ATV

Category: Lajme

  • Gjykimi për krime lufte, “Kosova të mësojë nga gabimet e Bosnjes”

    Gjykimi për krime lufte, “Kosova të mësojë nga gabimet e Bosnjes”

    Drejtoresha e organizatës “Medica Zenica”, që vepron në Bosnje dhe Hercegovinë, Sabiha Husiq deklaron se nuk mjaftojnë katër prokurorë në ndëshkimin e krimeve të luftës, aq sa aktualisht numëron Kosova. Ajo thotë se shteti duhet të krijojë mjedis të sigurt për të mbijetuarat që dëshmojnë për atë çfarë kanë përjetuar dhe që autorët e këtij krimi të ndiqen penalisht. Në intervistën për KosovaPress, ajo flet edhe për padinë për gjenocid ndaj Serbisë, për çka vlerëson se Kosova duhet të mësojë nga gabimet e Bosnje-Hercegovinës. Po ashtu, tregon për përvojat e këtij vendi në trajtimin e viktimave të dhunës seksuale nga kriminelët serbë.

    Sabiha Husiq, e cila udhëheq organizatën më të vjetër të grave në Bosnje, konsideron se është e rëndësishme që gratë dhe burrat të flasin për torturat që kanë përjetuar nga kriminelët serbë.

    Për ndëshkimin e krimeve të luftës, Husiq shton se nuk janë të mjaftueshëm katër prokurorë, sa aktualisht numëron Kosova.

    Drejtoresha e organizatës “Medica Zenica” vlerëson se Kosova duhet të mësojë nga gabimet që ka bërë Bosnje-Hercegovina në përgatitjen e padisë për gjenocid kundër Serbisë.

    Në intervistën për KosovaPress, ajo tregon se tash e tri dekada kanë ofruar qindra shërbime për të mbijetuarat e dhunimeve seksuale, atyre të dhunës në familje dhe në komunitet. Ajo shton se kanë ofruar këshillim psikologjik, ligjor, fuqizim ekonomik dhe puna në zonat rurale.

    Lajmi i plotë është në sistemin me parapagim.

    Rreth 20 mijë gra e burra janë dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë nga kriminelët serbë. Deri më tani nga gjykatat vendore është shqiptuar vetëm një dënim prej dhjetë vitesh për dhunim seksual për kriminelin Zoran Vukotiq. Ndërkaq, së fundmi janë ngritur dy aktakuza në mungesë nga Prokuroria Speciale./

  • Burri nga Kosova e vret gruan në Zvicër

    Burri nga Kosova e vret gruan në Zvicër

    Të premten një grua, 37-vjeçare nga Kosova është gjetur e vdekur në banesën e saj në Vevey, Vaud. Ajo dyshohet të jetë vrarë nga bashkëshorti i saj, po ashtu kosovar.

    I dyshuari 42 vjeç është paraqitur në stacionin policor në kantonin e Bernës, shkruan Blick. Aty ka njoftuar se i njëjti ka deklaruar që e kishte plagosur bashkëshorten në banesën ku ajo jetonte.

    Prokurorët kanë hapur hetimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj vdekjeje, e cila mund të ketë ardhur si pasojë e dhunës në familje. Autori i dyshuar, partneri i saj është arrestuar.

    Pasi efektivët e policisë kanë shkuar në banesën e viktimës kanë parë që ajo ishte e goditur disa herë me thikë. Autori i dyshuar u arrestua menjëherë nga policia e Bernës dhe iu dorëzua autoriteteve të Vaud për procedime të mëtejshme. Katër fëmijët e viktimës po kujdeseshin nga familja.

    Hetimet synojnë të zbardhin rrjedhën e ngjarjeve dhe motivet e mundshme të krimit në mënyrë që autoritetet të klasifikojnë saktë krimin.

  • Turqia sot voton në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale

    Turqia sot voton në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale

    Sot, në Turqi do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale. Votuesit do të zgjedhin midis presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe kandidatit të opozitës Kemal Kılıçdaroğlu për një mandat pesëvjeçar.

    Votimi filloi në orën 8:00 të mëngjesit me kohën lokale dhe do të përfundojë në orën 17:00.

    Më shumë se 64,1 milionë njerëz janë të regjistruar për të votuar, duke përfshirë edhe ata jashtë vendit. Rreth 1,92 milion shtetas turq kanë votuar tashmë në qendrat e votimit jashtë shtetit, shkruan AA.

    Gjithsej 191.885 kuti votimi janë vendosur për votuesit në mbarë vendin.

    Balotazhi u caktua pasi asnjëri nga kandidatët, në raundin e parë të mbajtur më 14 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare, nuk arriti të fitojë shumicën ose më shumë se 50 për qind të votave. Megjithatë, Erdoğan kryesoi në raundin e parë me 49,52 për qind.

    Aleanca Popullore e Erdoğanit fitoi shumicën në parlamentin prej 600 anëtarësh përballë Aleancës Kombëtare, e cila përbëhet prej gjashtë partish opozitare.

  • ​Ambasadori turk: Dialogu, e vetmja rrugë për stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë

    ​Ambasadori turk: Dialogu, e vetmja rrugë për stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë

    Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili deklaroi të shtunën se dialogu është e vetmja rrugë për të pasur stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë.

    Ai tha se e mbështesin procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Ne besojmë se stabiliteti është shumë shumë i rëndësishëm jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë Ballkanin, dhe për të arritur një stabilitet të qëndrueshëm, ne besojmë se e vetmja rrugë është dialogu, kështu që ne mbështesim procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe ne gjithashtu mbështesim të gjitha çështjet dhe problemet që duhet të zgjidhen me mjete paqësore”, tha ai.

    Ndryshe, pesë policë janë lënduar dhe katër automjete janë dëmtuar të premten (26 maj) nga incidentet në veri të Kosovës. Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës, duke theksuar se një prej veturave është djegur.

    Me qëllim të pengimit të hyrjes së kryetarëve në objektet komunale, disa qytetarë janë mbledhur para ndërtesave komunale në veri të vendit. Përveç personave të angazhuar dhe automjeteve të tyre të vendosura në afërsi dhe pranë objekteve komunale, në komunat veriore janë lëshuar edhe alarmet, të cilat përdoren nga strukturat kriminale për mobilizim dhe tubime.

    Ndërkohë, ndërkombëtarët kanë dënuar veprimet e Qeverisë Kosovës, duke kërkuar që të ulen tensionet.

    Kryetari i Zveçanit, ai i Leposaviqit dhe kryetari i Zubin Potokut, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë kryer betimin të enjten (25 maj). Asnjëri prej tyre nuk është betuar në objektin e komunës përkatëse, përveç kryetarit të veriut të Mitrovicës.

    Zgjedhjet në veri janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Kryetarët paraprakë nga kjo parti, kanë dhënë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar. Ata janë larguar nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që ka obliguar qytetarët t’i kthejnë targat e veturave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës.

  • Profesori amerikan: Këto 4 shtete të NATO-s, mund t’i japin fund trazirave në veriun e Kosovës

    Profesori amerikan: Këto 4 shtete të NATO-s, mund t’i japin fund trazirave në veriun e Kosovës

    Profesori amerikan, Edward Joseph ka komentuar sërish zhvillimet në veri të Kosovës.Në një intervistë për redaksinë në gjuhën anglezë të “Al Jazeera” ai ka thënë se tensionet në Ballkan, përfshirë edhe trazirat në veri të Kosovës zgjidhen kur 4 shtetet e NATO-s e njohin Kosovën shtet.

    “E gjithë rrëmuja e Ballkanit, duke përfshirë krizat e njëpasnjëshme në veri të Kosovës, përfundojnë me njohjen e Kosovës nga 4 shtetet mosnjohëse të NATO-s. Njohja nga Ukraina mund të jetë katalizator”, ka përmbledhur Joseph intervistën e tij përmes një postimi në Twitter.

    Profesori edhe gjatë ditës së djeshme ka analizuar tensionet në këtë pjesë të Kosovës.

    Ai e ka quajtur të nxituar deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit për të dënuar veprimet e autoriteteve të Kosovës në veri.

    Joseph thotë se dy gjëra mund të jenë të vërteta: Vuçiq mund të jetë i keq dhe Kurti i papërgjegjshëm, por që sipas tij “fajin e ka Beogradi: Regjimi kriminal në veri sabotoi zgjedhjet e 23 prillit, vazhdoi bojkotin e institucioneve të Kosovës dhe përmbysi në mënyrë flagrante Marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme të Ohrit”.

    Ai ka kujtuar edhe lidhjet e Serbisë me Rusinë.

  • Murphy: Serbia s’ka të ardhme me Rusinë, s’është konstruktive të qëndrosh pranë Putinit

    Murphy: Serbia s’ka të ardhme me Rusinë, s’është konstruktive të qëndrosh pranë Putinit

    Senatori amerikan, Chris Murphy, ka thënë se shpreson që Serbia të miratojë sanksionet perëndimore kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë, duke i thënë vendit ballkanik se “nuk ka të ardhme” në një aleancë me Moskën.

    “Pushtimi i Rusisë ka qenë një fatkeqësi absolute dhe besimi im është se Rusia përfundimisht do ta humbasë këtë konflikt”, tha senatori Murphy meqë Serbia është i vetmi vend në Europë që nuk ka vendosur asnjë sanksion ndaj Rusisë.

    “E ardhmja e Serbisë është me Bashkimin Europian dhe me Shtetet e Bashkuara jo me Rusinë. Nuk ka të ardhme me Rusinë. Ata (Rusia) do të shkatërrohen”.

    Megjithëse Serbia po kërkon zyrtarisht anëtarësimin në BE dhe e ka dënuar pushtimin rus në Ukrainë në Kombet e Bashkuara, Beogradi ka ruajtur marrëdhëniet e tij historikisht miqësore me Moskën, shkruan AP.

    Vizita e Murphy në Beograd ndodhi derisa shefi pro-rus i inteligjencës i Serbisë, Aleksandar Vulin, udhëtoi për në Moskë për një konferencë sigurie.

    Serbia është gjithashtu një nga vendet e pakta me lidhje direkte ajrore me qytetet ruse dhe është pothuajse plotësisht e varur nga Rusia për furnizimet me energji.

    I pyetur për vizitën e Vulin në Rusi, Murphy u përgjigj se “natyrisht Rusia po kërkon miq këto ditë”, por se nuk është “konstruktive” për asnjë komb të qëndrojë pranë Presidentit rus Vladimir Putin.

  • Protesta kundër dhunës dhe kërkesa për shkarkimin e Vuçiqit, mbushen rrugët e Beogradit

    Protesta kundër dhunës dhe kërkesa për shkarkimin e Vuçiqit, mbushen rrugët e Beogradit

    Në Beograd po mbahet protesta e katërt “Serbia kundër dhunës” pas dy tragjedive të ndodhura para pak ditësh. Gjithashtu partitë opozitare janë duke kërkuar edhe dorëheqjen e presidentit të Serbisë, Aleksander Vucic.

    Në pamjet e publikuara nga mediat serbe shihet një pjesëmarrje masive në këtë protest që ka nisur para Kuvendit të Serbisë pak pas orës 18:00 dhe ka vazhduar pastaj deri tek ndërtesa e televizionit publik serb.

    Protestuesti serbë kanë mbushur rrugët e Beogradit edhe përkundër motit me shi.

    Ranka Kashikovic ka qenë ajo që ka mbajtur fjalimin hapës në këtë protestë të katërt.

    Kjo protestë masive e opozitës serbe vjen një ditë pas tubimit të Aleksander Vucicit.

  • Shefi i EULEX-it: Zgjedhjet e fundit në veri nuk ofrojnë zgjidhje afatgjatë, palët të veprojnë me maturi

    Shefi i EULEX-it: Zgjedhjet e fundit në veri nuk ofrojnë zgjidhje afatgjatë, palët të veprojnë me maturi

    Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë për veprime të matura, në mënyrë që situata të mos shkojë drejt përshkallëzimit.

    Këto deklarime ai i bëri në një intervistë për Deutsche Welle, ndërsa shtoi se zgjedhjet e fundit, megjithëse u zhvilluan qetë, nuk përbëjnë zgjidhje afatgjate.

    Wigemark, ripërsëriti faktin se kjo zgjidhja e qëndrueshme, e shumëpërmendur, mund të arrihet vetëm përmes dialogut.

    “Do t’i bëjmë thirrje të gjithëve që të veprojnë në mënyrë të matur në mënyrë të qetë për të shmangur çdo kërcënim të dhunës dhe për të deskaluar situatën që fatkeqësisht dje doli jashtë kontrollit”, tha Wigemark ndër të tjera.

    Grupe qytetarësh serb u përplasën të premten me Policinë e Kosovës e cila deklaroi se po ndihmonte kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, në veriun e vendit, për të hyrë në zyrat e tyre.

    Policia hodhi gaz lotsjellës në hyrje të komunës së Zveçanit për të shpërndarë turmën e cila hodhi shashka dhe gurë mbi pjesëtarët e policisë, ndërsa i vuri flakën të paktën një makine të policisë.

    Ndaj zhvillimeve të djeshme në veri reaguan ashpër ndërkombëtarët.

    Sekretari Blinken dje dënoi veprimet e Kosovës, duke i bërë thirrje edhe kryeministrit Albin Kurti që t’i ndalojë këto masa menjëherë.

    “Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka shkruar dje Blinken. Ndërsa, para se të reagonte Blinken, në Prishtinë të njëjtin reagim qortues për Kosovën e bëri edhe ambasadori Jeff Hovenier. Më pas, në të një të linjë reaguan edhe shtetet e tjera të QUINT-it.

  • Murphy: Serbia s’ka të ardhme me Rusinë, s’është konstruktive të qëndrosh pranë Putinit

    Murphy: Serbia s’ka të ardhme me Rusinë, s’është konstruktive të qëndrosh pranë Putinit

    Senatori amerikan, Chris Murphy, ka thënë se shpreson që Serbia të miratojë sanksionet perëndimore kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë, duke i thënë vendit ballkanik se “nuk ka të ardhme” në një aleancë me Moskën.

    “Pushtimi i Rusisë ka qenë një fatkeqësi absolute dhe besimi im është se Rusia përfundimisht do ta humbasë këtë konflikt”, tha senatori Murphy meqë Serbia është i vetmi vend në Europë që nuk ka vendosur asnjë sanksion ndaj Rusisë.

    “E ardhmja e Serbisë është me Bashkimin Europian dhe me Shtetet e Bashkuara jo me Rusinë. Nuk ka të ardhme me Rusinë. Ata (Rusia) do të shkatërrohen”.

    Megjithëse Serbia po kërkon zyrtarisht anëtarësimin në BE dhe e ka dënuar pushtimin rus në Ukrainë në Kombet e Bashkuara, Beogradi ka ruajtur marrëdhëniet e tij historikisht miqësore me Moskën, shkruan AP.

    Vizita e Murphy në Beograd ndodhi derisa shefi pro-rus i inteligjencës i Serbisë, Aleksandar Vulin, udhëtoi për në Moskë për një konferencë sigurie.

    Serbia është gjithashtu një nga vendet e pakta me lidhje direkte ajrore me qytetet ruse dhe është pothuajse plotësisht e varur nga Rusia për furnizimet me energji.

    I pyetur për vizitën e Vulin në Rusi, Murphy u përgjigj se “natyrisht Rusia po kërkon miq këto ditë”, por se nuk është “konstruktive” për asnjë komb të qëndrojë pranë Presidentit rus Vladimir Putin.

  • Opozita e kundërshton themelimin e Fondit Sovran

    Opozita e kundërshton themelimin e Fondit Sovran

    PËRGATITI: NEXHMIE HYSENI

    Partitë opozitare vazhdojnë të kundërshtojnë themelimin e Fondit Sovran të Kosovës, derisa e quajnë të mangët dhe antikushtetues. Por, ndryshe nga opozita drejtues të Qeverisë thonë se një fond i tillë është i domosdoshëm për ekonominë e vendit.

    Antikushtetues vazhdojnë ta quajnë themelimin e Fondit Sovran, paritë opozitare. Madje kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë edhe në Gjykatën Kushtetuese. Sipas deputetit të PDK-së, Ferat Shala, themelimi i Fondit Sovran ka mangësi.

    “Konsiderojmë se duhet t’i nënshtrohet një ekspertize të mirë profesionale nëse dëshirojnë që të kalojnë në Kuvend dhe të jetë funksional. Parimisht ka mangësi tepër të mëdha që janë jashtë parimeve të ekonomisë së tregut të lirë, si koncept, si Fond Sovran ne nuk e kundërshtojmë, por e kundërshtojmë si përbërje, si tërësi e materie që parimisht nuk zgjidh problem dhe nuk shohim perspektivë zhvillimore…Nëse shkon me këto parime është edhe antikushtetues dhe antiligjor dhe jo zhvillimor”.

    “Sa i përket Fondit Sovran, këta duan që ky Fond Sovran të gjithë agjencionet t’i fut në një ombrelle tek ky fond dhe një individ të menaxhojë me gjithë agjencionet tona në Republikën e Kosovës. Mendoj se vetëm Rusia e ka Fondin Sovran dhe shumë shtete tjera, të cilat nuk përkojnë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe për ne mënyra se si kanë propozuar draftin për këtë fond sovran është e papranueshme dhe është shkelje kushtetuese. Ne si LDK do të japim kontributin tonë dhe do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, edhe pse Gjykata Kushtetuese për këtë qeveri është e parëndësishme”.

    Kur është prezantuar themelimi i Fondit Sovran, kryeministri, Albin Kurti e quajti zhvillimor për ekonominë. Këtë ditë më parë e përseriti ministri i Financave Hekuran Murati.

    “Jo aspak fondi Sovran është rregull ka plotë shtete qe kan fondin Sovran dhe kjo është mëkanizën shtesë që ndihmon përshpejtimin e zhvillimit ekonomik, dhe këtu parashihen që të përfshihen ndërmarrjet publike asetet që të menagjohen në kushtet e tregut” .

    Ndërsa, Emanuel Bajra, hartues dhe anëtar i Fondit Sovran thotë se i njëjti do t’i japë peizazh tjetër ekonomik vendit.

    “Nuk ka asgjë antikushtetuese brenda fondit, kemi punuar me ditë të tëra, asnjëri nga ne si grup ekspertësh, si ligjorët e si ne nuk jemi paguar, përkundrazi me resurset tona kemi vet-investuar vetën me vizitat në Kosovë, me këshillimet që kemi marrë jashtë e brenda Kosovës.

    Me themelimin e këtij fondi parashihet që ndërmarrjet publike dhe 24 mijë asete të barten nga Qeveria.