ATV

Category: Lajme

  • ​24 vjet nga masakra serbe në Qyshk

    ​24 vjet nga masakra serbe në Qyshk

    Sot mbushen 24 vjet nga Masakra e Qyshkut, në të cilën forcat pushtuese kriminale serbe kanë vrarë dhe masakruar barbarisht 44 meshkuj.

    Masakra e 14 majit 1999 ishte vetëm njëra nga të shumtat që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

    Dhjetëra pjesëtarë të grupit paramilitar serb “Çakallët” janë arrestuar dhe dënuar në Beograd.

    Në Qyshk është kryer një nga krimet më monstruoze nga shteti i Serbisë: policia dhe bandat qeveritare, pas një sulmi të egër – gjatë të cilit kanë përdhunuar gratë shqiptare dhe kanë plaçkitur gjithçka që kanë mundur të marrin me vete – kanë vrarë të paktën 44 civilë, në tri shtëpi të fshatit të cilat i kanë djegur.

    Fshati është rrafshuar me tokë, ndërsa nga aty janë dëbuar më shumë se 400 civilë.

  • Turqi: Nis votimi për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare

    Turqi: Nis votimi për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare

    Miliona votues filluan të drejtohen drejt qendrave të votimit në Turqi, për të hedhur votën e tyre në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vendit.

    Rreth 60,7 milionë qytetarë turq janë regjistruar për të votuar në Turqi, kurse jashtë vendit ishin të regjistruar 3,4 milionë votues. Në këto zgjedhje, 4,9 milionë qytetarë që do të votojnë për herë të parë, raporton Anadolu Agency.

    Gjithsej 191.884 kuti votimi janë vendosur për votuesit në mbarë vendin, të cilët do të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës nga ora 08:00 deri në ora 17:00 sipas kohës lokale, transmeton KosovaPress.

    Çdo votues do të hedh dy vota, një për presidentin dhe një për parlamentarët, të cilët do të shërbejnë për një mandat 5-vjeçar.

    Votuesit do të zgjedhin midis presidentit Rexhep Tajip Erdogan, i cili kërkon rizgjedhjen, kandidatit të opozitës më të madhe, Kemal Kiliçdaroglu, dhe kandidatit Sinan Ogan.

    Muharrem Ince, një kandidat tjetër presidencial, u tërhoq nga gara të enjten, por sipas autoritetit zgjedhor të vendit, pavarësisht tërheqjes së tij në “minutën e fundit”, votat e hedhura për të do të pranohen si të vlefshme në përputhje me nenin 12 të ligjit nr. 6271.

    Pavarësisht tërheqjes së tij nga gara presidenciale, partia e tij “Atdheu” mbetet në garë për ulëset në parlamentin prej 600 vendesh.

    Mbi 30 parti politike dhe mbi 150 kandidatë të pavarur për deputetë do të garojnë në zgjedhje.

    Në garë janë pesë blloqe shumëpartiake: Aleanca Popullore, Aleanca Kombëtare, Aleanca ATA, Aleanca e Punës dhe Lirisë dhe Aleanca e Unionit të Forcave Socialiste.

  • Privilegjet e ish-presidentëve: Sejdiu mori mbi 300 mijë euro, Atifete Jahjaga rreth 170 mijë euro, Thaçi 83 mijë euro

    Privilegjet e ish-presidentëve: Sejdiu mori mbi 300 mijë euro, Atifete Jahjaga rreth 170 mijë euro, Thaçi 83 mijë euro

    Mjaftojnë 6 muaj punë në krye të pozitave udhëheqëse të shtetit, për të siguruar gjithë jetën me pagë të majme e përfitime tjera.

    Kjo mundësohet falë Ligjit për Përfitimet e ish-Zyrtarëve të Lartë dhe Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës.

    Ish-Presidentët  pas përfundimi të mandatit përfitojnë 70% të pagës aktuale të kësaj pozite si dhe privilegje tjera të shumta.

    Fatmir Sejdiu, ish-President i Republikës së Kosovës nga tetori 2010 deri në mars 2023, nga paga mujore ka marrë mbi 300 mijë euro.

    Veç kësaj, ai ka të angazhuar edhe tre punëtorë si staf mbështetës paga e të cilëve për secilin për çdo muaj është nga 594 euro. Si dhe shpenzime për mbushje te telefonit për çdo njërin 40 euro në muaj.

    Sipas të dhënave nga Zyra e Presidencës, ish-Presidenti Sejdiu, mesatarisht ka shpenzuar 95 euro në muaj për karburante dhe shpenzimet maksimale të lejuara për reprezentacion janë deri në 100 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sejdiu gjithashtu, ka shpenzuar edhe mbi 4 mijë e 200 euro në udhëtime zyrtare nga viti 2013 deri në vitin 2022.

    Për udhëtime zyrtare dhe akomodim, më shumë del të ketë shpenzuar ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga. Që nga 2016 deri në 2022, Jahjaga në këtë kategori ka shpenzuar mbi 43 mijë euro.

    Ndërsa nga paga e saj mujore, nga prilli 2016 deri në marsin 2023 rezulton se ka marrë rreth 170 mijë euro.

    Edhe ish-Presidentja Jahjaga ka të angazhuar 3 punëtorë staf mbështetës, paga e të cilëve është 594 euro në muaj dhe 40 euro shpenzime për mbushje telefonike.

    Ajo mesatarisht për një muaj ka shpenzuar 85 euro derivate  si dhe shuma e lejuar për reprezentacion është deri në 100 euro.

    Edhe ish-Presidentit Hashim Thaçi i ka vazhduar paga mujore dhe nga nëntori 2020 deri në mars 2023 rezulton se ka marrë shumën prej 83 mijë euro.

    Ai gjithashtu ka të angazhuar tre punëtorë si staf mbështetës, të cilët gjithashtu paguhen 594 euro në muaj dhe shfrytëzojnë nga 40 euro mbushje. Meqenëse ish-Presidenti Thaçi përballet në një proces të gjykimit në Hagë, ai nuk ka bërë shpenzime të derivateve dhe shpenzime tjera që ia lejon ligji.

    Ndryshe, sipas Ligjit për përfitimet e ish-zyrtarëve të lartë, këto përfitime që i ofron ligji, ish-funksionarit të lartë nuk i takojnë nëse gjatë ushtrimit të funksionit ai ose ajo shpallen fajtor me vendim të formës së prerë të gjykatës për vepër penale të dënueshme me burgim mbi gjashtë muaj.

    Gjithashtu, një përfitim i tillë nuk paguhet, nëse ish-Zyrtari i Lartë ushtron ndonjë funksion për të cilin paguhet nga Buxheti i Kosovës dhe për të cilin është përcaktuar një pagë e barabartë ose më e lartë se paga që ka marrë gjatë ushtrimit të funksionit në krye të institucionit përgjegjës.

    Në rast se ish-zyrtari i lartë vdes, atëherë nga ky ligj përfiton e veja ose i veu dhe fëmijët nën moshën 18 vjeçare dhe kanë të drejtë të marrin një përfitim monetar në një vlerë vjetore prej 60 %.

    Ndërsa, me Ligjin për Presidentin e Republikës së Kosovës, ish-Presidenti dhe familja e tij ose saj, kanë të drejtë në sigurim të plotë shëndetësor dhe shërbime mjekësore në spitalet ushtarake dhe publike gjatë tërë jetës, si dhe përfitime tjera të përcaktuara me këtë ligj.

  • 41 mijë armë me leje në duar të kosovarëve, 250 mijë pa leje

    41 mijë armë me leje në duar të kosovarëve, 250 mijë pa leje

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    Edhe pse në tre vjetët e fundit ka rritje të numrit të armeve të regjistruara me leje megjithatë në duart e qytetarëve vazhdon të ketë shumë më shumë armë pa leje.

    Këto armë, sipas Policisë kryesisht përdoren edhe në ahengje familjare.

    hkaktar për numrin e madh të armëve pa leje, sipas njohësve të fushës së sigurisë janë edhe dënimet e ulëta.

    Kremta me armë, vazhdon të jetë fenomen në ahengjet familjare. Vetëm gjatë vitit 2022 Policia sekuestroi 156 armë të cilat u përdorën në raste të tilla.

    Po ashtu gjatë atij viti në përgjithësi u sekuestruan 1400 sish. Megjithatë numri i armëve me leje në Kosovë, vazhdon të mbetet dukshëm më i ulët sesa i atyre pa leje.

    Në vitin 2023 janë rreth 41,085 armë me leje. Në vitin 2022 janë rreth 37,450 ndërsa në vitin 2021 janë rreth 30,086. Sa i përket numrit të armëve pa leje sipas një hulumtimi të fundit të vitit 2015 kanë rezultuar rreth 250,000.

    Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, dënimet e ulëta nga gjykatat ndikojnë që të mos ulet numri i armëve pa leje.

    “Politikat ndëshkimore duhet të ashpërsohen… Zakonisht dënohen me pak para. Rrallë me burg…

    Posedimi i armëve në masë të madhe, vlerësohet rrezik i madh nga njohësit e sigurisë.

    “Armët në duar të qytetarëve janë bombë me sahat. Duhet të bëhet kampanjë për t’u pajisur me leje…”

    Leja e armës ka afat pesëvjeçar. Armët të cilat qytetarët i posedojnë më shumë me leje, janë ato të kategorisë B1: të shkurtra të zjarrit, gjysmë automatike.

  • Qytetarët e Kosovës s’u besojnë gjykatave e prokurorive

    Qytetarët e Kosovës s’u besojnë gjykatave e prokurorive

    PËRGATITI: NEXHMIE HYSENI

    Raporti i Grupit për studime juridike dhe politike ka shpalosur të dhënat e anketës së zhvilluar lidhur me perceptimin e qytetarëve për ndikimin politik në institucionet e drejtësisë dhe sigurinë në vend. Në këtë raport u tregua se besimi i qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë mbetet i ulët.

    Besimi i qytetarëve karshi gjykatave dhe prokurorive është i ulët.

    Bazuar në rezultatet e ankesës së kryer nga Grupi për Studime Juridike dhe politike, Qytetarët megjithatë i besojnë më shumë Policisë se institucioneve të tjera të drejtësisë.

    Ndërsa mbi 60 për qind e qytetarëve besojnë se politika ndikon që individë të caktuar të jenë të paprekshëm nga drejtësia.

    “Për vitin 2022, 62,5 për qind e qytetarëve besojnë se politikanët kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji. Ndërsa, vetëm 22,7 për qind prej tyre mendojnë se qytetarët janë të barabartë përpara drejtësisë. Në krahasim me vitin e kaluar, trendi është negativ pasi që kemi një ngritje prej 2,5 për qind që mendojnë se politikanët janë të pandëshkueshëm. Shikuar si tërësi, ky indikator tregon se mbi 60 për qind e popullsisë besojnë se politika të bën të pa prekshëm nga drejtësia.

    Në raport thuhet se qytetarët konsiderojnë se organet më pak të ndikuara politikisht janë Policia dhe EULEX-i. Po ashtu, 46 për qind e të anketuarve besojnë se institucionet e drejtësisë vazhdojnë të jenë të prekura nga mit-marrja.

    Krahasuar më vitet paraprake anketimi dëshmon se përmirësim të përceptimit ndaj gjykatave nuk ka.

    “Mbi 50 për qind e qytetarëve kanë theksuar se nuk kanë vërejtur përmirësim të gjyqësorit gjatë vitit 2022. Si konkluzion, këtë vit shihet se kemi trend negativ krahasuar me vitin e kaluar sa i përket mendimeve të qytetarëve në raport se a është përmirësuar sistemi i drejtësisë në vendin tonë apo jo.

    Qytetarët po ashtu kanë vlerësuar edhe sigurinë në vend.

    “Ne i kemi pyetur të anketuarit se si ata e vlerësojnë nivelin e sigurisë në vend. Nga vlerat 1-aspak i sigurt, deri në vlerën 5-plotësisht i sigurt, mesatarja e përgjigjeve të të anketuarve ka qenë 3,42.

    Nga anketa e realizuar, raporti ofron të dhëna edhe për vlerësimin e qytetarëve për vettingun në drejtësi dhe për konfiskim civil të pasurisë së pajustifikueshme.

  • Të hënën, Kurti takon përfaqësues nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

    Të hënën, Kurti takon përfaqësues nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Pas shumë kërkesave për takim, këtë të hënë pritet të takohen përfaqësues të Asociacionit të Komunave të Kosovës me kryeministrin, Albin Kurti. Nga Asociacioni i Komunave thonë se në këtë takim kërkesat e tyre do të jenë të qarta, respektivisht kthimi i të hyrave vetanake dhe rishikimi i ligjit për rritje të faturave për 100 për qind për tatim në pronë.

    Të hënën e 15 majit, përfaqësues të Asociacionit të Komunave të Kosovës pritet t’i shkojnë në zyre kryeministrit, Albin Kurti. Ky takim vjen pas gati një muaj prejse Asociacioni i Komunave kërkoi takim me kryeministrin.

    Për kërkesat që do të paraqesin, kryetarët e komunave mbajtën të shtunën një takim.

    Nga Asociacioni i Komunave të kosovës presin që kërkesat të realizohen.

    Komunat e Kosovës tashmë një kohë janë ankuar ndaj vendimit të Ministrisë së Financave për bllokimin e bartjes se të hyrave vetanke të komunave nga vitet paraprake.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama madje ka kërcënuar se do ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

    Ndërsa në mbledhjen e qeverisë së 10 majit, duke thënë se qeveria ka ndarë buxhet rekord për komunat, kryeministri, Albin Kurti kritikoi se në disa raste, siç tha, niveli i qeverisjes lokale po përdoret si opozitë ndaj nivelit qendror.

  • KEK-u obligohet t’i kompensojë punëtorët për punën gjatë vikendeve

    KEK-u obligohet t’i kompensojë punëtorët për punën gjatë vikendeve

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ 

    Punëtorët e Korporatës Energjetike disa muaj më parë kishin fituar lëndën për kompensimin e ditëve të punës gjatë fundjavave.

    Meqë KEK-u nuk e zbatonte vendimin, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi që të fillojnë procedurat e përmbarimit për 3,3 milionë eurot.

    1300 punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës do t’i marrin afërsisht nga 3500 euro për ditët e punës gjatë vikendeve, gjatë viteve 2012-2018. Meqë Gjykata Themelorë në Prishtinë të premten ka urdhëruar përmbarimin e mjeteve financiare.

    Për padinë që ishte ngritur para 10 vjetësh, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi në shtator të vitit 2022, por KEK-u nuk e zbatoi asnjëherë vendimin.

    “Përmbaruesi do të merret me këtë çështje, meqë KEK-u ka shterur të gjitha mundësitë ligjore t’i ikë obligimit”

    Punëtorët presin që shpejtë t’i kenë paratë në dispozicion.

    “Nga ajo që kemi biseduar me avokatin, besoj se brenda 10 ditësh punëtorët do t’I kenë paratë në xhirollogaritë e tyre.”

    Megjithatë, Sindikata pret vendimet edhe për disa padi tjera.

    “Kemi lëndë për pagat jubilare. Për rrezikshmërinë.

    Për shkak të disa pakënaqësive tjera lidhur me pagat, afro 3600 punëtorë të KEK-ut, do protestojë me 22 maj.

  • Power edhe në takimin me Osmanin e përmend formimin e Asociacionit

    Power edhe në takimin me Osmanin e përmend formimin e Asociacionit

    PËRGATITI: ARTON HAMITI 

    Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power në konferencën e përbashkët me presidenten Vjosa Osmani theksoi edhe njëherë kërkesën për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Përparimi drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, sipas administratores Power sjellë benifite për të dy vendet. Ndërkaq, presidentja Osmani tha se kontributi i USAID-it është shembull i përkushtimit të Amerikës për Kosovën.

    Në ditën e tretë të qëndrimit në Kosovë, Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power, takoi presidenten Vjosa Osmani.

    Zbatimi i marrëveshjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ishte njëra nga temat e diskutuara edhe në këtë takim.

    Çdo përparim drejt normalizimit me Serbinë, sipas administratores Power sjellë benifite për të dy vendet.

    “Kam inkurajuar që Kosova dhe Serbia të intensifikojnë përpjekjet që ta shpejtojnë rrugën drejt këtij normalizimi. Sepse, çdo përparim në këtë drejtim do të ketë benefite për qytetarët e të dyja vendeve. Me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kjo do t’i ndihmojë po ashtu normalizimit të raporteve, me këtë edhe zhvillimit ekonomik dhe biznesit.”

    Samantha Power, dikur gazetare e cila raportoi nga lufta në Kosovë, e pati të vështirë ta shpreh ndryshimin qe ka pasur Kosova nga viti 1999.

    “Kam takuar ndërmarrës të sektorit të teknologjisë, po ashtu fermerë, të cilët tashmë po eksportojnë në tregje evropiane, me njerëz të rinj që po punojnë për pajtimin mes komuniteteve dhe po ashtu liderët të cilët po avokojnë për të drejtat e gjitha komuniteteve etnike në Kosovë. Të gjithë janë duke punuar, secili në mënyrën e vet në drejtim të ndërtimit të një të ardhmeje më të ndritshme për veten dhe vendin e tyre. Por, prapë është e vështirë që të gjejë fjalët që të shpreh se në çmasë ka ndryshuar Kosova, prej se kam qenë këtu në vitin 1999”.

    Teksa falënderoi e zyrtaren e Administratës Biden për mbështetjen, Presidentja, Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët pas takimit tha se kontributi i USAID-it është shembull i përkushtimit të Amerikës për Kosovën.

    “Kontributi i USAID-it është nga shembujt më të fortë të përkushtimit të palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për ta ndihmuar vendin tonë drejt sukseseve të reja. Për më shumë se dy dekada, USAID ka qëndruar krahë për krahë me Kosovën dhe popullin e saj, duke mbështetur programet, të cilat kanë fuqizuar gratë, rininë dhe komunitetet jo-shumicë në të gjitha fushat. Kanë mbështetur bizneset drejt rritjes së qëndrueshme ekonomike si dhe ka ndihmuar përpjekjet tona për ta forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit”

    Shefja e USAD-it e cila në Prishtinë erdhi pasi vizitoi Beogradin, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, tha se procesi i normalizimit të marrëdhënieve të përfundojë me njohje reciproke.

    Gjatë konferencës për media te premten u lansua edhe ankandi i parë i parkut me energji solare.

  • Zelensky viziton Romën, takohet me Papa Françeskun

    Zelensky viziton Romën, takohet me Papa Françeskun

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka nisur vizitën e tij sot, më 13 maj, në Romë.

    Pas vizitave me presidentin e Italisë, Sergio Mattarella dhe kryeministren Georgia Meloni ai u takua edhe me Papa  Françeskun.

    Është hera e parë që ata takohen që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

    Udhëtimi i tij vjen pas komenteve intriguese të Papa Françeskut muajin e kaluar, kur ai la të kuptohet se ishte përfshirë në një plan të fshehtë paqeje – një nismë që nuk u konfirmua nga Rusia dhe Ukraina.

    Papa bën lutje të shpeshta në emër të popullit të “martirizuar” të Ukrainës dhe ka thënë se do të dëshironte të shkonte në Kiev dhe Moskë nëse një pelegrinazh papal mund të çonte përpara kauzën e paqes.

    Muajin e kaluar, kryeministri i Ukrainës u takua me Papa Françeskun në Vatikan dhe tha se ai i kërkoi udhëheqësit fetar të ndihmonte Ukrainën të kthente fëmijët e marrë ilegalisht në Rusi gjatë pushtimit.

  • 30 të lënduar nga aksidenti në Fushë Kosovë

    30 të lënduar nga aksidenti në Fushë Kosovë

    Një autobus me targa nga Lugina e Preshevës dhe një kamion me targa kosovare janë aksidentuar në hyrje të Fushë Kosovës.

    Sipas Policisë, të lënduar deri më tani janë rreth 30 persona.

    Zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi, ka thënë se aksidenti ka ndodhur rreth orës 15:50, dhe se në të është përfshirë edhe një veutrë gjithashtu.

    “Në ora 15:50, policia është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë (fshati Vragoli). Në aksident është përfshirë një autobus me targa të huaja, një kamion me targa vendore dhe një veturë po ashtu me targa vendore. Njësitet përkatëse policore kanë dalë në vend-ngjarje. Si pasojë e aksidentit janë dhjetëra persona që kanë pësuar lëndime. Janë njoftuar edhe ekipet mjekësore”, ka bërë të ditur Krasniqi.

    Ai ka thënë se jabnë duke u kryer hetimet dhe se më vonë do të ketë edhe detaje të reja nga ky aksident.