ATV

Category: Lajme

  • Konjufca shpreh ngushëllime për dy rastet tragjike në Serbi

    Konjufca shpreh ngushëllime për dy rastet tragjike në Serbi

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca u ka shprehur sot ngushëllime familjeve të viktimave të dy rasteve tragjike që kanë ndodhur në Serbi.

    Ai ka shkruar se rastet e tilla krijojnë pikëllim për këdo, si dhe u ka uruar shërim sa më të shpejtë të plagosurve.

    “Shpreh ngushëllimet më të thella për prindërit dhe familjarët e viktimave të dy ngjarjeve tragjike në Beograd! Ngjarjet e tilla janë gjithnjë të rënda dhe krijojnë pikëllim për këdo dhe gjithkund, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijë dhe civilë, e sidomos kur një nga këto krime të kësaj natyre të rëndë ndodh në një shkollë.”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

    Tetë nxënës dhe një roje sigurie janë vrarë të mërkurën nga të shtënat me armë zjarri në shkollën fillore “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd. Në oborrin e shkollës është arrestuar nxënësi i kësaj shkolle, K. K. 14-vjeçar, i cili ka plagosur edhe gjashtë nxënës dhe një mësuese.

    Ndërsa, sot, tetë persona janë vrarë dhe 14 të tjerë janë plagosur kur një sulmues ka qëlluar mbi ta me një armë automatike në një fshat afër Mlladenovacit, rreth 60 kilometra larg Beogradit, në Serbi.

  • ​Osmani në Mbretërinë e Bashkuar për Kurorëzimin e Mbretit Charles III

    ​Osmani në Mbretërinë e Bashkuar për Kurorëzimin e Mbretit Charles III

    Me ftesë të mbretit Charles III të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e shoqëruar nga zotëria i parë, Prindon Sadriu, do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në ceremoninë e Kurorëzimin të Mbretit.

    Para ceremonisë së Kurorëzimit të mbretit, Osmani do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga mbreti Charles III dhe anëtarë të Familjes Mbretërore për liderët botërorë në Buckingham Palace, sot më 5 maj.

    Më 6 maj, Osmani dhe bashkëshorti i saj, krahas krerëve shtetëror nga e gjithë bota, do të marrin pjesë në ceremoninë zyrtare të Kurorëzimit të mbretit Charles III në Ëestminster Abbey, me çrast, ajo do t’i përcjellë urimet e popullit dhe institucioneve të Republikës, si dhe do të riafirmojë përkushtimin e palëkundur të shtetit tonë për thellim të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar, thuhet në komunikatën për media.

    Gjatë qëndrimit në Londër, Osmani së bashku me bashkëshortin e saj do të marrin pjesë edhe në pritjen që Sekretari i Shtetit për Punë të Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, organizon për liderët botërorë.

  • Një burrë arrestohet për dhunim në Prishtinë

    Një burrë arrestohet për dhunim në Prishtinë

    Policia ka informuar sot se një burrë është arrestuar në Prishtinë për veprën penale “Dhunim”.

    Sipas Policisë, viktima është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti në bashkëveprim me një të dyshuar tjetër i cili gjendet në arrati e kanë kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare”, ka informuar Policia.

    Rasti ka ndodhur më 3 mars 2023.

  • Zbardhen detaje të reja të masakrës në Serbi: Vrau njerëz që ishin në piknik, kopshtarë e policë

    Zbardhen detaje të reja të masakrës në Serbi: Vrau njerëz që ishin në piknik, kopshtarë e policë

    Uros B., i cili dyshohet se mbrëmë në Mlladenovc vrau tetë dhe plagosi 14 persona, është arrestuar mëngjesin e sotëm, pasi kishte ikur nga policia për më shumë se tetë orë.

    “Pjesëtarët e MPB-së, pas një kontrolli të gjerë e kanë arrestuar U.B. Ai dyshohet se mbrëmë ka vrarë me armë zjarri tetë persona dhe ka plagosur 14 të tjerë. Policia po vijon punën për zbardhjen e të gjitha fakteve dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje”, njofton Ministria e Brendshme e Serbisë.

    Burri 21-vjeçar filloi fushatën e përgjakshme në një vend kur doli nga vetura dhe gjuajti me breshëri në një drejtim të një grupi njerëzish që ishin ulur rreth një zjarri në piknik, shkruan blic.rs.

    Më pas vazhdoi marshimin drejt një pozicioni tjetër, ku pasi doli nga vetura qëlloi katër persona që po rregullonin gardhin në oborr.

    Më pas u kthye në veturë dhe u nis drejt qendrës së fshatit Dubonë dhe qëlloi përsëri, ku vrau dy persona – një polic jashtë detyrës dhe motrën e tij. Pas kësaj vrasje të dyfishtë, iku në drejtim të paditur ndërsa një kërkim i madh zgjati gjatë gjithë natës.

    Sipas informacioneve jozyrtare të nova.rs, ai para arrestimit, ka hyrë në automjetin e një taksisti dhe e ka detyruar atë ta dërgojë në Vinjishte. Dyshohet se ai ka një të afërm në këtë vend dhe kishte planifikuar të fshihej atje.

    Në vilë u gjet një sasi e madhe armësh dhe municioni

    Një sasi e madhe armësh dhe municioni është gjetur në vilën e përdorur nga vrasësi dhe gjithçka është konfiskuar.

    Në Dubonë afër Mlladenovcit është vrarë polici M.P. (22) dhe motra e tij K.P. (19) dhe D.T.(25) Në një zonë tjetër, Smederevë, ka vdekur M.M. (18), N.S. (21), L.M. (20), N.M. (15) dhe A.M. (18).

    Ai ka një dosje

    Për momentin nuk dihet motivi i masakrës, por vrasësi është dënuar në të kaluarën për vjedhje dhe sulm ndaj një zyrtari, si dhe kallëzim për kundërvajtje nga Ligji për Armëmbajtje.

    Dyshohet se gjatë arratisjes ka ndërruar disa vetura.

    Ai është djali i një ushtaraku dhe deri më tani nuk ka qenë i dënuar. Ai ka dosje në polici për dhunë.

    E gjitha filloi pas një konflikti me fëmijët?

    Sulmuesi dyshohet se është fjalosur me disa fëmijë dhe për këtë ka qëlluar me armë zjarri, thotë një dëshmitar nga Dubona për portalin nova.rs.

    “Ai filloi të qëllonte në Dubona dhe më pas vizitoi dy fshatra të tjera. Ai e vrau edhe policin që tentoi ta ndalonte”, tha banori i zonës.

    Banorët e Dubonës thonë se babai i sulmuesit ishte kolonel dhe se sulmuesi “ishte djalë i mirë.” “Nuk ka qenë problematik, gjithmonë dukej një fëmijë i qetë dhe i mirë. Babai i tij erdhi këtu për Pashkë dhe bleu një derr”, tha një vendas për Kurir.

    Babai i tij thuhet se punon në Beograd, në një pozitë të lartë në ushtri. /Telegrafi/

  • Çfarë objektiva ka organizata “She Solutions” – flet Antigona Baxhaku

    Çfarë objektiva ka organizata “She Solutions” – flet Antigona Baxhaku

    Dokumentari “Gratë ndërmjet sfidave dhe mundësive” në kuadër të angazhimit në promovimin e rëndësisë që ka përfshirja e grave dhe vajzave në sektorin e sigurisë.

    Antigona Baxhaku nga organizata “She Solutions”, në një intervistë në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, tregoi se ky është projekti i tretë që lidhet me këtë fushe dhe këtë temë duke paraprirë në fakt edhe pas konferencës për siguri.

    “Organizata “She Solutions” e ka një prej objektivave të veta fuqizimin e grave në vendim marrje, në atë mes ehe fuqizimin e grave të cilat japin kontributin e tyre në paqe dhe në siguri. Dokumentari është projekti i tretë në kuadër të këtij angazhimi të “She Solutions”, të cilën e kemi së bashku me organizatën ndërkombëtare, faktikisht italiane “MWMN”, që do të thotë “Gratë Mediatore Mediterane”. Ata janë bashkëpunëtorët tanë dhe mbështetësit, kështu që financuese është Ministria e Jashtme e Italisë”, tregoi se Baxhaku.

    Ajo tha se ky dokumentar ka pasur për qëllim dokumentimin e rezultateve të nxjerra nga dy projektet e mëparshme, të cilat ishin zhvilluar në vitin 2021 dhe 2022.

    “Projekti i parë ka qenë konferenca të cilin e kemi organizuar në tetor të vitit 2021. I kemi ftuar në konferencë të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë dhe institucioneve të tjera, të cilët ndërlidhen me sektorin e sigurisë, pastaj nga rekomandimet e konferencës, pas intervistimeve që kemi zhvilluar me punëtorë të sektorit të sigurisë, me gra kryesisht, po edhe me menaxher të atyre sektorëve, kemi nxjerrë ne vitin 2022, në tetor po ashtu hulumtimin në këtë temë, “Gratë në sektorin e sigurisë ndërmjet sfidave dhe mundësive”, për shkak se mundësitë janë të shumta në ligj, mirëpo sfidat po ashtu janë të shumta. Dokumentari ka ardhur si hap i tretë, qëllimi i të cilit ka qenë që të dokumentojmë edhe në fotografitë”, tregoi Baxhaku. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Plagoset një burrë në Prishtinë

    Plagoset një burrë në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbrëmë është plagosur një burrë me armë zjarri në Prishtinë.

    Viktima është trajtuar në QKUK, ndërsa personi i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa vendore.

    Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë.

    Njësitë kompetente po vazhdojnë të hetojnë rastin.

    Raporti i plotë:

    “Prishtinë 04.05.2023 – 00:17. Është raportuar se viktima mashkull kosovar është plagosur nga arma e zjarrit. Në vendin e ngjarjes njësia policore ka gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa personi i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa vendore. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, rasti nën hetime nga njësitë relevante”.

  • ​Dita e Dëshmorëve të Kombit, Nikolla apelon shqiptarët për t’i shërbyer vendit

    ​Dita e Dëshmorëve të Kombit, Nikolla apelon shqiptarët për t’i shërbyer vendit

    Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka thënë sot (e premte) se sakrifica e dëshmorëve për lirinë është një trashëgimi e shenjtë dhe se shërben si thirrje për t’i shërbyer vendit.

    Në Ditën e Dëshmorëve të Kombit, Nikolla ka thënë po ashtu se në kujtim të atyre që sakrifikuan më të shenjtën, jetën, Shqipëria duhet të përkushtohet drejt të ardhmes evropiane.

    “Sot nderojmë me përulësi Dëshmorët e Atdheut.

    Sakrifica sublime e dëshmorëve për lirinë është një trashëgimi e shenjtë dhe ndër legacitë sipërore të kombit.

    Është thirrja t’i shërbejmë Shqipërisë me të gjitha energjitë dhe fuqinë e shpirtit, t’i përkushtoheni të ardhmes sonë evropiane, në krah të aleatëve të mëdhenj, SHBA e BE, dhe kombeve të qytetëruara.

    Është inspirimi për kontributet tona për zhvillim, mirëqenie, dinjitetin njerëzor dhe drejtësinë shoqërore.

    Kombet që nderojnë historinë janë më të lirë e më të qartë të ndërtojnë të ardhmen e tyre”, ka shkruar Nikolla.

  • Të paktën shtatë mësues janë vrarë nga të shtënat në një shkollë në Pakistan

    Të paktën shtatë mësues janë vrarë nga të shtënat në një shkollë në Pakistan

    Të paktën shtatë mësues u vranë sot nga të shtënat në një shkollë në veriperëndim të Pakistanit, thanë zyrtarët, pa specifikuar nëse ishte hakmarrje për vrasjen e një mësuesi më herët në zonë.

    Të dy incidentet ndodhën në Parachinar, Kurram, jo ​​shumë larg kufirit me Afganistanin, thanë zyrtarët, raportoi Reuters.

    Autoritetet rajonale kanë dhënë raporte kontradiktore për motivin e vrasjeve.

    Në një deklaratë nga zyra e kryetarit të provincës, thuhet se bëhet fjalë për një mosmarrëveshje pronësore, ndërsa komisari rajonal tha se shkak duket të jetë antagonizmi sektar.

    Mësuesi i vrarë në incidentin e parë ishte një mysliman sunit, ndërsa mësuesit e vrarë në sulmin e dytë në shkollë ishin myslimanë shiitë, tha komisioneri Saiful Islam për agjencinë britanike.

    “Për momentin nuk dihet nëse incidenti i dytë ka qenë një reagim ndaj të parit”, tha ai dhe shtoi se është shtuar siguria në zonën ku tashmë ka tensione për shkak të dhunës sektare.

  • NATO frikësohet se Rusia mund të godasë infrastrukturën e saj kritike

    NATO frikësohet se Rusia mund të godasë infrastrukturën e saj kritike

    Numri dy i NATO-s ka thënë se Rusia po përgatitet të nisë një ofensivë ndaj kabllove të nëndetëseve të NATO-s në Bashkimin Evropian.

    Ndihmës sekretari i përgjithshëm i bllokut për inteligjencën dhe sigurinë, David Cutler, tha se Rusia po e ndërton hartën e infrastrukturës kritike të aleatëve si në tokë ashtu edhe në atë nënujore.

    “Kjo është mënyra se si Moska po përgatitet për sulme kundër objektivave të nëndetëseve në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Ushtria ruse dhe shërbimet speciale marrin pjesë në operacion”, pohoi ai, transmeton Klankosova.tv.

    “Rusia po përgatitet për një sulm në infrastrukturën e nëndetëseve të NATO-s. Për këtë qëllim, udhëheqja ruse po studion sistemet nënujore të aleancës”, citohet nga “Bloomberg” të ketë thënë David Cutler.

    Ai pohoi se kjo është mënyra se si Rusia lufton në fazat e hershme të konfliktit, ku synon të shkatërrojë infrastrukturën kritike.

    Sipas tij, bëhet fjalë për kabllot e nëndetëseve, të cilat përbëjnë 95 për qind të komunikimeve me internet. Ato lejojnë për çdo ditë transaksione financiare me vlerë rreth 10 trilion dollarë.

    Mes shqetësimit të NATO-s, autoritetet ruse të mërkurën akuzuan Ukrainën për përpjekje për të sulmuar Kremlinin me dy dronë gjatë natës në një përpjekje për të vrarë presidentin Vladimir Putinin. Pas sulmit, parlamenti rus bëri thirrje për një sulm hakmarrës raketor në rezidencën e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

    Ndërkohë, Rusia nisi një nga sulmet e saj më vdekjeprurëse në Kherson, duke goditur një supermarket, një stacion hekurudhor dhe objektiva të tjera civile. Të paktën 21 persona u vranë dhe 48 u plagosën në sulm, raportoi një media lokale, “Kyiv Post”.

  • Zeqiri: Java që vjen do të jetë definitive për betimin tonë

    Zeqiri: Java që vjen do të jetë definitive për betimin tonë

    Kryetari i zgjedhur i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin A23 në ATV, tha se java e ardhshme është vendimtare në betimin e tij si kryetar i ri i kësaj komune.

    Ai tha se janë duke bërë takime të vazhdueshme me Ministrinë e Pushtetit Lokal si dhe organet e tjera relevante, në mënyrë që ky proces të jetë sa më në harmoni me gjithë spektrin shtetëror të Kosovës.

    “Jemi çdo ditë duke punuar, duke u konsultuar me rregulloret e me të gjitha aktet ligjore të cilat duhet të veprohet sipas ligjit. Kështu që i kemi afatet ligjore. Ne do të përpiqemi që në afate sa më të hershme të jemi të përgatitur për ta kryer detyrën. Kështu që besoj se java që vjen do të jetë më e qartë rreth takimit të këtyre kuvendeve dhe pres edhe unë javën tjetër t’i sqarojmë disa gjëra, sidomos datat kur do të mbahet kuvendi. Jemi në vazhdën e takimeve me akterët relevant, presim takime me Ministrinë e Pushtetit Lokal, kështu që të jemi sa më në harmoni me gjithë spektrin shtetëror”, tha Zeqiri.

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë: