ATV

Category: Lajme

  • Peci i shkon në zyrë kryetarit të Mitrovicës së Veriut: I ofrova mbështetje për sfidat që e presin

    Peci i shkon në zyrë kryetarit të Mitrovicës së Veriut: I ofrova mbështetje për sfidat që e presin

    Ministri i Bujqësisë Faton Peci e ka vizituar në zyrë kryetarin e ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.

    Peci, përmes një postimi në Facebook, tha se i ofron mbështetje të plotë në sfidat që e presin.

    “Sot në mëngjesin e hershëm kisha kënaqësinë që bashkë me Zëvendësministrin e Brendshëm, Blerim Gashani, të vizitoj kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq. I ofrova mbështetje të plotë për sfidat që e presin”, ka shkruar Peci në Facebook.

    Peci tha se e gëzon fakti që për një periudhë të shkurtër Atiqi ka konsoliduar ekip në përbërje shumë etnike.

    “Na gëzon fakti që për një periudhë të shkurtër, ai ka konsoliduar ekipin në përbërje shumë etnike, që është refleksion i vullnetit politik dhe gjenerozitet i shoqërisë kosovare për të krijuar mundësi për të gjitha komunitetet”, ka shtuar ai.

  • Sulmohet fizikisht një person në një kafene në Leposaviq

    Sulmohet fizikisht një person në një kafene në Leposaviq

    Një person ka raportuar në Policinë e Kosovës se dje derisa ishte duke qëndruar në një kafiteri në Leposaviq, është sulmuar fizikisht nga një i dyshuar i panjohur.

    Lidhur me këtë rast, Policia thotë se viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe më pas është liruar për në shtëpi.

    Në raportin 24-orësh, thuhet se rasti është cilësuar “Lëndim i lehtë trupor”, derisa është ende në hetime nga njësitet policore.

    “LËNDIM I LEHTË TRUPOR Leposaviq 27.05.2023-19:00. Viktima mashkull kosovar, ka njoftuar se deri sa ishte duke qëndruar në një kafiteri , është sulmuar fizikisht nga një i dyshuar i pa njohur. Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe më pas është liruar për në shtëpi. Rasti është duke u hetuar nga njësitet policore”, thuhet në raportin e Policisë.

  • “Asociacion pa kompetenca ekzekutive”, serbët në veri presin marrëveshje për situatën

    “Asociacion pa kompetenca ekzekutive”, serbët në veri presin marrëveshje për situatën

    Situata në komunat veriore vlerësohet e qetë pas incidenteve të së premtes ku kryetarët Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, u penguan që të hyjnë në objektet komunale që për pasojë u lënduan disa policë si dhe u dogjën e u dëmtuan vetura zyrtare e civile.

    Analisti nga veriu, Branisllav Kërstiq, konsideron se situata po tensionohet tash kur ka marrëveshje dhe po kërkohet me ngulm zbatimi i tyre nga ndërkombëtarët.

    Duke nënkuptuar zgjedhjen e nënkryetares së Mitrovicës së Veriut, Katarina Axhanqiq, Kërstiq thotë se nuk mund të merren njerëz të pashkolluar për t’u emëruar në institucione vetëm pse janë të nacionalitetit serb.

    Kërstiq thotë se mesazhet për shmangien e tensioneve të mëtutjeshme janë shumë serioze, ndërsa beson se epilogu përfundimtar rreth kësaj situate do të përcaktohet me ndikimin e fuqive euroatlantike.

    Kërstiq potencon se deri në fund të vitit 2023 do të formohet një lloj i Asociacionit për serbët, por pa kompetenca ekzekutive dhe territoriale, ndërsa deri në shtator të vitit të ardhshëm ai e sheh të zgjidhur tërësisht problemin midis Kosovës dhe Serbisë.

    Serbët lokalë në veri urojnë për një marrëveshje sa më të shpejtë politike “për të rregulluar gjërat” në këto komuna. Ata thonë se nuk i njohin kryetarët e rinj të komunave të zgjedhur përmes votës më 23 prill.

    Svetomir Boshkoviq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, duke folur për kryetarin e sapozgjedhur të Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, thotë se i dëshiron suksese në udhëheqjen e qytetit. Ai përmend punën e Policisë së Kosovës për të vënë rregull në komunikacion si hap pozitiv ditëve të fundit.

    Millena Jakshiq, qytetare nga Zubin Potoku bën të ditur se nuk i njeh kryetarët e rinj, por thotë se shpreson se deri në fund të këtij viti gjërat do të rregullohen në kuadër të një marrëveshjeje politike.

    Tensionet në veri të vendit u shtuan pasi njerëz me të dyshuar kriminale penguan kryetarët e zgjedhur më 23 prill të hyjnë në objektet e Kuvendeve Komunale në Zveçan, Leposaviq si dhe Zubin Potok.

    Për shkak të sulmeve ndaj tyre, policia u detyrua që të përdorë gazin lotsjellës si dhe shok-bomba për të shpërndarë qytetarët, të cilët përpos Policisë, sulmuan edhe përfaqësuesit e mediave si dhe civilë të tjerë.

    Policia deklaroi se të paktën pesë zyrtarë janë lënduar si pasojë e sulmeve ndaj tyre.

    Ndërkombëtarët, të prirë nga Shtetet e Bashkuara, kërkuan nga Kosova që të përmbahet nga “çdo veprim i mëtejmë që do t’i ndezë tensionet dhe do të nxisë konflikt”, ndërkaq Bashkimi Evropian, po ashtu dënoi “veprimet e njëanshme” të Prishtinës.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se shkuarja në vendet e punës së kryetarëve të rinj, të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit në komunat në veri duhej të ishte gjëja më normale e mundshme./KP

  • Borxhet e FSSh-së i lënë pacientët pa shërbime shëndetësore, Vitia: Do të bëhet një plan

    Borxhet e FSSh-së i lënë pacientët pa shërbime shëndetësore, Vitia: Do të bëhet një plan

    Borxhi prej rreth 30 milionë eurove i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore karshi institucioneve private në vend dhe atyre jashtë vendit, po i lë pacientët pa marrë trajtim shëndetësor për mjekimin që nuk po mund ta marrin në institucionet publike në vend. Kjo po ndodh pasi që fletë-zotimet e lëshuara nga FSSH nuk po njihen nga këto spitale për shkak të borxheve të papaguara.

    Shoqata për të Drejtat e Pacientëve kërkon që sa më shpejt institucionet përgjegjëse të gjejnë një zgjidhje për pagesën e këtij borxhi, pasi pacientët vetëm sa po varfërohen, duke u munduar t’i sigurojnë vetë mjetet për shërim.

    Ndërsa, nga Fondi për Sigurime Shëndetësore thonë se si institucion nuk kanë mjete për shlyerjen e këtij borxhi milionësh, ndërkaq ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia deklaron se do të bëhet një plan për këtë çështje bazuar në evidenca.

    Kryetari i PRAK-ut, Besim Kodra deklaron për KosovaPress se pacientët e Kosovës po pësojnë nga këto telashe financiare që i ka Fondi për Sigurime Shëndetësore.

    Ndërsa, ushtruesi i detyrës së Fondit për Sigurime Shëndetësore, Bujar Kaçuri deklaron se tashmë kanë themeluar një Komision që ka për obligim evidentimin e borxheve, të cilat Fondi i ka në spitalet private e publike jashtë vendit.

    Edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të FSSH-së, Bujar Kaçuri pranon se ka raste kur spitalet ndaj të cilave ka borxhe Fondi, pacientëve nuk po ua pranojnë fletë-zotimet e lëshuara nga ky institucion.

    Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, duke mos dhënë ndonjë afat se kur mund të bëhen këto pagesa deklaron për KosovaPress se kanë takuar spitalet ndaj të cilave Fondi ka borxhe dhe tashmë po presin evidencat e një grupi punues në bazë të të cilave do të hartohet edhe plani për shlyerjen e këtyre borxheve.

    Vitin e kaluar për shkak të dyshimeve për keqpërdorim dhe keqmenaxhim për trajtimin e pacientëve në klinikat private jashtë vendit, kryesisht në Turqi. Bordi i Fondi e ka shkarkuar nga detyra e drejtorit të Fondit, Fatmir Plakiqin./kp

  • Von Cramon pas takimit me Kurtin: Të zbatohet shpejtë dhe pa kushte marrëveshja bazë

    Von Cramon pas takimit me Kurtin: Të zbatohet shpejtë dhe pa kushte marrëveshja bazë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në mëngjes takoi Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

    Në njoftimin e lëshuar thuhet se ata biseduan për zhvillimet në vend, me theks procesin e dialogut në Bruksel dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe për procesin pas-zgjedhor në katër komunat në veri të vendit.

    Kryeministri rikujtoi se zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit ishin shtyrë një herë në dhjetor, dhe se tani pas mbajtjes së tyre me 23 prill, është e rëndësishme që të fillojnë sa më parë me ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët, të cilat kanë munguar që nga fillimi i muajit nëntor të vitit të kaluar pas dorëheqjes së kryetarëve pararendës.

    Ndërsa, për sa i përket dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit të saj, ai përsëriti që duhet zbatim i shpejtë, i plotë dhe i pakushtëzuar.

    Kryeministri shtoi që është kënaqësi të pres Cramonin në takim në këto kohë të rëndësishme dhe e falënderoi atë për përkrahjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian.​

    Në takim ishin edhe kryetarja e Komisionit Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, Fitore Pacolli Dalipi, dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

  • Vdes ish-kryetari i Mamushës, Arif Butuç

    Vdes ish-kryetari i Mamushës, Arif Butuç

    Ka vdekur ish-kryetari i Komunës së Mamushës, Arif Butuç, pas një ataku në zemër, në mëngjesin e së dielës.

    Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur familjarët, teksa kanë njoftuar se varrimi i të ndjerit do të bëhet sot.

    “Njoftim për të gjithë miqtë dhe të afërmit. Njoftojmë miqtë, të afërmit, bashkatdhetarët dhe dashamirët se sot daja im Arif Bütüç nderoi jetën. Varrimi bëhet me datë 28.05.23 në ora 16:30 në varrezat e fshatit në Mamushë”, thuhet në njoftimin.

    Butuç shërbeu për dy mandate si kryetar i Mamushës.

  • Aksident trafiku në Gjakovë: Vetura godet traktorin, shoferi dërgohet në gjendje të rëndë në QKUK

    Aksident trafiku në Gjakovë: Vetura godet traktorin, shoferi dërgohet në gjendje të rëndë në QKUK

    Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik, raporton Gazeta Sinjali.

    Një aksident trafiku ka ndodhur edhe dje në fshatin Babaj i Bokës në Gjakovë, ku janë përfshirë dy automjete, një veturë dhe një traktor.

    Si pasojë e ndeshjes, shoferi i traktorit ka pësuar lëndime të rënda trupore, ku fillimisht është trajtuar në Gjakovë e më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë.

  • Jetesa nën oxhaqet e qymyrit të djegur, çfarë thonë qytetarët e Obiliqit për ajrin e ndotur

    Jetesa nën oxhaqet e qymyrit të djegur, çfarë thonë qytetarët e Obiliqit për ajrin e ndotur

    Obiliqi, një qytezë industriale në pjesën qendrore të Kosovës afër Prishtinës.

    Qytetarët e Obiliqit, prej vitit 1962 bashkëjetojnë me tymin e oxhaqeve të Korporatës Energjetike të Kosovës, i cili sipas tyre, nga viti në vit po ua rëndon gjendjen mjedisore.

    Ata i thanë ATV-së, se ajri i ndotur nga përzierja e tymit, pluhurit dhe hirit ka janë erë të rëndë që e ngacmon frymëmarrjen, por ata pranojnë se viteve të fundit, situata është përmirësuar dukshëm sa i përket ndotjes.

    “Tash është më mirë se përpara. Ka filtera, i kanë ngjit. A-ja është pak ma e ndotur, B-ja jo”, thotë një qytetar.

    “Unë jetoj në Mazgit, nuk na bëjnë dëm shumë. Që me ba dëm, bëjnë në Milloshevë, Plemetin, Fushë Kosovës, po çka me ba tash”, thotë një tjetër qytetar.

    Deklaratat e plota të qytetarëve të Obiliqit i gjeni në videon më poshtë:

  • Parashikimi i motit me Erza Hotin

    Parashikimi i motit me Erza Hotin

    Dita e sotme në Kosovë pritet të ketë kryesisht reshje të shiut.

    Temperatura minimale do të jetë në Gjakovë me 11 gradë Celsius, ndërsa maksimalja pritet që të jetë në Prizren me 22 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në Kosovë pritet të ketë kryesisht reshje të shiut.

    Temperatura minimale do të jetë në Gjakovë me 11 gradë Celsius, ndërsa maksimalja në Pejë me 23 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Situatë e qetë në komunat në veri të Kosovës

    Situatë e qetë në komunat në veri të Kosovës

    Policia e Kosovës tha se në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, situata është e qetë.

    Veton Elshani nga Policia e Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë se situata në veri është stabile dhe se zyrtarët policorë po vazhdojnë të qëndrojnë afër ndërtesës së Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut. Ai që shtoi se nuk ka pasur asnjë incident gjatë natës.

    Më 26 maj, në këto tri komuna grupe të serbëve lokalë u përleshën me Policinë e Kosovës, e cila asistoi kryetarët e rinj shqiptarë që të hynin në zyrat e tyre. Ndërtesat e këtyre komunave paraprakisht janë përdorur nga strukturat paralele serbe.

    Policia përdori shok-bomba dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, ndërkaq serbët lokalë hodhën gurë në drejtim të policëve.

    Në Zveçan pati edhe të shtëna me armë zjarri.

    Disa vetura policore u dogjën, ndërkaq pesë policë u lënduan gjatë përleshjeve.

    Autoritetet në Kosovë kanë mbrojtur vendimin e tyre që kryetarët e rinj të veriut të hynin në zyrat e tyre.

    Por, faktori ndërkombëtar e cilësoi shkuarjen në komunat në veri të kryetarëve të rinj si “hyrje me forcë”, duke dënuar veprimet e Prishtinës.

    Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të përmbahet nga “veprimet tjera që mund të rrisin tensionet dhe të promovojnë dhunë”.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi se këto veprime do të rezultojnë me pasoja në raportet dypalëshe SHBA-Kosovë.

    Veprimet e Kosovës janë dënuar edhe nga Bashkimi Evropian, shtetet e QUINT-it (SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Franca), ndërkaq NATO ka kërkuar nga të dyja palët që të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut.

    Serbia ka ngritur në nivelin më të lartë gatishmërinë luftarake të forcave të saj, pas trazirave në veri. Ndërkaq, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, ka kërkuar nga Beogradi që të ndërpresë dialogun me Prishtinën, që ndërmjetësohet nga Brukseli.

    Në katër komunat në veri të Kosovës, në zgjedhjet lokale të 23 prillit u zgjodhën katër kryetarë të rinj shqiptarë, pasi në këto zgjedhje të jashtëzakonshme nuk morën pjesë partitë serbe.

    Zgjedhjet u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – në nëntor të vitit të kaluar.

    Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.

    Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.

    Pjesëmarrja në zgjedhjet e prillit ishte 3.47 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar. /REL