ATV

Category: Lajme

  • Parlamenti Evropian miraton raportet për Kosovën e Serbinë

    Parlamenti Evropian miraton raportet për Kosovën e Serbinë

    Përmes dy rezolutave vjetore, Parlamenti Evropian u bëri ftesë Kosovës e Serbisë që të jenë konstruktive në dialogun për normalizimin e raporteve, duke përfshirë njohjen e ndërsjellë.

    Raportet përkatëse, Serbinë e kritikojnë për mospërshtatje të politikave me Bashkimin Evropian në qëndrimet karshi Rusisë. Por, për të njëjtën çështje vlerësohet Kosova.

    “Qeveria e Kosovës ka marrë qëndrime të qarta duke dënuar agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës dhe duke u rreshtuar me deklaratat dhe sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe Bjellorusisë. Ne e mirëpresim këtë përkushtim të qartë me vlerat dhe qëndrimet e BE-së”, tha komisioneri Evropian për Çështje të Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Oliver Varhelyi.

    Raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon, foli për arritjet që ka bërë Kosova, por edhe hapat që duhet të ndiqen tutje.

    “Kosova vazhdon t’i dëshmojë kapacitetet e saj demokratike duke pasur një peizazh politik pluralist, i cili demonstrohet me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Peizazhi mediatik është gjithashtu i devijuar në krahasim me shtetet e tjera në rajon, por megjithatë është e rëndësishme që gazetarët mbeten të pavarur. Janë arritur rezultate të rëndësishme në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në mbarë Kosovën”, tha Von Cramon.

    Megjithatë, u identifikuan edhe mangësi në disa reforma.

    “Ne gjithashtu do të donim të shihnim një ritëm më të shpejtë të reformave, duke përfshirë Kuvendin, që ka një rol kritik për të luajtur në avancimin e agjendës së qeverisë drejt BE-së. Ne mirëpresim përpjekjet e Kosovës për të përmirësuar efikasitetin, integritetin dhe profesionalizmin e gjyqësorit”, tha komisioneri Evropian për Çështje të Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Oliver Varhelyi.

    Raporti për Kosovën, pro të cilin votuan 452 deputetë, u bën thirrje Spanjë, Greqisë, Rumanisë, Qipros dhe Sllovakisë ta njohin pavarësinë e Kosovës.

    Këtë kërkesë e pati edhe një deputet austriak, derisa ai spanjoll tregoi pse kjo nuk ka ndodhur ende.

    “Ju bëj qartë thirrje që të mos e mbani bllokimin tuaj. Ju vetëm po e inkurajoni Serbinë dhe rrjedhën e saj të konfliktit. Dhe nëse kjo nuk është ajo që dëshironi, më në fund njiheni Kosovën si shtet të pavarur që është”, tha deputeti nga Austria, Thomas Waitz.

    “Fatkeqësisht, ka ende vende të BE-së që nuk e njohin Kosovën, disa prej tyre siç është Spanja, nuk e njeh për arsye që nuk kanë të bëjnë me Kosovën, por me Katalonjën. Ata nuk duan të njohin ligjshmërinë e një deklarate të njëanshme të pavarësisë”, tha deputeti nga Spanja, Carles Puigdemont.

    Përveç gjetjeve, në Parlamentin Evropian u diskutua marrëveshja e Ohrit, e cila sipas Oliver Varhelyit, obligon shtetet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet, ndërsa draft-propozimin e quajti pikënisje për diskutime të mëtejme, deri në themelimin e asociacionit.

    Raportet e sipërpërmendura, ishin të fundit për të dyja shtetet nga përbërja aktuale e Parlamentit Evropian, meqë rreth muajit maj apo qershor të vitit 2024 do të mbahen zgjedhjet evropiane. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Protestohet për mosdevijim të autostradës Prishtinë – Pejë

    Protestohet për mosdevijim të autostradës Prishtinë – Pejë

    U mblodhën në protestë për të katërtën herë me radhë.

    Kërkesa e banorëve të fshatit Gllarevë të Komunës së Klinës dhe tre fshatrave përreth mbetet e njëjtë: ndërtimi i autostradës Prishtinë-Pejë, të mos devijohet nga magjistralja aktuale, ku rreth 50 biznese janë të vendosura.

    “Jemi këtu sepse po dojnë me na ndal bukën e gojës. Ne i kemi bizneset në atë rrugë”, thotë Tahir Abazaj, banor.

    Mirëpo, gjatë protestës ata u kujdesën t’ia rikujtonin kryeministrit Albin Kurti një deklaratë të tijën që lidhej me këtë temë.

    “Ne po e shqyrtojmë mundësinë që të bëjmë zgjerimin e rrugës ekzistuese, sepse kjo mund të realizohet me gjysmë çmimi”, tha Kurti.

    Derisa për shqetësimet e protestuesve, është e informuar edhe Ministria e Infrastrukturës, premtimet e dhëna nga ky dikaster, në protestën e mëparshme, sipas banorëve, nuk janë përmbushur.

    “Kemi dërguar dokumente. Jemi takuar me zëvendësministrin, i cili na ka thënë që do të dalë në terren, por gjithçka gënjeshtër”, tha Dalib Morina, protestues.

    Pas rreth katër ore pritjeje, përfaqësuesit e protestuesve u takuan me zyrtarë të kabinetit të kryeministrit. Nga takimi dolën me shpresë.

    “Jemi takuar me asistenten, shefen e kabinetit dhe sekretarin e kryeministrit. Ishin të informuar lidhur me rastin dhe do të dalin në terren për të parë çdo gjë nga afër”, tha përfaqësuesi i punëtorëve, Sheremet Pantina.

    Ndërkaq, nëse kërkesat e tyre nuk realizohen, protestuesit thanë se do të merren masa të tjera, deri në bllokimin e magjistrales Prishtinë – Pejë, përkatësisht në aksin Kijevë – Zahaq. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Qeveria miraton shpronësimet në veri, njofton rritje buxheti për komunat

    Qeveria miraton shpronësimet në veri, njofton rritje buxheti për komunat

    Me lavde për rritjen e buxhetit për komunat për vitin e ardhshëm dhe akuza për opozitarizëm nga to, kryeministri Albin Kurti nisi mbledhjen e Qeverisë.

    Kryeministri tha se buxheti i përgjithshëm komunal më 2024 do të jetë më i larti ndonjëherë – 742 milionë euro apo rritje prej 35%, sikurse edhe granti komunal me 284 milionë euro.

    Pasi tha se ka rritje të granteve specifike për arsim e shëndetësi, për 18 dhe 16 për qind, kryeministri njoftoi se javën tjetër do të takojë kryetarët e komunave.
    “Këto janë dëshmi të forta, sepse janë fakte të qarta të mbështetjes dhe gatishmërisë së Qeverisë për bashkëpunim të afërt me komunat. Dikur niveli qendror i bënte opozitë qeverisjes lokale, sot qeverisja lokale në disa raste po përdoret për opozitë nivelit qendror, gabim ka qenë atëherë, gabim tash”, tha Kurti.

    Ekzekutivi i dha vlerësim pozitiv Projektligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili mes tjerash rregullon organizimin e zgjedhjeve brenda dhe jashtë Kosovës – përfshirë mënyrën e votimit të mërgatës.

    Pas disa muajsh bllokade të punimeve për rrugën dhe stacionin e Policisë në fshatin Dren të Leposaviqit, pas dëgjimeve publike me banorët, Qeveria miratoi vendimin preliminar për shpronësime për projektet infrastrukturore në këtë komunë dhe zonave të tjera me interes publik në Zubin Potok.

    “Zonat kadastrale, Bistricë, Bistricë e Shalës, Dren, Leshak dhe Koshtovë, komuna Leposaviq dhe zonat kadastrale Bërnjak, Zubin Potok, Bregu i Madh, Banjë, Jasenovik, komuna Zubin Potok… Departamenti i shpronësimit ka konstatuar se janë përmbushur në tërësi dispozitat ligjore dhe vendos që të procedojë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, propozimin preliminar me të cilin miratohet ligjshmëria e procesit të shpronësimit për interes publik”, tha zëvendësministri i MMPHI-së, Avni Zogiani.

    Po ashtu, u mor vendimi preliminar për shpronësime në zonat përkatëse në Obiliq dhe Fushë-Kosovë për realizimin e projektit për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik nga KEK-u, me kapacitet rreth 100 megavat orë energji.

    Ekzekutivi i dha mbështetje nismës për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Gjermanisë, në vlerë të përgjithshme rreth 28 milionë euro, për promovimin e sipërmarrjes.

    Qeveria miratoi një pako të re sanksionesh ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, në përputhje me përditësimin e sanksioneve të vendosura nga SHBA-ja dhe BE-ja, në raport me zhvillimet në Ukrainë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Imeri: Asnjë qeveri nuk e ka pasur prioritet shëndetësinë

    Imeri: Asnjë qeveri nuk e ka pasur prioritet shëndetësinë

    Kryetarja e FSShK-së, Tevide Imeri, në emisionin DIREKT në ATV, deklaroi se asnjë Qeveri nuk e ka pasur prioritet shëndetësinë.

    “Edi se shëndetësia ka një kosto jashtëzakonisht të lartë edhe kam thënë, e nuk kam me u ndalë duke e thënë se gati asnjëra Qeveri nuk e ka pasur prioritet shëndetësinë”, tha Imeri.

    Ajo tha se kur e gjithë Qeveria fokusohet kah shëndetësia, nuk mund të mos ndryshoje diçka për të mirë.

    “Kur e gjithë Qeveria fokusohet kah shëndetësia, nuk ka qare pa ndryshu diçka për të mirë. Unë nuk po them se mundemi me e ba për një mandat ose gjysmë mandati një shëndetësi si të shteteve të perëndimit, por megjithatë, këto çështje, shërbimet kryesore, ato duhet të ofrohen”, u shpreh Imeri. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Ibrahimi: Qeveria po synon të përzihet në punët e komunave

    Ibrahimi: Qeveria po synon të përzihet në punët e komunave

    Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në emisionin DIREKT në ATV, tha se Qeveria, me veprimet e saj, po synon të përzihet në kompetencat e komunave.

    “Kjo shihet edhe në bazë të ligjit për ndarje buxhetore të vitit 2023. Për herë të parë, në Republikën e Kosovës, një qeveri vendosë që 18 komunave të mos ua përkrahë asnjë projekt të ri për investime kapitale dhe kjo është e çuditshme. Në këtë rast, edhe Podujeva si komunë e Vetëvendosjes, nuk ka hy me asnjë projekt të ri kapital, nuk do të përkrahet nga niveli qendror”, tha Ibrahimi.

    Ai thotë se kanë ngritur disa herë shqetësime për tendencat e Qeverisë për centralizimin e kompetencave të nivelit lokal.

    “Ne kemi ngritë disa shqetësime. Është tendenca e centralizimit të kompetencave, tendenca e shtrirjes së duarve në kompetencat e autoriteteve lokale që nuk ka ndodh më parë, sepse këtë edhe Gjykata Kushtetuese po e thotë pastaj. Tendenca e marrjes së mjeteve vetanake. 100 milionë euro ishte tendenca vitin e kaluar, kur e ngritëm këtë shqetësim e pastaj 94 deputetë kërkuan nga Qeveria që mos t’ua marrë mjetet financiare komunave, mirëpo tash është duke i mbajtur pezul 37.5 milionë euro”, tha Ibrahimi. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • “Komunat po i bëjnë opozitë e qeverisë”, Ibrahimi i reagon Kurtit

    “Komunat po i bëjnë opozitë e qeverisë”, Ibrahimi i reagon Kurtit

    Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në emisionin DIREKT në ATV, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministri Kurti, pasi ky i fundit ka thënë se Komunat në disa raste janë duke i bërë opozitë Qeverisë së tij.

    Ai tha se as logjikisht kjo gjë nuk ka mundësi me qenë e vërtetë që niveli lokal t’i bëjë opozitë nivelit qendror.

    “Nuk dua të hy në detaje se çfarë ka thënë kryeministri Kurti, por logjikisht nuk ka asnjë mundësi, asnjë shanse që niveli lokal të jetë opozitë e nivelit qendror. Jemi në një shtet demokratik, niveli lokal nuk mund të jetë opozitë. Komunat janë duke kërkuar një bashkëpunim të sinqertë me nivelin qendror, bashkëpunim ky që është duke munguar shumë”, tha Ibrahimi. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Bie qarkullimi i industrisë minerare e gurore dhe asaj përpunuese

    ​Bie qarkullimi i industrisë minerare e gurore dhe asaj përpunuese

    Në muajin shkurt të vitit 2023, indeksi i qarkullimit në sektorët e industrisë, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, shkurt 2022 ishte: Furnizimi me ujë, veprimtaritë e menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave 0.45%, furnizimi me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar 0.03%, Industria nxjerrëse minierat dhe guroret minus -0.27% dhe Industria përpunuese minus -0.02%.

    Kjo u bë e ditur në raportin e publikuar për Statistikat Afatshkurtra të Industrisë, duke paraqitur Indeksin e vëllimit industrial për muajin shkurt nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

    Në këtë raport thuhet se indeksi i numrit të të punësuarve në sektorët e industrisë, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak ishte: Furnizimi me ujë, veprimtaritë e menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave 0.00%, Industria nxjerrëse minierat dhe guroret -0.07%, Furnizimi me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar -0.03%, dhe Industria përpunuese -0.02%.

  • Kurti priti një delegacion të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë: ShBA, aleat i yni kyç

    Kurti priti një delegacion të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë: ShBA, aleat i yni kyç

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot një delegacion të gjerë të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë. Marrëdhëniet Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës shtrihen në sferën historike, ekonomike, të sigurisë dhe të mbrojtjes.

    Para ambasadorëve dhe mysafirëve të tyre, siç u bë e ditur nga qeveria, Kurti tha se ShBA-të janë partner, mik dhe aleat kyç i Kosovës.

    Ai i njoftoi ata për progresin ekonomik dhe demokratik të vendit si dhe për bashkëpunimin në rritje ndërmjet dy vendeve, duke veçuar këtu marrëveshjen prej 236.7 milionë dollarë me MCC-në të nënshkruar në vitin e kaluar dhe strehimin e refugjatëve afganë në Kosovë.

    “Gjatë bashkëbisedimit, kryeministri Kurti po ashtu veçoi katër fushat të cilat janë trajtuar me prioritet në buxhetin e vitit 2023; mbrojta, edukimi, bujqësia dhe shëndetësia, teksa iu përgjigj interesimit të ambasadorëve për to.”, u bë e ditur në komunikatë.

    Ambasadorët e përgëzuan kryeministrin dhe Kosovën për arritjet. Në mesin e tyre, ish-ambasadori amerikan, Thomas Riley, i cili tha se i vjen shumë mirë që qeveria jo vetëm që po përpiqet, por edhe po ka sukses.

    Gjithashtu, Kurti i informoi anëtarët e delegacionit vizitues me zhvillimet e fundit për sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me dakordimin mbi Marrëveshjen bazë dhe planin e zbatimit, sjelljen dhe veprimet e Serbisë karshi tyre dhe me qëndrimet dhe propozimet e Republikës së Kosovës në takimin e javës së kaluar në Bruksel.

    Vizita e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë u organizua nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, përfaqësues të së cilit ishin po ashtu prezentë në këtë takim.

    Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë është shoqatë e ambasadorëve amerikanë me gjithsej 200 anëtarë, të cilët së bashku kanë shërbyer për mbi gjashtë dekada dhe për njëmbëdhjetë presidentë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

  • Qeveria e lumtur me miratimin e raportit të KE-së për Kosovën

    Qeveria e lumtur me miratimin e raportit të KE-së për Kosovën

    Qeveria Kosovës ka përshëndetur miratimin e sotëm nga Parlamenti Europian të raportit për Kosovën, i cili, siç thotë Qeveria, evidenton suksese dhe mesazhe pozitive për vendin.

    “Forcimi i demokracisë, sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe maturia institucionale e qeverisëse, janë vetëm disa nga shembujt e përmendur në këtë raport”.

    Zyra e Kryeministrit në komunikatën për media ka përmendur disa nga pjesët e këtij raporti ku lavdërohet Kosova, përfshirë edhe paragrafët përmes të cilëve PE kërkon që të mbështetet Kosova në rrugën e saj integruese.

    Komunikata e plotë:

    Qeveria e Republikës së Kosovës, përshëndet miratimin e sotëm nga Parlamenti Evropian të raportit për Kosovën, i cili evidenton suksese dhe mesazhe pozitive për vendin.

    Forcimi i demokracisë, sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe maturia institucionale e qeverisëse, janë vetëm disa nga shembujt e përmendur në këtë raport.

    Theksohet dhe se Parlamenti Evropian mirëpret aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, duke bërë thirrje për prezantimin e pyetësorit dhe përgatitjen e opinionit mbi aplikimin dhe rithekson mbështetjen për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës, PFP e NATO-s dhe INTERPOL.

    Lavdëron Kosovën për aktivitetin e shtuar legjislativ në lidhje me reformat e agjendës evropiane dhe përparimin në zbatimin e prioriteteve të Agjendës së Reformave Evropiane II dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

    Mirëpret periudhën më të gjatë të stabilitetit politik deri më tani pas zgjedhjeve të vitit 2021.

    Në raport kërkohet nga shtetet anëtare, që nuk e kanë njohur ende Kosovën, ta bëjnë këtë pa vonesë të mëtejshme.

    Në mes të tjerash, në zhvillim ekonomik vlerëson pozitivisht përformancën e jashtëzakonshme të eksportit, rritjen ekonomike si dhe politikat për të lehtësuar ndikimin e pandemisë dhe të çmimeve të larta të energjisë për familjet dhe bizneset më të prekura.

    Në lidhje me procesin e dialogut, i bazuar në njohjen reciproke, Kosova vlerësohet si palë e përkushtuar dhe e angazhuar në mënyrë konstruktive. Ndërkohë, dënon Serbinë për veprimet përshkallëzuese të aktorëve të sponsorizuar nga ta, duke përfshirë bllokadat e paligjshme, sulmet e dhunshme dhe kërcënimin për veprime ushtarake, si dhe fushatën e tyre të çnjohjes dhe votën kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Në raport evidentohet dhe mirëpritet veçanërisht angazhimi dhe dialogu i shtuar me serbët e Kosovës gjatë vitit të kaluar.

  • I vazhdohet paraburgimi të dyshuarit për vrasjen makabre të nënës në Pejë

    I vazhdohet paraburgimi të dyshuarit për vrasjen makabre të nënës në Pejë

    Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Pejë, ia ka vazhduar paraburgimin të dyshuarit për vrasjen e nënës së tij në Pejë më 14 prill të këtij viti.

    Vendimi i Gjykatës ka ardhur në bazë të kërkesës për vazhdim të paraburgimit nga Prokurori i Shtetit i Prokurorisë Themelore të Pejës.

    Të pandehurit, sipas këtij aktvendimi, “i vazhdohet masa e paraburgimit, e cila mund të zgjasë nga data 14:05.2023 e gjer më datë 13.07.2023.