ATV

Category: Lajme

  • Policia e Kosovës pranoi donacion pesë furgonë nga shteti gjerman

    Policia e Kosovës pranoi donacion pesë furgonë nga shteti gjerman

    Në vazhdën e përkrahjes dhe mbështetjes ndaj Policisë së Kosovës (PK), Policia Federale e Gjermanisë, në një ceremoni të organizuar sot, ka bërë dhurimin e radhës së një donacioni prej pesë automjeteve furgonë, për Policinë Kufitare të PK-së.

    Në ceremoninë e pranim-dorëzimit të këtij donacioni morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i PK-së, Fehmi Hoti, ambasadori i Gjermanisë, Jörn Rohde, stafi i lartë menaxhues dhe përfaqësues të tjerë.

    Ky donacion dëshmon bashkëpunimin e fuqishëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe
    Policisë së Kosovës me atë të Gjermanisë, e në veçanti me Policinë Kufitare, në luftimin e krimit të organizuar, atij trans-kufitar si dhe mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit shtetëror.

    Ministri Sveçla dhe zëvendësdrejtori Hoti falënderuan ambasadorin gjerman dhe Policinë
    Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin, përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që shteti gjerman ka bërë dhe po bën ndaj Policisë së Kosovës.

  • Mediat turke: Ogan do të mbështesë Erdoganin në raundin e dytë të zgjedhjeve

    Mediat turke: Ogan do të mbështesë Erdoganin në raundin e dytë të zgjedhjeve

    E përditshmja turke Hurriyet raporton se Sinan Ogan, kandidati i ekstremit të djathtë, i cili fitoi 5.2 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve, sot do të shpallë se kë do ta mbështesë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

    Siç raporton Hurriyet, teksa po vazhdonin konsultimet, u pa se brenda aleancës ATA që mbështeti kandidaturën presidenciale të Oganit, nuk kishte konsensus dhe se kishte tendenca për emra të ndryshëm.

    Sipas informacioneve të gazetës, Ogan është afër të vendos për t’i dhënë mbështetje Rexhep Tajip Erdoganit në raundin e dytë. Ogan pritet të nënshkruajë protokollin me pesë pika dhe të shprehë mbështetjen e tij për Erdoganin.

    Mësohet se Ogan është takuar me ministrin e Jashtëm Mevlut Çavushoglu përpara takimit të tij me Erdoganin. Siç mëson Hurriyet, Erdogan i ofroi Oganit në takim nënshkrimin e pesë kushteve dhe Ogan tha se nuk mund ta merrte vendimin i vetëm, por duhet të konsultohej me pjesëtarët e koalicionit.

    Kreu i Partisë së Drejtësisë dhe një prej pjesëtarëve të koalicionit ATA, Vecdet Öz, deklaroi dje në Halk TV se do të mbështesë Kiliçdaroglun në raundin e dytë të zgjedhjeve.

    Kujtojmë se raundi i dytë dhe i fundit i zgjedhjeve presidenciale në Turqi do të mbahet të dielën më 28 maj.

    Qytetarët do të zgjedhin mes presidentit aktual Rexhep Tajip Erdogan, i cili fitoi 49.5 për qind të votave në raundin e parë dhe Kemal Kiliçdaroglut, i cili fitoi 44.88 për qind të votave.

    Kandidati Sinan Ogan fitoi 5.17 për qind të votave në raundin e parë dhe votat e tij mund të jenë një faktor kyç, megjithëse Erdogan ka një avantazh të konsiderueshëm nga raundi i parë i zgjedhjeve.

  • Osmani i pret sot në takim senatorët amerikanë, Murphy dhe Peters

    Osmani i pret sot në takim senatorët amerikanë, Murphy dhe Peters

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot do të pres në takim një delegacion të Kongresit amerikan të përbërë nga Senatorët, Chris Murphy dhe Gary Peters.

    Takimi do të fillojë nga ora 13:15, mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit, ndërkaq pas takimit do të ketë edhe deklarim për media.

    Pos Osmanit, senatorët amerikan do të priten në takim edhe nga kryeministri Albin Kurti.

  • ​Nis në Shqipëri “Defender Europe 23”, shqiptarë e amerikanë qëndrojnë krah për krah

    ​Nis në Shqipëri “Defender Europe 23”, shqiptarë e amerikanë qëndrojnë krah për krah

    Nisi sot (e hënë) për herë të dytë në Shqipëri, stërvitja e përbashkët shumëkombëshe drejtuar nga Komanda Evropiane e SHBA, ku do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë aleate dhe partnere të NATO-s. Në ceremoninë e nisjes së stërvitjes së përbashkët, krerët e shtetit dhe të ushtrisë vlerësuan lart bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, deklaroi se me agresionin e padrejtë rus në Ukrainë, realiteti i sotëm gjeopolitik është tërësisht ndryshe dhe situata e sigurisë është bërë tejet më komplekse.

    Sipas tij, këto ndryshime kanë efekte të ndjeshme edhe në Ballkanin Perëndimor, ku, sipas tij, aktorë dashakeqës që nuk ndajnë të njëjtat vlera me ne përpiqen të zgjerojnë influencat e tyre.

    “Shqipëria është e përkushtuar në misionin e saj si faktor stabilizues ne Ballkan dhe eksportuese e sigurisë në rajon e më gjerë… Çdo investim më shumë drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse, është një investim më shumë drejt stabilitetit, është një investim për të garantuar një të ardhme më të paqtë të brezave të rinj, të cilët kurrsesi nuk duhet të përballen me pasojat shkatërruese që sjellin konfliktet. Koha për të marrë përgjegjësitë tona është tani dhe reagimi duhet t‘i përgjigjet sfidave aktuale”, deklaroi Begaj.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se zhvillimi i kësaj stërvitjeje me praninë e trupave shumëkombëshe, nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është njëkohësisht dhe shprehje e unitetit të madh dhe vendosmërisë së palëkundur të të gjithë komunitetit euro-atlantik për të mbrojtur me çdo kusht vlerat dhe parimet mbi të cilat ngrihen dhe funksionojnë shoqëritë e të dy vendeve.

    “Kjo stërvitje na rikujton edhe njëherë se pavarësisht gjuhës që flasim, pavarësisht flamurit që përfaqësojmë, jemi të lidhur pazgjidhshmërisht pikërisht me ato vlera dhe parime, të cilat janë të kërcënuara po njësoj për secilin prej nesh. Prandaj, të gjithë së bashku, jemi të imponuar nga historia jonë dhe nga ardhmëria jonë që të funksionojmë në unitet të plotë”, deklaroi Rama.

    Ndërsa, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin Shqipëri, Yuri Kim deklaroi se, amerikanët dhe shqiptarët qëndrojnë krah për krah me njëri-tjetrin.

    Ajo tha se të dy vendet kanë ndërmarrë hapa të mëdhenj së bashku si aleatë dhe partnerë të sigurisë, duke ngritur dy pranitë e para ushtarake të SHBA-së në historinë e Shqipërisë, shtabin rajonal pararojë të Komandës së Operacione Speciale të SHBA-së, Taskforcën për Ballkanin si dhe rotacionin e njësisë së Brigadës të Forcave të Sigurisë dhe ndihmës së SHBA-së.

    “Jemi këtu si aleatë, miq dhe partnerë. Amerikanët dhe shqiptarët qëndrojnë krah për krah sikurse e thoni ju. Dikur të ndarë veçmas, tani aleatë të NATO-s dhe partnerët më të afërt ushtarakë. Në dy vjet, që prej ‘Defender Europe 2021’ bota ka ndryshuar, Rusia nisi një pushtim të plotë dhe brutal ndaj Ukrainës. SHBA, Shqipëria dhe aleatët tanë të NATO-s janë më të bashkuar dhe të fortë se kurrë. Nuk mund të mos kujtoj fjalët e Skënderbeut, Heroi Kombëtar të Shqipërisë dhe madje heroi im vetjak ‘Bashkimi bën fuqinë’”, deklaroi Kim.

    Gjatë periudhës maj-qershor 2023, Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të marrin pjesë në stërvitjet e paketës të Komandës Amerikane për Evropën “Defender Europe 23”, e cila do të zhvillohet në disa vende të Evropës dhe do të demonstrojë aftësitë e aleancës për t’u dislokuar, për të shtuar kapacitet luftarake, unifikuar, gatishmërinë e njësive në një mjedis të përbashkët, si dhe për të ushtruar aftësitë dhe potencialet e vendeve pritës.

    Kjo stërvitje do të shërbejë gjithashtu për të testuar aftësitë dhe kapacitetet e NATO-s për të mbajtur një qëndrim frenues ndaj të gjithë agresorëve në Evropë.

    Stërvitja “Defender Europe 23”, është një stërvitje shumëkombëshe, shumëdimensionale, e përvitshme e drejtuar nga ushtria Amerikane (USAREUR-AF), e cila ka fokus konsolidimin e elementëve të gatishmërisë dhe ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave amerikane, vendeve të NATO-s de atyre partnere.

  • Haradinaj kujton masakrën e Dubravës: Ky krim është i dokumentuar por askush nuk është përballur me drejtësinë

    Haradinaj kujton masakrën e Dubravës: Ky krim është i dokumentuar por askush nuk është përballur me drejtësinë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar masakrën e Dubravës në 24-vjetorin e saj.

    Haradinaj ka thënë se ato ditë maji të vitit 1999 Serbia kreu krimin më mizor ndaj shqiptarëve.

    “Për disa ditë me radhë, nga 19 deri më 22 maj 1999, ndodhi një ndër masakrat më makabre që pushtuesi serb bëri ndaj shqiptarëve. Ato ditë maji të vitit 1999, shteti serb kreu krimin më mizor e të planifikuar, duke vrarë mbi 130 të burgosur shqiptarë dhe plagosur mbi 200 të tjerë, në burgun e Dubravës”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka thënë se këto masakra janë mirë të dokumentuara por askush ende nuk është përballur me drejtësinë.

    “Kjo masakër e shpërfaqë qartë mendësinë gjenocidale të shtetit serb, ku si synim kryesor kishte zhdukjen e qenies shqiptare, përmes spastrimit etnik, masakrave kudo në Kosovë e dëbimin me dhunë të më shumë se të gjysmës së popullatës nga trojet e tyre”.

    “Edhe pse këto masakra janë mirë të dokumentuara, ende askush nuk është përballur me drejtësinë. Shteti serb, edhe më tutje refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për krimet e kryera, e ne nuk duhet të ndalemi në betejën tonë për zbardhjen e të vërtetës”, është shprehur Haradinaj.

    I pari i AAK-së ka shtuar liria dhe shteti që e kemi sot, janë rezultat i një çmimi shumë të lartë

    “Liria dhe shteti që e kemi sot, janë rezultat i një çmimi shumë të lartë! Sakrifica e të rënëve mbetet motivim për angazhim të gjithanshëm për ta dashur atdheun e për ta zhvilluar shtetin ashtu siç ëndërruan ata”, ka përfunduar Haradinaj.

  • KEK: Pas fazës testuese, njësia A-5 është rikthyer në operim

    KEK: Pas fazës testuese, njësia A-5 është rikthyer në operim

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) bën të ditur se njësia A5 është rikthyer në operim pas fazës testuese.

    Në njoftimin e lëshuar nga KEK-u thuhet se pas përfundimit të remontit kapital dhe eliminimit të të gjitha vërejtjeve të evidentuara gjatë fazës testuese, kjo njësi është rikthyer në operim sot pas mesnate.

    Sot në operim ka tri njësi të TC-A dhe një njësi të TC-B-së.

  • Policia njofton për dy vdekje në Istog e Klinë

    Policia njofton për dy vdekje në Istog e Klinë

    Policia ka hapur dy raste të vdekjes në Klinë e Istog.

    Të dielën një grua ka kërkuar ndihmë mjekësore për një burrë, i cili sipas policisë kishte qenë në gjendje të rëndë shëndetësore.

    Mjeku kujdestar ka konfirmuar vdekjen e tij.

    “Në vendin e ngjarjes kanë dal njësia policore si dhe një autoambulancë. Nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e viktimës. Me vendim të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion. Rasti është duke u hetuar”, njofton policia.

    Ndërsa në Klinë raportohet se viktima mashkull kosovar nga familjarët e tij ishte dërguar për tretman mjekësor me ç’rast nga mjeku është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë.

    “Njësitë policore janë duke e hetuar rastin, ndërsa trupi i pajetë i viktimës me urdhër të prokurorit është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

  • Erden Atiq nis zyrtarisht punën si kryetar i Mitrovicës së Veriut

    Erden Atiq nis zyrtarisht punën si kryetar i Mitrovicës së Veriut

    Erden Atiq, e ka nisur punën si kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut.

    Ai tha se tashmë ka filluar edhe më emërimin e drejtorëve të rinj teksa shoti se do t’i vizitoj edhe punëtorët e administratës së komunës.

    “Këto ditë kemi shumë punë për të bërë. Kam nisur me emërimin e drejtorëve dhe sot gjatë ditës do t’i vizitoj edhe punëtorët e administratës. Përveç mediave sot pres edhe shumë mysafir të tjerë”, ka thënë ai.

    Atiq përmendi edhe çështjen e Urës së Ibrit, për të cilën tha se tashmë është në dorën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal.

    “Për Urën e Ibrit tashmë kemi një vendim të asamblesë komunale dhe tani është në dorën e MAPL-së”, ka thënë ai.

  • Dëshmitari 5 flet për vrasjen e një personi nga disa burra të maskuar

    Dëshmitari 5 flet për vrasjen e një personi nga disa burra të maskuar

    Dëshmitari numër 5 po e vazhdon dëshminë e tij në Gjykatën Speciale.

    Kësaj radhe ai po merret në pyetje nga avokati i Rexhep Selimit. Dëshmitari 5 ka folur për largimin e tij fillimisht nga UÇK-ja e më pas ribashkimin.

    Por pyetjet kryesore u bënë lidhur me kidnapimin e më pas vrasjen e një personi me numër 1, raporton Nacionale.

    Dëshmitari ka thënë se kanë qenë burrat e maskuar me uniforma të UÇK-së që e morën këtë person, të cilin ai e gjeti të vrarë.

    Megjithatë, dëshmitari 5 e ka pranuar se nuk ka qenë aty kur pretendohet se është kryer ky krim.

    Biseda e dëshmitarit 5 me avokatin e Rexhep Selimit:

    Avokati: Kjo ka lidhje me ditën konkrete ku personi numër 1 u kidnapua. Të jemi të qartë do të flasim edhe më vonë. Ne nuk po e vëmë në dyshim se kanë ardhur burra të maskuar kanë hyrë në fshat dhe e kanë kidnapuar personin në fjalë. Duam të dijmë çfarë dëshmie ke dhënë ti për këtë ngjarje. Kishin maska të plota komplet fytyrën?

    Dëshmitari: Po.

    Avokati: Pra kishin marrë masa ekstreme që të mos i njihnit?

    Dëshmitari: Sigurisht.

    Avokati: Edhe pse ishte pak metra larg tyre, më duket se e kape një prej tyre ti nuk e identifikove se maskat ishin të plota?

    Dëshmitari: Nuk dëgjohet.

    Avokati: The se kishin uniforma të zeza. Dua të jem i qartë. Uniformat ishin thjesht tesha të zeza?

    Dëshmitari: Nuk dëgjohet.

    Avokati: Ishin identike apo thjesht tesha të zeza?

    Dëshmitari: Çka kam parë unë kanë qenë identike.

    Avokati: Mund të bliheshin thjeshtë edhe nga të tjerët, se vetëm tesha të zeza ishin?

    Dëshmitari: Nuk e di ku i kanë marrë.

    Dëshmitari: Policia ushtarake mbante uniforma identike.

    Avokati: Duke pasur parasysh faktin se ishin uniforma të zeza. Ti nuk mund të thuash se ata ishin individë të Policisë ushtarake?

    Dëshmitari: I kam parë me tesha të zeza, me uniformë të UÇK-së e me maska. Nuk e di çfarë pozicioni kanë pasur.

    Avokati: Në thelb e pranon se mund të kishte qenë kushdo me uniformë të zezë?

    Dëshmitari: Nuk dëgjohet.

    Avokati: Ti nuk e di me siguri pse këta burra donin të flisnin me personin 6?

    Dëshmitari: E kanë kërkuar personin 6 edhe nuk e kanë lënë me dalë, edhe më andej nuk e di pse e kanë kërkuar dhe pse e kanë marrë numrin 1. Me zbutë situatën, ka thënë hajde shkojmë te unë edhe ua bi numrin 6, bisedojmë në odë. Çkado që kërkoni bisedojmë aty.

    Avokati: Ti nuk ishte i pranishëm vetë fizikisht, pasi u bë ky muhabet. Dhe informacionet që more në këtë bisedë, të erdhën nga bisedat me bashkëfshatarët?

    Dëshmitari: Nuk dëgjohet.

    Avokati: Gjatë 20 viteve a ke biseduar me bashkëfshatarët rregullisht lidhur me këtë ngjarje?

    Dëshmitari: Kena bisedu gjatë. Veç rreth vrasjeve kena bisedu. Qysh ka ndodhë rasti, qysh e kanë marrë. Për këto kena bisedu. Pas vrasjes kena diskutu, se para vrasjes nuk kena mujt.

    Avokati: Nëse e pranon se nuk mund të thuash konkretisht se çfarë ka ndodhur atë ditë, sepse kanë kaluar 20 vjet. A e pranon që nuk e bëni një ndarje të qartë me atë që di ti, dhe atë që kanë treguar?

    Dëshmitari: Nuk di si ta shpjegoj.

    Avokati: Sa i takon kidnapimit, ti e di se burrat e maskuar që morën numrin 1 e morën nga fshati por nuk e di nëse janë të njëjtët persona përgjegjës për vrasjen e këtij personi?

    Dëshmitari: Njerëzit me maska e kanë marrë numrin 1, 2 dhe 3. 2 dhe 3 i kanë zbrit, dhe e kanë bërë vrasjen e personit 1.

    Avokati: Ti nuk e di 100% se kjo që mori personin 1 janë të njëjtit që e kanë vrarë?

    Dëshmitari: Nuk kam qenë prezentë. Kur jam shku e kam gjetur të vrarë, edhe letrën e kam gjetur aty.

    Avokati: Por ti e di që këto kanë ndodhur, por nuk e di që burrat e maskuar ishin përgjegjës për të dyja këto gjëra?

    Dëshmitari: Vetë nuk kam qenë prezentë, por përpos tyne nuk besoj që ka pasur të tjerë.

  • ​Pasaportat e Kosovës dhe Shqipërisë më të pafuqishmet në rajon

    ​Pasaportat e Kosovës dhe Shqipërisë më të pafuqishmet në rajon

    Pasaportat më të mira për ta mbajtur në vitin 2023, janë zbuluar në një indeks të ri global. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë zënë vendin e parë për vitin 2023. Kurse, në rajonin tonë, Kosova ka dal e fundit, duke u renditur e 175.

    Megjithatë, nga 199 shtete, vendi jonë ka lënë prapa vetëm 24 shtete të tjera të botës. Kosova ka 40 pikë të përgjithshme dhe të drejt udhëtimi në 56 vende.

    Derisa, Luksemburgu u konsiderua si vendi me pasaportën më të fuqishme për dy vitet e fundit me radhë – viza e rangut më të lartë të këtij viti mund të jetë surprizë. Nga 199 kombet në listë, të përpiluar nga firma konsulente në det të hapur Nomad Capitalist, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë zënë vendin e parë për vitin 2023.

    Të gjitha vendet u renditën sipas pesë kritereve: mundësitë e udhëtimit pa viza, taksimi i qytetarëve, mundësitë e dyshtetësisë, perceptimi dhe liria personale.

    Pasaporta e Emirateve është ngjitur në listë sepse ka privilegje udhëtimi pa viza në shumicën e vendeve – 181 në total -, pa taksa mbi të ardhurat dhe një prani gjithnjë në rritje në skenën botërore.

    Këta faktorë, ndër shumë të tjerë, e bëjnë atë një vend tërheqës për qytetarët aspirues globalë.

    Sipas listës, Serbia është në vendin e 66, Mali i Zi në vendin e 76, Maqedonia e Veriut në vendin e 81, Shqipëria në vendin e 91 dhe Kosova në vendin e 175.

    Shqipëria ka marrë 75 pikë në total dhe ka mundësi udhëtimi në 115 shtete.

    https://nomadcapitalist.com/nomad-passport-index/