Analisti Artan Behrami, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se presidentja Osmani dhe Albin Kurti kanë qenë në dijeni për ekzistimin e ekipit menaxhues si dhe për prezantimin që ata kanë për ta bërë për draft-statutin për Asociacionin.
“Tash e dy vjet, edhe presidentja edhe kryeministri e dinë qartë për ekzistimin e një ekipi të tillë, e dinë edhe përmbajtjen e draftit. Ata kanë pasur deri sot kohë të mjaftueshme me e parandaluar prezantimin e tillë. Por, çfarë kanë bërë, unë mendoj se kanë kalkulu qysh kalkulojnë gjithmonë politikisht se qysh pritet në opinion publik. Edhe zonja Osmani dhe zotri Kurti menzi kanë pritë që ky ekip menaxhues të prezantojë Republikën Srebska për dy efekte. Efekti i parë, për ta akuzuar Hotin dhe të gjithë të tjerët që e kanë emëruar këtë ekipë, për të thënë që qeveritë e kaluara na sollën neve Republikën Srebska dhe për atë që tha Bashkimi Evropian ‘le të shërbejë si pikënisje’ dhe kjo i konvenon edhe Vjosa Osmanit edhe Albin Kurtit për të thënë, pikënisja është Republika Srebska, ne e sollëm Asociacion”, tha Behrami.
Pranimin e Asociacionit nga kryeministri Kurti, Behrami e quan të tmerrshëm, përshkak se ky kompromis, sipas tij, nuk përmban as njohje de-jure edhe njohje de-facto.
“Është e tmerrshme që Albin Kurti e ka pranu një Asociacion, e ka pranu marrëveshjen me vetë menaxhim, e ka pranu marrëveshjen me kishën ortodokse për brenda dhe ka bërë të gjitha këto kompromise pa qenë njohja de-jure edhe njohja de-facto në mes”, theksoi Behrami. /atvlive.tv
Gazetari dhe analisti Lavdim Hamidi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se është skeptik që Kosova dhe Serbia do të mund të merren vesh për statutin e Asociacionit.
Ai tha se në fund, palët do ta pranojnë të gatshëm statutin nga ndërmjetësuesit dhe do të detyrohen ta zbatojnë atë.
“Kanë thënë edhe nga administrata amerikane edhe nga Bashkimi Evropian se për momentin, prioritet i të gjitha prioriteteve është formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Këtu palët kanë ngecë, po shihet. Nuk besoj se kjo javë, ose java e ardhshme do të jetë vendimtare, sepse ende jemi në kuadër të afatit kohor brenda 150 ditësh, mirëpo jam shumë skeptik se palët vet, pa presionin ndërkombëtar do të arrijnë një marrëveshje për me e ba statutin. Ne fund, do ta pranojnë të gatshëm dhe do të detyrohen me e zbatu të njëjtin sepse vazhdimisht kemi treguar edhe në të kaluarën se kemi humbur kohë dhe nuk mundemi me u marrë vesh”, tha Hamidi. /atvlive.tv
Analisti Artan Behrami në emisionin CONTEXT në ATV, tha se narracioni i Qeverisë për Asociacionin është një mashtrim i radhës që po mundohet ta ndjellë te opinioni publik.
Ai tha se Qeveria e Kosovës po tenton ta shesë narracionin se pushtetin e kanë marrë ku u nisë Republika Srebska dhe sot e kanë Asociacionin që është në përputhje me Kushtetutën.
“Unë besoj se është në kuadër të strategjisë së njëjtë edhe tashmë kemi një platformë legjitime që e ka kornizu këtë meqë edhe Bashkimi Evropian, por edhe të tjerët kanë thënë që prezantimi i draft-statutit është një pikënisje e mirë për me bisedu për statutin e Asociacionit. Ne e kemi thënë që ky prezantim që është bërë në Bruksel është shfrytëzuar mirë nga Qeveria e Kosovës për të thënë që ajo përmbanë Republika Serbska. Qeveria e Kosovës, Kurti e Konjufca, janë duke u munduar që të skicojnë kufirin e pikënisjes, kufirin e startit. Pra, këtu është starti sipas tyre, e kemi marrë Kosovën ku u nisë Republika Srebska dhe sot kemi ardhur në një Asociacion, të cilin do ta pranojmë edhe që është në kuadër të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha Behrami.
Ai tha se kjo që po thotë Qeveria se e ka arritë, nuk është asgjë e re për Kosovën, pasi që sipas tij, çdo ambasador amerikan e ka përseritë se Asociacioni do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Pra, ky është narracioni që po mundohet të ndjellet në opinion publik, e vërteta natyrisht është e kundërt që tash e 6-7 vite, çdo ambasador amerikan këtu, zëri iu ka shterrë duke thënë që Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, që Asociacioni nuk do të jetë Republika Srebska, që Asociacioni do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Pra është një mashtrim i radhës i cili po mundohet me u ndjellë. Se sa do të ketë sukses në opinion publik do të shihet ditëve dhe javëve të ardhshme”, deklaroi Behrami. /atvlive.tv
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka realizuar takime në Kongresin amerikan ku ka theksuar rëndësinë e integrimit të Kosovës në institucionet euroatlantike. Osmani ka folur edhe për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë dhe ka përmendur shkeljet e vazhdueshme të Serbisë në këtë proces.
Presidentja ka takuar senatorë e kongresistë, ndër të cilët edhe Chuck Schumer, Christopher Murphy, Steve Scalise dhe Veronica Escobar.
“Në takime është folur po ashtu për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, me ç’rast Presidentja Osmani ka ritheksuar se Kosova vazhdon të jetë konstruktive, ndërkaq ka potencuar shkeljet e vazhdueshme të Serbisë në këtë proces, duke shprehur shqetësimin për mungesën e gatishmërisë për zbatim të marrëveshjes nga ana e tyre”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Osmani gjithashtu ka vlerësuar kontributin e Kongresit për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe ka theksuar se është krijuar një momentum i ri për zhvillime të reja në këtë drejtim.
“Në të gjitha këto takime, Presidentja Osmani ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, me fokus të veçantë në zhvillimet në fushën e sigurisë. Ajo ka potencuar vazhdimisht rëndësinë e integrimit të Republikës së Kosovës në institucionet euroatlantike, duke theksuar se kjo do të kontribuonte drejtpërdrejt që të ketë gjithnjë e më shumë siguri dhe stabilitet në rajonin tonë dhe përtej”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Presidentja Osmani është e ftuar në Universitetin e Harvardit në Boston, si folëse kryesore në konferencën ndërkombëtare ‘Global Empowerment Meeting’.
Kontingjenti i FSK-së, i cili kishte zbarkuar me ushtrinë britanike në Ishujt Falkland, ka përfunduar me sukses misionin dhe është kthyer në Kosovë.
Në misionin “Atlantiku” Forca ka qenë pjesë e integruar e njësive britanike ku kanë realizuar bashkërisht të gjitha fazat e trajnimit dhe praktikave taktike dhe operacionale në mision.
“Pjesëmarrja e Forcës së Sigurisë së Kosovës në bashkë-zbarkimin me qëllim të ngritjes së aftësive dhe kapaciteteve, e ngrit nivelin e besimit tek partnerët, përgatit ushtarakët për misione dhe ndëveprueshmëri si dhe rrit nivelin e operacionalitetit të ushtarakëve tanë të cilët do të shërbejnë në të ardhmen në misionet shumëpalëshe të paqes ku do që kërkohet”, thuhet në njoftimin e forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ata janë pritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, nga komandanti i Forcave Tokësore, gjeneral brigade Hysen Dreshaj, shefi i shtabit të KFT-së, kolonel Valdet Berisha, si dhe familjarë, miq.
Përkundër vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Qeveria është pozicionuar kundër nënshkrimit të kontratës për furnizim me insulina, nga kompania e përzgjedhur, e cila nuk është e pajisur me certifikatë të cilësisë së barnave.
Në ditën kur skadon afati pesëditor që OSHP-ja i ka dhënë Ministrisë së Shëndetësisë për nënshkrimin e kontratës, ministri Arben Vitia akuzoi këtë organ dhe Prokurorinë për presion të paligjshëm ndaj tij.
Megjithëkëtë, ai tha se nuk do ta nënshkruajë kontratën që e vlerëson të jashtëligjshme.
“Ministria e Shëndetësisë shpreh shqetësimin në lidhje me presionin e paligjshëm që po i bëhet nga Organi Shqyrtues i Prokurimit dhe Prokuroria e Shtetit, në lidhje me aktivitetin e prokurimit për furnizim me insulina. OSHP-ja dhe Prokuroria kanë ndërmarrë veprime të koordinuara për të bërë presion mbi Ministrinë e Shëndetësisë, që kontrata të nënshkruhet një operatori i cili as nuk ka aplikuar për autorizim marketing, i cili është obligativ, sipas Ligjit për produkte dhe pajisje medicinale dhe po ashtu është gradacioni i cilësisë së sigurisë dhe efikasitetit të barnave”, tha Vitia.
Madje, Vitia tha se nuk do të marrin vendime të jashtëligjshme për të rrezikuar shëndetin publik.
“Pavarësisht vendimeve të OSHP-së dhe presionit nga hetimet penale që po bëhen edhe nga Prokuroria Speciale në Kosovë, sipas informacioneve të fundit, edhe pse zyrtarisht nuk kemi asgjë… Ne jemi para dy zgjidhjeve si Ministri e Shëndetësisë: ose ta ruajmë shëndetin e qytetarëve dhe vetë të rrezikojmë dënimin ose të rrezikojmë shëndetin e qytetarëve, në emër të asaj që ne ruhemi nga dënimi potencial. Si ministër, por edhe si mjek në këtë rast, edhe në aspektin ligjor dhe moral është obligim shëndeti i qytetarëve mbi të gjitha, në çdo rast dhe para çdo zgjedhjeje. (OSHP dhe Prokuroria e Shtetit) Në praktikë me këto vendime sikur janë vënë në shërbim të një mafie farmaceutike. Prapë për motive për ne të panjohura”, tha Vitia.
Për këto arsye, Qeveria i propozoi Kuvendit shkarkimin e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi, e cila ka udhëhequr panelin që ka nxjerrë vendimin lidhur me tenderin për insulina pa certifikatë të cilësisë.
“I propozojmë kuvendit shkarkimin e anëtares së OSHP-së, Kimete Gashi, e cila ka udhëhequr panelin që ka marrë vendimin e dëmshëm në kurriz të qytetarëve. Nuk ka ligjshmëri e as punë për të mirën e interesit publik kur vendimmarrja anashkalon interesin e qytetarëve e aq më tepër kur ajo shkel ligjin në fuqi. Brenda kompetencave që ka, Qeveria do ta dënojë çdo sjellje e veprim të dëmshëm, pa marrë parasysh subjektin që merr vendimin”, kryeministri Kurti.
Në këto rrethana, Vitia tha se rrezikohen më së shumti 15 mijë pacientë të varur nga insulina.
Se duhet t’i blejnë insulinat nga xhepi i tyre e thonë pacientët dhe familjarët e tyre.
“Jam vetë fillestare me diabet, po duhet me i ble, është shqetësuese. Institucionet duhet me bo zgjidhje për t’i siguruar e jo familjarët”, tha Drita Komati, paciente.
“Vëllain e kom me diabet, gjithmonë shkojmë i blejnë insulinat në Ferizaj, kushtojnë koxha shumë. Insulinat i sigurojmë barnatore prej barnatore, të paktën me i dal për
një muaj”, tha Hamdi Demiri, familjar.
“Situata me insulina nuk është normale. Ministria e Shëndetësisë duhet me ndërmarrë diçka”, tha Luljeta Raqi, familjare.
Ndryshe, ky tender është hapur në fund të vitit 2020, kur ministër ishte Armend Zemaj e sekretar i atëhershëm ishte Ardian Mehmetaj. Ndërsa prej vitit 2021, menaxherët aktualë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë kërkuar që ky tender të anulohet e më pas, në një tender të ri të aplikojnë kompanitë që kanë Autorizim Marketingu. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:
Nga 2300 asete që Agjencia Kosovare për Privatizim ia kishte propozuar Qeverisë, 1674, vlera e saktë monetare e të cilave nuk dihet, do të barten në Fondin Sovran.
Rajonet e Prishtinës, Pejës dhe Prizrenit kanë numrin më të lartë të aseteve që pritet t’i marrë në menaxhim ky fond.
Me themelimin e Fondit, zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, nuk e përjashtoi mundësinë e krijimi të ndërmarrjeve të reja.
“Vlerësimi ynë është që do të jenë 6 ndërmarrje publike, duke fillu me Trepçën, KEK-un, Telekomin dhe dy ndërmarrjet hekurudhore. Por do të ketë edhe asete të tjera që do të barten nga AKP-ja, të cilat do të menaxhohen nga një ndërmarrje e re. Mund të formohet një ndërmarrje e re ku do të futet Brezovica, hotel “Grandi” etj”, tha Mjeku.
Ndonëse, sipas zëvendësministrit Selimi, Fondi Sovran është mekanizëm i domosdoshëm për zhvillim ekonomik, opozita ka dyshime. Madje për një ish-ministre të Financave, projektligji është antikushtetues.
“Për shembull, te neni 65 thuhet se Fondi Sovran dhe ndërmarrjet të cilat do të bëhen pjesë, nuk e kanë për obligim ta zbatojnë Ligjin për Prokurimin Publik, i cili për mua është shumë problematik. Nuk e kanë për obligim ta zbatojnë ligjin e punës, rregullat dhe kriteret për raportim financiar, andaj si i tillë duket që është antikushtetues”, tha ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.
Por, këto pretendime të opozitës, ekzekutivi i vlerëson të pabazuara.
“Këto sfidat e vazhdueshme kushtetuese janë vërtetë të paarsyeshme. Këta deputetë që po thonë se ky ligj është antikushtetues, janë të njëjtit që e kanë bllokuar ligjin për produkte bazike dhe na e pamundësojnë mbrojtjen e qytetarit”, tha zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku.
Bartja e aseteve nga Agjencia Kosovare e Privatizimit te Fondi Sovran parashihet të bëhet brenda një periudhe dyvjeçare. Bazuar në Ligjin për Agjencinë, në rast të shpronësimit, për këtë proces, ish-drejtues të AKP-së kishin paraparë kosto milionëshe. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:
Dardan Krivaqa ishte plotësisht i vetëdijshëm kur dyshohet se kreu vrasjen mizore të Marigona Osmanit, në gusht të vitit 2021.
Kështu konstatohet në raportin e ekzaminimit psikiatrik të Institutit të Forenzikës, të cilin e ka siguruar ATV-ja.
“Në momentin e kryerjes së veprës për të cilën akuzohet, aftësia e tij mendore që të kuptojë rëndësinë e veprës, si dhe aftësinë e kontrollit të veprimeve të tij, ka qenë e ruajtur. Kjo është e bazuar edhe në sjelljen e tij dhe dinamikën e ngjarjes para, gjatë dhe pas veprës”, thuhet në raport.
Por raporti evidenton se Krivaqa vuante nga një çrregullim i personalitetit antisocial, i cili, sipas raportit, vjen si pasojë e përdorimit të substancave narkotike.
“Personat e tillë karakterizohen me sfera të shthurura të funksionimit jetësor, me rrahje, kërcënime, gënjeshtra, ikje nga shtëpia, probleme në raportet ndërnjerëzore, me familjen, abuzim me substanca, aktivitete ilegale, të cilat kanë filluar që në fëmijëri. Janë manipulues dhe u pëlqejnë aktivitetet të cilat lehtë sjellin të holla dhe famë. Nuk pendohen për veprimet e tyre dhe çdoherë ua hedhin fajin të tjerëve për veprimet e tyre”, thuhet në raport.
Për ta bërë këtë ekzaminim psikiatrik, i cili ishte kërkesë e avokatit mbrojtës të Dardan Krivaqës, Institutit të Forenzikës iu deshën pothuajse katër muaj, duke bërë kështu që të mos mbahet asnjë seancë që nga 23 janari i këtij viti.
Megjithatë, rezultatet kanë qenë të pritshme për avokatin e familjes së Marigona Osmanit.
“Kam kundërshtuar këtë raport për arsye që kam qenë në dijeni, që i pandehuri ka pasur edhe shqyrtime të tjera gjyqësore. Pas arrestimit të tij për këtë çështje që është duke u gjykuar, nuk ka pasur kërkesa të tjera për ekzaminim dhe ka qenë plotësisht i vetëdijshëm i orientuar për këtë çështje”, tha avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi.
Seanca e radhës pritet të bahet më 1 qershor.
Ndërkaq, nga 14 korriku kur ka filluar ky proces gjyqësor janë mbajtur 5 seanca, në të cilat dy të akuzuarit për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu janë deklaruar të pafajshëm si dhe janë dëgjuar disa dëshmitarë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:
Në komision u thirr për të raportuar për përmbushjen e obligimeve për marrëveshjet e stabilizim-asocimit, por zv.kryeministri Besnik Bislimi, u përball më pyetje për çështje krejtësisht të tjera.
Arrestimi i kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, çoi në përballje zëvendëskryeministrin Bislimi me deputeten e PDK-së, Blera Deliu – Kodra.
Sipas Bislimit, Prokuroria po merret vetëm me Krasniqin e jo me dhjetëra raste të tjera, të deponuara si keqpërdorime nga menaxhmenti i KEK-ut.
“Rastet e fundit, shih edhe rastet në KEK dhe arrestimet e fundit në KEK, ku ne kemi përballje të rëndë të institucioneve të Kosovës me korrupsion dhe çka është edhe më e rëndë, kemi një përpjekje të qeverisë që t’i gjykojë institucionet e drejtësisë, prokurorinë e gjykatat”, tha Deliu-Kodra.
“Ne mendojmë se ka shumë korrupsion në KEK dhe jemi të vetëdijshëm që diku 30 raste të tilla, janë deponuar në Prokurori nga ana e menaxhmentit të KEK-ut, por ja që nuk ka interes politik të një institucioni që është politik, si është KPK-ja e nuk merret me këto raste”, tha Bislimi.
Debati mes tyre vazhdoi edhe më tej, por për një çështje tjetër.
Sipas Deliu-Kodrës, deklarata për personat e zhdukur e dakorduar së fundmi mes Kosovës e Serbisë, është e papranueshme.
“Shqetësimi im është edhe Deklarata e dakorduar e kryeministrit Kurti dhe presidentit Vucic për personat e pagjetur. Përdorimi i togfjalëshit “të zhdukurit me forcë”, në vend të “personave të zhdukur me dhunë” natyrisht që njëson viktimën dhe xhelatin dhe për ne ka qenë shqetësim”, tha Deliu-Kodra.
“Opozita në Kosovë është i vetmi grupacion që mendon se atje po bëhet njësimi i xhelatit me viktimën, pse po u përdorka termi i “personave të zhdukur me forcë”. Cila shkronjë e fjalisë “personat e zhdukur me forcë” çon në njësim të xhelatit dhe viktimës?”, tha Bislimi.
Në komision nuk u la pa u përmendur edhe çështja e ambasadorit Martin Berishaj, për të cilin thuri lavde zv.kryeministri.
“Nëse flisni për krimin dhe korrupsionin, e keni parë, e keni rastin konkret që sot ta përfaqëson shtetin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj”, tha deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.
“Rasti i Martin Berishajt është konstrukt artificial nga subjektet politike në Kosovë. Nuk ka asnjë proces gjyqësor të nisur ndaj tij, është e paturpshme se si zvarritet emri i një intelektuali të shquar si Martin Berishaj, me shpresë se mund të nxirret ndonjë beneficion politik, apo përfitim politik”, tha Bislimi.
Krejt në fund, Bilsimi foli edhe për atë që u thirr në Komision, teksa tha se për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit gjatë vitit të kaluar, prej 235 masave janë zbatuar 136. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:
Rreth 60 milionë euro është buxheti që ka ndarë Ministria e Shëndetësisë për listën e barnave esenciale për vitin 2023.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se ky është buxheti më i lartë i ndarë për këtë kategori, për dallim nga vitet e kaluara.
“Një listë e kostuar dhe e buxhetuar që është më shumë se dyfish rritje e buxhetit, sidomos krahasuar me vitin 2018, kur kjo shumë ka qenë 24 milionë euro dhe pastaj në vitin 2020 nga Qeveria Kurti 1 kjo listë është bërë dhe është buxhetuar në 35 milionë euro”, tha Vitia.
Me këtë buxhet, Vitia thotë se është dërguar në votim projektligji për çmimin tavan dhe po ashtu është bërë zgjerimi i listës së barnave esenciale.
“Përmes listës esenciale të barnave synojmë të përmbushim nevojat kryesore të popullatës që të kenë tërë kohën barna, me kosto sa më të përballueshme. Lista esenciale e barnave është zgjeruar për t’u mbuluar shtesat në nevojë. Janë shtuar mbi 70 produkte të reja për trajtimin e sëmundjeve për qytetarët, të cilët vuajnë nga sëmundjet kronike dhe për t’i zgjeruar mundësitë e mjekimit për ta”, tha Vitia.
Por, kryesuesi i grupit punues për hartimin e Listës Esenciale të Barnave, Driton Vela, nuk ka treguar se cilat barna i janë shtuar kësaj liste.
“Ne kemi shqyrtuar rreth 134 propozime në këtë periudhë. Para kësaj kanë qenë 130 propozime nga ana e profesionistëve, duke i llogaritur edhe propozimet individuale rreth 280 total. Në shumicën e rasteve nuk i kemi miratuar propozimet për barna, pasi nuk janë të gjitha propozime për barna, por janë propozime të natyrës teknike, si dhe propozime për zgjerimin e gamës së konkurrencës”, tha Vela.
Në Listën e Barnave Esenciale përfshihen të gjitha produktet e parapara në koncept-dokumentin për sëmundje të rralla, miratuar në Qeverinë e Kosovës në dhjetor të vitit 2022. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë: