ATV

Category: Lajme

  • Dy persona dhunojnë seksualisht një vajzë të mitur, e kërcënojnë se do t’ia publikojnë fotot intime

    Dy persona dhunojnë seksualisht një vajzë të mitur, e kërcënojnë se do t’ia publikojnë fotot intime

    Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Në shumë prej tyre, viktima janë vajzat e shpesh të dyshuar, janë persona të njohur të tyre të cilët përkundër moshës minorene të viktimave, krijojnë raporte intime me to dhe i keqpërdorin seksualisht.

    Një ngjarje e trishtë ka ndodhur dy muaj më parë në Prishtinë, mirëpo është denoncuar vetëm para pak ditësh.

    Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e mitura ka ngurruar ta denoncojë tmerrin që i ka ndodhur për shkak të kërcënimeve që ka marrë nga të dyshuarit, se do t’ia publikojnë fotografitë intime të cilat cenojnë integritetin dhe privatësinë e saj.

    Në kuadër të veprimeve hetimore, vajza është dërguar për ekzaminime mjekësore në Institutin e Mjekësisë Ligjore, teksa dje është arritur që të identifikohen dy personat e dyshuar të cilët janë po ashtu të mitur.

    Njëri nga të dyshuari është arrestuar dhe i njëjti gjatë intervistimit ka pranuar se ka qenë me vajzën e mitur, ndërsa i dyshuari tjetër nuk është paraqitur ende në stacion policor.

    Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.

  • Bundestagu pritet t’ia vazhdojë ushtarëve të saj në Kosovë

    Bundestagu pritet t’ia vazhdojë ushtarëve të saj në Kosovë

    Të mërkurën e kësaj jave, qeveria gjermane ka marrë vendim që mandati i ushtarëve gjermanë të KFOR-it në Kosovë, të vazhdohet dhe për një vit.

    Në fakt ky është misioni më i gjatë i Gjermanisë jashtë territorit të saj.

    Me këtë vendim, qeveria ka vendosur ta vazhdojë mandatin e rreth 70 ushtarëve që veprojnë në kuadër të KFOR-it në Kosovë.

    “Ndonëse Gjermania mundet që të dërgojë në afat të shkurtër në Kosovë, deri 400 ushtarë në rast nevoje”, tha Bahri Cani, gazetar nga Deutsche Welle, në një raportim të drejtpërdrejtë nga Boni për RTK-në, në programin e mëngjesit.

    Sipas tij, vazhdimin mandatit të ushtarëve të saj në Kosovës, qeveria gjermane e ka arsyetuar me tendosjen e situatës sidomos në veri të vendit.

    “Në shpjegimin e autoriteteve gjermane thuhet se vazhdimi i mandatit është i një interesi të madh strategjik, në veçanti nga perspektiva e agresionit rus në Ukrainë”, u shpreh Cani.

    Ai shpjegoi se sigurinë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, Gjermania e shikon si një çështje të interesit gjeostrategjik.

    “Megjithatë, ky vendim i qeverisë duhet të konfirmohet dhe në Bundestag në javën që vjen”, tha ai, ndonëse Cani sqaroi se kjo konsiderohet më shumë si diçka formale, sepse vendimi tashmë është marrë.

    Në lidhje me këtë ai sqaroi se vazhdimin e misionit të ushtarëve gjermanë në Kosovë e mbështesin jo vetëm partitë në pushtet, si socialdemokratët, ekologjistët dhe liberalët, por edhe unioni CDU/CSU në opozitë.

    “Kundër vazhdimit të misionit janë partitë e majta dhe Alternativa për Gjermanisë, AFD. Por këto parti nuk kanë fuqinë e pengimit, prandaj vazhdimi i misionit ushtarak gjerman në kuadër të KFOR-it mund të konsiderohet si punë e kryer”, tha ai.

    Në këtë rast, për dallim nga misionet e tjera të ushtrisë gjermane, misioni ushtarak i saj në kuadër të KFOR-it në Kosovë është pa kufizim kohor, ndonëse duhet që të konfirmohet çdo vit.

    Aktualisht misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO në Kosovë ka rreth 3 mijë e 800 pjesëtarë, nga 27 shtete të ndryshme.

    Në fillim të tij në qershor 1999, KFOR-i numëronte rreth 40 mijë ushtarë.

  • “Nuk doja t’i shihja kur vuanin”, infermieri holandez pranon se ka vrarë 20 pacientë me Covid-19

    “Nuk doja t’i shihja kur vuanin”, infermieri holandez pranon se ka vrarë 20 pacientë me Covid-19

    Një rast i tmerrshëm ka tronditur Holandën. Një infermier ka rrëfyer se ka vrarë të paktën 20 pacientë me koronavirus sepse nuk donte t’i shihte ata të vuanin.

    Opinioni publik në Holandë është tronditur nga zbulimet për veprimet e infermierit, 30-vjeçarit Theodore B., i cili dyshohet se ka zbuluar aktin e tij të urryer para stafit infermieror të klinikës së shëndetit mendor, ku ishte trajtuar për disa javë në të kaluarën.

    Vrasjet, të cilat po hetohen nga zyra e prokurorit publik holandez, dyshohet se kanë ndodhur midis marsit 2020 dhe majit 2022 në spitalin Wilhelmina në Assen.

    Siç njofton prokuroria, vrasësi në bisedat që ka pasur me personelin infermieror të klinikës psikiatrike ku ishte shtruar ka zbuluar për vdekjen e afro 20 pacientëve.

    30-vjeçari u arrestua tre javë më parë në shtëpinë e tij në Veenhuizen dhe të enjten u la në paraburgim edhe për një muaj tjetër. Hetimi për vdekjet e raportuara është ende në vazhdim.

    Tashmë autoritetet po përpiqen të zbulojnë përmes të dhënave të spitalit se sa vdekje të pacientëve kanë ndodhur kur personi në fjalë ishte në detyrë.

  • Kërkohet rishikimi i aktakuzës për infermieret që sulmuan të moshuarën në Pejë

    Kërkohet rishikimi i aktakuzës për infermieret që sulmuan të moshuarën në Pejë

    Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ka reaguar pas aktakuzës lidhur me rastin e ndodhur në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë, kur një e moshuar rezidente në këtë shtëpi ishte keqtrajtuar fizikisht nga stafi i kësaj shtëpie.

    QRMT i ka bërë thirrje Prokurorisë Themelore në Pejë dhe Gjykatës Themelore në Pejë, që ta rishikojnë këtë aktakuzë dhe të ri kualifikojnë veprën penale, sepse dhuna e përdorur ndaj të moshuarës është bërë në institucion të licencuar nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe personat që kanë ushtruar dhunë ndaj të moshuarës kanë qenë të punësuara në atë institucion.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Pejë, ndaj 3 infermiereve të kësaj shtëpie është ngritur aktakuza për veprën penale “Sulmi”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    “Bazuar në pamjet e publikuara në media shihej qartë përdorimi i dhunës dhe poshtërimi ndaj të moshuarës në ambientet e Shtëpisë së të Moshuarve në Pejë. QKRMT kishte kërkuar që veprimet ndaj të moshuarës të trajtohet si vepër penale: “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” (neni 195), apo të “Torturës” (neni 196) pasi që veprimet ndaj të moshuarës kishin edhe elemente të torturës. QKRMT i bën thirrje Prokurorisë Themelore në Pejë dhe Gjykatës Themelore në Pejë, që ta rishikojnë këtë aktakuzë dhe të ri kualifikojnë veprën penale, sepse dhuna e përdorur ndaj të moshuarës është bërë në institucion të licencuar nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe personat që kanë ushtruar dhunë ndaj të moshuarës kanë qenë të punësuara në atë institucion. Shteti ka përgjegjësi për trajtimin me dinjitet ndaj personave që janë nën mbikëqyrjen e shtetit apo institucioneve të autorizuara nga shteti, dhe dhuna e përdorur ndaj të moshuarës, nuk mund të konsiderohet si sulm i zakonshëm pasi që ajo është shkaktuar nga persona zyrtarë, pra infermiere të Shtëpisë së të Moshuarve, gjë që janë përmbushur elementet e veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, e po ashtu është dashur të vlerësohen edhe veprimet që mund të konsiderohen si “Torturë”. QKRMT u bën thirrje institucioneve përkatëse për mbikëqyrje efektive të trajtimit të personave të vendosur në institucione të mbikëqyrura nga shteti, dhe ndërmarrjen të gjitha veprimeve për ndalimin e torturës dhe çdo forme tjetër të keqtrajtimit”, thuhet në njoftim.

    Për më tepër, QKRMT ka përgatitur një analizë ligjore rreth trajtimit të këtij rasti, të cilin mund ta gjeni të bashkangjitur.

  • Një i vdekur nga tërmeti i fuqishëm në Japoni

    Një i vdekur nga tërmeti i fuqishëm në Japoni

    Një tërmet i fuqishëm goditi Japoninë qendrore të premten, duke lënë të paktën një person të vdekur dhe 21 të lënduar.

    Tërmeti me magnitudë 6.5 shkallë goditi rajonin qendror Ishikawa në mesditë, në një thellësi prej 12 kilometrash, sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë.

    Zyrtarët e motit paralajmëruan banorët për dridhje të tjera të mundshme dhe rrëshqitje të dheut në ditët në vijim, por thanë se nuk kishte rrezik për cunami.

    “Ishte një dridhje e madhe dhe e gjatë që zgjati rreth dy minuta. U ndjeva i frikësuar sepse lëkundjet vazhduan dhe vazhduan,” i tha transmetuesit publik një zyrtar i qeverisë lokale në qytetin e Suzu, i cili nuk pranoi të jepte emrin e saj.

    Zëdhënësi i qeverisë, Hirokazu Matsuno u tha gazetarëve në kryeqytetin Tokio se një person u raportua i vdekur dhe se kishte “raportime të shumta për ndërtesa të shembura”.

    Viktima ra nga një shkallë, tha për AFP-në një zyrtar i menaxhimit të krizës në Suzu, duke shtuar se 21 persona të tjerë ishin plagosur.

    Agjencia lokale e menaxhimit të zjarrit dhe fatkeqësive tha se të paktën tre ndërtesa ishin shkatërruar me dy persona të bllokuar brenda.

    Njëri ishte nxjerrë nga mbeturinat dhe ishte dërguar në spital dhe ekipet e shpëtimit po kërkonin tjetrin.

    Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së e vendosi magnitudën në 6.2 dhe tha se goditi në bregdet, por Agjencia Meteorologjike e Japonisë tha se epiqendra e tërmetit ishte në tokë.

    Ministri japonez i parandalimit të fatkeqësive, Koichi Tani tha se kishte raporte për rrëshqitje të shumta dheu dhe disa vendas ishin strehuar në strehimoret e evakuimit.

    Tërmetet janë të zakonshme në Japoni, e cila ndodhet në “Unazën e Zjarrit” të Paqësorit, një hark aktiviteti intensiv sizmik që shtrihet në Azinë Juglindore dhe në të gjithë pellgun e Paqësorit.

    Japonia u godit nga një tërmet masiv nënujor me magnitudë 9.0 ballë në verilindje të saj në mars të vitit 2011, i cili shkaktoi një cunami që la rreth 18.500 njerëz të vdekur ose të zhdukur.

    Cunami i vitit 2011 gjithashtu shkriu tre reaktorë në centralin bërthamor të Fukushimës të Japonisë, duke shkaktuar fatkeqësinë më të keqe të vendit të pasluftës dhe aksidentin më të rëndë bërthamor që nga Çernobili./REL/

  • ​Zbulohet shtatorja e heroit Fahri Fazliu në Obiliq

    ​Zbulohet shtatorja e heroit Fahri Fazliu në Obiliq

    Heroi i kombit, Fahri Fazliu është kthyer në bronz. Në Komunën e Obliqit, në Ditën e Dëshmorëve të Kombit, është zbuluar sot shtatorja e tij, me ç’rast është theksuar kontributi i heroit Fahri Fazliu për lirinë e Kosovës.

    Kryetari i Obliqit, Xhefer Gashi ka thënë se Fazliu ka qenë udhërrëyfes për shumë të rinjë që t’i kapin armët për të arritur idealet kombëtare.

    Në mesin e shumë të pranishmëve ka qenë edhe kryetari i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, i cili ka mirëpritur zbulimin e shtatores së Fahri Fazliut.

    Fahri Fazliu i takon plejadës së luftëtarëve që luftën e bënë me pendë e pushkë. Ai ka rënë në luftë të pabarabartë më 2 nëntor 1989 në lagjen “Bregu i Diellit“ në Prishtinë. Aty, së bashku me Afrim Zhitinë kanë qëndruar heroikisht duke sinjalizuar se liria pa gjak nuk vjen. Ata kanë rënë si trimat duke kënduar. Heroi Fahri Fazliu është lindur më 24 shkurt të vitit 1963, në fshatin Llaushë të Podujevës.

  • ​Mbi 1000 të evakuuar pas shpërthimit të vullkanit në Guatemalë

    ​Mbi 1000 të evakuuar pas shpërthimit të vullkanit në Guatemalë

    Më shumë se 1000 njerëz janë evakuuar sot në Guatemalë pas një shpërthimi të ri të vullkanit më aktiv Fuego të Amerikës Qendrore.

    Autoritetet zhvendosën 1,054 njerëz nga pesë komunitete që jetojnë pranë Fuego-s, në një strehë të përkohshme, raportuan mediat lokale, duke cituar zyrtarin e mbrojtjes civile të vendit Oscar Cossio.

    Conred, agjencia e katastrofave të Guatemalës, tha se vullkani po shkaktonte rreziqe të mundshme të tilla si dërgimi i rrjedhave piroklastike dhe reshjet e hirit.

    Nw kwtw agjenci thonw se retë e nxehta të hirit mund të prekin deri në 100,000 njerëz në rajon pas shpërthimit të Fuego.

    Shpërthimi Fuego në vitin 2018 vrau 194 njerëz dhe la qindra njerëz të zhdukur, shumë të tjerë të plagosur dhe të zhvendosur. (AA)

  • Haxhiu: Gratë para dhe gjatë periudhës së luftës me guximin dhe vullnetin e tyre, arritën t’i thyenin tabutë

    Haxhiu: Gratë para dhe gjatë periudhës së luftës me guximin dhe vullnetin e tyre, arritën t’i thyenin tabutë

    Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu në konferencën shkencore për “Rolin e grave në jetësimin e shtetit të Kosovës” ka thënë se gratë para dhe gjatë periudhës së luftës me guximin dhe vullnetin e tyre, arritën t’i thyenin tabutë dhe bartën mbi supe krahas burrave një përgjegjësi për orientim publik politik të çështjes kombëtare.

    Postimi i saj i plotë:

    “Në këtë konferencë, diskutova për rolin e grave në vitet e 80’ta e deri në ditët e sotme me theks për kontributin e tyre për ngritjen masive në rezistencë dhe angazhimin direkt për çlirim përmes lëvizjeve popullore dhe kontributit për arsimim të vazhdueshëm. Plot guxim e vigjilencë, gratë para dhe gjatë periudhës së luftës me guximin dhe vullnetin e tyre, arritën t’i thyenin tabutë dhe bartën mbi supe krahas burrave një përgjegjësi për orientim publik politik të çështjes kombëtare”, ka shkruar Haxhiu.

  • OKB: Numër alarmant i fëmijëve të vrarë në Sudan

    OKB: Numër alarmant i fëmijëve të vrarë në Sudan

    Kombet e Bashkuara paralajmëruan të premten se një numër i madh fëmijësh po vdesin në konfliktin e Sudanit, duke vënë në dukje raportet që tregojnë se shtatë fëmijë vriten ose plagosen çdo orë.

    “Siç u frikësuam dhe siç paralajmërohej, situata në Sudan është bërë fatale për një numër të madh fëmijësh,” u tha gazetarëve në Gjenevë, James Elder, zëdhënës i agjencisë së OKB-së për fëmijë, UNICEF.

    Ai tha se agjencia ka marrë raporte nga një partner i besuar – ende i pa verifikuar në mënyrë të pavarur nga OKB-ja- se 190 fëmijë u vranë dhe 1.700 u plagosën vetëm në 11 ditët e para të konfliktit që filloi më 15 prill.

    Elder vuri në dukje se ata numra janë mbledhur nga institucionet shëndetësore në Kartum dhe rajonin e Darfurit.

    Kjo do të thotë se mbulon vetëm fëmijët që arritën në institucionet e kujdesit shëndetësor në ato zona, tha ai, duke paralajmëruar se “realiteti ka të ngjarë të jetë shumë më i keq”.

    Qindra njerëz janë vrarë dhe qindra mijëra janë larguar nga shtëpitë e tyre në Sudan që nga fillimi i betejave tri javë më parë midis forcave të shefit të ushtrisë, Abdel Fattah al-Burhan dhe Forcave të Reagimit të Shpejtë (RSF) të ish- zëvendësit të tij, Mohamed Hamdan Daglo.

    Palët kanë rënë dakord për një varg armëpushimesh të shkurtra, por asnjëra nuk është respektuar plotësisht dhe të premten sulmet ajrore dhe të shtënat me armë vazhduan të tronditin Kartumin për ditën e 21 me radhë.

    Agjencia e OKB-së për refugjatët dënoi gjithashtu situatën e rëndë në Sudan, duke u kërkuar të gjitha vendeve që të përmbahen nga kthimi i shtetasve sudanezë në vend.

    “UNHCR u kërkon të gjitha vendeve që t’i japin civilëve që ikin nga Sudani qasje jodiskriminuese në territoret e tyre,” u tha gazetarëve Elizabeth Tan, shefja e mbrojtjes ndërkombëtare brenda kësaj agjencie.

    “Kjo vlen për shtetasit sudanezë, shtetasit e huaj, duke përfshirë refugjatët që po strehoheshin nga Sudani, personat pa shtetësi dhe ata që nuk posedojnë pasaporta ose dokumente të tjera identiteti,” tha ajo.

    UNHCR ka thënë se po përgatitet për një largim të 860.000 njerëzve nga Sudani në vendet fqinje, me më shumë se 113.000 njerëz që janë larguar tashmë nga vendi.

    Qindra mijëra të tjerë janë zhvendosur brenda Sudanit.

    “Ne u jemi mirënjohës të gjitha vendeve fqinje që i kanë lejuar ata të kërkojnë siguri,” tha Tan.

    Duke treguar për paqëndrueshmërinë aktuale në Sudan, ajo tha se agjencia u bëri thirrje vendeve që “të pezullojnë nxjerrjen e vendimeve negative për kërkesat për azil të paraqitura nga shtetas sudanezë ose persona pa shtetësi që banonin zakonisht atje”.

    Ajo theksoi se vendimet negative të azilit të dhëna më parë mund të kenë nevojë të rishqyrtohen./REL/

  • Wagner thotë se do t’i largojë forcat nga Bahmuti javën e ardhshme

    Wagner thotë se do t’i largojë forcat nga Bahmuti javën e ardhshme

    Yevgeny Prigozhin, themelues i grupit paraushtarak rus Wagner në Rusi, tha në një njoftim të papritur të premten se forcat e tij do të largohen nga qyteti ukrainas i Bahmutit, të cilin ata po përpiqeshin ta pushtonin që nga vera e kaluar.

    Prigozhin tha se ata do të largohen më 10 maj për shkak të humbjeve të mëdha dhe furnizimeve të pamjaftueshme me municione.

    “Unë deklaroj në emër të luftëtarëve Wagner, në emër të komandës Wagner, se më 10 maj 2023, ne jemi të detyruar t’i transferojmë pozicionet në vendbanimin Bahmut në njësitë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe t’i tërheqim trupat e mbetur të Wagnerit në kampet e logjistikës”, tha Prigozhin në një deklaratë.

    “Unë po i tërheq njësitë Wagner nga Bahmuti, sepse në mungesë të municioneve, ato janë të destinuara të humbasin në mënyrë të pakuptimtë”, shtoi ai.

    Wagner ka qenë në krye të përpjekjes së Rusisë për të kapur Bahmutin që nga vera e kaluar, në betejën më të gjatë dhe më të përgjakshme të luftës në Ukrainë, që nisi në shkurt të vitit 2022.

    Nuk ishte e qartë nëse deklarata e Prigozhinit mund të merret seriozisht, pasi ai ka postuar shpesh komente impulsive në të kaluarën.

    Vetëm javën e kaluar ai tërhoqi një deklaratë që tha se e kishte bërë si “shaka”./REL/