ATV

Category: Lajme

  • Arrestohet një person për kanosje në Ferizaj

    Arrestohet një person për kanosje në Ferizaj

    Një person kishte kanosur një zyrtar policor më datën 16.04.2023 rreth orës 14:30, dhe për këtë ishte njoftuar Policia Rajonale e Ferizajt përmes një personi të panjohur në rrjetin social ‘’Facebook’’.

    Sipas një njoftimi për media thuhet se në lidhje me këtë në rast janë kyçur policët hetues nga Sektori Rajonal i Hetimeve dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i kishin nisur hetimet.

    Tutje në njoftim bëhet e ditur se pas një punë intensive hetimore, mbledhjen e informacioneve në terren, hetuesit rajonal kanë arritur që të identifikojnë dhe me datën 10.05.2023 rreth orës 16:00 kanë arrestuar të dyshuarin A.A (M/K) i moshës 28 vjeçar, me dyshimin se ka kryer veprën penale ‘’Kanosje’’.

    Sipas njoftimit personi është shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj dhe pas intervistimit të tij nga policët hetues, në prani edhe të avokatit mbrojtës ka pranuar se ka kryer kanosjen dhe me vendim të prokurorit të rastit është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore.

  • Shefja e USAID-it vjen për vizitë në Kosovë

    Shefja e USAID-it vjen për vizitë në Kosovë

    Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power, do të qëndrojë sot (e enjte) për vizitë në Kosovë.

    Ajo qëndroi një ditë më parë në Beograd, ndërsa në Prishtinë do të ketë takime gjatë pasdites së sotme si dhe të premten.

    Pas takimeve me krerët shtetërorë në Serbi, në një paraqitje për media, shefja e USAID-it deklaroi se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë kërkon guxim politik por do të sillte përfitime ekonomike.

    Ajo tha se po udhëton drejt Kosovës për të ngritur çështje të ndjeshme dhe të vështira porse normalizimi i raporteve do të çlirojë një potencial të madh ekonomik për të dy vendet.

    Power deklaroi se Deklarata për të Zhdukurit që është arritur në fillim të këtij muaji mes Kosovës dhe Serbisë është e rëndësishme, por shtoi se duhet bërë progres edhe në krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Power u bë shefja e parë e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar që udhëton në Serbi, e cila mban lidhje të ngushta historike dhe kulturore me Rusinë. Ajo vlerësoi mbështetjen e Serbisë për Ukrainën, megjithëse Beogradi ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të luftës.

  • Kurti: Gjenocidi ndaj romëve e sintëve shpeshherë është lënë në harresë

    Kurti: Gjenocidi ndaj romëve e sintëve shpeshherë është lënë në harresë

    “Never forget: Kurrë mos e harro” dhe “Never again” apo “Kurrë më”, janë udhëzimet për ta kujtuar gjithmonë Holokaustin, që për rastin e romëve dhe sintëve kanë një domethënie të veçantë sepse, gjenocidi ndaj tyre është lënë shpeshherë në harresë dhe ata vazhdojnë të përballen me diskriminim të hapur në Evropën e sotme.

    Kështu tha Albin Kurti në hapjen e ekspozitës për Holokaustin kundër romëve dhe sintëve, që u bë dje në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

    Ai i inkurajoi të gjithë qytetarët e Kosovës që ta vizitojnë këtë ekspozitë shumë me vlerë dhe shumë me rëndësi, për një histori gati të harruar të Holokaustit.

    Në këtë ngjarje morën pjesë ambasadori i Gjermanisë, Joern Rohde, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Tomas Szunyog, zëvendësambasadori i Italisë Ugo Ferrero, Drejtori Ekzekutiv i “Zërit të Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”, Isak Skenderi, deputeti Ergjan Galushi e zyrtarë tjerë të institucioneve të shtetit.

    Kurti tha se për sa i përket numrit të saktë të viktimave romë dhe sintë në Holokaust, shifrat e historianëve dallojnë.

    “Por, të gjithë pajtohen se pasojat e Holokaustit për popullatën e tyre, kanë qenë shkatërruese: Nazistët me bashkëpunëtorët e tyre eliminuan më shumë se gjysmën e popullatës rome dhe sinti në Evropë. Mes këtyre viktimave ishin mijëra persona të vrarë brenda një nate të vetme, me 2 gusht të vitit 1944, në kampin e përqendrimit ‘Auschwitz-Birkenau’”, tha ndër të tjera kreu i ekzekutivit.

    Kurti, romët dhe sintët i konsideroi shembuj frymëzues të rezistencës ndaj projektit gjenocidal të Hitlerit.

    Kryeministri kërkoi nga vendet evropiane që të dyfishojë përpjekjet e veta për ta luftuar diskriminimin ndaj romëve dhe sintëve, në mënyrë që, siç tha ai, të mos përsëritet një gjenocid i tillë në Evropë.

    Veç kësaj, ai kërkoi që romët dhe sintët të bëhen pjesë në jetën sociale, ekonomike, kulturore dhe politike, si qytetarë të lirë dhe të barabartë.

    Kurti tha se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë disa hapa konkretë në këtë drejtim, përkatësisht për komunitetet romë, egjiptian dhe ashkali.

    Ai theksoi se janë ndarë 500 bursa në vlerë prej 300 mijë euro për nxënës të shkollave të mesme këtyre komuniteteve.

    “Kemi dhënë edhe 100 bursa shtesë për studentët e këtyre komuniteteve në universitetet publike. Ndërkaq, kemi rekrutuar 100 praktikantë për 6 muaj praktikë në institucione publike, me prioritet për rininë e komuniteteve jo shumicë. Dhe, bashkë me Zërin e Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve dhe partnerët e tjerë, kemi lansuar për herë të parë një platformë kombëtare ku mund të denoncohen rastet e diskriminimit”.

  • Vendimi i Kurtit për shpronësime në Leposaviq e Zubin Potok, reagon Lista Serbe

    Vendimi i Kurtit për shpronësime në Leposaviq e Zubin Potok, reagon Lista Serbe

    Qeveria e Kosovës në mbledhjen e djeshme ka miratuar vendimin preliminar për shpronësime të pronave të paluajtshme në Komunën e Leposaviqit dhe atë të Zubin Potokut, për realizimin e projekteve infrastrukturore për interes publik.

    Ndaj këtij vendimi, ka reaguar Lista Serbe, duke thënë se Qeveria Kurti “po vazhdon të zbatojë planet e veta për dëbimin e serbëve nga vatrat shekullore”.

    “Regjimi i Kurtit, i inkurajuar nga disa pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, vazhdon të zbatojë planet e veta për dëbimin e serbëve nga vatrat shekullore”, thuhet në reagim.

    Lista Serbe u ka bërë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që të reagojnë për këtë vendim.

    “Populli serb nuk do të lejojë që banditi Kurti t’i vjedhë trashëgiminë e tyre ashtu dhe do të luftojë me të gjitha mjetet demokratike, ligjore dhe legjitime kundër këtij vendimi anti-serb, që vjedh hektarë tokë serbe”, thuhet në reagim.

  • Konjufca para amerikanëve: Kosova nuk pranon modele që e rrezikojnë shtetin dhe lirinë e qytetarëve

    Konjufca para amerikanëve: Kosova nuk pranon modele që e rrezikojnë shtetin dhe lirinë e qytetarëve

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti dje Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë, të kryesuar nga Timothy Chorba, kryetar i Këshillit.

    Takimi ishte për të diskutuar temat e interesit të përbashkët për Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Konjufca e vlerësoi kontributin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara dhe vendet demokratike evropiane në zhvillimin e Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Ai po ashtu theksoi se Kosova është projekti më i rëndësishëm i faktorit ndërkombëtar i fundshekullit 20-të, i cili rezultoi me ndaljen e gjenocidit dhe trasoi rrugën drejt pavarësisë së Kosovës.

    Kryetari i Kuvendit, Konjufca, foli edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se Qeveria e Kosovës është jashtëzakonisht e përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët e cila është në të mirë të të dyja shteteve dhe nga e cila vendet do të kenë prosperitet në të gjitha fushat. Megjithatë, ai tha se asnjëherë nuk do të pranohen modele që kanë për qëllim zhbërjen e shtetit dhe zbehjen e kompetencave ekzekutive brenda territorit të Kosovës.

    Anëtarët e Këshillit të Ambasadorëve theksuan mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe vendet demokratike evropiane për Kosovën dhe aspiratat euro-atlantike të saj.

    Kjo është komunikata e plotë rreth takimit:

    Kryetari Glauk Konjufca takoi Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë, të kryesuar nga Timothy Chorba, kryetar i Këshillit.

    Duke falënderuar diplomatët për kontributin e vazhdueshëm të tyre dhe të shtetit amerikan në zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë Kosovës, kryetari Konjufca theksoi se takime të kësaj natyre janë mundësi e mirë për të qëndruar më afër njëri-tjetrit dhe për të trajtuar tema që janë me interes vital për rajonin.

    Referuar ndihmës që Kosova ka përfituar ndër vite nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet demokratike evropiane, kryetari Konjufca u shpreh se Kosova është projekti më i rëndësishëm i faktorit ndërkombëtar i fundshekullit 20-të, i cili rezultoi me ndaljen e gjenocidit dhe trasoi rrugën drejt pavarësisë së Kosovës.

    Intervenimi ndërkombëtar dhe pavarësia e Kosovës, shtoi kryetari Konjufca, nuk ishin vetëm domosdoshmëri e nivelit nacional, por kusht esencial për paqe dhe siguri në rajon dhe Evropë.

    Duke folur lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kreu i Kuvendit theksoi se Qeveria e Kosovës është jashtëzakonisht e përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët e cila është në të mirë të të dyja shteteve dhe nga e cila vendet do të kenë prosperitet në të gjitha fushat. Por kryetari Konjufca tërhoqi vëmendjen se assesi nuk do të pranohen modele që kanë për qëllim zhbërjen e shtetit dhe zbehjen e kompetencave ekzekutive brenda territorit të Kosovës.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës është jashtëzakonisht e përkushtuar ndaj dialogut dhe gjetjes së zgjidhjes më të mirë për qytetarët e të dyja shteteve, por assesi, në asnjë rrethanë nuk do të pranohen modele që rrezikojnë shtetin dhe lirinë e qytetarëve të Kosovës”, tha ndër të tjera kryetari Konjufca.

    Në anën tjetër, anëtarët e Këshillit të Ambasadorëve ritheksuan vazhdimësinë e mbështetjes së popullit dhe shtetit amerikan për Kosovën dhe aspiratat euro-atlantike të saj. ​

  • Komuna e Mitrovicës këtë javë i kompenson dëmet nga përmbytjet

    Komuna e Mitrovicës këtë javë i kompenson dëmet nga përmbytjet

    Qytetarët e Mitrovicës, shpejt pritet të kompensohen për dëmet të cilat ua shkaktuan përmbytjet e janarit.

    Kështu të paktën ka deklaruar për ATV-në drejtori i emergjencave në Mitrovicë, Bahtir Maxhuni.

    “Premtimet tona lidhur me kompensimet do t’i mbajmë, mirëpo deri më tani procesi ka qenë në tenderim dhe për këtë arsye është stërzgjatur ky proces. Kemi ndarë rreth 500 mijë euro për më shumë se 200 familjet e prekura nga vërshimet, të cilat pritet se nga fundi i kësaj jave, ose fillimi i javës tjetër, të shpërndahen për të gjithë të paraqiturit”, thuhet në përgjigjen e Bahtir Maxhunit, drejtor i Emergjencave në Komunën e Mitrovicës.

    Të prekurit nga përmbytjet fajësojnë komunën për vonim të kompensimit.

    “Faji ka qenë edhe te komuna se nuk po e mirëmbajnë liqenin. Situatë e tillë pritet me ndodh prapë, fatkeqësisht. Edhe pse portat e liqenit janë po, nuk po dinë me i shfrytëzu për me i parandalu vërshimet”, thotë Shefik Mehmeti, banor.

    “Normal që komuna është dashtë me ndërhy moti këtu. Normal që ka nevojë komuna apo qeveria me i ndihmu qytetarët në krejt aspektet”, thotë një tjetër qytetar.

    Vlera e dëmeve nga përmbytjet vetëm në Mitrovicë, llogaritet të jetë 9 milionë euro. Dëme kishte edhe në Podujevë, Klinë e Skenderaj. /atvlive.tv

  • “Ti je i njohur për bullizëm, t’i çka i banë Avdullah Hotit…”, debat i ashpër mes analistëve në studio

    “Ti je i njohur për bullizëm, t’i çka i banë Avdullah Hotit…”, debat i ashpër mes analistëve në studio

    Raportimi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi për energjinë që bëri sot para komisionit parlamentar, shkaktoi debat të ashpër në emisionin CONTEXT në ATV, mes penalistëve Xhevdet Pozhari, Bekim Kabashi dhe Lavdim Hamidi.

    “A ka qenë i saktë Bislimi me atë që e ka thënë para komisionit parlamentar?”, e pyeti gazetari Kabashi analistin Xhevdet Pozhari, deri sa ky i fundit ia ktheu duke i thënë se nuk pretendon që t’i dijë të gjitha temat.

    Në këtë debat ndaj analistit Xhevdet Pozhari u përfshi edhe gazetari Lavdim Hamidi, i cili e akuzoi atë për bullizëm ndaj Avdulla Hotit dhe kundërshtarëve të tjerë politikë të Lëvizjes Vetëvendosje.

    Për më shumë, shikone videon e më poshtme:

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Ndërmarrja “Pastërtia” merr vendim për pagat punëtorëve

    ​Ndërmarrja “Pastërtia” merr vendim për pagat punëtorëve

    Në një mbledhje të jashtëzakonshme, bordi i drejtorëve i Kompanisë Regjionale për Mbeturina “Pastërtia” në Ferizaj, ka marrë vendim për ngritjen e pagave për 50 euro për punëtorët fizik dhe vozitësit e kompanisë.

    Ky vendim vjen pas bojkotit dhe protestës së punëtorëve të cilët kërkojnë rritje të pagave dhe jo vonesë të tyre.

    Punëtorët e kësaj kompanie kishin refuzuar të kryenin punën duke thënë se Komuna e Ferizajt është e vetmja që i ka rritur çmimet e shërbimeve të mbeturinave ndaj qytetarëve dhe nuk ka marrë asnjë masë për ngritje të pagës.

    “Komuna e Ferizajt është e vetmja që e ka i rritur çmimet e shërbimeve të mbeturinave ndaj qytetarëve, dhe nuk ka marrë asnjë masë për rritjen e pagave. Në këtë ndërmarrje një punëtorë fizik paguhet rreth 300 euro në muaj”, thuhej në reagimin e Sindikatës Regjionale të Punëtorëve.

    Për këtë situatë është diskutuar në një mbledhje të bordit të drejtorëve prej të cilës kanë dalë edhe vendimet.

    “Në këtë mbledhje, me propozim të Kryeshefit Ekzekutiv, dhe me aprovimin unanim mga Bordi i Drejtorëve, është marrë vendim që të ngirten pagat për 50€ për punëtorët fizik dhe shoferët e kompanisë. Pagat me rritje fillojnë nga muaji maj. Gjithashtu, nga muaji maj do të filloj edhe ngritja e shujtës, vendim ky i marrë më herët, e që në total i bie që pagat e qershorit të dalin me rritje, që në shifra përkthehet rreth 70-75€ më shumë në të ardhurat për kategoritë e lartcekura”, thuhet në njoftimin e njoftimin e KRM Pastërtia.

  • Kabashi: Problemi kryesor është akomodimi i serbëve brenda Kosovës, andaj po kërkohet me ngulm Asociacioni

    Kabashi: Problemi kryesor është akomodimi i serbëve brenda Kosovës, andaj po kërkohet me ngulm Asociacioni

    Gazetari dhe analisti Bekim Kabashi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se problemi kryesor për pajtim mes Kosovës dhe Serbisë, ka qenë statuti i serbëve për me i akomodu brenda Kosovës, andaj sipas tij, nga faktorët relevantë ndërkombëtarë po kërkohet me ngulm themelimi i Asociacionit.

    “Problemi kryesore ka qenë te statusi i serbëve të Kosovës për me mbërri me e gjet një pajtim Kosovë – Serbi. Derisa nuk arrihet kjo ambicie, edhe kosovarët me pranu me e gjetë një model, që është gjetur në vitin 2013-2015, por për 10 vite, Kosova a qenë jo stabile, e vazhdon të jetë shkaku i mos gatishmërisë për me e gjet një model, i cili do të kish me i akomodu serbët brenda Kosovës dhe Kosova kish me e avancu statusin e saj ndërkombëtarë”, tha Kabashi. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Pozhari: Sondazhi që kemi parë, fituesi dihet, kush është i dyti?

    Pozhari: Sondazhi që kemi parë, fituesi dihet, kush është i dyti?

    Analisti Xhevdet Pozhari, në CONTEXT në ATV, me pyetjen e tij drejtuar drejtuesit të emisionit, ka shkaktuar të qeshura në studio.

    “Ju thatë në hyrje të emisionit se fituesi po dihet, kush është i dyti”, pyet Pozhari drejtuesin e emisionit Leart Hoxha, derisa ky i fundit e korrekton duke i thënë se e ka pasur fjalën se dihet kush del i pari sipas sondazheve, e jo kush është fituesi i zgjedhjeve.

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë: