ATV

Category: Lajme

  • ​Lajçak: Nuk kërkojmë nga kryetarët e rinj të mos pranojnë mandatet

    ​Lajçak: Nuk kërkojmë nga kryetarët e rinj të mos pranojnë mandatet

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak bëri të ditur se të hënën do të ketë takim në Bruksel me kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

    Ai pas takimit të sotëm me kryeministrin Albin Kurti u shpreh ishte një diskutim intensiv dhe të njëjtin do ta zhvillojë edhe nesër në Beograd.

    Sipas tij, të gjithë duhet të fokusohen në normalizim dhe zbatim të marrëveshjes.

    Para gazetarëve, Lajçak theksoi se në takimin e sotëm diskutun për rrugën përpara në procesin e normalizimit.

    “Unë kam ardhur sot në Prishtinë për të diskutuar me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin e parë Bislimi për rrugën përpara në procesin e normalizimit pas takimit të 2 majit. Është me të vërtetë e rëndësishme që ne të kemi një kuptim të qartë për hapat e ardhshëm, prandaj, kemi pasur një diskutim shumë të rëndësishëm për të gjitha aspektet, të njëjtin diskutim do ta bëj nesër në Beograd dhe do të takoj dy kryenegociatorët z. Bislimi dhe z. Petkoviq të hënën, në Bruksel. Pra, kjo është shumë e rëndësishme që ne të kemi qartësi, ne kemi marrëveshjen, kemi aneksin, kështu që duhet të kemi një kuptim të qartë të hapit të parë, hapit të dytë dhe hapit të tretë. Pra, ky ishte qëllimi, ne kishim, siç thash, një diskutim shumë intensiv, por shumë të rëndësishëm dhe të dobishëm me kryeministrin Kurti”, tha Lajçak.

    Lajçak bëri të ditur se gjatë ditës do të shkojë edhe në veri, që siç tha ai, për të kuptuar situatën atje.

    “Dhe sot pasdite do të shkoj edhe në veri të Kosovës, do të takoj vendasit atje, dua të kuptoj nga afër situatën atje dhe shpresoj shumë se do të ketë një zgjidhje politike që do të mundësojë të gjithë ne të fokusohemi plotësisht në normalizimin dhe zbatimin e marrëveshjes”, tha Lajçak.

    Para gazetarëve, i dërguari i posaçëm për dialog u shpreh se përshkallëzimi i situatës nuk është në interesin e askujt.

    “Ne mund të kemi vetëm normalizim apo konfrontim, dhe ne duam patjetër të fokusohemi plotësisht te normalizimi. Kjo është arsyeja pse ne duam të shmangim çdo përshkallëzim apo çdo konfrontim. Kjo nuk është në interesin e askujt…Se si e sheh Bashkimi Evropian procesin e hartimit të statutit kemi diskutuar në detaje me z. kryeministër dhe mendoj se ne e kuptojmë mirë procesin dhe siç thashë do të shkoj në veri, por është gjithashtu interesante për mua të flas me kryetarin e Mitrovicës Jugore dhe natyrisht të dëgjoj perspektivën e tij për situatën në veri”, nënvizoi Lajçak.

    Lajçak u shpreh se po përpiqen te gjejnë një rruge të mesme, derisa u pyet për Asociacionin dhe se çfarë është e pranueshme për BE-në.

    “Roli ynë si lehtësues është gjithmonë të gjejmë një rrugë të mesme, dhe kjo është pikërisht ajo që ne po përpiqemi të bëjmë…Ajo që është e pranueshme për Bashkimin Evropian është ajo që bazohet në normat evropiane dhe vlerat evropiane dhe që është në përputhje me modelet ekzistuese evropiane. Dhe e kemi thënë që në fillim, kështu që nuk do të them më shumë në këtë pikë, mendoj se jam mjaft i qartë”, tha ai.

    Emisari i BE-së nuk dha për detaje të diskutimit, me ç’rast, tha se nuk dëshiron të dërgojë mesazh publik.

    “Nuk dua të hyj në detaje të diskutimit. Kjo është, siç thash, pjesa e parë e udhëtimit tim, unë do të vazhdoj këto diskutime në Beograd dhe nuk dua të dërgoj asnjë mesazh publik në këtë pikë dhe shpresoj ta kuptoni këtë”, u përgjigj ai.

    Pas takimit me Kurtin dhe Bislimin, Lajçak mohoi që kanë kërkuar nga kryetarët në veri që të mos pranojnë mandatet e tyre.

    “(Pyetje)A ka kërkuar BE nga kryetarët e rinj që të mos pranojnë mandatet e tyre…”Jo, ne nuk e kërkojmë këtë”, përfundoi Lajçak në përgjigjen e gazetarëve.

    Kujtojmë që, në Bruksel më 2 maj Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Deklaratën për të Zhdukurit, ku të dy vendet do të shtonin përpjekjet për zbardhjen e fatit të 1643 personave të pagjetur nga lufta e fundit.

    Ndërsa, në këtë takim është prezantuar edhe draft statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga ekipi menaxhues, tashmë i shkarkuar, në përbërje të serbëve të zgjedhur nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq në kohën sa ka qenë zëvendëskryeministër në Qeverinë Hoti.

    Lajçaku deklarohet pas takimit me Kurtin, tregon se për çka diskutuan

  • Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë kryesisht me reshje të shiut gjatë gjithë ditës.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 8 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 14 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në Kosovë do të jetë kryesisht me vranësira, ndërsa pas ditës pritet të ketë edhe reshje të shiut.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 7 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 19 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit me Diellza Dakën në ALARM të ATV-së, mund ta gjeni në videon e më poshtme:

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Presidenti i Polonisë vizitë në Tiranë, pritet me ceremoni shtetërore nga Begaj

    Presidenti i Polonisë vizitë në Tiranë, pritet me ceremoni shtetërore nga Begaj

    Presidenti i Republikës, Bajram Begaj mirëpret sot në një vizitë shtetërore Presidentin e Republikës së Polonisë, Andrzej Duda.

    Përmes një komunikate për shtyp, Presidenca njofton se Duda do të pritet me ceremoni shtetërore nga Begaj. Sakaq, në këtë vizitë, Duda do të jetë i shoqëruar edhe nga Zonja e Parë e Polonisë, Agata Kornhauser-Duda.

    Pas takimit në Presidencë, Begaj dhe Duda do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp në orën 12:20. Dhe më vonë dy homologët do të marrin pjesë në Forumin Ekonomik, Shqipëri-Poloni.

    Agjenda:

    11:00-11:20 Pritja e mirëseardhjes me ceremonial zyrtar nga Presidenti i Shqipërisë, Sh.T.Z.Bajram Begaj dhe Zonja e Parë, Armanda Begaj

    12:20-12:50 Konferencë e përbashkët për shtyp

    16:30-17:15 Pjesëmarrje e dy krerëve të shteteve në Forumin Ekonomik, Shqipëri-Poloni. /TCh/

  • Lajçaku deklarohet pas takimit me Kurtin, tregon se për çka diskutuan

    Lajçaku deklarohet pas takimit me Kurtin, tregon se për çka diskutuan

    Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak është deklaruar për medie pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.

    Para gazetarëve ai tha se me Kurtin kanë diskutuar për hapet e më tejshëm të dialogut. Përderisa sqaroi se do të shkojë në veri që të bisedoj me qytetarët atje.

    Ai madje ka paralajmëruar një takim ndërmjet zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtorit të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

    “Erdha të diskutoj me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi rrugën përpara drejt normalizimit pas takimit të 2 majit”.

    “Është e rëndësishme që ne kemi kuptuar qartë sekuenca e hapave dhe ne kishim një diskutim të rëndësishëm në të gjitha aspektet. Të njëjtin diskutim do ta kem nesër edhe në Beograd”, tha Lajçak.

    Lajçaku do të qëndrojë të enjten në Prishtinë, ndërkaq një ditë më vonë do të vizitojë Beogradin.

  • Intensifikohen luftimet mes Izraelit dhe Palestinës

    Intensifikohen luftimet mes Izraelit dhe Palestinës

    Militantët palestinezë hodhën qindra raketa nga Rripi i Gazës në drejtim të Izraelit të mërkurën, teksa Izraeli u kundërpërgjigj me një seri sulmesh ajrore, prej ku u vranë 23 palestinezë, duke përfshirë tre udhëheqës të lartë militantë dhe të paktën 10 civilë.

    Pavarësisht një njoftimi nga një stacion televiziv shtetëror egjiptian se Egjipti, një ndërmjetës i shpeshtë midis dy palëve, kishte ndërmjetësuar një armëpushim, luftimet u intensifikuan të mërkurën në mbrëmje dhe asnjëra palë nuk dukej se ishte e gatshme të tërhiqej.

    Të enjten, ushtria izraelite nisi një sulm ajror që kishte cak komandantin e skuadrës raketore, Ali Ghali, të fraksionit militat të quajtur Xhihadi Islamik, i cili ishte fshehur në një apartament në Rripin e Gazës. Ai dhe dy militantë të tjerë u vranë nga ky sulm ajror në një kompleks banimi në lagjen Khan Younis, të ndërtuar nga Katari.

    Ushtria deklaroi se Ghali ishte i përfshirë në sulmet e fundit me raketa kundër Izraelit, por grupi militant nuk e ka komentuar një gjë të tillë.

    Gjatë një fjalimi televiziv, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pretendoi se Izraeli u kishte dhënë një goditje të ashpër militantëve.

    “Ky rund nuk ka përfunduar”, tha Netanyahu.

    “Ne u themi terroristëve dhe atyre që i dërgojnë. Ju shohim kudo. Ju nuk mund të fshiheni, dhe ne zgjedhim vendin dhe kohën për t’ju goditur”, tha ai, duke shtuar se Izraeli do të vendosë gjithashtu kur të rivendoset qetësia.

    Gjatë gjithë ditës në të gjithë Izraelin jugor dhe qendror u dëgjuan sirenat që paralajmëronin sulmet ajrore.

    Luftimet e javës së fundit midis palëve janë ashprsuar, duke e shtyrë rajonin më pranë një lufte të plotë.

    Luftimet e fundit midis Izraelit dhe militantëve palestinezë ishin më të ashprat në muajt e fundit, duke rritur rrezikun e një lufte në shkallë të gjerë. Megjithatë, kishte indikacione se të dyja palët po përpiqeshin të ushtronin përmbajtje.

    Izraeli nuk e sulmoi Hamasin, grupin militant në pushtet, por përkundrazi u fokusua në fraksionin më të vogël dhe më radikal të Xhihadit Islamik. Hamasi nuk u përfshi në konflikt.

    Izraeli dhe Hamasi kanë luftuar katër luftëra që kur grupi militant islamik mori kontrollin e Gazës në vitin 2007./REL/

  • Lajçak mbërrin në objektin e Qeverisë së Kosovës, nis takimi me Kurtin

    Lajçak mbërrin në objektin e Qeverisë së Kosovës, nis takimi me Kurtin

    Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka mbërritur në Qeverinë e Kosovës, ku do të takohet me kryeministrin Albin Kurti.

    Takimi është paralajmëruar të fillojë nga ora 07:30. Nga BE e kanë konfirmuar se vizita e tij ka të bëjë me hapat e ardhshëm ne kuadër te dialogut i cili ndërmjetësohet nga BE.

    Pas Kosovës, Lajçak do të vizitojë të premten edhe Serbinë.

     

  • Presidentja Osmani: Nuk duhet të biem në kurthin e Vuçiqit

    Presidentja Osmani: Nuk duhet të biem në kurthin e Vuçiqit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se procesi i dialogut me Serbinë, nuk duhet të përdoret “për ta normalizuar” presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    “Le të jemi të sinqertë. Po flasim për një autokrat. Po përballemi me një shtet që nuk ka kërkuar kurrë falje për gjenocidin e kryer ndaj njerëzve të mi, por Kosova, në të njëjtën kohë, e ka zgjatur dorën e bashkëpunimit, për të qenë konstruktive dhe e angazhuar. Janë nënshkruar mbi 40 marrëveshje në Bruksel, dhe lista e shkeljeve nga ana e Serbisë është shumë-shumë e gjatë”, ka thënë Osmani, në një bisedë me Këshillin Atlantik në Uashington.

    Këshilli Atlantik është institut amerikan që merret me çështje ndërkombëtare.

    E pyetur për rëndësinë e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, presidentja Osmani ka thënë se duhet pasur shumë kujdes për rrugën që mund të marrë dialogu.

    “Teksa ka tentime për ta bërë atë temë më të rëndësishme sesa të tjerat, unë mendoj që kjo është një rrugë shumë e rrezikshme për të ardhmen e dialogut. Ne nuk duhet të biem në kurthin e Vuçiqit, që nënkupton vetëm vonesa dhe zvarritje të procesit. Serbisë nuk i intereson minoriteti serb, por i intereson vetëm që ta ketë një instrument, përmes të cilit do të mund ta sfidojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”.

  • ​Aksident në rrugën Sarandë-Borsh, humb jetën shoferi

    ​Aksident në rrugën Sarandë-Borsh, humb jetën shoferi

    Një 60-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në aksin rrugor Sarandë-Borsh në jug të Shqipërisë.

    60-vjeçari teksa po drejtonte mjetin tip “Opel”, ka humbur kontrollin, duke dalë nga rruga e për pasojë ka gjetur vdekjen, ndërsa janë plagosur dy pasagjerët që ndodheshin në automjet.

    “Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë drejtuesi i automjetit shtetasi J. B, si dhe kanë ngelur të dëmtuar 2 pasagjerët, shtetasit L. K., 44 vjeç dhe A. Z., 47 vjeç, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve”, tha policia.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 05:30.

  • Vazhdon procesi gjyqësor në rastin “Thaçi dhe të tjerët”

    Vazhdon procesi gjyqësor në rastin “Thaçi dhe të tjerët”

    Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

    Gjykimi ndaj tyre do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të radhës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

    Në këtë proces deri tani janë dëgjuar katër dëshmitarë të prokurorisë të cilët kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse, dhe në seanca pothuajse tërësisht të mbyllura për publikun.

    Dje pjesa më e madhe e seancës u mbajt e mbyllur për publikun, gjykatësi Smith shpjegoi se gjatë dëshmisë së dëshmitarit 265, mbrojtja e Selimit paraqiti një kundërshtim për dëshminë nga seanca e asaj date.

    Gjatë seancës së djeshme ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt i mbrojtur i prokurorisë.

    Për muajin maj janë paraparë të zhvillohen dhjetë seanca.

  • Haziri: Draft-statuti i Asociacionit ishte prezantuar para gjashtë viteve në Prishtinë

    Haziri: Draft-statuti i Asociacionit ishte prezantuar para gjashtë viteve në Prishtinë

    Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se draft-statuti i Asociacionit që u paraqit më 2 maj në Bruksel gjatë dialogut Kosovë-Serbi, qe prezantuar në Prishtinë edhe gjatë vitit 2017.

    Sipas tij, “ekipi Menaxhues është pjellë e negociatave”.

    Haziri u shpreh në Kanal 10 se politikanët në Kosovë nuk duhet të befasohen nga puna e këtij ekipi që ka pasur mandat që nga formimi i tij. I njëjti ekip ishte liruar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

    “Pse Hoti për gjashtë muaj të vetëm arriti me i duru dy anëtarët e vetëm të ekipit menaxhues, e Kurti mbi dy vjet mandat s’është marrë asnjëherë me përbërjen e këtij ekip, e as me mandatin e tij”, tha ai.

    “Njëanshëm ka qenë e vështirë të veprohet. Nëse Kurti veproi njëanshëm me ekipin, ka pasur të drejtë që përmes ndërmjetësuesit dhe negociatorit me nxjerr çështjen e Ekipit”.