ATV

Category: Lajme

  • Ministrja Hajdari në vizitë zyrtare në Izrael, takime edhe me homologët

    Ministrja Hajdari në vizitë zyrtare në Izrael, takime edhe me homologët

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka udhëtuar për vizitë në Izrael.

    Ministrja Hajdari, do të ketë disa takime të rëndësishme gjatë qëndrimit të saj në Izrael, duke filluar me takimin e parë me ministrin e Ekonomisë, Nir Barkat për të diskutuar për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike dhe tregtare në mes Kosovës dhe Izraelit.

    Hajdari gjatë qëndrimit në Izrael do të takohet edhe me presidentin e Federatës së Dhomave të Tregtisë së Izraelit, Uriel Lynn dhe kryetarin e Grupit të Miqësisë Izrael – Kosovë, Erez Malul.

    Takimet tjera në vijim përfshijnë Ministrinë e Turizmit, Bashkinë e Jerusalemit, Institutin e Eksportit të Izraelit dhe ndërmarrësit izraelitë të industrisë dhe teknologjisë, të cilëve nga ekipi MINT, do t’iu prezantohet industria kosovare në rritje dhe përparësitë e të bërit biznes në Republikën e Kosovës.

  • ​Murati akuzon opozitën se po i bllokon marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend

    ​Murati akuzon opozitën se po i bllokon marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ankohet se opozita ua ka bllokuar në Kuvendin e Kosovës marrëveshjen ndërkombëtare për Ngrohjen Qendrore Solare, si dhe marrëveshje tjera të ngjashme siç është ajo për KOSTT-in.

    Ministri Murati vlerëson se kundërshtimi i projektit për ngrohje nga opozita, është përtej çdo logjike.

    “Ky projekt mundësohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për ndërmarrjen publike Termokos, dhe ka për synim shtimin e kapaciteteve gjeneruese, por edhe kyçjen e lagjeve tjera të Prishtinës në rrjet të ngrohjes. Konkretisht, projekti parasheh shtimin e kapacitetit gjenerues të Termokosit për edhe 30 MË gjenerim shtesë, si dhe zgjerim të rrjetit të ngrohjes edhe për lagjet Arbëri, Tophane, Mat, e Qendër”, ka shkruar Murati në Facebook.

    Ministri i Financave, i bën thirrje opozitës të heqin dorë nga ‘inatet politike’ dhe të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

    Postimi i Muratit:

    Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare për kalimin e të cilave nevojiten 80 vota në Kuvend, tash e disa muaj është bllokuar nga opozita.

    Njëri nga projektet që po pret dritën e gjelbër të Kuvendit, është edhe ai për Ngrohjen Qendrore Solare.

    Ky projekt mundësohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për ndërmarrjen publike Termokos, dhe ka për synim shtimin e kapaciteteve gjeneruese, por edhe kyçjen e lagjeve tjera të Prishtinës në rrjet të ngrohjes.

    Konkretisht, projekti parasheh shtimin e kapacitetit gjenerues të Termokosit për edhe 30 MË gjenerim shtesë, si dhe zgjerim të rrjetit të ngrohjes edhe për lagjet Arbëri, Tophane, Mat, e Qendër.

    Në total projekti parashihet të jetë mbi 80 milionë euro, dhe shumicën e financimit si Qeveri e kemi siguruar të jetë grant nga BE dhe nga Qeveria Gjermane.

    Kundërshtimi i këtij projekti nga opozita, është përtej çdo logjike.

    Ka edhe marrëveshje tjera të ngjashme siç është ajo për nënstacionet e KOSTT në vlerë prej 25.5 milionë euro (plus 9 milione euro tjera grant ne pritje), apo marrëveshja me OFID në vlerë 40 milionë USD, që poashtu presin për dritën e gjelbër të Kuvendit. Pra janë mbi 150 milionë euro në pritje për të marrë dritën e gjelbër nga Kuvendi.

    Ka shumë mënyra për të bërë opozitë. Mirëpo bllokimi i marrëveshjeve që janë në të mirë të qytetarëve nuk do duhej të ishte njëra nga to.

    Andaj, lus deputetët e opozitës që të heqin dorë nga inatet politike dhe të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat hapin rrugë për realizimin e projekteve të rëndësishme.

  • Dështon mbledhja e kryesisë së Kuvendit, opozita akuzon pozitën

    Dështon mbledhja e kryesisë së Kuvendit, opozita akuzon pozitën

    Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri pas mbledhjes së kryesisë e cila ka dështuar për shkak të kuorumit, ka deklaruar se pozita nuk po arrin ta ç ‘bllokojnë vendimmarrjen në Kuvendin e Kosovës, pasi nuk po arrin kurrsesi t’i kenë 61 deputetë. E në gjithë këtë, ai tha se pas këtij bllokimi do të duhej të reflektonte Qeveria e Kosovës.

    Tahiri thënë se qeverisë nuk po i bëhet vonë gjendja e rëndë në Kosovë e as bllokimi në Kuvendin e Kosovës.

    “Sikur të kishim qeveri efektive, sikur të kishim një kryeministër më efektiv, bllokimi i Kuvendit do të reflektonte në punën e Qeverisë. Pra fakti që kryeministrit nuk i bën përshtypje fare, kësaj qeveri nuk i bën përshtypje fare që agjenda e Kuvendit është e bllokuar, ju mund të imagjinoni se në çfarë situate e kemi qeverisjen në vend. Atyre nuk iu ecë asnjë projekt as një arsim, as në sundim të ligjit, as të shëndetësisë. Ekonominë në buzë të kolapsit me një inflacion jashtëzakonisht të madh, me paga që qytetarët nuk ia arrin t’ia dalin muaji, muajin….opozita nuk është ajo që i bën numrat në Kuvend sepse sikur t’i kishim numrat ne nuk do të ishim në opozitë por në pozitë. Duhet ta kenë të qartë të gjithë, shumicën në këtë vend e përbën Lëvizja Vetëvendosje me partnerët e saj, pra këta janë njerëzit që duhet ta ç ‘bllokojnë vendimmarrjen në Kuvendin e Kosovës por siç duket kanë filluar një mori krizash dhe problemi më i madh është se këta nuk po arrin kurrsesi t’i kenë 61 deputetë”, tha ai.

    Sipas tij, këtë të enjte do të duhej të thërrasin një seancë e re në të cilën do të duhej të diskutohej edhe ligji për reformën zgjedhore.

    Ai shtoi se në seancën e ditës së mërkurë, si grup parlamentar, do ta kenë një debat në lidhje me punën e Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë, ku kanë renditur siç tha dështimet e kësaj ministrie.

    Tahiri është pyetur edhe për betimin e kryetarëve të komunave në veri.

    “Kërkesa jonë është që gjithçka të shkoj sipas rendit tonë kushtetues. Nuk mendojmë që duhet të improvizohet në betimin e këtyre kryetarëve të komunave. Betimi duhet të jetë ashtu siç e parasheh Kushtetuta dhe ligjet në fuqi, prandaj është e rëndësishme që institucionet tona kushtetuese të krijojnë kushte që bandat dhe grupet kriminale mos ta cenojnë rendin tonë kushtetues“, tha ai.

    Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se nuk do të ketë seancë të re të enjten e kësaj jave për shkak se nuk kishte kuorum në mbledhjen e kryesisë.

    “Zhbllokimi i Kuvendit nuk është me fajin e opozitës. Zhbllokimi i Kuvendit mund të ndodh vetëm në qoftë se qasja popullsitë e qeverisë, respektivisht Ministrisë së Financave në raport me të hyrat vetanak të komunave të ndodh. Ajo duhet të ndodh në për javë për shkak se lerë që nuk po mund ta shfrytëzojë buxhetin që e ka bllokuar në konton e Qeverisë, por donë të merr buxhet edhe prej komunave që e kanë të vetëm mundësi të zbatimit të projekteve të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Pra paratë janë blloku, çështja ekonomike është dobësuar, qytetarët janë varfëruar. Si aleancë ne kemi pas një kërkesë për interpelancë për ministrin e Financave“, tha ai, duke shtuar se do të propozojnë si të ndodhë rritja e koeficientit në ligjin për buxhet në 129 euro.

    Sipas tij, kjo nuk do të ndodhë këtë javë për shkak se të enjten nuk do të ketë seancë.

  • Tahiri thotë se Qeverisë s’po i bëhet vonë që agjenda parlamentare është bllokuar

    Tahiri thotë se Qeverisë s’po i bëhet vonë që agjenda parlamentare është bllokuar

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se Qeverisë së Kosovës nuk po i bëhet vonë që agjenda parlamentare është e bllokuar.

    Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë, potencoi se po të kishte sipas tij një qeveri më efektive, bllokimi i Kuvendit do të reflektonte në punën e Qeverisë.

    “Kemi një qeverisje, që vetëm qeverisje nuk mund ta quajmë. Sepse sikur të kemi një qeveri më efektive, sikur të kishim një kryeministër më efektiv, bllokimi i Kuvendit do të reflektonte jashtëzakonshëm shumë në punën e Qeverisë. pra fakti që kryeministri nuk i bën përshtypje fare”.

    “Kësaj Qeverie nuk i bën përshtypje fare që agjenda parlamentare është e bllokuar ju mund të imagjinoni se në çfarë situate e kemi qeverisjen në vend. Atyre s’ju ec asnjë projekt, as në çështjet e arsimit, ekonomia buzë kolapsit, e kemi një bllokadë të madhe që Qeverisë nuk po i bëhet vonë fare”.

  • ​Promovohet libri i Arsim Bajramit “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë – aspekte juridike”

    ​Promovohet libri i Arsim Bajramit “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë – aspekte juridike”

    Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka promovuar botimin “ Gjenocidi i Serbisë në Kosovë”, të autorit Arsim Bajrami.

    Studimi ka për qëllim të dokumentojë gjenocidin e bërë nga forcat serbe, e po ashtu të tregojë të vërtetën e luftës në Kosovë.

    Profesoresha e drejtësisë në Universitetin e Prishtinës, Gjyljeta Mushkolaj tha se qëllimi madhor i librit është që brezi ynë dhe brezat që vinë do të kenë përgjegjësi për të përcjellë kujtimin e viktimave dhe të mbijetuarve të gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

    “Qëllim madhor i librit është që brezi ynë dhe brezat që vinë do të kenë përgjegjësinë për të përcjellë kujtimin e viktimave dhe të mbijetuarve të gjenocidit të Serbisë në Kosovë që në mënyrë të përsëritur e ka përcjellë popullin tonë sidomos gjatë luftës së fundit duke e mbajtur shtetin serb ndërkombëtarisht përgjegjës për gjenocid për krimin mbi krimet. Libri ka arritur që të dëshmoi dhe dokumentoi se gjenocidi i fundit i Serbisë në Kosovë nuk ndodhi pa paralajmërim, ky është edhe thelbi i dokumentimit të krimit të gjenocidit, e që e dallon atë nga krimet tjera kundër njerëzimit…Sot detyra jonë është që të qojmë deri në fund ndërmarrjen e madhe për ta mbajtur shtetin e Serbisë përgjegjës ndërkombëtarisht për gjenocid dhe të sigurohemi vetëm kështu që kurrë mos të përsëritet e kaluara”, tha Mushkolaj.

    Recensenti, Jusuf Bajraktari tha se libri “Gjenocidi i Serbisë ne Kosovë-aspekte juridike” paraqet një studim profesional dhe shkencor, në të cilin autori trajton në aspektin juridik Gjenocidin e Serbisë në Kosovë, duke u fokusuar në analizën e krimeve të kryera në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999, dhe duke i kualifikuar këto krime si akte të gjenocidit në pajtim me Konventën e OKB-se, të vitit 1948 për ndalimin dhe dënimin e Krimeve të Gjenocidit.

    Bajraktari ka renditur edhe tre qëllimet kryesore të librit.

    “Studimi sipas autorit ka tre qëllime kryesore. Të argumentojë ligjërisht se krimet serbe në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 plotësojnë 5 kriteret e Konventës së Asamblesë se Përgjithshme të OKB-se për krimet e gjenocidit, të paraqesë argumente me fakte se Gjenocidi serb ne Kosove ka qene një ndërmarrje organizuar, planifikuar dhe implementuar nga shteti serb përmes forcave ushtarake e policore, organeve shtetërore dhe udhëheqësve zyrtare shtetërorë e ushtarak, po ashtu studimi synon të tregojë të vërtetën e luftës në Kosovë, duke provuar juridikisht ekzistencën e gjenocidit serb në Kosovë, me qëllim të parandalimit të tendencave ndërkombëtare për mohimin dhe relativizmin e krimeve të gjenocidit”, tha Bajrakatri.

    Mes tjerash, Bajraktari ka përmendur edhe fazat kryesore të këtij studimi. Ai tha se faza e parë përfshin, konceptimi ideor i strategjive të shtetit serb për gjenocid ndaj shqiptareve, ku përfshihen programet kryesore nga shekulli XVIII e deri me sot, faza e dyte, legjislacioni diskriminues me te cilin u shkatërrua autonomia e Kosovës dhe faza e trete implementimi faktik i gjenocidit gjate luftës ne vitet 1998-1999.

    Profesor i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu tha se ky libër është me rëndësi të veçantë në aspektin juridik penal, historik e kushtetues.

    “Botimi është 620 faqe, është me rëndësi të veçantë në aspektin juridik penal, historik kushtetues dhe në aspektin thjeshtë kombëtar… Është me rëndësi studimi, veçmas për shkak se në këtë botim të rinjtë e tanishëm e ata të ardhshmit, në këtë studim do të njoftohen se çfarë sakrifice janë bërë përditë, për të arritur çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj. Pa lirinë e një kombi, jo vetëm që nuk ka jetë normale, por është e rrezikuar tërë kombi”, theksoi Salihu.

    Në fund, autori i këtij studimi, Arsim Bajrami ka treguar arsyen që ka vendosur ta botoj këtë libër.

    Bajrami tha se ky studim ka qenë edhe delikat, pasi sipas tij Bashkësia Ndërkombëtare në tërë botën është hezituese ndaj gjenocidit.

    “Në të vërtetë për gjenocidin është shkruar dhe është fol mjaftë në Kosovë në kohën e pasluftës, janë bërë libra të tërë historik, publicistik, por ka munguar një studim i mirëfilltë juridik, sepse çështja e gjenocidit është çështje ligjore, juridike dhe për këtë arsye unë kam ndërmarrë të shkruaj. Bashkësia Ndërkombëtare në tërë botën është hezituese ndaj gjenocidit, mandej edhe ajo që po ndodh sot në Ukrainë po hezitojnë ta quajnë gjenocid, për arsyeje politike. Por, kam vlerësuar se është me rendësi që Akademia e Shkencave të ketë një botim me të cilin ligjërisht argumentohet e vërteta e luftës së Kosovës”, tha Bajrami.

  • Mbrojtja e Krasniqit vazhdon me pyetjet për dëshmitarin e pestë të ZPS-së

    Mbrojtja e Krasniqit vazhdon me pyetjet për dëshmitarin e pestë të ZPS-së

    Pranë Dhomave të Specializuara në Hagë dëshmitari i pestë ka nisur t’iu përgjigjet sot edhe kundra-pyetjeve të mbrojtjes së ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi e cila kryesisht pyetjet e saj i adresoi për vrasjen e personit numër 1.

    Pyetjet e avokates mbrojtëse të Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra fillimisht kishin të bënin me një ankesë që dëshmitari i pestë e kishte bërë.

    I pyetur nga mbrojtja e Krasniqit nëse është e saktë ajo që kishte deklaruar në këtë ankesë se numri 1 ishte marr nga shtëpia, dëshmitari tha se nuk është e vërtetë, por që ka mundur të ndodhë ndonjë gabim në përkthim.

    Ndërsa, në pyetjen se a është se saktë që nuk i kanë parë personat me maska që kanë marr numrin 1, por kanë dëgjuar nga fshatarët, dëshmitari tha se ai i ka parë disa persona me maska por nuk i ka njohur të gjithë.

    Dëshmitari: Nuk më kujtohet 2-3 i kam pa unë, por tash nuk jam i sigurt 2 a 3.

    Alagendra: Keni dhënë shumë dëshmi ku keni thënë se i keni parë 4 persona me maska a ju kujtohet kjo?

    Dëshmitari: Tash sa ka pas unë me 2 jam ballafaquar më shumë, ndoshta ka pasur edhe tjerë, por nuk jam i sigurt me i cek më numra saktë.

    Mbrojtja e Krasniqit ka adresuar disa pyetje për dëshmitarin e pestë të ZPS-së për një intervistë të 23 janarit 2003 ku kishte përmendur dëshmitari disa nga emrat e personave që dyshoheshin se kanë qenë ekzekutuesit e personit 1.

    Alagendra: Në këtë intervistë që keni dhënë keni përmendur emrat e personave që ju dyshoni të kenë qenë ekzekutuesit.

    Dëshmitari: Po, kam përmend dy persona që i kam parë, por dy atë ditë që i kam taku unë duke e qu prindin në xhami ata i kam pa personalisht vetë 12 dhe 13

    Alagendra: I ke parë pa maska, por këtë nuk e thoni këtu apo jo

    Dëshmitari: Varet pyetjen çfarë ma kanë bërë nuk e di varet çka më kanë pyetur atje.

    Alagendra: Ajo çfarë thoni në këtë dokument është që unë dyshoj tek dy persona që janë dhënë me emër këtu që janë të dyshuarit për vrasjen e numrit 1.

    Dëshmitari: Për vrasjen e numrit 1 të tregoj çka i kam parë pa maska, tash përkthimi qysh është bë nuk mund ta di, këta që i kam parë pa maska t’i kallëzoj 12, 13, 4 dhe 5 këta i kam parë gjatë rrugës dhe 14 dhe 15 që kanë dal pas vrasjes, këta i kam parë para vrasjes këta i kam parë pas vrasjes.

    Gjatë dhënies së dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara në Hagë, dëshmitari i pestë i ZPS-së u shpreh se personi i 14-të e ka takuar vetëm në ditën e vrasjes së personit 1 dhe më asnjëherë tjetër.

    Dëshmitari: Kam kontaktuar unë numrin 14, është dal pas vrasjes tha që nuk i kam parë edhe 15, kanë qenë bashkë, kur kanë dalë prej malit.

    Alagendra: Por nuk thuhet kështu këtu, ajo çfarë thuhet këtu dëshmitar, është se ke dëgjuar thashetheme se numri 14 kishte dëgjuar diku për njerëzit që kishin vrarë numrin 1 por thua që nuk e kam kontaktuar atë për këtë kjo është pyetje ime për ju a ke kontaktuar me këtë person pasi kishte dëgjuar këto thashetheme.

    Dëshmitari: Po këta e kam parë personalisht vetë, edhe përkthimi mundet mos me qenë i saktë.

    Alagendra: Pra, nuk e keni kontaktuar numrin 14 më pas për të pyetur se kush e dinte apo kush mund të ishte i përfshirë në vrasjen, është një përmbledhje e saktë kjo?

    Dëshmitari: Veç aty tek kufoma që ka dal tek vrasja, përpos atë ditë e kam takuar dhe më jo atë ditë kam bërë pyetje tha i dëgjova krismat dola dhe më nuk e kam kontaktuar nuk më kujtohet që e kam kontaktuar.

    Alagendra: Ai nuk të kishte thënë asnjëherë ty se kishte dëgjuar për personat që e kishin vrarë numrin 1?

    Dëshmitari: I ka dëgjuar krismat dhe ka dal të shikojë se çka është bërë. Ai ka dal prej malit kur i ka dëgjuar krismat, ka dal në rrugë tek krismat dhe unë kam qenë ty kur kanë ardhur këta dhe i ka parë të vrarë.

    Redaktime nga Specialja, kishte edhe në përgjigjen e dëshmitarit kur mbrojtja e Krasniqit u interesua të di për një deklaratë të 22 prill 2016 që dëshmitari i kishte thënë prokurorisë se numri 12 dhe 13 dyshohen se ishin të përfshirë në vrasjen e numrit 1.

    Në gjykatoren e Hagës ku po mbahet kjo seancë gjyqësore të pranishëm në sallë janë ish-presidenti, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe ish-deputeti, Rexhep Selimi, ndërsa edhe këtë seancë të sotme ish-kryekuvendari, Jakup Krasniqi po e përcjell përmes video-lidhjes.

    Dëshmitari i pestë i ZPS-së gjatë javës së kaluar u është përgjigjur pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe kundra-pyetjeve të mbrojtjes së ish-presidentit, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit, Kadri Veseli dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi.

    Para këtij dëshmitari kanë dëshmuar edhe katër dëshmitarë të tjerë, dëshmia e të cilëve u zhvilluar në seancë të mbyllur për publikun përkundër masave tjera mbrojtëse.

    Ndërsa të mërkurën, trupi gjykues u ka kërkuar parashtrime palëve, deri më 31 maj, në lidhje me hapat konkret që mund të merren për të siguruar që procedurat të jenë publike në shkallë më të lartë.

    Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

    Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

  • ​Sekuestrohen mbi 35 mijë litra pije alkoolike të prodhuar pa autorizim

    ​Sekuestrohen mbi 35 mijë litra pije alkoolike të prodhuar pa autorizim

    Njësit e Doganës së Kosovës kanë sekuestruar mbi 35 mijë litra pije alkoolike të prodhuar pa autorizim në Novak të Prizrenit.

    Dogana njofton se njësit e saj pas bastisjes në lokacionin e dyshuar në fshatin Novak të Prizrenit, kanë gjetur sasinë 32,850.00 litra verë dhe 2,350.00 litra raki rrushi të prodhuara pa autorizim të nevojshëm e cila ishte në pronësi të kompanisë së dyshuar.

    Sipas njoftimit të Doganës, pijet alkoolike të konstatuara në depon e pa autorizuar nga dogana për prodhim dhe mbajtje janë pllombuara, derisa sasia e gjetur është si në vijim: Verë e kuqe e prodhuar ne vitin 2021, Merlot 14% alk., sasia 5,000.00 litra; Verë e kuqe e prodhuar ne vitin 2021, Cabernet Sauvignon 14% alk., sasia 7,000.00 litra; Raki rrushi 2021, 43% alk., sasia 2,150.00 litra; Verë e kuqe e prodhuar ne vitin 2022, Merlot 13% alk., sasia 5,000.00 litra; Verë e kuqe e prodhuar ne vitin 2022, Cabernet Sauvignon 12.5% alk, sasia 15,850.00 litra; Raki rrushi 2022, 45% alk., sasia 200.00 litra dhe mbetje te verës, sasia 200.00 litra.

  • Mësimdhënësit në Rumani hynë në grevë për paga më të mira

    Mësimdhënësit në Rumani hynë në grevë për paga më të mira

    Dhjetëra mijëra mësimdhënës rumunë hynë në grevë më 22 maj duke kërkuar rritje të konsiderueshme të pagave dhe duke bërë thirrje për më shumë investime në arsim.

    Rreth 100,000-150,000 mësimdhënës të shkollave fillore dhe të mesme ndaluan punën, derisa kërkojnë që qeveria e koalicionit të përmbushë kërkesat e tyre.

    Bisedimet e minutës së fundit më 21 maj midis sindikatave të mësuesve dhe qeverisë së kryeministrit Nicolae Ciuca nuk arritën një marrëveshje dhe në këtë formë dështuan përpjekjet e qeverisë për t’i rikthyer mësimdhënësit në shkolla.

    Marcel Ciolacu, nga partia PSD, që do të jetë kryeministër i ardhshëm sipas rotacionit të vendosur nga koalicioni, dërgoi një mesazh të vonuar të premten, përmes të cilit u tregua i “gatshëm” për të diskutuar gjatë fundjavës me krerët e sindikatave “për të shmangur grevën e përgjithshme”.

    Ai hodhi fajin sindikatave, duke thënë se “kjo grevë është e dëmshme jo vetëm në funksionimin e shkollave, por edhe në jetën e miliona familjeve”.

    Ciolacu u përpoq të ushtronte presion mbi drejtuesit e sindikatave, duke shtuar se rumunët presin prej tyre – dhe nga politikanët – zgjidhje të qeta dhe racionale “ndërsa fëmijët e shohin paqen e tyre në shkollë”.

    “Ishte obligim i Qeverisë dhe i atyre që kanë role vendimmarrëse që të dalin me zgjidhje më të shpejta, siç kanë premtuar”, ka qenë përgjigja nga tri sindikatat e arsimit të Rumanisë të cilat organizuan grevën.

    Të dielën pasdite, krerët e sindikatave morën pjesë në negociatat me kryeministrin Nicolae Ciucă dhe anëtarë të tjerë të ekzekutivit, por propozimi që iu dha nga qeveria nuk i kënaqi ata.

    Kërkesa kryesore e grevistëve është një pagë fillestare për mësuesit e rinj të paktën e barabartë me mesataren e vendit.

    Paga mujore e një mësuesi rumun të sapo-diplomuar është pak më shumë se 520 dollarë (480 euro), ndërsa paga mesatare në vend është 988 dollarë (rreth 913 euro)./REL/

  • Dëshmitari në Speciale tregon se iu vra familjari por nuk e di sigurt nga kush

    Dëshmitari në Speciale tregon se iu vra familjari por nuk e di sigurt nga kush

    Pranë Dhomave të Specializuara në Hagë sot ka vazhduar marrja e në pyetje e dëshmitarit të pestë të ZPS-së nga mbrojtja e Rexhep Selimit. Dëshmitari u shpreh se ndonëse nuk ka qenë prezent, nuk beson që ka pas tjetër person që mund ta kishte vrarë numrin 1, përveç personave të maskuar që e kidnapuan.

    Avokati mbrojtës i Selimit, Geoffrey Roberts pyeti dëshmitarin nëse e di me siguri që personat e maskuar që kidnapuan numrin 1, e vranë të njëjtit apo jo.

    E në përgjigjen e tij dëshmitari i pestë tha se personat me maska kanë marrë personin 1, 2 dhe 3, dhe se të njëjtit persona janë që e kanë kryer vrasjen.

    Roberts: Sa i takon kidnapimit, ti e di që burrat e maskuar që morën numrin 1, e morën nga fshati por nuk e di me siguri nëse janë të njëjtët persona përgjegjës për vrasjen e këtij personi se nuk ka qenë i pranishëm kur ka ndodhur

    Dëshmitari: Personat me maska e kanë marrë personin 1, 2 dhe 3, 2 dhe 3 i kanë zbrit dhe kanë vazhduar rrugën dhe unë pas tyre jam nis dhe të njëjtë persona janë që e kanë bërë vrasjen

    Roberts: Të jemi të qartë. Ti nuk e di qind për qind se këta persona që mori personin 1, janë të njëjtë që e kanë vrarë se ti nuk ke qenë atje kur ka ndodhur

    Dëshmitari: Nuk kam qenë prezent

    Roberts: Megjithëse ndonjëherë mund të jetë e dukshme por në të njëjtën kohë ti nuk mund ta dish me siguri dhe t’i nuk mund të thuash që fleta u vendos nga të njëjtat persona që kidnapuan numrin 1 kështu

    Dëshmitari: Jam shku e kam gjet të vrarë dhe letrën e kam gjet aty, nuk mund të them asgjë

    Roberts: e kuptova, por nuk e di me siguri, domethënë ti e di që këto kanë ndodhur, por nuk e dinë qind për qind që personat e maskuar ishin përgjegjëse për të dyja këto gjëra

    Dëshmitari: vetë nuk kam qenë prezent, por përpos tyre nuk besoj që ka pas tjerë

    Gjatë seancës së sotme në fillim të dëshmisë, dëshmitari me kodin 3165, ka deklaruar se në nëntor ishte larguar për 1 muaj nga UÇK dhe ka qëndruar në shtëpi për ngushëllime, dhe pas mbylljes së të ngushëllimeve i kishin thënë se ai përsëri mund të kyçej për të mbrojtur fshatin me ushtarët tjerë.

    Ndërsa, i pyetur se a ka pas persona jashtë fshatit që kanë ardhur në fshat për mbrojtjenë mes marsit-prillit 1998 , dëshmitari tha se nuk i kujtohet.

    Po ashtu, dëshmitari deklaron se nuk e dinë nëse ka pasur pasoja ndaj ndonjë personi i cili dëshironte të ç’kyqej nga UÇK-ja.

    Dëshmitari: Pasi më ka ndodhur rasti duhet me nejt në shtëpi për ngushëllime që kanë ardh për ngushëllime dhe te ne ka qen zakon me ardh një kohë të gjatë për ngushëllime, afër 1 muaj ditë gati për ditë kam nejt në familje tu prit xhin

    Roberts :Më pas kur u rikyçe u rikyçe në atë momentin më të përshtatshëm sipas mendimit tënd

    Dëshmitari: U mbyll e pamja tani më erdhën dhe më than se prapë je i lirë nëse do me u kyç në mbrojte të fshatit me ushtarë të fshatit me bërë roje në fshat

    Roberts: Kjo ka qenë në nëntor , pasi nuk ishte më ushtar i UÇK për 1 muaj më përpara. Po njerëz të tjerë në fshatin tuaj a u ç’kyçen nga UÇK dhe pastaj u ribashkuan me UÇK më vonë

    Dëshmitari: Pas ofensivës janë shkuar nëpër shpija derisa janë tubuar prapë por tash nuk e di me datë

    Avokati: A ka pas ndonjë person jashtë fshatit tuaj që ka ardhur në fillim të marsit-prillit 1998 që erdhi për të mbrojtur fshatin tuaj

    Dëshmitari: Nuk më kujtohet, nuk e di

    Avokati: A jeni në dijeni të ndonjë personi që u ç’kyç nga UÇK edhe juve megjithëse ju u ç’kyçët për një muaj, a ka pasur persona që u ç’kyçën UÇK për një periudhë më të gjatë sesa 1 muaj. A kishte pasoja nëse një pjesëtarë i UÇK largohej ose dëshironte të largohej dhe dorëzonte armën dhe nuk luftonte më, kishte pasoja për këtë person

    Dëshmitari: Nuk e di

    Më pas avokati i Selimit, ka pyetur dëshmitarin e pestë të ZPS-së, se a ka mund të largoheshin në çdo pikë nga UÇK kur ata e shihnin të përshtatshme.

    E në përgjigjen e tij dëshmitari tha se të largoheshin pa pasur ndonjë arsye nuk ka qenë e mirë dhe e ndershme.

    Dëshmitari i pestë i ZP-së gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtja e Selimit, tha se personat që i kishin kidnapuar të afërmit e tij ishin të maskuar dhe kishin marrë masa ekstreme maskimi të mos identifikoheshin.

    Mbrojtja e Selimit u interesua të di edhe më shumë për uniformat që mbanin veshur personat e maskuar. I pyetur nga mbrojtja nëse uniformat që mbanin veshur këta persona të maskuar ishin të njëjta apo jo, dëshmitari tha se nga ajo çka ka parë kanë qenë identike.

    Dëshmitari: Çka kam pa identike, tash nuk e di çka e qysh kanë pasur, shoferin nuk e kam pa, çka i kam parë unë i kanë pas identike

    Roberts: dhe këto uniformat identike mund të bliheshin thjesht dhe të qepeshin thjeshtë sepse thjesht tesha të zeza ishin

    Roberts: Dhe nuk e di në qoftëse se ata ishin thjesht anëtarët ë Policisë ushtarake thjeshtë që kishin vesh këto uniforma

    Dëshmitari: Policia ushtarake mbajshin kësi uniforma të zeza të njëjta gati identike kanë qenë veç që këta kanë qenë me emblemë të UÇK-së atë ditë

    Roberts: Duke pas parasysh faktin që thjesht ishin disa uniforma të zeza, ti nuk mund të thuash që ata ishin individë apo persona të policisë ushtarake, thjesht sepse mbanin këto uniforma të zeza, nuk mund ta thuash me siguri apo jo

    Dëshmitari: Me uniforma, a kanë qenë ushtarë nuk e di, unë i kam parë me teshat të zeza dhe emblemë të UÇK-së edhe me maska dhe nuk e di çfarë pozicioni kanë pas

    Roberts: Në thelb ti e pranon se ka mund të jetë kushdo me uniformë të zezë

    Edhe në këtë seancë në disa përgjigjet të dëshmitarit nuk është dëgjuar përgjigja e tij.

    Në gjykatoren e Hagës ku po mbahet kjo seancë gjyqësore të pranishëm në sallë janë ish-presidenti, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe ish-deputeti, Rexhep Selimi, ndërsa edhe këtë seancë të sotme ish-kryekuvendari, Jakup Krasniqi po e përcjell përmes video-lidhjes.

    Dëshmitari i pestë i ZPS-së gjatë javës së kaluar u është përgjigjur pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe kundra-pyetjeve të mbrojtjes së ish-presidentit, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit, Kadri Veseli.

    Para këtij dëshmitari kanë dëshmuar edhe katër dëshmitarë të tjerë, dëshmia e të cilëve u zhvilluar në seancë të mbyllur për publikun përkundër masave tjera mbrojtëse.

    Ndërsa të mërkurën, trupi gjykues u ka kërkuar parashtrime palëve, deri më 31 maj, në lidhje me hapat konkret që mund të merren për të siguruar që procedurat të jenë publike në shkallë më të lartë.

    Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

    Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

  • Kurti: Shteti serb i grumbulloi të burgosurit në Dubravë për t’i vrarë e pushkatuar

    Kurti: Shteti serb i grumbulloi të burgosurit në Dubravë për t’i vrarë e pushkatuar

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Burgu i Dubravës ishte grumbullim i të burgosurve politik, me ç’rast Serbia synonte vrasjen dhe pushkatimin e tyre, raporton Ekonomia Online.

    Në 24-vjetorin e masakrës në Burgun e Dubravës, Kurti u shpreh se kjo kategori nuk mund të anashkalohet e të moskujtohen.

    “Përtej të dhënave na shtrohet edhe një problem se si duhet të lexohen këto masakra, vrasje e burgosje. Një nga mënyrat për ta kujtuar historinë e Kosovës është për të lexuar për burgosjen sipas rendit juridik. Të burgosurit politik shqiptar ishin një kategori në vete që nuk mund të injoroheshin. Shteti i Serbisë i grumbulloi mbi 900 të burgosur politik i solli në Dubravë për t’i pushkatuar. Këtë burg e bëri një far kampi i të burgosurve politik”, tha Kurti.