ATV

Category: Lajme

  • Kurti në Polici, ritheksoi zotimin për të mos reshtur së kërkuari drejtësi për krimet e luftës

    Kurti në Polici, ritheksoi zotimin për të mos reshtur së kërkuari drejtësi për krimet e luftës

    Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nuk parashkruhen e as nuk vjetrohen asnjëherë. Kriminelët e luftës dhe urdhërdhënësit e tyre duhet nxjerrur para drejtësisë. Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Kosovë, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

    Së bashku me  Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Kryeministri Kurti vizitoi Drejtorinë e porsa themeluar për Hetimin e Krimeve të Luftës, që në të kaluarën ka qenë në nivel sektori. Sipas strukturës së re organizative, drejtoria parashihet të ketë 41 zyrtarë hetues.

    U vlerësua struktura e re organizative e miratuar e Policisë së Kosovës, me të cilën ky sektor, që ka vepruar me gjithsej 19 zyrtarë hetues, është ngritur në nivel të drejtorisë, dhe në nivelin hierarkik dhe funksional është lidhur drejtpërdrejt me Departamentin Qendror të Hetimeve.

    Nuk ka më prioritet se e vërteta dhe drejtësia për krimet e kryera gjatë luftës, jo veç për këtë brez, por edhe për brezat e ardhshëm, tha Kryeministri Kurti.

    Duke i falënderuar për punën dhe angazhimin, Kryeministri Kurti ofroi  mbështetjen e plotë për drejtorinë e re.

    Kryeministri Kurti veçoi rëndësinë e zbatimit të ligji për gjykimin në mungesë si dhe Ligjin për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës, të cilin Qeveria e ka dërguar për miratim në Kuvend.

    Duke folur për drejtësi për viktimat dhe shoqërinë lidhur me krimet dhunës seksuale, të përdorur si armë lufte në Kosovë, Kryeministri tha se duhet shtuar angazhimi i përbashkët në tejkalimin e pengesave drejt rritjes së numrit të dënimeve nga gjykatat në Kosovë.

    Ai theksoi rëndësinë e  adoptimit të deklaratës pёr personat e zhdukur, me të cilën pas mohimit 24 vjeçar, Serbia pranon krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës nё Kosovë. Veçoi dakordimin për hapje të arkivave nga Serbia, pasi zhdukjet me forcë gjatë luftës ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë, pjesë e projektit gjenocidal për shfarosjen e shqiptarëve, “Patkoi”. Po ashtu, theksoi dakordimin për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji tjera në zbulimin e varrezave masive potenciale në territorin e Serbisë.

    Në takimin e përbashkët me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Republikës së Kosovës, Gazmend Hoxha,  Drejtorin e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, të emëruar së fundmi, Bashkim Spahiu, hetuesit dhe zyrtarët e kësaj drejtorie, u ritheksua zotimi i Qeverisë për të mos reshtur së kërkuari drejtësi për krimet e luftës.

    Përderisa që nga nesër do të fillojnë punën 15 hetues të rinj, procesi i rekrutimit do të vijojë deri në plotësimin e totalit të zyrtarëve të planifikuar me strukturë, pra 41 sosh.

  • Parlamenti Evropian miraton raportet për Kosovën dhe Serbinë

    Parlamenti Evropian miraton raportet për Kosovën dhe Serbinë

    Parlamenti Evropian miratoi dy rezoluta vjetore për Kosovën dhe Serbinë, “përmes së cilave u bëhet ftesë të dyja vendeve që të jenë konstruktive në dialogun për normalizimin e raporteve dhe ky normalizim duhet të përfshijë edhe njohjen e ndërsjellë”.

    Për raportin për Kosovën votuan 452 deputetë, 87 ishin kundër dhe 76 abstenuan.

    Këto janë raportet e fundit vjetore për Kosovën dhe Serbinë nga përbërja aktuale e Parlamentit Evropian, pasi në fund të majit apo në fillim të qershorit të vitit 2024 do të mbahen zgjedhjet evropiane.

    Tekstet e raporteve për Kosovën dhe Serbinë paraprakisht ishin miratuar në Komisionin për politikë të jashtme, ndërkaq tani atyre iu shtuan disa amendamente të propozuara, që morën shumicën e votave të deputetëve evropianë.

    Në raportin për Kosovën përsëritet ftesa për pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë, shkruan Rel. Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

    Në tekstin e raportit po ashtu përshëndetet edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE. Aty, po ashtu, mirëpritet përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Të gjitha këto porosi janë pjesë e rezolutës së propozuar dhe u dëgjuan po ashtu nga shumë deputetë gjatë debatit që u zhvillua të martën mbrëma në seancën plenare të Parlamentit.

    Raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, e cila e ka përpiluar tekstin e propozuar, u shpreh e kënaqur për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.

    “Që nga viti 2019 unë përpiloja raporte për Kosovën duke shprehur vazhdimisht shpresën se do të sigurohet lëvizja e lirë. Tani mund të them se Evropa më në fund i hapi dyert edhe për Kosovën”, tha ajo gjatë debatit.

    Në Rezolutën për Serbinë u shpreh keqardhje për mospërshtatjen e qëndrimeve të këtij vendi në politikën e jashtme të BE-së, sidomos sa i përket sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.

    Gjatë debatit për Serbinë pati shumë deputetë që kërkon nga Beogradi që të shprehet qartë rreth aspiratave për integrime në BE dhe që këtë orientim ta dëshmojë duke mbështetur edhe sanksionet ndaj Rusisë. U dëgjua nga disa deputetë që Serbia po e bën të kundërtën, se në vend që të rrisë përshtatjen me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme, po e zvogëlon atë.

    Deputetja kroate, Zheljana Zovko nënvizoi se nga 65 për qind që ka qenë vitin e kaluar, përshtatja e Serbisë me politikën e jashtme të bllokut evropian ka rënë në 45 për qind.

    Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë – që ndërmjetësohet nga BE-ja – gjatë debatit, raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon kërkoi që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet dhe që procesi i normalizimit të vizave të përfshijë njohjen e ndërsjellë.

    Ajo po ashtu kërkoi po ashtu që serbët në veri të Kosovës të kthehen në institucionet kosovare.

    Serbët në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u larguan nga institucionet e Kosovës në fund të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës që kërkonte riregjistrimin në targa të ligjshme të Kosovës të makinave që bartnin targa ilegale serbe.

    Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka thënë se kusht për kthimin e serbëve në institucione është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por edhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i shtetit.

    Ndryshe, rezolutat e Parlamentit Evropian kanë një rëndësi politike, por ato nuk janë obliguese për vendet anëtare.

  • Polici i Kosovës qe gjysmë viti në pritje për operim në Spitalin e Mitrovicës

    Polici i Kosovës qe gjysmë viti në pritje për operim në Spitalin e Mitrovicës

    Shemsi Hoti nga Mitrovica, i cili me profesion është zyrtar policor i Republikës së Kosovës, tash e një kohë i është nënshtruar një pushimi të padëshiruar, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

    “Më 12 janar i kam ba 20 vjet që jam pjesë e Policisë se Ksovës, për një kohë kam punuar edhe në Prishtinë por krejt kohën kam punuar në Mitrovicë. Për shkak të gjendjes shëndetësore, mjekët më kanë rekomanduar qe mos të kem shumë kontakt me njërëz dhe prandaj për këtë shkak për 10 vite kam punuar në Cërrnushë por vitin e kaluar ajo pikë është mbyllur dhe jam kthy në Mitrovicë, punoj në stacion të jugut”, deklaroi Hoti.

    Ani pse me këtë sëmundje z.Hoti asnjëherë nuk e kishte dëshirë largimin nga puna.

    “Probleme shëndesore kam prej vitit 2014, njëherë kam pasë problem me zemër, e kam aortën e zemrës të zgjeruar ndërsa prej vitit 2019 kam problem me ‘filgjanin e kukës’ në anën e majtë dhe si shkas i kësaj nuk ka mundur të punojë, ashtu qysh më kanë thënë mjekët vetëm pas operimit mund të punosh”, u shpreh ai.

    Operimi i tij është shtyrë tash e një kohë shumë të gjatë e gjithë kjo për shkak të mungesës së protezave, ndërsa me këto probleme shëndëtësore, Shemsiu përballet çdo ditë.

    “Kam kërkuar ndihmë në spitalin e Mitrovicës nuk ka proteza ndërsa në QKUK, më kanë thënë se ka proteza por pritja për operim zgjatë sepse ka pacient që janë duke pritur nga viti 2018. Një mjek më premtoi se do t’i sjellin disa proteza në spitalin e Mitrovicës për një periudhë kohore për 3 muaj por as kjo nuk ka ndodhur ende”, shtoi tutje ai.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

    https://youtu.be/R1aMWp553E4

  • Mbrojtja e Thaçit kërkon kohë për diskutim me klientin para fillimit të kundërpyetjeve

    Mbrojtja e Thaçit kërkon kohë për diskutim me klientin para fillimit të kundërpyetjeve

    Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, avokat Gregory Kehoe ka kërkuar sot kohë që të diskutojë me klientin në lidhje me kundërpyetjet për dëshmitarin. Ai ka thënë se janë akuza të rënda dhe për këtë duhet kohë për të bërë hetime të tjera para se të fillojnë pyetjet e ekipit mbrojtës.

    Pas mocionit të avokatit Kehoe për kohën që i nevojitet me klientin, kryegjykatësi, Charles L. Smith ka thënë se do të kenë kohë sot të gjithë nga një orë me klientët e tyre.

    “Ne bëmë një verifikim tani, do ju japim një orë sot, të gjithë ju do të keni nga një orë me klientët pasdite. Pra, gjysmë ore do të hamë edhe pastaj gjysmë ore, dhe një orë mund të kaloni kohë me ata dhe përmes Zyrës Administrative, në çdo moment mund të kërkoni kohën që nevojitet dhe kjo do të ju plotësohet. Mund të diskutoni edhe përmes aplikacionit ‘Zoom’ me klientin në burg, nëse nuk dëshironi të diskutoni me ta fizikisht atje. Pra, ka mundësi të ndryshme që mund t’i shfrytëzoni nga sot deri të premten. Me sa e kuptojë kjo vlen vetëm për kundërpyetjet tuaja në këtë moment”, ka thënë Smith.

    Por, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, avokati Gregory Kehoe është shprehur se Thaçi ka kërkuar që gjatë së premtës të diskutojnë lidhur me këtë çështje.

    “Klienti më kërkoj, nëse mund të flasim të premten për këtë, ka shumë gjëra që duam të diskutojmë lidhur me këto. E kuptoj edhe shqetësimin për kohën, por sikurse ju e dini, këto janë çështje shumë të rënda dhe akuza të rënda. Dhe për këtë na nevojitet më shumë se një orë kohë që të diskutojmë me klientin”, ka thënë avokati mbrojtës.

    Tutje, Kehoe ka thënë para trupit gjykues që i duhet të bëjë hetime të tjera dhe se i duhet koha e nevojshme, para fillimit të kundërpyetjeve.

    Smith: Unë po ju them që do të keni më shumë se një orë.

    Kehoe: Unë po ju kërkoj se unë kam informacion dhe më duhet të bëjë hetime të tjera dhe për këtë më duhet koha e nevojshme që ta bëjë, përpara se të fillojë më kundërpyetjet.

    Smith: Mirë pra, do ta shohim. Sidoqoftë ju mund të shfrytëzoni çdo alternativë tjetër që ekziston dhe zyra administrative do të përpiqet të plotësojë çdo kërkesë që keni ju lidhur me këtë, sepse mund të merrni kohë shtesë”, ka thënë Smith.

    Dëgjimi i dëshmitarit të katërt po vazhdon në sesion privat.

    Përveç një pjesë të shkurtër të dëshmitarit të dytë, seancat e tjera në këtë proces gjyqësor janë zhvilluar tërësisht në seancë private.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.

  • Ministri Mehaj në Bangladesh, kërkon mbështetje në procesin e njohjeve te reja

    Ministri Mehaj në Bangladesh, kërkon mbështetje në procesin e njohjeve te reja

    Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka realizuar takimin me ministrin e Punëve të Jashtme të Bangladeshit, A.K. Abdul Momen, në vazhdim të vizitës në Bangladesh.

    Me këtë rast, Mehaj ka kërkuar nga ministri Momen mbështetjen në procesin e njohjeve te reja nga vendet partnere të Bangladeshit, të cilat ende nuk na kanë njohur Kosovën.

    “Gjithashtu, Ministri Mehaj së bashku me Ministrin Momen diskutuan për bashkëpunimin që do të jetë në fushën mbrojtjes, bashkëpunimin ekonomik dhe kulturor, si dhe për procesin e marrëveshjes së shmangies së taksimit të dyfishtë dhe parandalimi i evazionit fiskal.”, ka informuar sot ministria.

    Mehaj ka shprehur falënderim për pritjen e ngrohtë dhe gatishmërinë për mbështetje ndaj Republikës së Kosovës, duke theksuar se duke ndarë vlera të përbashkëta të demokracisë, paqes dhe lirisë, “bashkëpunimi ynë me shtetin e Bangladeshit do të jetë në nivelin e duhur”.

  • Haradinaj kujton Betejën e Llapushnikut: Ndër më e lavdishmja e luftës sonë çlirimtare

    Haradinaj kujton Betejën e Llapushnikut: Ndër më e lavdishmja e luftës sonë çlirimtare

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar betejën e Llapushnikut në 25-vjetorin e saj.

    Haradinaj ka thënë se kjo Betejsa e Llapushnikut ishte ndër betejat më të lavdishme të luftës çlirimtare.

    “25 vjet më parë, në Llapushnik po zhvillohej një betejë e cila i dha kahje të re luftës sonë për liri. Beteja e Llapushnikut, ishte ndër betejat më të lavdishme të luftës sonë çlirimtare”, ka shkruar Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se trimat e UÇK-së ia ndërpren armikut një prej arterieve kryesore të furnizimit dhe logjistikës

    “Trimat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ndërpren armikut një prej arterieve kryesore të furnizimit dhe logjistikës, duke shënuar një kthesë me rëndësi në zhvillimin e luftës frontale”.

    “Me përulje e respekt kujtojmë e nderojmë, 47 dëshmorë dhe 54 martirë që ranë në altarin e lirisë së Kosovës, lavdia e të cilëve do të mbijetojë me shekuj”, është shprehur Haradinaj.

  • Hoti i reagon Bislimit që tha se ikja e qytetarëve është diçka normale

    Hoti i reagon Bislimit që tha se ikja e qytetarëve është diçka normale

    Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i ka reaguar zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili sot tha se ikja e qytetarëve nga vendi “është diçka normale”.

    Hoti ka pyetur se si mund të jetë kjo normale, kur në dy vjetët e fundit janë larguar nga vendi më shumë se 100 mijë qytetarë.

    “Largimi i qytetarëve nga Kosova qenka normale sipas qeveritarëve?! Si mund të jetë normale nëse largohen nga vendi më shumë se 100 mijë qytetarë në dy vitet e fundit?!  Ky numër përbën rreth 7% të popullsisë nga mosha 24 vjeç e sipër. Shtrohet pyetja, a janë normal këta çfarë po flasin?”, ka shkruar Hoti.

    Bislimi u pyet për largimin e qytetarëve nga vendi gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Integrime, dhe fillimisht tha se për këtë “duhen statistika”. Ai tha se në Ballkanin Perëndimor ka pasur gjithmonë tendenca për migrim, ndërsa tha se kjo “është diçka normale”.

    “Në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor ose në Europën Lindore ka pasur në vazhdimësi tendenca për migrim. Diku gjysmë milioni mjekë që operojnë në Bashkimin Europian nuk janë të lidhur me Bashkimin Europian. Do të thotë, migrimi është diçka normale, është pjesë e tendencave të individit dhe familjeve për të përmirësuar standardet e jetesës”, tha ai.

    Bislimi tha se “mund të bëhet më shumë” që ata të qëndrojnë në Kosovë, duke thënë se “kushtet e punës duhet të jenë më të mira”.

    “A jemi duke bërë mjaftueshëm që ata të mbeten në Kosovë? Unë mendoj që mund të bëjmë më shumë. Por, po them, për aq kohë sa gjithandej nëpër Prishtinë, Fushë Kosovë, Gjilan ka shpallje që kërkojmë punëtorë, kjo nënkupton që ndoshta kushtet e punës duhet të jenë më të mira për t’i tërhequr këta që të mbesin në Kosovë”, tha zëvendëskryeministri.

    Bislimi tha se për informata duhet të merren parasysh Agjencia e Statistikave të Kosovës, Banka Qëndrore e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës. Ai tha se s’mund të merren parasysh “personat si Jusuf Azemi”, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat.

    “Për këto informata mund të diskutojmë. Se me e pyet pë shembul, Jusuf Azemin, ai thotë 600 mijë punëtorë e kanë lëshu punën. Por nuk mund t’i marrim përbazë këta persona”, tha ai.

  • Ministri Peci flet për zbatimin e Ligjit për kontrollin e Duhanit: Janë bërë mbi 3200 inspektime, u shqiptuan 460 gjoba

    Ministri Peci flet për zbatimin e Ligjit për kontrollin e Duhanit: Janë bërë mbi 3200 inspektime, u shqiptuan 460 gjoba

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Faton Peci në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë është shprehur i vendosur se nuk do të ketë asnjë tolerim për ata që e shkelin Ligjin për kontrollin e Duhanit, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka sqaruar se inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kanë zhvilluar mbi 3 200 inspektime e kanë shqiptuar 460 gjoba.

    Peci shtoi se bashkë me inspektorë të AUV-it ditëve të fundit ka inspektuar edhe tregjet ilegale të tregtimit të shtazëve e shpezëve, për çka tha se do të veprohet konform ligjeve e mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.

    Përderisa shtoi se këtë vit Kosova ka shënuar rekord të të mbjellave sidomos sa i përket drithërave.

    “AUV-i ditëve të fundit ka marrë veprime për parandalimin e pirjes së duhanit në vendet e ndaluar, jemi në implementimin e këtij ligji në lokalet e ndryshëm, hotele, kafiteri”.

    “Janë bërë mbi 3200 inspektime e janë shqiptuar 460 gjoba, nga këtu përçojmë mesazhin që të respektohet ligjin që të ruajmë shëndetin publik”.

    “… kemi inspektuar edhe tregjet ku ushtrohet veprimtaria ilegale me tregtimin e shtazëve e shpezëve, jemi vendosur në zbatim të ligjit edhe në këtë pjesë”.

    “Viti 2023 është rekord i të mbjellave në sektorin e dritharëve, do të risimin nivelin e kontrollit deri në 100%”.

  • Vitia: Kemi presion të madh nga OShP dhe prokuroria për nënshkrimin e tenderit me insulina

    Vitia: Kemi presion të madh nga OShP dhe prokuroria për nënshkrimin e tenderit me insulina

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë sot se po ballafaqohen me presion të madh nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) dhe Prokuroria e Shtetit për nënshkrimin e tenderit me insulina, pa autorizim marketingu.

    Vitia në konferencë për medie, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës është shprehur se përkundër kësaj nuk do të marrin vendime të jashtëligjshme për të rrezikuar shëndetin publik.

    Madje, ai ka shprehur dyshime të mëdha për motivet e këtij tenderi, me ç’rast ka përmendur edhe mafian farmaceutike.

  • ​Von Cramon: Kosova vazhdon të dëshmojë kapacitetet e saj demokratike

    ​Von Cramon: Kosova vazhdon të dëshmojë kapacitetet e saj demokratike

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka thënë se janë arritur rezultate të rëndësishme në fushën e luftimit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në gjithë vendin. Sipas saj, Kosova po vazhdon të dëshmojë kapacitetet e saj demokratike. Këto i tha në seancën ku u diskutua për raportin për Kosovën për vitin 2022.

    Eurodeputetja ka shtuar se raporti shqyrton reformat dhe arritjet e Kosovës, ku Evropa më në fund po i hap dyert dhe qytetarët do të kenë mundësi që të udhëtojnë pa kërkesa për vizë.

    “Fjalimin për raportet e Kosovës e mbaja çdo vit që nga viti 2019, duke shpresuar se më në fund mund të them, ‘gëzuar lirinë e lëvizjes’, kjo nuk është më kërkesë apo shpresë, është realitet, që nga janari i vitit të ardhshëm qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë nëpër Evropë pa asnjë kërkesë për vizë, letra ftese, procedura të kushtueshme, apo duke pritur në radhë, Evropa më në fund po i hap dyert. Viti i kaluar ishte një vit sfidues për të gjithë. Ndërsa pamë tmerret e luftës që po kthehej në Evropë, Qeveria e Kosovës, duke i ditur mirë këto tmerre, demonstroi solidaritet të plotë me Ukrainën, duke u rreshtuar me sanksionet e BE-së dhe madje duke mirëpritur gazetarë ukrainas, për çka dëshiroj t’i falënderoj thellësisht”, ka thënë Cramon.

    Tutje, Von Cramon ka theksuar se raporti nënvizon sukseset dhe hapat që duhet të ndërmerren në fushën e demokracisë.

    “Raporti ynë prek vetëm sipërfaqen e sfidave dhe çështjeve që e presin Kosovën, por qartësisht nënvizon sukseset dhe çfarë duhet të ndërmerret në fushën e demokracisë, luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, energjisë dhe mjedisit. Kështu që unë do të përshkruaj vetëm tre procese kryesore, sundimin e ligjit, lirinë e mediave, dialogun e lehtësuar nga BE, dhe tranzicionin energjetik. Kosova vazhdon të dëshmojë kapacitetet e saj demokratike duke pasur një peizazh politik pluralist, i cili demonstrohet me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Peizazhi mediatik është gjithashtu i devijuar në krahasim me shtetet e tjera në rajon, por megjithatë është e rëndësishme që gazetarët mbeten të pavarur. Janë arritur rezultate të rëndësishme në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në mbarë Kosovën”, ka shtuar Cramon.

    Von Cramon deklaroi se pesë vendet mosnjohëse të Bashkimit Evropian duhet të ndryshojnë qasjen ndaj Kosoës në mënyrë që të ketë stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

    “Është e rëndësishme që të vazhdojmë të ushtrojmë presion mbi Spanjën, Qipron, Rumaninë, Sllovakinë, sepse për stabilitetin në kontinentin tonë do të jetë e rëndësishme se si do të sillemi përballë fqinjëve tanë edhe në Ballkanin Perëndimor, dhe ajo që është e rëndësishme është që të shikojmë historinë tonë, dhe nëse shikojmë historinë e dimë që mund ta them këtë si gjermane, sepse duhet të bëjmë shumë kërkime në historinë tonë. Dhe është e rëndësishme që ne ta bëjmë këtë punë, në mënyrë që të arrijmë stabilitet”, ka vijuar Cramon.

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka shtuar se ka nevojë për mbështetje të sektorit privat dhe të rinjtë të kenë perspektivë.

    Pasdite, eurodeputetja Von Cramon do të mbajë konferencë për media në lidhje me raportin e Komisionit për Kosovën.