ATV

Category: Lajme

  • Kurti pret sot në takim Emisarin e Gjermanisë

    Kurti pret sot në takim Emisarin e Gjermanisë

    Kryeministri Albin Kurti do të takohet sot me Emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

    Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, takimi do të mbahet në orën 10:00.

    “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Mediat mund të marrin pamje në oborrin e ndërtesës së Qeverisë”, thuhet në njoftim.

    Ndryshe, ky takim vjen një ditë pas zhvillimeve në veri të vendit. Atje, Policia përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë disa qytetarë serbë që u mblodhën para ndërtesave komunale në veri të Kosovës, në përpjekje për të penguar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në zyrat e tyre.

    Përkundër përleshjeve, kryetarët u vendosën në zyrat e tyre, konfirmoi ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.

  • Ukraina gati për kundërsulmin e madh!

    Ukraina gati për kundërsulmin e madh!

    Ukraina është gati për ta nisur kundërofensivën e madhe të pritur kundër forcave të Rusisë.

    Këtë ia ka thënë BBC-së, Oleksiy Danilov, njëri nga zyrtarët më të lartë të sigurisë në Kiev.

    Ai nuk ka thënë një datë por që ka thënë se një sulm për rimarrje të territorit të okupuar nga Vladimir Putin mund të nisë “nesër, pasnesër apo brenda javës”.

    Danilov ka bërë me dije se qeveria ukrainase “s’ka të drejtë gabimi” në vendimin e marrë ngase sipas tij kjo është një mundësi historike që nuk duhet humbur.

    Derisa ka dhënë intervistën për BBC-në përmendet se ka marrë një telefonatë nga presidenti Volodymyr Zelensky për të diskutuar rreth kundërsulmit.

    Daniloq është njeriu kryesor në kabinetin e Zelensky për luftën që po bën Ukraina.

  • Opozita: Kurti mashtron me shifrat për të punësuar, mijëra të rijnë që po e lëshojnë Kosovën çdo ditë

    Opozita: Kurti mashtron me shifrat për të punësuar, mijëra të rijnë që po e lëshojnë Kosovën çdo ditë

    Partitë opozitare në Kosovë po vlerësojnë se statistikat e publikuar nga kryeministri Albin Kurti, që për 21 muaj në Kosovë janë punësuar 37 350 persona, nuk qëndrojnë dhe janë mashtrim.

    Sipas Partisë Demokratike të Kosovës Qeveria është duke mashtruar publikun me këto shifra. Nga Lidhja Demokratike e Kosovës thonë se shifrat për të punësuarit janë të krijuara ad-hoc, pasi sipas tyre, çdo ditë të rinjtë janë duke e lëshuar vendin. E nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thonë se nuk dinë se nga i kanë marr Qeveria ato statistika, pasi sipas tyre, të dhënat nga tereni janë ndryshe.

    Deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku, tha se numër i madh i të rinjve po ikin drejtë vendeve të BE-së, kjo për faktin se sipas tij, Qeveria nuk e ka mbështetur sektorin privat, i cili sipas tij, ofron më së shumti punësim.

    “Ne e shohim një ikje më të madhe të qytetarëve drejt Evropës dhe si sfidë e madhe e Kosovës mbetet emigrimi, në këtë drejtim si qeveri dhe Kuvendi duhet të luaj një rol drejt mbështetjes së sektorit privat, duke e ditur që sektori privat është sektori që më së shumit ofron punësim. Deri më tani nuk kemi parë që qeveria ka mbështetur drejtpërdrejt institucionet që të krijoj vende të sigurta të punës. Kemi parë që ka hapur një segment të ri që e ka quajtur ‘Super puna’ që realisht super punë konsiderohet një pagë mesatare 700 euro e  jo 264 euro kjo është vetëm për të nënçmuar të gjithë ata që angazhohen në këtë”, tha ai.

    Lushtaku tha se më shumë ka formalitet të të punësuarve se sa ka rritje të vërtetë të vendeve të punës, duke shtuar se në këtë rast nuk duhet që të mashtrohet publiku me këto shifra.

    Ai tha se vendi do të ballafaqohet me një krizë të vërtet pas liberalizimit të vizave nëse Qeveria nuk ndërmerr hapa që të krijojë kushte të favorshme për punëtorët.

    “Numri ka qenë në rritje, po më shumë ka formalitet të punësuarve se sa ka rritje të vërtet të të punësuarve. Këtu duhet të bëjmë dallimin sepse nuk mund të mashtroj ai edhe opinioni publik  me këto shifra sepse edhe Odat ekonomike edhe vetë bizneset më së miri din se çfarë vështirësive të mëdha kanë përballuar këto dy vitet e fundit gjatë qeverisjes se Kurtit duke pasur vështirësi të gjejnë edhe punëtorë. Ne e dimë shumë mirë që me liberalizimin e vizave, krenohemi si shtet që kemi arritur këtë sfidë, një vendim realisht i pa drejt deri më tani sepse ai është dashur të ndodhë në 2014”.

    “Sfidës i ndërlidhet me heqjen e vizave edhe pjesa e pa sigurisë se vendeve të punës dhe falimentimeve të bizneseve. Kosova do të ballafaqohet me një krize të vërtet nëse nuk arrin që bizneset ti rrisin pagat në sektorin privat dhe ti krijojnë kushte të favorshme për punëtoret të cilët duna të mbesin në Kosovë”, tha ai.

    Deputeti i LDK-së Besian Mustafa, tha se në lidhje me statistikat për të punësuarit nuk ka dakordim as ndëmrjet kryeministrit Kurti, zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi e Ministrit të Financave Hekuarn Murati, pasi sipas tij, ata të tre kanë publikuar statistika të ndryshme.

    “Fillimisht do të duhej që të kishte një dakordancë mesë kryeministrit edhe zëvendësit të tij Bislimit dhe ministrit të financave sepse kemi parë numra të ndryshëm nga të tre. Pra do të duhej që të kishin të qartë mesë vete pra ju sugjeroj që të pini një kafe së bashku dhe të vendoseni se sa është numri i vërtet ose numri i saktë me të cilin do të dalin në publikë. Vetë fakti që nuk mund të pajtohen këta të tre që janë të një partie, të një pushteti dhe që të dy i ka emëruar vetë kryeministri tregon që shifrat janë të krijuara ad hoc aty për aty secili për vetë”, tha ai.

    Mustafa tha se nuk është e vërtet që janë krijuar dhjetëra, mijëra vende punë, pasi sipas tij, janë me mijëra të rijnë që po e lëshojnë Kosovën çdo ditë.

    “Fatkeqësisht nëse kjo do të ishte e vërtet që qenkan krijuar me dhjetëra mijëra vende pune do të duhej që të përgjigjej kryeministri në një pyetje shumë elementare që fatkeqësisht zëvendësi i tij Bislimi ka dhënë një përgjigje jo serioze dhe qesharake. Është fakti që kemi me dhjetëra, mijëra të rijnë që po e lëshojnë Kosovën çdo vit duke e përfshirë dhe këtë mbi dy vjeçar të kësaj qeverie”.

    “Prandaj kam një pyetje për kryeministrin Kuri, nëse paska një zhvillim kaq të hovshëm ekonomik nëse paska vende kaq shumë të reja të punës të hapura në Kosovë pse rinia kosovare po e lëshon vendin, po e lëshon Kosovën me dhjetëra, mijëra çdo vit. Përgjigja do ta merr shumë të qartë, ku do të doja të dija edhe nga vetë kryeministri se ai përgjigjen nga rinia kosovare po e merr çdo ditë”, tha ai.

    Deputeti i AAK-së Pal Lekaj, tha se ndërmarrjet ekonomike në vend nuk janë fare të kënaqur sa i përket investimeve e subvencionimeve nga Qeveria.

    Ai tha se këto statistika të bëra publike nga Kurti nuk qëndrojnë, pasi sipas tij, të dhënat nga tereni e thonë të kundërtën.

    “Sa i përket qeverisë ajo është e thirru që të sheh vetëm pozitivisht, ndërsa nëse dalim në teren dhe i shohim edhe ndërmarrjet ekonomike, duke filluar nga ekonomit familjare, ndërmarrjet e mesëm dhe ndërmarrjet e mëdha e thënë të kundërtën dhe nuk janë fare të kënaqur sa i përket investimeve e sidomos subvencionimit të Qeverisë”.

    “Ajo që vlen të theksohet kjo Qeveri do të mbahet mend për mos pezmatueshmërinë e parasë publike që thuajse as gjë nuk po lëviz. Nuk dijë se nga i kanë marr këto statistika, mirëpo të dhënat që vijën nga tereni qytetarët dhe ndërmarrësit janë shumë, shumë të pa kënaqur me këtë qeveri dhe mund të them që kjo qeveri është qeveria më e dobët në historinë e qeverisej së shtetit të Kosovës”, tha ai.

  • Kryetari Zeqiri fton serbët t’i bashkohen kabinetit të tij, por vetëm mbi bazat e ligjeve të Kosovës

    Kryetari Zeqiri fton serbët t’i bashkohen kabinetit të tij, por vetëm mbi bazat e ligjeve të Kosovës

    Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, në një intervistë për ATV-në, tha se është i hapur që në kabinetin e tij, të marrin pjesë sa më shumë kuadër i shumicës serbe për t’i drejtuar dikasteret, por sipas tij vetëm mbi bazat e ligjeve të Republikës së Kosovës.

    “Unë mendoj dhe dëshiroj që të vij dhe ta vazhdoj punën normalisht. Në qoftë se nuk do të ketë normalitet, atëherë do të ketë diçka tjetër. Unë gjithmonë jam i orientuar pozitivisht. Mendoj që duhet të jetë një normalitet edhe në funksionalizimin e mekanizmave tonë të komunës, jemi të hapur, unë gjithë kam thënë që në këtë mekanizëm të komunës siç është kabineti i im, të marrin pjesë sa më shumë kuadër i shumicës serbe për t’i drejtuar dikasteret, të kuptohemi, mbi bazat e ligjeve të Republikës së Kosovës”, tha Zeqiri.

    Ai ritheksoi se gjithçka që i bashkon me të gjithë qytetarët, është infrastruktura e ligjore e Republikës Kosovës. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të tij e gjeni në videon e më poshtme nga minuta 50:00:

  • Zeqiri për ATV-në: Do të vazhdoj punën me rrjedhë normale, serbët po ndihen të frikësuar nga banadat kriminale të Serbisë e Rusisë

    Zeqiri për ATV-në: Do të vazhdoj punën me rrjedhë normale, serbët po ndihen të frikësuar nga banadat kriminale të Serbisë e Rusisë

    Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, në një intervistë për ATV-në, tha se sot ishte dita më e veçantë për të. Ai këtë intervistë e dha në objektin e Komunës së Zubin Potokut, ku vendosja e tij në këtë komunë u përcoll me tensione të shumta të protestuesve serbë.

    “Dita e parë ishte sot ditë më ë veçantë për mua, mirëpo s’mund të them që jam i kënaqur me këtë revoltën që ishte e një pjesë e qytetarëve dhe punëtorëve që kanë qenë në këtë objekt, mirëpo duhet të jetë një gjë e dishme, që ata punëtorë që kanë punu, ju mund të merrni edhe pamjet nëpër objekt, gjithçka asgjë nuk kanë respektuar të Republikës së Kosovës, siç duhet të jetë”, tha Zeqiri.

    Sipas tij, janë një pjesë e punëtorëve të komunës që janë të ndikuar nga bandat kriminale, të financuara prej Serbie.

    “Janë një pjesë e punëtoreve të ndikuar nga bandat kriminale, të financuara prej Serbie për ta penguar edhe administrimin, edhe sigurinë e Republikës së Kosovës. Ndoshta nuk ishte kjo forma më e mirë, mirëpo megjithatë është një harmonizim dhe një qëndrim edhe i Qeverisë që ne të fillojmë punën sa më parë në objektet e komunës”, tha Zeqiri.

    Ai tha se edhe në ditët të ardhshme do të vazhdojnë punën me rrjedhë normale.

    Grupe të ndikuara nga shërbime të ndryshme të Serbisë edhe të Rusisë, sipas kryetarit Zeqiri, e kanë pru qytetarin në një hapësirë të jetës shumë të ngushtuar.

    “Ne mendojmë që do të funksionojmë me rrjedhë normale. Duke qenë të bindur se secili qytetari i vynë edhe i duhet shërbimi por edhe liria e jetës. Këto grupe të ndikuara nga shërbime të ndryshme të Serbisë edhe të Rusisë e kanë pru qytetarin në një hapësirë të jetës shumë të ngushtuar, duke mos guxuar as të punojë i lirë e as të veprojë i lirë, por sipas diktateve të tyre qysh ata i udhëzojnë të punojnë dhe veprojnë, herë pas here edhe i shtynë me zor të dalin të bëjnë ndoshta një protestë ose t’i pengojnë organet e drejtësisë, të sigurisë, i keqpërdorin, kryesisht herë pas here edhe femrat edhe të miturit i qesin përballë. Kjo është taktika e veprimit të atyre mekanizmave kriminale”, tha Zeqiri.

    Ai tha se beson që administrimi në bazë të infrastrukturës së Republikës së Kosovës do të jetë i pranueshëm për të gjithë qytetarët. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të tij e gjeni në videon e më poshtme nga minuta 50:00:

  • Dëshmon partnerja e Ivanoviçit, thotë se nuk e di kush e vrau!

    Dëshmon partnerja e Ivanoviçit, thotë se nuk e di kush e vrau!

    Pas shumë përpjekjeve e thirrjeve të Gjykatës, partnerja e ish-politikanit serb, Oliver Ivanovic, ka dhënë dëshminë e saj, por online përmes video-linkut, nga kryeqyteti i Serbisë.

    Dëshmia e Milena Popovicit, që zgjati më shumë se dy orë, nuk u lejua të xhirohet nga trupi gjykues.

    Gjyqtari Valon Kurtaj nuk dha arsyetim me shkrim, duke mos u lëshuar në detaje se pse mund të dëmtohen hetimet, kur gjykimi pothuajse është në përfundim.

    “Kamerat i ndaloni, mund të marrin gazetarët shënime, mirëpo video-incizim jo”, tha Kurtaj.

    Duke iu përgjigjur pyetjes së Prokurorisë, Milena Popovic mohoi të ketë deklaruar në media se e di kush është vrasësi i Ivanovicit. Ajo tha se nuk ka pasur presion apo kërcënime që nuk dha dëshmi deri tash.

    “Së pari asnjëherë nuk kam th[në që unë e di se kush e ka vrarë Oliverin. Po ta dija, do ta dinit edhe ju, edhe gjithë bota. Që kam thënë se do të paguaj kush qëndron, kam thënë. Kjo do të thotë që çdo e vërtetë do të zbardhet. Këto fjalë do të dëgjohen, edhe ai i dëgjon, unë do ta tregoj e do ta drejtoj gishtin, edhe nëse është vëllai im. Le ta dëgjojnë të gjithë, do ta paguaj ai kurdoherë”, tha Popovic.

    Popovic është pyetur edhe lidhur me kamerat e sigurisë, të cilat sipas aktakuzës Silvana Arsoviq, sekretare e partisë që e drejtonte Ivanovici, i kishte shkyçur në ditën kritike.

    “Oliveri kishte vendosur kamera për ta përcjellë zyrën dhe ato kanë qenë aty nonstop, që të incizojnë nëse diçka potencialisht ndodh. Kamerat u vendosën pas një incidenti në zyrë. Kamerat kanë qenë në funksion gjatë gjithë kohës. Kam dëgjuar nga mediat se në ditën kritike kamerat s’kanë punuar, por unë kam qenë e bindur që ato punonin”, tha Popovic.

    Partnerja e ish-politikanit Ivanoviq deklaroi se nuk i njeh asnjërin nga të akuzuarit, përveç Arsoviqit, për të cilën tha se është e bindur në pafajësinë e saj.

    “Mund të them që është marrë që ajo u akuzu, ajo ka qenë si motra e tij për Oliverin. Padrejtësi e madhe çka po ndodh ndaj saj. Te tjerët i di si pamje i kam dëgjuar neper biseda e di qe ka qene nw marrëdhënie korrekte me Boikon. Me Raidoqiqin ka qene kundërshtar politik e nuk e ka dashur shume, kaq është ajo që unë di”, tha Popovic.

    Popovic, e cila aktualisht është sekretare e Ministrisë së Kulturës në Beograd, e deputete e partisë së Aleksandër Vucicit, në mandatin e kaluar, në pyetjen e Prokurorisë se pse iu bashku kësaj partie, tha se ishte vullnet i saj politik, të cilin ia kishte shprehur edhe ish-partnerit të saj sa ishte gjallë.

    Madje, Popovic i kishte kërkuar që të bashkohej me partinë e Vucicit, me të cilin bashkë me Olivierin ishin takuar disa herë në Beograd, por ish-politikani serb kishte vendosur të qëndrojë në partinë Liri, Demokraci dhe Drejtësi.

    Ndërkohë, për mbrojtjen dëshmia e saj nuk u pa relevante për zbardhjen e rastit.

    Prokuroria i akuzon Marko Roshiqin, Nedelkjo Spasojeviqin, Dragisha Markoviqin, Zharko Jovanoviqin, Silvana Arsoviqin dhe Rade Basaran, për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviq, i cili u gjet para selisë së partisë së tij, në Mitrovicën e Veriut, në janar të 2018-ës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Hapet oda nordike në Kosovë, ftohen investuesit e huaj

    Hapet oda nordike në Kosovë, ftohen investuesit e huaj

    Urë lidhëse ndërmjet bizneseve të vendeve nordike dhe Kosovës, po shihet Oda Nordike e Tregtisë në Kosovë, e cila u hap këtë të premte.

    Kryeministri Albin Kurti tha se kjo dhomë biznesi do të shërbejë si një katalizator për përparimin, një platformë që nxit bashkëpunimin, inovacionin dhe sipërmarrjen.

    “Një nga objektivat kryesore të rajonit nordik do të jetë mbështetja e investitorëve të mundshëm nga vendet nordik, për të eksploruar mundësitë e investimeve dhe shkëmbimit tregtar për dhe nga Kosova”, tha Kurti.

    Për bashkëpunime mes bizneseve nordike dhe kosovare, sipas ministres Rozeta Hajdari, ofrohen mundësi të mira.

    “Dëshiroj të ndaj me ju mundësitë që ministria jonë po i jep sektorit privat përmes negocimit dhe nënshkrimit të marrëveshjeve të mira të programit të tregut të përbashkët të BE-së, në vlerë prej 4.2 miliardë euro për vitet 2020-2027 ku vendet nordike dhe vendet e tjera evropiane mund të lidhen me Kosovën”, tha Hajdari.

    Me hapjen e kësaj ode, po vlerësohet se do të shtohen edhe vendet e reja të punës.

    “Dhoma Nordike e Tregtisë do të shërbejë si një qendër qendrore për rrjetëzimin e biznesit, avokimin dhe shërbimet mbështetëse. Do të jetë një vend ku sipërmarrësit, pronarët e bizneseve të vogla dhe kompanitë e themeluara mund të bashkohen për të punuar dhe, gjithashtu, për të shkëmbyer ide, për të eksploruar mundësitë dhe për të bashkëpunuar në projekte që do të na sjellin dobi të gjithëve”, tha kryetarja e Odës Nordike, Afërdita Pllana-Ibrahimi.

    Edhe ambasadorët e Suedisë dhe Finlandës me mandat në Kosovë, vlerësuan se me hapjen e Odës Nordike, zhvillimi ekonomik mund të përmirësohet dhe bashkëpunimi mes vendeve do të rritet. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Ministri Osmani: Kosova e Serbia t’i shmangin tensionet

    Ministri Osmani: Kosova e Serbia t’i shmangin tensionet

    Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së ka qëndruar për vizitë të premten në Kosovë.

    Osmani është pritur nga liderët e vendit, ndërsa për media u deklarua pas takimit me homologen e tij, Donika Gërvalla.

    Ai ka thënë se OSBE-ja, por edhe Maqedonia e Veriut, e mbështet dialogun Kosovë – Serbi, duke u bërë thirrje dy shteteve të shmangin tensionet dhe të ecin përpara.

    “Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë bashkëpunim të mirë, jemi fqinjë të derës së parë, jemi dakorduar që të kemi investime në fqinjësi të mirë. Sot vizita në Prishtinë i kushtohet misionit të OSBE-së në Kosovë. Kemi pasur një takim të frytshëm. Qëllim është që t’i inkurajojmë institucionet që të bazohen në OSBE. Ne mbështesim fuqimisht dialogun nga BE-ja dhe inkurajojmë progresin për deklaratën për personat e pagjetur. Të kemi dialogun si prioritet, dialogu është dëshmuar që të jetë i frytshëm. Jemi të lumtur që e kemi mirëpritur takimin në Ohër. Ne e mbështesim marrëveshjen”, tha Osmani.

    Ndërsa, ministrja Donika Gërvalla foli për marrëdhëniet Kosovë – Maqedoni e Veriut.

    “Falënderova Osmanin edhe në cilësinë e ministrit për bashkëpunim, që e kemi me Maqedoninë e Veriut, diskutuam për bashkëpunimin në shumë fusha. U pajtuam që kemi nevojë që të punojmë më shumë. Biseduam edhe për implementimi e marrëveshjeve të Berlinit, të dy u pajtuam që të gjitha shtetet që kanë nënshkruar këto marrëveshje duhet t’i implementojnë”, tha Gërvalla

    Për bashkëpunime dhe projekte mes dy shteteve është diskutuar edhe në takimet që ministri Osmani ka zhvilluar me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Serbët e Kosovës, në mbështetje të Vuçiqit!

    Serbët e Kosovës, në mbështetje të Vuçiqit!

    Stacioni i autobusëve në Graçanicë dhe Mitrovicë të Veriut mbrëmë ishte përplot.

    Serbët e Kosovës, në mënyrë të organizuar, e me autobusë të kompanive shqiptare, u nisën drejt Beogradit, për t’i shprehur mbështetje Vuçiqit, i cili po përballet me protestat e opozitës.

    Stefan Stojanovic nga fshati Dobratin, Vuçiqin e sheh si shpresë të vetme për ta.

    “Ne shkuam në një tubim në mbështetje të presidentit tonë Aleksandar Vuçiq. Më shumë se kurrë kemi nevojë për unitet dhe harmoni. Nuk ka qenë kurrë më e vështirë për popullin serb, jo vetëm në veri të Kosovës dhe Metohisë, por edhe për ne në jug. Shpresojmë se presidenti, si më parë, do të jetë me ne. Jemi të vetëdijshëm se vetëm me ndihmën e tij mund të mbijetojmë në KM”, tha Stefan Stojanovic, serb nga Kosova.

    Numri i madh i bashkëkombësve, i gëzoi serbët e tjerë.

    “Do ta mbështesim dhe falënderojmë presidentin, për të treguar se jemi me të dhe do të jemi gjithmonë”, tha Ivan Nedelkovic, serb nga Kosova.

    “Më vjen mirë që erdhëm në numër të madh. Autobusët janë plot me njerëz, të gjithë janë në humor të mirë. Nesër është dita e shpresës, jemi nisur të mbështesim presidentin tonë Aleksandar Vuçiq”, tha Jellena Stojanovic, serbe nga Kosova.

    Sipas mediave serbe, bëhet fjalë për afro mijëra serbë që kanë shkuar nga Kosova, por, këto të dhëna nuk janë konfirmuar nga Policia Kufitare e Kosovës.

    Pas disa orëve rrugë, mbërritën në Beograd duke iu bashkuar pjesës tjetër së turmës, që i është përgjigjur thirrjes së Vuçiqit, për protestën e cila filloi në orën 19:00. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Shumë deputetë të LV-së janë vetëm “fizikisht” në seancat plenare

    Shumë deputetë të LV-së janë vetëm “fizikisht” në seancat plenare

    Janë më së shumti në numër, por deputetët e partisë në pushtet, fjalën në Kuvend e marrin më së paku.

    Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, sipas monitoruesve të punës së Kuvendit, po konsiderohen si më pasivët, sa i përket aktivitetit të tyre parlamentar.

    “Deputetët individualisht duhet t’i shfrytëzojnë të gjithë mekanizmat që ua ofron kuvendi. Nëse një deputet vjen nga një zonë e caktuar duhet t’i mbajë përgjegjës ministrat e fushave në projektet që po zhvillohen në atë zonë. Ky pasivitet është edhe ikje nga funksioni në kuptim që largohen nga kërkesa për llogaridhënie dhe përgjegjësi ndaj ekzekutivit”, tha Arbër Thaçi nga KDI.

    Pasiviteti i tyre, sipas analistit Bekim Kabashi, lidhet me mungesën e përvojës në politikë.

    “Një pjesë e deputetëve e përfaqësojnë popullin e Kosovës për herë të parë dhe për herë të parë marrin pagë deputeti dhe është mungesë e përvojës së tyre e punë së mëhershme. Kemi një pjesë të madhe të deputetëve që nuk janë të përgatitur për detyrën që e kanë marrë”, tha analisti Bekim Kabashi.

    Sipas një hulumtimi të Institutit të Drejtësisë të Kosovës, brenda vitit 2022, disa
    prej deputetëve të Vetëvendosjes janë deklaruar vetëm 2 deri në 4 herë.

    Madje, ka prej tyre që asnjëherë nuk janë deklaruar.

    Ndërkaq, deputetët më aktivë janë konsideruar ata prej grupit parlamentar të AAK-së, PDK-së e më pas të LDK-së. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: