësojë lëvizjen e lirë për qytetarëve]”, ka thënë Bielamowicz.

    “Për Serbinë-paqtuesit si @MiroslavLajcak dhe bashkë, nuk do të ketë kurrë një moment të mirë”.

    Sipas tij dy komunitetet kanë të drejtë të lëvizin lirshëm.

    “Katër ura të tjera janë tani në funksion. Të dy komunitetet kanë të drejtë të lëvizin lirshëm dhe duhet të bashkohen dhe jo të tjetërsohen”, ka shkruar ai në Twitter.

  • Opozita do t’i drejtohet Kushtetueses për vlerësim nëse dakordohet draftstatuti i Asociacionit

    Opozita do t’i drejtohet Kushtetueses për vlerësim nëse dakordohet draftstatuti i Asociacionit

    Më 2 maj në Bruksel do të mbahet takimi i parë që nga marrëveshja për aneksin e zbatimit në Ohër në mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuciq, ku njëra nga pikat e diskutimit do të jetë draftstatuti i Asociacionit. Njohës të çështjeve thonë se dakordimi mes dy palëve mund të arrihet vetëm nëse ndërmjetësuesit dalin me një propozim të tyre. Opozita ka paralajmëruar se draftin për AKS-në do ta dërgojë në Kushtetuese.

    Dy ditë para takimit Kurti-Vuçiq, që pritet të mbahet në Bruksel ku pritet të diskutohet për draftstatutin e Asociacionit dhe çështjen e të pagjeturve, njohës të çështjeve thonë se dakordimi mes dy palëve për këtë draft mund të arrihet vetëm në rast se ndërmjetësuesit propozojnë diçka të obligueshme.

    Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, thotë se nëse ndërmjetësuesit nuk propozojnë një draftstatut që i obligon të dyja palët për dakordim, nuk pritet pajtim mes palëve.

    “Sigurisht që kryeministri Kurti do të propozojë një draftstatut me kompetenca shumë të zbehta të asociacionit. Ndërkohë që presidenti Vuciq do të propozojë një draftstatut që do të jetë i barabartë me Republika Srpska dhe këtu ka një hapësirë shumë të madhe që kompromisi mund të jetë shumë i largët dhe gati i pamundur, në rast se ndërmjetësuesit nuk do të propozojnë një variant të tyre, i cili do të jetë në formën merre ose lëre”, ka thënë Spahiu.

    Por opozita thotë se çfarëdo draftstatuti për Asociacionin para miratimit nga Qeveria, fillimisht duhet të dërgohet për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

    “Nuk duhet si e tillë marrëveshja e Ohrit të kalojë sepse sikur po ndërton një rend paralel kushtetues në Kosovë e që është e papranueshme dhe tash meqenëse kemi ardhë në këtë fazë, na ka futur në këtë cikël, ky kryeministër, detyrimi për të është që të përfundojë kjo çështje në Gjykatë Kushtetuese si draft, si dokument në momentin kur ka një pëlqim apriori prej dy palëve pa Gjykatën Kushtetuese, unë mendoj që pasojat për Kosovën mund të jenë shumë të mëdha”, ka thënë Driton Selmanaj, deputet i LDK-së.

    E shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se në bazë të tri parimeve të prezantuara nga kryeministri Kurti, Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe as nuk do të ndërhyjë në sistemin kushtetues të Kosovës.

    “Në këto parime në të cilat assesi nuk ka kompetencë ekzekutive, assesi nuk ka ndërhyrje në sistemin kushtetues dhe rendin kushtetues të Kosovës, ndërtohet një draft në bazë të cilit diskutohet. Tash ne veç kemi filluar t’i dëgjojmë deklaratat e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuciq në raport me këto parime dhe në raport me këtë qasje e cila është e mbështetur nga të gjithë, përveç atij duket apo përveç palës serbe”, ka thçnç Kusari-Lila.

    Kryeministri Albin Kurti do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq të martën në Bruksel, ku nga Bashkimi Evropian kanë konfirmuar se në takimin e dy palëve do të miratohet deklarata për të pagjeturit dhe do të nisin diskutimet për propozimin e parë të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje bazë në Bruksel më 27 shkurt, ndërkaq janë pajtuar edhe për aneksin e zbatimit të saj më 18 mars në Ohër.

  • Sot shënohet 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punës

    Sot shënohet 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punës

    Dita e parë e muajit Maj njihet ndryshe edhe si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.

    Çdo vit, në këtë ditë, në mbarë globin njerëzit marshojnë nëpër rrugë për të përkujtuar 1 Majin dhe për të kërkuar kushte më të mira të punës.

    Kjo ditë iu referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës dhe kërkesa e pare publike është paraqitur në Australi gjatë vitit 1885 nën moton 8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”. Një moto që i hapi rrugën kërkesave të tjera të përgjithshme dhe caktimit të një dite, pikërisht në 1 maj, ku të gjithë punëtorët mund të takoheshin për të mbrojtur autonominë e tyre.

    Zgjedhja e kësaj date u bë si pasojë e incidenteve të rënda të ndodhura në ditët e para të majit të vitit 1886 në Chicago, që njihen si revolta e “Haymarket”. Në mes të ‘800-ës, punëtorët nuk kishin të drejta, punonin dhe 16 orë në ditë, në kushte shumë të këqija dhe shpesh humbnin jetën në vendet e punës.

    Në 1 maj të 1886-ës u mbajt një grevë e përgjithshme në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të reduktuar ditën e punës në 8 orë. Protesta zgjti tri ditë dhe kulmoi në 4 maj, me një masakër të vërtetë ku mbetën të vrarë 11 persona.

    1 maji në Evropë, historikisht ka qenë gjithmonë i lidhur me festivalet tradicionale rurale të fermerëve, por më vonë u lidh me lëvizjen moderne të punës. Vendimi që 1 maji të shënohet çdo vit dhe në të gjitha vendet të njihet si “Dita e Punëtorëve” u mor në vitin 1891 në Bruksel.

    Çdo vit në po të njejtën ditë njerëzit në mbarë botën përkujtojnë Ditën e Punës, të njohur edhe si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, me protesta në shkallë të gjerë të realizuar nga sindikatat.

    Në shumë vende, 1 Maji është një festë zyrtare publike dhe punëtorët e kanë ditë pushimi. /atvlive.tv

  • Dodik-Daçiqit: Nuk ka njohje të Kosovës, s’ua njohim as letërnjofimet

    Dodik-Daçiqit: Nuk ka njohje të Kosovës, s’ua njohim as letërnjofimet

    Dëmi që i është bërë Bosnje-Hercegovinës me abstenim në votim në aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës “është definitiv”, ka thënë lideri ultranacionalist i “Republika Srpska”-s, Milorad Dodik, derisa është shprehur se Bosnje-Hercegovina, për sa i përket edhe entitetit serb në të, nuk do ta njohë shtetin e Kosovës. Madje, deklarimet ai ka çuar edhe më tej. “Pse duhet që Serbia t’ia respektojë integritetin territorial Bosnje-Hercegovinës nëse Bosnje-Hercegovina nuk ia respekton intergritetin territorial Serbisë?”.

    Këtë deklarim e bëri në kontekstin e “mllefit” të Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, pas abstenimit të votës së Bosnje-Hercegovinës ndaj aplikimit në Këshill të Evropës, i cili i bëri thirrje edhe që BeH të deklarohet rreth asaj se a e njohin ose jo Kosovën. Këtu ndërhyu Dodik me pëgjigje negative.

    “Nuk besoj se kërkesa e Daçiqit mund të ndërrojë gjë, por do të ishte interesante të vendoset në agjendën e Presidencës (tripalëshe të BeH-së)”, ka thënë Dodik, siç e citoi Pink Tv. “Mendoj se Kryesuesja (e Presidencës tripalëshe), Zheljka Cvijanoviq, duhet ta vendos në agjendë. Duke e ditur situatën e tashme, mendoj se Myslimanët nën presionin e Bashkimit Evropian dhe Amerikës po sillen në atë mënyrë. Sa për ne, Kosovën nuk e njohim”.

    Por, jo vetëm kaq. Dodik shprehet me siguri të plot se as marrëveshja e miratuar në kuadër të Procesit të Berlinit për heqjen e regjimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës “nuk do të kalojë”. Jo vetëm pasaportat, por as letërnjoftimet e kosovarëve nuk do të njihen në Bosnje-Hercegovinë, vazhdoi ai.

  • Fshati Hajvali, pa pritore për autobusë

    Fshati Hajvali, pa pritore për autobusë

    Banorët e fshatit Hajavli, të komunës së Prishtinës, në këmbë e presin autobusin.

    Në këtë fshat janë vetëm dy ulëse ku mund të presin qytetarët deri të vie autobusi.

    Por edhe këto dy ulëse i vendosën vetë banorët, pasi që komuna nuk ka bërë ende asgjë në këtë drejtim.

    “Problem për neve të moshuarit është shumë problem në Hajvali ska kërkund”, thotë Ibrahim Bajrami, banor.

    Ilirik Musliu, drejtor i shërbimeve publike në komunën e Prishtinës thonë se janë ne dijeni për problemin dhe se këtë vit prioritet i tyre do të jete vendosja e pritoreve në këtë fshat.

    “Kemi punuar në sinjalizim e shënjëzim së fundmi e jemi duke punuar edhe në ndriqim, por e fundit që do të bëjë këtë vit do të jetë vendosja e pritoreve. Pritoret që i kemi larguar nga qyteti do ti vendosim nëpër fshatra”, tha Musliu.

    Ndërkaq, Komuna e Prishtinës vitin 2023 e ka shpallur vit të trafikut publik. /atvlive.tv

  • Trepça “rrugës” për t’u bërë me flotacion të ri

    Trepça “rrugës” për t’u bërë me flotacion të ri

    Një pjesë e 20 milionë eurove në formë huaje nga Qeveria do të shkojnë për ndërtimin e flotacionit të ri në kombinatin metalurgjik Trepça.

    Drejtori i kësaj ndërmarrje në Stan Tërg, Bexhet Virnaci thotë se me realizimin e këtij projekti do të përfitoj ndërmarrja e rrjedhimisht edhe shteti.

    “Me instalimin e kësaj fabrike të flotime dukshëm do shkurtohen humbjet, do rriten efiqienncat në energji, në kualitetin e mineraleve dhe në humbje më të vogla. Delegacioni nga Finlanda ka marrë përsipër këtë detyrë”, tha drejtori i njësisë biznesore në Stantërg, Bexhet Vinarci.

    Edhe ekonomisti Safet Gërxhaliu e mirëpret ndërtimin e flotacionit të ri.

    Mirëpo, duke përmendur faktin se çmimet e metaleve në berza ndërkombëtare janë të larta, sipas tij do të ishte pozitive nëse do t’i shtohej edhe shkritorja.

    “Besoj se është koha kur duhet ta kemi një flotacion, ku duhet ta ndërprejë avazin e eksportit të xehes në formë koncentrati, duhet ta kemi një përpunim të paktën të shiten si gjysmë produkte sepse vlera e metalave të ndara do jetë shumë më e madhe se sa të shiten si koncentrat”, tha Safet Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë.

    Ndërkaq, referuar raportit vjetor të ndërmarrjes, pa përfshirë njësinë biznesore Kopaonik-Leposaviq, “Trepça” gjatë vitit 2022 ka pasur të hyra prej mbi 23 milion eurosh nga shitja e koncentratit të plumbit dhe të zinkut.

    Ndërsa, raporti i publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit tregon se nga viti 2019 deri në atë 2021 ndërmarrja operoi me mesatarisht 600 mijë euro në muaj. /atvlive.tv

  • Hapja problematike e urës së Ibrit

    Hapja problematike e urës së Ibrit

    Jo fort larg urës kryesore që ndanë Mitrovicën e Jugut me atë të veriut, qytetarët e të dyja pjesëve mund të lëvizin pa asnjë pengesë.

    Në të dyja anët e sajë, ka ura alternative, në të cilat kalojnë edhe automjetet.

    Andaj edhe krejt kjo rezistencë e palës serbe që ura kryesore të mos hapet, thuhet të jetë për arsye të tjera.

    Kësisoj, sipas profesorit Nexhmedin Spahiu, kuvendi komunal i Mitrovicës së Veriut, do të duhej të ndryshonte renditjen e vendimeve, e prioritet të ishte ndërtimi i Xhamisë, pasi kështu serbët do ishin humbës.

    Por sidoqoftë, me vendimin fillestar të komunës, dakord janë edhe nga niveli qendror.

    “Liria e lëvizjes është ndër liritë themelore të rregulluara e garantuara me kushtetutën e Kosovës, si dhe me instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore. Paragrafi i parë i nenit 35 garanton lëvizjen e lirshme të qytetarëve në Republikën e Kosovës në çdo vendbanim. Çfarëdo pengese në lirinë e lëvizjes cenon këtë të drejtë themelore. Prandaj edhe vendimi për heqjen e pengesave të tilla është veprim i drejtë dhe i duhur. Kosova është e gjithë qytetarëve të saj dhe ata gëzojnë të drejtën të lëvizin lirshëm në gjithë territorin e saj”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.

    Megjithatë, ekzekutivi kosovar duket se në këtë rrugë është vetëm.

    Krahas kushdërshtimeve verbale të serbëve, kundër vendimit për hapjen e urës mbi lumin Ibër pa marrëveshje politike kanë dal edhe ndërkombëtarët, përfshirë edhe misionin paqeruajtës KFOR. /atvlive.tv

  • Përkujtohen 42 dëshmorë dhe 280 martirë në Drenas

    Përkujtohen 42 dëshmorë dhe 280 martirë në Drenas

    Udhëheqës të komunës së Drenasit dhe Skenderajt u bënë bashkë për t’i kujtuar në 24 vjetorin e rënies heroin e kombit Ilaz Kodra, 42 dëshmorët dhe mbi 280 martirët e dy komunave.

    Më këtë rast zbuluan edhe pllakën përkujtimore në fshatin Gllobar, e cila sipas nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitaku ka simbolikë të veçantë.

    “Në Gllobar, Drenas e Drenicë flasin përmendoret, flasin emrat e rrugëve, flasin emrat e shkollave, e shesheve, flasin rrudhat në ballin e bacës Murat. Këtu nuk ka vend për fjalë, vetëm për respekt, falënderim e mirënjohje. Këta kanë rënë për të mos vdekur kurrë”, tha Çitaku.

    Ndërkaq, nënkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala tha se kjo pllakë përkujtimore shërben si dëshmi edhe për brezat e ardhshëm që të dinë se lufta për liri ishte e drejtë.

    “Ky fshat u bë strehë për qindra të ikur nga fshatra përreth edhe pse duke qenë në afërsi të Drenasit rreziku ishte i përhershëm. Humanizmi juaj, dëshira për të qëndruar në tokat e shtëpitë e juaja i tregoi armikut se Kosova nuk është e tyre por e juaja. Por, si në çdo fshat në këtë rajon dhe më gjerë, në tërë Kosovën, liria erdhi me luftën, mundin, vuajtjet, gjakun e sakrificën e bijve më të mira, pllakën në nderim të cilën po e përurojmë sot. Ne çdoherë kujtojmë dëshmorët dhe martirët me dhimbje e respekt dhe kjo pllakë përkujtimore është dëshmi për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm se lufta ishte e drejtë”, tha Shala.

    Njëjtë thotë edhe përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta, Enver Hajdari.

    “Është mirë që po e vendosim këtë shenjë, edhe pse me vonesë dhe simbolike por të paktën ta kujtojmë luftën dhe të themi që këtu ka qenë një luftë e drejtë e UÇK-së dhe është bërë një masakër ndaj këtij populli të pafajshëm. Është dhimbje t’i kujtojmë pas 24-viteve, sepse ta hupësh një anëtar të familjes është punë e madhe por në anën tjetër është krenari, sepse pa luftën e UÇK-së, dëshmorët, martirët, pa veteranët e luftës në krye me komandantin legjendar, nuk do ta gëzonim sot këtë liri edhe pse nuk e kemi as lirinë të plotë, sepse synimi ishte bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare”, tha Hajdari.

    Më 30 prill kujtohen dëshmorët dhe martirët e rënë në këtë datë në vitin 1999 në fshatrat Vërboc, Shtuticë, Tërstenik, Dashec, Baks, Gllobar dhe fshatra përreth. /atvlive.tv

  • Objekti i djegur i ish-policisë serbe në fshatin Cërmjan të Gjakovës që u kujton maltretimet banorëve

    Objekti i djegur i ish-policisë serbe në fshatin Cërmjan të Gjakovës që u kujton maltretimet banorëve

    Prezenca e këtij objekti po i shqetëson banorët e fshatit Cërmjan të Gjakovës.

    Për Hysni Hoxhën, ky objekt, i cili ishte stacion i policisë serbe i sjellë ankth.

    Ai i kujton maltretimet që policët serbë i shkaktuan atij dhe banorëve të tjerë të fshatit gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    “Objekti mbrapa meje është me qindra vjet, ka shërby për xhandarmërrinë serbe dhe për m’i kry detyrat e Serbisë kundër popullit shqiptar. N’luftën e fundit neve këtu na kanë maltretu në këtë objekt, me qindra njerëz i kanë marr, i kanë rreh, i kanë maltretu, i kan myt edhe me çekiç”, tha Hysni Hoxha, banor i fshatit Cërmjan.

    Hoxha si anëtar i kryesisë së këtij fshati, me pëlqimin e banorëve tha se këtë objekt duan ta shndërrojnë në një objekt për zjarrfikës.

    “Jemi në komunikim me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Na po dojm me bo në objekt për zjarrfiksa, mas mirti osht kon Ministria me naj bo objekt për zjarrëfikësit, me një objekt të bukur me u zbukuru fshati, se me këtë pamje edhe fëmija po frikësohen, sepse në këtë objekt kanë vdek shumë njerzë”, tha Hoxha.

    Kryetari i Këshillit lokal në këtë fshat, Shpend Shala tha se kanë bërë kërkesë në Ministri për rregullimin e objektit, por ata nuk kanë dhënë ende dritën jeshile.

    “Osht një pamje me të vërtetë e shëmtume. Kemi bërë kërkesë që me shndërru në objekt të zjarrëfikësve, në mënyrë që t’i rregullohet pamja fshatit”, tha kryetari i Këshillit Lokal në Cërmjan, Shpend Shala.

    Lidhur me këtë çështje, ATV-ja ka kërkuar përgjigje nga zyrtarët përgjegjës në Ministri të Punëve të Brendshme, por askush në këtë institucion nuk është përgjigjur. /atvlive.tv