ATV

Category: Lajme

  • Drejtoresha e USAID-it: Bideni mbështet fuqishëm normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

    Drejtoresha e USAID-it: Bideni mbështet fuqishëm normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

    Drejtoresha e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, ka deklaruar të martën se mesazhi kryesor i presidentit Joe Biden është se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fuqishëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

    Ajo shtoi se i gjithë rajoni ka rëndësi të madhe për SHBA-në.

    “Mesazhi kryesor i presidentit Biden është se sa i rëndësishëm është procesi i normalizimit dhe sa shumë duam ta mbështesim procesin dhe jemi të inkurajuar nga përparimi që është bërë deri më tani”, ka thënë ajo para gazetarëve në një ngjarje sportive në Beograd, raportoi mediumi serb “Blic”.

    Ajo ka shtuar se rruga e integrimit ekonomik, lehtësimi i investimeve në biznes për investitorët e huaj dhe rritja e interesit të sektorit privat e bëjnë më të qëndrueshëm rajonin.

    “Ne e njohim rëndësinë e mirëqenies për njerëzit e të dyja vendeve dhe padyshim nëse do të ketë normalizim, ai do të zhbllokojë mundësitë ekonomike që do të jenë jashtëzakonisht të rëndësishme për popullin e Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ajo.

  • Osmani në BBC News: Marrëveshja për të pagjeturit arritje e madhe në dialog

    Osmani në BBC News: Marrëveshja për të pagjeturit arritje e madhe në dialog

    Presidentja Osmani në një intervistë për BBC News, Weekend Programme, ka folur për marrëveshjen e arritur në Bruksel.

    Osmani foli për marrëveshjen e arritur për personat e pagjetur, për të cilën tha se është një nga arritjet më të mëdha në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

    “Unë mendoj se kjo është një nga arritjet më të mëdha të dialogut, sepse është një marrëveshje që prek direkt qytetarët tanë”, tha presidentja Osmani, derisa shtoi se mbi 1600 familje po përpiqen maksimalisht për të gjetur të afërmit e tyre, “që janë zhdukur me forcë nga regjimi i Millosheviqit”.

    “Ne besojmë që janë në varreza masive në Serbi, por na nevojitej Serbia të bashkëpunonte. Tani kyçe është përmbushja e marrëveshjes” deklaroi e para e vendit.

    Ndërkaq lidhur me Asociacionin me shumicë serbe, kryetarja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, qartësoi se Kosova nuk po ikë nga obligimet e saj,

    Ajo në intervistë për BBC, bëri të ditur se Kosova është e gatshme të japë gjithçka që është në përkim me standardet evropiane, por jo ndonjë instrument që të mundë të shkelë sovranitetin dhe funksionin e Kosovës.

    “Çka ne jemi të gatshëm të bëjmë, është të japim gjithçka që mundemi në përkim me standardet evropiane, për të akomoduar të drejtat e serbëve. Të drejtat njerëzore dhe të drejtat minoritare të serbëve. Por jo t’u japim serbëve një instrument përmes të cilit vazhdimisht do të injorojnë, të shkelin sovranitetin dhe funksionin e Kosovës si shtet” tha, kryetarja Osmani.

  • Varhelyi: Kosova të angazhohet në mënyrë konstruktive për Asociacionin

    Varhelyi: Kosova të angazhohet në mënyrë konstruktive për Asociacionin

    Komisioneri Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, beson se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, i prezantuar nga ekipi menaxhues, është pikënisje për diskutimin për formimin e këtij organi.

    “Është thelbësore që Kosova të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe siç theksoi përfaqësuesi special i BE-së për dialog (Miroslav Lajçak), drafti i ekipit menaxhues është pikënisja për diskutimet e mëtejshme rreth Asociacionit”, tha Varhelyi në debatin e mbajtur për Kosovën. në seancën plenare të Parlamentit Evropian.

    Bëhet fjalë për draft-statutin e Asociacionit që iu prezantua Kosovës dhe Serbisë në takimin e liderëve të mbajtur në Bruksel më 2 maj, ku ishin të pranishëm kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq.

    Ky draft është refuzuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke deklaruar se nuk do të lejojë formimin e një “Republika Srpska të re në Kosovë”, shkruan Radio Evropa e Lirë

    Më 3 maj, Qeveria e Kosovës shkarkoi Ekipin Menaxhues, me arsyetimin se një ditë më parë në Bruksel e kishin paraqitur statutin dhe se në këtë mënyrë u kishte përfunduar mandati.

    Ky ekip përbëhej nga katër anëtarë nga komuniteti serb: Danijela Vujičić, Jelena Bolović, Igor Kalamar dhe Dejan Radojković. Anëtarët u propozuan nga Serbia dhe u emëruan zyrtarisht nga qeveria e Kosovës.

  • Sot në Hagë vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Sot në Hagë vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimit, sot do dalin para trupit gjykues përsëri.

    Gjykimi ndaj tyre do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të radhës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

    Në këtë proces deri tani janë dëgjuar tre dëshmitarë të prokurorisë të cilët kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse, dhe në seanca pothuajse tërësisht të mbyllura për publikun.

    Për muajin maj janë paraparë të zhvillohen dhjetë seanca.

    Ditë më parë, Paneli i Gjykatës së Apelit ka rrëzuar apelet e 20 personave për të marrë pjesë në këtë proces si viktima.

    Ata kishin apeluar vendimin e trupit gjykues ku refuzohej kërkesa e tyre për pjesëmarrje në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.

  • Detajet nga ngjarja e rëndë ku dy turiste u gjetën pa shenja jete në Valbonë

    Detajet nga ngjarja e rëndë ku dy turiste u gjetën pa shenja jete në Valbonë

    Dy turiste të huaja kanë gjetur vdekjen, teksa ishin duke eksploruar në Valbonë. Mësohet se ato janë rrëzuar për shkak të terrenit të thepisur dhe kanë përfunduar në greminë.

    Kanë humbur jetën dy turistet të identifikuara me inicialet B. M nga Belgjika dhe J. B nga Franca. Trupat e pajetë të tyre janë gjetur në vendin e quajtur “Qafë Valbonë”.

    Për shkak të terrenit të ashpër si edhe kushteve atmosferike, as helikopteri nuk ka mundur të ulet në vendin ku janë gjetur trupat e pajetë. Për pasojë, për të mundësuar nxjerrjen e trupave të pajetë, shërbimet e Policisë vendore dhe të asaj kufitare, si dhe skuadra alpine, po bashkëpunojnë me Emergjencat Civile dhe me Ministrinë e Mbrojtjes.

    “Pas njoftimit se dy turiste të huaja, duke eksploruar zonën e Valbonës, ishin rrëzuar për shkak të terrenit të thepisur dhe kishin rënë në greminë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, ato të Drejtorisë Vendore dhe të Policisë Kufitare, së bashku me ekipin mjekësor, janë nisur menjëherë në drejtim të vendit ku kishin rënë dy turistet.

    Pavarësisht territorit shumë të vështirë dhe motit të keq me mjegull dhe me borë, shërbimet e Policisë, pas shumë kërkimesh, kanë bërë të mundur që në vendin e quajtur “Qafë Valbonë”, të gjenin trupat e pajetë të dy turisteve, shtetases belge B. M. dhe shtetases franceze J. B.

    Në ndihmë të shërbimeve policore është nisur menjëherë skuadra alpine e FNSh Shkodër, pasi për shkak të terrenit shumë të vështirë dhe motit të keq, punonjësit e Policisë që ndodhen në vendngjarje, e kanë të pamundur nxjerrjen e trupave nga humnera. Po për shkak të motit të keq, edhe helikopteri nuk ka mundur të ulet në vendin ku janë gjetur të pajeta turistet.

    Për të mundësuar nxjerrjen e trupave të pajetë, shërbimet e Policisë vendore dhe të asaj kufitare, si dhe skuadra alpine, po bashkëpunojnë me Emergjencat Civile dhe me Ministrinë e Mbrojtjes.

    Grupi hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës ndodhet në vendngjarje dhe në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së dy turisteve”, thuhet në njoftimin e policisë./dritare.net

  • Rrëfimi i të riut që iku nga Kosova si refugjat në Gjermani: Ëndrra ime është një ditë të kontribuoj në vendlindje

    Rrëfimi i të riut që iku nga Kosova si refugjat në Gjermani: Ëndrra ime është një ditë të kontribuoj në vendlindje

    Edon Murtezi nga komuna e Lipjanit kishte shkuar si 12-vjeçar në Gjermani. Ai bashkë me familjen e tij, u detyruan ta lënë Kosovën, për shkak të luftës që po zhvillohej aso kohë.

    Ndonëse, ka shkuar si 12-vjeçar, Murtezi rrëfen se ëndrra e tij është që një ditë të kthehet bashkë me familjen e tij për të jetuar dhe punuar në Kosovë.

    I riu nga Lipjani është shndërruar në një storje suksesi, pasi ka përfunduar me sukses shkollimin dhe tani udhëheq një kompani në fushën e sigurimeve në Republikën e Bayernit.

    Ai tregon se shumicën e klientëve i ka gjerman.

    “Me vendlindjen jam shumë i lidhur, me pas mundësi sot kthehem, sepse askund nuk ka vend më të mirë së Kosova. Një ditë jam i sigurt se do të kthehem bashkë me familjen time dhe në këtë formë do t’i kontribuoj vendit me përvojën time”, ka rrëfyer Murtezi.

  • Prelvukaj: Koncepti evropian i ka shkri dallimet fetare dhe na ka shpëtuar si popull

    Prelvukaj: Koncepti evropian i ka shkri dallimet fetare dhe na ka shpëtuar si popull

    Historiani Genc Prelvukaj, në një intervistë në emisionin CONTEXT në ATV, tha se është pikërisht koncepti evropian që i ka sjellë shqiptarët këtu ku janë dhe i ka shpëtuar nga asimilimi apo tjetërsimi.

    Sipas tij, nëse shqiptarët identitetin do ta kërkonin brenda fesë, do të ishin ndarë në tri shtete dhe sipas tij, vështirë se do të kishin arritur të mbijetonin deri sot.

    “Në qoftë se ne e kishim përvetësuar mentalitetin lindor, ne e kishim kërkuar identitetin kombëtar ndoshta brenda fesë dhe ne ishim ndarë në tri pjesë. Unë jam shumë i bindur që nuk kishim mbijetuar në tri shtete. Nuk kishte qenë më jugu i Shqipërisë si Shqipëria e parë, e dytë apo e tretë. Disa ishin shkri, tash a ishin greqizu apo kishin kaluar në sllav pjesa e sipërme. Për këtë arsye, ne jemi popull evropian mbi shumë baza, dhe njëra prej tyre është që koncepti evropian neve na ka shpëtuar si popull, i ka shkri dallimet fetare që kanë qenë goxha të theksuara në atë kohë dhe e ka vu një teori, një ideologji mbi të gjitha që ka qenë teoria apo ideologjia e vetme që është përkthyer në rezistencë ndaj asimilimit, ndaj tjetërsimit dhe ndaj shpërbërjes komplet”, tha Prelvukaj. /atvlive.tv

    strong>Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • A jemi komb evropian sipas Abit Hoxhës?

    A jemi komb evropian sipas Abit Hoxhës?

    Studiuesi i medias, Abit Hoxha, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova është evropiane si projekt politik, ndërsa si popull, jemi evropian aq sa e kemi ëndërrën evropiane.

    Ai tha se evropianizmi i Kosovës shihet ndryshe në vende të ndryshme të botës, ku mori shembuj nga Republika e Kongos ku atje Kosova shihet si vend Evropian pa asnjë dyshim, ndërsa në Gjermani, shihet si vend i Evropës Lindore.

    “Se a jemi komb evropian, dua ta shikoj këtë gjë më shumë ne aspektin gjeografik, varësisht prej kontekstit. Një prej një prej formave që e identifikojnë këtë çështje është, përvoja që për shembull unë e kam disa studime që i bëj në Republikën të Kongos dhe në Burundi, dhe kur dikush prej Kosovës udhëton në Burundi ose në Ruanda, natyrisht shihet si evropian, pa asnjë fije dyshimi. Ndërsa ta zëmë gjatë qëndrimit tim në Gjermani, si ligjërues, jam parë si evropian lindor, si dikush që vjen prej Evropës Lindore. Në Norvegji është pak më ndryshe, sepse Norvegjia është pak ma inkluzive, sepse nëse paguan taksa mund të jesh deri diku norvegjez, por jo shumë norvegjez”, tha Hoxha.

    Ai tha se ne jemi evropian aq sa e kemi ëndrrën evropiane, sepse sipas tij, ëndrra evropiane është njëfarë konsensusi i përgjithshëm në Kosovë, Shqipëri, gjithandej ku ka shqiptarë, posaçërisht në Kosovë si projekt politik. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Shabani: Ne dëshirojmë ta njohim Evropën si një vend ku punohet dhe fitohen para

    Shabani: Ne dëshirojmë ta njohim Evropën si një vend ku punohet dhe fitohen para

    Gazetari Zekirja Shabani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se masa e madhe në Kosovë, Evropën e shohin si vend ku shkohet të fitohen para, për t’i harxhuar më pas në Kosovë.

    “Ne e kemi thirrur Evropën në kuadër të të mirave që kanë funksione të mëdha dhe nuk e kemi thirrë hajde të mësojmë diçka prej juve. Ne jemi ata që veç lypim prej tyre dhe kjo është mungesë e edukimit, mungesë e vetëdijes sonë të përgjithshme se çka duam. Ne e njohim Evropën, por nuk duam me shku në Evropë, nuk bëjmë asgjë në aspektin edhe për kah edukimi edhe kah kultura, nuk duam me i njoftë ndryshe, por duam me e njoftë si një vend ku shkohet të punohet atje edhe merren do para e vijmë i hamë në Kosovë”, tha Shabani./atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Gashi: Ne pa viza kemi mbetur për shkak të Serbisë

    Gashi: Ne pa viza kemi mbetur për shkak të Serbisë

    Avokati Tomë Gashi, në një intervistë në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova ka mbetur për 33 vite pa viza për shkak të Serbisë, dhe jo që nga paslufta dhe për shkak të konflikteve se iu ishte vënë regjimi i vizave vendeve të ish-Jugosllavisë.

    “Ne kemi aspekte historike pse jemi në këtë gjendje që jemi dhe tani duket çështje e thjeshtë liberalizimi i vizave kur ne duhet ta dimë, që ne pa viza kemi mbetur për shkak të Serbisë dhe tani jemi 33 vjet pa viza, jo vetëm kohën e fundit, po për shkak se në ish-Jugasllavi që ishim edhe ne pjesë, në vitin 1991 iu vu regjimi i vizave dhe padrejtësia tjetër që iu hoqën Serbisë para 12 viteve dhe ne na lanë për vitin 2024 është për shkak se i kemi pasur 1 milionë probleme të brendshme, shpesh herë besoj që Evropa e ka ditë se kemi pasur persona që fatkeqësisht rreth 300 që kanë shkuar në Siri, por nuk kanë marrë shumë për të madhe sepse ne e kemi luftuar terrorizimin e tillë dhe shteti i jonë është krejtësisht evropian”, tha Gashi. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë: