ATV

Category: Lajme

  • Apeli refuzon kërkesat e 20 personave për të marrë pjesë si viktima në rastin “Thaçi dhe të tjerët”

    Apeli refuzon kërkesat e 20 personave për të marrë pjesë si viktima në rastin “Thaçi dhe të tjerët”

    Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), përmes platformës online “zoom”, në konferencë për medie, ka thënë se Paneli i Gjykatës së Apelit ka refuzuar ankesat e 20 personave për të marrë pjesë si viktima në çështjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    ‘‘Të mërkurën, më 26 prill 2023 Paneli i Gjykatës së Apelit rrëzoi apelet e 20 personave për të marrë pjesë në proces gjyqësor si viktima të cilët kishin apeluar vendimin e trupit gjykues ku u refuzua kërkesa e tyre për pjesëmarrje në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerëve’’, tha ajo.

    Sipas saj, Paneli ka vendosur se personat mund të dorëzojnë sërish kërkesë në qoftë se i paraqesin informacione të reja trupit gjykues.

    Ajo tha se apelet janë dorëzuar nga dy mbrojtës që përfaqësojnë 20 personat të cilëve iu refuzuan kërkesat.

    Tutje, ajo tha se në të njëjtën çështje gjyqësore më 28 prill trupi gjykues ka rrëzuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS-së) për miratimin e një procedure për rastet kur mund të dal aspekti i vetë inkriminimit nga vet dëshmitari në bazë të rregullës 151.

    ‘‘Trupi gjykues është i mendimit se rregulla 43 dhe 151 të marra së bashku me paragrafin 97 v të urdhrit për zhvillimin e gjykimit e rregullojnë siç duhet aspektin e vet inkriminimit të mundshëm nga dëshmitarët në këtë fazë të procesit gjyqësor’’, tha Griep.

    Ajo tha se në bazë të rregullit 151 një dëshmitar mund të kundërshtojë të japë dëshmi që mund ta inkriminojë, megjithatë trupi gjykues mund të detyrojë një dëshmitar të dëshmojë, për shembull nëse dëshmitari do të japë dëshmi unike për çështjen gjyqësore.

    ‘‘Në një rast të tillë trupi gjykues duhet t’i jap garanci dëshmitarit se gjykata nuk do të veprojë lidhur me vet inkriminimin para dhënies së dëshmisë’’, shtoi Griep.

    Ajo po ashtu, njoftoi se më 1 maj 2023 dhe në vijim të vendimit nga trupi gjykues, administratorja përfundoi emërimin e David Young si mbrojtës të Rexhep Selimit dhe caktoi Geoffrey Roberts si mbrojtës zëvendësues.

    Tutje tha se, seancat në këtë çështje do të rinisin më 10 maj 2023, duke filluar nga ora 09:00.

    Kurse, lidhur me gjykimin e Pjetër Shalës, Griep tha se dëshmitari i pestë dhe i gjashtë të thirrur nga Prokuroria kanë përfunduar dhënien e dëshmive të tyre dhe se të dy dëshmitarët kanë dhënë dëshmitë me masa mbrojtëse përmes video-lidhjes.

    Ajo gjithashtu njoftoi për krijimin e Panelit të Gjykatës Supreme për të vendosur mbi kërkesat e mbrojtjes së ligjshmërisë së Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj.

    ‘‘Sipas ligjit, z. Gucati dhe z. Haradinaj mund të parashtrojnë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në afat prej 3 muajsh që nga aktgjykimi përfundimtar në përgjithësi. Mund të përcaktohet paneli i Gjykatës Supreme nëse parashtrohet kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë nga njëra nga palët nëse paneli i Apelit në aktgjykimin e vet ka rrëzuar lirimin dhe në vend të kësaj ka marr dënim dënues ose kur shqiptohet një vendim me burg të përjetshëm nga paneli gjyqësor ose paneli i Apelit’’, tha ajo lidhur me këtë çështje.

    Në fund të konferencës, ajo tha se DhSK ka organizuar një seminar për gazetarët e Kosovës e cila u mbajt nga dy gazetarë të pavarur me shumë përvojë në raportimin e gjykimeve.

  • Prishtinë: Grabitje në tentativë, arrestohet një person

    Prishtinë: Grabitje në tentativë, arrestohet një person

    Një person i dyshuar me iniciale D.G është arrestuar pasi ditë më parë i veshur me rroba sportive të zeza ,me maskë në fytyrë dhe me pistoletë në dorë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, hyn në objektin mikrofinanciar “FINCA”, ku konfrontohet me punëtorin e sigurimit të atyshëm të cilit i shkakton lëndim në kokë.

    Sipas Policisë, më datë 03.05.2023 rreth orës 16:04, në Stacionin Policor Prizren, raportohet për rast “Grabitja në Tentativë në rrugën “Ahmet Prishtina”.

    “Informatës së dhënë në vendin e ngjarjes i përgjigjen zyrtare policor të njësive relevante – patrulluese dhe ato të hetimeve rajonale. I dyshuari i rastit i veshur me rroba sportive të zeza, me maskë në fytyrë dhe me pistoletë në dorë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, hyn në objektin mikrofinanciar “FINCA”, ku konfrontohet me punëtorin e sigurimit të atyshëm të cilit i shkakton lëndim në kokë. Përpjekja e të dyshuarit për të kryer “ Grabitja”, ngel e papërfunduar. I dyshuari largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Janë ndërmarrë veprime të duhura hetimore, në vendngjarje është gjetur një qelës i veturës së të dyshuarit e më pas edhe vetura të cilën i njëjti e ka pasur në përdorim WV Passat ,ngjyrë e zezë, e cila me urdhër të Prokurorit është sekuestruar. Është identifikuar i dyshuari D.G në shtëpinë e të cilit me urdhër të Prokurorit, është kryerje kontroll (bastisje). Më date 04.05.2023 rreth orës 21:50 i dyshuari është lokalizuar dhe është arrestuar. I njëjti intervistohet në prezence të avokat mbrojtës .Të dyshuarit i është gjetur në posedim një armë zjarri – pistoletë e cila sekuestrohet”, thuhet në njoftim.

    Sipas Policisë, është iniciuar rast i klasifikuar si vepër penale “Grabitja në Tentative”, ndërsa me aktvendim me shkrim të Prokuror i Shtetit, të dyshuarit i shqiptohet masa e ndalimit për 48 orë.

  • Gjermania lehtëson procesin e bashkimit familjar për një kategori

    Gjermania lehtëson procesin e bashkimit familjar për një kategori

    Gjermania ka lehtësuar për një kategori personash, procesin e bashkimit familjar. Ky lehtësim ka të bëjë me heqjen e testit të mësimit të gjuhës gjermane.

    Kështu, nga 1 janari i vitit 2013, në Gjermani ka hyrë në fuqi vendimi sipas të cilit, bashkimi familjar, mund të bëhet pa testet paraprake të gjuhës, por vetëm në rastet kur të punësuar në shtetin gjerman janë personat e punësuar me kualifikime.

    Kjo do të thotë se testi për bashkim familjar nuk u kërkohet atyre që kanë të punësuar në Gjermani, familjarin i cili atje është me një diplomë të njohur.

    Bahri Cani, gazetar nga Deutsche Welle, në një deklarim të drejtpërdrejtë për programin e mëngjesit në RTK, sqaroi se në këtë rast, duhet bërë dallimi se heqja e këtij detyrimi për të mësuar gjuhën, nuk ka të bëjë me ata që shkojnë në Gjermani, bazuar në Rregulloren për Punësim për vendet e Ballkanit Perëndimor.

  • ​Krerët e shtetit shqiptar bëjnë homazhe në “Varrezat e Dëshmorëve” për 5 Majin

    ​Krerët e shtetit shqiptar bëjnë homazhe në “Varrezat e Dëshmorëve” për 5 Majin

    Krerët më të lartë të shtetit shqiptar bënë sot homazhe në “Varrezat e Dëshmorëve”, me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Atdheut.

    Të pranishëm në homazhe ishin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe drejtues të tjerë të shtetit.

    Ata vunë kurora me lule në monumentin “Nëna Shqipëri” në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit.

    5 Maji është Dita e Dëshmorëve të Atdheut që kanë dhënë jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.

    Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

    Në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve kryhen homazhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar.

    Në ditën e Dëshmorëve, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla theksoi se sakrifica e dëshmorëve për lirinë është trashëgimi e shenjtë.

    “Sot nderojmë me përulësi Dëshmorët e Atdheut. Sakrifica sublime e dëshmorëve për lirinë është një trashëgimi e shenjtë dhe ndër legacitë sipërore të kombit. Është thirrja t’i shërbejmë Shqipërisë me të gjitha energjitë dhe fuqinë e shpirtit, t’i përkushtoheni të ardhmes sonë evropiane, në krah të aleatëve të mëdhenj, SHBA e BE, dhe kombeve të qytetëruara.Është inspirimi për kontributet tona për zhvillim, mirëqenie, dinjitetin njerëzor dhe drejtësinë shoqërore. Kombet që nderojnë historinë janë më të lirë e më të qartë të ndërtojnë të ardhmen e tyre”, shkruan Nikolla. /ATSH/

  • Rada Trajkoviq – Vuçiqit: Që 10 vjet, të dyshuarit për krimet më të rënda i quani patriotë e heronj

    Rada Trajkoviq – Vuçiqit: Që 10 vjet, të dyshuarit për krimet më të rënda i quani patriotë e heronj

    Politikania serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq, ka reaguar pas sulmit të mbrëmshëm në Serbi, ku mbeten të vrarë tetë persona e u plagosën 14 të tjerë.

    Ajo i reagoi presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke e rishpërndarë artikullin e “New York Times”, i cili e lidh Vuçiqin me botën e krimit, mafinë e huliganizmin, duke thënë se fytyra e Serbisë në botë në këtë ditë është shumë e shëmtuar.

    Trajkoviqi i thotë Vuçiqit se për 10 vjet, ai ka promovuar plagjiatorë, mashtrues e dhunues.

    “Prej 10 vitesh, nga postet më të larta në vend, promovoni mosndëshkimin e krimit dhe i quani të dyshuarit për krimet më të rënda patriotë dhe heronj dhe i mirëprisni në Kuvend”, shkroi Trajkoviq në Twitter, duke iu drejtuar Vuçiqit.

    Tutje, ajo tha se për një dekadë, Vuçiqi e nëpërkëmb çdo njëri të lirë në Serbi dhe se sipas saj, Serbia tash e 10 vjet është “në gjendje të jashtëzakonshme”.

    Kujtojmë se mbrëmë në fshatin Dubona të komunës së Mladenovacit në Serbi, një 21-vjeçar i dyshuar ka shtënë me armë zjarri ndaj një grupi njerëzish duke lënë së paku 8 të vdekur e mbi 10 të plagosur.

    Ndërkaq vetëm një ditë më parë, një nxënës 13-vjeçar hyri në shkollën e tij ku i ndiqte mësimet në Beograd dhe vrau 9 persona, nga ta 8 bashkëmoshatarë dhe një roje sigurie

  • James Rubin komenton lajmin e ‘New York Times’ për Vuçiqin

    James Rubin komenton lajmin e ‘New York Times’ për Vuçiqin

    James Rubin, ish-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, i cili tash udhëheq Qendrën Globale të Angazhimit në kuadër të këtij institucioni, ka shpërndarë artikullin e New York Times për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku shpërfaq lidhjet e tij me botën e krimit, mafias e huliganizmit.

    “Interpretim brutal”, e ka përshkruar Rubin lajmin e NYT në Twitter.

    New York Times ka përmbledhur një hulumtim rreth krimit në Serbi. Të gjitha faktet që ka paraqitur në këtë tekst, i ka lidhur ngushtë me djalin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Danilon.

  • Hoti ngushëllon familjarët e viktimave në Serbi

    Hoti ngushëllon familjarët e viktimave në Serbi

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave nga ngjarjet tragjike në Serbi.

    Përmes një statusi në Facebook, Hoti ka shkruar se lutet për ta.

    “Ngushëllimet e mia më të thella për familjet e viktimave nga ngjarjet tragjike ne Serbi. Zoti qoftë me familjet e viktimave në këtë moment të vështire. Lutem për ta”, ka shkruar Hoti.

    Tjetër sulm masiv në Serbi, arrestohet i dyshuari

    Konjufca shpreh ngushëllime për dy rastet tragjike në Serbi

  • Vuçiq: Vrasja masive afër Beogradit, akt terrorist

    Vuçiq: Vrasja masive afër Beogradit, akt terrorist

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur akt terrorist sulmin e së enjtes afër Beogradit, ku u vranë tetë persona.

    “Është një akt në të cilin komunitetet tona speciale antiterroriste kishin për detyrë të arrestonin ose neutralizonin një terrorist. Ai është arrestuar dhe nuk do ta shohë më kurrë dritën e diellit. Ai nuk do të dalë nga burgu”, tha Vuçiq, në një konferencë për media, të premten.

    Nga të shtënat masive që ndodhën në disa fshatra të Mlladenovcit, në territorin e qytetit të Beogradit, mbetën të plagosur 14 persona, bëri të ditur Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

    Sipas njoftimit, sulmuesi i dyshuar U.B., i lindur në vitin 2002, u arrestua afër qytetit të Kragujevcit, pas disa orësh në arrati.

    Të shtënat ndodhën në fshatrat Dubona, Mallo Orashje dhe Shepshin, të enjten vonë.

    “Policia po vazhdon punën për zbardhjen e të gjitha fakteve dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftimin e ministrisë serbe.

    Policia ende nuk ka bërë të ditur motivin e sulmit.

    Presidenti serb Vuçiq, pas këtij sulmi, përmendi disa masa sigurie që do t’i ndërmarrë qeveria përfshirë punësimin e 1.200 policëve të rinj dhe transferimin e 1.000 të tjerëve për të qëndruar afër shkollave.

    “(Kjo do të bëhet), në mënyrë që prindërit të ndjehen të sigurt. Do të ketë edhe polici e oficerë pothuajse gjithmonë në shkollë, derisa të arrijmë në atë nivel që polici të jetë gjithmonë në shkollë. Me këtë, jo vetëm që do të rrisim sigurinë për 90 për qind, por do të ulim edhe dhunën e bashkëmoshatarëve në shkollë me 80 për qind, besoj”, tha Vuçiq.

    Sipas disa mediave lokale, sulmuesi qëlloi mbi njerëz me një armë automatike, pasi pati një debat me një oficer të policisë, në një park në fshatin Dubona.

    Tre nga të plagosurit iu nënshtruan trajtimit urgjent mjekësor në një spital lokal, raportojnë korrespondentët e Radios Evropa e Lirë në terren.

    Instituti për Transfuzion të Gjakut në Serbi i tha REL-it se Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të dhurojnë gjak.

    Ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratisllav Gashiq, e cilësoi incidentin si “akt terrorist”, shkruan portali serb i lajmeve, Telegraf.

    Forcat e xhandarmërisë me armë të gjata dhe patrulla të shumta policore janë në terren.

    Ministrja e Shëndetësisë e Serbisë, Danica Grujiçiç, dhe shefi i Shërbimit të Zbulimit, Aleksandar Vulin, raportohet se kanë udhëtuar në zonë.

    Këto janë të shtënat e dyta masive që ndodhën në Serbi këtë javë.

    Të mërkurën, një djalë 13 vjeç dyshohet se vrau tetë nxënës dhe një rojë të sigurisë në një shkollë në qendër të Beogradit./REL/

  • Tri femra e bëjnë për spital një tjetër në Prizren

    Tri femra e bëjnë për spital një tjetër në Prizren

    Tri femra pas një mosmarrëveshje kanë sulmuar fizikisht një tjetër në Prizren.

    Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 09:30 në rrugën “Ali Hadri”, në Prizren.

    Tutje bëhet e ditur se viktima ka pranuar trajtim mjekësor.

    “Është raportuar se pas një mosmarrëveshje tri të dyshuara kosovare e kanë sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa të dyshuarat me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

  • Konfiskohet marihuanë në Prizren, arrestohen dy persona

    Konfiskohet marihuanë në Prizren, arrestohen dy persona

    Policia e Kosovës gjatë kontrollit në një automjet në të cilën gjendeshin dy persona (një mashkull dhe një femër) ka gjetur dhe sekuestruar një sasi substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë në peshë rreth dy kilogram.

    Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 17:50, në Prizren.

    “Prizren 04.05.2023-17:50. Gjatë kontrollit në automjetin ku gjendeshin dy të dyshuar një mashkull dhe një femër kosovare janë gjetur dhe sekuestruar një sasi substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë në peshë rreth dy kilogramë”, thuhet në raport.

    Tutje bëhet e ditur se gjatë kontrollit të banesës së personave të dyshuar janë konfiskuar dy grinder(mulli) dhe një sprej.

    Po ashtu në raport bëhet e ditur se personat janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, i dyshuari mashkull është dërguar në mbajtje ndërsa e dyshuara femër është liruar.

    “Gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit janë konfiskuar: dy grinder (mulli) dhe një sprej. Të njëjtit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, i dyshuari mashkull është dërguar në mbajtje ndërsa e dyshuara femër është liruar, rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raport.