ATV

Category: Lajme

  • Aksident në hyrje të Fushë Kosovës, krijohen kolona të gjata

    Aksident në hyrje të Fushë Kosovës, krijohen kolona të gjata

    Një aksident ka ndodhur afër fshatit Vragoli në hyrje të Fushë Kosovës.

    Në disa pamje të siguruara nga ATV, shihet se në aksident janë të përfshirë një kamion dhe një autobus.

    Si pasoj e këtij aksidenti janë krijuar kolona të gjata.

    Sipas dëshmitarëve raportohet se ka edhe të lënduar.

    Policia e Kosovës është në vendin e ngjarjes dhe po merret me rastin. /ATV LIVE/

  • Kurti në Korishë: Shteti i Kosovës do të kujdeset maksimalisht për trashëgiminë e luftës në Kosovë

    Kurti në Korishë: Shteti i Kosovës do të kujdeset maksimalisht për trashëgiminë e luftës në Kosovë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nderoi martirët dhe të rënët për liri në fshatin Korishë të Komunës së Prizrenit. Së bashku me Ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, Kryetarin e Komisionit Qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti dhe deputetë të Kuvendit të Republikës, bëri homazhe te Memoriali i Martirëve në Korishë dhe zbuloi shtatoren e heroit Sali Shabani.

    Me vendosje të luleve dhe një minutë heshtje, Kryeministri Kurti përkujtoi civilët shqiptarë nga Korisha dhe fshatrat Budakovë, Reshtan, Bllacë, Mushtisht, Maçitevë dhe Greikoc, të vrarë në maj të vitit 1999 me të vetmen arsye se ishin shqiptarë.

    “Jam këtu si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, jo vetëm thjeshtë të ndaj ndjesitë e përbashkëta për viktimat me familjarët e tyre dhe të gjithë të tjerët, por jam këtu sot në ditën e martirëve të Korishës, sidomos për të treguar që shteti i Kosovës do të kujdeset maksimalisht për trashëgiminë e luftës në Kosovë. Veçanërisht për ta njohur historinë e masakrave dhe të secilit krim e të secilit kriminel, si dhe për të denoncuar të gjitha hallkat e sistemit shtetëror të Serbisë”, tha Kryeministri.

    “Kur sheh pllakën përkujtimore me emrat e të vrarëve në Korishë, vëren që të paktën 14 prej tyre kanë qenë fëmijë, pra ishin nën moshën 18 vjeçare atëherë kur u vranë. Mosha e tyre është dëshmia më e pakontestueshme e pafajësisë së gjithë këtij grupi aq të madh të njerëzve, që Serbia i vrau vetëm pse ishin shqiptarë”, tha Kryeministri Kurti. Ai theksoi procesin e filluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës për memorializimin e fëmijëve të vrarë, të zhdukur apo që kanë humbur jetën nga kushtet e luftës, në krye të grupit punues të së cilit, është nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, znj.Saranda Bogujevci, vetë e mbijetuar si fëmijë nga masakra e Podujevës.

    Duke kujtuar se pothuajse çdo ditë e pranverës nga fundi i marsit e deri në mes të qershorit, paraqet një datë përvjetori të masakrave të kryera nga Serbia në Kosovë, ai tha se një pjesë e mirë e agjendës së tij si Kryeministër është e rezervuar për ngjarjet përkujtimore sikur kjo këtu, sepse shënimi i përvitshëm i krimeve të kryera nga Serbia mbi ne shqiptarët në Kosovë, kërkon të ketë një traditë të saj të kultivuar që duhet mirëmbajtur, ashtu që të krijohen lidhjet mes gjeneratave dhe të përcjellet vetëdijshëm kujtesa e përbashkët për këto krime.

  • Vizita e Schutz dhe darka në rezidencë, ambasadori gjerman zbulon se çfarë folën me Kurtin

    Vizita e Schutz dhe darka në rezidencë, ambasadori gjerman zbulon se çfarë folën me Kurtin

    Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka shkruar për darkën që kanë pasur mbrëmë në rezidencën e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pasi që në Kosovë është duke qëndruar drejtoresha për Ballkanin, Susanne Schutz.

    Kurti në këtë darkë ka qenë i shoqëruar nga zv.ministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, raporton Express.

    Rohde ka shkruar se në këtë darkë kanë pasur një diskutim të frytshëm për rrugën përpara lidhur me temat aktuale që ndërlidhen me procesin e dialogut.

    Në Kosovë për vizitë ka qëndruar edhe drejtoresha e USAID-it, Samanta Power e cila ka treguar se ka sjellur mesazhin e presidentit Joe Biden për rëndësinë e themelimit të Asociacionit.

  • Deputeti Muja-Lajçakut: Mos kërko mes midis krimit dhe ligjit

    Deputeti Muja-Lajçakut: Mos kërko mes midis krimit dhe ligjit

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, i ka reaguar emisarit të BE-së, Miroslav Lajcak, pasi ky i fundit pas një vizite që ka realizuar në veri të vendit ka thënë se është i shqetësuar nga ato çfarë ka dëgjuar nga takimet.

    Muja në këtë reagim të tij e ka bashkëngjitur një pjesë të raportimit të REL lidhur me Aleksander Filipoviqin, një serb nga veriu i vendit që kishte zhveshur uniformën e Policisë së Kosovës e që sipas REL gjatë këtij muaji kishte zhvilluar edhe një vizitë në zyrat e BIA-s serbe.

    Muja për Filipoviqin ka thënë se është pjesë e strukturave paralele që kontrollohen nga Beogradi, dhe sipas tij, Miroslav Lajcak s’duhet të kërkojë mes, mes krimit dhe ligjit dhe mes institucioneve shtetërore dhe strukturave ilegale.

    “Personi në lajmin më poshtë është Aleksandar Filipović, një nga shumë personat pjesë të strukturave paralele që dirixhohen nga Beogradi. Andaj, Lajçaku është mirë të mos kërkoj mes mes krimit dhe ligjit. Mes ilegalitetit e legalitetit. Mes institucioneve shtetërore e strukturave ilegale”, ka shkruar Muja.

    Tutje Muja ka thënë e Lajcak duhet të ishte i shqetësuar me shkeljet direkte që Serbia po ia bën marrëveshjes së Brukselit.

    Sipas depuetit të VV-së, në veri shqetësim është kriminaliteti i kontrolluar nga Serbia dhe Aleksander Vucic.

    “Ai para se të gjithash duhet të ishte i shqetësuar me shkeljen direkte të marrëveshjes së Brukselit me këso veprimesh nga Beogradi. Në veri shqetësim është kriminaliteti i dirixhuar nga Serbia e Vuçiqi, asgjë tjetër”, ka përfunduar Muja.

    Ditë më parë shefja e GP të VV-së i kishte reaguar BE-se lidhur me deklarimin se Kosova ka shkelur marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit kur ka vendosur shkarkimin e Ekipit Menaxhues.

    Reagime kanë pasur edhe ambasadori Agron Bajrami dhe zëdhënësi i Qeverisë, Perparim Kryeziu, të cilët kanë numëruar shkeljet e bëra nga Serbia.

    Edhe kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka kërcënuar me braktisje të procesit të dialogut nëse synohet Asociacion me kompetenca ekzekutive.

  • Osmani: Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive në dialogun me Serbinë

    Osmani: Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive në dialogun me Serbinë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Nënsekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për Operacionet e Paqes,  Jean-Pierre Lacroix.

    Në njoftimin e bërë për media thuhet se në takim është diskutuar mbi zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.

    “Theks i veçantë i këtij takimi ishte progresi edhe sukseset në forcim të demokracisë dhe sundimit të ligjit, të cilat tanimë njihen ndërkombëtarisht”, thuhet në njoftim.

    Tutje, Presidentja Osmani foli edhe për potencialin e jashtëzakonshëm të Republikës së Kosovës, si dhe nevojën për bashkëpunim me qëllim të kapitalizimit të këtij potenciali. Ndër të tjera, në takim u diskutua edhe për nevojën që të punohet ngushtë me institucionet e OKB-së në drejtim të mbështetjes së të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    “Presidentja Osmani potencoi se është e rëndësishme që të ketë angazhim të drejtpërdrejt me të mbijetuarit, gjë që është edhe në frymë të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Presidentja ka thënë se Kosova shërben si shembull për promovimin dhe avancimin e kësaj agjende, jo vetëm në Kosovë, por globalisht”.

    Osmani theksoi se organizimi i vazhdueshëm i Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është shembull i përkushtimit të Republikës së Kosovës për avancimin e kësaj agjende, duke synuar krijimin e një mjedisi më të sigurt, më paqësor dhe më gjithëpërfshirës për gratë dhe vajzat, duke e fuqizuar rolin e tyre në çdo proces.

    Në këtë drejtim, Lacroix theksoi se kjo agjendë është gjithashtu prioritet i lartë i Kombeve të Bashkuara.

    “Mbi temën e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Presidentja ka ritheksuar edhe një herë qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës se UNMIK-u e ka përfunduar qëllimin e mandatit. Në mes tjerash, në takim u fol edhe për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, me ç’rast Presidentja Osmani ritheksoi se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive në këtë proces dhe e përkushtuar për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon”.

  • Kurti me plis në Korishë të Prizrenit

    Kurti me plis në Korishë të Prizrenit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar fshatin Korishë të Prizrenit, në 24-vjetorin e Masakrës që ka ndodhur në këtë vend nga forcat serbe.

    Më këtë rast i pari i qeverisë, Albin Kurti zbuloi edhe shtatoren e atdhetarit Sali Shabani.

  • Vaksinimi i dhelprave, KFOR-i i jep leje Agjencisë Pyjore për fluturime

    Vaksinimi i dhelprave, KFOR-i i jep leje Agjencisë Pyjore për fluturime

    KFOR ka njoftuar se i ka dhënë dritën jeshile kërkesës së Agjencisë Pyjore të Kosovës që të kryejë fluturime në lartësi të ulëta me qëllim vaksinimin e dhelprave kundër tërbimit.

    Përmes një njoftimi për media thuhet se KFOR-i ka autoritetin për hapësirën ajrore të Kosovës, në përputhje me mandatin që ka marrë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara bazuar në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

    “Pas një kërkese të Agjencisë Pyjore të Kosovës, misioni KFOR i drejtuar nga NATO ka autorizuar fluturimin e avionëve privatë që nga 15 maji do të kryejnë fluturime në lartësi të ulëta me qëllim vaksinimin e dhelprave kundër tërbimit duke përdorur karremin”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

    KFOR-i tutje ka theksuar se hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar mbi Kosovën nga një vend në tjetrin me fluturime komerciale.

    “Hapësira ajrore e poshtme mund të përdoret për nevoja specifike, rast pas rasti dhe sipas autorizimit të mëparshëm nga komandanti i KFOR-it”, thuhet në njoftim.

    KFOR-i, sipas njoftimit, mbetet plotësisht i fokusuar në sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e OKB-së.

  • FSK del me njoftim për gjetjen e trupit të Nezir Osmanit

    FSK del me njoftim për gjetjen e trupit të Nezir Osmanit

    ATV ka raportuar se afër fshatit Lupq të komunës së Podujevës është gjetur trupi i pajetë i Nezir Osmanit, që prej disa ditësh u raportua i zhdukur.

    Lajmin e ka konfirmuar edhe FSK përmes një komunikate zyrtare:

    Ky është njoftimi i tyre:

    Ekipet e Kërkim Shpëtimit të FSK-së, gjejnë trupin e pajetë të personit të zhdukur

    Pas marrjes së njoftimit nga  Qendra e Situatave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për një person të zhdukur, Forca e Sigurisë së Kosovës ka marrë të gjitha masat, duke angazhuar ekipet e Kërkim Shpëtimit malor, ujor dhe K9 të Gardës Kombëtare, të cilat kanë punuar në koordinim me Policinë e Kosovës, gjithashtu të angazhuar në këtë operacion kërkimi kanë qen  një numër i madh i vullnetarëve.

    Pas kërkimeve intensive sot ekipet e Kërkim Shpëtimit ujorë të FSK-së, kanë arritur të gjejnë trupin e pajetë të personit të zhdukur me inicialet N.O, në zonën në afërsi të lumit llap në fshatin  Lupq i poshtëm i komunës së Podujevës.

    Pas evakuimit të viktimës trupi i pajetë është dorëzuar Mjekësisë Ligjore dhe Policisë së Kosovës për procedurat e mëtejme. /ATV LIVE/

  • Gjendet trupi i Nezir Osmanit, 60 vjeçarit që u raportua i humbur

    Gjendet trupi i Nezir Osmanit, 60 vjeçarit që u raportua i humbur

    Orët e para të ditës së sotme është gjetur trupi i pajetë i Nezir Osmanit.

    ATV mëson se kufoma është gjetur në afërsi të fshatit Lupq.

    60 vjeçari, Nezir Osmani është raportuar i zhdukur javën e kaluar nga familjarët e tij.

    Osmani ishte qytetar i Prishtinës, banues në lagjen “Kodra e Trimave”.

    Për zhdukjen e Osmanit është njoftuar edhe Policia e Kosovës dhe FSK-ja të cilët ishin mobilizuar për gjetjen e tij.

    Bashkëshortja e tij kishte rrëfyer se burri i saj ka dal nga shtëpia të mërkurën (3 maj) në orën tetë të mëngjesit për të blerë bukë, por nuk është kthyer më. /ATV LIVE/

  • Hovenier: SHBA-ja mbetet e palëkundur në mbështetje të integrimit euroatlantik të Kosovës

    Hovenier: SHBA-ja mbetet e palëkundur në mbështetje të integrimit euroatlantik të Kosovës

    Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier së bashku me shefen e USAID-it, Samantha Power, janë pritur sot në takim nga presidentja Vjosa Osmani.

    Hovenier në një postim në Twitter ka shkruar se në këtë takim ata diskutuan për integrimin e Kosovës, mbështetjen e SHBA-ve dhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

    “Sot së bashku me Samantha Power në takim me presidenten Vjosa Osmani. Diskutuam për përkushtimin e palëkundur të Qeverisë së SHBA-së për të mbështetur integrimin euroatlantik të Kosovës dhe mbështetjen tonë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka shkruar Hovenier.

    Ndryshe, Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, pas këtij takimi ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të intensifikojnë përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve.

    Ajo shtoi se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do t’i kontribuonte këtij procesi.