ATV

Category: Lajme

  • Diskutimet për Osmanin në LDK, Bajrami e Hoti munguan në mbledhje, ish-deputetja tregon arsyen e saj

    Diskutimet për Osmanin në LDK, Bajrami e Hoti munguan në mbledhje, ish-deputetja tregon arsyen e saj

    Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku është diskutuar për zgjedhjet e 7 qershorit dhe formalizimi i bashkëpunimit me ish-presidenten Vjosa Osmani, nuk janë parë dy figura të rëndësishme të partisë, Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti.

    Në fotografitë e publikuara nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nga takimi i kryesisë, mungojnë Bajrami dhe Hoti, çka ka tërhequr vëmendje në opinion.

    Telegrafi ka kontaktuar me Bajramin për të marrë një qëndrim se përse nuk ishte pjesë e këtij takimi.

    Ajo në një përgjigje të shkurtë tha se mungesa e saj lidhet me shkaqe shëndetësore.

    “Për shkaqe shëndetësore”, ka deklaruar shkurt Bajrami, pa dhënë të tjera.

    Po ashtu, Bajrami nuk ka komentuar nëse e mbështet idenë e një liste të përbashkët zgjedhore të LDK-së me Vjosa Osmanin.

    Ndërkohë, Avdullah Hoti pavarësisht tentimit për të kontaktuar me të, nuk u është përgjigjur pyetjeve tona për arsyet e mungesës së tij në këtë takim të kryesisë.

    Hoti ka bërë një reagim të shkurt në profilin e tij në Facebook, duke shkruar “LDK mbi të gjitha”.

    Pas përfundimit të mbledhjes, Abdixhiku konfirmoi se Kryesia ka votuar në favor të vazhdimit të procesit për një listë të përbashkët me Osmanin.

    Ai bëri të ditur se të shtunën do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i partisë për të finalizuar aspektet përgatitore të këtij bashkëpunimi.

    “Me votim në këtë trup u dakorduam që këtë të shtunë të thërrasim Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së për t’i finalizuar të gjitha çështjet për pjesën përgatitore. Votuam dhe u dakorduam të formalizojmë bashkëpunimin me Vjosa Osmanin për garim të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme”, ka deklaruar Abdixhiku.

  • Ministri britanik i mbrojtjes vjen në Kosovë, takohet me komandantin e KFOR-it

    Ministri britanik i mbrojtjes vjen në Kosovë, takohet me komandantin e KFOR-it

    Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka bërë të ditur se në Kosovë ka ardhur ministri britanik i mbrojtjes, Lord Vernon Coaker.

    Hargreaves bëri të ditur se ai është takuar me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash me të cilin kanë disktuar situatën aktuale të sigurisë.

    “Sonte mirëpritëm në Kosovë Ministrin e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, Lord Vernon Coaker. Këtë mbrëmje ai u takua me Komandantin e misionit të KFOR-it, Gjeneral Major Ozkan Ulutash, dhe Gjeneral Brigade Schulte-Borghoff, Drejtor i Ekipit Ndërlidhës Këshillues të NATO-s”.

    “Lord Coaker riafirmoi angazhimin ndaj KFOR-it të NATO-s. Ata diskutuan situatën aktuale të sigurisë, rolin e KFOR-it në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë, si dhe kontributin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për paqen dhe sigurinë në rajon”, shkroi ai.

  • Qeveria mban mbledhje online, merr këtë vendim

    Qeveria mban mbledhje online, merr këtë vendim

    Qeveria në detyrë e Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen e shtatëmbëdhjetë, në format elektronik.

    Në këtë mbledhje, ekzekutivi ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/64, të datës 25 shkurt 2022, për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare.

    Sipas njoftimit, ky vendim ka për qëllim linjëzimin e politikës së jashtme të Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian.

    “Miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/64, të datës 25.02.2022, për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare “me qëllim të linjëzimit të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) të Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftim.

  • Avdyli: Vjosa Osmani e ka bërë kryeministër Albin Kurtin

    Avdyli: Vjosa Osmani e ka bërë kryeministër Albin Kurtin

    Ish-deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, ka folur sërish për procesin e zgjedhjes së presidentit.

    Ai ka treguar se deri në momentet e fundit para kandidimit të Glauk Konjufcës, kishte besuar se bëhej fjalë për një strategji politike të Albin Kurtit.

    Sipas tij, kishte menduar se Kurti nuk do ta kandidonte Konjufcën dhe se mund të kërkonte mbështetje nga LDK-ja përmes nënshkrimeve.

    “Unë mendoj që deri ditët e fundit kur është kandiduar Glauku, akoma ne e kemi pasur një bindje që Albin Kurti është duke e bërë një politikë, është një taktikë e Albinit. Unë kam menduar që nuk e kandidon as Glaukun dhe shkon i thotë LDK-së “mi jep ato 15 nënshkrime”.

    “Konkretisht një ditë apo dy para se të nominohet Glakuku, na është thënë që kandidat do të jetë Glauk Konjufca dhe një kandidat tjetër formal, që më vonë doli që është Fatmirja. Normalisht unë nuk isha i bindur pse nuk po bën Vjosa”, tha ai në Klan Kosova.

    Avdyli ka theksuar se një ose dy ditë para nominimit, ishte bërë e ditur se kandidat do të ishte Konjufca, së bashku me një kandidat tjetër formal.

    Sipas tij, zakonisht mosnominimi i një figure lidhet me performancë jo të mirë, por në rastin e Osmanit, sipas tij, ajo e kishte përfaqësuar Kosovën në mënyrë shumë të mirë.

    “Zakonisht kur dikush nuk nominohet ose shkarkohet, bëhet kur nuk ka punuar mirë, askush në grup parlamentar, por as qytetarët nuk e kam hasur që kanë thënë që kjo nuk po punon mirë, kjo është shkarkuar që lka punuar shumë, e ka prezantuar Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ai.

    Avdyli ka përshkruar edhe atmosferën në momentin e nominimit, duke thënë se shumë deputetë dukeshin të pakënaqur.

    “Në momentet e nominimit unë edhe i kam parë fytyrat e deputetëve që kanë qenë të ngrysura, deputetëve të tjerë, jo të Guxo-s, të gjithë janë ndjerë keq, sepse ata kanë besuar dhe akoma e di që shancat më të mëdha për t’u bërë kryetare e shtetit, me vazhdu, i ka pasur Vjosa Osmani, asnjëri tjetër nuk i ka pasur”, tha ai.

    Ai ka treguar gjithashtu se kishte komunikime me disa deputetë që nuk ishin të informuar për zhvillimet dhe që shprehnin mbështetje për Osmanin.

    Megjithatë, ai u shpreh i habitur që disa prej tyre më pas dolën publikisht me qëndrime kundër saj.

    “Shumë më kanë thirrur çka po bëhet, as ata nuk kanë qenë të informuar çka po bëhet, “a po bëhet Vjosa, mirë është me shku Vjosa”, shumë deputetë 3-4 e di që kam komunikuar edhe përmes telefonit. Ata po ndihen shumë keq, por tash po çuditem kur të njëjtit po dalin e po bëjnë video kundër Vjosës”, tha ai.

    Në fund, Avdyli theksoi se, sipas tij, në vitin 2021 ishte Vjosa Osmani ajo që ndikoi në ardhjen e Albin Kurti në postin e kryeministrit.

    “Vjosa Osmani e ka bërë kryeministër Albin Kurtin, jo Albin Kurti, Vjosa Osmanin, po flasim për vitin 2021”, u shpreh ai.

  • Drita Morina zgjedhet nënkryetare e KPM-së

    Drita Morina zgjedhet nënkryetare e KPM-së

    Me shtatë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Drita Morina është zgjedhur nënkryetare e Komisionit të Pavarur të Mediave.

    Luljeta Aliu Krasniqi e propozoi Drita Morinën për nënkryetare dhe kjo e fundit nuk pati ndonjë kundërkandidat.

    “Unë po mendoj që duke pasur parasysh përvojën që kemi momentalisht edhe përvojën e kandidatëve të cilët na i kanë shtru këtu si vërejtje natyrisht edhe anën gjinore tash se pa ta nuk bën po thonë, nuk bën, nuk bën. Mirëpo pa dashur me bë ndonjë dallim, megjithatë mendoj se zonja Drita Morina kishte me qenë një përzgjedhje e mirë, e ka po besoj edhe përvojën në këtë fushë. Edhe unë ia kisha besu këtë detyrë zonjës Drita Morina”, tha Aliu-Krasniqi raporton Ekonomia Online.

  • Kontrollet në treg, MINTI dhe AUV në aksion për produktet e qumështit

    Kontrollet në treg, MINTI dhe AUV në aksion për produktet e qumështit

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka intensifikuar kontrollet në tregun e produkteve të qumështit në gjithë territorin e Kosovës.

    Sipas njoftimit, këto veprime kanë për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe rritjen e transparencës në treg, veçanërisht në lidhje me deklarimin dhe etiketimin e produkteve ushqimore.

    Në kuadër të inspektimeve të realizuara, janë kryer gjithsej 7 kontrolle në 4 qytete të ndryshme të Kosovës. Nga këto, 6 raste janë dërguar në procedurë, ndërsa 1 rast është mbyllur.

    MINTI ka rikujtuar të gjithë operatorët ekonomikë që veprojnë në prodhim, import, distribuim dhe shitje të produkteve të qumështit se janë të obliguar të respektojnë legjislacionin në fuqi, përfshirë Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Ligjin për Tregtinë e Brendshme.

    Në njoftim theksohet se çdo produkt duhet të ketë deklaracion të qartë dhe të saktë në gjuhët zyrtare, duke specifikuar nëse është me bazë shtazore, bimore apo me qumësht pluhur.

    Po ashtu, subjektet tregtare obligohen të bëjnë ndarjen e qartë të produkteve në rafte sipas kategorive përkatëse.

    Institucioni ka paralajmëruar se inspektimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim parandalimin e praktikave mashtruese dhe garantimin e informimit të drejtë të konsumatorëve.

    Në rast të mosrespektimit të kërkesave ligjore, operatorët ekonomikë do të përballen me masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi.

    Ndërkohë, qytetarët janë ftuar të raportojnë çdo parregullsi në treg, duke ofruar edhe dëshmi përkatëse për institucionet përgjegjëse.

  • Aeroporti i Prishtinës me njoftim të rëndësishëm për hyrje/daljet

    Aeroporti i Prishtinës me njoftim të rëndësishëm për hyrje/daljet

    Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ka njoftuar udhëtarët për ndryshime të përkohshme në organizimin e hyrje/daljeve të terminalit, për shkak të punimeve që po zhvillohen në infrastrukturë.

    Sipas njoftimit zyrtar, më 06.05.2026 hyrjet dhe daljet e reja të nisjeve dhe arritjeve do të jenë të mbyllura përkohësisht vetëm për një ditë, në kuadër të punimeve teknike.

    Gjatë kësaj periudhe, udhëtarët për të gjitha fluturimet janë udhëzuar të përdorin hyrjen e vjetër të terminalit (Departures), ndërsa operimet do të kthehen në normalitet nga data 07.05.2026.

    “Ju lutemi që për një ditë të përdorni hyrjen e vjetër të Nisjeve për të gjitha fluturimet. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj për çdo shqetësim”, thuhet në njoftim.

    Nga aeroporti është bërë e ditur se ndryshimet janë të përkohshme dhe lidhen vetëm me punimet në zhvillim, ndërsa pas përfundimit të tyre, shërbimet do të vazhdojnë normalisht në hyrje/daljet e reja të terminalit.

  • Vjosa Osmani bartëse e listës? Abdixhiku: Renditja nuk është problem për mua

    Vjosa Osmani bartëse e listës? Abdixhiku: Renditja nuk është problem për mua

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia është e fokusuar në ndërtimin e një liste fituese për zgjedhjet e 7 qershorit dhe se bashkëpunimi i brendshëm politik mbetet prioritet.

    I pyetur nëse do t’ia lëshojë vendin e renditjes në listë Vjosa Osmanit, Abdixhiku tha se kjo nuk paraqet asnjë problem për të.

    “Pa asnjë problem, për mua besoj që Vjosa Osmani duhet të jetë kandidatja më e shkëlqyeshme dhe më e duhura për presidente të Kosovës. Besoj që populli e do një gjë të tillë dhe jam i gatshëm që bashkë me kolegët dhe LDK t’ia mundësojmë vetes dhe popullit të Kosovës një kandidaturë të tillë. Prandaj renditja në listë për mua nuk është problem fare”, ka deklaruar Abdixhiku.

    Abdixhiku ka përgënjeshtruar raportimet se Osmani ka vendosur paraprakisht kushte për bashkëpunim.

    “Asnjë kusht me Vjosën nuk e kemi pasur. Nuk është relacion kushtëzimesh, është relacion i kuptimit të nevojës së përbashkimit të të gjithëve brenda LDK-së, dhe ky nënkupton që ne ndërtojmë relacione mbi mirëbesim”, ka thënë ai.

    Sipas Abdixhikut, bashkëpunimi politik do të vazhdojë brenda një liste të përbashkët në kuadër të LDK-së, me synim rezultat të suksesshëm në procesin zgjedhor.

    “I njoftova kryesinë, votuam dhe u dakorduam që të formalizojmë tash e tutje bashkëpunimin me Vjosa Osmanin për garimin e përbashkët në zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi Abdixhiku, duke kërkuar t’i jepet edhe disa ditë kohë që të finalizohet kjo.

  • Haradinaj: Një kryeministër që sulmon median, sulmon një nga shtyllat kryesore të shtetit demokratik

    Haradinaj: Një kryeministër që sulmon median, sulmon një nga shtyllat kryesore të shtetit demokratik

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se pushteti i Albin Kurtit planifikon të ngulfas lirinë e shtypit.

    Sipas tij, një kryeministër që “sulmon median, në thelb sulmon një nga shtyllat kryesore të shtetit demokratik. Ai linçon dhe tenton të drejtojë me qëllim të keq”.

    “Media duhet të jetë e lirë, e pavarur dhe e mbrojtur. Gazetarët duhet të ndihen të sigurt në punën e tyre, të mbështetur në misionin e tyre. Dhe ne, si përfaqësues politikë, duhet të jemi garantues të këtij mjedisi”, ka shkruar mes tjerash Haradinaj në Facebook.

    Postimi i plotë:

    Liria e shtypit, hapësira që pushteti i Kurtit planifikon ta ngulfas.

    Sot, kemi shumë pak gazeta të shtypura. Koha që na mungon na shfaqet në kujtesë si respekt.

    Shkrimet dhe opinionet, sidoqoftë, sot janë prezente në një platformë tjetër, pra elektronike.

    Dhe padyshim, ne duhet ta mbrojmë si dje, sot dhe të nesërmen, si kauzë edhe më tutje.

    Liria e shtypit nuk është privilegj i mediave, por është themel i demokracisë. Ajo është zëri që mban përgjegjës pushtetin, pasqyra që i tregon shoqërisë të vërtetën, edhe kur ajo është e vështirë për t’u dëgjuar.

    Një shtet që respekton median, respekton qytetarin e vet.

    Respekti ndaj gazetarit nuk duhet të jetë selektiv, as i kushtëzuar nga pyetjet që bën apo temat që trajton. Gazetari nuk është kundërshtar, por partner në ndërtimin e një shoqërie transparente.

    Nga reportazhet dhe hulumtimet në terren, te dokumentarët që sjellin histori të pathëna, nga kronikat e përditshme deri te hulumtimet që kërkojnë muaj pune e përkushtim, pra secili kontribut i tyre është shërbim publik.

    Pas çdo lajmi që lexojmë apo shohim, qëndron një ekip njerëzish që shpesh punojnë në kushte të vështira, me orare të gjata dhe me përgjegjësi të madhe.

    Një vlerësim i veçantë u takon edhe kameramanëve dhe ekipeve teknike, ata që janë gjithmonë në vijën e parë, në shi, në të ftohtë, në ngjarje të papritura, duke dokumentuar realitetin ashtu siç është. Pa ta, e vërteta shpesh do të mbetej e padukshme.

    Për fat të keq, sot kemi krijuar një klimë ku nga maja e pushtetit shpesh dëgjojmë gjuhë ofenduese ndaj mediave. Kjo nuk i shërben as demokracisë, as besimit të qytetarëve. Kritika ndaj mediave është e drejtë, por ajo duhet të jetë argumentuese, jo denigruese.

    Një kryeministër që sulmon median, në thelb sulmon një nga shtyllat kryesore të shtetit demokratik. Ai linçon dhe tenton të drejtojë me qëllim të keq.

    Unë besoj në një qasje tjetër.

    Në një raport të hapur, korrekt dhe të ndershëm me mediat. Nuk do të ketë mbyllje dyersh, nuk do të ketë shmangie nga pyetjet dhe, mbi të gjitha, nuk do të ketë gjuhë përçmuese. Sepse përgjegjësia jonë nuk është të zgjedhim pyetjet, por të japim përgjigje.

    Media duhet të jetë e lirë, e pavarur dhe e mbrojtur. Gazetarët duhet të ndihen të sigurt në punën e tyre, të mbështetur në misionin e tyre. Dhe ne, si përfaqësues politikë, duhet të jemi garantues të këtij mjedisi.

    Unë jam në krah të tyre, jo për t’i përdorur, por për t’i respektuar. Jo për t’i heshtur, por për t’i dëgjuar.

    Sepse një shoqëri pa media të lirë është një shoqëri pa zë. Dhe unë besoj në një Kosovë ku zëri i së vërtetës nuk ndalet kurrë.

  • Dardan Beqiri zgjedhet kryetar i Bordit të RTK-së

    Dardan Beqiri zgjedhet kryetar i Bordit të RTK-së

    Dardan Beqiri, është zgjedhur kryetari i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

    Ai ishte i vetmi kandidat për këtë pozitë, njofton Klan Kosova.

    Sipas anëtarëve të rinj të këtij bordi, ata nuk kanë përvojë në këto çështje.

    Po ashtu në këtë mbledhje pritet të vendoset edhe për ushtruesin e detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së.