ATV

Category: Lajme

  • Osmani: Drejtësia për masakrën e Dubravës do të jetë triumf i së vërtetës

    Osmani: Drejtësia për masakrën e Dubravës do të jetë triumf i së vërtetës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 24-vjetorin e masakrës së Dubravës, ku makineria e pushtetit gjenocidal të Serbisë vrau brenda burgut 160 të burgosur shqiptarë dhe plagosi 300 të tjerë. Sipas saj, drejtësia për ta do të jetë triumf i së vërtetës.

    Osmani ka thënë se kjo masakër ishte manifestim i egërsisë së Serbisë ndaj të burgosurve shqiptarë, të cilët po mbaheshin në burg si pengje të luftës.

    “Masakra e Dubravës është një nga krimet me të tmerrshme të regjimit kriminal serb gjatë vitit 1999, prandaj drejtësia për të gjitha viktimat dhe të mbijetuarit do të jetë triumf i së vërtetës. Në këtë përvjetor, kujtojmë sakrificat, vuajtjet dhe mundimet e këtyre të burgosurve që kontribuuan për çështjen kombëtare, të cilët qëndruan stoikisht e nuk u thyen deri në frymën e fundit. Kujtim dhe nderim i përhershëm për ta, sikurse edhe angazhim i pareshtur për ndëshkimin e këtij krimi duke sjellë autorët para drejtësisë”, ka thënë Osmani.

  • Prizrenasi rrihet nga një grua, bëhet për spital

    Prizrenasi rrihet nga një grua, bëhet për spital

    Një prizrenas ka raportuar në Policinë e Kosovës se një grua e ka sulmuar fizikisht, fyer dhe kërcënuar teksa ka qenë në shtëpinë e tij.

    I njëjti, sipas raportit të policisë, është dërguar për tretman mjekësor.

    “Viktima mashkull kosovar ka raportuar se derisa ka qenë në shtëpinë e tij, e dyshuara femër kosovare kishte shkuar dhe e kishte sulmuar fizikisht, fyer dhe kërcënuar. Viktimës i është ofruar ndihmë mjekësore”, thuhet në njoftim.

    Rasti është proceduar në procedurë të rregullt, sipas PK-së.

  • Aksidenti në Podujevë, ndërron jetë e aksidentuara

    Aksidenti në Podujevë, ndërron jetë e aksidentuara

    Policia e Kosovës njoftoi se ka ndërruar jetë gruaja e cila u aksidentua të premten, në fshatin Gërdovc të Podujevës.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, viktima femër e cila ishte duke u trajtuar në QKUK, dyshohet se si pasojë e lëndimeve, ka ndërruar jetë.

    “Fsh. Gërdovc, Podujevë 19.05.2023 – 20:55. Me datën e cekur kishte ndodhur aksident trafiku në të cilin ishin përshirë dy vetura. I dyshuari mashkull kosovar derisa ishte duke drejtuar veturën dyshohet se nga pakujdesia ka shkaktuar aksidentin duke goditur veturën tjetër të cilën ishte duke e drejtuar viktima mashkull kosovar. Si pasojë, lëndime kanë pësuar shtatë pasagjerë kosovarë të cilët ishin dërguar për tretman mjekësor. Me datë 21.05.2023 viktima femër kosovare e cila ishte duke u trajtuar në QKUK, dyshohet si pasojë e lëndimeve, ka ndërruar jetë”, thuhet në raportin e Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion, ndërsa rasti është në proces hetimor.

     

  • Daily Mail: Çmimet e pronave në Prishtinë të lira

    Daily Mail: Çmimet e pronave në Prishtinë të lira

    Prestigjiozja e Mbretërisë së Madhe, “Daily Mail” i ka kushtuar një artikull kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës duke e cilësuar si një vend të mirë për blerje pronash dhe investime kapitale.

    Në zemër të Ballkanit, Prishtina e Kosovës është më e përballueshmja nga të gjitha kryeqytetet evropiane për blerësit e shtëpive, sipas renditjes së re, transmeton atvlive.tv.

    Çmimet e larta të banesave dhe rritja e inflacionit në Mbretërinë e Bashkuar po i shtyjnë blerësit jashtë vendit, pasi ata kërkojnë t’i shumëfishojnë paratë e tyre.

    Sipas të dhënave të qeverisë, çmimi mesatar i shtëpive në Mbretërinë e Bashkuar ka arritur në 294,910 £, ndërsa shtëpitë në Londër kushtojnë gati dyfish.

    Shtëpitë në kryeqytetin e Anglisë tani janë të tretat më të kushtueshme në Evropë pas Stokholmit dhe Dublinit, thotë këshilltari i pronave, “Your Overseas Home”.

    Vlera më e mirë e parasë është në Prishtinë, zbulon hulumtimi i kësaj agjensie. Për 250,000 £ mund të blini një shtëpi me pesë dhoma gjumi me tre banja, një garazh dhe kopsht të madh.

    Pronat në qytet kushtojnë mbi 600 euro për metër katror, ​​një pjesë e mesatares së Londrës prej 9300 euro për metër katror.

    Kryeqytetet në Evropën Lindore priren të jenë vendet më të përballueshme për të blerë prona, por studimi e konsideroi gjithashtu Evropën si një kontinent gjeografik dhe Jerevani i Armenisë renditet në vendin e dytë.

    Në peizazhin e saj të rrethuar nga mali, me 300,000 euro do të blini një shtëpi të mobiluar plotësisht, me tre dhoma gjumi, me tre banja, një kopsht të madh dhe garazh me tre makina.

    Christopher Nye në Your Overseas Home, thotë: ‘Kostoja e jetesës dhe rritja e inflacionit dhe normave të interesit e kanë bërë të vështirë për shumë njerëz që të marin vendimin për të blerë shtëpinë e tyre të ëndrrave në MB.

    “Të shohësh këto vende që janë shumë më të përballueshme, mund t’i inkurajojë ata që të nisin drejt një stili jetese shumë më të përballueshëm.”/atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

     

  • Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë kryesisht me intervale të lehta me diell.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 7 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 20 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në Kosovë do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperatura minimale do të shënohet në Gjakovë me 9 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Ferizaj me 20 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot kryesisht të kthjellët dhe me temperatura konstante. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 8 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 27 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

     

     

  • Mblidhet Kryesia e Kuvendit, në rend dite dhjetëra pika

    Mblidhet Kryesia e Kuvendit, në rend dite dhjetëra pika

    Sot do të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, në të cilën në rend dite janë dhjetëra pika të seancave të kaluara.

    Pikë e rendit të ditës është interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me çështjen: ”Siguria juridike e grave në rastet e dhunës në familje dhe përgjegjësia e organeve shtetërore në parandalimin edhe luftimin e krimeve ndaj grave dhe vajzave”.

    Po ashtu do të bëhet shqyrtimi i Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, shqyrtimi i Propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovë.

    Kryesia do të vendos edhe për propozimin e rendit të ditës për seancën plenare të radhës, ku në rend ditë është shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, etj.

  • Kurti: Objektivi i radhës, funksionalizimi i aseteve të trashëgimisë kulturore

    Kurti: Objektivi i radhës, funksionalizimi i aseteve të trashëgimisë kulturore

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në ditën ndërkombëtare të Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim, ka shkruar se njohin dhe vlerësojnë pasurinë e shumëllojshme të shtetit tonë, dhe rolin e saj në promovim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

    Kurti ka shkruar Facebook, se Kosova ka një pasuri të jashtëzakonshme kulturore, llojllojshmëria e së cilës sot shprehet në formë të krijimtarisë materiale dhe shpirtërore, e trashëguar nga e kaluara jonë.

    “Përfitimet për shoqërinë nga mbrojta e trashëgimisë kulturore janë të shumta. Kemi restauruar dhe vazhdojmë të restaurojmë xhami, hamame, teqe, kisha katolike, kisha ortodokse, zona historike, kulla e shtëpi tradicionale, mulli, ndërtesa historike e publike për të promovuar harmoninë ndër-fetare si vlerë universale të shoqërisë sonë dhe historinë tonë të pasur kombëtare e shoqërore. Shumë punë janë bërë dhe akoma më shumë punë na presin në fuqizimin e muzeve publik ku ruhen dëshmitë materiale të lashtësisë, dhe pasqyrohen traditat e vlerat e trashëgimisë shpirtërore kulturore të popullit tonë. Vazhdojmë me gërmime profesionale në lokalitetet tona arkeologjike, ndërsa ato po i bëjmë edhe me plane e njësi menaxhimi për t’i pritur më mirë vizitorët dhe edukuar më drejt fëmijët e të rinjtë tanë. Kemi bërë hapa të mëdhenj për të dalë nga periudha e emergjencave. Objektivi ynë i radhës është menaxhimi dhe funksionalizimi i aseteve të trashëgimisë kulturore. Bashkë do të sigurohemi që pasuria jonë kulturore të përkthehet në mirëqenie për qytetarët tanë”, ka shkruar ai.

  • 24 vjet nga masakra e 22 Majit në Vushtrri

    24 vjet nga masakra e 22 Majit në Vushtrri

    Krahas fshatrave, ushtarët dhe policët serbë gjatë luftës në Kosovë, kanë masakruar shumë shqiptarë civil edhe në qytete. Njëra nga këto masakra është edhe ajo e kryer në Vushtrri më 22 maj 1999.

    Gjatë kësaj dite (22 maj), qytetarët e Vushtrrisë, kanë përjetuar tmerr të rënd nga makineria vrastare e Sllobodan Millosheviqit dhe njësitë e Arkanit. Në këtë ditë, shumicën e qytetarëve i kanë larguar me forcë nga shtëpitë e tyre, dhe i kanë detyruar të grumbullohen te vendi i njohur “Te varrezat” në qytetin e Vushtrrisë.

    Familjet në ish rrugën “Abdullah Shabani”, tani rruga “22 Maji”, janë larguar nga shtëpitë e tyre. Mirëpo, një grup shqiptarësh prej 68 vetash, i kanë detyruar të ndalen në shtëpinë e Kahriman Pasomës. Ndërsa, të tjerët e kësaj lagjeje i kanë detyruar të shkojnë te vendi i quajtur “Te varrezat” në Vushtrri.

    Gjatë kësaj kohe, janë plaçkitur dhe u janë marrë para e gjësende me vlerë, si ari etj. “Te varrezat”, të grumbulluarit i kanë ndarë në tri grupe: Gratë me fëmijë deri në moshën 15 vjet, Të moshës së re dhe mesatare dhe Të moshuarit.

    Disa nga të grumbulluarit, rreth 1000 veta, i dërguan në sallën e sportit, ku i kanë torturuar në forma të ndryshme, dhe pastaj, disa i kanë dërguar në burgun e Smrekonicës (fshat në veri të Vushtrrisë) dhe disa të tjerë për në Shqipëri.

    Nga gjithë kjo katrahurë e dhimbshme, më së rëndi dhe më së keqi kanë pësuar 68 shqiptarët që kishin mbetur në shtëpinë e Kahriman Pasomës. Pengmarrësit shqiptarë janë torturuar në forma çnjerëzore, pastaj janë ekzekutuar të gjithë, shumica me një plumb në kokë – në ballë. Në mesin e të ekzekutuarve kishte femra dhe fëmijë të moshës 15 vjeçare, si dhe pleq e plaka.

    Të vrarët në këtë masakër janë:

    1. Ali (Ibrahim) Melenica (58 vjeç)

    2. Hasan (Ibrahim) Melenica (51 vjeç)

    3. Shaban (Ibrahim) Melenica (49 vjeç)

    4. Nistret (Ali) Melenica (31 vjeç)

    5. Shefki (Musli) Melenica (22 vjeç)

    6. Ibrahim (Bajram) Zeqiri (36 vjeç)

    7. Driton (Rifat) Murseli (27 vjeç)

    8. Rafet (Qazim) Behrami (53 vjeç)

    9. Burim (Rafet) Behrami (17 vjeç)

    10. Kemajl (Tefik) Tërnava (41 vjeç)

    11. Isak (Sylë) Maçastena (33 vjeç)

    12. Fehmi (Ukshin) Musa (37 vjeç)

    13. Arsim (Ismajl) Musa (20 vjeç)

    14. Xhafer (Ramadan) Shaqiri (18 vjeç)

    15. Rrahim (Ali) Shatrolli (43 vjeç)

    16. Muharrem (Hamdi) Bajrami(32 vjeç)

    17. Lulzim (Hamdi) Bajrami (27 vjeç)

    18. Naim (Osman) Bajrami (37 vjeç)

    19. Afrim (Osman) Bajrami (31 vjeç)

    20. Hamit (Adem) Halili (60 vjeç)

    21. Hilmi (Hamit) Halili (27 vjeç)

    22. Hamdi (Ragip) Dallku (62 vjeç)

    23. Agim (Hamdi) Dallku (26 vjeç)

    24. Bashkim (Hamdi) Dallku (23 vjeç)

    25. Jeton (Rifat) Vërbovci (33 vjeç)

    26. Arsim (Hazir) Sejdiu (33 vjeç)

    27. Zeqir (Rexhep) Kadriu (46 vjeç)

    28. Ferki (Zeqir) Kadriu (58 vjeç)

    29. Haki (Zeqir) Kadriu (16 vjeç)

    30. Shahin (Xhevat) Feka (40 vjeç)

    31. Ekrem (Jahir) Feka (30 vjeç)

    32. Miradie (Hajzer) Feka (62 vjeç)

    33. Bedri (Ramadan) Kutllovci (38 vjeç)

    34. Bujar (Dibran) Krasniqi (19 vjeç)

    35. Faik (Raif) Mulaku (57 vjeç)

    36. Driton (Shaban) Merovci (31 vjeç)

    37. Mensur (Ferat) Gërguri (35 vjeç)

    38. Brahim (Rrahim) Maloku (48 vjeç)

    39. Arian (Emurullah) Prokupla(30 vjeç)

    40. Shahidin (Shefqet) Maxhuni(20 vjeç)

    41. Murat (Ferat) Tiriqi (24 vjeç)

    42. Serhat (Ferat) Tiriqi (22 vjeç)

    43. Ahmet (Qazim ) Uka (35 vjeç)

    44. Sekine (Qazim) Uka (24 vjeç)

    45. Ajshe (Azem) Uka (31 vjeç)

    46. Rrahim (Hasan) Shkreli (19 vjeç)

    47. Bukurie (Hasan) Shkreli (16 vjeç)

    48. Fatmir (Halim) Keqolli (26 vjeç)

    49. Fazli (Zenel) Shabani (56 vjeç)

    50. Idriz (Ragip) Hasani (21 vjeç)

    51. Ramadan (Sefë) Shaqiri (50 vjeç)

    52. Hajdin (Ramadan) Shaqiri (19 vjeç)

    53. Besnik (Ramadan) Shaqiri (15 vjeç)

    54. Naser (Arif) Zeka (25 vjeç)

    55. Nexhmedin (Arif) Zeka (22 vjeç)

    56. Agim (Arif) Zeka (20 vjeç)

    57. Bajram (Ramadan) Meha (46 vjeç)

    58. Ramadan (Bajram) Meha (15 vjeç)

    59. Avdi (Hamit) Bardiqi (56 vjeç)

    60. Rrahman (Idriz) Ferati (18 vjeç)

    61. Zeqir (Rrahman) Zeqiri (45 vjeç)

    62. Irfan (Ilaz) Zhilivoda (38 vjeç)

    63. Muhamet (Ahmet) Kadriu (56 vjeç)

    64. Muzafer (Avdulla ) Muhaxheri (42 vjeç)

    65. Agim (Islam) Shaqiri (17 vjeç)

    66. Bajram (Habib) Islami (38 vjeç)

    67. Ibrahim (Habib) Islami (49 vjeç)

    68. Bahri (Mahmut) Syla (24 vjeç)

    Pas ekzekutimit, kufomat janë bartur me një kamion dhe janë dërguar në Serbi, përkatësisht në Batajnicë, me qëllim që të humbin gjurmët e krimit.

    Dëshmitarët që kanë shkuar në shtëpinë ku është kryer krimi, kuptohet pasi janë larguar forcat pushtuese serbe dhe kufomat e të ekzekutuarve shqiptarë, tregojnë se kishte shumë gjurmë të gjakut nëpër mure, në dysheme dhe vende të tjera të shtëpisë së krimit.

    Pas luftës së vitit 1999, përkatësisht deri më 2015, janë kthyer eshtrat e 67 shqiptarëve të vrarë më 22 maj 1999, dhe ka mbetur edhe një, Bukurie Shkreli, që nuk iu kanë gjetur eshtrat.

  • Escobar: Ka rrezik që Rusia të ndikojë në zgjedhjet në Mal të Zi

    Escobar: Ka rrezik që Rusia të ndikojë në zgjedhjet në Mal të Zi

    I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka paralajmëruar se ekziston rreziku i ndërhyrjes ruse në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi.

    Në një intervistë për agjencinë malazeze të lajmeve, MINA, Escobar tha se ky rrezik ka ekzistuar gjithmonë edhe në zgjedhjet në SHBA.

    “Të jeni të sigurt se ata do të përpiqen të përdorin të gjitha dallimet dhe të gjitha metodat e vendosura – bots dhe dezinformata në përpjekje për ta devijuar Malin e Zi nga rruga e tij europiane. Prandaj, po, më shqetësojnë zgjedhjet jo vetëm në Mal të Zi por edhe në rajon”, tha Escobar.

    Ai tha se nga ana tjetër qytetarët e Malit të Zi kanë bërë zgjedhjen e duhur.

    “Sa herë që qytetarët duhej të bënin zgjedhje, ata zgjodhën të vetmen rrugë reale përpara Malit të Zi – integrimin euroatlantik”, shtoi Escobar.

    Escobar tha se “kushdo që e mban Malin e Zi në kursin e tij europian, kushdo që mbetet i përkushtuar ndaj detyrimeve të Malit të Zi nga anëtarësimi në NATO dhe që është aleat në luftën kundër korrupsionit, mund të presë mbështetjen e SHBA-së”.

    Për këtë ai i dha merita ish-presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, për të cilin tha se e udhëhoqi vendin në një rrugë shumë të mirë përmes pavarësisë kombëtare përmes anëtarësimit në NATO dhe përmes afirmimit të anëtarësimit të vendit në BE.

    “Mendoj se ajo që kemi parë është vazhdimi i praktikës që Mali i Zi të zgjedhë njerëz që duan të shkojnë në Europë. Dhe ne (SHBA) duam t’ju ndihmojmë në këtë”, tha Escobar.

  • Jo vetëm nga Ballkani, Gjermania po kërkon punëtorë edhe nga këto vende

    Jo vetëm nga Ballkani, Gjermania po kërkon punëtorë edhe nga këto vende

    Në kërkimin e saj për fuqi punëtore, Gjermania synon të fokusohet në vende jashtë Evropës, si Brazili, Meksika dhe Indonezia, tha Ministri i Punës Hubertus Heil.

    “Së bashku me përfaqësuesit e ekonomisë, ne po punojmë për një strategji në vendet ku ka shumë më shumë punëtorë të rinj dhe të kualifikuar në tregun e punës sesa mund të thithin tregjet vendase të punës,” tha Ministri Heil (Partia Social Demokrate e Gjermanisë, SPD) në një intervistë me të përditshmen Neue Osnabruecker Zeitung.

    Heil tha se do t’i kushtohet vëmendje që të mos privohet tregu i brendshëm i punës nga ekspertët e nevojshëm. Ai tha se ishte një situatë “win-win”.

    “Ne përfitojmë, por edhe vendet e origjinës. Do të investojmë në formimin profesional të të rinjve aty për aty dhe personat që do të vijnë në Gjermani do të përfitojnë nga një punë e mirëpaguar që u jep mundësinë të financojnë familjet e tyre në shtëpi”, tha Heil.

    Marrëveshjet me një sërë vendesh

    Heil duhet të udhëtojë në Brazil me ministren e Jashtme Annalena Baerbock në qershor për të diskutuar mundësinë e sjelljes së më shumë infermierëve, të cilët janë shumë të nevojshëm nga tregu gjerman i punës.

    Marrëveshje të ngjashme duhet të lidhen me Meksikën dhe Indonezinë, dhe Heil tashmë vizitoi Ganën në shkurt me të njëjtin qëllim.

    Siç raporton shërbimi publik ARD, qeveria gjermane po zhvillon gjithashtu diskutime për tërheqjen e fuqisë punëtore me Kolumbinë, Tunizinë, Marokun, Egjiptin, Indinë, Filipinet dhe Vietnamin.

    Përveç fuqisë punëtore të kualifikuar në fushën e kujdesit, nga vendet e përmendura duhet të vijnë edhe punëtorë të tjerë të nevojshëm për tregun gjerman të punës.

    Siç njoftoi Instituti për Ekonominë Gjermane (IW), në fund të vitit 2022, më shumë se 630,000 vende pune u raportuan në agjencitë e punësimit në Gjermani, të cilat nuk mund të plotësoheshin për shkak të mungesës së një fuqie të caktuar punëtore.

    Kushte më të mira pune

    Vetëm 33 punëtorë të kualifikuar janë në dispozicion për 100 vende pune të hapura në sektorin e kujdesit të huaj.

    Presidenti i Fondacionit për Mbrojtjen e Pacientëve, Eugen Brysch, kritikoi njëkohësisht importimin masiv të infermierëve dhe vuri në dukje se potenciali për plotësimin më të lehtë të pozitave të hapura në sektorin e kujdesit ekziston edhe tani në Gjermani, por se kushtet e punës duhet të përmirësohen në mënyrë që për të përdorur këtë potencial dhe vendet e punës u bënë më tërheqëse.

    “Disa qindra infermierë nga Brazili nuk do t’i zgjidhin këto probleme. Është e nevojshme të përmirësohen kushtet në këtë sektor”, tha Brysch. Ai paralajmëroi se shumë ish-kujdestarë janë ritrajnuar për profesione më pak stresuese dhe më të paguara.

    Vlerësohet se sektori privat i kujdesit të huaj tashmë do të shembet pa punëtorët e shumtë nga Evropa Lindore që janë të punësuar në familje. Paga mesatare vjetore bruto në sektorin e kujdesit është afro 40,000 euro.