Kosova vazhdon të ketë pagën minimale më të ulët krahasuar me shtetet e rajonit. Për ekonomistët niveli i pagës minimale është shqetësues derisa vlerësojnë se pasi një viti zvarritje nga Qeveria për ngritje të pagës minimale shuma prej 250 euro nuk është e mjaftueshme.
Kosova vazhdon të ketë pagën minimale më të ultë në rajon.
Derisa rritja e pagës minimale në vend tash e më shumë se një vit është duke u tentuar të rritet në 250 euro, ekonomistët e vlerësojnë shqetësues faktin që Kosova ka pagën minimale më të ulët se të gjitha vendet e rajonit.
“Në Kosovë vazhdon të jetë paga minimale 130 deri në 170 euro që është shumë e ulët dhe iniciativa që paga minimale të rritet në 250 euro tash është e paarsyeshme…
Andaj kërkohet që paga më të ulet se 400 euro të mos ketë.
Të hënën, më 29 maj Komisioni për Buxhet pas disa dështimeve radhazi, pritet të diskutojë sërish rreth pagës minimale.
Ministria e Arsimit ka bërë gati një udhëzim administrativ për vlerësimin e perfomancës së mësimdhënësve. Përveç mekanizmave të jashtëm, vlerësim për ta do të japin nxënësit, kolegët dhe drejtorët e shkollave. Njohësit e arsimit thonë se kjo do të ndikojë në rritjen e cilësisë, derisa si e tillë po përkrahet edhe nga SBASHK-u.
Për njohuritë që ua japin nxënësve, mësimdhënësit pritet të vlerësohen së shpejti. Kjo do të rregullohet me udhëzim administrativ, që tashmë është bërë gati nga Ministria e Arsimit. Madje, për punën e tyre, vlerësim do të japin edhe nxënësit, kolegët e drejtori i shkollës.
Përveç kësaj, mësuesit do të vlerësohen edhe nga mekanizma të jashtëm, që do ta monitorojnë punën e tyre. Po ashtu, ata do të vlerësohen edhe për sjelljet me nxënës, njohuritë, shkathtësitë e angazhimin profesional të tyre.
Udhëzimi administrativ parasheh që këto vlerësime të bëhen gjatë 4 fazave, që përfshijnë vlerësimin në hyrje të profesionit, gjatë fazës së mësimdhënies me licencë të karrierës, atë me licencë të avancuar dhe në fazën me licencë të përhershme.
Një vlerësim i tillë për njohësit e arsimit është në të mirë të cilësisë.
“Paraqet goxha një ristrukturim të asaj se si është bërë vlerësimi i perfomancës së mësimdhënësve deri më sot, pra nxit për vlerësim të vazhdueshëm të perfomancës së mësimdhënësve dhe, më e rëndësishmja, i prezanton një seri mekanizmash, përfshirë atë me bazë në shkollë, që do të na garantojë një vlerësim të perfomancës që nuk është ndëshkues, por mbi të gjitha është përkrahës për punën e mësimdhënësve”.
Përkundër se qe kategorikisht kundër testimeve me shkrim për mësimdhënësit, për çështjen e vlerësimit është dakord edhe Sindikata që mbron të drejtat e tyre.
Edhe ajo pranon se një gjë e tillë do të rriste cilësinë në arsim, vetëm së kërkon që kjo të bëhet nga inspektorë të avancuar.
“Ne sado që është përdorur ajo fjala “testim me shkrim” eventual të njohurive për mësimdhënësit, e kemi kundërshtuar, por kemi insistuar edhe në takimet me MASHT-in, që të shtohen kapacitetet njerëzore të departamenteve e inspektorëve që ata të shkojnë në shkolla të vizitojnë mësimdhënësit tanë për të parë nga afër punën e tyre dhe pse jo të këshillohen që lëshimet eventuale që i përcjellin gjatë punës së përditshme t’i tejkalojnë”.
Udhëzimi administrativ tashmë ka dalë në konsultime publike dhe SBASHK-u thotë se presin që të dërgohen sa më shumë komente edhe nga drejtoritë komunale të arsimit.
Brenda një viti, disa prej deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kanë folur pak përgjatë seancave. Bazuar në monitorimin e punës së kluvendit, rezulton se një numër goxha i lartë prej tyre morën fjalën vetëm 4 herë e disa asnjëherë. Shumica e këtyre deputetëve, pasivë janë të partisë në pushtet.
Janë më së shumti në numër, por deputetët e partisë në pushtet, fjalën në Kuvend e marrin më së paku.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, sipas monitoruesve të punës së Kuvendit, po konsiderohen si më pasivët, sa i përket aktivitetit të tyre parlamentar.
“Deputetët individualisht duhet t’i shfrytëzojnë të gjithë mekanizmat që ua ofron kuvendi. Nëse një deputet vjen nga një zonë e caktuar duhet t’i mbajë përgjegjës ministrat e fushave në projektet që po zhvillohen në atë zonë. Ky pasivitet është edhe ikje nga funksioni në kuptim që largohen nga kërkesa për llogaridhënie dhe përgjegjësi ndaj ekzekutivit.”
Pasiviteti i tyre, sipas analistit Bekim Kabashi, lidhet me mungesën e përvojës në politikë.
“Një pjesë e deputetëve e përfaqësojnë popullin e Kosovës për herë të parë dhe për herë të parë marrin pagë deputeti dhe është mungesë e përvojës së tyre e punë së mëhershme. Kemi një pjesë të madhe të deputetëve që nuk janë të përgatitur për detyrën që e kanë marrë.”
Sipas një hulumtimi të Institutit të Drejtësisë të Kosovës, brenda vitit 2022, disa prej deputetëve të Vetëvendosjes janë deklaruar vetëm 2 deri në 4 herë.
Madje, ka prej tyre që asnjëherë nuk janë deklaruar.
Ndërkaq, deputetët më aktivë janë konsideruar ata prej grupit parlamentar të AAK-së, PDK-së e më pas të LDK-së.
Në gjysmën e muajit qershor do mbahet mbledhja mes dy qeverive: asaj të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, konfirmoi për ATV-në Qeveria e Kosovës. Ministrat e të dy qeverive pritet edhe t’i nënshkruajnë disa marrëveshje të reja, derisa shumë prej të vjetrave, konsiderohet se tashmë janë zbatuar.
Gjakova do jetë nikoqire e qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës për mbledhjen e radhës e cila do mbahet më 14 qershor. Atë ditë, pritet të nënshkruhen edhe marrëveshje të reja në disa fusha.
Mbledhja e dy qeverive është planifikuar të zhvillohet në datën 14 qershor në qytetin e Gjakovës. Në këtë takim palët do nënshkruajnë marrëveshje të reja ndërmjet tyre. Marrëveshjet që pritet të nënshkruhen përfshijnë fusha të tilla si arsimi, drejtësia, shëndetësia, bujqësia dhe të tjera.
Derisa shumica e marrëveshjeve të vjetra të arritura në dy mbledhjet e fundit sipas Qeverisë së Kosovës, thuhet se janë zbatuar.
Në dy mbledhjet e fundit të dy qeverive (data 26 nëntor 2021 dhe 20 qershor 2022) janë nënshkruar 41 marrëveshje (qeveritare, ndërministrore dhe ndërinstitucionale), implementimi i të cilave është me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, bizneseve e më gjerë si dhe ka zgjidhur problematika të mbartura ndër vite. Përveç dy marrëveshjeve që janë të fazën finale të implementimit të gjitha marrëveshje tjera kanë gjetur zbatim të plotë.
Por, sipas njohësve të marrëdhënieve Kosovë – Shqipëri, zbatimi i marrëveshjeve në përgjithësi lë për të dëshiruar.
“Një qeveri mbahet përgjegjëse edhe për marrëveshjet tjera që kanë nënshkruar qeveritë e kaluara… nuk mund të ndahen me mandate…”
Në 8 mbledhjet e përbashkëta ndërqeveritare që kanë filluar nga viti 2014, sipas koordinatorit të dy qeverive, Gentian Sala, janë nënshkruar 88 marrëveshje. Të mërkurën e 14 qershorit, do jetë e 9-ta mbledhje.
Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin gjatë vizitës që pati sot në Kosovë ka kritikuar ngjarjet e së premtes në veri duke thënë se për një “budallallëk” sic e quaji, nuk mund të prishet marrëveshja e Ohrit. Gjatë ditës ai takoi edhe presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti.
Pa kaluar ende 24 orë nga tensionet në veri, në Kosovë ateroi emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Gjatë vizitës në Mitrovicën e Veriut, politikani gjerman kritikoi veprimet e së premtes.
“Nuk do të lejojmë që marrëveshja e Ohrit që ofron mundësi, të hidhet poshtë për shkak të një budallallëku. E kuptoj se për shumë njerëz në Republikën e Kosovës, deklaratat për marrëveshjen e Ohrit e ardhura nga Beogradi janë të papranueshme dhe vështirë të kuptueshme. Por, çdo politikan në këtë vend dhe rajon ka përgjegjësi për veprimet e veta”
Por, para se të nisej në Veri, gjermani, takoi kryeministrin Kurti e presidenten Osmani, të cilët cili ia treguan këndvështrimin për hyrjen e kryetarëve në objektet komunale.
“Në takim u diskutua për procesin e pas-zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit, përfshirë këtu betimin dhe ditën e parë në punë të kryetarëve të zgjedhur. Kryeministri theksoi rëndësinë e respektimit të rezultateve të zgjedhjeve demokratike, duke shtuar se shkuarja e kryetarëve të komunës në zyrat e tyre të punës dhe ofrimi i shërbimeve bazike për qytetarë duhet të trajtohen si gjë normale”.
“Kosova ka ndërmarrë veprime muajt e fundit për të shtensionuar situatën pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave në veri të vendit në nëntor te vitit te kaluar dhe proceset demokratike e ligjore kanë vazhduar në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën”.
Krejt në fillim të ditës, emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor takoi komandantin e KFOR-it, Angelo Ristuccia për të diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë.
Situata në tri komunat Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, ku një ditë më parë pati tensione, sot është e qetë. Në punë doli vetëm kryetari i Leposaviqit, derisa njësitë speciale vazhdojnë t’i ruajnë objektet e komunave. Gjatë ditës në veri u pa edhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, i cili nuk tregoi se edhe sa kohë Policia do t’i asistojë kryetarët e rinj.
Për dallim nga një ditë më parë situata në veri të Kosovës të shtunën ishte e qetë.
Derisa gjatë së premtes u hodhën gurë në drejtim të Policisë e pati të shtëna më armë zjarri, qytetarët serbë në Leposaviq u panë më të relaksuar.
Atyre nuk iu pengoi as prania e kryetarit të ri, ndonëse objekti i Komunës vazhdon të ruhet nga njësitë speciale.
“Edhe pse ditë e shtunë, kryetari i Leposaviqit Lulzim Hetemi, erdhi në vendin e tij të punës.”
Gjatë qëndrimit gati dy orësh në zyre, ai e priti në takim ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Pas takimit, Sveçla u tregua i bindur se situata e krijuar do të tejkalohet.
“I dëshirova punë të mbarë, shpreha mbështetjen tonë dhe u pajtuam që të gjitha institucionet të punojnë për të mirën e qytetarëve. Përkundër vështirësive ne jemi të bindur që të gjitha vështirësitë do ti tejkalojmë”.
I pyetur se edhe sa kohë Policia do t’i asistojë kryetarët, ministri i Brendshëm nuk u përgjigj. Kurse, i shoqëruar nga mbrojtja e afërt, kryetari Lulzim Hetemi ndihet shumë i sigurt.
Ndërkohë, pjesëtarë të Policisë, kanë hequr edhe kamerat ilegale, të vendosura afër komunës së Leposaviqit.
Situatë e qetë ishte edhe në komunën tjetër veriore me shumicë serbe. Veçse kryetari i Zveçanit, Ilir Peci gjatë ditës nuk doli në punë. Por, pavarësisht kësaj, dikush u përkujdes që flamujt serb të vendosur para objektit të komunës, të zëvendësohen me atë Republikës së Kosovës.
Në punë nuk doli as kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqri i cila tha se është ditë pushimi. Njësitet speciale vazhdojnë ta ruajnë edhe objektin e kësaj komune, derisa situata po monitorohet edhe nga KFOR-i.
Kryetarët e rinj të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – që të gjithë shqiptarë u betuan më 25 maj, derisa një ditë me vonë nën tensione hynë brenda hapësirave komunale për herë të parë.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, është duke qëndruar në Kosovë, ku pritet të takohet më liderët shtetërorë, me përfaqësues të KFOR-it, EULEX-it dhe me serbët e Kosovë në Mitrovicë.
Von Cramon, gjithashtu, nga Kosova ka dënuar “dhunën dhe veprimet në veri”, duke kërkuar që të gjitha palët duhet të përmbahen dhe të zbatohen menjëherë të gjitha marrëveshje e ariut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kam filluar vizitën në Kosovë me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe me mediat për të marrë më tepër informata për situatën e djeshme në veri dhe zhvillimet aktuale, para se të takohem me zyrtarët qeveritarë, me KFOR-in, EULEX-in dhe serbët e Kosovës në Mitrovicë”.
“I dënoj dhunën dhe veprimet në veri. Duhet frenim nga dyja palët dhe përkushtim i plotë ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja, si dhe zbatim i menjëherë i marrëveshjeve të arritura. Përkrahje e plotë për Miroslav Lajçak në angazhimin e tij”, ka shkruar Von Cramon në Twiter.
Ndryshe, situata në veriun e Kosovës duket e qetë të shtunën, një ditë pasi grupe qytetarësh serb u përplasën me policinë e cila po ndihmonte kryetarët e rinj të tre komunave të banuara me shumicë serbe në veriun e vendit, për të hyrë në zyrat e tyre.
Policia hodhi gaz lotsjellës të premten në hyrje të komunës së Zveçanit për të shpërndarë grupet e serbëve lokalë që hodhën gurë e shashka mbi pjesëtarët e policisë, ndërsa i vuri flakën të paktën një makine. Policia tha se pesë pjesëtarë të saj pësuan lëndime, ndërsa katër makina u dëmtuan gjatë përleshjeve.
Po ashtu pati dëmtim makinash të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.
Rreth 10 persona kërkuan ndihmë mjekësore në një spital lokal duke u ankuar për lëndime të lehta dhe ndikimin e gazit lotsjellës.
Situata e qetë sot ka qenë në Komunën e Leposaviqit. Aty është parë edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili vizitoj kryetarin e kësaj komune, Lulzim Hetemi. Ndërkohë, është parë një numër i shtuar i zyrtarëve policor të cilët kanë hequr edhe kamerat ilegale, të vendosura afër komunës.
Në këtë komunë gjithçka është qetë derisa flamuri i Kosovës, i cili është vendosur dje, po valëvitet në objektin e komunës.
Ndryshe, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Presidentja ka theksuar se veprimet kriminale në veri të orkestruara nga struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi kanë për qëllim moslejimin e kryetarëve të ri të komunave në veri të vendit të ushtrojnë detyrat sipas ligjit dhe kushtetutës dhe instrumentalizimin e popullatës lokale serbe për të krijuar vakum institucional, klimë të përgjithshme frike dhe pasigurie.
“Presidentja Osmani ka përsëritur se veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e grupeve kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim.
Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ndodhet për një vizitë në Kosovë, ndërsa është takuar edhe me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, një ditë pas tensionimit të situatës në veri.
Sarrazin ka pohuar sot se bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë që për ndonjë “budallallëk” të hidhen poshtë të arriturat nga Marrëveshja e Ohrit.
Sipas emisarit gjerman Kosova me qasjen e djeshme nuk mund t’i afrohet BE-së.
“Marrëveshja e arritur në Ohër me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, përfaqësuesit të jashtëm Borrell dhe emisarit Lajcak është mundësi e mirë për gjithë rajonin, e sidomos Kosovën dhe Serbinë për paqe dhe qetësi. Mesazhi im për sot është që ne nuk do të lejojmë që marrëveshja e Ohrit që ofron mundësi, të hidhen poshtë për shkak të një budallallëku…
E kuptoj se për shumë njerëz në Republikën e Kosovës, deklaratat për marrëveshjen e Ohrit të ardhura nga Beogradi janë të papranueshme dhe vështirë të kuptueshme. Por, çdo politikan në këtë vend dhe rajon ka përgjegjësi për veprimet e veta…”, tha ai.
Ndryshe, të premten në veri u tensionua situata pasi kryetarët tentuan të hyjnë në zyrat e tyre të punës. Ata u asistuan nga Policia e Kosovës për të hyrë në objektin e komunave, derisa grumbull i qytetarëve serbë tentonin t’i pengonin.