ATV

Category: Lajme

  • Kurti priti Osmanin: Të lumtur që marrëdhëniet e shkëlqyeshme po pasohen me bashkëpunim

    Kurti priti Osmanin: Të lumtur që marrëdhëniet e shkëlqyeshme po pasohen me bashkëpunim

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, nën detyrën e kryesuesit të OSBE-së.

    Duke e quajtur këtë vizitë si një nder të veçantë dhe krenari, kryeministri Kurti tha se janë shumë të lumtur të konstatojnë që marrëdhëniet e shkëlqyeshme po pasohen edhe me bashkëpunim, i cili po rritet, duke pasur parasysh që ministri Osmani siç tha kryeministri, ishte sot në cilësinë Kryesuesit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë.

    ‘’Ne jemi gjithashtu të gëzuar që do të mund të bashkëbisedojmë për çështjen e demokratizimit, të drejtave të njeriut dhe sigurisë që janë vlerat themelore që po ashtu i ndajmë së bashku’’, deklaroi Kurti, duke falënderuar ministrin Osmani për kontributin që OSBE-ja e ka dhënë për demokratizimin në Kosovë dhe për Sigurinë e vendit tonë.

    Kurti, siç u bë e ditur në komunikatë, e njoftoi Osmanin për të arriturat gjatë mandatit qeverisës në progresin ekonomik dhe demokratik, duke potencuar se në këto dy vjet qeverisjeje buxhetit i janë shtuar 740 milionë euro, ndërkaq ekonomisë 2.1 miliardë euro.

    Në mesin e sukseseve, kryeministri vuri në pah edhe konsolidimin e financave të cilat e kanë ulur deficitin buxhetor dhe po ashtu edhe uljen e deficitit tregtar nga 1 me 9 në 1 me 6.

    Kryeministri foli edhe për pjesëmarrjen në ushtrimet ushtarake ‘’Defender Europe 23’’ që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke potencuar se kjo është hera e dytë që jemi pjesëmarrës, dhe në të dy herët kemi qenë vend mikpritës. ‘’Këtë vit Kosova renditet e katërta për personelin ushtarak të angazhuar në këtë ushtrim nga 25 vende pjesëmarrëse’’, u shpreh ai.

    Ndërkaq, ministri Osmani, nën detyrën e kryesuesit të OSBE-së, falënderoi kryeministrin për mikpritjen dhe tha se është vërtet i kënaqur që kishte mundësinë që në kapacitetin e kryesuesit të OSBE-së sot të vizitojë Kosovën.

    Teksa e uroi për arritjet impresive, e përgëzoi Kosovën në demokratizimin dhe integrimin gjinor. Në takimin e sotëm u theksua po ashtu edhe rëndësia e bashkëpunimit rajonal, derisa sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, Osmani dha mbështetje.

    “Njëkohësisht, shprehu falënderimin për bashkëpunimin e ngushtë që kanë pas në këto 20 vitet e fundit nëpërmjet institucionit të OSBE-së dhe institucioneve të Kosovës, që kanë krijuar aq shembuj të mirë të këtij bashkëpunimi e që drejtpërdrejtë kanë kontribuar në demokratizimin e shoqërisë në qasjen ndaj komuniteteve, në promovimin e të drejtave individuale dhe ato kolektive.”, u bë e ditur në komunikatë.

    Si ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Osmani uroi Kosovën për kalimin me sukses të fazës së parë të anëtarësimit në Këshill të Evropës dhe konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

    Misioni i OSBE-së në Kosovë është misioni më i madh i kësaj organizate. Ka gjithsej 5 qendra rajonale me staf prej 490 personave, prej të cilëve 2/3 janë staf lokal.

    Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani sot u prit në takim nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe nga presidentja Vjosa Osmani.

    Maqedonia e Veriut ka marrë këtë vit kryesimin e OSBE-së. Pritjet e Osmanit janë që të vendosin vëmendjen në rolin e OSBE-së, në terren dhe në lehtësimin e pasojave që konfliktet i sjellin mbi njerëzit./KP

  • 4 policë të lënduar në veriun e Kosovës

    4 policë të lënduar në veriun e Kosovës

    Sipas raportimeve të fundit janë lënduar katër policisë të Kosovës në veri.

    Policia e Kosovës ka hyrë në komunën e Zveçanit dhe të Leposaviqit, duke thyer turmat e mbledhura para këtyre komunave, pas lëshimit të sirenave nëpër qytete.

    Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe shok-bomba, ndërsa nëpër rrugët e veriut janë parë policë me armë të gjata. Siç raportohet nga Zveçani, deri tash, janë katër policë të lënduar.

    Express ka raportuar më herët se Policia ka arritur ta fusë kryetarin e ri të Zveçanit në objektin e komunës, ndërsa këtë e ka konfirmuar edhe vetë kryetari.

  • Media serbe: Simboli i FSK-së në helmetat e policëve në veri të Kosovës

    Media serbe: Simboli i FSK-së në helmetat e policëve në veri të Kosovës

    Mediat lokale në veri të Mitrovicës Veriore kanë raportuar se në një nga helmetat e policëve të Kosovës është vërejtur simboli i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    “Në mesin e pjesëtarëve të policisë së Kosovës që sot rrethuan ndërtesën e komunës së Zveçanit dhe më pas hynë në komunë duke përdorur gaz lotsjellës, kishte edhe disa të cilët kishin shenja të FSK-së në helmetat e tyre”, pretendojnë mediat lokale serbe në veri.

    Siç shkruajnë Kosovo-Online, Forcat e Sigurisë së Kosovës nuk mund të shkojnë në veri të Kosovës pa miratimin paraprak të komandantit të KFOR-it.

  • Izmir Zeqiri futet në Komunën e Zubin Potokut, pas asistimit të Policisë së Kosovës

    Izmir Zeqiri futet në Komunën e Zubin Potokut, pas asistimit të Policisë së Kosovës

    Pas atij të Komunës së Zveçanit, Policia e Kosovës, ka hyrë në objektin e Komunës së Zubin Potokut.

    Njëjtë siç ndodhi në Komunën e Zveçanit, Policia e Kosovës u detyrua të përdorë gaz lotsjellës e shok bomba për të shpartalluar turmën e serbëve të cilët ishin mbledhur përpara ndërtesës së Komunës së Zubin Potokut.

    Pasi qytetarët e shumtë serbë u shpërndan kryetari i sapozgjedhur i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, është parë duke u futur në ndërtesën e Komunës.

  • Situata në Veri, kështu e shohin analistët nga Prishtina

    Situata në Veri, kështu e shohin analistët nga Prishtina

    Situata e krijuar sot në Veri ka nxitur plot reagime në rrjetet sociale. Nga Prishtina, jo pak gazetarë janë deklaruar përmes statuseve të tyre për situatën e atjeshme. Dikush e sheh si vendosje të sovranitetit, e dikush si “fillim i vendosjes së autonomisë për Veriun”.

    Sikur për çdo gjë tjetër, edhe situata e sotshme në Veri të Kosovës është çështje interpretimesh në Prishtinë.

    Lajmi është se kryetarët e zgjedhur të komunave të veriut kanë provuar të futen në objektet e tyre, ndërkohë që serbët lokalë i kanë penguar ata. Dhe, në përleshje me policinë, janë djegur disa vetura – mes tyre edhe një veturë e policisë, si dhe janë vendosur disa pengesa në Zveçan, kurse të tjerat duket se po përgatiten të vendosen.

    Dhe, analistët janë të ndarë në leximin e kësaj situate.

    Rron Gjinovci e sheh si vendosje sovraniteti.

    “Nuk mujnë bandat me diktu jetën institucionale të Republikës”, shkruan ai.

    Gjinovci tutje i përgjigjet edhe Vucicit, i cili urdhëroi Ushtrinë që t’i afrohet kufirit me Kosovën.

    “Vuçiçi e paska urdhnu ushtrinë serbe me kanë në gjendje gatishmërie. Poget ju ka bo marak me i provu dronat e Kosovës”.

    Ndryshe e sheh Mentor Shala, ish-Drejtor i RTK’së.

    “Ky është çmimi i zgjedhjeve të fundit në veri! Autonomia e veriut është rezultati final”, thotë ai.

    “Kjo është shfaqja teatrale e Kurtit, Vuçiqit e Lajçakut! Mos u çuditni nëse këto ditë serbët në këtë pjesë e shpallin Republikë, e kompromisi është Autonomia e pjesës veriore!”, vazhdoi ai.

    Ngjashëm e komentoi edhe Artan Behrami, gazetar.

    “Ndezja e veriut (pavarësisht arsyes, fajtorit) në çdo rrethanë përfundon fatkeqësisht në protektorat ndërkombëtar të kësaj pjese të Kosovës”, shkroi Behrami në Facebook.

  • ​Peci: Jam në objektin e Komunës së Zveçanit, brenda zyrës së kryetarit

    ​Peci: Jam në objektin e Komunës së Zveçanit, brenda zyrës së kryetarit

    Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, i ka thënë KosovaPress-it se ndodhet në objektin e Komunës.

    Sipas tij, aty situata është e qetë ndërsa brenda, ka thënë ai, ndodhet edhe Policia e Kosovës.

    “Jam brenda objektit në zyrën e kryetarit të Komunës, Janë disa pakënaqësi jashtë por brenda objektit çdo gjë është nën kontroll. Edhe brenda objektit janë Policia, janë duke i larguar disa shenja, disa flamuj, disa shkrime”, ka thënë ai përmes telefonit.

    Gjatë ditës, Policia e Kosovës ka njoftuar se po asiston kryetarët e zgjedhur për të hyrë në objektet komunale.

    Para objekteve komunale në veri të vendit janë mbledhur qytetarë, ndërsa janë dëgjuar edhe sirena alarmi.

    Të shtëna armësh janë dëgjuar në Zveçan, ndërsa janë djegur vetura të Policisë.

    Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë qytetarët e mbledhur para objektit të Komunës së Zveçanit.

    Kryetari i Zveçanit, ai i Leposaviqit dhe kryetari i Zubin Potokut, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë kryer betimin të enjten. Asnjëri prej tyre nuk është betuar në objektin e komunës përkatëse, por ceremonia është zhvilluar në ndërtesa të tjerë publike.

    Zgjedhjet në veri janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Kryetarët paraprakë nga kjo parti, kishin dhënë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar.

    Ata u larguan nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që obligonte qytetarët t’i kthejnë targat e veturave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës.

  • ​“Kala Festival”, mbi 3 mijë vizitorë të huaj në bregdetin e Dhërmiut

    ​“Kala Festival”, mbi 3 mijë vizitorë të huaj në bregdetin e Dhërmiut

    Bregdeti i Dhërmiut do të presë nga 31 maji deri më 6 qershor “Kala Festival”, ku qindra të rinj të huaj dhe shqiptarë do të shijojnë aventurën verore mes riteve të muzikës dhe mrekullive të peizazhit që ofron riviera shqiptare.

    Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale një video promovuese të këtij festivali, i cili është kthyer në traditë vitet e fundit.

    “Në Dhërmi po bëhet gati të fillojë një tjetër festë ndërkombëtare si Kala Festival, që sjell mbi 3000 vizitorë nga Britania dhe shumë të tjerë nga gjithë Evropa për të festuar në bregdetin tonë prej 31 majit deri më 6 qershor”, tha Kumbaro.

    “Kala Festival”, përveç atmosferës për adhuruesit e muzikës elektronike, është edhe një promovim i mirë për turizmin e Shqipërisë.

    Përgjatë ditëve në festival marrin pjesë edhe DJ të famshëm ndërkombëtarë. Një tjetër qëllim i organizimit të këtij festivali në Shqipëri është edhe promovimi i turizmit dhe kulturës shqiptare në botë, ku gjatë ditëve të tij do të zhvillohen ekskursione ditore për të eksploruar mrekullitë natyrore të Rivierës shqiptare.

  • ​Haxhiu: Jemi të përkushtuar për reformat në drejtësi

    ​Haxhiu: Jemi të përkushtuar për reformat në drejtësi

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se janë të përkushtuar për realizimin e reformave në drejtësi. Sipas saj, vetëm në këtë formë fuqizohet sistemi i drejtësisë dhe kthehet besimi i qytetarëve në këto institucione.

    Megjithatë, ajo shtoi se kjo është sfiduese, por është rruga e vetme që Kosova të bëhet shtet i së drejtës.

    “Si ministri e Drejtësisë ne jemi të përkushtuar për reformat në drejtësi, pasi vetëm kështu mund të fuqizojmë sistemin tonë të drejtësisë dhe vetëm kështu mund të kthejmë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Është punë sfiduese, këtë e ndjerë gjatë këtyre dy viteve, por është rruga e vetme që kemi përpara që Kosova të jetë shtet i së drejtës”, theksoi ajo, transmeton KP.

    Këto komente Haxhiu i bëri të premten, gjatë shpërndarjes së certifikatave për kandidatët që kanë kaluar Provimin e Jurisprudencës.

    Ajo pati edhe një porosi për të gjithë kandidatët, që detyrën e tyre në të ardhmen të ushtrojnë me përkushtim dhe profesionalizëm.

    “Certifikimi i sotëm hap mundësi të reja në veçanti, në atë të ushtrimit të pozitave publike, pesha e së cilit do të përkthehet në kontributin tuaj të çmueshëm në përmirësimin dhe avancimin e infrastrukturës dhe legjislacionit të sistemit tonë të drejtësisë. Çfarëdo përzgjedhje që do të bëni, shpresoj që të njëjtin do të ushtroni me përkushtim dhe profesionalizimin e tuaj maksimal”, shtoi Haxhiu.

    Ndërkaq, shtoi se kandidatët që kanë kaluar provimin e jurisprudencës do të jenë vlerë e shtuar e shoqërisë në Kosovë.

  • ​Haradinaj: Autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet sapo të ikë LVV nga pushteti

    ​Haradinaj: Autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet sapo të ikë LVV nga pushteti

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, ka akuzuar Qeverinë e Kosovë, duke thënë se jo vetëm që nuk bëri projekte të reja por bllokoi edhe ato ekzistuese.

    Haradinaj ka shkruar në Facebook se sot kanë mbetur keq e për faqe të zezë, jo vetëm rruga për Mitrovicë, për Gjilan, për Pejë, për Gjakovë, por edhe projektet tjera infrastrukturore, duke i zbritur investimet kapitale në kuota qesharake.

    “Kur ishte vendosur të merrte udhë projekti i autostradës së Dukagjinit si një investim strategjik, meqenëse do ta lidhte pothuaj një të tretën e territorit të Kosovës me pjesën tjetër, pati filluar një fushatë e egër e Vetëvendosjes kundër meje, me arsyetimin se nuk duhej të shpenzoheshin paratë në asfalt. Autostrada e Dukagjinit nuk u ndërtua sepse Qeveria që udhëhiqja unë ishte ndërprerë në mes, kurse qeveria e Vetëvendosjes, jo vetëm që nuk hapi projekte të reja infrastrukturore, por i bllokoi edhe ato ekzistuese. Sot kanë mbetur keq e për faqe të zezë, jo vetëm rruga për Mitrovicë, për Gjilan, për Pejë, për Gjakovë, por edhe projektet tjera infrastrukturore, duke i zbritur investimet kapitale në kuota qesharake. Sikur kjo të bëhej me qëllim të rritjes së mirëqenies së popullit, në këto dy vjet të një krize globale ekonomike, edhe do ta kishte një derë, por për fat të keq nuk ka ndodhur as kjo. Sot, Kosova e ka mesataren e pagave më të ulët në rajon, pensionet më të ulta, paga minimale më e ulta në kontinent, ndërkohë që tatimi në pronë është rritur dy e trefish, energjia është rritur të paktën dy herë e të mos flasim për rritjen e çmimeve të artikujve elementarë, apo të inflacionit i cili ka qenë më i larti në këto 20 vjet. Sikur të mos u mjaftonte kjo, qeveritarët e rinj u janë turrur edhe mjeteve vetanake të komunave dhe dojnë me i marrë edhe ato! Ose kanë fytyrë e deklarojnë se do të ketë harrnime e zgjerime dhe prapë lidhen të Autostrada e Dukagjinit dhe thojnë se ajo nuk do të ndërtohet. E unë e kam një porosi për ta. Po, autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet, sapo ju të ikni nga pushteti. Shpresoj shumë shpejt”, ka shkruar ai.

  • ​Sulmuan një person dhe i grabitën të holla, aktakuzë ndaj të dyshuarit

    ​Sulmuan një person dhe i grabitën të holla, aktakuzë ndaj të dyshuarit

    Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Sh.B., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale grabitje.

    Sipas GJykatës, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 20 shtator 2022 në një rrugë në Ferizaj, në bashku me të pandehurin K.B. dhe A.Z., me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme të personit tjetër, e që vetës t`i sjellë përfitime pasurore të kundërligjshëm, kanë kryer grabitje në dëme të dëmtuarit A.S.

    “Derisa ishin duke lëvizur me veturën e tyre, në momentin që e takojnë të dëmtuarin e detyrojnë të hyjë në veturë, duke sulmuar fizikisht gjatë rrugës, pastaj vazhdojnë tek vendi i panjohure në pyll, ku me të arritur aty e kishin zbritur dhe e kishin sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime trupore, duke përdorë forcë arrijnë që t`ia marrin portofolin, në të cilën kishte shumën e të hollave rreth 327 euro dhe të njëjtit janë larguar në drejtim të panjohure. Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj”, thuhet në njoftim.

    Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.