ATV

Category: Lajme

  • Varhelyi për Asociacionin: Drafti i ekipit menaxhues të jetë pikënisje për diskutime

    Varhelyi për Asociacionin: Drafti i ekipit menaxhues të jetë pikënisje për diskutime

    Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, deklaroi se drafti i ekipit menaxhues është pikënisje për diskutime të mëtejshme rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Gjatë fjalës së tij në Parlamentin Evropian ku u diskutua raporti për Kosovën për vitin 2022, Varhelyi tha se dialogu ka pasur përparim gjatë vitit të fundit.

    Duke përmendur marrëveshjet e 27 shkurtit në Bruksel dhe aneksin e zbatimit më 18 mars në Oher, Varhelyi tha se tani është thelbësore që të dyja palët të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre pa vonesë nga kjo marrëveshje.

    “Çelës që Kosova të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe siç ka theksuar përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, drafti i ekipit menaxhues është pikënisje për diskutime të mëtejshme rreth asociacionit. Normalizimi është kyç për të dyja palët për të avancuar në rrugën e tyre përkatëse evropiane dhe gjithashtu do të kontribuojë në stabilitetin, zhvillimin dhe prosperitetin e të gjithë rajonit”, deklaroi komisioneri evropian.

    Në lidhje me aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, Varhelyi deklaroi se pakoja e ardhshme e zgjerimit do të vlerësojë progresin që ka bërë Kosova.

    “Pakoja e ardhshme e zgjerimit 2023 do të ishte sigurisht një mundësi tjetër për të vlerësuar progresin që ka bërë Kosova, sepse ne jemi të qartë dhe jemi të përkushtuar se reformat e BE-së janë të nevojshme, do të sjellin prosperitet, stabilitet dhe paqe në Kosovë, si dhe në rajonin më gjerë. Kështu që unë besoj në mbështetjen e Parlamentit Evropian për t’iu bërë jehonë këtyre mesazheve dhe për të mbetur e angazhuar me Kosovën dhe në Kosovë, dhe më shumë se kurrë BE-ja duhet t’i përmbushë këto zotime dhe ta bëjë realitet perspektivën e BE-së për Kosovën”, tha ai.

    Varhelyi, duke përmendur tashmë procesin e përfunduar rreth liberalizimit të vizave dhe vendimin që më largu nga 1 janari i vitit të ardhshëm shtetasit kosovarë mund të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen, tha se ky është një sinjal se vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në familjen evropiane.

    Komisioneri evropian përgëzoi Kosovën për përafrimin e politikës së jashtme me atë të BE-së duke dënuar agresionin rus në Ukrainë.

    “Më në fund të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë qasje pa viza në BE. Ky është një tjetër sinjal pozitiv për të gjithë rajonin dhe një tjetër angazhim se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron brenda Bashkimit Evropian… Qeveria e Kosovës ka marrë qëndrime të qarta duke dënuar agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës dhe duke u rreshtuar me deklaratat dhe sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe Bjellorusisë. Ne e mirëpresim këtë përkushtim të qartë me vlerat dhe qëndrimet e BE-së”, deklaroi Varhelyi.

    Varhelyi tha seKosova vazhdon përpjekjet e saj për të përmbushur reformat në lidhje me BE-në, duke përfshirë fushat kyçe si luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai shtoi se në përpjekjet e luftës kundër korrupsionit, ka nevojë për përmirësimin e zbatimit të kuadrit të përgjithshëm ligjor.

    “Nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të arritur hetime më proaktive, vendime gjyqësore përfundimtare, dhe konfiskim përfundimtar të pasurisë. Për sa i përket krimit të organizuar, raporti i komisionit përcakton se është bërë progres i kufizuar në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar. Ne gjithashtu do të donim të shihnim një ritëm më të shpejtë të reformave duke përfshirë kuvendin, që ka një rol kritik për të luajtur në avancimin e agjendës së qeverisë drejt BE-së. Ne mirëpresim përpjekjet e Kosovës për të përmirësuar efikasitetin, integritetin dhe profesionalizmin e gjyqësorit”, vijoi Varhelyi.

    Megjithatë, Varhelyi shtoi se administrimi i përgjithshëm i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadaltë, joefikas dhe i cenueshëm ndaj ndikimeve të panevojshme. Ai shtoi se këto përpjekje duhet të respektojnë rekomandimet e Komisionit të Venecias për këtë çështje të cilat ne i kemi mirëpritur.

    Duke u ndalur te ekonomia, komisioneri evropian u shpreh se sfidat më të mëdha janë në sektorin energjetik. Ai përmendi mbështetjen e BE-së prej 75 milionë eurosh si pjesë e pakos për të përballur këtë krizë.

    “Në frontin ekonomik, BE-ja dhe Kosova po përballen me sfida të përbashkëta, energji dhe produkte të tjera, inflacion dhe shqetësime për të ardhmen. Siç theksoi komisioni në raportin e tij, Kosova ka bërë progres në kriteret ekonomike dhe është në një fazë të hershme të zhvillimit të një ekonomie funksionale. Ekonomia tregoi elasticitet gjatë pandemisë, megjithatë sfidat strukturore të gjata si ekonomia joformale e përhapur, prevalenca e lartë e korrupsionit, dhe sundimi i përgjithshëm i dobët i ligjit vazhdojnë të pengojnë sektorin privat. Sektori i energjisë mbetet gjithashtu një shkak për shqetësim, jo vetëm për Kosovën, por për shumë nga partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.

    Varhelyi tha semë shumë fonde do të vihen në dispozicion për të mbështetur Kosovën me rritjen e tranzicionit të saj të gjelbër.

    Ai kërkoi nga Kosova që të shtojë përpjekjet e saj për të përfituar plotësisht nga mundësitë e ofruara në planin e investimeve ekonomike për Ballkanin Perëndimor dhe IPA III.

    Ai tha se mirëpresin tri marrëveshjet e arritura në kuadër të procesit të Berlinit në fund të vitit të kaluar, porse Kosova duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive në iniciativat e bashkëpunimit rajonal në mënyrë që të mundësohet përparim i mëtejshëm.

     

  • Kjo është telefonata e qytetarit që e la për 3 minuta të shokuar  Duda Baljen  – pasi e thirri për rregullimin e shtyllave

    Kjo është telefonata e qytetarit që e la për 3 minuta të shokuar Duda Baljen – pasi e thirri për rregullimin e shtyllave

    Deputetja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe kryetare e Komisionit për të Drejtat  e Njeriut, Duda Balje në emisionin LIBERO ka ndarë një histori mjaftë interesante sa i përket raportit të saj me qytetarët.

    Duda rrëfeu ngjarjen mjaftë komike se si një qytetar e telefoni të dielën duke i kërkuar zgjidhje, ani pse ditë pushimi, me arsyen se e diela është ditë kur ata votuan.

    “Më ka thirrur rreth orës 23:20 të dielën 10 herë, unë nuk e hapa telefonin, por burri më tha hape se mund të jetë serioze, unë u përgjigja në telefon dhe më tha ‘ku je deputete’, unë thash në shtëpi dhe tha ‘edhe unë me gruan në shtëpi po shikojmë serial dhe kemi menduar për shtyllën’ (ankesa) unë i kam thënë të dielën po thërret për shtylla? Dhe u përgjigj ‘Po ama edhe unë po dalë të dielën për të votuar për juve’ dhe ka pasur të drejtë”, shtoi Balje.

    Kujtojmë se, Duda Balje kohëve të fundit u akuzua se ka rënë në kundërshtim me punën e saj, duke mos e votuar kodin civil, i cili përfshinë martesat mes seksit të njëjtë.

    Për të shikuar intervistën e plotë të Duda Balje klikoni linkun më poshtë:

  • Qeveria i propozon Kuvendit që ta shkarkojë anëtaren e OShP-së Kimete Gashin

    Qeveria i propozon Kuvendit që ta shkarkojë anëtaren e OShP-së Kimete Gashin

    Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’i propozojë Kuvendit të Kosovës, shkarkimin e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi.

    Kryeministri Albin Kurti në një fjalë rasti ka thënë se Kimete Gashi ka udhëhequr në marrjen e një vendimi për furnizim me insulina, i cili sipas tij, është i dëmshëm për qytetarët e Kosovës, njofton Klan Kosova.

    “Shëndeti publik po rrezikohet me vendimin për furnizimin me insulina. Bazuar në vendimin në fjalë, lejohet furnizimi me insulina pa autorizim marketingu”.

    “Detyrohemi të marrim masa. Sot i propozojmë Kuvendit shkarkimin e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit, zonjës Kimete Gashi e cila ka udhëhequr vendimin e dëmshëm për qytetarët e Kosovës”.

  • Qeveria me Udhëzim Administrativ për riintegrimin në shoqëri të fëmijëve viktima të abuzimit

    Qeveria me Udhëzim Administrativ për riintegrimin në shoqëri të fëmijëve viktima të abuzimit

    Qeveria ka miratuar Projekt-Udhëzimin Administrativ për trajtimin mjekësor dhe psikologjik të fëmijëve, viktimë të abuzimit, për t’i ndihmuar në rehabilitim dhe për t’u riintegruar në shoqëri, raporton Ekonomia Online.

    Gjithashtu në mbledhje është miratuar edhe themelimi i komisionit ad-hoc për shqyrtimin e ankesave në procesin e rekrutimit të kandidatëve për Komisionin e Autoritetit të Konkurrencës me përbërje të: Agron Gashit, Fahrije Qorrajt, Shkurte Krasniqit

    Pas dorëheqjes së dy anëtarëve të Këshillit drejtues të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve, Qeveria ka miratuar emrat e Behrije Ramaj dhe Ylber Gjocaj për anëtarë të rinj.

  • Zbulohet plantacioni i drogës në Spanjë, arrestohen 7 shqiptarë dhe 3 serbë

    Zbulohet plantacioni i drogës në Spanjë, arrestohen 7 shqiptarë dhe 3 serbë

    Një plantacion droge është zbuluar në Katalonjë ku u arrestuan 10 personave.

    Në pranga kanë përfunduar 7 shqiptarë dhe 3 shtetas serbë.

    Gjatë operacionit policor janë sekuestruar 3093 bimë marijuanë, e përkthyer në 1280 kg marijuanë. Veprimtaria ishte e shtrirë në dy ndërtesa të ndryshme.

    Mediat spanjolle shkruajnë se për mbarëvajtjen e të korrave dhe garantimin e një korrje të mirë,  bosët shqiptarë shfrytëzonin bashkatdhetarët  që mbërrinin në Spanjë me leje qëndrimi të përkohshme (90 ditë).

    Më pas  i ‘mbyllnin’ në plantacione  për të kryer funksionet  e “kopshtarit”.

    Ata nuk mund të largohen nga ambientet pasi duhet të monitorojnë drogën, derisa të mbarojë leja e qëndrimit.

  • Arrestohet një grua për braktisje të fëmijës në Gjakovë

    Arrestohet një grua për braktisje të fëmijës në Gjakovë

    Një grua u arrestua mbrëmë në Gjakovë pasi la pa përkujdesje një fëmijë, i cili ishte duke kërkuar lëmoshë.

    “Është arrestuar e dyshuara femër kosovare pasi qe ka lënë pa përkujdesje fëmiun i cili ishte duke kërkuar lëmoshë. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që pas intervistimit e dyshuara të lirohet dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt”, bëri të ditur Policia.

    Rasti u cilësua si “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”.

  • Kosova ashpërson sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë

    Kosova ashpërson sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë

    Qeveria e Kosovës ka ashpërsuar sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, në raport me situatën me Ukrainën.

    Ekzekutivi ka harmonizuar me Bashkimin Evropian dhe ShBA-në pakon e dhjetë të sanksioneve ndaj Federatëa Ruse dhe Bjellorusisë.

    Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme të Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë sot se në kuadër të sanksioneve ekonomike do të përfshihen edhe ndalimi i eksporteve të teknologjisë kritike në Rusi dhe kufizimin e shtetasve rus në çfarëdo pozicioni insitucional.

    Krahas kësaj, Qeveria në mbledhjen e sotme ka dhënë mendim pozitiv për nismën legjislativie të Kuvendit për ndryshim-plotësimin e Ligjit për zgjedhje të përgjithshme.

  • Ministrja Rizvanolli deklaron mbi 200 mijë euro kursime dhe tri rroga

    Ministrja Rizvanolli deklaron mbi 200 mijë euro kursime dhe tri rroga

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është ndër anëtarët më të pasur në Qeverinë Kurti.

    Ministrja Rizvanolli ka deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit mbi 200 mijë euro kursime në bankat komerciale, ndërsa për sa i përket pasurisë së patundshme ajo deklaron se posedon një banesë të dhuruar nga prindërit në vlerë 66 mijë euro.

    Në regjistrin e deklarimit të pasurisë për vitin 2022, Rizvanolli ka deklaruar tri vende të punës.

    Përveç të hyrave nga paga e ministres 13,823.04 ajo merr edhe dy rroga të tjera nga dy kolegje private.

    Një deklarim të pazakontë në APK, ka bërë ministrja Rizvanolli derisa deklaron vlerën e kursimeve të saj në Trustin Pensional.

    Ajo deklaron se posedon kursime pensionale mbi 40 mijë euro në Trust, raporton KosovaPress.

    Ndërkaq, vetëm nga depozitat e saja të larta në banka prej mbi 200 mijë euro, ka përfituar interes në kursime 1,478 euro më 2022. Por, nuk mbeti keq as për mëditje. Për udhëtimet zyrtare jashtë vendit mori mbi 3 mijë euro.

    Ndërsa, si pasuri të luajtshme ajo ka deklaruar në posedim një veturë në vlerë 16 mijë euro.

  • Gjendet i vdekur një person në kryeqytet

    Gjendet i vdekur një person në kryeqytet

    Policia njoftoi se një person është gjetur i vdekur në Prishtinë.

    Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kompetent.

    “Prishtinë 09.05.2023 – 03:46. Ankuesja femer kosovare ka raportuar se e ka vërejtur viktimën mashkull kosovar pa shenja jete, në vendngjarje kanë dalur ekipi i emergjencës me ç’rast mjeku kompetent e ka konstatuar se trupi i viktimës është pa shenja jete, me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.”, ka informuar Policia.

    Rasti mbetet të hetohet.

    Rasti është cilësuar si “Hetim mbi vdekjen”.

  • Çitaku: Në qeverisje e kemi një parti e cila ndarjen e pushteteve e sheh si kërcënim

    Çitaku: Në qeverisje e kemi një parti e cila ndarjen e pushteteve e sheh si kërcënim

    Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se në pushtet aktualisht është një parti e cila ndarjen e pushteteve dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës e sheh si kërcënim.

    Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se në demokracitë liberale Kushtetuta dhe ligji shërbejnë si pararojë për të kufizuar epshet, ambiciet, e ndonjëherë edhe dëliret e politikanëve të papërgjegjshëm.

    “Kushtetuta nuk është kërcënim. Mendësia totalitare është”, përfundon statusi i saj.