ATV

Category: Lajme

  • ​Përfundon seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari i 4-të dëgjohet në seancë private

    ​Përfundon seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari i 4-të dëgjohet në seancë private

    Ka përfunduar seanca e sotme në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku dëshmia e dëshmitarit të katërt është dëgjuar tërësisht në seancë private. Në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në sallën e gjyqit kanë qenë fizikisht Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

    Avokati i Jakup Krasniqit, Aydan Elis ka kërkuar që dokumentet e dorëzuara nga prokuroria të përkthehen në gjuhën shqipe, meqë klienti i tij nuk lexon në anglisht.

    “Ajo që kemi marrë në lidhje me këtë dëshmitar janë dy dokumente, njëri ka të bëjë me korrigjime, ndryshime me intervista, deklarata, tjetri është material i ri. Këto i janë dhënë mbrojtjes vetëm në anglisht. Dhe është një disavantazh i madh për ne, sepse zotëri Krasniqi nuk lexon në anglisht. Do të na ndihmonte shumë, sidomos kur të marrim udhëzime për këto çështje brenda kohës së kufizuar, nëse do të jenë në shqip që ai të paktën t’i lexojë. Të paktën do të thoja, njëri prej këtyre që ka të bëjë shprehimisht me korrigjime në deklaratat e mëparshme, të cilat kërkohen që të vihen në dispozicion që të mund t’i lexojë i akuzuari. Kjo është baza e kësaj kërkese që ne kemi”, ka thënë ai, transmeton KP.

    Prokurori i specializuar, Matthew Holling ka thënë se nuk e kanë detyrim që të përkthejnë këto dokumente.

    “Është e pamundur që t’i bëjmë përkthimet në kohën e përcaktuar për përgatitjen e dëshmitarit. Prandaj dhe ja lexojmë dëshmitarit dhe një herë, nuk është diçka që jemi të detyruar ta japim dhe kjo është në përputhje me udhëzimet tuaja. Nuk janë deklarata…nuk e kemi pra për detyrim t’i përkthejmë. Sugjerojmë që mbrojtja të ja lexojë klientëve, kështu siç bëjmë edhe ne me dëshmitarët për të konfirmuar saktësinë e deklaratave”, është shprehur ai.

    Në seancën e sotme gjyqësore, ku është dëgjuar dëshmitari i katërt, kryegjykatësi, Charles L. Smith ka bërë të ditur konstatimin e trupit gjykues në lidhje me dy prova materiale të shënuara për identifikim, për çka ka thënë se të njëjtat do të pranohen.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës. Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.

  • ​Konjufca takoi diplomatët amerikan

    ​Konjufca takoi diplomatët amerikan

    Kosova është projekti më i rëndësishëm i faktorit ndërkombëtar, i cili rezultoi me ndaljen e gjenocidit të Serbisë dhe trasoi rrugën drejt pavarësisë, ka thënë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

    Ai ka pritur në takim Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë, të kryesuar nga Timothy A. Chorba.

    Sipas komunikatës nga Kuvendi, diplomatëve amerikanë, Konjufca u ka shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit.

    “Kosova është projekti më i rëndësishëm i faktorit ndërkombëtar, i cili rezultoi me ndaljen e gjenocidit të Serbisë dhe trasoi rrugën drejt pavarësisë. Republika e Kosovës sot është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe Evropë. Takimet e kësaj natyre na mbajnë më afër njëri-tjetrit dhe po ashtu janë mundësi e mirë për të trajtuar tema me interes vital. Përherë mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen jetike dhe kujdesin e vazhdueshëm”, ka thënë Konjufca.

  • Pantiqit i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak edhe për dy muaj

    Pantiqit i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak edhe për dy muaj

    Ish-zyrtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq iu vazhdua masa e arrestit shtëpiak edhe për dy muaj të tjerë.

    Lajmin për KosovaPress e konfirmoi sot zyrtarja për informim në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi, e cila bëri e ditur se Pantiqit iu vazhdua masa e arrestit shtëpiak deri më 9 korrik.

    Dejan Pantiq, sipas gjykatës, dyshohet se ka kryer veprën penale “Kryerja e veprës terroriste në bashkëkryerje”.

    “Gjyqtari i procedurës paraprake me datë 05.05.2023 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të pandehurit D.P i është vazhduar masa e Arrestit Shtëpiak në kohëzgjatje edhe për 2 (dy) muaj, ashtu që Arresti Shtëpiak vazhdohet deri me datën 09.07.2023.”, u bë e ditur nga gjykata.

    Kundër këtij aktvendimi, siç u bë e ditur, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.

    Ndryshe, ish-zyrtari i Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq ishte arrestuar më 10 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjes. Sipas autoriteteve të Kosovës, ai dyshohej për organizmin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Arrestimi i Pantiqit kishte nxitur ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës. Barrikadat ishin vendosur nga disa serbë lokalë, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare, Jarinje dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë. Barrikadat ishin larguar pas disa javësh. Dejan Pantiqit i ishte zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak./KP

  • Qeveria: Raporti i PE-së, tjetër dëshmi e progresit në vend

    Qeveria: Raporti i PE-së, tjetër dëshmi e progresit në vend

    Qeveria e Kosovës e përshëndeti miratimin e sotëm nga Parlamenti Evropian të raportit për Kosovën, i cili evidenton suksese dhe mesazhe pozitive për vendin.

    Forcimi i demokracisë, sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe maturia institucionale e qeverisëse, janë vetëm disa nga shembujt e përmendur në këtë raport.

    Sipas një komunikate për media, qeveria vlerësoi se në lidhje me procesin e dialogut, i bazuar në njohjen reciproke, “Kosova vlerësohet si palë e përkushtuar dhe e angazhuar në mënyrë konstruktive”. Ndërkohë, bëhet e ditur se dënon Serbinë “për veprimet përshkallëzuese të aktorëve të sponsorizuar nga ta, duke përfshirë bllokadat e paligjshme, sulmet e dhunshme dhe kërcënimin për veprime ushtarake, si dhe fushatën e tyre të çnjohjes dhe votën kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”.

    Raporti, sipas qeverisë, lavdëron Kosovën për aktivitetin e shtuar legjislativ në lidhje me reformat e agjendës evropiane dhe përparimin në zbatimin e prioriteteve të Agjendës së Reformave Evropiane II dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

    “Theksohet dhe se Parlamenti Evropian mirëpret aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, duke bërë thirrje për prezantimin e pyetësorit dhe përgatitjen e opinionit mbi aplikimin dhe rithekson mbështetjen për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës, PFP e NATO-s dhe INTERPOL. Mirëpret periudhën më të gjatë të stabilitetit politik deri më tani pas zgjedhjeve të vitit 2021. Në raport kërkohet nga shtetet anëtare, që nuk e kanë njohur ende Kosovën, ta bëjnë këtë pa vonesë të mëtejshme.”, u bë e ditur në komunikatë.

    Sipas qeverisë, në raport evidentohet dhe mirëpritet veçanërisht angazhimi dhe dialogu i shtuar me serbët e Kosovës gjatë vitit të kaluar.

    “Në mes të tjerash, në zhvillim ekonomik vlerëson pozitivisht përformancën e jashtëzakonshme të eksportit, rritjen ekonomike si dhe politikat për të lehtësuar ndikimin e pandemisë dhe të çmimeve të larta të energjisë për familjet dhe bizneset më të prekura.”, u bë e ditur tutje në komunikatë.

  • Cramon pas miratimit të raportit: Sinjal se Kosova është partnere e vlefshme

    Cramon pas miratimit të raportit: Sinjal se Kosova është partnere e vlefshme

    Miratimi i raportit për Kosovën në Parlamentin Europian, është dëshmi se BE-ja e përkrah Kosovën dhe synimet e saj drejt integrimit në këtë familje.

    Kështu ka vlerësuar sot, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, në një adresim të saj për media, pas miratimit të raportit të vitit 2022.

    ”Është sinjal i vlefshëm se Kosova është partnere e vlefshme, e BE-ja mbetet e përkushtuar për zhvillimin e saj, stabilitetin dhe prosperitetin”.

    Tutje ajo ka lartësuar edhe angazhimin qytetar kosovar, dhe qeverinë për progresin e bërë gjatë viteve të fundit.

    ”Megjithatë, është esenciale të njihen edhe sfidat, si lufta kundër korrupsionit, mbrojtja e lirisë së mediave, tranzicioni i gjelbër dhe konsolidimi i mëtejmë i sundimit të ligjit”.

    Derisa ka potencuar se është vënë në pah edhe moszbatimi i vendimit të Kushtetueses mbi çështjen e Manastirit të Deçanit.

  • Ambasadori gjerman me reagim përkrahës pas raportit të KE-së për Kosovën

    Ambasadori gjerman me reagim përkrahës pas raportit të KE-së për Kosovën

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Röhde, e ka pritur me pozitivitet miratimin e raportit të vitit 2022, të Komisionit Evropian për Kosovën.

    “Përkrahje të plotë gjermane për ambiciet evropiane të Kosovës”, ka shkruar Rohde në Twitter pasi e ka shpërndarë postimin e raportueses për Kosovën në PE, Viola Von Crammonit.

    “Siç është nënvizuar sërish nga kancelari Scholz në fjalimin e tij para parlamentit evropian. Të gjitha shtetet duhet të bëhen pjesë e familjes së Bashkimit Evropian”, ka shkruar Röhde në Twitter.

    Përndryshe, Parlamenti Evropian e ka miratuar sot raportin e vitit 2022, të Komisionit Evropian për Kosovën.

    Në të njëjtin raport mirëpritet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Raporti rëndit po ashtu thirrjen e shteteve anëtare të BE-së që s’e kanë njohur ende Kosovën, që ta bëjnë këtë pa vonesë të mëtejshme dhe ta hapin rrugën e Kosovës në integrimin evropian.

  • Shtyhet seanca në Apel në rastin ndaj ish-kryeshefit të IPK-së dhe dy ish-drejtorëve të tjerë

    Shtyhet seanca në Apel në rastin ndaj ish-kryeshefit të IPK-së dhe dy ish-drejtorëve të tjerë

    Në Gjykatën e Apelit, të mërkurën është shtyrë gjykimi ndaj ish-kryeshefit të IPK-së, Fitim Shishani dhe dy ish-drejtorëve të tjerë Jetullah Aliu dhe Valbona Osmani për shkak se përfaqësuesi i palë së dëmtuar Q.V avokati Besnik Berisha nuk ishte i pajisur me ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 korrik 2022, kishte liruar nga akuza ish- kryeshefin e IPK-së, ndërsa kishte dënuar me nga një vit e pesë muaj burgim me kusht dy zyrtarë tjerë.

    “Ne tash jemi në dijeni që ka ankesa të të akuzuarve edhe po besojë që sot edhe ashtu s’paska kushte sepse ne nuk na është dhënë mundësia me u përgjigj në ato ankesa, si janë ato elemente kush është përmbajtja e tyre edhe si e drejt minimale e të dëmtuarit është. Gjykata e shkallës së parë ka pas si detyrim. Unë tash po e kuptoj këtu që ka ankesë, kom mëndu që është veç e prokurorisë se për atë kemi qenë në dijeni por jo edhe për të akuzumve”, tha mbrojtësi i të dëmtuarit Q.V., Berisha.

    Më pas kryetari i trupit gjykues Ferit Osmani e pyeti të njëjtin se a dëshiron që lënda të kthehet në rigjykim apo i njëjti të pajiset me këto ankesa, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Me ç’rast avokati Berisha deklaroj që dëshiron të pajiset me ankesa, pasi sipas tij, do të ishte rruga më e mirë sesa të kthehet sërish në gjykatën e shkallës së parë dhe të ekspedojnë.

    Paraprakisht, në seancë kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Osmani deklaroj që, kundër aktgjykimit të shkallës së parë, ankesë në Apel ka parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, dhe mbrojtësit e të akuzuarve, Jetmir Aliu, avokati Skender Musa dhe Faton Hyseni, mbrojtësi i të akuzuarës Valbona Osmani, Florin Vertopi si dhe përgjigje në ankesë të prokurorisë i akuzuari Fitim Shishani dhe mbrojtësi i të akuzuarës Osmani, avokati Vertopi.

    Gjykatësi Osmani tha se, ndaj këtij aktgjykimi ka bërë ankesë Prokuroria Themelore në Prishtinë për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike lidhur me diapozitivin një të aktakuzës që i bie për pjesën lirues të aktgjykimit dhe për shkak të vendimit lidhur me pjesën dënuese të aktgjykimit.

    Me ç’rast ka propozuar që përkitazi me pjesën një aktgjykimi të anulohet dhe lënda të kthehet në rigjykim apo rivendosje, ndërsa për të ankimuarin ose ta shpall fajtor ta ndryshoj aktgjykimin, t’i shqiptoj dënim të paraparë ligjor.

    Kurse sa i përket të akuzuarve që janë shpallur fajtor kanë propozuar t’i shqiptohet dënimi më i rëndë me burgim.

    Në anën tjetër, ndaj këtij aktgjykimi po ashtu ka bërë ankesë edhe mbrojtësi i të akuzuarit Jetullah Aliu, avokat Skender Musa dhe avokat Faton Hyseni dhe atë për shkak të shkeljeve esencial të dispozitave të procedurës penale, shkelje të Ligjit Penal dhe vërtetimit të gabuam të gjendjes faktike, ku kanë propozuar që ankesa të aprovohet si e bazuar, aktgjykimi ankimor të ndryshohet dhe të akuzuarit Aliu ta liroj nga akuza ose lëndën ta kthej në rigjykim.

    Po ashtu, ankesë ka ushtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarës Valbona Osmani, avokati Florin Vertopi për të gjitha bazat e specifikuara si më lartë, me propozim që ankesa të aprovohet si e bazuar, aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe të e akuzuara të lirohet nga akuza, përgjegjësia penale ose lënda të anulohet dhe të kthehet në rigjykim dhe rivendosje.

    Ndërsa, përgjigje në ankesë ka parashtruar i pandehuri Fitim Shishani dhe mbrojtësi i të akuzuarës Valbona Osmani, avokati Vertopi kundër ankesës së prokurorisë me propozim që të refuzohet ankesa e prokurorisë si e pabazuar dhe të vërtetohet aktgjykimi sa i përket pikës një të këtij aktgjykimi, ndërsa për pikën dy të refuzohet ankesa e prokurorit dhe të miratohet ankesa nga ana e mbrojtës së të akuzuarës Osmani.

    Në këto rrethana, seanca e radhës u caktua më 25 maj 2023.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 4 nëntor 2019, i kishte liruar nga akuza, Fitim Shishanin, Valbona Osmanin dhe Jetullah Aliun, me arsyetimin se nuk ishte provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale që u vihej në barrë.

    Mirëpo pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit, më 27 prill 2020, e ka anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje.

    Sipas aktakuzës së ndryshuar në qershor të 2019-ës, Fitim Shishani, Jetullah Aliu dhe Valbona Osmani , akuzohen se me 19 korrik 2013, nga ora 14:00 e deri me 20 korrik 2013, në orën 02:50, fillimisht në Ferizaj e pastaj në Prishtinë, në cilësinë e personave zyrtarë pranë Inspektoratit Policor të Kosovës, me dashje, në marrëveshje dhe konsultim mes veti, duke keqpërdorur detyrën dhe shkelur autorizimet zyrtare, kanë privuar kundërligjshëm nga liria të dëmtuarin Q.V, hetues policor në IPK dhe njëkohësisht e kanë privuar të njëjtin nga e drejta e kontaktit me familjen përmes telefonit.

    Tutje, thuhet se në ditën kritike në ora 14:00, i akuzuari Aliu, së bashku me të akuzuarën Osmani, kanë shkuar në oborrin e një moteli, ku kanë hasur me të dëmtuarin Q.V, ku i akuzuari Aliu pa asnjë urdhër paraprak i ka sekuestruar të dëmtuarit revolen zyrtare, distinktivin dhe telefonin mobil.

    Në aktin akuzues thuhet se pa autorizim të prokurorit dhe në konsultim me të akuzuarin Shishani, të akuzuarit Aliu dhe Osmani e kanë shoqëruar të dëmtuarin për intervistë si i dyshuar në stacionin policor në Ferizaj, duke e mbikëqyrur të njëjtin pas asnjë liri të lëvizjes së lirë.

    Me ç’rast i dëmtuari Q.V është marrë në pyetje si i dyshuar nga një hetues policor, nga ora 16:00 deri në ora 17:00 përkundër autorizimit të prokurorit kujdestar i Prokurorisë Themelore në Ferizaj për të liruar të dëmtuarin.

    Gjithmonë sipas aktakuzës e akuzuara Osmani, në konsultim me të akuzuarit Aliu dhe Shishani së bashku me dëshmitarin Burim Raqi, e kanë shoqëruar të dëmtuarin në zyrat e IPK në Hajvali, ku gjendej edhe i akuzuari Shishani, ku i Q.V pa pëlqimin e tij është mbajtur në një sallë të IPK, duke qenë vazhdimisht nën mbikëqyrjen e të akuzuarve Aliu dhe Osmani.

    Tutje, thuhet se nuk është lejuar që i dëmtuari Q.V të largohet nga salla dhe nga ndërtesa e IPK-së, deri në ora 23:50, pas tetë orësh ndalimi, i njëjti është marrë nga hetuesit e DHTQNJ Prishtinë, të cilët janë konsultuar paraprakisht dhe në vazhdimësi me të akuzuarit Aliu dhe Osmani.

    Me ç’rast, i dëmtuari thuhet se është intervistuar sërish nga hetuesi policor Besnik Haziraj në zyrat e kësaj drejtorie dhe në konsultim me të akuzuarën Osmani është liruar.

    Për këto veprime, tre të akuzuarit akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë”, nga neni 196, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

  • Arrestohet një person në Gjakovë, i sekuestrohen dy armë dhe municion

    Arrestohet një person në Gjakovë, i sekuestrohen dy armë dhe municion

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person pasi posedonte armë dhe municion në fshatin Madanaj të Gjakovës.

    Kjo është e bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga zyra e informimit e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës.

    Sipas njoftimit të policisë, njësitet patrulluese derisa ishin duke hetuar dhe trajtuar një rast lidhur me një kontest pronësor në fshatin Madanaj-Gjakovë, rreth orës 11:15 kanë arritur të sigurojnë informacion se i dyshuari Gj. Gj., (mashkull, lindur në vitin 1978, shtetas i Republikës së Kosovës,) kishte në posedim armë.

    Sipas policisë, pas kontrollimit të tij, në posedim i janë gjetur dy pistoleta me nga dy karikatorë dhe 20 copë fishekë.

    “Ama dhe municioni janë sekuestruar, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit të shtetit, është ndalur në mbajtje për 48 orë, si dhe ndaj tij është iniciuar rast “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve””, njofton policia.

  • Lajçak nesër në Kosovë

    Lajçak nesër në Kosovë

    Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të vizitojë nesër (e enjte) Kosovën.

    Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

    Lajçak pas Kosovës pritet që të vizitojë edhe Serbinë.

    Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar në Bruksel më 2 maj me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq .

    Aty është nënshkruar Deklarata për të Zhdukurit, ndërsa nuk është rënë dakord për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

  • Mblidhen grupet punuese për reformën në drejtësi

    Mblidhen grupet punuese për reformën në drejtësi

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mori pjesë në takimin e parë të grupeve punuese për reformën në drejtësi, në të cilin takim përveç anëtarëve të grupeve punuese, ishin përfaqësues nga KGjK dhe KPK dhe përfaqësues ndërkombëtarë.

    Në këtë takim njoftues, Haxhiu diskutoi për rëndësinë që ka ky bashkëpunim ndër-institucional veçmas në kuadër të reformës në drejtësi.

    Haxhiu cilësoi të vlefshëm këtë takim të parë, i cili do të ketë një dinamikë të lartë të punës, dhe për të cilin priten rezultate brenda afateve të përcaktuara.

    Takimi pati për qëllim të orientojë dhe dakordojë edhe afatet optimale dhe fillimin e punës.

    Po ashtu ministrja Haxhiu vlerësoi mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë në këtë iniciativë si BE, OPDAT, INL, USAID, KiE, Ambasada Britanike, OSBE, EUKOJUST, EULEX, si dhe njoftoi gjithashtu për përfshirjen e shoqërisë civile në këtë Reformë, sipas afateve në fazat e parapara.

    Gjithashtu zëvendëskryesuesit nga KGjK dhe KPK, respektivisht Qerim Ademaj dhe Veton Shabani, shprehën gatishmërinë e plotë për angazhim të vazhdueshëm për gjatë të gjithë procesit.

    Pjesë e kësaj nisme reformuese do të jenë gjashtë grupe punuese. Kjo reformë është pjesë e zotimeve që dalin nga Deklarata e përbashkët e zotimit e nënshkruar nga Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial, Gjykata Supreme dhe Zyra e Prokurorit të Shtetit.