ATV

Category: Lajme

  • ​Bllokohet garazhi i Pallatit të Drejtësisë, gjyqtarë e të dyshuar hyjnë nga e njëjta derë

    ​Bllokohet garazhi i Pallatit të Drejtësisë, gjyqtarë e të dyshuar hyjnë nga e njëjta derë

    Për shkak se garazhi nëntokësor i Pallatit të Drejtësisë është shndërruar në depo për pasuritë e sekuestruara nga Policia e Kosovës, kryesisht pajisje të lojërave të fatit, nga viti i kaluar të paraburgosurit dhe të burgosurit po detyrohen t’i shfrytëzojnë hyrjet kryesore të këtij objekti për qasje në sallat gjyqësore.

    Ekspozimi i tyre para publikut dhe medias në atë mënyrë po konsiderohet në kundërshtim me parimin e mbrojtjes së të dhënave të tyre pasi, derisa ndaj tyre nuk ka një vendim gjyqësor të plotëfuqishëm, vlen prezumimi i pafajësisë.

    Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama u shpreh se nga viti i kaluar është bllokuar qasja e të paraburgosurve në hyrjen e veçantë në pjesën e garazhit në Pallatin e Drejtësisë.

    Ajo theksoi shqetësimin se me ekspozimin e personave të privuar nga liria që janë në paraburgim po u cenohet e drejta e tyre.

    “Prej vitit të kaluar ajo pjesë e hapësirës, qasja për Shërbimin Korrektues dhe Policinë është bllokuar për shkak se aty janë sjellë disa gjëra të sekuestruara në procedurë paraprake, të cilat kanë qenë të vendosura dhe të ruajtura nga ana e policisë me një vend tjetër në Belveder në Mitrovicë dhe për shkak se nuk kanë pas ku tjetër me i vendos i kanë vendosur brenda Pallatit të Drejtësisë dhe në fakt neve na është bërë e pamundur tani t’i shfrytëzojmë, sepse nuk kemi qasje në atë pjesë sepse është e bllokuar dhe çelësat i përdorin vetëm Policia dhe MPB, të cilët janë edhe përgjegjës për menaxhimin e objektit të Pallatit të Drejtësisë. Kjo na ka sjell problem për shkak se personat që vijnë nga paraburgimi duhet t’i fusim nga hyrja kryesore… në fakt po iu shkelet e drejta për shkak se ata kanë të drejtën e prezumimit të pafajësisë deri në momentin të shpallen fajtorë me vendim të gjykatës por që ne si gjykatë nuk kemi mundësi tjetër kah t’i fusim brenda sallës për tu mbajtur seanca”, tha ajo.

    Shabani-Rama u shpreh se për vendosjen e rreth 1 mijë pajisjeve të lojërave të fatit ka ardhur urdhri si vendim dhe nuk kanë kërkuar leje.

    “Kam bërë vazhdimisht kërkesa, fillimisht ka qenë vetëm njoftim, sepse nuk ka qenë kërkesë që të më drejtohen mua apo edhe përgjegjësve të tjerë, sepse Pallati i Drejtësisë nuk është vetëm i Gjykatës Themelore të Prishtinës është edhe i Prokurorisë dhe gjykatave të tjera, nuk kemi pas kërkesë që ‘a mund ta shfrytëzojmë atë pjesë’ por kemi pas vetëm kërkesë që do të thotë ‘prej kësaj dite do të sillen’ janë sjellë gjatë vikendit prej disa kompanive të kontraktuara, janë objekte shumë të mëdha, janë lojëra të fatit dhe janë diku mbi 1 mijë kështu e kanë zënë krejt atë hapësirë… objektet janë vendosur aty, por askush nuk po e pranon përgjegjësinë apo fajin”, u shpreh kryetarja e GjTHP-së.

    Ndërsa, monitoruesja e Qendrave Korrektuese nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Fatmire Haliti u shpreh se ekspozimi i të paraburgosurve para publikut është në kundërshtim me parimin e mbrojtjes së të dhënave të tyre personale.

    “Çdo person derisa mos të dënohet me një dënim të plotëfuqishëm është i pafajshëm dhe nuk mund ta fajësojmë dhe ekspozojmë para masës. Ne i kemi parë kohëve të fundit çdo herë që të arrestuarit ekspozohen para publikut, para medieve, gjë që është në kundërshtim me parimin e mbrojtjes së të dhënave të këtyre personave, mos publikimit të tyre, sepse ata deri të mos dënohen janë të pafajshëm. Dhe me këtë rast e dimë se janë hapësirat e veçanta në Pallatin e Drejtësisë për të cilat është paraparë një rrugë tjetër për të hyrë në pallat, por tani ato hapësira përdorën për qëllime të tjera… Ajo hapësirë është e dedikuar për kalimin e personave të arrestuar dhe sillen nga gjykata dhe nuk duhet të shërbejë për qëllime të tjera, në këtë rast për mjete të konfiskuara që janë në ato hapësira”, theksoi ajo.

    Nga Ministria e Punëve të Brendshme bënë të ditur se administrimi me këto hapësira bëhet nga Administrata e Pallatit të Drejtësisë.

    Nga zyra për media e kësaj ministrie theksuan se kompetencë e këtij dikasteri është vetëm mirëmbajtja higjienike dhe teknike e pallatit.

    “Lidhur me lirimin e hapësirave të garazhit nëntokësor në Pallatin e Drejtësisë, ju njoftojmë se administrimi i Pallatit të Drejtësisë, bëhet nga vetë gjykatat dhe prokuroria përmes këshillit përkatës. Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht DSPIMNQ, përkujdeset vetëm për mirëmbajtjen higjienike dhe teknike të Pallatit”, u bë e ditur në shkresën e MPB-së.

    Kujtojmë që, gjatë muajve të dimrit seancat ishin shtyrë në Pallatin e Drejtësisë për shkak të temperaturave të ulëta, ndërsa gjatë verës së kaluar, i njëjti objekt kishte pasur telashe me mungesë të oksigjenit dhe klimatizimit. Dhe si pasojë e kësaj situate të krijuar, kishte nisur hapja e dritareve në këtë objekt, që nuk kishte qenë e lejuar më parë.

  • ​Lirohet mielli në Kosovë, buka jo

    ​Lirohet mielli në Kosovë, buka jo

    Çmimi i grurit dhe miellit në Kosovë është ulur rreth 25 për qind, mirëpo furrtarët vazhdojnë të mos ulin çmimin e bukës. Furrtarët arsyetohen se i kanë rritur pagat e puntorëve dhe se ka shtrenjëtim të energjisë elektrike, me ç’rast as nuk premtojnë ulje të shpejtë të çmimeve të prodhimeve të tyre. Aktualisht, çmimi për 100 kilogramë miell blihet deri në 44 euro.

    Në anën tjetër, qytetarët kërkojnë uljen e çmimit të bukës, të cilët paguajnë 0.50 euro për gjysmë kilogrami bukë. Derisa në disa vende, si në Fushë Kosovë, ky çmim është deri në 0.60 euro.

    Kryetari i Shoqatës së Mullistëve të Kosovës, Muhamet Farizi thotë për KosovaPress se furrtarët duhet t’i ulin çmimet, nëse miellin e marrin me çmim më të ulët.

    “Varshmëria e çmimit të miellit varion edhe prej çmimit të grurit dhe gjithashtu buka duhet të varet prej çmimit të miellit, pasi janë të lidhura reciprocikisht. Çmimi i miellit ka rënë prej 20 deri në 25 për qind, varësisht nuk i kanë të njëjta çmimet e miellit, sepse nuk ka marrëveshje mes njërit-tjetrit që të shkojnë çmimet njësoj, por mos të bazoheni në vetëshërbime, bazohuni te çmimi i mullistit. Duhet të bie edhe çmimi i bukës, por nuk presim në vlerë shumë të madhe, mund të bjerë deri në 15 për qind. Por, ata të cilët prodhojnë pjekurina kanë kushte t’i ulin, ndërsa ata që nuk prodhojnë pjekurina bazohen vetëm në bukë dhe e kanë të vështirë. Megjithatë, me fat duhet me qenë shumë populli, sepse ka shumë furrtarë, ka zejtarë të mirë të furrtarëve, por uljen e çmimeve e kanë borxh nëse miellin e marrin me çmim më të ulët”, thotë Farizi.

    Megjithatë, edhe pas rënies së çmimit të grurit dhe miellit, furrtarët vazhdojnë t’i mbajnë çmimet e larta.

    Pronari i një furre në Prishtinë, Armend Qoqaj thotë për KosovaPress se pavarësisht uljes së çmimit të grurit dhe miellit, obligimet janë të mëdha dhe në asnjë formë nuk mund t’i ulin çmimet.

    “Nuk ka punëtorë, mungesë ka gjithmonë, rryma shtrenjtë dhe obligimet janë shumë të mëdha. Çmimet po kërkohen të ulen, por nuk mundemi në asnjë formë, sepse tashmë janë rritur edhe pagat e punëtorëve…Absulutisht nuk ia vlen me ul çmimin sepse nuk kemi llogari…Nuk janë çmimet shumë të larta, interesi ynë është shumë i vogël, sa i përket produkteve që shesim, fitimi është gati minimal”, thotë Qoqaj.

    Edhe qytetarët mendojnë se çmimi i bukës është i lartë dhe i njëjti duhet të ulet.

    “Kish qenë mirë të ulen çmimet, për ata që s’kanë, ndërsa për ata që kanë ndoshta nuk është problem. Nuk është e arsyeshme kur bie çmimi i miellit, duhet të bie edhe i bukës”, shprehet Mehmeti.

    “Normal se duhet të bie edhe çmimi i bukës sepse për dikë është një çmim goxha i lartë, kështu duhet të bjerë… Qeveria besoj duhet me ndërmarrë diçka sepse është pak shtrenjtë”, thotë Asllani.

    “Këta vështirë është t’i zbresin, duhet qeveria t’i detyrojë t’i zbresë. Mielli është zbritur, le të zbritet edhe çmimi i bukës”, thotë Statovci.

    Kryetari i Shoqatës së Mullistëve të Kosovës, Farizi thotë se tashmë gjendja botërore e pordhimtarisë së grurit është stabilizuar dhe se kjo ka ndikuar që të ketë edhe rënie të çmimit.

    “Sa i përket ecurisë së çmimeve që janë devijuar tre vitet e fundit, kanë qenë si rrjedhojë i dy faktorëve. Një ka qenë pandemia, e cila buroi prej Kinës e që është shteti që në sasi të tërësisë prodhon shumë grurë. Përveç kësaj, kur kemi parasysh shtetet që eksportojnë më shumti janë Rusia, Amerika, gjithashtu edhe Ukraina, dhe kur e dimë se lufta në Ukrainë ka lënë pasoja ku kanë pasë pengesa të mëdha për eksportin e grurit, edhe ajo ka qenë si faktor i shtrenjtimit. Dhe tash pas një stabilizimi të vogël dhe pas angazhimeve të disa shteteve të tjera në nivel botëror ka filluar të rritet prodhimtaria e grurit bazuar në raportet mujore që i përpilon Amerika dhe ajo ka sjell edhe uljen e çmimit të grurit në përgjithësit”, thotë mes tjerash Farizi.

    Gjatë vitit të kaluar e deri në prill të vitit 2023, Kosova ka importuar grurë dhe miell në vlerë prej mbi 55 milionë eurosh, ndërsa vlera e eksporteve të këtyre produkteve ka qenë nën 2 milionë euro.

  • Power: Asociacioni do t’i ndihmonte normalizimit të raporteve, Kosova dhe Serbia të intensifikojnë përpjekjet

    Power: Asociacioni do t’i ndihmonte normalizimit të raporteve, Kosova dhe Serbia të intensifikojnë përpjekjet

    Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të intesifikojnë përpjekjet e tyre që ta shpejtojnë rrugën për normalizimin e marrëdhënieve.

    Gjatë një konference për media, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Power deklaroi se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, do t’i ndihmonte normalizimit të raporteve dhe zhvillimit ekonomik.

    “Në takimet me kryeministrin dhe znj.Osmani, unë e kam theksuar mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për normalizimin dhe kam inkuruajuar që Kosova dhe Serbia të intensifikojnë përpjekjet që ta shpejtojnë rrugën drejt këtij normalizimi, sepse çdo përparim në këtë drejtim, do të ketë benefite për qytetarët e të dyja vendeve. Me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kjo do t’i ndihmojë poashtu normalizimit të raporteve dhe me këtë edhe zhvillimit ekonomik dhe biznesit”, deklaroi zyrtarja amerikane.

    Ajo tha se Uashingtoni do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në këtë proces, teksa agjencia që ajo udhëheq, USAID, po ashtu do të vazhdojë të investojë në Kosovë.

    Poëer ka qëndruar në Kosovë për dy ditë dhe është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin po ashtu ka biseduar për dialogun me Serbinë. Ajo tha se po e lë Kosovën me optimizëm të madh për të ardhmen e saj.

    “Unë po e lë Kosovën me një optimizëm të madh për të ardhmen e saj. Ky vend i ri, njëri ndër vendet më të reja në botë, ka hedhur hapa gjigand gjatë kësaj kohe, gjatë këtyre 24 viteve”, deklaroi Power.

  • Sot heshtje zgjedhore në Shqipëri, nesër votohet për drejtuesit e rinj të bashkive

    Sot heshtje zgjedhore në Shqipëri, nesër votohet për drejtuesit e rinj të bashkive

    Kjo e shtunë shënon heshtje zgjedhore për të gjitha subjektet politike pas një muaji fushatë për zgjedhjet vendore në 61 bashkitë e Shqipërisë.

    Në total në këto zgjedhje janë 3,650,550 shtetas shqiptarë me të drejtë vote, sipas listës përfundimtare të zgjedhësve, të gjeneruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme.

    122.545 zgjedhës votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 14 majit, ndërsa 1.111 shtetas nuk janë përfshirë në lista për shkak të dekriminalizimit.

    Në zgjedhjet vendore të 14 majit garojnë në total 23 907 kandidatë për kryetarë bashkie dhe këshilla bashkiakë.

    Konkretisht në garë për kryetarë bashkie janë regjistruar 144 kandidatë, ndërsa 23 763 kandidatë të tjerë garojnë për këshillat bashkiakë, shkruan Atsh. Ndërkohë, pranë çdo Njësie të Qeverisjes Vendore apo KZAZ-je janë shpallur listat zgjedhore, ku qytetarët mund të verifikojnë emrin në listë dhe Qendrën e Votimit.

    Për verifikimin e emrit në listën e zgjedhësve qytetarët mund të kontrollojnë online në faqet zyrtare të Ministrisë së Brendshme apo KQZ-së, si dhe në platformën e-Albania.

    Në tri bashki, Kamëz, Vorë dhe Elbasan do të votohet në mënyrë elektronike dhe rezultati pritet të dalë pak minuta pas përmbylljes së procesit zgjedhor.

    Gjithashtu, në të gjitha qendrat e votimit do të bëhet identifikimi elektronik i votuesve.

  • Sulmohet seksualisht disa herë një grua në Obiliq, arrestohet i dyshuari

    Sulmohet seksualisht disa herë një grua në Obiliq, arrestohet i dyshuari

    Një grua në Obiliq ka raportuar në polici se qe disa herë është duke u sulmuar seksualisht nga një burrë.

    Në raportin 24-orësh të policisë bëhet e ditur se i dyshuari është arrestuar.

    “Rruga “Lidhja e Prizrenit”, Obiliq NN. Viktima kosovare ka njoftuar policinë se është sulmuar seksualisht disa herë nga i dyshuari kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

  • Osmani: USAID-i tregon përkushtimin e palëkundur të ShBA-së për Kosovën

    Osmani: USAID-i tregon përkushtimin e palëkundur të ShBA-së për Kosovën

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka falënderuar administratoren e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, për mbështetje ndaj Kosovës.

    Osmani, në një konferencë për media pas takimit me Power, deklaroi se kontributi i USAID-it është shembull i përkushtimit të Amerikës për Kosovën.

    “Kontributi i USAID-it është një nga shembujt më të fortë të përkushtimit të palëkundur të SHBA-ve për ta ndihmuar Kosovën drejtë suksese, për më shumë se dy dekada na kanë qëndruar pranë duke mbështetur gratë, rininë, bizneset si dhe kanë ndihmuar përpjekjet tona për ta forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit” u shpreh Osmani.

  • Aksioni policor në magjistralen Prishtinë – Pejë, sekuestrohen mbi 12 kg drogë dhe arrestohen gjashtë persona

    Aksioni policor në magjistralen Prishtinë – Pejë, sekuestrohen mbi 12 kg drogë dhe arrestohen gjashtë persona

    Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së premte ka realizuar një operacion në tetë lokacione në magjistralen Prishtinë – Pejë, ku ka sekuestruar mbi 12 kilogramë drogë.

    Gjatë operacionit, Policia ka arrestuar gjashtë persona dhe me urdhër të prokurorit ka dërguar në mbajtje.

    “Raportohet se më 12.05.2023 në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata dhe pas një hetimi disa mujor nga DHTN është bërë kontroll në 8 lokacione të ndryshme dhe gjatë operacionit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 12 kg. 650 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, tre vetura, 3 467 € para të gatshme, 12400 lekë, 7 telefona. Lidhur me rastin gjashtë persona janë arrestuar, me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh.

  • Osmani takohet me administratoren e USAID, Samantha Power

    Osmani takohet me administratoren e USAID, Samantha Power

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim administratoren e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, raporton Ekonomia Online.

    Pas takimit, Osmani dhe Power pritet që të deklarohen për medie.

    Power dje është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti, ku kanë shpallur ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100MW.

    Ajo po ashtu dje ka deklaruara se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është hap thelbësor për të siguruar vazhdimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe se marrëveshja e dakorduar duhet të implementohet në tërësi.

  • Ndalohet qarkullimi në sheshin “Xhorxh Bush” gjatë kësaj fundjave, ndryshon rrjedha e qarkullimit të linjave

    Ndalohet qarkullimi në sheshin “Xhorxh Bush” gjatë kësaj fundjave, ndryshon rrjedha e qarkullimit të linjave

    Trafiku Urban ka njoftuar se sot dhe nesër do të ndalohet qarkullimi i transportit publik dhe automjeteve Taxi në sheshin “Xhorxh Bush” me qëllimin e mbajtjes së aktivitetit shënimi i fillimit të verës “Erdhi Lezeti”.

    Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Trafiku Urban ka bërë me dije se rrjedha e qarkullimit të autobusëve në linjat 1, 1A, 3, 4, dhe 7C do të ndryshojnë nga sheshi “Xhorxh Bush” në drejtim të Bulevardit “Bill Kllinton” dhe rrugës “Robert Doll”.

    “Duke u bazuar në vendimin e datës 12.05.2023 të Komunës së Prishtinës se nga data 13 Maj 2023 deri më 14 Maj 2023, do të ndalohet qarkullimi i transportit publik dhe automjeteve Taxi në sheshin “Xhorxh Bush” me qëllimin e mbajtjes së aktivitetit shënimi i fillimit të verës “Erdhi Lezeti”. Rrjedha e qarkullimit të autobusëve në linjat 1, 1A, 3, 4, dhe 7C do të ndryshojnë nga sheshi “Xhorxh Bush” në drejtim të Bulevardit “Bill Kllinton” dhe rrugës “Robert Doll”, thuhet në njoftim.

  • Moti sot i vranët dhe me intervale me diell

    Moti sot i vranët dhe me intervale me diell

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka bërë të ditur se sot, mbi vendin tonë do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell.

    Sipas IHK-së, vranesirat gjatë ditës, kryesisht gjatë pjesës së dytë parashihen të shoqërohen me reshje shiu. Temperaturat mbeten të njejta me të ditës së premte.

    Edhe dita e diele parashihet të jetë kryesisht e ngjashme, me diell dhe vranësira të cilat parashihen të sjellin reshje shiu.

    Në fushat termike nuk parashihen ndryshime, por do të jenë konstante m e ditët e fundit.

    Mot kryesisht i ngjashëm parashihet të mbajë deri javën e fundit të këtij muaji.

    Gjatë vikendit do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes me shpejtësi 1-7m/s.