ATV

Category: Lajme

  • Abdullahu: Krimet e luftës nuk dëshmohen vetëm nga arkivat

    Abdullahu: Krimet e luftës nuk dëshmohen vetëm nga arkivat

    Historiani Durim Abdullahu, në një intervistë në emisionin A23 në ATV, tha se krimet e luftës nuk dëshmohen vetëm nga arkivat zyrtare të shteteve, por edhe nga akterë të tjerë të cilët kanë qenë të përfshirë në luftë, si dhe qasje në arkivat e brendshme.

    “Duhet bërë një ndarje që përgjithësisht, historia e luftës, dëshmitë për luftën, veçanërisht ato për krimet e luftës, nuk është se detyrimisht mund të dokumentohen nga arkivat zyrtare të shteteve. Dëshmitë për krimet e luftës merren edhe nga akterë të tjerë të cilët kanë qenë të përfshirë në luftë, por pastaj ideja për në aktakuzë eventuale, në këtë rast të shtetit të Serbisë për përfshirje në këto krime kërkon të pasurit qasjë në arkivat e brendshme të Serbisë”, tha Abdullahu.

    Ai tha se ka një ndarje në dysh të burimeve të dëshmive për krimet e luftës.

    “Në radhë të parë, sigurisht janë vet dëshmitarët viktimat, një pjesë e mirë e të cilëve sigurisht vazhdojnë të jenë gjallë dhe një pjesë e këtyre historive, qoftë janë evidentuar qysh në kohë të luftës prej akterëve ndërkombëtar sidomos që kanë qenë në luftën e Kosovës, emisarëve të ndryshëm të NATO-s të, cilët kanë qenë pjesë e luftës që para fillimit të bombardimeve të NATO-s, për të përmendur një tjetër organizëm misioni verifikues për Kosovën i OSBE-së dhe organizata e tjera ndërkombëtare të cilat kanë pasur qasje, qoftë edhe të pjesshme në periudha të caktuara të luftës në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe hetuesit në terren që kryeprokurorja e atëhershme e Hagës Louise Arbour në Kosovë, në pranverën e vitit 1999, megjithëse qasja e tyre ka qenë e kufizuar edhe në kohë edhe pjesërisht në terrenin e Kosovës”, tha Abdullahu.

    Sipas tij, problemi më i madh është tek të pasurit qasje në arkivat e vet shtetit serb.

    “Problemi kryesisht më i madh është tek të pasurit qasje në arkivat e vet shtetit serb. Kjo për faktin që krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe atëherë kur nuk janë kryer në mënyrë të drejtpërdrejtë nga trupat e rregullta, qoftë ushtarake apo policore të Serbisë, por edhe atëherë kur janë kryer nga formacione paraushtarake serbe, ose nga serbë lokal, megjithatë përgjithësisht kanë qenë të koordinuara dhe të orkestruara nga vet shteti i Serbisë”, tha Abdullahu. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Në ditën e dëshmorëve në Rahovec, përkujtohet beteja e 12 majit 1998

    Në ditën e dëshmorëve në Rahovec, përkujtohet beteja e 12 majit 1998

    Në Ditën e Dëshmorëve të Rahovecit, u përkujtua beteja 12 orëshe e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës kundër forcave serbe, më 12 Maj 1998.

    Kryetari i komunës, Smajl Latifi, përkujtoi dy dëshmorët e asaj dite Milaim Krasniqi dhe Elmi Morina, duke vlerësuar luftën dhe rezistencën e tyre për liri.

    “Atë ditë u bënë shumë më shumë, plot të tjerë nxorën armët për të shkrepur kundër të huajit. Barrikadat brenda fshatit e në dalje të Malësisë, krismat e pushkëve tona i çorientuan milicët serbë, të cilët për t’u hakmarrë gjuajtën me armë edhe nxënësit filloristë. Të gjithë shokët e organizuar besonin se armikun mund ta mundim vetëm duke luftuar”, tha Latifi.

    Nga Ratkoci kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve, Xhavit Jashari, foli për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UCK-së në Dhomat e Specializuar në Hagë, duke e vlerësuar atë të sulm ndaj luftës çlirimtare.

    “Doemos kur kujtojmë këto ngjarje, na vjen në mendje Kosova e paraluftës, të UÇK-së, ishim të robëruar, poshtëruar, politika e asaj kohe ishte e gjunjëzuar dhe e nënshtruar deri në përulje. Ishin të burgosurit që e mbanin gjallë idealin e pashuar të lirisë. Po e përmend Adem Demaqin, i cili kërkonte që të ishim aktiv. Këtë liri e bën bijtë dhe bijat më të mirë të atdheut, pjesëtarët e UÇK-së”, tha Jashari.

    Betejën e kujtuan edhe dy pjesëmarrës të saj.

    “Është datë historike, e pa parashikuar që mundet një ushtri guerile me qëndrua 12 orë në luftë dhe me marrë stacionin famëkeq policor”, tha Isuf Gashi, pjesëmarrës në këtë betejë.

    “Kur krisën pushkat e para dolën njerëzit e Ratkocit, që nuk e di se ku i kishin mbajtur armët. Gjetëm shumë njerëz të përgatitur”, tha Shani Hoti, pjesëmarrës në këtë betejë.

    Më 12 Maj 1998, ajo që njihet si Beteja e Anadrinit shënon përballjen e parë të hapur të armatosur në rrethinën e Rahovecit, në të cilën forcat serbe u detyruan të tërhiqen nga stacioni në Ratkoc – kontrollin e të cilit e fitoi UÇK-ja. /atvlive.tv

  • Për më pak se dy vite, prishet rruga Prilluzhë – Bukosh

    Për më pak se dy vite, prishet rruga Prilluzhë – Bukosh

    Projekti tre vjeçar, që kishte vlerën 2 milion euro e që nisi në kohën e ish-Minisrit Pal Lekaj, shumë banorëve u ka nxjerrë telashe në rregullimin e veturave.

    Ndërsa, kryetari i këshillit të fshatrave të kësaj ane, Behar Duraku, ka thënë se disa herë kanë adresuar këtë çështje në Ministrinë e Infrastrukturës, por të njëjtit nuk kanë marr përgjigje.

    Ndërsa kryetari I Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, përmes telefonit ka pohuar se nuk kanë marrë asnjë ankesë nga banorët lidhur me këtë çështje.

    Përgjigje nuk kanë kthyer as nga Ministria e Infrastrukturës.

    Lagjia e Ortakollit përbehet nga 18 fshatra dhe ka përafrisht 15 mijë banorë. /atvlive.tv

  • OIK-ja gjithmonë mbetet falënderuese nga mbështetja që ka marrë në Shqipëri

    OIK-ja gjithmonë mbetet falënderuese nga mbështetja që ka marrë në Shqipëri

    Kryetarja e Odës së Infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë Nexhmije Gori, është ftuar nga Presidentja e Urdhërit Infermieror të Shqipërisë znj. Blerina Duka , në një aktivitet të organizuar me rastin e 12 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë me titull: “Our nurse, our future”.

    Kryetarja Gori, në një fjalë rasti para përfaqësuesve të komunitetit infermieror në Shqipëri ka thënë se populli i Kosovës, si pasojë e represionit dhe dhunës me vite ishte jashtë jetës institucionale, shkruan Gazeta Shneta.

    Ajo ka përmendur mbështetjen që OIK-ut i kanë dhënë në vazhdimësi jo vetëm Urdhëri Infermieror i Shqipërisë por edhe shumë kolegje dhe institucione publike e private infermierore të Shqipërisë.

    “Me gjithë pengesat që kemi në bashkëpunim dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ne bashkimin e fillojmë nga këtu. Edhe mbështetja për ne fillon nga këtu, për të qenë bashkë, atje ku buron vizioni që për qëllim ka reformat”, ka thënë Nexhmije Gori, kryetare e OIK.

    Kryetarja e OIK-ut u tha se do të OIK-ja do të jetë falënderuese për secilin bashkëpunim me institucionet si- motra në Shqipëri.

    “Oda e Infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë ka qenë dhe do mbetet e përkushtuar dhe përgjithmonë falëmnderuese në secilin bashkëpunim dhe mbështetje që kemi pasur me institucionet si-motra në Shqipëri”, ka thënë Gori.

    Njoftimi i plotë:

    OIK gjithmonë mbetet falëmnderuese, nga mbështetja që ka marrë në Shqipëri

    Tiranë, 12 maj – Kryetarja e Odës së Infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë Nexhmije Gori, po qëndron në Tiranë me ftesë të Presidentes së Urdhërit Infermieror të Shqipërisë znj. Blerina Duka , në një aktivitet të organizuar me rastin e 12 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë me titull: “Our nurse, our future”.Kryetarja Gori, në një fjalë rasti para përfaqësuesve të komunitetit infermieror në Shqipëri ka përmendur mbështetjen që OIK-ut i kanë dhënë në vazhdimësi jo vetëm Urdhëri Infermieror i Shqipërisë por edhe shumë kolegje dhe institucione publike e private infermierore të Shqipërisë.“Me gjithë pengesat që kemi në bashkëpunim dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ne bashkimin e fillojmë nga këtu. Edhe mbështetja për ne fillon nga këtu, për të qenë bashkë, atje ku buron vizioni që për qëllim ka reformat”, ka thënë Nexhmije Gori, kryetare e OIK.Në fjalimin e saj në Tiranë, kryetarja Gori ka thënë se populli i Kosovës, si pasojë e represionit dhe dhunës me vite ishte jashtë jetës institucionale.

    “Oda e Infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë ka qenë dhe do mbetet e përkushtuar dhe përgjithmonë falëmnderuese në secilin bashkëpunim dhe mbështetje që kemi pasur me institucionet si-motra në Shqipëri”, ka thënë Gori e cila ka uruar gjithë infermierët me rastin e 12 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë.

  • Dështon projekti i Prishtinës për biçikleta, s’ka ofertues

    Dështon projekti i Prishtinës për biçikleta, s’ka ofertues

    Afro 100 biçikleta, nga fundi i muajit mars, do të duhej të ishin në dispozicion të qytetarëve, për të qarkulluar nëpër kryeqytet. Mirëpo, Komuna, e cila planifikoi që për një muaj ta bënte blerjen e tyre, ende nuk e ka realizuar këtë projekt.

    “Rimobiliteti në kuadër të shërbimeve publike ka bërë shpallje, një thirrje të tillë, mirëpo herën e parë nuk kemi pasur asnjë ofertues dhe pastaj me automatizëm dhe urgjencë është hapur prapë e me aq sa kam informata, veçse u përmbyll, mirëpo interesimi për to është i vogël”, tha drejtori i shërbimeve publike në Prishtinë, Ilir Musliu.

    Por ai thotë se projekti, për të cilin Komuna ka ndarë 500 mijë euro do të fillojë së implementuari së shpejti.

    “Në momentin që kemi oferta, mundemi me fillu me implementimin. Tash do të jetë komisioni vlerësues, ai që do ta bëjë vlerësimin për ta parë se a kemi oferta të përgjegjshme dhe mendoj që në kohë rekord, këtë vit, do të bëjmë implementimin që të mos vonohen më tepër dhe qytetarët t’i kenë në shfrytëzim biçikletat”, tha Musliu.

    Megjithatë, Berat Rakovica nga grupi “Marakli t’biçikletave”, pohon se vonesat në implementimin e projektit, duhet të shfrytëzohen për nxitje të qytetarëve që t’i shmangin makinat dhe t’u kthehen biçikletave.

    “Ne si grup edhe këtë vit kemi dështuar edhe në projekte dhe aktivitete për shkak të numrit të vogël të të interesuarve për biçikleta. Do të bëjmë fushata për thirrje në këto aktivitete, derisa të bëhet realizimi i këtij projekti”, tha Rakovica.

    Ndryshe, ky projekt në vlerë parashihte edhe ndërtimin e 10 vendstacioneve për biçikleta në kryeqytet. /atvlive.tv

  • “Deklarata e Lajçak-ut për mundësi konfrontimi në mungesë normalizimi, është shqetësuese”

    “Deklarata e Lajçak-ut për mundësi konfrontimi në mungesë normalizimi, është shqetësuese”

    Gjatë qëndrimit në Kosovë e Serbi, përfaqësuesi i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak shprehi edhe njëherë rendësin e normalizimit te marrëdhënieve mes palëve.

    “Ne mund të kemi vetëm normalizim apo konfrontim dhe duam të fokusohemi tërësisht në normalizim, ndaj duam të shmangim çdo përshkallëzim, ose konflikt që nuk është në interesin e askujt”, ka thënë Lajçak.

    Deklarata të tilla të zyrtareve të lartë evropian, nga njohës të rrethanave politike po shihen me shqetësim.

    “Nëse kjo fjalë thuhet nga dikush si Lajçak është bukur me rrezik të madh, dhe unë do të kisha dëshiruar që kjo e dyta të mos përmendet fare sepse boll kemi kaluar rreziqe por mund te ndodhë për faktin se nuk ka qasje serioze të kësaj strukture të Bashkimit Evropian për të bërë presion aty ku duhet”, tha Ramë Buja, pjesëmarrës në Konferencën e Ramubujesë.

    “Deklarata e zotit Lajçak është 100 % e saktë sepse me të vërtet ekzistojnë vetëm këto dy opsione. Ose opsioni i gjendjes se tashme i konfliktit te ngrirë ku në çdo moment mund të shkrihet dhe të eskalohet situata ose një dialog i cili do të përfundojë më marrëveshje që do ta normalizojë jo vetëm raportin mes Kosovës dhe Serbisë por edhe gjithë rajonit”, tha Artan Muhaxhiri, analist.

    Njëri nga pjesëmarrësit e Konferencës së Rambujesë, kur Serbia nuk u pajtua dhe kjo hapi rrugë për intervenimin e NATO-s, para 24 vjetëve, nuk sheh gatishmëri që palët të merren vesh, sidomos për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    “Gjithmonë kur njeri ulet ne tavolinë me tendencën për tu marrë vesh edhe merret vesh. Kam përshtypjen se nga asnjëra palë nuk ka gatishmëri për tu marrë vesh sepse diametralisht janë të kundërta këto dy drafte dhe flasin gjera te kundërta dhe është shume e vështirë për të menduar se diçka pozitive do të lëvizë”, tha Buja.

    Shmangia e përshkallëzimit të situatës në veri ka qenë një nga pikat kryesore të deklarimit të përfaqësuesit të lartë Borrell pas takimit të 2 majit dhe më pas është përmendur edhe nga diplomatë të ndryshëm ndërkombëtarë. /atvlive.tv

  • Lajçaku ka pritshmëri për takimin e së hënës, mundësi për hapa konkretë

    Lajçaku ka pritshmëri për takimin e së hënës, mundësi për hapa konkretë

    Pas diskutimeve që pati në Beograd me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe kryenegociatorin Petar Petkovic, zyrtari ndërmjetësuesi në dialog, Miroslav Lajçak, pret që nga e hëna të kalohet në hapa konkretë.

    “Në Beograd, takova presidentin Aleksandar Vuçiq dhe kryetarin Petar Petkoviq për të diskutuar për mënyrën e ecjes përpara, në zbatimin e Marrëveshjes. Takimi i kryenegociatorëve të hënën e ardhshme është një mundësi e mirë për t’u pajtuar për hapat e ardhshëm konkretë”, tha Lajçak.

    Para se të shkonte në Beograd, Lajçak dje kishte takuar kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë. Sot, para mediave Kurti foli për sinkronizimin e sekuencimit të zbatimit të aneksit dhe të marrëveshjes.

    “Në fillim të javës, pra të hënën, do të këtë një takim të kryenegociatorëve atje dhe natyrisht ne sinkronizohemi sa u përket synimeve dhe në të njëjtën kohë qëllimi ishte të përgatitemi sa më mirë për një udhërrëfyes të zbatimit në mënyrë të sekuencuar ashtu që edhe marrëveshja e 27 shkurtit në Bruksel, edhe aneksi i zbatimit në Ohër, pa kushte, pa vonesa, të zbatohen në mënyrë të plotë”, tha Kurti.

    Ndërkaq, presidenti Aleksandër Vuçiq, me anë të një postimi në Instagram, insistoi se formimi i Asociacionit është parakusht që bisedimet të vazhdojnë.

    “Si gjithmonë, një takim i hapur me Miroslav Lajçak me theks në formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, që është parakusht për vazhdimin e bisedimeve të mëtejshme me Prishtinën. Shpreha shqetësimin për situatën në Kosovë dhe Metohi, veçanërisht në veri të Kosovës dhe Metohisë, para së gjithash për shkak të provokimeve të vazhdueshme nga Prishtina”, tha Vuçiq.

    Në një konferencë për media, ndërkaq, presidenti serb akuzoi kryeministrin e Kosovës se dëshiron të shkaktojë incidente dhe konflikte.

    Vizita e Lajçakut në Prishtinë e në Beograd është e para që nga takimi i Ohrit, më 18 mars. Siç dihet, më 2 maj, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, ka bërë të ditur se Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së, kanë filluar negociatat për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. /atvlive.tv

  • Shpallet ankandi i parë për parkun me energji solare

    Shpallet ankandi i parë për parkun me energji solare

    Pas më shumë se 20 vjetëve, Samantha Power, dikur gazetare, erdhi sërish në Kosovë.

    Por këtë herë nga pozita e shefes së Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar dhe anëtares së Këshillit të Sigurisë Kombëtare në administratën Biden.

    Power bëri të ditur se nga kjo administratë, përparimi në dialog shihet si urgjencë.

    “Kam ardhur që të përforcoj mesazhin që Administrata e Bidenit e ka thënë në lidhje me rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes, që do të prodhojë një normalizim që do të jetë i rëndësishëm për Kosovën dhe Serbinë. Normalizimi do të jetë i dobishëm edhe për zhvillimin ekonomik. Kemi pasur bisedime të gjera në orët e fundit, në lidhje me urgjencën e krijimit të Asociacionit, si dhe urgjencën për zbatimin e plotë të të gjitha aspekteve të marrëveshjes”, tha Power.

    Administratorja Power, e cila në Prishtinë erdhi pasi vizitoi Beogradin dhe takoi krerët e shtetit serb, përsëriti qëndrimet e shprehura më herët për parimet mbi të cilat duhet të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë dhe për njohjen reciproke në fund.

    Shefja e USAD-it bashkë me kryeministrin Kurti, dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, lansuan ankandin e parë për parkun me energji solare.

    Projekti, sipas Kurtit e Rizvanollit, do të ndikojë përveç tjerash edhe në mbrojtjen e mjedisit.

    Administratorja e USAID-it, Samantha Power, nesër takohet me presidenten Vjosa Osmani. /atvlive.tv

  • MPJD: Valdrin Sahiti e ka dorëzuar pasaportën diplomatike

    MPJD: Valdrin Sahiti e ka dorëzuar pasaportën diplomatike

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), në një përgjigje për ATV-në, ka njoftuar se Valdrin Sahiti e ka dorëzuar pasaportën diplomatike në këtë ministri me 26 prill të këtij viti.

    “Z.Sahiti ka dorëzuar pasaportën diplomatike në MPJD, me datë 26.04.2023. Të njëjtit me kërkesë të tij, i është pa vleftësuar pasaporta diplomatike”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

    MPJD ka sqaruar se Sahiti ishte pajisur me pasaportën diplomatike në dhjetor të vitit 2020 me vendin të ish ministres Meliza Haradinaj.

    “Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ju njofton se z.Valdrin Sahiti është pajisur me pasaportë diplomatike në dhjetor të vitit 2020, me vendim të ish ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj.Meliza Haradinaj”, thuhet më tej në përgjigjen e MPJD-së për ATV-në.

    MPJD thotë se ende nuk ka pranuar asnjë raport zyrtar nga autoritetet turke, lidhur me raportimet e mediave për ndalimin a arrestimin e z. Sahiti në shtetin turk. /atvlive.tv

  • Konjufca kujton Agron Rrahmanin: Ndoqi shembullin e atyre që e deshën atdheun

    Konjufca kujton Agron Rrahmanin: Ndoqi shembullin e atyre që e deshën atdheun

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka kujtuar heroin e luftës çlirimtare, Agron Rrahmanin, sot në 25-vjetorin e rënies së tij dëshmor.

    Konjuca ka thënë se Rrahmani ka qenë i brumosur në frymën e historisë së rezistencës së popullit shqiptar.

    “I brumosur në frymën e historisë së rezistencës së popullit shqiptar, Agroni e gjeti veten shpejt në rolin e një prej organizatorëve të demonstratave në Besianë gjatë viteve 1989-1990, gjë që u vërejt nga regjimi serb, e pas të cilave arrestohet dhe dënohet me 2 muaj burgim”.

    “Agron Rrahmani admironte dhe ndiqte shembullin e atyre që e deshën atdheun e që për të ishin të gatshëm të japin gjithçka. Ai së bashku me Bahri Fazliun, themeluesin e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, nuk i ndanë rrugët deri në fund”.

    Konjucfa ka shtuar se Rrahmani zotëronte aftësitë e organizimit luftarak dhe përgatitjes ushtarake të vullnetarëve që më vonë do të ishin ushtarë të luftës çlirimtare

    “Në qendrën stërvitore në Tiranë, ku kontribuoi fuqishëm për ngritjen e saj dhe që më vonë do të mbante emrin e tij, do të stërviteshin disa qindra vullnetarë. Ai do të bëhej komandant i njësitit gueril ‘Rexhep Mala’, në Prishtinë, deri kur lavdishëm ra dëshmor në një përballje të armatosur me forcat serbe, më 12 maj të vitit 1998”.

    “Si popull dhe si institucione duhet t’i nderojmë dëshmorët tanë, jo për të kryer punë me ta, por në atë mënyrë që punët tona të jenë sa më pranë frymës së tyre. Institucionet me frymën e dëshmorëve, besnikëria ndaj idealit të tyre, janë nderimi më i mirë që mund ta bëjmë për ta. Ata dhanë gjithçka, ndërsa ne duhet të marrim aspiratën e tyre për ta çuar përpara”.